Obeziteti është një nga problemet shëndetësore më të mëdha në botë. Lidhet me një sërë gjendjesh shëndetësore, të njohura kolektivisht si sindroma metabolike. Këto përfshijnë presionin e lartë të gjakut, rritjen e sheqerit në gjak dhe një profil i dobët i lipideve në gjak. Njerëzit me sindromë metabolike janë në rrezik më të lartë për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës dhe tipit 2 të diabetit, krahasuar me ata që kanë një peshë normale. Përgjatë dekadave të fundit, shumë studime janë fokusuar në shkaqet e obezitetit dhe si mund të parandalohet ose trajtohet.
Obeziteti dhe vullneti
Shumë njerëz mendojnë se shtimi në peshë dhe obeziteti shkaktohen nga mungesa e vullnetit. Kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Shtimi në peshë vjen si rezultat i çrregullimit të ushqyerjes dhe stilit të jetesës, si dhe disa njerëz janë në disavantazh kur vjen puna në kontrollimin e zakoneve të të ushqyerit. Puna është se abuzimi me ushqimin ndikohet nga faktorë të ndryshëm biologjikë si gjenetika dhe hormonet. Disa njerëz janë thjesht të predispozuar për të shtuar peshë.
Sigurisht që njerëzit mund të kapërcejnë disavantazhet e tyre gjenetike duke ndryshuar stilin e jetesës dhe sjelljen. Ndryshimet e stilit të jetesës kërkojnë vullnet, dedikim dhe këmbëngulje. Pra nuk është e gjitha çështje vullneti.
Ja faktorët që çojnë në shtimin e peshës, obezitetin dhe sëmundjet metabolike:
- Gjenetika
Obeziteti ka një komponent të fortë gjenetik. Fëmijët që kanë prindër obezë kanë më shumë gjasa të bëhen obezë sesa fëmijët që kanë prindër me një peshë normale. Por kjo sdo të thotë që është faktor pre-dominues. Ajo çfarë hani mund të ketë një efekt të madh në mënyrën se si gjenet shprehen dhe si jo. E thënë thjesht, komponentët gjenetikë ndikojnë në aftësinë për të shtuar peshë.
- Ushqimet e modifikuara gjenetikisht
Ushqimet e përpunuara janë pak më shumë sesa thjesht përbërës të rafinuar të përzier me shtues. Këto produkte janë të dizenjuara të jenë të lira, që zgjasin gjatë nëpër rafte dhe të kenë shije të mrekullueshme, që vështirë t’i rezistosh. Duke bërë që ushqimet të kenë këtë shije të mrekullueshme, prodhuesit po mundohen të rrisin shitjet. Por gjithashtu ndikojnë që ju ta teproni me ushqimin. Shumica e ushqimeve të përpunuara nuk kanë të njëjtat vlera nutricionale si ushqimet e plota.
- Varësia ndaj ushqimit
Shumë ushqime me sheqer, ose “fast-food” stimulojnë qendrat e “shpërblimit” në trurin tuaj. Në fakt, këto ushqime shpesh krahasohen me alkoolin dhe produkte të tjera që krijojnë varësi. Ushqimet “Junk” ose pa vlera nutricionale mund të shkaktojnë varësi te disa individë. Këto njerëz humbasin kontrollin në sjelljen e ushqyerjes, njësoj si njerëzit që përballen me varësinë ndaj alkoolit, ku humbasin kontrollin me pijen. Varësia është një problem kompleks që mund të jetë i vështirë të tejkalohet. Kur krijoni varësi ndaj diçkaje, ju humbisni lirinë e zgjedhjes dhe biokimia në trurin tuaj fillon e humbet kontrollin.
- Marketingu agresiv
Prodhuesit e ushqimeve të fast-foodit ose “junk” janë marketues agresivë. Taktikat e tyre mund të bëhen jo-etike me kalimin e kohës dhe ndonjëherë marketojnë produkte të pashëndetshme si të shëndetshme në sytë e publikut. Këto kompani gjithashtu bëjnë deklarata jo të vërteta. Ajo që është më e keqja, mundohen të targetojnë një audiencë si fëmijët. Në ditët e sotshme, fëmijët po bëhen obezë, diabetikë dhe kanë krijuar varësi ndaj ushqimeve pa vlera nutricionale, përpara se të informohen si duhet për rreziqet që iu kanosen nga konsumi i këtyre ushqimeve.
- Insulina
Insulina është një hormon mjaft i rëndësishëm që rregullon ruajtjen e energjisë, krahas dhe shumë funksioneve të tjera. Dieta perëndimore promovon rezistencën ndaj insulinës në shumë individë mbipeshë dhe obezë. Kjo rrit nivelin e insulinës në të gjithë trupin, duke bërë që energjia të depozitohet në qelizat yndyrore në vend që të jetë në dispozicion për përdorim. Ndërkohë që roli i insulinës në obezitet është akoma i diskutueshëm, disa studime sugjerojnë që nivelet e larta të insulinës kanë ndikim në shfaqjen e obezitetit. Një nga mënyrat më të mira për të ulur insulinën është të limitoni konsumin e karbohidrateve të thjeshta ose të rafinuara ndërkohë që rrisni sasinë e marrjes së fibrave. Kjo zakonisht çon në një reduktim automatik të kalorive dhe humbje peshe-nuk ka nevojë për llogaritje të kalorive apo për kontroll të porcioneve.
- Mjekime të caktuara
Shumë mjekime farmaceutike mund të shkaktojnë shtimin në peshë si efekt anësor. Për shembull, anti-depresantët çojnë në një shtim modest të peshës përgjatë një periudhe. Shembuj të tjerë përfshijnë mjekimet diabetike etj. Këto mjekime nuk reduktojnë vullnetin tuaj. Ato alternojnë funksionin e trupit tuaj me trurin, duke reduktuar ritmin metabolik dhe rritjen e oreksit.
- Rezistenca e leptinës
Leptina është një tjetër hormon që luan një rol të rëndësishëm në obezitet. Prodhohet nga qelizat yndyrore dhe nivelet në gjak rriten me rritjen e masës yndyrore. Për këtë arsye, nivelet e leptinës janë veçanërisht të larta te njerëzit me obezitet. Te njerëzit e shëndetshëm, nivelet e larta të leptinës lidhen me reduktimin e oreksit. Kur funksionojnë si duhet, i “tregon” trurit tuaj sa të larta janë depozitimet yndyrore. Problemi është që leptina nuk funksionon si duhet në shumë njerëz obezë, për shumë arsye pasi nuk kalon dot barrierën gjak-tru. Kjo gjendje quhet rezistencë e leptinës dhe besohet që është një nga faktorët kryesorë që çon në obezitet.
- Aksesi në ushqim
Një tjetër faktor që ndikon shumë te njerëzit është disponueshmëria e ushqimit, e cila është rritur masivisht në shekujt e fundit. Ushqimi, sidomos ushqimi “junk”/fast food- është kudo tani. Reklamohet kudo për të tërhequr vëmendjen tuaj. Një tjetër problem është që ky lloj ushqimi pa vlera nutricionale është shpesh më i lirë sesa ushqimet e shëndetshme. Disa njerëz, sidomos në lagjet e varfra, nuk e kanë si opsion të blejnë ushqime të vërteta, si frutat e freskëta dhe perimet. Në dyqan tregtohen më së shumti pije të gazuara, ëmbëlsira, ushqime të konservuara etj. Si mund të jetë çështje zgjedhjeje kur nuk ka mundësi zgjedhjeje?
- Sheqeri
Sheqernat e shtuara mund të jenë aspekti më i keq i dietës moderne. Kjo sepse sheqeri ndryshon hormonet tuaja dhe biokiminë e trupit tuaj kur konsumohet me tepri. Kjo më pas çon në shtim në peshë. Sheqernat e shtuara janë gjysëm glukozë, gjysëm fruktozë. Njerëzit e marrin glukozën nga një sërë ushqimesh, përfshirë niseshtenë, por shumica e fruktozës vjen nga sheqernat e shtuara. Konsumi i fruktozës më shumë seç duhet mund të shkaktojë rezistencë insuline dhe rritje të nivelit të insulinës. Gjithashtu nuk promovon ngopje në të njëjtën mënyrë si glukoza. Për të gjitha këto arsye, sheqeri kontribuon në rritje të ruajtjes së energjisë dhe në obezitet.
- Keqinformimi
Njerëzit në të gjithë botën po keqinformohen lidhur me shëndetin dhe nutricionin. Ka shumë arsye për këtë, por problemi më i madh është nga ku njerëzit e marrin informacionin. Shumë faqe shpërndajnë informacion jo të saktë për shëndetin dhe ushqyerjen. Disa lajme keqinterpretojnë rezultatet e studimeve shkencore dhe shpesh rezultatet merren jashtë konteksti. Një tjetër informacion mund të jetë i vjetër ose teori që nuk janë vërtetuar kurrë. Kompanitë ushqimore luajnë një rol gjithashtu. Disa promovojnë produkte si suplemente për humbjen e peshës, që nuk funksionojnë. Eshtë e rëndësishme të zgjidhni të informoheni nga burime të besueshme.
Përmbledhje
Nëse keni shqetësime për peshën tuaj, nuk duhet ta përdorni këtë artikull si justifikim për t’u dorëzuar. Ju nuk mund të kontrolloni plotësisht mënyrën se si trupi juaj funksionon, por ju mund të mësoni të kontrolloni zakonet e ushqyerjes dhe stilin tuaj të jetesës. Eshtë në fuqinë tuaj të kontrolloni peshën tuaj. Shpesh duhet punë e fortë dhe një ndryshim drastik i stilit të jetesës, por shumë njerëz ia arrijnë qëllimit të tyre. Qëllimi i këtij artikulli është të theksojë faktin që përgjegjshmëria individuale luan një rol në obezitet. Regjimi ushqimor modern dhe kultura ushqimore duhet të ndryshojë për të luftuar këtë problem në shkallë globale. Ideja që është e gjitha çështje vullneti është ajo çfarë prodhuesit ushqimorë duan që ju të besoni, kështu që ata mund të vazhdojnë marketingun e tyre në paqe.