Shkencëtarët e Shkollës Universitare Mjekësore të Uashingtonit kanë zbuluar një rrezik serioz që gjendet pikërisht në dhomën e çdo foshnje, e që deri më tani është neglizhuar e nuk është vlerësuar sa duhet nga prindërit.
Në fakt është folur e “zbuluar” me kohë se rrezik për një foshnjë mund të bëhet edhe vetë nëna e saj apo se edhe pakujdesia më e vogël në shumë plane sjell menjëherë pasoja tragjike, pasi foshnjat janë qenie mjaft të brishta.
Çdo foshnje, përpos elementeve të përbashkëta, reflekton edhe ato të veçanta, pasi sikurse dhe i rrituri, çdo foshnje është një unikat, që ka pika të dobëta.
Dakord, por gjithkush mund të thotë se kjo mund të ndodhë thjesht si një fatkeqësi, sikurse mund të ndodhë në jetë deri në vdekjen e njeriut. Po ashtu, dikush mund të pretendojë se kemi të bëjmë në rastin më të keq me nëna të papërgjegjshme, të cilat harrohen në gjumë dhe shtypin krijesën për të cilën kanë pritur e vuajtur aq shumë.
Drejt fatalitetit?
Por askush nuk e ka çuar ndërmend se një kujdes i tepruar për t’i krijuar foshnjës parajsën e dëshiruar, mund ta çojë atë drejt fatalitetit.
Të paktën kështu sugjerojnë rezultatet e një studimi të fundit nga SHBA-ja, të cilat duhen marrë plotësisht në konsideratë, pasi janë bazuar në shifra e statistika konkrete.
Nëse merren seriozisht pohimet dhe rekomandimet që rezultojnë prej tij, duket se shumëçka do të ndryshojë tërësisht mentalitetin global e atë tradicional për trajtimin e foshnjave, sjelljeve të tyre dhe sidomos të ambientit primar që rrethon krijesën e sapoardhur në jetë: krevatin e tij, që është njëkohësisht strehëza e tij primare, ku ai kalon më së shumti ditët, muajt dhe vitet e para.
Studimi i shkollës së Uashingtonit
Shkencëtarët e Shkollës Universitare Mjekësore të Uashingtonit (Washington University School of Medicine) në një studim të publikuar kohët e fundit, kanë zbuluar një rrezik serioz që gjendet pikërisht në dhomën e çdo foshnje, e që deri më tani është neglizhuar e nuk është vlerësuar sa duhet nga prindërit.
Studimi që është botuar në revistën e specializuar të fushës së pediatrisë (Journal of Pediatrics) tregon një lidhje mes rasteve të vdekjeve të papritura dhe buzëve të krevatit apo dhe kushteve në të cilat fle një bebe. Sipas studimit në fjalë, janë konstatuar plot 48 raste të vdekjeve të papritura mes viteve 1985 dhe 2012, shkaktuar nga buzët rrethuese të shtretërve të foshnjave. Në 146 raste të tjera, si pasojë e materialeve që kanë veshur buzët e shtretërve të tyre, foshnjat thuajse kanë shkuar në mbytje.
Në mënyrë ironike, pikërisht këto materiale, dihet se janë menduar si mbrojtëse të sigurta kundër plagosjeve të foshnjave nga materialet e forta të drunjta apo të hekurta, që kanë buzët rrethuese të shtretërve ku ato flenë.
Shkaktarë edhe jastëkët dhe mbulesat
Rezultatet e studimit tregojnë pra qartë se një pjesë e madhe e rasteve të vdekjeve, lidhen ekskluzivisht me buzët e shtretërve të fëmijëve. Kësisoj, është zbuluar se edhe objekte të tjera si jastëkët apo dhe batanijet e mbulesat, janë gjithashtu shkaktarë të vdekjeve të papritura të foshnjave apo dhe të plagosjeve e situatave alarmante.
“Buzët rrethuese të shtretërve i vrasin bebet”, thotë profesor Bradley T. Thach, autor kryesor i studimit. “Buzët e shtretërve janë më të rrezikshme sesa kemi menduar deri më tani. Rastet e vdekjeve të fëmijëve që ne kemi marrë në shqyrtim, na dëshmojnë se do ta kishin penguar këtë fenomen fatal, nëse shtretërit do të kishin qenë pa to.”
Në shumicën e këtyre rasteve, foshnjat janë mbytur, pasi hundët dhe gojët e tyre kishin qenë të bllokuara në shiritat shtesë që u janë vendosur si mburojë buzëve e cepave të krevatit, shkruan Shqip. “Nuk duhet të ketë asnjë objekt tjetër mes fytyrave të bebeve dhe cepave e buzëve të krevatit të tyre”, thotë Thach.
Edhe Francine Bates, shefe e “Lullaby”, një shoqatë joqeveritare britanike, e cila lufton për shmangien e vdekjeve të papritura ndër fëmijët e foshnjat, tha nga ana tjetër, se buzët e shtretërve janë një rrezik për bebet, kur rrotullohen në shtrat e duan të lëvizin. “Ne u bëjmë thirrje prindërve që të mos përdorin asnjë lloj rrethimi, mbrojtës, buzësh apo cepash ndanë shtretërve dhe i paralajmërojmë të gjithë prindërit që t’i vënë bebet e tyre në gjumë me jastëkë, mbulesa dhe objekte tapicerie të lirshme e të parrezikshme. Madje, mund të themi se si postulat vlen kjo: Një krevat i sigurt, është një krevat bosh.