Qofte me karrota dhe kunguj

Qofte me karrota dhe kunguj

Mjafton të kesh pak fantazi dhe shija e qofteve nuk do të jetë asnjëherë e njëjtë!
Përbërësit për 4 persona:
 5 patate
3 karota
2 kunguj
4 qepë të njoma ose 1 qepë e thatë e vogël,
borzilok, majdanoz
 hudhër
Vaj ulliri
 Gjizë
Djathë kaçkavall i grirë
2 të bardha vezësh
galetë
kripë, piper
Përgatitja:
Patatet i ziejmë me gjithë lëkurë në tenxhere me ujë të valuar. Ndërkohë, kungujt e larë dhe karotat e qëruara i presim në kubikë të vegjël. Në një tigan të thellë me pak vaj ulliri, hedhim në fillim qepën e grirë imët, kungujt, karotat bashkë me majdanozin dhe borzilokun. I spërkasim me pak kripë e piper, i vëmë kapakun dhe i lëmë në zjarr për 10 minuta duke i përzier herë pas here. E heqim tiganin nga zjarri dhe e lëmë mënjanë. I hedhim në një tas që të ftohen. Patateve të ziera u qërojmë lëkurën dhe ashtu të nxehta siç janë i shtypim mirë me shtypëse patatesh ose pirun. I shtojmë te tasi ku kemi perimet e tjera bashkë me gjizën, djathin e grirë, të bardhat e vezëve dhe 2-3 lugë galetë.
I përziejmë sa të kemi një brumë të butë, por që nuk ngjit, prandaj nëse është nevoja shtojmë akoma galetë. Marrim me dorë pak nga brumi duke i dhënë formë të rrumbullakët, i lyejmë në një pjatë ku kemi hedhur galetë dhe i shtypim me dorë për t’i bërë të sheshta. Vëmë një tigan në zjarr me pak vaj kikiriku dhe i skuqim qoftet nga të dyja anët. I shërbejmë me pak sallatë jeshile.
error: Nuk lejohet kopjimi!