Nominimi për një çmim nga WORLDCOB – Konfederata Botërore e Biznesit, një prej organizatave më të mëdha në botë e bën të ndihet e supervlerësuar, paçka se gjithçka është fryt i punës dhe i përkushtimit të saj. Lufta me të ‘keqen’ në emër të së bukurës tregon gjithçka për rrugëtimin e saj, për startin e së bukurës në konceptet e saj, kush ishin frymëzuesit e deri tek çmimet e panumërta, trofetë e të cilëve nuk i zë një raft i madh në zyrë, në qendrën ku edhe formësoi betejen e të veçantë. Anila Kalleshi, prej kohësh është kthyer në mendim dhe shpresë për qindra persona që nuk mund t`i bëjnë dot ballë ushqimit, po pse jo edhe mekanizmit të shëndoshjes. Pas disa çmimeve shumë të rëndësishme në Paris, Londër, Frankfurt, Las Vegas, New York, Zvicër, Bruksel, Vjenë etj, Kalleshi së fundmi u vlerësua në kryqendrën amerikane si “Lidere Botërore e Biznesit”, trofe që e bën të ndihet shumë krenare. “Nuk mund t’i përshkruaj dot me fjalë emocionet në atë sallë gjigande natën e 31 korrikut në Washington DC. Një sallë e mbushur plot e përplot me njerëzit më të famshëm në botë në fushën e biznesit”, – thotë Anila Kalleshi për “WHO”. Por ky nuk është aspak plotësimi i gjithçkaje që Anila dëshiron të arrijë. Ajo do të vazhdojë të punojë edhe më fort dhe duket se vlerësimet e rëndësishme që merr ia shumëfishojnë motivimin. Anila tregon më tej se objektivat e radhës i ka shumë të qarta, e me kohën ka demonstruar se i arrin ato. “Objektivi i radhës është hapja e qendrës më të re në Bllok. Veç kësaj do të dëshiroja që vitin tjetër të isha përsëri e nominuar në ‘The Bizz 2017’”, – shprehet ajo.
BOTUAR NE REVISTEN WHO 9 GUSHT 2016