Tremujori i parë
Vlerësimi ekografik në tremujorin e parë të shtatzënisë ka si qëllim kryesor konfirmimin e shtatzënisë, përcaktimin nëse shtatzënia është e vendosur brenda në mitër apo jashtë saj si dhe nëse embioni është gjallë, nëpërmjet konstatimit të rrahjeve të zemrës. Zakonisht ekzaminimi i hershëm ekografik realizohet nëpërmjet një sonde transvaginale, për të mundësuar një pamje sa më të qartë. Gjithashtu nëpërmjet ekzaminimit ekografik të tremujorit të parë mund të përcaktohet edhe numri i embrioneve/fetuseve, vlerësimi i moshës së shtatzënisë (matja e gjatësisë kokë-trup ose e diametrit mesatar të dhomëzës së shtatzënisë), përcaktimi i pozicionit të placentës, vlerësimi i uterusit dhe vezoreve, vlerësimi për disa prej anomalive strukturale që mund të konstatohen që në këtë periudhë dhe në mënyrë indirekte, nëpërmjet vlerësimit të markuesve ekografikë të aneuploidisë, mund të vlerësojmë rrezikun për anomali gjenetike të bebit (Kjo quhet Ekografia Morfologjike Niveli I).
Tremujori i dytë
Ekzaminimi ekografik në tremujorin e dytë konsiston në vlerësimin e detajuar të anatomisë fetale dhe të anomalive strukturore të mundshme, që konsiderohet si ekzaminimi më i rëndësishëm i kësaj periudhe dhe preferohet të kryhet rreth javëve 18-22 të shtatzënisë (Kjo quhet Ekografia Morfologjike Niveli II). Gjithashtu ekzaminimi ekografik i tremujorit të dytë vlerëson rritjen dhe mirëqënien fetale, sasinë e likidit amniotik (shtimin apo pakësimin e tij) dhe konfirmon shtatzënitë me shumë fetuse (numrin e placentave, numrin e sakuseve amniotikë).
Tremujori i tretë
Në tremujorin e tretë ekzaminimi ekografik vlerëson mirëqënien dhe lëvizjet e bebit, përcakton pozicionin e tij si dhe të placentës, vlerëson moshën e shtatzënisë dhe peshën e fetusit, likidin amniotik dhe në disa raste edhe ndonjë keqformim të fetusit.
Ekografia tre dhe katër dimensionale
Ekografia tre dhe katër dimensionale është një prej zhvillimeve më të fundit në historinë e ekografisë së dekadës së fundit. Pavarësisht se u konceptua si një mjet ndihmës i ekografisë standarte dy dimensionale, aktualisht ajo ka një rol të rëndësishëm në ekzaminimet ekografike obstetrikale. Një prej karakteristikave më të rëndësishme të ekografisë tredimensionale është aftësia për të përftuar një vëllim të dhënash dhe t’i vlerësojë ato në mënyrë të ngjashme me CT skanerin apo rezonancën magnetike. Pra ekzaminimi ekografik tre-dimensional është po aq efikas dhe i standartizuar sa edhe teknikat e tjera imazherike si CT skaneri dhe Rezonanca magnetike. Ky fakt ka rezultuar në ripozicionimin dhe rikonceptimin e praktikës ekografike obstetrikale në ditët e sotme.
Ekografia Doppler
Ekografia Doppler është pjesë e rëndësishme e ekzaminimit ekografik gjatë shtatzënisë. Format valore të ekografisë Doppler reflektojnë gjendjen e qarkullimit në enët e gjakut (arteria umbilikale, arteria cerebri media, duktusi venoz, doppleri i zemrës dhe i enëve të mëdha) dhe në varësi të tyre ne gjykojmë në lidhje me mirëqënien e fetusit dhe rreziqet ndaj tij.