Kombinimi i ushqimeve që djegin dhjamërat

Kombinimi i ushqimeve që djegin dhjamërat

Ekzistojnë mjaft alternativa për uljen në peshë. E ndërsa verën e lamë pas, ajo që duhet të bëjmë kujdes, është se si t’i vëmë në zbatim këto këshilla, të cilat duhet të na gjejnë të përgatitur edhe sezonin e ardhshëm. Përveç ushtrimeve fizike, regjimi ushqimor apo kombinimi i tyre, ndihmon në një qasje ndaj idesë se mund t’ia dalim. E për t’i bërë mirë shëndetit tonë në radhë të parë, le të kuptojmë në praktikë rëndësinë që kanë ushqimet, sidomos kur kombinohen në vlera mes njëri-tjetrit.

Anila Kalleshi, Dietologe

Ushqimet që ne konsumojmë reagojnë në mënyra të ndryshme në trupin tonë. Perimet, mishërat, bulmetrat, frutat, drithërat, etj., kërkojnë enzima të ndryshme për t’u tretur dhe përthithur nga trupi. Shpesh, miksimi i ushqimeve të ndryshme rezulton me sukses, por herë të tjera sjell shqetësime në tretje. Për këtë duhet të informohemi sa më shumë mbi ushqimet dhe mënyrës të shëndetshme të kombinimit të tyre në mënyrë që përftimi i vlerave ushqyese të jetë maksimal. Duke ngrënë në mënyrë të shëndetshme, ne investojmë në mënyrë të zgjuar në jetëgjatësinë tonë, duke mbajtur larg sëmundjet.

Tërshërë me boronicë – Përmban fibra të patretshme që kontrollojnë urinë. Boronicat kanë antioksidantë mjaft të fuqishëm (antocianinën) dhe Vitaminë C që ndihmojnë në dobësim dhe ndalojnë formimin e dhjamërave në zonën abdominale.

Nëse konsumojmë mish të bardhë, do të ndihemi të ngopur dhe aspak të uritur në vaktin më pas. Po kështu, kaloritë që konsumohen do të digjen më mirë. Kombinimi perfekt do të ishte me brokoli ose me spec të kuq. Brokoli apo specat përmbajnë Vitaminë C, e cila ndikon mjaft mirë në frenimin e kortizolit, hormonit përgjegjës për akumulimin e dhjamit në bark.

Bajamet përmbajnë aminoacidin l-arginine që ndihmon trupin të djegë më shumë dhjamë dhe karbohidrate gjatë aktivitetit fizik. Kosi me kanellë është një kombinim perfekt për ata që kanë probleme me dhjamin e akumuluar në bark pasi këto 2 produkte përmbajnë Kalcium dhe Vitaminë C si dhe antioksidantë që përmirësojnë ndjeshmërinë e insulinës.

Spinaqi me avokado: Avokado ul urinë ndërsa spinaqi mbush stomakun pa të shëndoshur.

Spinaqi me banane: Bananet janë të pasura me amidon, rezistues ndaj tretjes dhe detyron trupin të punojë për ta tretur ushqimin duke nxitur oksidimin e yndyrës dhe ulur dhjamin e barkut si dhe janë të pasura me Kalium që lufton fryrjen e barkut. Ky është një kombinim perfekt për smoothie.

Misër me fasule: Misrat përmbajnë amidon rezistues, tip karbohidrati që shmang tretjen. Trupi nuk i përthith të gjithë kaloritë dhe glukozën e misrit, i cili është ushqyes që ruhet si dhjam nëse nuk digjet menjëherë. Këshillohet sallatë me fasule, misra dhe jeshillëqe.

Kafe me kanellë: kanella nuk ka kalori, por ka antioksidues të fuqishëm që reduktojnë grumbullimin e dhjamit të barkut. E kombinuar me kafeinën është kombinim perfekt për një bark të sheshtë.

Patate me piper të zi janë të pasura me Kalium që ndihmon kundër fryrjes së barkut. Kombinimi më i mirë do të ishte patate e pjekur me pak vaj ulliri sipër dhe piper të zi. Piperi i zi ndalon formimin e qelizave të reja të dhjamit dhe ul nivelet e kolesterolit.

Peshk me hudhër: peshku përmban acide yndyrore Omega 3 që ndihmojnë në uljen e triglicerideve dhe inflamacionit, proteina që ndërtojnë muskujt. Sa më shumë muskuj aq më e lartë është norma metabolike.

Gjalpë kikiriku me banane pas një aktiviteti fizik. Ky është kombinimi ideal, sepse trupi ka nevojë për proteina dhe karbohidrate që të rikuperohet dhe forcohet.

Patatet e ëmbla me kos: Kosi është i pasur me proteina dhe ka pak kalori. Ndërsa patatet e ëmbla treten më ngadalë, duke të mbajtur të ngopur dhe me energji për një kohë të gjatë.

Ujë me fruta agrume. Agrumet përmbajnë një antioksidues, d-limonene, i cili stimulon enzimat e mëlçisë për të nxjerrë toksinat dhe dhjamërat nga trupi.

Mollë me çokollatë të zezë. Kjo e fundit është perfekte për barkun. Kakao që gjendet te çokollata e zezë parandalon shtimin në peshë dhe ul nivelet e sheqerit në gjak. E kombinuar me mollën rritet procesi i fermentimit të zorrës duke sjellë reduktim në inflamacion dhe peshë.

Qiqra me vaj ulliri. Janë të pasura në vlera ushqyese dhe fibra të tretshme, ngopin dhe heqin oreksin. Kombinohen shumë mirë me vajin e ullirit.

Kastravec me uthull molle. Kastravecët përmbajnë 95% ujë, hidratojnë, nxisin dobësimin më përmbajtjen e ujit dhe pak kaloritë që kanë. Bashkë me uthullën e mollës, jo vetëm që marrin shije, por kjo e fundit nxit disa gjene që lëshojnë proteina të cilat shpërbëjnë dhjamin. Po të pish 1-2 lugë uthull molle në ditë do të ulet në mënyrë të konsiderueshme pesha, indeksi i masës trupore si dhe perimetri i belit.

Çaj jeshil me mente. Përmban katekinë, antioksidues që shkakton lëshimin e dhjamit nga qelizat dhjamore dhe nxit aftësinë e mëlçisë për ta kthyer dhjamin në energji. Ndërsa mentja i jep një shijë dhe aromë freskuese çajit.

Vezë me speca. Vezët përmbajnë kolinë, e cila nxit metabolizmin, ndërsa specat përmbajnë Vitaminë C, e cila lufton kortizolin, hormonin që shkakton dhjamin që mblidhet te barku.

 

error: Nuk lejohet kopjimi!