Tensioni i gjakut është presioni i ushtruar nga qarkullimi i gjakut mbi muret e enëve të gjakut. Zakonisht presioni i gjakut në arterie është rreth 120/80 mmHg. Presioni i gjakut nuk është i njëjtë gjatë gjithë ditës, ai ndryshon, në situata stresuese apo në emocione të thella ai rritet. Kur tensioni i gjakut ngrihet mbi 140/90 mmHg, atëherë kemi të bëjmë me hipertension (HT).
Hipertensioni është përcaktuar si një rritje e vlerave të presionit të gjakut (mbi 140/90 mmHg), në të gjitha enët arteriale të trupit. Hipertensioni është një nga sëmundjet më të përhapura në botë dhe është një faktor i madh risku për: goditjet në tru (insultet cerebrale), sëmundjet vaskulare periferike, dështim të zemrës, sëmundjet renale kronike, etj.
Hipertensioni është klasifikuar në hipertension primar ose esencial, duke përbërë 90-95% të rasteve, në këtë rast, nuk ekziston një shkak i dukshëm, i identifikueshëm dhe i shërueshëm, por ne jemi të sigurt që ndikon mosha, faktorët trashëgues, mënyra e jetesës (jeta sedentare), obeziteti, etj. Pjesa e mbetur prej 5% të rasteve, hipertensioni është rezultat i një sëmundjeje të lindur apo të fituar, e cila prek veshkat, gjëndrat veshkave, zemrën, enët e gjakut, tiroidet dhe për këtë arsye është i definuar si hipertension sekondar (dytësor). Në këto kushte, diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjes fillestare, sjell normalizimin e vlerave të presionit të gjakut.
Hipertensioni primar në përgjithësi prek moshën e madhe, ndërsa hipertensioni sekondar prek individët e rinj dhe vlerat e tij janë më të lartë dhe më pak të kontrolluara nga terapia me medikamente. Hipertensioni mund të shfaqet edhe gjatë shtatzanisë. Në këtë rast ne flasim për hipertension në shtatzani. Ky hipertension duhet të jetë nën mbikqyrje të vazhdueshme për shkak të rreziqeve shëndetësore të nënës dhe fëmijës.
Çfarë është një krizë hipertensive?
Një krizë hipertensive është një situatë ku presioni i gjakut është shumë i rritur (180 mmHg ose më i lart për tensionin sistolik ose 110 mmHg ose më i lart për tensionin e diastolik).
Faktorët e rrezikut
Mosha – Rreziku i hipertensionit rritet me moshën. Shfaqet kryesisht mbi 60 vjeç.
Pesha – Të jesh mbi peshë është një faktor kyç i rrezikut.
Seksi – Burrat janë të rrezikuar më së shumti në moshë të re, ndërsa e kundërta ndodh tek gratë
Stili i jetës – Stili i jetës është faktori kryesor për paraqitjen e rasteve të reja me hipertension. Kryesisht përdorimi në sasi të mëdha i kripës, konsumi i tepërt i alkoolit, inaktiviteti fizik, etj, mund të çojë në hipertension.
Shenjat e hipertensionit
Hipertensioni në përgjithësi nuk tregon shenja të veçanta, kështu që ne flasim për atë si një “vrasës i heshtur”. Nga ana tjetër, trupi përshtatet progresivisht me vlerat e larta të tensionit të gjakut, të cilat tolerohen pa shenja të veçanta.
Shenjat që mund të shfaqen janë: lodhje, përgjumje, marrjemendsh, dhimbje dhe rëndesë në gjoks, çrregullime të vizionit (shikim miza miza), dhimbje koke, zhurmë në vesh, të përziera dhe të vjella, urinim i shpeshtë, etje e madhe, dobësi të muskujve dhe humbje të balancës dhe mpirje apo ndjesi e shpimit në duart dhe këmbë.
Këshilla se si të parandalojmë tensionin e lartë:
Për të shmangur shfaqjen e një hipertensionit është e rekomanduar:
– Eliminimi i duhanit dhe alkoolit
– Ushqehu në mënyrë të balancuar, konsumoni fruta, perime, produkte qumështi, produkte deti më shumë se mish
– Shmangni ushqimet industriale dhe pijet që përmbajnë kafeinë
– Kufizoni përdorimin e kripës
– Praktikoni aktivitet të rregullt fizik (të paktën 30 minuta ecje në ditë)
– Mbani indeksin e trupit në masë nën 25 kg/m2
Trajtimi i hipertensionit
Shumë i rëndësishëm në trajtimin e hipertensionit është edukimi i pacientit në lidhje me modifikimin e mënyrës së jetesës, mënyrën e ushqyerjes dhe aktivitetin fizik, më pas është e rekomanduar të fillohet një terapi antihipertensive, zgjedhja e së cilës varet nga mosha e pacientit dhe nga sëmundjet shoqëruese.