Menyrat e trajtimit te celulitit

Menyrat e trajtimit te celulitit

Shkeputur nga libri “ Si te dobesohemi” MSC Anila Kalleshi – Dietologe klinike/ Nutricioniste
Masazhi
Një masazh i thellë anticelulit me lëvizje rrethore shton sasinë e gjakut dhe ndikon në përmirësimin e qarkullimit limfatik.
Akupunktura
Eshtë metodë e vjetër kineze. Nëpërmjet nguljes së gjilpërave, ajo rrit qarkullimin e gjakut dhe ajo mobilizon qelizat për shkrirjen e dhjamit, gjithashtu përmirëson funksionet metabolike të qelizave.
Metoda Laser Tre Aktiv
Që nga emri i saj, ka tre funksione kryesore. Së pari, ai fut laser të energjisë së ulët për të rritur qarkullimin. Së dyti, ka një efekt ftohës për të zbutur inflamacionet. E treta, një masazh me thithje me qëllim përmirësimin e qarkullimit limfatik dhe rritjen e prodhimit të kolagjenit. Të paktën 10 deri në 15 seanca janë të nevojshme për të arritur rezultat të mirë.
Liposuksioni- Pastrimi i trupit me vakum
Ky operacion filloi në vitin 1982 dhe tani është procedura më e përdorur në kirurgjinë plastike. Instrumenti që përdoret për këtë procedurë i ngjan fshesës me korrent, që, pasi e thërrmon, e heq dhjamin nga pjesët e ndryshme të trupit. Kryesisht përdoret për të hequr dhjamin nga barku, mjekra, kofshët dhe gjunjët. Çdo vit kryhen shume proçedura të tilla, më çmime të kripura, më shumë se 2,500 dollarë për heqjen e dhjamit vetëm në një vënd të trupit.
Ndonëse aktoret dhe modelet, me qëllim që të ruajne konturet që u kërkon profesioni, janë klientët më të shpeshta, liposuksioni është bërë sot masiv. Shumë kliente, pas operacionit, vuajnë dhe shqetësohen kur kuptojnë se dhjami grumbullohet në vende të tjera të trupit.
Liposuksioni nuk është pa rreziqe. Një investigim i kongresit Amerikan, në vitin 1988, flet për 20 vdekje pas kryerjes së kësaj ndërhyrjeje, si pasojë e embolive në zemër, në mushkëri dhe në tru.
Trombet, infeksionet, dhe hematomat janë të tjera komplikacione operatore, që arrijnë shifrën, deri 9%. Një raportim mjekësor për vdekjet, që u krye më vonë në New York City, tregoi se midis viteve 1993 dhe 2000, kishin ndodhur pesë raste vdekjesh nga liposuksioni. Raporti arriti në përfundimin se kjo proçedurë mund “të vrasë njerëz të shëndoshë”
Bordi Mjekësor i Kalifornisë ka ekzaminuar tri vdekjet e fundit pas liposuksionit. Ky investigim theksoi faktin se, shumë mjekë me trajnim të pamjaftueshëm, i kryenin këto procedura. Rreziku bëhet edhe më i madh, ngaqë shumica e mjekëve operojnë në zyra ambulatore private, ose në salla kirurgjie, ku mungon vëmendja për sigurinë e pacientit.
Si edhe me luftërat e tjera për trupin, liposuksioni duket sikur kënaq më shumë nga sa ndodh në të vërtetë. Shumë njerëz e rifitojnë përsëri peshën trupore, veçanërisht, kur nuk mbërthehen në një dietë strikte dhe në një plan ushtrimor rigoroz. Keqkonturimet dhe gropëzat nën lëkurë, rënia e masës muskulore dhe ndryshimet në tonin e lëkurës, janë komplikacione të shpeshta pas liposuksionit.
Disa kirurge plastikë heqin 1 deri 1,5 kg dhjamë në një proçedurë, gjë që prish metabolizmin e yndyrave në trup. Dhjami që hiqet nga vithet, nga kofshët ose nga barku, do të shtohet në organet e brendshme dhe në gjak. Këto ndryshime metabolike çojnë në probleme shëndetësore serioze.
Çdo vit “kirurgjia e modës” promovon procedura të reja, të paprovuara më parë. Një nga këto metoda të reja për heqjen e dhjamit, është edhe “ruajtja e indeve të buta”. Kjo ngjan me liposukcionin, por sipas mjekëve që e kryejnë, ka më pak dëmtime të indeve përreth. Fatkeqësisht, edhe kjo metodë e ka të lartë rrezikun për dëmtime të nervave dhe vazave të gjakut.
Mezoterapia
Mezoterapia është teknikë gjatë së cilës përdoret gjilpërë e vogël (me dimensione 0,4 -0,6 cm) , me ndihmën e së cilës në pjesët më të thella të lëkurës vendosen medikamente, vitamina, minerale në vendet ku ka probleme të caktuara (yndyra, celulit). Procedura e mezoterapisë bëhet njëherë në javë.Mezoterapia më tepër përdoret për reduktimin e celulitit dhe shtresave të yndyrshme.Kur zgjidhet problemi i celulitit aplikohen lipolite të ndryshme, aparate të cilat e përshpejtojnë qarkullimin dhe mjete për shtrirjen e lëkurës. Rezultatet duken shpejt pas proçedurës së parë apo të dytë. Për efekt maksimal rekomandohet të kombinohet me terapinë me ultrazë dhe radiovalë. Kjo është një proçedurë që bëhet me anë të një pajisje të vogël që përdoret për të kryer mikroinjeksione në mesodermë. Një përzierje e veçantë e aminoacideve, multivitaminave dhe substancave të tjera injektohen në zonën e synuar. Çdo përzierje është specifike për pacientin e formuluar nga mjeku. Rezultati i pritshëm eshte shkrirja e yndyrës.
Për heqjen e shtresave lokale të yndyrshme proçedura është e ngjashme vetëm se futet një sasi më e madhe e lipoliteve.
Lipoliza
Kjo është metodë e veçantë në përbërje të mezoterapisë , me të cilën hiqen sasitë më të mëdha të shtresave të yndyrshme. Kjo është një lloj liposuksioni jo kirurgjikal, i cili i kombinuar me ultrazë (kavitacion) dhe me radiofrekuencë jep rezultate të shkëlqyera. Yndyrat e shkatërruara në tri javët vijuese, eliminohen komplet prej organizmit.
Rezultatet janë të dukshme pas disa ditësh. Në varësi të qëllimit mund të kryhet një ose më shumë trajtime në interval prej një muaji.
Gjatë trajtimit përdoren gjilpëra të vogla dhe procedura vetë është pothuajse pa dhimbje. Ndjenja i ngjason pickimit të lehtë prej ndonjë insekti, Efekti i vetëm i padëshiruar pas trajtimit është skuqja apo mavijosja që zhduket për disa ditë.
Për arritjen e rezultateve të kënaqshme prej mezoterapisë nevojiten 6 deri në 10 trajtime.. Mezoterapia është metodë mjekësore serioze e cila mundëson që pa operacione të mëdha të zgjidhen probleme estetike të lëkurës së trupit.
Kremërat anticelulit
Kjo është ndoshta metoda më e përshtatshme midis të gjitha metodave te tjera sepse është dhe më ekonomike. Mund të aplikohet dy herë në ditë. E rëndësishme është që kremi i celulitit të përmbajë përbërësit themelor si kafeinë, vitamina A, C dhe E, çaj jeshil, dhe përbërës të tjerë bimorë. Kjo metodë është shumë efektive e kombinuar me dietën e duhur dhe ushtrimet.
error: Nuk lejohet kopjimi!