Veshkat dhe funksioni i tyre në organizëm

Veshkat dhe funksioni i tyre në organizëm

 

Në trupin e njeriut ekzistojnë dy veshka, të vendosura në regjionin e mesit nga të dy anët e shtyllës së kurrizit, nën anën e poshtme të brinjëve. Ato kanë ngjyrë të kuqe-kafenjtë e formë si kokërr fasuleje dhe madhësi sa një grusht. Përmes veshkave nga organizmi nxirren tepricat e ujit dhe produktet e fundit të metabolizmit. Funksioni kryesor i veshkave është që nga gjaku të mënjanohen produktet e fundit të metabolizmit, e gjaku i pastruar të kthehet në trup. Çdo minutë, përmes arterieve të veshkave, në veshka hyn rreth një litër gjak (një e pesta e tërë gjakut që pompohet nga zemra). Pasi të pastrohet, gjaku kthehet prapa, përmes venave të veshkave. Veshkat posedojnë sistem të komplikuar për filtrim.

Nefronet

Në çdo veshkë ekzistojnë rreth një milion njësi, të quajtura nefrone. Çdo nefron përmban një filtër të vogël të quajtur glomerul, i cili është i lidhur me kanalthet. Teprica e ujit së bashku me produktet hedhëse ndahet nga gjaku me një proces të quajtur filtrim dhe shkon në kanalthe. Pjesa më e madhe e ujit dhe e materieve tjera, të cilat janë të rëndësishme për organizmin kthehen prapë në gjak përmes kanaltheve. Në këtë mënyrë produktet hedhëse koncentrohen në urinë. Nga kanalthet urina mbartet në kanalin të quajtur legeni i veshkës, e pastaj përmes ureterëve në fshikëzën e urinës, dhe më në fund përmes uretrës jashtë. Normalisht, veshkat krijojnë rreth 1-2 litra urinë çdo ditë, në varësi nga sasia e ujit të pirë. Veshka normale ka aftësi të lejojë një mbingarkim. Nëse humbet njëra veshkë, tjetra veshkë zmadhohet që ta kompensojë funksionin e veshkës tjetër.

Substancat në gjak

Veshkat e kontrollojnë nivelin e shumë substancave në gjak. Me këtë ata e ruajnë përmbajtjen konstante të gjakut (homeostaza). Veshkat e ruajnë ujin e trupit dhe e mbajnë atë në nivel që është i nevojshëm për vijimin normal të funksioneve të organizmit. I mbajnë vlerat normale të natriumit, kaliumit, kalciumit, fosforit dhe mineraleve tjera, që merren me ushqimin e janë të rëndësishme për organizmin. Ata përthithen përmes veshkave në qoftë se janë në tepricë. Urea dhe produktet tjera hedhëse krijohen gjatë shpërbërjes së proteinave, të marra me ushqim (p.sh.mish). Kreatinina është produkt hedhës i muskujve. Produktet hedhëse siç janë urea dhe kreatinina hidhen përmes veshkave. Nëse funksioni i veshkave është i zvogëluar, niveli i tyre në gjak rritet. Niveli i kreatininës në gjak është tregues për funksionin e veshkave. Shumica e produkteve hedhëse janë toksike nëse rritet niveli i tyre në gjak. Veshkat normale marrin pjesë edhe në krijimin e disa hormoneve të rëndësishme. Këta hormone marrin pjesë në rregullimin e tensionit të gjakut, në krijimin e rruazave të kuqe të gjakut në palcën kockore dhe në përthithjen e kalciumit nga zorrët.

Sëmundjet e veshkave

Bllokimi i rrugëve urinare

Tek fëmijët, shkaku kryesor i bllokimit janë keqformimet e lindura. Ndërsa te të rriturit, shkaqet kryesore të bllokimit janë hipertrofia a prostatës dhe gurët. Bllokimi shton rrezikun e infeksionit të rrugëve urinare (sepse shkakton stazë urinare).

Gurët e veshkave (nefrolitiaza)

Shenjat dhe simptomat e gurëve: Kolikë urinare; dhimbja është e mprehtë, e padurueshme, përhapet nga kurrizi tek pubisi. Dhimbja e bën pacientin të lëvizë e të rrotullohet pa gjetur rehat (ndryshe nga dhimbja e peritonitit, e cila e detyron pacientin të rrijë pa lëvizur). Trajtimi: Pirje lëngjesh (hidrim), diuretikë nëse ka nevojë.

Pamjaftueshmëria

Pamjaftueshmëria akute e veshkave është rritja e shpejtë e BUN dhe e kreatininës, me ose pa oliguri. Pamjaftueshmëria prerenale e veshkave është pasojë e mosfurnizimit me gjak të veshkave; shkaktohet nga hipovolemia, sepsisi, pamjaftueshmëria e zemrës, cirroza, stenoza e dyanshme e arterieve renale, shoku.

Pamjaftueshmëria renale

Pamjaftueshmëria renale (brendarenale) e veshkave është pasojë e patologjisë të veshkave: shkaktohet nga procese si nekroza tubulare akute, ishemia e zgjatur (pamjaftueshmëria prerenale mund të kthehet në pamjaftueshmëri renale), glomerulonefritet, sëmundjet tubulare/intersticiale, precipitimi i kristaleve në tubula. Pamjaftueshmëria postrenale e veshkave është pasojë e bllokimit të rrugëve urinare; shkaktohet nga prostata e zmadhuar, gurët, cikatricet/strikturat, gjaku i mpiksur, kirurgjia (sidomos histerektomia).

Pamjaftueshmëria kronike e veshkave

Shenjat dhe simptomat: Sistemi tretës: anoreksi, pështjellim, të vjella. Sistemi nervor: demencie, konvulsione, koma. Gjaku: hemorragji si pasojë e keqfunksionimit të trombociteve. Perikardit fibrinoz.

Në pamjaftueshmëri kronike veshkat pësojnë atrofi e zvogëlohen. Nevojitet kufizimi i kripës dhe lëngjeve.

Glomerulopatitë sistemike

Diabeti i sheqerit. Në Shtetet e Bashkuara, diabeti është shkaktari numër 1 i pamjaftueshmërisë të veshkave. Mikroalbuminuria është shenja e parë e prekjes të veshkave nga diabeti. Në biopsi të veshkave shihen nodulat Kimmelstiel-Ëilson. Trajtimi: Inhibitorët e enzimës ACE e ngadalësojnë përparimin drejt pamjaftueshmërisë të veshkave. Përparimi drejt pamjaftueshmërisë gjithashtu ngadalësohet nga kontrolli i mirë i nivelit të glukozës dhe i presionit të gjakut. Kur sëmundja është e përparuar i vetmi trajtim është transplanti.

Sëmundjet tubulare dhe intersticiale

Nefriti intersticial i shkaktuar nga barnat. Amfotericina, aminoglukozidet, dhe kontrasti radiografik janë helme për qelizat tubulare. Penicilina, sulfonamidet, diuretikët, dhe antiinflamatorët josteroidë shkaktojnë nefrit alergjik, dmth dëmi i veshkave shkaktohet me mekanizëm hipersensitiviteti. Trajtimi: ndalim i ilaçit shkaktar; mund të përdoren edhe kortikosteroidët nqs nefriti është imun. Nganjëherë nefriti është i parikthyeshëm dhe përmirësimi nuk ndodh.

Nekroza tubulare akute

Është shkaku numër një i pamjaftueshmërisë akute të veshkave. Shkaqet e nekrozës tubulare akute janë:

Ischemia (trauma, hemoragjia), Helmet (metalet e rënda, barnat si aminoglukozidet, cefalosporina, tetraciklinat, amfotericina). Trajtimi: Shmangie e shkaktarit të nekrozës.

Lëngje intravenoze për të mbajtur lart prodhimin e urinës. Analiza të elektroliteve.

Diabeti insipid

Vjen si pasojë e mosprodhimit të hormonit antidiuretik (diabet insipid qendror), ose si pasojë e rezistencës të veshkave ndaj hormonit antidiuretik (diabet insipid nefrogjen). Shenjat dhe simptomat: poliuri, polidipsi, nokturi, densitet i urinës nën 1010 kg/m3, osmolalitet i urinës nën 200, osmolalitet i serumit mbi 300.

Sindromi nefritik

Sindrom nefritik është pasojë e inflamacionit glomerular që prek endotelin. Shenjat dhe simptomat: Hematuri: urina ka ngjyrë kafe. Oliguri. Ulje e filtrimit glomerular (GFR), azotemi. Hipertension dhe edemë.

Sindromi nefrotik

Sindromi nefrotik është dalja e proteinave të plazmës në urinë për shkak të lëndimit të glomeruleve; me përkufizim, për t’u quajtur “sindrom nefrotik”, humbja e proteinave duhet të kalojë 3.5g në 24 orë. Shenjat dhe simptomat: Edemë, anasarkë.Lipiduri, hiperlipidemi. Hipooalbuminemi.

Stenoza e arteries renale

Paraqitja klinike është dyshja klasike me hipertension akut dhe nivel të ulët të kaliumit. Duhet dalluar nga hipertensioni kronik i trajtuar me diuretikë (që mund të paraqitet si hipertension me nivel të ulët të kaliumit).

Shkaqet e stenozës renale janë: Atheroma e arteries renale; kjo shihet në moshat e vjetra. Displazia fibromuskulare; kjo shihet më shpesh në gratë e reja.

Tumoret e veshkave

Karcinoma renale

Karcinoma renale njihet edhe si “karcinomë me qeliza boshe” ose si hipernefromë. Është tumori malinj më i shpeshtë i veshkave. Prek më shpesh meshkujt, që pinë duhan, mosha rreth 50-70 vjeç. Shenjat dhe simptomat: hematuri, masë e prekshme, dhimbje në ije, temperaturë, policitemi. Tipar i veçantë i karcinomës renale është përhapja përgjatë venave renale dhe venës kava.

Tumori Ëilms

Është më i shpeshti tumor malinj i veshkave në fëmijë. Mosha më e prekur është 2-4 vjeç. Shenjat dhe simptomat: Masë abdominale, shpesh shumë e madhe. Trajtimi: nefrektomi dhe kemoterapi me ose pa rrezatim.

error: Nuk lejohet kopjimi!