– “Unë zbulova Romela Begajn dhe Fetije Kasajn, por të tjerët i joshën ato me para. I zbulova si talent, investova për ato dhe deri në momentin që u stërvitë me mua kanë qenë 100 për qind të pastra. Cfarë ndodhi më pas…”

Intervistoi: ENGJELL MUSAI

Kur përmendin emrin e Faruk Kalleshit nuk do të mjaftonin metaforat.

Shumë kanë shkruar për të, e epitetet janë të shumëllojshme, me superlativa, por që me siguri përshkruajnë realitetin.

Ai mban me dhjetëra medalje, ndërsa mban së fundmi edhe titullin, “Nderi i Kombit”.

E kanë quajtur legjendë, kampion mbi kampionë, mbreti i peshëngritjes dhe karriera e tij është gati-gati si një histori filmi.

I martuar me Liljanën, që njihet për karrierën e saj brilante në cirkun e Tiranës tregon të gjithë punën 21-vjeçare në fushën e peshëngritjes.

Ai njihet si sportisti që nuk njeh asnjë humbje, thyente rekorde sa herë që ngrinte shtangën, ndërsa ditën që është shkëputur nga kjo fushë ka thyer sërisht një rekord, duke e mbnyllur me ballin lart…

Intervista është dhënë për gazetën “TELEGRAF” dhe rrëfimi është lënë në dialekt, për të mos humbur autencitetin…

Si ka qenë kontakti i parë me peshëngritjen?

E vërteta unë kam filluar në cirk, në estradën profesioniste të Shkodrës bashkë me Liljanën, por në atë sallë ku bënim stërvitjen, bëheshin edhe sportet e tjera, peshëngritja, mundja.

Unë, si ata të rinjtë, afrohesha ndonjëherë nga kurioziteti, si e çojnë gjithë këtë peshë. Edhe provoja ndonjëherë.

Trajneri i asaj kohe Njazi Bushati, nuk e dinte se kush jam dhe i kujt jam, një ditë më pyet.

Shikon konstruktin e bukur fizik dhe forcën e madhe, po kishte i vinte zor t’i thoshte atij profesorit të akrobacisë, ta marr njëherë ta provoj.

Edhe një ditë më pyet: I kujt je? Unë i them: i Xhemal Kalleshit. Ouuu, tha!

Unë aty mora vesh që baba im kishte qenë kampion peshëngritje në vitin 1951, kjo është një kuriozitet. Dhe ai kërkoi të më afronte, po sikur ta provojmë ndonjëherë…

Dhe unë të them të drejtën, nuk e kisha me qejf. Ai e pa që unë mund të kisha një perspektivë në këtë fushë dhe shkoi e kontaktoi me babën tim.

I mori mendimin që është talent, unë nuk dua ta heq nga akrobacia, pra nga cirku, por zakonisht në atë kohë bënin sportistët dy lloj sporti, apo tre, sa të ishe i zoti.

Kur të tjerët po më thonë, ti ke me dalë kampion, ke me thy rekorde. Unë nuk e dija se rekordet kombëtare kishin dhe shpërblim monetare, një rekord ishte 1500 lekë.

Shkoj në garë, ishin 12 konkurrentë, nuk i nihja, ishte e para herë edhe që dilja.

Kujtoj momentin e parë kur më thërrasin emrin për me dalë te pedana, emocionet ishin, si hera e parë.

E ngre shtangën me herën e parë, duartrokitje të stuhishme; te prova e dytë unë thyej rekord.

Në atë garë unë theva katër rekorde kombëtare dhe shpërblimi jepej për çdo rekord. Dmth fitova 6 mijë lekë.

Vitin tjetër i bëja të dyja, gjeja kohë për peshëngritjen për të përvetësuar më shumë teknikën, bëja edhe aktobacinë dhe mosha e re i përballonte dhe nuk m’u dukte ndonjë gjë kushedi.

Që në garat e para në vitin 1965 unë kam thyer shumë rekorde, gjatë atij viti kam thyer 20 rekorde, dmth kam marrë rreth 35 mijë lekë të asaj kohe.

Ishte si me marrë 5 apo gjashtë rroga. Interesantja është se aty në fund të vitit, isha ai sportisti primar, nëpër ato anketat pesë sportistët e vitit.

Votohej kush ishim pesë sportistët më të mirë të vitit, emri im ishte gjithnjë, tek pesë më të mirët.

Në fund të vitit më kërkonin të shkoja ushtar.

Ligjërisht nuk duhej të shkoja se kisha një vëlla marinar, nuk duhej të ishin dy nga një familje.

Dhe sa kam shkuar ushtar, jam shpallur fitues i anketës pesë sportistët më të mirë të vitit, kuptohet bëri jehonë shumë.

Cilët emra i mbanin këto rekorde para teje, i mban mend si emra?

Janë shumë vite, por ka qenë një Besim Pula, që ka qenë në lojërat e Ganefos, ishte një emër i madh.

Unë e kam marrë vesh më pas, se në fillim unë kam shkuar si të isha një analfabet, nuk dija, isha djalë i ri.

Atje kam njohur emra që vinin kryesisht nga akrobacia, Telat Agollin, psh ishim miq me Hamdi Petrelën, Bujar Bodinakun, dmth ata bënin edhe cirkun edhe shtangën.

A shkonit shpesh jashtë?

Për herë të parë unë kam unë kam dalë në vitin 1966 në Kinë, aty ishin lojërat e Ganefos>.

Mua në këtë kohë më kishin ikur emocionet e fillimit dhe kam qenë shumë agresiv në garë.

Kam pasur një ego të jashtëzakonshme.

Kush më ka njohur, nëse Faruku ka çuar një kile në stërvitje, në garë ka çuar një kile e gjysmë.

Këto më kanë ndodh edhe tek cirku, edhe te peshëngritja; nuk kam pasur regres, por vetëm progres.

Kam vetëm një moment që kam pasur regres, që është i vetmi, që edhe ai është një diçka shumë e veçantë.

Në Kinë, pallati ku po bënim garën e parë quhej Pallati Punëtori, Pekin, kishte 20 mijë spektatorë.

Mbaj mend që ka qenë Xhorxhi Robo, komentator dhe ishte i madhi Loro Boriçi, trajneri i Kinës, kishte shkuar të ndihmonte Kinën. Ishte trajner.

Ai si shkodran më kishte njohur mua te Partizani si sportist dhe ma kishte vendosur epitetin ‘Harushë’, (shkodrançe, d.m.th arushë, ari).

Nga tribuna, më thotë nga larg “Harushë, a po e thyen rekordin?

Dhe unë që i përgjigjem me kokë; Po nuk diskutohet.

Kur e ngrita shtangën dhe kap një, dy rekorde edhe ai atje në sallë, më tha: Sa të mbarosh punë Harushë, do të dalim bashkë me shëtit.

Më ka dashtë fort.

Më thoshte, ty të ka dhënë Zoti me të dashtë gjithkush, edhe armikun e kënaq në garë se ke rezultate shumë të mëdha.

Vetë harku kohor i gjatë, dmth nga dita e parë kampion dhe me mbylljen si kampion, jam ndër të vetmit.

Si t’u duk Kina, në atë kohë, t’u duk parajsë, pasi ti vije nga një vend i vogël?

Kina në atë kohë kishte mrekulli, kishte edhe skamje të jashtëzakonshme.

Kam qenë tre herë në Kinë dhe kam ndenjur goxha.

Në atë kohë kur kam qenë unë, ishte dhe kryeministri shqiptar atëherë Mehmet Shehu, edhe ne na dukej se po na trajtonin më mirë edhe prej atyre.

Në dy bankete kemi qenë edhe ne si ekip i ftuar, por larg udhëheqjes. Ishte një sallë e madhe.

Për herë të parë kam parë nga këto banketet përrallore, tavolina që nuk mbaronin 30 metra e gjatë, unë nuk di se çfarë nuk kishte, saqë merrja atë pjatancën, por çfarë të marr më parë…

Por ne ruanim edhe peshën. Megjithatë si shije, si kënaqësi, u kënaqëm.

Sa tituj numëron, apo nuk i numëron dot?

Unë nuk kam asnjë nga këto aktivitetet, nga këto kampionatet kombëtare, që të kem humbur.

Nuk kam humbur asnjë titull.

Këto janë të certifikuara.

Se një gazetar që ka shkruar për mua, “Asi i rekordeve’, ka bërë mbi 200 profile sportive. Ka bërë librin e Panajot Panos.

Kur ka dashë me bo proflin tim, kemi pasur një njohje distancore, por ai kishte dëgjuar për mua.

Më erdhi në shtëpi, i nxora të gjitha medaljet, i verifioi dhe mbeti i stepur dhe është shprehur ai; I veçanti, i të veçantëve, kampioni mbi kampionët, rekordmeni mbi rekordmenët, i paarritshmi dhe i papërsëritshmi, Faruk Kalleshi.

A ka ndonjë peshëngritës tjetër që ka marrë më shumë medalje dhe ka thyer më shumë rekorde se sa ti?

Jo, jo nuk ka.

Unë jam më jetëgjati në anketat e dhjetë sportistëve më të mirë.

Sot nuk krahasohet koha e sotme me atëherë.

Sot, e para e punës nuk ke biografi.

Do të shkosh jashtë apo nuk do të shkosh jashtë.

Aktivitetet atëherë kanë qenë me pikatore, a do shkojmë në Bashkimin Sovjetik se bëhet kampionati atje? Jo, nuk shkojmë se nuk e kemi mirë me ta.

A do të shkojmë në Izrael? Jo, edhe me ata nuk jena mirë?

A do të shkojmë në SHBA? Jo, edhe atje nuk e kemi mirë.

Prandaj, kemi qenë të kufizuar me shumë shtete.

Si e shikon peshëngritjen tani?

Aktivitetet atëherë kanë qenë shumë të rralla, por unë ku kam konkurruar në Evropian, kam qenë më i miri absolutisht i Shqipërisë, edhe për Evropë.

Unë me 8 korrik 1970 kam bërë garë zyrtare shtetërore me thy rekord botëror, por nga organizimi shumë pompoz, shumë madhështor, rekord të cilin e kisha thyer disa herë në stërvitje.

Aty kam kalu në emocione edhe u stopova.

Sekretari i parë vinte çdo ditë në stërvitje dhe shokët e mi i thonin, ohuuu, gjysmë kg e thyen ky 100 për qind.

Po, sa do t’i vënë provën tjetër.

Unë kam pasur një rast që kam dhënë shfaqje para Enver Hoxhës me Liljanën, por kur jemi futur brenda, nuk kemi dashur të dimë, se kush është, por kemi bërë të gjitha ushtrimet, pa asnjë problem.

A nuk keni pasur frikë nga ndonjë dështim i mundshëm i ndonjë ushtrimi, kur ishit para Enver Hoxhës?

Jo, kemi dalë aq mirë, saqë Liljana kaloi direkt akrobate profesioniste, prej atij kaloi, se prej kujt!

Si talent i rrallë, sepse është e vërtetë se ka qenë e rrallë.

Liljana ka pasur atë sikletin sa me fillu lëvizjen.

Por, pastaj e ka ngrit sallën në këmbë.

Edhe unë kam ekzekutuar ushrime të vështira, por nuk kam arritur me e tregu numrin, ashtu siç e sillte Liljana.

Mirëpo, sot dikush do me ta ditë, dikush edhe s’ta din.

Thonë, na ishte njëherë…

Përgjithësisht, me njerëz që janë të vjketër e të moshuar.

Sepse, kanë qenë në pallat të sportit, dhe nëse pallati mbante 2 mijë vetë, kanë qenë katër mijë vetë në Shkodër.

Ajo don apo nuk don, krijon atë emocionin e madh.

Si ishte një ditë e jotja, a ishte e vështirë. Çfarë regjimi keni mbajtur?

Me bo me kenë Liljana, e dëften më bukur.

E para e punës, me fëmijët nuk jam marrë fare.

Vetëm sa i kam marrë me i përkëdhel, si me u kënaq me omëlsinën e fëmijërisë.

Pjesa tjetër ka qenë regjim, stërvitje.

Liljana është marrë me gjithçka, unë nuk kam pasur asnjë lloj preukopie me familjen.

Sa orë stërvitje bënit në ditë?

Të them të drejtën katër apo pesë orë në ditë, më ka pas shkuar.

Orari, orar, pushimi, pushim. Ushqimi, ushqim.

Madje, edhe kur e kam lënë krejt sportin, unë jam strikt me ushqimin.

Edhe në atë kohë kam qenë jashtëzakonisht i saktë. Kam qenë shumë preçiz.

A nuk je pak pishman, nuk e mendon ndonjëherë që peshëngritja mund të të ketë lënë pak të shkurtër?

Në kohën tonë, flitej kështu. Por, unë kam babën tim, kaq sa unë.

Ndërsa, kam qenë trajner i madh e nga duart e mia kanë dalë të tëra këto vajzat që përmenden sot.

Të tjerët i gëzojnë, se ka hyrë në lojë leku, por të gjitha unë i kam nxjerrë.

Nga zero i kam marrë unë, i kam çuar në majë, pastaj atje ku merren lekët i ke marrë ti, me miqësi e me shoqëri.

Unë e kam bërë Romela Begajn, nënkampione Evrope.

Fetije Kasën, kampione evrope, pastaj i kanë marrë të tjerët.

Romelën e kam takuar rastësisht në cirk, ishte vertikaliste.

Gjashtë muaj i jam lutur, do të vish me mua, të të stërvis. Romelës i kam bërë propozime të jashtëzakonshme.

Me rroba, me gjithçka, i bëja sauna, që t’i çkontraktoja, deri në momentin që janë stërvit me mua kanë qenë 100 për qind të pastra.

Tani sportistët bien pre e dopingut, pse ndodh?

Nuk bien pre, joshen. Sot shteti ka vendosur një ligj, që jep shpërblime monetare të mira.

Mirëpo, duke dhënë shpërblime të mëdha, kërkohet të shkohet me çdokusht te maja.

Te maja shkohet me doping.

Por, doping ka një gjë, mundet me të qëndru në trup dy muaj, mundet me të ndjenjë edhe dy muaj e gjysmë.

Dhe, para garave e lënë, dikush para një muaji, dikush para një muaji e gjysmë, në mënyrë që të pastrohet trupi.

Por, ja që jo çdo njeri reagon njëlloj.

Kështu, që dikujt i mbetet në trup.

Sa vjet të zgjati karriera?

21 vjet pa ndërprerje. Për shumë kohë punova me ekipin privat “Juvelinja”. Ekip femrash, ku ishin edhe Romela Begaj dhe Fetije Kasaj.

A vlerësohen sportistët sot?

Shumë. Psh Romela Begaj ka tentuar të marrë 100 milionë.

Po të mos kishte marrë doping, do të kishte marrë 50 apo 60.

Po të kishte qenë me mua, do t’i kisha thënë, më mirë me marrë kaq, se i marrim prapë vitin tjetër. Ndërsa, fitimi ndahet 70 për qind me 30.

Faruk Kalleshi, maja e “Himalajës” së sportit shqiptar

Nga Xhevdet Zekaj, gazetar dhe opiniost sportiv

Faruk Kalleshi është gjigandi shtatshkurtër i peshëngritjes shqiptare, i cili gëzon titullin më të lartë, “Nderi i Kombit”, që ka mundur ta marrë nga sportistët deri më sot vetëm futbollisti i magjishëm Panajot Pano.

Kalleshi, është i vetmi shtangist shqiptar që ka nisur dhe përfunduar karrierën 21-vjeçare duke qenë vetëm e vetëm kampion kombëtar, me 116 rekorde të thyer, triumfator i padiskutueshëm përmes një ankete kombëtare në vendin tonë si “Peshëngritësi më i mirë i shekullit 20”.

Ai ka qenë me rezultate shumë pranë rekordit botëror dhe mban në gjoksin e shtatit të tij të shkurtër, si të një luftëtari Berber, mbi 130 medalje e dekorata.

Faruk Kalleshi është maja e “Himalajës” së sportit shqiptar, i cili ka mbi 50 vite që na ushqen me lavdinë e vet.

Një “perlë” shkodrane, por mua më bënë tifozin e tij vitet që kaloi te Partizani. Vështirë se gjen tjetër kund një sportist të tillë, jo vetëm shqiptar, ku pesha e medaljeve t’ia kalojë peshës së trupit; ku numri i rekordeve t’ia kalojë çdo imagjinate.

Plot 116 të tilla, një det me rekorde.

Fitoret në katër Olimpiada Kombëtare, shoqëruar me medalje ari, kornizojnë shterueshëm konkluzionin: ky është një mbret, që sundon sportin shqiptar.

Faruk Kalleshi është Piramida Keopsiane e sportit shqiptar: baza janë rekordet, mesi sinjifikohet me jetëgjatësinë si fitues në sport, ndërsa maja, apo “Himalaja” është bilanci jetësor.

Nëse do të mblidhnin kilogramët e ngritur lart nga Faruk Kalleshi do të ishte mbushur edhe diga e Fierzës, por ky kampion i madh nuk ka marrë asgjë nga sporti.

Ai vazhdon të jetë një perandor i heshtur, ku familja, miqtë, atdheu, dashuria për sportin, krenaria dhe lavdia, janë thesare të patjetërsueshme.

Të përmbledhësh në pak rreshta gjigandin shtatshkurtër të peshëngritjes shqiptare është thuajse e pamundur, por kampionët si ai janë e do të pjesë e lavdisë sportive të këtij vendi!

REKORDET DHE MEDALJET E FARUK KALLESHIT

Lindur më 6 dhjetor 1945 në qytetin e Shkodrës.

Më 12.12.1964 në Kampionatin Kombëtar në Berat u shpall Kampion Kombëtar duke vendosur 4 rekordet e para kombëtare.

Në vitet 1964-1984 është shpallur 21 vite rresht Kampion Kombëtar i Shqipërisë.

1966-1984 anëtar i ekipit kombëtar duke fituar medalje ari, argjendi, dhe bronxi.

1964-1984 fitues i Kupës së Republikës 21 herë.

Në vitin 1970 ka tentuar të thyejë rekordin botëror dhe ka ngelur 5 kg larg tij.

1973 shpallet Mjeshtër i Merituar i Sportit.

1964-1984 është 6 here fitues i anketës “10 sportistët më të mirë të vitit”.

Në vitet 1966, 1970, 1973, 1977, 1978, 1981. 1969-1984 është fitues i medaljeve të arta në spartakiadat kombëtare në vitet: 1969,1974,1979,1984. 1964-1984.

Ka thyer 116 rekorde kombëtare.

Në vitin 1984 në Spartakiadën e V-të Kombëtare fiton 3 medalje ari dhe mbyll karrierën e tij sportive në moshën 39 vjeçare.

Në vitin 1998 gazeta Sporti Shqiptar hap superanketën e shekullit.

Me votim të klubeve sportive, Federative Sportive, Komitetit Olimpik, gazetarëve sportivë, shpallet fitues i Anketës “10 sportistët më të mirë të shekullit”.

Në vitin 1999, Ministria e Kulturës Rinisë dhe e Sporteve nderon me medaljen “Nderi i Sportit Shqiptar”.

Në vitin 2000, Presidenti i Republikës të Shqipërisë Z. Rexhep Mejdani e nderon me urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës” .

Në vitin 2012, Presidenti i Republikës të Shqipërisë Z. Bamir Topi e nderon me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”.