Refleksion mbi ushqyerjen nē kohet e sotme

Refleksion mbi ushqyerjen nē kohet e sotme

Tregu i lirë dhe reklamimi kanë krijuar preferenca të reja dietike ushqimore të popullatës sonë. Ushqimet natyrale me produkte të freskëta, zarzavate, fruta, fibra, bukë të zezë, qumësht dhe produktet tradicionale nuk po preferoheshin më. Në një kohë rekord dhe vetë fermerët që i prodhonin u kthyen në hileqarë, duke përdorur për rritjen e produkteve të tyre  hormone. Ushqimet e importuara, ato të gatshme dhe gjysëm të gatshme, fast food-et, pijet e ndryshme me gaz si dhe pijet alkoolike me shije të reja por me kalorazh të lartë dhe përbërje ushqimore kryesisht yndyrore, sheqerore dhe alkoolike pushtuan tregun dhe u bënë shumë shpejt pjesë e  rëndësishme e  mentalitetit shqipëtar.
Bashkë me to u spostua gradualisht dhe vendi i ngrënies. Vihet re që një pjesë mjaft  e mirë e njerëzve kanë hequr dorë nga ushqimi tradicional familjar shtëpiak në atë “me shoqëri” në lokal. Të gjitha së bashku kanë krijuar edhe tek ne një BUM ushqimor dhe kalorik të paparë, që i tërheq njerëzit tanë me kënaqësitë dhe shijet e reja gastronomike.
Një tjetër rrezik i tmerrshëm përveç ushqimeve hiperkalorike dhe gamës të gjerë të produkteve ushqimore është dhe pasiviteti fizik. Ky pasivitet  është pasojë e urbanizmit, shpërnguljes masive nga fshati në qytet, numrit pafund të makinave që ka zëvendësuar ecjet e dikurshme me këmbë ose biçikletë, ashensorët e tmerrshëm që kanë zëvendësuar uljet dhe ngjitjet pafund nëpër shkallë, telefonia celulare që tashmë të zgjidh punët në një çast të vetëm pa qenë aspak e nevojshme të bësh ecejake të tëra për të mbaruar punët e nevojshme, qëndrimit të stërzgjatur përpara TV apo qëndrimi me orë të tëra në internet. Mbi 60 % e të rinjve tanë nuk arrijnë të kryejnë aktivitet fizik sistematik as dy herë në javë për të ruajtur  linjat trupore.
 Ushqimi nuk është si ajri frymëmarrjes. Organizmi merr dhe mban vetëm aq ajër sa i duhet, tepricën e nxjerr. Me ushqimin nuk ndodh kështu. Ushqimi është “karburanti”, nga djegia e të cilit vihen në lëvizje dhe punë të pandërprerë qelizat e trupit. Tepricat e tij, organizmi nuk i nxjerr jashtë, por i depoziton si “karburant” rezervë.  Me anë të këtij mekanizmi fiziologjik mbrojtës, organizmi siguron rezervat për rastet e mungesës së ushqimit. Depozitimi i tepricave kalorike kryhet në formë dhjami. Ky formohet nga kaloritë e tepërta të grumbulluara, nga pasiviteti, nga mbiushqyerja dhe mos djegia prej trupit të kalorive të marra me ushqim. Depozitimi i dhjamërave edhe pse vetë trupi përpiqet ta ruajë për një ditë të vështirë, për fat të keq shndërrohet  në një “sëmundje të tmerrshme” brenda organizmit .
Rreth  26% e vajzave shqiptare vuajnë emocionalisht prej mbipeshës trupore, ndërsa  sipas  një studimi të fundit të Bankës Botërore, në krahasim me dhjetë vite më parë, në Shqiperi vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës, sëmundjet e vazave të gjakut dhe kancerit është rritur 40 %. Këto shifra tragjike si shkaktar kryesor njohin obezitetin.
error: Nuk lejohet kopjimi!