Si e ndihmon ushqyerja lëkurën? Si mund ta dëmtojë ushqimi lëkurën?

Si e ndihmon ushqyerja lëkurën? Si mund ta dëmtojë ushqimi lëkurën?

Në momentin që e kuptoni rëndësinë e një lëkure të shëndetshme, gjëja më e mirë që mund të bëni është të zgjidhni me kujdes ushqimet që konsumoni. Duke konsumuar ushqimet e duhura, ju filloni të minimizoni madje dhe të parandaloni problemet më të zakonshme që shfaqen në lëkurë.  Ditë për ditë dhe vit mbas viti, lëkura merr një shkëlqim të shëndetshëm nga ushqyerja e duhur. Edhe pse rrudhat dhe aknet kanë shkaqe të ndryshme, dhe ndodhin në faza të ndryshme të jetës, ushqyerja e duhur mund t’ju ndihmojë të minimizoni dhe të parandaloni të dyja këto probleme si dhe të nxjerrë në pah bukurinë natyrale të lëkurës suaj.

Antioksidantët
Mbrojtja më e mirë kundrejt dëmit të radikaleve të lira të oksidimit është një dietë e pasur në vitamina, antioksidantë dhe minerale. Studiuesit sugjerojnë që antioksidantë të caktuar-vitamina C, vitamina E, seleni dhe vitamina A (në formën e beta-karotene)-ushqejnë dhe mbrojnë lëkurën për një lëkurë të rinuar afatgjatë.
Preparate të këtyre antioksidantëve-të aplikuara në lëkurë në formë kremi apo formë tjetër- kanë treguar që mbrojnë lëkurën nga rrezatimi i diellit, madje dhe të ndikojnë në përmirësimin e dëmëve që tashmë kanë ndodhur. Ato gjithashtu mund të ndihmojnë në parandalimin e tumoreve të lëkurës.  Ushqimet e pasura në antioksidantë mund të ndihmojë.
Vitamina C, që gjendet në lëkurë në formë natyrale, është e përfshirë në prodhimin e kolagjenit dhe mbron qelizat nga radikalët e lirë. Studimet shkencore zbuluan se kur kafshët laboratorike konsumuan ushqime me vitaminë C, lëkura e tyre ishte e aftë të luftonte më së miri dëmin oksidativ. Eshtë e rëndësishme të “furnizoni” lëkurën me vitaminë C duke konsumuar shumë fruta dhe perime të pasura me vitaminë C në një bazë të rregullt.
Seleni është një mineral antioksidant që ndihmon në ruajtjen e lëkurës nga dëmtimi që sjell dielli dhe vonon plakjen duke mbrojtur cilësinë dhe elasticitetin e lëkurës. Seleni dietik ka treguar që redukton dëmtimin nga dielli dhe madje parandalon disa tumore të lëkurës te kafshët. Sigurohuni që të merrni mjaftueshëm selen nga ushqimi dhe jo nga suplementet. “The Nutritional Prevention of Cancer Trial” zbuloi që njerëzit me rrezik të lartë të tumoreve të lëkurës jo-melanoma të cilët merrnin suplemente të selenit, në fakt kishin 25% rrezik më shumë për shfaqjen e karcinomave qelizore.

Beta karotene, një tjetër nutrient i rëndësishëm për shëndetin e lëkurës, konvertohet në vitaminë A në trup për të ndihmuar në rritjen dhe në riparimin e indeve trupore, duke përfshirë dhe lëkurën. Beta-karoten gjithashtu sillet si antioksidant që mund t’ju mbrojë kundrejt dëmtimit të diellit. Në doza ekstremisht të larta, vitamina A nga suplementet mund të jetë toksike, kështu që nuk jua rekomandoj ta merrni në këtë mënyrë. Megjithatë, beta-karoten nga ushqimi është totalisht e sigurtë.

Zink
Lëkura juaj mban rreth 6% të zinkut në trupin tuaj. Ky mineral është i nevojshëm për mbrojtjen e membranave qelizore dhe ndihmon në mbajtjen e kolagjenit. Njerëzit me mungesë zinku mund të shfaqin skuqje dhe shumë probleme të tjera. Zinku është i përfshirë në rigjenerimin e lëkurës-që do të thotë e mban lëkurën sa më të freskët dhe të rinuar, kështu që mundohuni të përfshini zink në menunë tuaj.

Acidet yndyrore omega-3
Yndyrnat e shëndetshme të njohura si acidet yndyrore omega-3 ndihmojnë në mbajtjen e membranave qelizore kështu që ato janë barriera efektie-duke lejuar ujin dhe nutrientët brenda, dhe duke lënë jashtë toksinat. Omega-3 kanë treguar që mbrojnë lëkurën nga dëmtimi i diellit. Në një studim të kancerit të lëkurës, njerëzit të cilët konsumonin dieta ushqimore të pasura me vajëra peshku dhe yndyrna të tjera omega-3 kishin 29% rrezik më të ulët për shfaqjen e kancerit të lëkurës, sesa ato që e merrnin shumë pak omega-3 nga ushqim. Gatuani në zgarë pak peshk, parandaloni kancerin.

Nuk ka fjalë për të theksuar rëndësinë e ujit për shëndetin e lëkurës. Uji ndihmon në nxjerrjen jashtë të toksinave nga trupi, si dhe lejon nutrientët të rrjedhin në qelizat, që organet të funksionojnë më së miri. Plus, qelizat janë të mirë-hidratuara, që do të thotë që lëkura do të jetë më e pastër. Rekomandimet variojnë, por sipas “Institutit të Mjekësisë”, për femrat rekomandohet rreth 9 kupa lëngje nga uji dhe pije të tjera, në ditë. Për meshkujt, përllogaritet rreth 13 kupa.
Megjithëse lëngjet janë burimi primar i ujit, shumë ushqime kanë përmbajtje të lartë uji saqë kontribuojnë në hidratimin e përgjithshëm. Ushqimet e mëposhtme kanë 75% ujë (nga pesha) dhe duhet të përfshihen rregullisht si pjesë e një regjimi të shëndetshëm lëkure:
Frutat: mollë, boronica, manaferra, qershi, grejpfrut, rrush, kivi, limon, limë, mango, nektarinë, portokaj, papaja, pjeshkë, dardhë, ananas, luleshtrydhe, shalqi etj.
Perimet: Articokë, ashparag, rrepa, brokoli, lakra Brukseli, karrota, selino, kastravec, lakër kale, kërpudha, qepë, patate, kungull, spinaq, domate etj.

Çaji
Një tjetër opsion hidratimi është çaji. Çajërat përmbajnë përbërje natyrale të njohura si polifenole, të cilat kanë veti antioksidante. Në studimet që janë kryer mbi kafshët, polifenolët ndihmonin në parandalimin e kancerit të lëkurës që lidhej me rrezet e dëmshme të diellit dhe përmirësonin funksionin imunitar. Kur aplikohej në lëkurë në formën e kremrave, çaji jeshil dhe i bardhë kanë treguar që mbrojnë lëkurën nga dëmtimi qelizor nga rrezet ultravjollcë të diellit. Megjithëse nuk ka asnjë studim definitiv mbi njeriun në efektet që sjell konsumimi i çajit për shëndetin e lëkurës- çaji është gjithmonë një zgjedhje më e mirë sesa pijet e gazuara apo me sheqer.

error: Nuk lejohet kopjimi!