- Ju dikur nuk jeni kjo që jeni sot. Ka pasur një moment të parë që ju futi në rrugën e biznesit. Cili ishte ai moment, që shënoi dhe pikën tuaj hyrëse në botën e biznesit? Çfarë ndodhi, cila është historia e këtij momenti?
Momenti i parë që jam futur në botën e biznesit ka qenë viti 1998, e diplomuar në tre fakultete dhe po kërkoja punë, fillimisht si ekonomiste ngaqë fakulteti i parë ka qenë dega ekonomi-financë ndërsa fakulteti i dytë ishte dega fizioterapi në Beograd dhe me pas dietologji ne Rome. Nuk pata shumë sukses në gjetjen e një pune ose më saktë arrija të gjeja vende pune por që mua personalisht nuk me ofronin siguri, pasi ishte një periudhë tranzicioni ku bizneset nuk ishin të konsoliduara. Pasi u ndesha me tregun e punës, mendova pse jo mos të investoj në një ide timen. Me shumë vështirësi arrita të hapja një biznes timin, ku një shtysë e madhe ishte dhe një dhuratë nga ana e prindërve të mi: një ambient në qendër të Tiranës rreth 80 m2. Ky ishte mendimi i parë që më çoi të investoja në atë ambient qe tashme me perkiste mua.
- Në mesin e qytetarëve të këtij vendi një pjesë e mirë preferojnë të punësohen në shtet apo të jenë të punësuar tek dikush tjetër. Ju a e keni çuar ndonjëherë ndermend që të jeni thjesht i punësuar tek dikush tjetër apo i punësuar në shtet? Po apo jo, dhe pse?
Kam qenë më parë e punësuar në televizionin shteteror dhe me pas per 1 vit tek TV “Arbëria”, por nuk ishte puna që unë doja, nuk ishte realisht ajo kënaqësia që prisja të kisha nga një punë, kështu që vendosa të kisha një biznes timin, ku unë mund të përkushtohesha dhe të shpalosja të gjithë aftësitë e mia të për të ngjitur pak e nga pak hapat në karrierën time, ose më saktën karrierë që synoja. Falë këmbënguljes dhe punës së palodhur përgjatë këtyre viteve, arrita sot këtu ku jam!
- Pse vendosët që t’i futeni rrugës së biznesit? Ishte paraja dhe lekët e shumta që siguronte aktiviteti i biznesit apo ishte edhe kënaqësia?
Rruga e biznesit nuk ka qenë asnjëherë pikënisje për mua për të fituar më shumë para, as për lekët e shumta që siguronte aktiviteti i biznesit, pasi nuk ishte fillimisht një biznes i konsoliduar, e kam filluar gjithçka nga zero-ja. Thjesht ishte siguria në punë! Kërkoja një punë që të ishte stabël për mua, të mos lëvizja nga puna për asnjë lloj arsyejeje. Duke qenë një periudhë tranzicioni, tregu ishte mjaft i vështirë. Gjithmonë e kam menduar të hapja një biznes timin ku mund të përkushtohesha maksimalisht, dhe të arrija të rritesha më shumë profesionalisht.
- A e keni menduar aktivitetin e biznesit që kryeni si një mision personal për të realizuar diçka? Çfarëdo qoftë ajo që ju e perceptoni si mision më vete. Mos vallë ka qënë thjeshtë një hall i momentit që ju bëri të hynit në këtë rrugë dhe më pas patë që ky hall ndoshta u shndërrua edhe në misionin për t’u ofruar një shërbim edhe të tjerëve?
Në fakt e kam një mision personal, por që tashmë është kthyer në një mision global për mua, pasi unë jam Presidente e “Albanian Lifestyle Medicine Association” , e cila është një shoqatë që njihet ndërkombëtarisht dhe që është në ndihmë të të gjithë njerëzve për parandalimin e të gjitha sëmundjeve që shkaktohen nga stili i keq i jetesës. Pra humbja e peshës, që është një nga qëllimet kryesore që promovon biznesi im, tashmë për mua është bërë një mision, për të gjithë ata njerëz që kanë probleme shëndetësore dhe që kanë nevojë për të arritur një rezultat mjaft të mirë, siç është parandalimi i sëmundjeve kronike. Gjithashtu drejtoj qendren e vetme me rezultate reale ne fushen e dobesimit ne Shqiperi.
- Rruga dhe arritjet e deritanishme mos vallë kanë qënë një sfidë, për t’i treguar dikujt apo një grupimi njerëzish se jeni i aftë të mbijetoni, të përballeni me sfidat dhe të tregoni se jeni i suksesshëm? Ndoshta ka qënë diçka që e keni ëndërruar se duhet ta kryeni. Nëse po, pse?
Natyrisht që rruga dhe arritjet e deritanishme kanë qenë një sfidë, por jo për t’i treguar dikujt apo një grupimi njerëzish që unë jam e aftë të mbijetoj. Përkundrazi unë nuk kam mbijetuar por kam arritur majën time dhe për këtë jam e sigurtë, pasi ndihem e vlerësuar nga çmime në mbarë botën. Të arrish deri në Harvard dhe të jesh pjesë e një rrjeti shoqëror me personalitete ndërkombëtarë të cilët i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë stilit të jetesës, humbjes së peshës, apo ushqyerjes, ka qenë realisht një sfidë. Kjo do të thotë që nëse i përkushtohesh një pune vërtet me dashuri, lodhesh pafund për të parë rezultate pozitive, je pjesëmarrëse në konferenca apo kongrese të ndryshme për të qenë gjithmonë e përditësuar me informacione të ndryshme, atëherë ti nuk mbijeton por bën diferencën në treg.
- Në ditët e para të punës a keni patur frikë se do dështoni në rrugën ku hytë?
Duke e njohur veten time, që në ditët e para të punës kam pasur një optimizëm të jashtëzakonshëm. Në fillim kam pasur shumë vështirësi, pasi të nisësh çdo gjë nga zeroja, me një investim të pakët dhe modest, nuk është e lehtë. Por puna e vazhdueshme dhe motivimi që kam pasur për të ecur gjithmonë përpara, ka bërë që sot të arrij të jem një profesioniste e vërtetë. Por procesi i të mësuarit nuk përfundon kurrë, por vazhdon përgjatë gjithë jetës. Në ditët e sotme formacione të reja dalin çdo ditë dhe unë mundohem të jem gjithmonë e përditësuar. Unë nuk e njoh dështimin dhe as nuk njoh hapa mbrapsht!
- A ke pasur këshilltarë në ditët e para të biznesit? Pra, këshilltar nuk është e thënë që të jetë një person që e ke apo e ke pasur pranë. Mund të ndodhë që këshilltar të jetë një histori që e ke dëgjuar në fëmijëri apo edhe shprehje postulate apo gjithçka tjetër.
Nuk kam pasur këshilltarë në ditët e para të biznesit, nuk kam pasur dikë për të më suportuar dhe për të më dhënë një ndihmë. Gjithmonë kam pasur synime të qarta në atë çka doja të arrija, kuptohet që në fillim nuk e shikoja si biznes fitimprurës por si diçka që do më jepte minimumin jetik dhe duke qenë frytdhënës. Pra nuk kam pasur asnjë këshilltar/e, as histori të dëgjuara për histori suksesi.
- A ka pasur moment që të ka shkuar në mendje të dorëzohesh? Nëse po, pse dhe çfarë ndodhi pas atij momenti?
Në fakt kam pasur një moment ku në mendje nuk më erdhi të dorëzohesha por po lodhesha jashtë mase. Ishte një moment kur për arsye personale m’u desh të hiqja dorë nga ambjenti im fillestar ku kisha punuar 10 vite dhe të kërkoja një ambjent tjetër, më saktë të futesha në një investim të dytë duke filluar përsëri gjithçka nga niveli zero. Ndryshimi i vendit, emrit ishin të gjitha hapa të vështirë për mua. Gjithashtu ishte dhe ambjenti me qera, kredia, shtimi i stafit, shumë gjëra dhe mundësitë financiare ishin të pakta realisht, gjë që më bëri të frikësohesha në një farë mënyre të trembesha se si do t’ia dilja në këtë kapitull të ri. Por që gjërat shkuan mjaft mirë, puna e palodhur shpërblehet gjithnjë.
- Cila ka qënë sfida kryesore në raport me klientin? A ka një histori se si e zgjidhët këtë sfidë?
Sfida kryesore në raport me klientin është ajo çfarë unë dua në fund të seancave: klienti të ketë arritur rezultatin e duhur. Natyrisht është shumë e vështirë pasi nuk është një rezultat që varet totalisht nga unë, është një bashkëpunim i ndërsjellë ndërmjet meje dhe asaj që bën trajtimet. Kuptohet, nuk është absolutisht e thjeshtë sepse kur bëhet fjalë për mbipeshën dhe obezitetin, ka njerëz të cilët nuk kanë vullnetin e duhur, janë po ata njerëz të cilët kur shkojnë te doktori përdorin shprehjen: “Unë edhe ujë po të pi, më bëhet shëndet.” Duke pasur parasysh, që as vetë këta njerëz nuk e kuptojnë që abuzojnë me ushqimin, fillojnë e tregojnë histori që nuk janë të vërteta. Momenti i peshimit të klientit pas seancave është një sfidë e vërtetë për mua dhe është një provim më vetë, kështu që unë jam në një tension të jashtëzakonshëm në atë moment.
- Në raport me shtetin, cila ka qënë sfida më e madhe dhe a është zgjidhur kjo sfidë apo do të mbetet një marrëdhënie e pazgjidhur?
Në raport me shtetin, nuk kam pasur asnjë lloj problemi. Kam qenë gjithmonë shumë korrekte!
- Kush ju mbështeti më shumë në rrugën tuaj të rritjes në biznes, familja apo miqtë, apo diçka tjetër? Cila është historia e mbështetjes, psikologjike, emocionale, financiare dhe çfarëdo lloj mbështetje tjetër?
Mbështetja ime ka qenë nga ana e familjes, konkretisht nga prindërit e mi, të cilët më dhuruan atë ambjent ku nisa fillimisht biznesin tim. Pra familja ka qenë dhe mbetet primare dhe një pikë kyçe në vazhdimësinë e karrierës sime. Padyshim me ndryshimin e statusit tim, ka qenë im shoq një support I mrekullueshëm moral dhe më ka ndjekur hap pas hapi në eventet ndërkombëtare, pjesëmarrjet ne konferenca dhe kongrese te ndryshme.
- Cila është filozofia bazë në të cilën është mbështetur edhe rritja e biznesit tuaj? Pra çfarë beson ti se është filozofia që të ka drejtuar ?
Filozofia bazë në të cilën është mbështetur rritja e biznesit tim është arritja e rezultateve pozitive që sjellin kënaqësi te klientet. Në të gjithë këto vite, klientet kanë qenë mjaft të kënaqura nga shërbimet të cilat i janë ofruar. Gjithashtu ka pasur dhe momente pakënaqësie, pasi siç e thashë është një bashkëpunim i ndërsjellë ndërmjet të dy palëve, por me zemergjeresine time jam përpjekur që gabimet e palës tjetër t’i korrigjoj duke i ofruar seanca të tjera dhurate deri në momentin që të arrihej një rezultat pozitiv.
- Cilat janë momentet kyçe të rritjes së biznesit tuaj? Në këtë pyetje kam parasysh momentet kohore në të cilat ke dashur ti japësh zgjidhje një sfide të madhe të biznesit, sfidë e cila mund të ketë përcaktuar edhe profilin e biznesit tuaj.
Momentet e para të fillimit të biznesit janë padyshim momentet kyçe të rritjes së biznesit, pasi 5-6 vitet e para kanë qenë momente investimi, për të arritur të paktën minimumin, që duke e menduar në ditët e sotshme ngjan si diçka shumë e çuditshme. Moment tjetër kyç është arsimimi im i vazhdueshëm dhe pjesëmarrja në konferenca e seminare të ndryshme, ku dijet e përftuara në to, mund t’i shpalosja në të mirë të profesionit tim.
- Cili është roli i biznesit tuaj për shoqërinë shqiptare? Çfarëdo aktiviteti që ju kryeni, aktiviteti ka konsumatorë dhe si i tillë jep efekte në civilizimin tonë. (pra dikush ka shitur libra dhe ka ndriçuar shqiptarët, dikush ka ndërhyrë dhe u ka përmirësuar shëndetin ndërsa dikush tjetër ka pasur skuadër ndërtimi dhe u ka rehatuar jetën shqiptarëve duke u rinovuar shtëpitë etj. etj.)
Roli i biznesit tim në shoqërinë shqiptare është parandalimi i komplikacioneve që vijnë si pasojë e mbipeshës dhe obezitetit. Duhet të kemi parasysh që obeziteti dhe mbipesha janë faktorë vendimtarë për shfaqjen e shumë sëmundjeve si: diabeti, kolesteroli i lartë, lloje të ndryshme kancerësh apo sëmundje të ndryshme kardiovaskulare. Duke mbajtur nën kontroll peshën, ne arrijmë të parandalojmë një sërë sëmundjesh kronike që tashmë po arrijnë shifra alarmante kudo në botë. Mënyra e duhur e ushqyerjes dhe stili i shëndetshëm i jetesës janë baza e duhur për një jetë të shëndetshme.
- Sipas jush a është e vërtetë që në vendin tonë humanistët më të mëdhenj janë biznesmenët?
Mendoj se po në një farë mënyre, pasi një biznesmen ka mundësi më të mëdha financiare për të ndihmuar njerëz në nevojë. Por gjithashtu edhe një person që ka aftësi, kapacitete njohjeje dhe vlera morale mund të jetë humanist në llojin e vet, si prsh mund të ofrojë këshilla në fusha të ndryshme për njerëzit në nevojë, pa kërkuar gjë në këmbim. Unë mendoj që çdo njeri mund të jetë humanist në llojin e vet.
- Pas kaq shumë vitesh aktivitet në biznes, çfarë ju kënaq më shumë nga ajo që keni arritur? Pse?
Pas kaq shumë vitesh aktivitet në biznes, më kënaq pafund emri i mirë që “Anila Kalleshi Center” ka në tregun shqiptar. Tashmë “Anila Kalleshi Center” është një brand i njohur ndërkombëtarisht për vlerat dhe arritjet e shkëlqyera që ka pasur në fushën e humbjes së peshës.
- A do t’u këshilloje shqiptarëve dhe sidomos të rinjve që të merren me biznes? Nëse po, cila është këshilla që ju do ti jepni kujdo që i shkon në mendje ti hyjë rrugës së biznesit?
Padyshim që po! Nuk është e lehtë të nisësh një biznes në Shqipëri, pasi ekziston dhe konkurrenca e pandershme, pasi ka mjaft persona të pakualifikuar të cilët nisin një biznes i cili nuk mbështetet në baza shkencore apo vlera morale, thjesht vetëm sepse kanë të ardhura të mjaftueshme. Prandaj këshilla ime për të gjithë ata që synojnë të hapin një biznes është që të punojnë me ndershmëri, sinqeritet dhe përkushtim.
- Unë mendoj dhe besoj se jo vetëm Shqipëria ,por edhe shumë vende të tjera të Europës perëndimore, dhe botës nuk i japin respektin dhe mirënjohjen që i takon biznesit. Këtë e mendoj dhe e besoj, sepse shikoj që biznesi në Europën Perëndimore dhe normalisht edhe në Shqipëri nuk është aq i lirë në aktivitetin e vet. Biznesi kufizohet në aktivitetin e vetë me forma nga më të ndryshmet. Cili është opinioni juaj në lidhje me gjithçka thashë mësipër? Ju a mendoni se ekonomia e tregut të lirë nuk është në përmasat që duhet të jetë? Ju a mendoni se ekonomia e tregut të lirë është zgjidhja më e mirë për civilizimin? Shprehni opinionin.
Mendoj se në Shqipëri nuk është se vlerësohet shumë, pasi unë jam e njohur ndërkombëtarisht në Europë dhe në të gjithë botën, jam vlerësuar me çmime maksimalisht, por më mungojnë çmimet e marra në vendin tim. Edhe pse organizohen evente të tilla, janë shumë të pakta në numër. Kjo është arsyeja pse unë mendoj që biznesi në Shqipëri nuk vlerësohet, ashtu siç vlerësohet kudo në botë. Unë kam pasur oferta që një biznes të tillë ta hap në vende të ndryshme të botës, me fitime dhe vlerësime maksimale, gjë në Shqipëri vlerësime të tilla mungojnë.
- Nëse do ti vinit një notë organeve tatimore (nga 1 në 10) cila do ishte nota që do ti vinit ju? Po doganave çfarë do ti vinit?
Unë jam një person i rregullt dhe qoftë nga ana doganore apo tatimore nuk kam pasur asnjëherë probleme. Kështu që mendoj se vlerësimi 10 është mëse i duhur.
- A keni pasur ndonjë konflikt gjyqësor me shtetin? Nese po, a e keni zgjidhur? Mos vallë pasojat e këtij konflikti, me apo pa të drejtë, kane mbetur mbi ju?
Jo, asnjëherë nuk kam pasur asnjë lloj konflikti gjyqësor me shtetin.
- Nëse keni marrë pjesë në tendera shtetërorë, fituesi ka qënë i merituari apo ai/ajo ka pasur krahët më të ngrohtë?
Nuk kam marrë pjesë asnjëherë në tendera shtetësorë dhe jam shumë e lumtur që nuk kam marrë pjesë. Jam mëse krenare që çdo investim modest, qoftë edhe një thumb apo gozhdë që kam vënë në qendrën time, është i gjithi nga shpatullat e mia.
- Nëse ka diçka që pyetësori nuk e ka trajtuar jeni i lirë që ta shtoni! Thoni çfarë ju mendoni se duhet të shkruajmë në historinë e biznesit tuaj.
Pyetësori ia ka arritur qëllimit, ishte mjaft i këndshëm, lehtësisht i kuptueshëm dhe ishte në brendësi të asaj që mund t’i kërkohet një biznesi.
- Ju lutem përcaktoni se cila nga përgjigjet e pyetjeve të mësipërme do të donit që të ishte patjetër në këtë libër historik.
Më pelqeu pyetja 4, ku thuhet a e keni menduar aktivitetin e biznesit që kryeni si një mision personal për të realizuar diçka. Do te preferoja që çdokush që ka një biznes të kishte një mision dhe do të doja që ky mision ishte në shërbim të njerëzimit.
Intervistoi: Armela Lleshi