Antibiotikët janë medikamente të cilët vrasin bakteret. Bakteret mund të shkaktojnë infeksione, si në fyt me streptokokë, infeksione të veshit, infeksione të traktit urinar dhe infeksione të sinus-eve (sinusit). Ka shumë lloje antibiotikësh. Secili prej tyre funksionon paksa ndryshe nga të tjerët dhe vepron kundër llojeve të ndryshme të baktereve. Mjeku juaj do të vendosë se cili antibiotik do të veprojë më mirë për infeksionin tuaj.
A nuk kurojnë çdo gjë antibiotikët? Antibiotikët janë medikamente të fuqishme, por ata nuk mund të kurojnë çdo gjë. Antibiotikët nuk funksionojnë kundër sëmundjeve që shkaktohen nga një virus. Ata nuk ndihmojnë në sëmundje të tilla si: – Të ftohurit e përgjithshëm – Gripi – Shumica e rasteve të bronkit – Shumica e rasteve të fytit të pezmatuar – Hundët që rrjedhin – Shumica e infeksioneve të veshit.
Këto sëmundje zakonisht kalojnë vetiu. Pyesni mjekun tuaj se çfarë duhet të bëni që të ndjeheni më mirë. Përse të mos merren antibiotikë për çdo rast?
Në qoftë se ju merrni antibiotikë kur nuk ju nevojiten, ata mund të mos funksionojnë kur ju nevojiten. Çdo herë që ju merrni antibiotikë, ju ka të ngjarë që të keni disa baktere të cilat medikamenti nuk i vret. Këto baktere mund të ndryshojnë (pësojnë mutacion) kështu që ata është më e vështirë të vriten. Më pas, antibiotikët që janë përdorur për t’i vrarë ato, nuk funksionojnë më. Këto baktere quhen baktere rezistente ndaj antibiotikëve.
Këto baktere të sertë mund të shkaktojnë infeksione që zgjasin më shumë dhe që janë më serioze. Për t’i trajtuar ato mund t’ju nevojiten antibiotikë të tjerë, më të fortë, të cilët kanë më shumë efekte anësore se sa ilaçi i parë dhe që mund të kushtojnë më shumë. Bakteret rezistent ndaj antibiotikëve mund të shpërndahen edhe tek pjesëtarët e familjes, fëmijët dhe kolegët në vendin e punës. Atëherë komuniteti në të cilin ju jetoni do të ketë rrezikun e marrjes së një infeksioni që është më i vështirë për t’u kuruar dhe që kushton më shumë për t’u trajtuar. Disa antibiotikë të cilët rekomandoheshin nga mjekët në të kaluarën për të trajtuar infeksione të zakonshëm nuk veprojnë më.
Marrja e antibiotikëve për të cilët ju nuk keni nevojë nuk do të ndihmojë që ju të ndjeheni më mirë, të kurojë sëmundjen tuaj apo t’i ruajë të tjerët që të mos marrin infeksionin që ju keni. Nga ana tjetër, marrja e tyre mund të shkaktojë efekte anësore siç janë: – Marrje mendsh – Diarre -Dhimbje e stomakut – Një reaksion alergjik
Antibiotikët mund të shkaktojnë Clostridium difficile kolit, një ënjtje dhe acarim të zorrës së trashë. Kjo ndodh sepse antibiotikët vrasin bakteret normale në zorrën tuaj dhe lejojnë bakteret e Clostridium difficile kolit që të rriten. Kjo mund të shkaktojë diarre, ethe dhe ngërçe të barkut. Në raste të rralla, mund të shkaktojë edhe vdekjen. Gratë mund të marrin infeksione vagina-le mykotike nga marrja e antibiotikëve.
Si mund të sigurohem që antibiotikët janë trajtimi më i mirë për mua? Jini të zgjuar lidhur me përdorimin e antibiotikëve. Duhet të dini që antibiotikët ndihmojnë të trajtohen infeksionet e shkaktuar nga bakteret por jo nga viruset. Më poshtë keni disa këshilla që ju ndihmojnë të siguroheni që antibiotikët do të veprojnë atëherë kur ju keni nevojë për ta.
Gjithmonë pyesni mjekun tuaj në qoftë se antibiotikët janë mjekimi më i mirë. Shpjegojini që ju nuk doni antibiotikë përveçse kur keni nevojë për ta. Mos i bëni presion mjekut tuaj që t’ju japë antibiotikë kur ata nuk do t’ju ndihmojnë të ndjeheni më mirë ose të kurojnë sëmundjen tuaj. Pyesni mjekun se çfarë tjetër mund të bëni që të ndjeheni më mirë.
Mos përdorni antibiotikë që janë rekomanduar për një sëmundje tjetër ose për dikë tjetër. Ju mund të vononi mjekimin e duhur dhe të bëheni edhe më të sëmurë. Mbroni veten nga sëmundjet. Mbajini duart të pastra duke i larë ato mirë me sapun dhe ujë të pastër e të rrjedhshëm. Merrni vaksinë-n e gripit apo vaksina të tjera atëherë kur keni nevojë për to.
Fëmijët dhe antibiotikët – Shumë prindër shqetësohen nëse fëmijët e tyre kanë nevojë në mënyrë frekuent- për antibiotikë me recetë. Disa shqetësohen se fëmijët mund të zhvillojnë imunitet ndaj antibiotikëve, ndërsa të tjerë shqetësohen për efektet anësore, duke patur frikë se trajtimi mund të bëjë më shumë keq se sa mirë.
Në më të shumtën e rasteve antibiotikët nuk dëmtojnë fëmijët. Shumë fëmijë kanë nevojë për këto ilaçe për disa javë e ndoshta deri në një muaj, për shkak të infeksioneve kronike në veshka, veshin e mesëm, bajamet e të tjera pjesë të trupit. Duke u përdorur kur duhet, antibiotikët janë midis ilaçeve më të vlefshme.
Bakteret dhe viruset – Jo të tëra infeksionet mund të trajtohen me antibiotikë. Shumë infeksione siç janë shqetësimet e vogla të stomaku-t që shkaktojnë diarre vijnë nga viruset, që mund të shkatërrohen nga vetë mekanizmat mbrojtës të trupit.
Në shumë raste nuk është e mundur të përcaktohet nëse infeksioni vjen nga viruset apo nga bakteret. Kjo kryesisht ndodh në disa infeksione të traktit të sipërm respirator. Këto infeksione që shkaktojnë lëndime të fytit, kollë, rrufë, dhimbje veshi etj, janë të zakonshme. Shumë fëmijë, kryesisht kur fillojnë të luajnë me fëmijë të tjerë, mund të kenë deri në mesatarisht 6 infeksione të tilla në vit.
Kur janë të nevojshëm antibiotikët? – Vendimi për rekomandimin e një antibiotiku varion nga mjeku në mjek dhe nga pacienti në pacient. Në vendim ndikojnë zgjatja dhe shpeshtësia e sëmundjes ashtu sikundër edhe prezenca e faktorëve të tjerë komplikues. Disa teste mund të jenë të nevojshëm për të gjetur se cili mikrob e shkakton infeksionin.
Cili antibiotik është i përshtatshëm? – Mjekët kanë shumë antibiotikë të ndryshëm për të zgjedhur. Disa janë efektivë kundër baktereve të caktuara, ndërsa të tjerë të njohur si “antibiotikë me spektër të gjerë”, vrasin shumë lloje të ndryshme bakteresh. Qëllimi i trajtimit është zakonisht përpjekja për të gjetur antibiotikun më të përshtatshëm kundër mikrobit që duket se shkakton infeksionin.
Është e rëndësishme të kompletohet i tërë kursi i antibiotikëve. Edhe nëse fëmija mund të duket mirë pas 2 a 3 ditësh, bakteri mund të mos jetë eliminuar tërësisht dhe një infeksion tjetër mund të zhvillohet pas një a dy javësh. Mos i jepni të njëjtin antibiotik fëmijëve nëse shfaqin të njëjtat simptoma. Kjo do të thotë se dy fëmijë të ndryshëm nuk do të reagojnë njëlloj ndaj të njëjtit antibiotik.
Efektet anësore – Asnjë ilaç nuk të garanton kundër efekteve anësore dhe antibiotikët nuk janë përjashtim. Megjithatë, efektet anësore janë të rralla dhe kur shfaqen janë zakonisht të buta. Diarre-ja është më e zakonshmja.