Rreth 30 për qind e atakëve kardiakë, bllokimit të arterieve dhe vdekjeve nga sëmundjet e zemrës mund të parandalohen mes njerëzve me rrezik të lartë nëse ata kalojnë te dieta mesdhetare, e cila është e pasur me vaj ulliri, peshk, fasule, fruta arrore , fruta dhe zarzavate dhe madje edhe nëse pinë verë gjatë çdo vakti.Zbulimet u bazuan në tentativën e parë madhore për të matur në kushte klinike efektet e dietës në sëmundjet e zemrës. Madhësia e efekteve të dietës i habiti ekspertët. Studimi u përfundua gati pesë vjet para afatit sepse rezultatet ishin kaq të qartë dhe u konsiderua joetike të vijohej më tutje.Dieta ndihmoi ata që e ndiqnin, edhe nëse ata nuk humbën peshë dhe shumica e tyre sakaq po merrnin ilaçe për uljen e presionit të gjakut apo mbajtjen e diabetit nën kontroll për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës.. Studiuesit nuk morën parasysh faktorë të tjerë të rrezikut si hipertensioni, pesha apo kolesteroli. Ata panë vetëm atakët kardiakë dhe vdekjet. Provat që të tregonin se dieta mesdhetare redukton rrezikun e sëmundjeve të zemrës qenë të dobëta, të bazuara më së shumti në të dhëna që tregonin se banorët e Mesdheut dukej se kishin norma më të ulëta të sëmundjeve të zemrës, një tipar që mund të interpretohej edhe me faktorë të tjerë përveç dietës. Ndërsa disa ekspertë kanë qenë skeptikë për faktin që efekti i dietës mund të dallohet, në rast se ai në fund të fundit ekziston, për shkak se shumë më tepër njerëz sakaq po konsumojnë ilaçe të fuqishme për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Ekspertë të tjerë nguronin të rekomandonin dietën mesdhetare për njerëzit që sakaq kishin probleme me peshën për shkak se vaji dhe arrat kanë shumë kalori.
Ekspertët e sëmundjeve të zemrës thanë se studimi ishte me të vërtetë një triumf për shkak se tregoi se një dietë është e fuqishme dhe ka ndikim në reduktimin e sëmundjeve të zemrës dhe se kjo tashmë është provuar përmes metodave shkencore shumë rigoroze. Shkencëtarët zgjodhën në mënyrë rastësore 7,447 njerëz në Spanjë, të cilët qenë mbi peshë, duhanpirës apo që kishin diabet e faktorë të tjerë rreziku. Ata i nënshtruan këta njerëz ndaj një diete mesdhetare dhe një diete të zakonshme me kalori të ulëta.Studiuesit udhëtuan nëpër botë duke kërkuar këshilla se si mund t’u përgjigjeshin më mirë pyetjeve nëse dieta më vete mjaftonte për të reduktuar rrezikun. Ata vendosën të zgjedhin rastësisht subjektet me rrezik të lartë për testin dhe i ndanë ata në tre grupe. Njërit i dhanë dietë me pak yndyrë dhe i konsultuan si ta ndiqnin këtë dietë. Dy grupet e tjera u këshilluan të ndjekin një dietë mesdhetare.
Në fillim, ata të dietës mesdhetare morën më shumë mbështetje. Ata u takuan rregullisht me dietologët, ndërsa anëtarët e grupit me yndyrë të ulët morën vetëm një vizitë fillestare trajnimi si t’i nënshtroheshin kësaj diete, pasuar nga një fletëpalosje çdo vit. Pastaj kërkuesit vendosën të shtojnë seancat e këshillave për ta, por sërish ata patën vështirësi në respektim të dietës. Njërit prej grupeve të dietës mesdhetare iu rekomandua një dozë shtesë vaji ekstra të virgjër ulliri çdo javë me së paku 4 lugë tavoline konsum ditor. Grupi tjetër mori një kombinim arrash, lajthish e bajamesh dhe iu rekomandua të hanin rreth 30 gramë në ditë.Dieta kryesore përbëhej nga së paku tri vakte në ditë me fruta dhe së paku dy vakte në ditë me zarzavate. Pjesëmarrësit konsumuan peshk së paku tri herë në javë dhe bishtajore, ku përfshihen fasulet, thjerezat apo bizelet. Ata duhej të hanin mish të bardhë dhe jo mish të kuq, dhe për ata që qenë të mësuar me pijen, duhej të pinin së paku shtatë gota verë në javë bashkë me ushqimin. Ata u nxitën të mos konsumonin ëmbëlsira industriale, si dhe të kufizonin konsumimin e bulmetit apo mishit të përpunuar.
Për të vlerësuar nënshtrimin ndaj dietës mesdhetare, kërkuesit matën nivelin e konsumit të vajit të ullirit dhe elementëve të tjerë në urinë.Kërkuesit thanë se pjesëmarrësit i qëndruan dietës mesdhetare me lehtësi dhe kënaqësi. Por ata që iu nënshtruan dietës me yndyrë të ulët nuk ia dolën të ulin konsumin e yndyrës mjaftueshëm. Kështu studimi në fund krahasoi dietën e zakonshme moderne që ka konsum të rregullt të mishit të kuq dhe drithërave të përgatitur në shkallë industriale me një dietë që ishte larg këtyre mallrave.