Shkeputur nga “ Jeto shendetshem” Anila Kalleshi Dietologe klinike
Mëlçia e zezë dhe lëngu që prodhohet prej saj luajnë rol të rëndësishëm në procesin e tretjes se ushqimit.
Funksionet e mëlçisë
– Mëlçia e zezë është gjëndër e madhe, e njohur si laborator biokimik i organizmit, pasi kryen një seri funksionesh të rëndësishme.
– Përpunon dhe shndërron një seri substancash ushqimore, si sheqernat proteinat e yndyrat.
– Sekreton dhe nxjerr në zorrë lëngun e tëmthit, i cili ndikon në tretjen e ushqimit dhe në lëvizjen e zorrës.
– Nxjerr në gjak prodhimet e nevojshme që ndikojnë në normalizimin e proceseve të organizimit
Mëlçia bën pjesë në funksionin e shumë organeve vitale që janë qenësore për shëndetin. Meqë luan rol të madh në procesin e tretjes, kujdesi për mënyrën dhe zgjedhjen e ushqimit duhet te jete shume i madh. Që të mos e ngarkojmë së tepërmi dhe që t’i mundësojmë punë të mirë duhet t’ia lehtësojmë detyrën. Përparësi duhet dhënë artikujve ushqimorë që treten lehtë, duhet shmangur vaktet e ngarkuara, de ushqimi duhet te konsumohet ne vakte te vogla, te rregullta dhe te shpeshta gjatë tërë ditës: mengjes i pasur, dreka dhe darka e lehtë, gjatë paradites dhe pasdites fruta ose kos.
Të sëmurët nga mëlçia duhet t’i kushtojnë kujdes të madh mënyrës së të ushqyerit. Ushqimi duhet të jetë i shumëllojshëm, me masë dhe me kalori që i përgjigjen nevojave të trupit dhe punës që kryejmë. Problemet me tretjen do t’i evitojmë nëse e pakësojmë marrjen e yndyrave, vecanërisht sallamet dhe djathërat. Edhe nenproduktet e qumështi janë burim i rëndësishëm i yndyrave: djathërat, sidomos djathi i vjetër nuk duhet të jetë pjesë e vakteve. Qumështin me pak yndyrë duhet zëvendësuar me atë të payndyrë.
Ushqimet kanë veti të shtojnë si sekretimin e lëngut të stomakut dhe të zorrëve, si edhe në nxjerrjen e lëngut të mëlçisë për në drejtim të zorrës, që luan rol të rëndësishëm në përzierjen e yndyrave në zorrë. Sëmundjet e mëlçisë së zezë dhe të rrugëve të saj bëhen shkak për lindjen e ndryshimeve të veçanta funksionale dhe në aparatin tretës. Në pezmatimin e zgjatur të fshikëzës së tëmthit (kolecistit kronik) vihen re çrregullime të tretjes e kapsllëk që vazhdojnë me heqje barku (diarre), me ndryshime në nxjerrjen e lëngut të stomakut, të pankreasit, etj., qe shkaktojnë edhe ndryshime si shqetësime, pagjumësi etj. Dieta e përshtatshme, që nxit zbrazjen e fshikëzës së tëmthit dhe që rregullon detyrën e zorrës, është një masë e rëndësishme për parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve të mëlçisë. Kjo dietë duhet të plotësohet edhe me aktivitet fizik, e cila ndikon në normalizimin e funksioneve të mëlçisë së zezë. Aktiviteti fizik ndikon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut në mëlçi, në oksigjenimin, dhe në furnizimin e saj me lëndë të nevojshme për sintezën dhe grumbullimin e rezervës sheqerore (glikogjenit). Dieta në sëmundjet e mëlçisë duhet që të lehtësojë si nxjerrjen e lëngut (sekretimin), ashtu edhe derdhjen e tëmthit, gjë që arrihet duke marrë shpesh pjesë të vogla ushqimi (4-6 herë në ditë), që shërben si ngacmues fiziologjik i mekanizmave që vënë në lëvizje derdhjen e tëmthit. Për këtë ndihmojnë edhe lëvizjet, shëtitjet e gjata në ajër të pastër, gjimnastika etj.
Duke pasur parasysh akyivitetin kryesor të mëlçisë janë përcaktuar edhe patologjitë e saj dhe të rrugëve të tëmthit, të cilat karakterizohen nga pakësimi i sekretimit dhe i mënjanimit të lëngut të tëmthit në zorrë, nga kalimi i kripërave të tij në gjak, gjë që shkakton lindjen e të verthit. Por mund të lindin edhe ndryshime të tjera në vetë indin e mëlçisë që çrregullojnë funksionet e sajë fiziologjike të sintezës, të shndërrimeve dhe të mënjanimit të prodhimeve të ndryshme ushqimore me origjinë shtazore, bimore e minerale. Është e këshillueshme që në të gjitha çrregullimet e mëlçisë ti drejtoheni mjekut për përcaktimin e diagnozës dhe mjekimin sa më të arsyeshëm. Preparatet me origjinë bimore që praktikon mjekësia popullore dhe ajo shkencore për sëmundjet e mëlçisë përdoren në këto drejtime kryesore. Për mjekimin e pezmatimit të mëlçisë (hepatit) dhe të fshikëzës së tëmthit (kolecistit) dhe për tretjen e gurëve të tëmthit (kolelitiazë). Ndërmjet bimëve që përdorën në familje për mjekimin e sëmundjeve të mëlçisë e të rrugëve të tëmthit rezultate të mira ka dhënë mendra e butë, e cila mund të përdoret për një kohë të gjatë dhe pa shkaktuar veprime të padëshirueshme anësore.
Ushqimet që kurojnë dhe dëmtojnë mëlçinë:
– Përdorimi i 20-40 gramëve alkool në ditë dëmton mëlçinë.
– Mosha është një ndër faktorët kryesorë të dëmtimit të mëlçisë, pasi sa më e vogël që të jetë mosha e konsumatorëve të alkoolit aq më të rënda janë dëmtimet.
– Predispozicioni gjenetik është një ndër faktorët kryesorë të shfaqjes së sëmundjes.
– Këshillohet konsumimi i produkteve të mishit.
– Këshillohet përdorimi i rrepave të kuq, lakrës së kuqe dhe brokolit.
– Këshillohet të mos pihen shumë kafe gjatë ditës, të mos konsumohet birra dhe lëngjet me gaz.
Angjinarja – në sajë të cinarinës, glukozideve A dhe B, substancave flavonike të ndryshme etj. Gjethet e angjinares përdoren kryesisht në sëmundjet e mëlçisë dhe të veshkave. Gjethet nxisin prodhimin e tëmthit dhe zbrazjen e tij dhe përdoret kundër pezmatimit të rrugëve të tëmthit, vepron në metabolizmin e kolesterinës dhe të uresë dhe nxit urinimin (jashtëqitjen e klorureve dhe uresë).
Rrepat – rrënjët e freskëta të saj përmbajnë esencë me squfur rafamol etj. Krahas vitaminës C, ato përmbajnë edhe faktorin B, edhe substanca fitonciale. Ato nxisin formimin e tëmthit dhe urinimin. Njëkohësisht me tharjen e rrënjës pakësohet edhe veprimi i saj. Rrënjët e rrepës, përdoren si mjet koleretik kundër gurëve të tëmthit kur fillon ripezmatimi i fshikëzës përkatëse, si dhe për të lehtësuar tretjen e ushqimeve. Substancat (materiet) vepruese të rrepës, pasi përthithen nga trakti tretës ngacmojnë lehtë mëlçinë dhe në këtë mënyrë, shtojnë rrjedhjen e tëmthit. Këto substanca, në doza të vogla, nxisin prodhimin e tëmthit në mëlçi dhe për pasojë, shtojnë pezmatime, prandaj nuk zbatohen në doza të larta, kur mëlçia është e dëmtuar. Në gurët e tëmthit, rrepa këshillohet vetëm për një kohë të caktuar dhe në doza të vogla.
Lulet e akes përmbajnë haterozide flavonike, karoten, vitaminë C, derivatin kumarinik herniarinë, pigmentin kinonik helikrisinë, fitoncide, substanca të hidhura e tanike, pak esencë etj, dhe kanë veti bakteriostatike, të nxisin prodhimin e tëmthit, urinimin, veti spazmolitike etj. Ato rekomandohen për të shtuar rrjedhjen e tëmthit dhe për të tretur gurët e fshikëzës së tëmthit.
Pelini -përdoret si mjet që shton rrjedhjen e lëngut të stomakut (duke përmirësuar oreksin) dhe përmirëson punën e mëlçisë. Esenca e pelinit përmban azulen me veti antiseptike, të ngjashme me kamazulanin e lulës së kamomilit. Duhet pasur parasysh se, në sajë të përbërësve të tjerë të esencës, siç janë tujoli, pelini, në doza të mëdha, është i helmët dhe mund të dëmtojë trurin dhe të shkaktojë dridhje. Gjitashtu, ai nuk duhet pë përdoret nga gratë shtatzëna.