Anila Kalleshi tregon për ushqimin e shëndetshëm dhe sa ushqehen shëndetshëm shqiptarët. Ajo në një intervistë për lajmi.net tregon për sëmundjen që shkaktohen nëse nuk ushqeheni shëndetshëm.
Lajmi.net: Sa është e rëndësishme të ushqehemi shëndetshëm?
Kalleshi: Baza dhe themeli i një trupi të shëndetshëm, larg sëmundjeve dhe problemeve në organizëm është ushqyerja e shëndetshme. Fatkeqësisht jetojmë në një kohë ku industrializmi po bën kërdinë. E them këtë me plot bindje pasi thuajse çdo produkt ushqimor është i modifikuar gjenetikisht, i procesuar, plot hormone dhe antibiotikë, konservantë dhe aromatizues.
Lajmi.net: Sa ushqehen shëndetshëm shqiptarët?
Kalleshi: Pas viteve 90 njerëzit u përballën me një bum ushqimesh, gjë e cila kishte munguar thuajse totalisht për dekada të tëra. Kjo bëri që pjesa më e madhe të binte në gabime, duke mos patur njohuri mjaftueshëm lidhur me ushqyerjen e shëndetshme dhe pasojat u dukën brenda një dekade. Vajzat dhe djemtë e viteve 90 me trupin “fibër”, filluan të humbisnin në mënyrë shumë të shpejtë format e mrekullueshme duke u kthyer në forma dhe shtresa të ekzagjeruara dhjami. Sot fushatat sensibilizuese të panumërta që bëhen lidhur me orientimin drejt ushqyerjes së shëndetshme ka ndërgjegjsëuar një masë të gjerë të njerëzve, duke i bërë ata më të përgjegjshëm në marrëdhënien me ushqimin.
Lajmi.net: Cilat janë sëmundjet prej të cilave rrezikohen njerëzit që nuk ushqehen mirë?
Kalleshi: Sëmundjet kronike dhe sëmundjet më të vështira në bazën e tyre kanë ushqyerjen e keqe dhe stilin e jetesës. Mund të përmendim këtu: Diabetin, sëmundjet kardiovaskulare, problemet me mëlçinë, kancere të ndryshme, amenorrean, etj.
Lajmi.net: Sa vakte ushqim duhet të hahen brenda ditës, cili është vakti më i rëndësishëm?
Kalleshi: Këshilla më e mirë është të konsumojmë vakte të vogla dhe të shpeshta. Pesë vakte do të ishte zgjidhja më e mirë: Mëngjesi, dreka dhe darka si dhe vaktet e nërmjetmë paraditja dhe pasditja. Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës pasi trupi është në gjendje qetësie gjatë natës dhe për të përballur aktivitetet e ndryshme dhe stresin gjatë ditës. Mëngjesi është karburanti i trupit tonë.
Lajmi.net: Sa orë para gjumit preferohet të mos hahet ushqim?
Kalleshi: Ideale është që me vaktin e darkës të kemi përfunduar para orës 19:00.
Lajmi: Çfarë rekomandohet për njerëzit shumë të ngarkuar, të cilët nuk kanë shumë kohë t’i kushtojnë ushqyerjes së shëndetëshme?
Kalleshi: Asgjë nuk ka më shumë rëndësi se shëndeti. Nëse vërtetë do t’i japim rëndësinë që i takon, mënyra për të zgjedhur ushqim të shëndetshëm patjetër që gjendet. I referohem këtu një ushqimi të gatuar vetë në shtëpi, ku bazë ka një ushqim proteinik që mund të jetë një fileto mishi ose peshku, me disa perime të ziera ose në avull. Por ne po flasim për ushqyerje të shëndetshme dhe kemi harruar stilin e jetesës i cili ka një lidhje simotër së bashku me ushqyerjen e shëndetëshme.
Lajmi.net: Cilat janë ushqimet që preferohen të konsumohen çdo ditë?
Kalleshi: Këshilla ime do të ishte të zgjidhni ushqime të stinës. Nëse jemi në një stinë të ftohtë dimri, mos vraponi pas sallatës jeshile, domateve apo trangujve, por pas lakërishteve, fasuleve, thjerëzave, lulelakrave, karrotave e brokolit si dhe frutave si shegëve, hurmave, agrumeve të ndryshme, fruta të thata, pa harruar mishin dhe peshkun. Farërat dhe frutat e thata janë burim i shkëlqyer acidesh yndyrore Omega 3 dhe Omega 5, ndaj mos i neglizhoni.
Lajmi.net: Ushqimet sado të shijshme, shpesh shkaktojnë thartirë dhe fryrje të lukthit, ankesë kjo jo e rrallë. Cilat janë ushqimet që shkaktojnë këto probleme dhe si duhet të luftohen?
Kalleshi: Nuk mund të përcaktoj unë saktësisht këtë gjë. Natyrisht një analizë e intolerancës ushqimore apo ajo e testit gjenetik do ta përcaktonte saktësisht problematikën e këtyre personave. Në të kundërt në pamundësi për të bërë një test të tillë, çdo kush mund të bëjë një test prëjashtues të ushqimeve që mendon se mund t’i shkaktojnë këtë problematikë dhe këto mund të jenë: laktoza e qumështit (qumështu dhe nënproduktet e tij), gluteni (proteinë që gjendet tek gruri), soja, kikirikët, etj. Për këtë nëse arrini të evidentoni produktin filloni një dietë përjashtuese të këtij produkti për 3-6 muaj.
Lajmi.net: Cilat janë ushqimet që duhet të eliminohen nga mënyja jonë përgjithmonë?
Kalleshi: Ushqimet e procesuara, të rafinuara, të konservuara, fast foods, sallamat e proshutat, pijet energjike, me gaz dhe lëngjet e frutave në shishe.
Lajmi.net: Cilat janë ushqimet tona tradicionale që mund të llogariten si të dëmshme dhe cilat jo?
Kalleshi: Kujdes! Përpara kemi festat e fundvitit dhe bomba kalorike është ëmbëlsira tradicionale e shqiptarëve, bakllavaja. Një copë e vogël përmban 600-800 kalori. A nuk ju duket që do të ishte një “bombë” për peshoren tonë pas festave?!
Lajmi.net: Festat e fundvitit po afrojnë dhe njerëzit e teprojnë me ushqimet?!
Kalleshi: Siç e ceka edhe më lartë, vetëm se duhet të kemi kujdes me alkoolin sepse ka kalori të tepërta dhe shkakton dehidratim. Gjithashtu kujdes me riciklimin e ushqimeve. Ushqimet që teprojnë natën e Vitit të Ri riciklohen 3-4 ditë më pas duke u bërë burim toksikimi.
Lajmi.net: Çfarë ndikimi psiqik ka kequshqyerja dhe ushqimi jo i shëndetshëm dhe çfarë ndikimi kanë dietat e rrepta?
Kalleshi: Në performancën mendore, kequshqyerja sjell një bllokim të aktivitetit të trurit po kështu dieta e rreptë e cila privohet nga marrja e mikronutrienteve esenciale për zhvillimin psiko-fizik të trurit. Një mendje e paushqyer me vitaminat dhe mineralet e duhura, shoqëron njeriun në nervozizëm, mospërqëndrim, lodhje.
Lajmi.net: Cila është këshilla juaj më e mirë si nutricioniste që mund t’ua jepni njerëzve?
Kalleshi: Investo për trupin tënd duke u ushqyer shëndetshëm. Më mirë të parandalosh sesa të kurosh. Një ushqyerje e shëndetshme është një shëndet i sigurtë./Lajmi.net/