Diabeti dhe dieta 7 ditore. Rregullat që duhet të respektojnë diabetikët për orarin e ngrënies, sasite, vlerat kalorifike, alkooli dhe frutat. Ja dieta javore për diabetikët
Diabeti dhe dieta 7 ditore
Një i sëmurë me diabet, më shumë se një kufizim ushqimor, kërkon ndryshim të stilit të jetesës, i cili duhet orientuar jo drejt kufizimit të ushqimit, por drejt menaxhimit më të mirë të mënyrës së të ushqyerit, ku një rol të rëndësishëm luan përcaktimi i rregullt i vakteve dhe sasisë së ushqimeve që duhen ngrënë në secilin vakt.
Dieta ka shumë rëndësi në mjekimin e diabetit. Disa persona me diabet arrijnë vlera normale të sheqerit në gjak kur ndjekin dietën specifike të rekomanduar për çdo person me diabet. Dieta e personave diabetikë varet nga metabolizmi bazal, nga koeficienti i masës trupore BMI i cili përcaktohet nga pesha dhe gjatësia e personit)si dhe nga aktiviteti i tij fizik.
Një person diabetik duhet të konsumojë 3 vaktet kryesore dhe 2-3 vakte të ndërmjetme. Shumë e rëndësishme është që vaktet të merren pothuajse në të njëjtën orë çdo ditë dhe hapësira nga vakti në vakt të jetë e njëjtë.
Një diabetik duhet të respektojë këtë rregull që të mos lërë kalimin e shumë orëve pa ngrënë.
Një vakt ushqimor duhet të përmbajë me patjetër karbohidratet e nevojshme. Ndërtoni një plan të ushqyerjes në të cilën të keni kontrolluar kaloritë, karbohidratet dhe sheqernat. Një dietë e mirë për personat që vuajnë nga diabeti duhet të konsistojë në konsum të sasive të bollshme të proteinave bimore, si: drithërat, patatet dhe proteinat e tjera që përmban mishi, peshku dhe veza.
Një tjetër grup i rëndësishëm është dhe futja e sheqernave në organizëm, orientimi i të cilave duhet të jetë drejt atyre me bazë bimore dhe sasi më të pakta shtazore, si dhe sheqernat e shpejta që janë në përmbajtje të qumështit apo frutave. Yndyrat luajnë një rol të rëndësishëm, por këto të fundit duhet të përzgjidhen me kujdes në grupin e yndyrave me bazë bimore.
Kombinimi i këtyre elementeve mund të ndihmojë në largimin e problemeve dhe mbajtjen e një regjimi të rregullt të sëmundjes. Duhet të kufizoni sa më shumë kripërat për të kontrolluar tensionit arterial dhe proteinat për të mbrojtur veshkat. Nëse jeni mbipeshë, humbja e saj do të ndikonte në përmirësimin e sheqerit dhe tensionit arterial.
Përqindja e përbërësve kryesore ushqimore të një vakti duhet të orientohet drejt një skeme të tillë ku: 40 % duhet të jenë karbohidrate, 40 % duhet të jenë proteina, si dhe pjesa e mbetur prej 20 % duhet të përbëhet nga yndyrat, kryesisht ato që listohen si yndyra të mira.
Ekziston një grup ushqimesh të cilat mund të merren dhe pa sasi të kufizuara, pasi përbërja e tyre nuk sjelle dëme në organizëm, ndryshe nga sa mund të ndodhë nëse marrim sasi të mëdha të ushqimeve të tjera që mbeten jashtë kësaj liste.
Në listën e ushqimeve që mund të konsumohen pa kufij nga diabetikët janë: uji, kafeja pa sheqer, çajërat pa sheqer, rrepat, specat, spinaqi, kungujt, sallata jeshile, qepët, panxhari i kuq, lëngu i zarzavateve, lakra e bardhe, lulelakra, kastravecët, domatet, patëllxhanët, domatet, bamjet, karotat, mollët”.
Sasitë ashtu si dhe vlerat kalorifike kanë shumë rëndësi në ushqyerjen e një diabetiku,
Këshillohet një sasi qumësht 200 ml, kos frutash 180 gr, 50 gr, bukë me drithëra 60 gr, oriz i gatuar 50 gr, makarona të gatuara 50 gr.patate 60 gr, bizele të gatuara 20 gr, fasule të bardha bishtaja 2 lugë supë, bizele të vogla 50 gr. Personat që konsumojnë më shumë bulmet me pak yndyrë kanë më pak mundësi të preken nga diabeti i tipit 2.
Një proteinë që gjendet tek bulmeti mund të rrisë sekretimin e insulinës. Një shumëllojshmëri ushqyesish, si vitamina D, kalciumi dhe magnezi, mund ta ulin rrezikun e diabetit. Përdorimi i drithërave të ndryshme është masa më efikase për parandalimin e diabetit. Zarzavatet dhe perimet janë armiqtë më të mirë që frenojnë problemet që diabeti sjell në organizëm.
Dieta ushqimore duhet të ketë në përmbajtje të saj sasi të bollshme ditore të perimeve dhe zarzavateve jeshile. Përdorimi i gjallë këtyre zarzavateve në sasi të mjaftueshme si gjatë drekës apo dhe darkës, çdo ditë është një mundësi e mirë për të kontrolluar këtë sëmundje. Kjo pasi në përmbajtje të këtyre zarzavateve gjenden sasi të shumta antioksidantësh, vitaminash dhe kripërash minerale dhe fibra të cilat luftojnë radikalet e lira që pengojnë qarkullimin e lëndëve ushqimore nëpërmjet gjakut për në organet e tjera jetësore.
Sa më pak të gatuara të jenë perimet dhe zarzavatet, aq më mirë i bëjnë organizmit, pasi gatimi shpesh herë humbet sasinë e vitaminës C që perimet kanë në përmbajtje të tyre, së bashku me shumicën e mineraleve që i shoqërojnë. Është e këshillueshme pirja e ujit në të cilin më parë janë zier perimet.
Ky ujë ka në përmbajtje të tij sasi të bollshme të mikroelementeve të dobishme, siç janë zinku, magnezi, kaliumi, të cilat e ndihmojnë organizmin të kryejë më me lehtësi funksionet. Organizmi ka nevojë edhe për një sasi të caktuar yndyrash, kryesisht me bazë bimore.
Yndyrat janë shumë të pasura me kalori ndaj këshillohet që konsumi i tyre të bëhet në nivele të kontrolluara që përfshijnë sasi të pakta, çka ndikon edhe në humbjen e peshës së tepërt e cila mbizotëron tek pacientët diabetikë. Kështu diabetikët duhet të shmangin pastat, gjalpi, mishi me yndyrë, djathi i deles .
Këshillohet që sasia e yndyrave të sigurohet nëpërmjet përdorimit të vajit të pastër vegjetal, vajit të ullirit. Këshillohet edhe ngrënia e frutave, por jo në sasi të mëdha, pasi në përmbajtje të tyre ka nivele të larta sheqeri. Niveli i lartë i selenit në gjak mund të ulë rrezikun për të pasur çrregullime të metabolizmit të glukozës, me këtë edhe të diabetit.
Një nga ushqimet që nuk duhet të mungojë asnjëherë në tavolinë janë bishtajoret pasi kanë përmbajtje të lartë të fibrave të tretshme, që ndihmojnë që të mbani nën kontroll nivelet e sheqerit në gjak. Një diabetik duhet të konsumojë thjerrëza, bizele, fasule, dy-tri herë në javë.
Përdorimi i alkoolit tek diabetikët
Konsumi i alkoolit duhet të jetë në sasi të monitorueshme. Lejohet konsumi i një gote verë të kuqe, por jo më shumë se 125 mil, pasi fenoli që ka në përmbajtje ndihmon funksionimin e zemrës.
Ja dieta që rekomandoj unë për diabetikët:
Dita e parë
Mëngjesi: Çaj jeshil, bukë e zezë, 1 copë djathë deleje
Dreka: Sallatë me fara soje dhe limon, 2 kokrra vezë të ziera jo shumë, perime dhe thjerrëza me erëza, sallatë jeshile, 25 gr bukë e zezë
Pasdite: Komposto molle ( pa sheqer të shtuar)
Darka: Sallatë me lakër të kuqe, 1 fetë proshutë pa dhjamë, pak fistiqe, 1 gotë kos pa yndyrë
Dita e dytë
Mëngjesi: Lëng molle, drithëra me krunde dhe qumësht soje
Dreka: Supe krem bizelesh, fileto merluci 100 gr, sallatë jeshile, 25 gr bukë e zezë
Pasdite: Kumbulla dhe lajthi
Darka: Copëza pule me salcë djegëse 100 gr, perime të stinës gjysmë të pjekura, 25 gr bukë e zezë, një copë djathë, 1 kokërr dardhë
Dita e tretë
Mëngjesi : 1 kokërr vezë e zier,25 gr bukë e zezë, çaj jeshil
Paradite : Gjysmë kokrre qitro
Dreka: Fileto viçi në zgarë 100 gr, makarona al dente me kërpudha, sallatë jeshile, kivi dhe qitro
Pasdite: Fara tërshërë me çokollatë
Darka: Supë me karota, presh dhe selino të bardhë, salmon krudo, pure bizelesh 90 gr,25 gr bukë e zezë,1 lugë salcë kosi
Dita e katërt
Mëngjesi: 1 fetë bukë thekre me 1 copë djathë dhie, 1 gotë lëng molle
Paradite: 1 portokall
Dreka: Sardele të shoqëruara me gjethe dafine dhe erëza, pule me fasule të bardha, sallatë jeshile
Pasdite: Qitro dhe kivi
Darka: Bollgur 90gr dhe sallatë domatesh, mish lepuri 100 gr në furrë me kërpudha e parmixhiano, 25 gr bukë e thekur, komposto me bajame, fistikë e boronica
Dita e pestë
Mëngjesi: Një vezë e zier , një fetë të thekur,lëng portokalli
Paradite: ½ banane
Dreka: Mish i bardhë pule 100 gr,kungull i mbushur me qepë e domate,sallatë me fasule të kuqe dhe speca
Pasdite: Fruta të kuqe
Darka: Supë me perime, 25 gr bukë e zezë, mish viçi me perime të stinës
Dita e gjashtë
Mëngjesi: Kos me rrush të thatë, çaj jeshil
Paradite: 2 kajsi
Dreka: Mëlçi viçi, sallate perimesh ,1 fetë bukë e thekur
Pasdite: Muesli-ushqim i përbërë nga tërshërë,fruta të freskëta dhe të thata
Darka: Sallatë rukola, avokado, kastravec, ullinj, mashurka, fileto peshku në avull
Dita e shtatë
Mëngjesi: omlet me një vezë, një karotë te grirë dhe një kungull të njomë, 25 gr bukë e thekur
Paradite: Komposto kumbulle të thata
Dreka: Lulelakër, spinaq & brokoli të ziera shoqëruar me sallatë jeshile, krem karamel
Pasdite: Lëng qitroje dhe kivi
Darka: Ragu me mish qengji dhe domate gjysmë të pjekura, salcë kosi 1 lugë