“SI MUND TË DUKEMI JOSHËS”/ ANILA KALLESHI: SEKRETI I PAMJES RINORE DHE TË FRESKËT

“SI MUND TË DUKEMI JOSHËS”/ ANILA KALLESHI: SEKRETI I PAMJES RINORE DHE TË FRESKËT

Engjëjt e ‘Victoria’s Secret’ apo modele të tjera anoreksike ndikojnë shumë negativisht te një pjesë e mirë e vajzave të reja, që duke synuar të arrijnë linja të përsosura gabojnë me mënyrën e të ushqyerit. Anila Kalleshi është një dietologe shumë e njohur, e cila ka vendosur profesionalizmin e saj në funksion të djemve dhe vajzave që duan të dobësohen dhe të duken bukur, në mënyrën më të padëmshme për shëndetin. Profesionalizmi i saj u ka shërbyer dhe u ka dhënë rezultate shumë njerëzve përfshi këtu edhe ‘vipat’ e showbizit shqiptar. Me një eksperiencë shumë të gjatë në treg, Anila na ka rrëfyer për sekretin e bukurisë dhe pamjes së saj rinore, por edhe këshilla se si mund të arrijmë të humbasim kilogramët e tepërt dhe të dukemi joshës.

Jeni vlerësuar si një nga 100 femrat që ndryshuan Tiranën, a e kishit menduar ndonjëherë që do të ishit kaq e suksesshme në profesionin tuaj?

Është një privilegj i madh për mua të jem pjesë e këtij klasifikimi, ku në thelb qëndron një rrugëtim i gjatë, por i mbushur plot me sfida e përkushtim. Në momentin që ndërmerr një nismë profesionale, nuk e ke të qartë nëse do të jetë një sukses apo jo, por ajo që kam mësuar në këto 20 vite është që, nëse diçka e bën me përkushtim, pasion, vullnet e mbi të gjitha me shumë profesionalizëm, suksesi është i garantuar. Mbushem me krenari kur shoh të gjitha rezultatet pozitive të të gjitha vajzave që janë bërë pjesë e shërbimeve të “Anila Kalleshi Center”. Por ky rrugëtim nuk mbaron këtu. Unë do vazhdoj gjithmonë të sjell më të mirën në treg, për të gjitha ato vajza që nuk ndalen së besuari në punën time dhe që na dedikojnë kohën e tyre për të arritur format ideale.

Cila ka qenë shtysa për hapjen e qendrës suaj të dobësimit dhe kujdesit për trupin?

Njerëzit ndërmarrin hapa drastikë për të arritur peshën ideale, por nuk e kuptojnë rrezikun që i kanoset duke ndërmarrë hapa të tillë. Ajo që doja unë të sillja në treg ishte një mundësi ‘e artë’ për të gjithë ata njerëz, që donin të arrinin peshën e tyre ideale, pa qenë nevoja të përballeshin çdo ditë me kilet e tepërta. Kam njohur një numër të konsiderueshëm vajzash të cilat kishin humbur vetëbesimin pasi ndiheshin të paragjykuara nga ‘koncepti’ i shoqërisë ku jetojmë, mbi trupin ideal apo format perfekte. Dhe kështu lindi “Anila Kalleshi Center”. Shërbimet që qendra ofron konsistojnë në humbjen e kileve të tepërta, por në mënyrë të shëndetshme dhe pa efekte anësore. Shëndeti është e vetmja gjë, me të cilin nuk ka kompromis!

Ç’mund të na thoni për pamjen tuaj kaq rinore dhe të freskët, cila është magjia që i bëni çdo ditë?

Gjenetika luan një rol të rëndësishëm, por jo kryesor. Përpos gjenetikës, gjithmonë jam kujdesur për mënyrën e të ushqyerit. Mundohem të ushqehem shëndetshëm, dhe këtë stil jetese po ia kultivoj dalëngadalë dhe tim biri, Franklit. Pra ‘magjia’ është thjesht: ushqyerja e shëndetshme.

Ju keni ndihmuar shumë personazhe të famshëm të humbasin kilet e tepërta, të duken më të bukura dhe të jenë më vetëbesuese. Me cilën prej tyre e keni patur më të vështirë t’ia dilni mbanë? Po më të lehtë?

Po është e vërtetë që shumë personazhe të famshëm i janë drejtuar “Anila Kalleshi Center” për humbjen e kileve të tepërta. Të them të drejtën, nuk kam hasur asnjë vështirësi me asnjërën prej tyre. Ato kanë treguar gatishmëri dhe vullnet të hekurt gjatë të gjitha seancave, si dhe nuk kanë abuzuar me zgjedhje të pashëndetshme ushqimore. Rezultatet flasin vetë! Unë lumturohem dyfish kur marr komente pozitive nga ana e tyre!

Çfarë këshille do u jepnit vajzave të cilat ndoshta pas shumë tentativash nuk ia kanë dalë të kenë një trup të bukur dhe perfekt?

Këshilla ime do ishte që fillimisht të kenë kujdes me regjimin ushqimor, që të mos abuzojnë me fast food-in apo ushqimet e skuqura, të bëjnë aktivitet të rregullt fizik, ecje, not apo sporte të ndryshme. Gjithashtu, duhet të kenë kujdes nga dietat drastike. Ndodh shpeshherë që shumë vajza të provojnë dieta nga më të ndryshmet, më drastiket, të dëmtojnë organizmin e tyre dhe të humbasin peshë, por pesha rikthehet më pas dyfish brenda një kohe të shkurtër. Më e mira është që të konsultohen me një ekspert/e të fushës për një dietë të personalizuar për organizmin e tyre. Mbi të gjitha duhet të kenë shumë vullnet, që rezultatet të jenë efikase dhe afatgjata.

A mendoni se ndjekja e modeleve dhe personazheve të famshme që shfaqen me superlinja, mund të jenë shkaqe potente për shfaqjen e bulimisë, anoreksisë apo ndonjë forme depresioni te vajzat?

Patjetër që po! Personalisht, unë mendoj që në media po jepet një ide e gabuar për format ideale që femrat duhet të kenë. Ndikimi që këto personazhe kanë në individë të caktuar mund të çojë në shfaqjen e çrregullimeve ushqimore si bulimia, anoreksia etj. Nëse një person shfaq shenja të tilla, atëherë ka nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore. Çrregullimet ushqimore duhen adresuar që në momentin e parë që vihen re simptomat. Për fat të keq, media sociale është bërë pjesë e jetës sonë, në mënyrë virale, saqë është e pashmangshme evitimi i saj apo i modeleve që promovohen në të. Është e rëndësishme të mos krijojmë trysni në individë të cilët nuk ndihen komfort në peshën e tyre, por të kontribuojmë në mbështetje ndaj tyre, për një humbje peshe të shëndetshme.

Cila është dieta më ekstreme (më impenjative) që i keni rekomanduar dikujt?

Unë nuk jam pro ndaj dietave ekstreme. Dietat ekstreme kanë efekte anësore dhe mbi të gjitha janë tejet të pashëndetshme. Në momentin që rekomandoj një dietë marr parasysh shumë faktorë, si: gjendja shëndetësore e individit në fjalë, pesha, gjatësia etj., në mënyrë që dieta të mos ndikojë negativisht në gjendjen fizike dhe psikologjike, por të sjellë rezultate efikase dhe afatgjata.

A mendoni se puna që bëni është e vështirë dhe me përgjegjësi dhe sa ndihmon pasioni në bërjen e saj çdo ditë?

Nëse një punë nuk bëhet me pasion dhe dashuri, atëherë me shumë gjasa nuk ka sukses! Në momentin që dikush i drejtohet “Anila Kalleshi Center”, lind përgjegjësia maksimale që përfundimi të jetë me domosdo pozitiv. Nuk mund të them që është e lehtë! Por në momentet kur dikush të falënderon, pasi në një farë mënyre i ke ndryshuar jetën, atëherë aty puna ime merr tjetër kuptim dhe më shtyn për të synuar gjithmonë e më lart.

A e ndjeni ju si pronare e biznesit tuaj konkurrencën e qendrave të tjera të dobësimit dhe dietave, apo keni fituar besimin e shumicës tashmë?

Më lejoni t’ju them një shprehje: ‘Për më të mirët ka gjithmonë vend’. “Anila Kalleshi Center” ka 20 vite që qëndron në treg, për shkak të shërbimeve më efikase dhe më cilësore që ka sjellë besueshmëri dhe qëndrueshmëri te klientet.

Cila është arritja më e madhe në jetë për Anila Kalleshin?

Të jem e sinqertë kam marrë shumë çmime brenda dhe jashtë vendit. Secila prej tyre mbart një emocion të veçantë. Por nuk besoj se ka pasur arritje më të madhe për mua se momenti kur gjatë marrjes së një çmimi, im bir m’u afrua dhe më tha: “O ma’ jam shumë krenar për ty”! Jam me fat që përpos arritjes profesionale, e kam zemrën plot nga dashuria dhe mbështetja e familjes së mrekullueshme që kam!

error: Nuk lejohet kopjimi!