-Mos lini asnjë vakt pa ngrënë. Është gabim të mos hani p.sh. mëngjes, sepse do të detyroheni të hani në drekë me uri dhe do të merrni shumë ushqim njëherësh. Po kështu, nuk rekomandohet të mos hani darkë.
– Gjatë ditës duhen ngrënë sa më shumë vakte por nga pak. Pra hani pak dhe shumë herë. P.sh. merrni mëngjesin, pastaj një frut ose kafe në ora 10-11, drekën, një frut pasdite, darkën dhe një frut ose filxhan kos para se të flini.
Duhet të bëni kujdes që përveç këtyre vakteve nuk duhet të “çukisni” apo të përtypni ushqime në dukje të parëndësishme si bajame, arra, gështenja, ndonjë biskotë etj, sepse ato përmbajnë kalori dhe pengojnë rënien e peshës.
– Në rast se ndieni uri të madhe mos hani bukë ose gjëra me sheqer por një vezë të zier ose një filxhan kos, domate, kastraveca, të cilat na presin oreksin dhe nuk përmbajnë shumë kalori.
– Ushqimet që duhet të përdorni më shumë në dietën për të rënë në peshë janë: zarzavatet jeshile (si të freskëta ashtu dhe të ngrira e të konservuara), mishi pa dhjamë, peshku, gjiza, veza, qumështi i skremuar dhe kosi. Mund të përdorni dhe fruta por jo më shumë se 2-3 kokrra në ditë.
– Përdorni sa më pak ushqime të tilla si: gjalpi, vajra, margarina,djathërat, mishin me dhjamë, të brendshmet e bagëtive, pijet alkoolike, si rakia, birra, lëngu i frutave etj. Këto ushqime janë shumë të pasura e me kalori dhe ju pengojnë për të rënë në peshë.
-Shumë kalori përmbajnë edhe brumërat: buka, orizi, makaronat, fasulet e thata, të cilat duhen përdorur rrallë e në sasi sa më të pakët.
-Patatet përmbajnë 20% sheqerna, prandaj po të konsumohen në sasi të madhe sjellin shumë kalori, veçanërisht po të jenë të skuqura me vaj.
– Uthullën mund ta përdorni për t’i dhënë shije ushqimit, por jo si kurë për t’u dobësuar. Një gjë e tillë është pa kuptim dhe shumë e dëmshme. Uthulla mund të “tresë” ushqimin në stomak por nuk e tret dot dhjamin që keni në trup. Përkundrazi, duke pirë uthull me shumicë jo vetëm merrni kalori, por dhe rrezikoni të dëmtoni stomakun tuaj duke krijuar gastrite dhe terren për sëmundje ulçeroze.
– Të gjitha erëzat dhe barishtet që i shtojnë shijen ushqimit mund t’i përdorni në gatim, po kështu mund të përdorni limonin, piperin, hudhrat, qepët etj.
-Përdorimi i kripës, duhet te merret ne sasira te kufizuara, pasi kripa shkakton mbajtjen e ujërave në trup.
– Gjatë ngrënies këshillohet të pini sa më pak ujë, kështu mund të ngadalësoni thithjen e ushqimeve nga tubi tretës. Uji është më mirë të pihet një orë pas ngrënies. Gjatë dietës për të rënë në peshë duhet të pini 1.5-2 litra ujë .
Përpiquni që gjatë gatimit të përdorni sa më pak yndyrë që të jetë e mundur. Për këtë kini parasysh:
– Mishit para gatimit i hiqni me kujdes gjithë dhjamin e dukshëm. Mishit të pjekur i hiqni lëngun që është kryesisht me yndyrë të kulluar prej tij.
– Gjellën me mish të zier përgatiteni më mirë një natë më parë dhe lëreni të ftohet. Yndyra që përmbahet në lëng do të ngrijë në formë të një shtrese, e cila mund të hiqet me lehtësi. Pas kësaj gjellën e ngrohni për ta përdorur.
-Kur ju duhet që mishin ta skuqni, e lini në vaj sa më pak, sa të ndryshojë pak ngjyrë dhe pastaj thelat i hiqni nga vaji ,dhe i hidhni të ziejnë në tenxhere me lëngun e gjellës. Kështu mishi do të marrë sa më pak yndyrë.
– Pulat ose shpendët e tjerë para se t’i vini të piqen ose të ziejnë i shponi në disa vende me majën e thikës ose gjilpërës në mënyrë që yndyra që përmbajnë ,të rrjedhë jashtë në tenxhere apo tavë. Thelës që do të hani hiqjani lëkurën dhe dhjamin, se përmbajnë shumë yndyrna.
– Biftekun, bërxollën, shishqebapin i piqni pa i hedhur yndyrë, pra vetëm me dhjamin që përmbahet në to.
– Peshqit mund të gatuhen pa u hedhur yndyrë. P.sh., duke i pjekur në furrë në një tavë, ku i vendosim mbi domate të prera në feta, ose të lagur me 1/2 gote verë të bardhë, ose duke i pjekur në zgarë siç janë, apo të ziera me supë.
– Veza gjithashtu duhet të përdoret pa e gatuar me yndyrë si p.sh. të pihet e freskët siç është, ose e rrahur pa sheqer, duke e trazuar me pak qumësht, ose e zier, ose e pjekur pa i hedhur yndyrë.
– Zarzavatet mos i skuqni me vaj se kështu shtoni sasinë e kalorive të marra. Në vend të kësaj, për t’i ruajtur të paprishura gjatë zierjes, i vini në një tenxhere në të cilën është hedhur qepë e prerë feta-feta. U hidhni ujë dhe i lini në zjarr jo të fortë të marrin valë. Me pas, i zieni me fare pak ujë, në tenxhere me presion. Në fund të zierjes u hidhni fare pak vaj të përzier me miell, që bëhet si salcë e shijshme, që përmban shumë pak yndyrë.
Rënia në peshë nuk mund të realizohet as me çajëra dobësimi e as duke gëlltitur kokrra apo ilaçe.
Nuk ka asnjë ilaç për t’u dobësuar, asnjë ilaç që të jetë në gjendje të tresë dhjamin e trupit. Ilaçet si atromidi, miskleroni, lipavloni, lipostabili etj, mund të ulin yndyrnat e gjakut, por jo peshën dhe dhjamin në trup. Ka disa ilaçe që gjoja ndihmojnë rënien në peshë, duke prishur oreksin apo ilaçe hormonale si tiroidina që shtojnë djegien e lëndëve në organizëm. Të gjitha këto ilaçe nuk rekomandohen të përdoren nga njerëzit që duan të bien në peshë, sepse janë të rrezikshme për organizmin. Ato shkaktojnë dëme dhe ndërlikime. Ilaçi i vetëm e më i mirë për uljen e peshës është vullneti dhe këmbëngulja për të ndjekur me rigorozitet dietën e varfër në kalori. Ato kalori që i lë mangut pjata e ushqimit, trupi i tërheq, i plotëson nga “pjata” e dhjamit të barkut. Pra, kot që ju qajnë hallin. Përderisa keni dhjamë të depozituar trupi nuk mbetet asnjëherë pa ushqim. Mos harroni që dieta për të rënë në peshë është e gjatë dhe do durim. Një ndjenjë e lehtë dobësie, urije e shfaqur herë pas here, janë gjëra që priten dhe ju duhet të jeni të përgatitur t’i kaloni me vullnet e besim.