KUSH E FITON GAREN – LEPURI APO BRESHKA?

KUSH E FITON GAREN – LEPURI APO BRESHKA?

 

Kohë më parë, breshka dhe lepuri debatuan mbi faktin se kush ishte më i shpejtë.

“Unë vrapoj më shpejt!”- thoshte lepuri gjithë siguri.
“Nuk është e vërtetë! Unë jam më e shpejtë se ti.” – i përgjigjej breshka.

Të dy sê bashku vendosën që debatin t’a përmbyllnin me një garë. Gjetën një rrugë që i ngjante nje piste dhe u bënë gati për garën.

“Le të fillojmë garën!” – tha lepuri.
“Jam gati!” – shtoi breshka.

Lepuri sapo mori shenjën e nisjes  sa hap e mbyll sytë u zhduk . Pas një farë kohe, u ndal dhe kur pa sa larg ishte breshka, mendoi të pushonte pak nën hijen e një peme.

“E shkreta breshkë! Edhe sikur të merrja një sy gjumë, prapë nuk do arrinje para meje.” – tha lepuri i sigurte.

Kështu, vajti tek një pemë dhe u shtri sa gjerë-gjatë për të fjetur. Breshka e arriti dhe e kaloi lepurin që ishte shtrirë duke fjetur. Kështu, ajo arriti para tij në destinacion, duke korrur një fitore të padiskutueshme. Kur lepurit i doli gjumi, kuptoi se sapo kishte humbur garën.

Morali i  historise?

Duke ecur ngadalë por në mënyrë të vazhdueshme, mund të fitosh garën.

Por gara nuk mbaroi me kaq.

Lepuri ndihej shumë i zhgënjyer nga humbja e garës. Menjëherë ai filloi të analizojë shkaqet e humbjes dhe arriti në përfundimin se shkaku i humbjes ishte besimi i tepruar tek vetja. Veç kësaj, ai e kishte nënvlerësuar kundërshtarin. Po të mos i kishte marrë gjërat si të mirëqena, breshka kurrë nuk do të kishte fituar.

Kështu, ai vendosi ta sfidojë breshkën në një garë të dytë. Dhe breshka, pranoi. Këtë herë, lepuri vrapoi pa frymë derisa arriti në destinacion. Ai arriti ta fitojë garën pasi e përshkoi distancën pa u ndalur fare.

Morali i historisë?

Është mirë të jesh i ngadaltë dhe i qëndrueshëm, por është më mirë të jesh i shpejtë dhe serioz.

Megjithatë, historia nuk përfundon me kaq.
Breshka vendosi ta sfidojë lepurin në një garë tjetër. Por këtë herë, në një pistë të re, të ndryshme nga ajo e para.

“A mund të bëjmë një garë tjetër dhe në një pistë të ndryshme nga ajo e para?” – e pyeti ajo lepurin.
“Sigurisht!” – iu përgjigj lepuri gjithë siguri.

Për të mbajtur premtimin që i bëri vetes, që të jetë i shpejtë dhe ta marrë seriozisht situatën, lepuri vrapoi me shpejtësinë e tij maksimale, derisa arriti pranë një lumi. Lepuri u zu ngushtë pasi nuk dinte si të kalojë. Ndërkohë, breshka arriti pranë lumit, u hodh në ujë dhe kaloi në anën tjetër. Pasi i hodhi një shikim lepurit, vazhdoi rrugën derisa arriti në destinacion.

Morali i historisë?

Fillimisht, studio dhe përcakto aftësitë e tua, pastaj ndryshoje planin e lojës, për t’ia përshtatur aftësive të tua.

Përsëri, historia nuk mbaron me kaq. Këtë herë, breshka dhe lepuri u bënë miq të ngushtë dhe problemin e analizuan bashkërisht. Të dy vendosën të bëjnë një garë përmbyllëse, por këtë herë si një skuadër e vetme.

“Si mendon sikur të bëjmë një garë të fundit?” – e pyeti breshka mikun e saj.
“Fantastike! Unë mendoj se mund t’a organizojmë më mirë, nëse e ndihmojmë njëri-tjetrin.” – iu përgjigj lepuri.

Gara filloi. Këtë herë, lepuri e mbajti në shpinë breshkën derisa arritën tek bregu i lumit. Tek bregu, breshka zbriti, hyri në lum dhe me lepurin mbi shpinë kaloi në bregun tjetër. Pastaj, lepuri e mori breshkën sërish në shpinë dhe të dy njëherëzi shkelën vijën e finishit.

Morali i historisë?

Nëse nuk je në gjendje të punosh në grup dhe të bashkëpunosh me të tjerët, gjithmonë do të kesh rezultate më të ulëta. Mos harro se si lepuri ashtu dhe breshka, nuk u dorëzuan pas dështimit. Lepuri vendosi të punojë më fort duke i shtuar përpjekjet pas dështimit. Kurse breshka ndryshoi strategjinë e garës, pasi ajo ishte përpjekur me sa mundësi kishte.

Në jetë, kur përballesh me dështimin, ndonjëherë të duhet të punosh më shumë dhe të shtosh përpjekjet. Por herë të tjera, është më e udhës të ndryshosh strategji dhe të provosh diçka ndryshe. Dhe herë të tjera, është më e udhës t’i bësh të dyja.
Lepuri dhe breshka morën një mësim tepër jetësor.

Në momentin kur e ndërpresim konkurrencën kundër një rivali dhe i kushtojmë rëndësi situatës, ne kemi një performancë më të mirë.

error: Nuk lejohet kopjimi!