Faruk Kalleshi – Mbreti i Peshëngritjes Shqiptare  – Rekordmeni absolut

Faruk Kalleshi – Mbreti i Peshëngritjes Shqiptare  – Rekordmeni absolut

Autor Nuri Dragoj

Redaktor Ilir Bushi

Korrektore Anila Salla

 

Titulli në kopertinë:

Mbreti i Peshëngritjes Shqiptare

Ne faqen e parë, brenda

Faruk Kalleshi, Mbreti i Peshëngritjes Shqiptare

Një “jashtëtokësor” në Shkodër

Meqënëse në tokë, të gjitha eksperimentimet e politikës kishin prodhuar gjakderdhje, njerëzit ngrinin shpesh sytë drejt qiellit duke pyetur: Deri kur kështu o zot?

Kjo ishte një pyetje e përditshme dhe e përnatshme, që e kishte zanafillën te kushtet e vështira ekonomiko-sociale, por sidomos te venitja e shpresës për ndryshime. Shpesh ndodhte që nga qielli të këputej ndonjë yll, ose të lëvizte ndonjë meteor sipas intinerarit të trupave qiellor të galaktikës sonë. Por në 6 dhjetorin e vitit 1945, nuk ndodhi asgjë e tillë. Vetëm se një dritë e fortë shkrepi në horizont, në formën e një blici fotografik. Kjo zgjati vetëm disa sekonda dhe e panë të gjithë, sepse errësira u ndriçua, si asnjë natë tjetër.

Ky ishte një eksluzivitet i asaj nate dhe askush nuk mund të bënte krahasime të këtij ndriçimi, me netë të tjera. U bënë shumë hamendësime, por vetëm të nesërmen në mëngjes, për herë të parë në Shkodër, dikush përmendi jashtëtokësorët. Njerëzit që e dëgjuan, panë njëri-tjetrin në sy dhe tundën kokat.

Në fakt, në natën e 6 dhjetorit, pas tërë atyre përmbytjeve, qielli ishte pa re dhe pa shtrëngata shiu. Atë natë, në një shtëpi të thjeshtë në lagjen Rus, të periferisë së Shkodrës, lindi një foshnje, të cilit prindërit ia vunë emrin Faruk. Më vonë, askush nuk sqaroi dot se sa i vërtetë ishte argumenti i jashtëtokësoreve të asaj nate, por në fakt, potenciali i Faruk Kalleshit, në thyerjen e rekordeve të peshëngritjes, dhe sidomos lehtësia me të cilën ai i thyente këto rekorde, shpesh krijuan hamendësimin se ai mund të ishte një jashtëtokësor.

Përkimi i ditëlindjes së Farukut me ndriçimin qiellor të asaj nate, ishte një rastësi, por historia e mëvonshme dhe rekordet e thyera prej tij në peshëngritje, ishin aq të pabesueshme e të pamundura, saqë disa filluan të besojnë se, vetë Faruk Kalleshi, mund të ishte një jashtëtokësor i ardhur nga galaktikat e tjera.

Kur fillova të shkruaj këtë libër, isha disi i befasuar nga aftësitë mbinjerëzore të këtij njeriu, që kishte thyer 116 rekorde kombëtare, duke qenë për 20 vjet, kampion absolut në peshëngritje. Ai i kishte marrë të gjitha medaljet dhe titujt vlerësues të universit shqiptar, duke filluar nga titulli “Mjeshtër i Sportit”, e deri tek “Nderi i Kombit”, duke merituar njëkohësisht edhe vendin e nderit, në anketën e 10 sportistëve më të mirë të shekullit. Ai ka ngritur flamurin tonë kombëtar, në shumë kryeqytete të botës, duke e shndëruar, ashtu siç ka thënë shkrimtari ynë i madh, Dritëro Agolli, në “një Ambasador të Shqpërisë në këto vende”.

Siç e thashë më lart, kur e nisa këtë libër, isha disi i befasuar nga aftësitë mbinjerëzore të këtij njeriu, por kur u njoha me Farukun, vura re se ai ishte një njeri i fortë, por i urtë, gjigand, por dhe modest. Në tapetet sportive, ai shfaqi një talent të jashtëzakonshëm, gati jashtëtokësor, por në jetën e përditshme, ishte njerëzor dhe i dashur me të gjithë.

Tani Faruk Kalleshi e ka mbyllur paradën madhështore në tapetin e peshëngritjes, duke i dhënë fund epokës spektakolare, me një arsenal të pakrahasueshëm bilancesh e suksesesh. Kështu që ai, nuk ka më nevojë për durtrokitjet dhe mbështetjen tonë, gjatë garave konkuruese.

Por ne kemi nevojë të madhe për të. Për rezultatet dhe figurën e tij madhështore, që do të shërbejë si shembull për brezat e ardhshëm në tërësi dhe në veçanti për ata që t’i përkushtohen sportit në Shqipëri.

Kapitulli i parë

Linja Podgoricë – Shkodër

 

Në fillim të shekullit të 20-të, në Ballkan, ndodhën disa fatkeqësi natyrore, që e tërhoqën vëmendjen nga lufta. Në 4-vjeçarin e parë, pati një rebelim të lumenjve, ku vërshimi i ujit i theu të gjitha barrierat. Drini, i cili kalonte në tre shtete, shkaktoi shumë përmbytje duke lënë një pjesë të popullatës shqiptare e sllave, në një gjendje ankthi. Me këto rebelime, dukej sikur natyra u kishte dërguar banorëve ballkanas, një telegram të posaçëm, ku trupat e mbytur, që dilnin shpesh në anën tjetër të lumenjve, paralajmëronin një fatkeqësi tepër të madhe, që në fakt, nuk kishte të bënte me devijacionet e ligjësive natyrore, por me rendin e jetës së njerëzve. Sepse, si katalizatorë të pasigurisë, përveç varfërisë e luftës, ishte edhe padituria.

Midis shumë qyteteve të prekura nga këto përmbytje, për shkak të afërsisë me lumenjtë e rrëmbyeshëm, zona më e dëmtuar, nuk ishte thjesht territori i një lokaliteti apo qyteti, por një kryeqytet i tërë. Ishte kryeqyteti i Malit të Zi, Podgorica, e rrethuar nga brigjet e 6 lumenjeve, që vuante më shumë se kushdo kapriçiot e natyrës.

Podgorica shtrihej në udhëkryqin e disa rrugëve të rëndësishme, pranë lumenjve Zeta, Cijevna, Ribnica dhe Sitnicë, në luginën e liqenit të Shkodrës dhe në afërsi të Detit Adriatik, pikërisht në pjesën qendrore të luginës së lumit Moraça. Kjo zonë konsiderohet si një perlë e rajonit ballkanik, me ultësira pjellore dhe me klimë të favorshme për të tri stinët, pranverë, verë dhe vjeshtë, konkurronin mrekullitë e njëra-tjetrës, ndërsa dimri qe kthyer në një kërcënim.

Emri i Podgoricës në gjuhën malazeze, do të thotë “nën goricë”. Pra emri i tij besohet se lidhet me fjalën “gor” që në gjuhët sllave do të thotë “mal”, ndërsa mbaresa sllave “icë”, shërben për të treguar një “mal të vogël”. Të njëjtin emër ka dhe mali që mbikëqyr qendrën e kryeqytetit, të cilit natyra i kish falur magjinë, por koniukturat politiko-shoqërore, e kishin dënuar me mjerim.

Nga historianët thuhej se qyteti u themelua para shekullit të 11-të dhe u quajt Birziminium, ndërsa në Mesjetë, u njoh si Ribnica. Banorët vendas, por sidomos vizitorët e huaj, u përpoqën ta thërrisnin atë me ndonjë emër, i cili të përfaqësonte pozicionin e tij, pasi kryeqyteti gjendej në udhëkryqin kryesor të rrugëve për pëërshkonin territorin e Malit të Zi. Por megjithë ndryshimet e emrave dhe përpjeket për një zgjidhje tjetër, nuk gjetën një emër më të përshtatshëm se sa “Podgoricë”, i cili për hir të së vërtetës, kishte brenda romantizmin dhe dëshirën për të jetuar në paqe.

Itinerari për në Shkodër

 

Në anën tjetër të kufirit të shtetit fqinj, dhe pikërisht në Shkodër, pesë vjet pasi kishte hyrë shekulli i 20-të, ndodhi një tragjedi, akoma më e madhe, nga ato që kishte përjetuar Gadishulli Ballkanik. Kjo gjëmë shkaktoi shumë viktima edhe në rajonin ku shtrihet Mali i Zi.

Më 1 qeshor të vitit 1905, katastrofa natyrore për Shkodrën erdhi në formën e një tërmeti. Sipas staticienëve të sizmologjisë, ky tërmet ishte mbi 7 ballë dhe shkaktoi dëme të panumërta, në njerëz dhe në materiale. Shumica e shtëpive u shkatërruan dhe mijëra krerë bagëti ngordhën. Por lajmi më i tmershëm kishte të bënte me njerëzit. Pas lëkundjeve të para, të cilat zgjatën vetëm disa sekonda, humbën jetën 159 vetë dhe u plagosën 250 të tjerë.

Thuhej se 53 vjet më parë, dhe pikërisht në vitin 1852, qyteti ishte godituar nga një termet i fortë me intensitet të lartë. Por sikur të mos mjaftonte kjo, më 16 korrik të vitit 1855, tërmeti u ripërsërit, duke regjistruar dëme kolosale.

Sipas statistikave, Shkodra është rrezikuar nga traumat sizmologjike, tri herë në 52 vjet. Por këtë radhë, ndryshe nga të gjitha tërmetet e mëparshëm, apo të mëvonshëm, lëkundjet vazhduan për afro një vit, duke lënë në panik të përditshëm dhe të përnatshëm banorët e këtyre zonave. Podgorica ishte gjithashtu, një nga rajonet e kërcënuara prej këtij rreziku natyror.

Lagjet e vjetra të Shkodrës, thuajse u sheshuan, ndërkohë që tërmeti u shoqërua edhe me përmbytje. Ndërsa në Podgoricë pati dhe raste epidemie. Kështu, për një periudhë të gjatë, përveç halleve të përditshme, banorët u morën kryesisht me rindërtimin e shtëpive dhe sigurimin e minimumit të nevojshëm të ushqimit për mbijetesë. Por sapo qytetet morën hijeshinë e dikurshme të arkitekturës tradicionale, plasi lufta.

Në atë kohë, të dy qytetet, apo më mirë të themi gjithë rajoni i Ballkanit, ishte nën pushtimin e Perandorisë Osmane. Pra, bashkëjetonin me Perandorinë, e cila tashmë qe lodhur shumë. Vuajtja nga varfëria dhe pasiguria mbretëronin ngado.

Pesë vjet më vonë dhe pikërisht në vitin 1910, sipas revistës prestigjoze “The Economist”, të ardhurat për frymë në Shqipëri vlerësoheshin në bazë të standardit të fuqisë blerëse, e cila ishte 25.1 për qind e mesatares së vendeve Europiane, ndërsa në Malin e Zi, kjo shifër ishte akoma më e ulët.

Megjithëse, prej kohësh, Ballkani komandohej nga hierarkët osmanë dhe konsiderohej si “fuçi baroti e shuar”, papritur kishin nisur rebelimet kundër pushtuesve.

Shpërthimi i kryengritjeve në Ballkan u pasua me një grusht shteti në Stamboll, pikërisht në tempullin e sundimtarëve. Ishte viti 1908, kur xhonturqit mundën të rrëzonin diktaturën osmane, nëpërmjet një puçi ushtarak, në vitin 1908. Dy vjet më vonë dhe pikërisht në vitin 1910, në Malin e Zi u shpall monarkia, nën sundimin e mbretit Nikolla Petroviç i Parë. Ndërsa tetë vjet me vonë, serbët pushtuan Malin e Zi. Për pasojë, situata u përkeqësua më tej.

Më 1918, në Podgoricë u formua Kuvendi i Parë Antimonarkik, i cili e shpalli tradhtar Mbretin Nikolla Petroviç i Parë. Pas kësaj, Mbreti Nikolla iku nga Mali i Zi, duke lënë pas pushtimin serb, skamjen dhe kasaphanën. Në këtë periudhë, Mali i Zi u dorëzua te serbët. Ose më mirë të themi, iu bashkëngjit zyrtarisht Serbisë. Kjo ishte arsyeja që, gjatë këtyre periudhave historike, shumë banorë të Podgoricës braktisën vendlindjen dhe emigruan drejt Shkodrës, ku gjetën mikpritjen dhe ngrohtësinë tradicionale të banorëve vendas.

Xhemali, babai i Farukut

Një prej familjeve që vendosën të iknin përfundimisht nga Podgorica, për në Shkodër, ishte edhe familja e Kallogjerëve, ose më saktë, familja e Shabanit, gjyshit të sportistit të madh shqiptar, Faruk Kalleshi. Fillimi i shekullit të 20-të, e gjeti Podgoricën në luftë. Kështu që, shumica e banorëve të atij qyteti, kaluan kufirin, duke u vendosur përkohësisht në Shkodër. Ata shpresonin që të ktheheshin sërish në vendlindje, sapo të mbaronte lufta. Por një pjesë e tyre nuk u kthyen më në vendlindje, sepse u përshtatën mjaft mirë në realitetin e ri shkodran. Ata u ndjen njëlloj si vendasit, pasi asnjë prej të ardhurve nuk u paragjykua.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë që, nuk ekzistojnë dokumente të sakta, për vitin e ardhjes së Shabanit në Shkodër. Jo vetëm kaq, por dhe informacionet gojore janë të mangëta. Mirëpo, sipas analizës së ngjarjeve politike të fillimshekullit të 20-të, mendohet se Shabani ka mbrritur në Shkodër, gjatë vitit 1905. Ndërsa, rreth vitit 1907, ai u martua me një vajzë podgoricare dhe të dy jetuan për pak kohë në lagjen Rus të këtij qyteti. Themi “për pak kohë”, sepse ata u shuan shpejt, për shkaqe që gjithashtu nuk dihen me saktësi, nëse kishin të bënin me ndonjë sëmundje, apo me turbullirat e luftës.

Nga kjo martesë lindi Xhemali, babai i Farukut, si edhe xhaxhai tjetër i tij. Xhemali lindi në vitin 1907, por siç e thamë, për shkak të mangësive arkivore, apo të pamundësisë për të verifikuar dokumentet e gjendjes civile të asaj kohe, po mjaftohemi me kujtimet e njerëzve të këtij fisi. Nga një burim tjetër mësojmë se, ka mundësi që ai të ketë lindur në vitin 1910.

Xhemali u lind në këtë familje të urtë e të ndershme, ku të dy prindërit e tij, në moshë të re, ashtu si shumë banorë të Shkodrës, rropateshin gjithë ditën për të siguruar mbijetesën. Ata ishin të rinj dhe e donin jetën, por vdekja i rrëmbeu shpejt, me një diferencë kohore prej 2-3 vjetësh nga njëri-tjetri, duke e lënë Xhemalin në moshë fare të vogël.

E ëma e Xhemalit quhej Aleme. Ajo vdiq kur i biri ishte 1 vjeç e gjysëm, ndërsa babai, Shabani, u shua në kohën kur Xhemali ishte 5 vjeç. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe 4 vjeçare, kemi dy momente për t’u shënuar: babai u rimartua, ndërsa Xhemalin e mori kumbarja, në fshatin Vorfë. Për shkak të varfërisë, pasigurisë dhe luftës, Xhemali nuk mundi të shkonte në shkollë dhe kjo ka qenë një brengë e tij, për të gjithë jetën. Kjo ndodhi sepse gjatë kësaj periudhe, ai jetoi në fshatin Vorfë, që ishte larg shkollës së qytetit. Natyrisht, krahas distancës së largët, shkollën nuk mundi ta vazhdoj edhe për mungesë të kushteve ekonomike.

 

Historia e 3-vjeçarit që mbeti jetim

Siç e thamë më sipër, Xhemali ka mbetur jetim nga nëna, qysh i vogël. Por familja e kumbarit, në fshatin Vorfë, e donte shumë. Sipas disa zërave, i jati i Xhemalit është rimartuar përsëri, me një grua tjetër. Por ky informacion nuk është krejtësisht i konfirmuar. Për më tepër kjo vihet në dyshim, pasi nuk ka të dhëna, nëse ai la, apo jo pasardhës, gjatë martesës së dytë. Pra, pyetja direkte është kjo: A kishte Xhemali një vëlla, apo një motër tjetër, pas martesës së dytë të të jatit?

Në këtë rast, përgjigja mbetet enigmë, sepse Xhemali jetoi për rreth 12-13 vjet, larg shtëpisë së kushërinjve të babait dhe ai nuk e di se çfarë ka ndodhur me gruan e dytë të të jatit, apo më saktë, me njerkën e tij. Nëse pas vdekjes së gruas së parë, babai i Xhemalit ka ndërtuar vërtetë, një familje tjetër, atëherë, ka mundësi që pas vdekjes së babait, kjo familje të ketë ikur larg Shkodrës, për të mos u rikthyer më. Sepse në Shkodër nuk gjendet asnjë shenjë, apo gjurmë e ekzistencës së tyre.

Ndërsa për periudhën pas vdekjes së të jatit, transparenca e jetës së Xhemalit është zbardhur krejtësisht, por asgjëkundi dhe asnjëherë, atij nuk i rezulton të ketë një vëlla, apo motër tjetër.

Pas vdekjes së babait, Xhemali i vogël rrinte së bashku me kushërinjtë e tij, në lagjen Rus të Shkodrës. Një ditë, atje bujti një zonjë pjestare e familjes së kumbarit. Ajo kishte ardhur në lagjen Rus, me një kalë, për të shitur perime. Gjatë kthimit për në Vorfë, zonja në fjalë kërkoi të merrte me vete edhe Xhemalin. Ky është njeri variant. Ndërsa sipas një varianti tjetër të rrëfimit, pas ikjes së gruas së kumbarit nga shtëpia e Kallogjerëve, Xhemali tentoi ta ndjekë nga pas, pa dijeninë e saj. Mirëpo nuk ka mundur ta arrijë, sepse kumbarja ecte shpejt dhe i humbi nga sytë, përtej varrezave. Aty Xhemali ka ndeshur me një tufë bagëtish në kullotë. I raskapitur nga ecja me vrap, në ndjekje të kumbarës, i tejlodhur siç ishte, është ulur për t’u qetësuar dhe e ka zënë gjumi.

Dikush e ka gjetur djalin dhe ka pyetur njerëzit me radhë, nëse e njihte ndokush, fëmijën e vetmuar. Ka koinciduar që, të nesërmen, kumbarja është rikthyer sërish po në atë rrugë dhe e ka njohur Xhemalin. Prandaj, e mori me vete, hipur mbi kale, dhe u drejtua për në lagjen Rus. Pasi qëndroi aty një natë, ajo u kërkoi leje kushërinjve të Xhemalit, që ta merrte në fshatin Vorfë, fëmijën e vogël, për ta rritur.

Kushërinjtë e Xhemalit, sidomos xhaxhai, ndofta ngaqë përballej me njëmijë halle dhe vështirësi ekonomike, ranë dakord me propozimin e saj, pa bërë shumë diskutime. Sepse, përveç të tjerash, marrja e fëmijës ishte një lehtësim për gjendjen e tyre ekonomike. Por më i rëndësishëm qe fakti se ata kishin besim të plotë, se në shtëpinë e kumbarëve, Xhemali do të rritej shumë më mirë, ngaqë kushtet e familjes që kërkonte ta merrte djalin nën kujdestari, ishin relativisht të mira. Dhe kështu ka ndodhur. Xhemali shkoi për të jetuar në Vorfë, ku kaloi rreth 13-14 vjet, të moshës së tij fëminore.

Endrra fëmijënore

Jeta e përballë njeriun me ngjarje dhe fenomene të çuditshme. Vet Zoti, shpesh herë, e mëson njeriun se si duhet të veprojë. Xhemali ka rrëfyer për jetën e vet një histori interesante. Kur ishte 16-17 vjeç, ka parë një ëndërr, ku dikush i thoshte:

– Çfarë bën ti, këtu në Vorfë?

– Po rri! – i tha Xhemali, njeriut të padukshëm.

– Ç’punë ke ti këtu, more djalë?

– Si gjithë të tjerët! – iu përgjigj Xhemali.

– Dëgjo, këtu, – e porositi në ëndërr, njeriu që iu shfaq papritur. Ti duhet të shkosh në Rus – Maxhar, atje ku ke të gjithë njerëzit e tu.

– Po si ka ndodhur që unë jam këtu? – e ripyeti Xhemali.

– Shko me vrap, tek fisi yt! – e porositi tjetri dhe u zhduk.

Në atë moment, Xhemalit i doli gjumi. U ngrit dhe ëndrrën ia tregoi plakës së shtëpisë. Deri atëherë ai nuk kishte kuptuar asgjë, lidhur me prejardhjen e tij të vërtetë, sepse në atë familje ai qe rritur njëlloj, si të gjithë fëmijët e tjerë të shtëpisë. Në familjen fshatare e donin të gjithë dhe askush nuk kishte bërë diferencimin më të vogël. Por ja që papritur, doli ajo puna e ëndrrës dhe gjithçka duhej rindërtuar nga e para.

Në fakt, pjesëtarët e familjes së kumbarit, në fshatin Vorfë, ia kishin mbajtur të fshehur këtë secret. Mbase për t’ia treguar më vonë, kur ai të rritej disi. Sepse, siç i thanë më vonë, ata kishin vendosur t’ia tregonin të vërtetën, pas moshës 17 vjeçare. Në atë periudhë ishin gati të flisnin me Xhemalin, sapo të hapej kjo bisedë.

– Si është e vërteta, hallë? – pyeti Xhemali, plakën e shtëpisë, që gjendej në atë mëngjes aty.

– Po, – i kishte thënë plaka e moshuar, e cila në fakt, ishte si kryegjyshe e të gjithë atij fisi fisnikësh. Dhe në formë pendimi, shtoi: Ndofta kemi bërë gabim që nuk të kemi treguar, dhe mbi të gjitha që nuk të kemi mbajtur në kontakt me kushërinjtë e tu!

Në atë çast, ajo i tregoi me detaje, se cilët ishin prindërit e tij të vërtetë dhe se si ai kishte mbetur jetim. Xhemali e dëgjonte i prekur, por e mbajti veten.

-Në lagjen Rus ke kushërinjtë e tu dhe xhaxhan tënd! – i shpjegoi ajo.

Xhemali tundi kokën disi i tronditur nga kjo kthesë e papritur e jetës së vet. Në fillim ndjeu një “tradhëti”, që i pati bërë familja e kumbarit, pse ia kishte mbajtur të fshehtë të vërtetën e jetës së tij. Pastaj u ndie keq, pasi s’mund të qortonte njerëzit që kishin sakrifikuar për të.

Ndërkohë, vriste mendjen dhe ndjente habi, se si njerëzit e farefisit të babait, nuk e kishin kërkuar asnjëherë. Të paktën, ta takonin gjatë atyre viteve të vegjëlisë, kur Xhemali kishte aq shumë nevojë për ta. Por pas tronditjes së parë, ai nisi t’i kuptonte të gjithë. Sidomos familjen e kumbarit, ku ai ishte rritur i rrethuar nga përkujdesja e veçantë e tyre. Pastaj, duket se mirëkuptonte dhe farefisin e vet, që e kishin lënë në dorën e kumbarëve. Ai e dinte se kushtet ekonomike, në atë kohë lufte, ishin mjaft të vështira dhe para çdo individi, dilte si problem imediat mbijetesa. Deri atëherë Xhemali nuk e kishte ditur që ishte jetim, por ky realitet i ri, e preku pa masë.

-Nëna të ka lënë shumë të vogël! – i tha plaka.

-A je e sigurtë që ka ndodhur kështu? – e pyeti prapë, Xhemali.

-Po, – iu përgjigj plaka, – ti ke ndenjur atje, deri në moshën dy-tre vjeç.

-Po nëna kur më ka vdekur? – e pyeti Xhemali.

-Ajo vdiq, kur ti ishe shumë i vogël, – vazhdoi sqarimin gruaja dhe vijoi – ndërsa nusja e xhaxhait të ka dhënë qumësht, nga gjiri i saj.

Atëherë Xhemali ndenji disa momente në heshtje dhe, pak më vonë, u bë gati për të ikur. Plaka e përcolli deri në lagjen Rus, duke i thënë:

-Unë të mora që andej, kur ishe tre vjeç dhe unë po të kthej tani, që u bëre 16 vjeç. Këtë po e bëj, që ti, të mos e kalosh jetën tënde në fshat, por të rikthehesh në qytet.

Xhemali nuk fliste. Vetëm puthte me mirënjohje dorën e mbushur plot me rudha të plakës së moshuar dhe të fisme, që e kishte rritur.

-Faleminderit, për të gjitha, hallë! – i tha ai me mirënjohje, kur ata të dy mbrritën në lagjen Rus të Shkodrës, pikërisht, pëpara shtëpisë së xhaxhait të Xhemalit. Para se të ndahej prej saj, Xhemali i bëri pyetjen e fundit, gati duke iu lutur:

-Hallë, ku është varri i babait tim?

Deri në atë moment, ajo i sqaroi gjithçka nga pjesa e jetës së panjohur të prindërve. Por në këtë rast, u zu ngushtë. Sepse nuk e dinte as vetë, nëse babai i tij, Shabani, ishte vendosur në varrezat e qytetit, apo ndokund tjetër. Për më tepër, kohë më parë, varrezat qenë shkatërruar nga luftrat e shumta, që ishin zhvilluar në Shkodër, duke filluar nga ato ballkanike e deri te Lufta e Parë Botërore. Për këtë shkak, varrezat ishin dëmtuar rëndë. Prandaj, në vend të përgjigjes, ajo ngriti supet.

-Po varri i nënës sime? – e pyeti prapë Xhemali, me shpresë se mund të gjente gurin e varrit të nënës, për të ndezur sipas zakonit, ndonjë kandil, apo qiri, në raste përkujtimesh, apo festash fetare.

Por ajo përsëri, ngriti supet.

-Nuk di asgjë, se çfarë ka ndodhur me varret e tyre, – i tha halla dhe ktheu kokën në anën tjetër, për të fshehur përlotjen. Megjitthëse ishte një grua fshatare, ajo ishte mësuar me traditat qytetare, ngaqë thuajse çdo dy ditë, vinte në qytet, për të shitur perimet dhe gjalpin, të cilin e përgatisnin shumë mirë në fshatin e tyre, Vorfë. Dhe gjatë bisedave të përditshme, ajo kishte mësuar shumë nga kultura e komunikimit. Githashtu reflektonte ndjeshmëri tëlartë njerëzore prandaj edhe lotët i shpëtonin lehtësisht.

Këtu duhet të sqarojmë faktin, që historia e mësipërme është riprodhuar nga rrëfimi që ka bërë më vonë Xhemali. Këto rrëfime për jetën e tij, i kujtonte gjatë bisedës me fëmijët e të afërmit. Në këtë tregim ka vetëm një pikë të dyshimtë, ose të paktën, disi delikate.

Si ka mundësi që Xhemali 16–17 vjeçar, të shohë në ëndërr skenën e plotë që i ka ndodhur gjatë kohës kur ishte 2-3 vjeç? Ndofta, kjo ka ndodhur, ngaqë Xhemali mund të ketë dyshuar më pare, në familjen e kumbarit, për mungesën e nënës dhe të babait, si edhe mund ta ketë kuptuar, që ai nuk ngjante me fëmijët e tjerë të shtëpisë. Përveç kësaj, Xhemali mund të ketë dëgjuar nga fqinjët e moshuar, se vetë ai, ishte djalë qyteti. Prandaj, këto mendime e dyshime iu shfaqën në ëndërr. Por mund të ketë ndodhur që vetë ëndrra, të jetë shpikur prej Xhemalit, si pretekst për të hapur temën e bisedës, pasi këto fakte të vërteta, mund t’i ketë dëgjuar nga njerëz jashtë fshatit Vorfë.

Gjithçka mund të ketë ndodhur. Por më e besueshme është që ëndërra t’i jetë shfaqur realisht, pasi fenomene të tilla ndodhin në jetën e përditshme, pavarësisht se mendja njerëzore ende nuk është në gjendje t’u japë shpjegimet e duhura shencore.

Në këtë mënyrë Xhemali u rikthye në gjirin e familjes, ose të fisit të tij. Duhet thënë që ky rikthim ishte i mbushur me mall dhe dashuri. Xhaxhai e afroi menjëherë, duke e trajtuar si bijtë e tjerë të tij, ndërsa fëmijët e xhaxhait, që ishin tre vajza dhe një djalë, u sollën njëlloj si me vëllanë e tyre. Aq e vërtetë ishte kjo, saqë Xhemali të gjithëve u thoshte se jetonte në familjen e tij, mes vëllezërve dhe motrave. Madje, edhe më vonë, pas martesës, Xhemali nuk u tregoi kurrë fëmijëve të vërtetën, lidhur me këtë çështje. Faruku dhe vëllezërit e tij, deri në fund e dinin se ato ishin motrat e babait. Për këtë arsye, i thërrisnin, “Halla”. Sipas Farukut, e vërteta u mor vesh, vetëm pas vdekjes së babait, Xhemalit. Ndërsa, enigma e kësaj historie, ka të bëjë me çiftin e gjyshërve të Farukut, për të cilët nuk dihet asgjë.

Gjyshja vdiq e para dhe gjyshi disa vite më pas, por askush nuk i di me saktësi, apo qoftë edhe me afërsi vendvarrimet e tyre. I jati i Farukut, Xhemali, nuk u ka folur për prindërit e vet, sepse ai nuk i njohu kurrë ata. Disa herë Xhemali u interesua për vendndodhjen e varreve të prindërve, por nuk mori ndonjë informacion të saktë.

Kjo mungesë informacioni, nga njëra anë ishte disi e natyrshme, sepse në kohën që interesohej Xhemali, kishin kaluar rreth 15-16 vjet nga vdekja e tyre. Përveç kësaj, qyteti i Shkodrës, gjatë luftrave ballkanike dhe botërore, ishte bombarduar dhe djegur disa herë. Xhemali nuk arriti të mësonte as vendin e varrimit të të jatit, që më vonë mund të ishte prishur, apo zhdukur!  Ishte kohë lufte.

Kjo ndodhi edhe për shkak të disa ngatërresave që ishin bërë në atë kohë me varret. Por edhe për faktin tjetër, që pas martesës së dytë të babait të tij, ai kishte bërë disa lëvizje të detyruara, përtej kufirit të Malit të Zi, duke e lënë Xhemalin te shtëpia e vëllait. Ndofta gjatë këtyre lëvizjeve ai është shuar dhe mund të jetë varrosur varrosur larg familjarëve të vet. Kjo nuk dihet saktësisht, por nga ana tjetër, fakti që Xhemali nuk ka gjetur asnjë shenjë nga varri i të jatit, krijon disa hipoteza që kanë mbetur misterioze.

Nuk duhet të harrojmë se bëhet fjalë për vitet 1913-1915, kur Shkodra u përfshi në luftime të përgjakshme, ndërkohë që, sëmundjet, epidemitë dhe varfëria bënin punën e tyre.

 

Jeta në lagjen Rus Maxhar

 

Por le të kthehemi në rrëfimin tonë. Pas akomodimit në shtëpinë e xhaxhait, në Shkodër, një mik i babait e çoi Xhemalin të kryente kursin për shofer. Pasi mori patentën u punësua me një kamionçinë të vogël.

Në realitetin e ri qytetar, Xhemali u përshtat shpejt. Në fillim, ai mësoi se xhaxhai i vet kishte 3 vajza dhe një djalë, por ky i fundit u vra në një aksident. Në Shkodër e thërrisnin me emrin Xhemal Kallogjeri, një mbiemër ky i trashëguar nga i jati. Kjo vërtetohet lehtësisht, prej faktit që, edhe xhaxhai i tij mbante të njëjtin mbiemër.

Pas pak kohe, kur Xhemali ishte ende beqar, gjendja civile ia ndërroi mbiemrin nga Kallogjeri, në Kalleshi. Ndërrimi i mbiemrit është një rastësi, që u shkaktua nga gabimi i nëpunësit të gjendjes civile. Xhemali nuk i vuri fare rëndësi këtij detaji. Në fakt, gabimi i regjistruesit ishte krejt pa dashje, ose më saktë, erdhi nga padituria e zyrtarit që plotësonte regjistrin e gjendjes civile. Disa thonë, se punonjësi i gjendjes civile, që bëri ngatërresën, ishte nga Jugu dhe nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë mbiemrin Kallogjeri. Ndërsa, të tjerë sqarojnë se punonjësi në fjalë kishte dëgjim të kufizuar. Për pasojë, mbiemrin Kallogjeri e regjistroi në mendjen e vet, si Kalleshi. Por ajo që dihet saktësisht, është fakti që, në Shkodër, nuk ka asnjë njeri tjetër, jashtë familjes së tyre, me mbiemrin Kalleshi. Madje, edhe vajzat e xhaxhait të tij mbanin ende mbiemrin e vajzërisë, Kallogjeri, ndërkohë që familja e re e Xhemalit, filloi të njihej me mbiemrin Kalleshi. Në dukje të krijohet përshtypja sikur pranimi i kësaj ngatërrose nuk shkon, por  Xhemali ishte indiferent ndaj hollësive të tilla, pasi ato nuk ndikonin në mënyrë të drejtpërdrejt në ecurinë e punëve dhe të jetës së tij. Ndërkohë të mos harrojmë që, edhe sot, më shumë se 100 vjet pas kësaj ngjarjeje, në gjendjet civile janë bërë ngatërresa të shumta, pikërisht për shkak të paaftësisë së punonjësve të këtij sektori.

-Unë jam beqar dhe ky gabim i gjendjes civile, as nuk ma shton dhe as nuk ma pakëson rrogën, – thoshte ai, me shaka.

Lidhur me këtë mbiemër vlen të nënvizojmë që, më vonë, rreth vitit 1975-1980, vëllezërit e Farukut diskutuan në familje, për mundësinë e rikthimit në identitet të mbiemrit të tyre, nga “Kalleshi” në “Kallogjeri”. Por debatet u mbyllën shpejt, pasi tani disa prej pjesëtarëve të familjes ishin bërë njerëz të njohur, madje edhe të famshëm, duke patur mbiemrin “Kalleshi”.

Rimarrja e mbiemrit Kallogjeri, mund të sillte ngatërresa. Të paktën për Farukun, ndërrimi i mbiemrit nuk qe i përshtatshëm, sepse atë e njihte e gjithë Shqipëria me mbiemrin Kalleshi. Ndryshimi i mbiemrit mund t’i krijonte probleme më lidhje me statistikat e rekordeve, apo edhe dokumentet e identifikimit që i nevojiteshin për udhëtime jashtë shtetit. Ato duhej të bëheshin të gjitha nga e para. Pas refuzimit nga ana e Farukut, diskutimi familjar u mbyll shpejt dhe askush nuk iu rikythy më atij debati.

Gjatë viteve të para të transferimit nga fshati Vorfë, Xhemali vuri re se në lagjen Rus, ose Rus Maxhar, jetonin edhe emigrantë të tjerë, të cilët në shumicën e rasteve ishin njerëz të urtë e të sjellshëm, por shpesh edhe të mbyllur në vetvete. Kjo vetëpërmbajtje, ose mbyllje në vetvete, vinte ndofta edhe nga fakti që, në vitin 1912, Mbreti Nikolla i Parë, pati urdhëruar rrethimin e kalasë së Shkodrës dhe pushtimin e qytetit prej trupave ushtarake malazeze.

Natyrisht, pushtimi i Shkodrës ndodhi nën mbështetjen e plotë të serbëve dhe nxitjen e Rusisë cariste, me justifikimin se ushtria malazeze po bënte luftë kundër trupave osmane dhe jo kundër shqiptarëve, ngaqë Shqipëria ishte akoma pjesë e Perandorisë. Për shkak të kësaj lufte, u vranë shumë njerëz, nga të dy palët ndërluftuese. Natyrisht, lufta nuk kishte të bënte me emigrantët, pasi ajo qe pjellë e politikës së qarqeve të larta të pushtetit malazez. Njerëzit e thjeshtë vuanin padrejtësisht kompleksin e fajit të udhëheqjes së vendlindjes së tyre.

Kështu, malazezët që erdhën për të jetuar në Shkodër, shfaqnin ndojtjen mos shkodranët hakmerreshin ndaj përgjakjes së dikurshme të vendasve, prej ushtarakëve serbë e malazezë. Por në fakt, nuk ndodhi ashtu. Madje, një gjë e tillë, nuk u përmend asnjëherë. Sepse ndjeshmëria dhe vetëdija e banorëve shkodranë, e bënte mirë dallimin midis popullsisë së thjeshtë dhe kriminelëve që uzurponin pushtetin. Për këtë arsye, banorët e dy anëve të kufirit, kanë patur gjithmonë bashkëjetesë paqësore dhe shumë të afërt. Popujt ushqehen nga ndjenja e dashurisë, ndërsa urrejtja është pjellë e politikës.

Xhemali ishte me origjinë nga Podgorica, por u lind në Shkodër. Ai ishte tip i komunikueshëm dhe në sajë të cilësive individuale, shkonte mirë me të gjithë. Ndofta, ngaqë i mungonte familja natyrale. Mbase Zoti e kishte pajisur me ndjenjën e fisnikërisë pasi Xhemali i konsideronte të gjithë njerëzit që e rrethonin, si vëllezërit dhe motrat e tij.

Duke punuar që në rininë e hershme si shofer, ai kishte përvetësuar artin e komunikimit dhe të besimit të ndërsjelltë tek njerëzit.

Përveç të tjerave, Xhemali kishte një trup të fuqishëm e plot muskuj, të cilin ia kishin zili shumë njerëz, nga shoqëria që e rrethonte. Por sidomos ata që merreshin me sport. Në atë kohë, ai u aktivizua me shoqëritë sportive, ku dukej që kishte prirje të lindura, sidomos për dy gjëra: Për ngritjen e peshave të rënda dhe për ngjitjen nëpër pemë.

Të githë bashkëqytetarët e tij, e dinin dhe flisnin shpesh për një fakt të çuditshëm e të pabesueshëm, për forcën e Xhemalit. Ata tregonin se një ditë, kur makinës së tij i kishte rënë goma. Xhemali qe ndjerë keq. Nuk kishte kriko për ta ngritur mjetin dhe t’i vinte gomën rezervë. Dhe për të zgjidhur problemin, ka vendosur supin e vet, poshtë makinës, duke përdorur forcën fizike në vend të krikos. Kjo ngjarje bëri bujë të madhe në opinionin e njerëzve.

Ai vet punonte me kamionçinë në rrugën tradicionale, Podgoricë-Shkodër, duke çuar nga një qytet në tjetrin mallra ushqimore, si miell, oriz, sheqer, djathë, fasule, patate, etj. Atëherë, në Ballkan, për shkak të konfuzionit politik dhe situatës së rënduar ekonomike, u shtuan shumë keqbërësit dhe hajdutët. Në momente luftrash, apo krizash politike, ata dalin nga vrimat ku qëndrojnë të strukur dhe “vetëpunësohen”, duke sulmuar në mënyrë të veçantë tregtarët, karavanët e dasmorëve, apo dhe fshatarët, pasi ktheheshin nga tregu, ku shisnin atë pak prodhim të tyre. Ishte kjo arsyeja, që kujdesi në rrugë, duhej të ishte në shkallën më të lartë.

Pjesa kryesore e rrugës që përshkonte linja Podgoricë-Shkodër, ishte në errësirë të plotë. Në atë segment rrugor, nuk bëhej fjalë për kontrolle nga ana e xhandarmërisë. Por Xhemali nuk kishte frikë nga asgjë. Ai ishte i ri dhe i fuqishëm. Të gjithë e njihnin forcën e tij dhe e dinin që, nëse Xhemali do i shtrëngonte ndokujt dorën me forcë, atëherë, atij mund t’i binte të fikët. Ndërsa, nëse ai godiste me grusht dikë, do të duhej ndihma e ambulancës që ta shpëtonte. Por këtë, më mirë se kushdo, e dinin hajdutët dhe pijanecët e errësirës, në rrugën Podgoricë-Shkodër, të cilët, sa shihnin kamionçinën e Xhemalit që larg, i hapnin rrugën dhe vraponin të fshiheshin prapa drurëve në errësirë.

Pavarësisht se nuk kishte mundur të shkonte në shkollë, Xhemali nisi të fliste dy gjuhë dhe u lidh shumë shpejt me banorët e të dy qyteteve, të cilët i ndihmonte për porosi të ndryshme ushqimore, ilaçe dhe sende të tjera.

Me xhaxhanë e vet, Xhemali kishte raporte të shkëlqyera, ndërsa 3 vajzat e xhaxhait, i trajtonte njëlloj sikur t’i kishte motra të vërteta. Aq mirë qenë ndërtuar marrëdhëniet midis tyre, saqë shumë njerëz e dinin që Xhemali ishte djali i asaj familjeje dhe kishte katër motrat që reflektonin ngrohtësi shembullore.

Pavarësisht nga kushtet ekonomike, familja e tyre përjetoi një atmosferë dashamirësie dhe mirëkuptimi, gjatë gjithë periudhës që jetuan bashkë.Vite më vonë, kur Xhemali u stabilizua në një shtëpi të re, me bahçe dhe kopësht të zgjeruar, gjatë kohës së vjeljes së frutave, më parë përgatiste dhe ndante trastat me fruta për vajzat e xhaxhait, pastaj, interesohej për vete. Kjo edhe për faktin se ai e kishte të shprehur ndjenjën e mirënjohjes.

Në moshën 25-vjeçare, gjysmën e ditës e kalonte në Podgoricë dhe gjysmën tjetër, në Shkodër, ku njerëzit e donin dhe e respektonin.

Duke u stabilizuar në një realitet të ri, ku rendi dhe qetësia ishin në plan të parë, ai nisi ta kuptonte çdo ditë e më tepër, se kishte ardhur koha të martohej. Shqipëria ishte kthyer nga Republikë në Monarki, me mbret Ahmet Zogun. Në atë kohë ligjet vepronin me ashpërsinë më të madhe, kundër atyre që kërkonin të destabilizonin rendin publik. Kështu që, duke patur një punë të mirë, Xhemalit iu krijuan të gjitha rrethanat, për të menduar një lidhje martesore dhe ndërtimin e familjes së tij. Ai ndihej me fat, sepse jetonte midis dy qyteteve më të vjetër e më të bukur të Ballkanit, të asaj kohe. Syrin e kishte tek vajzat shkodrane dhe zemrën, tek ato podgoricare.

 

Propozimi për martesë

 

Me ndryshimin e vendbamimit dhe pas konsolidimit në punën e re, Xhemali filloi t’u kushtonte më shumë vëmendje propozimeve që i bënin, njerëzit për martesë. I dëgjonte në heshtje kur i flisnin për ndonjë vajzë. Nëse disa vite më parë, ai i ndërpriste në mes të gjitha bisedat, apo rekomandimet që i bëheshin për njohjen me ndonjë vajzë, tani qe bërë më i durueshëm dhe e dëgjonte tjetrin, deri në fund, duke bërë madje edhe pyetje konkrete për vajzën që i rekomandohej, apo për familjen e saj.

Një ditë, kur një miku i babait të vet, i hapi temën e martesës, Xhemali e dëgjoi me vëmendje, deri në fund.

-Eshtë një vajzë e mirë nga Podgorica. Ka familje të mrekullueshme dhe gjendje ekonomike të stabilizuar. Ti je djalë i vetëm, prandaj, shikoje njëherë, – i tha miku i babait.

Atë mbrëmje, ndryshe nga reagimet e mëparshme që i shoqëronte me kundërshtim të menjëherëshëm, Xhemali tundi kokën, duke lënë të kuptohej se ishte i gatshëm për ta çuar deri në fund këtë bisedë. Dhe pasi dëgjoi tjetrin, që numëronte cilësitë pozitive të vajzës, i tha se ishte dakort, që ta shihnin atë variant.

Në fakt, 10 muaj më parë, i njëjti mik i babait, i kishte ndërhyrë për një vajzë tjetër, por Xhemali nuk pranoi të flitej për atë temë. “Nuk dua biseda të tilla”, – kishte qenë përgjigja e tij.

Ndërsa tani, puna kishte ndryshuar krejtësisht dhe Xhemali dukej tjetër njeri.

-Mendoj se kam ardhur në kohën e përshtatshme, – i tha mysafiri, duke menduar me vete, se për çdo burrë, vjen ora kur beqarisë i vjen fundi dhe jeta merr një tjetër drejtim.

Në atë kohë Xhemali ishte 28 vjeç. Disa ditë më pas, ai u ngrit në mëngjes dhe pasi u vesh bukur, shkoi për të parë nusen e tij të ardhshme, e cila ishte 18 vjeç. Para se të mbrrinte në Podgoricë, Xhemali qe përgatitur të reagonte me kulturë, për çfarëdo lloj përgjigje që do të vendoste të jepte, apo do të merrte nga pala e vajzës. Edhe nëse nuk do t’i pëlqente vajza, ai do të sillej mirë me prindrit e saj, duke u thënë se do të mendohej dhe do të jepte përgjigje brenda një jave. Kjo për të mos e fyer familjen dhe vetë të renë. Po kur e pa vajzën, i harroi të gjitha. Nga shkëlqimi dhe bukuria e saj, fjala i mbeti në grykë dhe ai mundi të thotë hutueshëm, vetëm disa fraza miratimi, madje si pa dashje, edhe për organizimin e martesës.

-Vajzën do ta marr në Shkodër dhe do të jetojmë atje, – tha Xhemali, duke e quajtur të kryer çdo fazë të bisedimeve të mëtejshme.

–Më thoni, kur jeni gati, që të vij e për ta marr? – përfundoi ai. Dhe biseda u mbyll me aq. Për dasmën nuk folën fare, sepse rrethanat ishin të vështira. Por erdhi dita dhe një mëngjes, nga shtëpia e saj në Podgoricë, u organizua nisja e nuses drejt Shkodrës. Udhëtimi për në shtëpinë e burrit ishte romantikë më vete. Grupi i dasmorëve u shmang prej formaliteteve burokratike të doganës dhe udhëtoi nëpër liqen, me barkë.

Romantizmi shtohej për faktin se, udhëtimi i nuses drejt dhomës së gjumit, po bëhej nëpër liqen. Nëna dhe babai, së bashku me tre motrat e nuses dhe vëllain e tyre, hipën gjithashtu në varkë, me paramendimin për të jetuar dhe punuar përkohësisht në Shkodër.

Njeriu që ngiste barkën, qe me mbiemrin Guri, ndërsa emri i tij, nuk mbahet mend. Gjatë rrugës, krushqit nuk fiksuan në foto asnjë moment, sepse nuk mundën të siguronin një aparat fotografik. Ata ishin tepër të rrallë, në atë kohë. Por edhe nusja nuk u vesh me vellon tradicionale.

 

Karvani i krushqve

 

Nisja e karvanit të krushqve u bë nga Viv Pazari. Pastaj rruga vazhdoi mes Liqenit me lundër. Udhëtimi parashikohej të ishte romantik, madje, babai i nuses, apo vjehrri i Xhemalit, do t’u tregonte gjatë rrugës histori nga Lufta e Parë Botërore, që kishin të bënin me lidhjet dhe martesat e banorëve të dy anëve të kufirit. Por në fakt, nuk ndodhi kështu. Fillimi i një shiu të papritur, i përmbysi të gjitha planet, për të zhvilluar biseda të shtruara e plotë dëshirë.

Koha ishte e keqe, por lundërtari qe shumë i zoti. Në vend të romancës, ky udhëtim u shoqërua nga paniku i gjëmimit dhe vetëtimave, që shkrepëtinin papushim, duke kërkuar mbi tokë, adresën e objektit që do të shkrumbonin. Dallgët u shtuan dhe për këtë arsye, ata ndaluan në Kamicë. Aty, dasmorët i mori një mik i Xhemalit, i quajtur Qerim. Të gjithë bujtën në shtëpinë e tij, ku qëndruan dy ditë e dy netë. Pastaj shkuan në fshatin Vorfë, te shtëpia e kumbarit, në të cilën Xhemali kishte qëndruar deri në moshën 16-17-vjeçare. Në Vorfë, ndihej si në shtëpinë e vet. Ai u shpjegonte krushqve, se si kishte jetuar për 13 vjet, së bashku me familjen e kumbarit dhe qe ndjerë tërësisht si fëmijët e tyre.

Pasi pushuan shirat dhe kur natyra u qetësua, shkuan në Shkodër dhe u vendos në një shtëpi të vjetër, pranë xhaxhait, të cilën e morën me qira. Mikpritja e Xhemalit ishte në nivel të lartë.,Pavarësisht nga varfëria, ai u bëri vend të gjithëve, për të qëndruar sa të pushonin krismat që vinin matanë kufijve.

Qëndrimi i krushqve në atë shtëpi zgjati 6 javë, për arsye se Podgorica ishte në gjendje lufte. Më tej, nëna dhe babai i nuses ikën në Podgoricë, ndërsa vëllai i saj, Murati, ose daja i Farukut, qëndroi edhe për disa kohë, ngaqë përtej kufirit, situata ishte kaotike dhe e rrezikshme. Por Murati ishte specialist i punimit të drurit dhe në këtë drejtim, i kishte duart flori. Prandaj, ai filloi punë menjëherë si marangoz, te familja e Karinëve, e cila merrej me përpunimin e drurit. Aty punoi tre vjet. Pas kësaj periudhe, situata u qetësua dhe ai u rikthye në Podgoricë.

 

Murati, dajua i Farukut

 

Duke qenë specialist i pakrahasueshëm në sektorin e vet, ikja e Muratit nga Shkodra, qe humbje edhe për pronarët e zdrukthtarisë. Ata u munduan ta mbanin, duke i premtuar dhe rrogë më të mirë, por Murati nuk u bind, sepse pasioni i vërtetë i tij, ishte arsimi. Ai donte të vazhdonte studimet e larta. Dhe me t’u kthyer në Podgoricë, nisi studimet universitare, madje u diplomua, mbrojti doktoraturën dhe hap pas hapi mori titullin “Doktor i Shkencave” e më tej “Profesor”.

Ai kreu Fakultetin e Inxhinjerisë në Sarajevë si dhe disa specializime në Rusi, Suedi, Gjermani, etj. Edhe Doktorata i takon fushës së përpunimit të drurit dhe u krye në Universitetin e Sarajevës. Aktualisht ai ka titullin shkencor, Profesor-Doktor. Pas studimeve, Murati u emërua drejtor i ndërmarrjes së “Shipad” në Sarajevë, e cila kishte 8700 punëtorë. Para, dhe pas luftës, aktiviteti i Muratit përbën një model të thjeshtësisë dhe korrektësisë njerëzore, pasi bazohet në punën vetmohuese, për të gjetur në jetë vendin e merituar. Aktualisht ai jep leksione në Univesitetin e Sarajevës, si dhe ka një studio projektimi në fushën e përpunimit të drurit. Njihet si një ndër figurat më të spikatura të qytetit të Sarajevës.

Murati u lind më 24 shtator të vitit 1930, në Podgoricë. Gjatë gjithë jetës së vet, ai ndoqi traditën familjare, për të punuar me nder dhe për të studiuar me nivel të lartë, në auditorët universitare, e pasuniversitare. Ai nuk iu nda studimeve sepse ishte një intelektual i vërtetë që e përballoi me fisnikëri realitetin e hidhur të luftës, duke ushqyer ëndrrën e mirëqenies së paqes, në emër të detyrimit para brezave të rinj. Murati qe shembull i virtyteve të larta njerëzore, duke u bërë përçues i edukatës familjare, që kishte marrë nga prindërit e vet, Sulejman dhe Rukije Boçkoviç.

Këtë edukatë të lartë, ai ua transmetoi edhe dy djemve të tij. Ndërsa bashkëshortja e Muratit, quhet Medvedeta. Edhe ajo është gjithashtu një grua e shkëlqyer.

Murati ka dy djem, të cilët, sipas lidhjeve të gjakut, janë djemtë e dajës së Farukut. Zaim Murat Backoviq, është njëri prej djemve të dajës së Farukut, i cili është diplomuar si inxhinier, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, pranë Universitetit të Sarajevës.

Zaimi u lind më 4 shtator 1954, në Podgoricë, pra 9 vjet pas Farukut. Aktualisht ai është 61 vjeç, i martuar me Sabinen dhe ka dy djem, Fuadin dhe Farisin. Fuadi është një nga këngëtarët më të famshëm të Bosnjës, i cili e ka përfaqësuar atë edhe në festivalin Europian. Por jo vetëm kaq. Pas kryerjes së fakultetit, ka mbrojtur dhe titullin “Doktor i Shkencave”.

Gjatë kësaj periudhe ka kryer detyra me rëndësi në administratën shtetërore. Në kohën e luftës, ka qënë zëvendësministër i Mbrojtjes dhe është plagosur dy herë në luftë. Për kontributin e tij, të madh, në çështjen atdhetare, është shpallur Hero Kombëtar. Për 8 vjet, ka mbajtur titullin e kampionit të karatesë. Është deputet në Parlamentin e Bosnjës, që nga legjislatura e parë, e atij kuvendi. Ish minister i financave. Sot drejton një kompani, e cila ka të punësuar 1000 vetë dhe operon në disa fusha të ndërtimit.

Enver Murat Backoviq, është djali tjetër i dajës së Farukut. Ai u lind në Podgoricë, më 20 janar 1958, bir i Muratit dhe Medvedës. Ka kstudiuar në Fakultetin Mekanik dhe më vonë, ka kryer detyra të ndryshme. Për disa vite ka qënë drejtor në sektorin e dhënies së kredive. Në kohën e luftës, ishte komandant me gradën Major. Duhet theksuar që Enveri, jo vetëm mori pjesë në luftime, por edhe është plagosur. Aktualisht njihet një nga lektorët më të mirë. Ai është profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Sarajevës, por jep leksione në universitetin e Zagrebit, Rusi dhe atë të Lubjanës. Për disa vite ka kryer dhe detyrën e Guvernatorit të Bankës në Sarajevës. Mban titullin shkencor, Profesor-Doktor. Për 12 vite, ka qenë kampion i karatesë, si përfaqësues i ish-Jugosllavi. Është martuar me Humicën dhe ka dy fëmijë, Adna dhe Adini. Të dy kanë kryer Fakultetin Ekonomik, Adna, në Sarajevë dhe Adini, në Moskë.

Ndërsa çifti i ri Kalleshi, pas martesës, lindi 4 fëmijë. I pari u lind në vitin 1941, dhe për nder të gjyshit, u quajt Shaban, ndërsa i dyti erdhi në jetë dy vjet më vonë në 1943 dhe u quajt Fuat. I treti ishte Faruku, që u lind në vitin 1945 dhe i katërti, ose më i vogli, Astriti, i cili u lind në vitin 1952. Njëri prej tyre, Faruku, u bë i njohur në Shqipëri për sportin e peshëngritjes, ku theu 116 rekorde kombëtare, ndërkohë që flamurin shqiptar e ngriti lart, në të gjitha palestrat sportive të botës.

 

 

Katër djemtë

 

Në vitin 1945, Shkodra kishte 34 300 banorë. Ndërsa Faruk Kalleshi, atë natë dhjetori të atij viti, ishte banori më i ri i qytetit, që për herë të parë perceptonte sendet dhe objektet që e rrethonin, duke i parë ato midis dënesës dhe lotëve, gjë e natyrshme për një të porsalindur. Ndërsa gratë e tjera, që atë natë ndihmuan për lindjen e fëmiijës, u shprehën menjëherë se fëmija qe kopje e të jatit: ”Ky i ka këputur kokën të atit dhe ngjan shumë me të”, – thanë ato.

Faruk Kalleshi u lind më 6 dhjetor të vitit 1945 dhe ishte fëmija i tretë i kësaj familje. Ndërsa, djali i katërt, Astriti, u lind 7 vjet pas Farukut. Kështu shtëpia u mbush me djem. Kur u lind djali i katërt, gratë që shërbenin si mami, thanë se lindja e katër djemve, shihej si fat i madh, që i ra për pjesë familjes Kalleshi, por edhe qytetit të Shkodrës.

Atëherë lindja e një djali konsiderohej vërtet bekim, për faktin e thjeshtë se kur rriteshin, ata bëheshin zotër të vetvetes dhe më tej, ndihmonin prindërit. Por gjersa të rriteshin, duhej të kalonin shumë vite dhe kështu, nëna e tyre, duhej të përballej me të gjitha punët e shtëpisë, që kanë të bëjnë me mirërritjen e të vegjëlve. Ndërsa babai përveshi mëngët, duke u vënë para një detyrimi më të madh, për sigurimin e të ardhurave familjare.

Me kalimin e kohës, ai e la makinën e vogël, tip kamionçine dhe u punësua në një ndërmarje që transportonte produkte industriale, ku ngarkesa ishte më e madhe, por edhe pagesa kishte një lloj diference pozitive me atë të mëparshme. Pra, nga kamionçina e vogël, ai kaloi me një kamion që bënte përditë, rrugë të largëta, në të gjithë Shqipërinë. Puna e re krijoi një farë stabiliteti ekonomik për familjen, në aspektin e garantimit të mbijetesës për t’u ushqyer, pasi shumica e banorëve të Shkodrës së asaj kohe, përballeshin me pasigurinë e së nesërmes.

Pavarësisht se Faruk Kalleshi u lind një vit pas çlirimit të vendit, përsëri nuk mundi t’u shpëtonte pasojave të luftës së ashpër, që u zhvillua në Shqipëri, të cilat qenë tepër të mëdha. Sidomos në Shkodër, që konsiderohej si qyteti që ishte përballur me dhunën më shumë se qytetet e tjerë, jo thjesht në vitet e Luftës së Dytë Botërore, por sidomos në luftimet e zhvilluara në vitet 1912-1914. Në vitin 1913, kalaja e Shkodrës ishte barrikada e fundit e rezistencës kundër pushtuesve dhe nga ana tjetër, në nëntorin e vitit 1944, Shkodra u bë qyteti i fundit, prej nga u larguan gjermanët.

Siç e përmendëm më lart, nëna e Farukut mësoi për 4 vite në Podgoricë, në një shkollë ku flitej serbisht. Prandaj, në realitetin e ri, nisi të përshtatej me pak vështirësi. Ajo ishte shtëpiake. Duke testuar kohën e nevojshme fizike, që i nevojitej për të përballuar punët e shtëpisë, ajo ngrihej që në orën 5 të mëngjesit dhe binte për të fjetur rreth mesnatës. Ishte një grua e pastër. Që në pamjen e parë kuptohej prejardhja e saj nga një familje fisnikësh. Këtë e reflektonte sjellja princërore që ajo kishte me njerëzit.

Megjithëse, në fillim, nuk e fliste mirë gjuhën shqipe, ajo merrej vesh për mrekulli me të gjithë banorët, sepse sjellja e saj kishte në themelin e vet respektin për bashkëbiseduesin. Ndërsa babai i Farukut ishte vazhdimisht i zënë me punë. Ai ngrihej në mëngjes dhe vinte në mesnatë. Kishte raste kur fëmijët nuk e takonin prej javësh. Ndërsa Xhemali i shihte përherë kur ata ishin në gjumë. Në mbremje vinte vonë dhe I gjente në gjum, në mengjes shkonte herët dhe ata sërish nuk ishin zgjaur. Por, para se të dilte nga shtëpia, u afrohej dhe i puthte në ballë të gjithë. Pastaj nisej për në punë. Kur ngriheshin në mëngjes, nëna u thoshte: “Babai ju puthi të gjithëve me radhë, pastaj shkoi në punë”. Ata qeshnin e u gufonte zemra nga gëzimi.

Ky veprim i natyrshëm prindëror, ua shtonte fëmijëve dashurinë për të jatin. Në fakt, babai kishte qenë prej kohësh i gatshëm dhe i përgatitur për të ndërtuar një familje të ngrohtë, ku të mbizotëronte harmonia dhe resepekti i ndërsjelltë. Kjo edhe për faktin që atij i kishte munguar familja e natyrale, për shkak të vdekjes së shpejtë të dy prindërve. Pavarësisht se xhaxhai dhe kumbari kishin bërë gjithçka që ai të mos e ndjente këtë mungesë, përsëri kujtimi i prindërve krijonte tek Xhemali një ndjenjë pështjellimi. Ishte kjo një nga arsyet që Xhemali sillej aq ngrohtësisht me fëmijët dhe sa herë që shihte shtëpinë e tij, të mbushur plot me zhurma të vegjëlish, thoshte me vete se kishte rilindur përsëri.

Xhemali ka qenë me shtat të shkurtër, por me trup më të mbushur se Faruku. Në atë kohë merrej edhe me aktivitete sportive që organizonte shoqëria “Puna”. Në kampionatin Kombëtar, të zhvilluar në vitin 1951, Xhemali u shpall kampion i vendit. Zoti i kishte dhënë dhunti të shumta, por periudha e pasluftës, nuk e lejonte të ndiqte aktivitete sportive, të cilat thuajse mungonin tërësisht. Por në mungesë të aktiviteteve zyrtare, bëheshin gara të sajuara, si p.sh, “kush e ngre gurin më të rëndë”, “kush hipën më shpejt mbi shkëmb, mbi çati, apo mbi pemë të ndryshme”, etj, etj. Xhemali kishte një konstrukt fizik, gjithë muskuj, dhe një ambicie pozitive për t’ua kaluar të gjithëve. Në atë kohë, nuk njiheshin palestrat, por trupi i tij dukej i kuruar si në palestrat më profesionale të Europës. Flokët e zinj dhe tiparet burrërore i jepnin më shumë hijeshi.

Në lagje gjendeshin dy persona me emrin Xhemal. Njerëzit u thoshin “Xhemali i vogël’ dhe “Xhemali i madh”. Shoqëria i vinte shpesh, të dy Xhemalët, të mundeshin me njeri-tjetrin dhe fitonte përherë më i vogli, babai i Farukut. Edhe nëna e Xhemalit ishte me shtat të shkurtër, por shfaqej e fortë dhe tepër e shkathët. Ajo mund të ishte një atlete apo një gjimnaste shumë e mirë. Në atë kohë, jo vetëm që s’bëhej fjalë për sporte të tilla, por pasi mbaroi shkollën fillore, ajo iu përkushtua që e vogël halleve të shtëpisë.

 

Politika dhe jeta njerëzore

 

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Ballkan ndodhën zhvillime të reja politike dhe pjesa më e madhe e shteteve u bashkuan në një koalicion të madh me shtetet lindore, të kryesuara nga Bashkimi Sovjetik. Xhemali nuk merrej me politikë dhe ngaqë nuk kishte mundur të shkonte në shkollë, as gazetat nuk i shfletonte. Por duke qenë gjithë ditën në udhëtim, ai dëgjonte lajme të shumta nga bashkëbiseduesit, të cilët flisnin lidhur me zhvillimet e aktualitetit. Kështu, psh, ai dëgjoi se në vitin 1946, qytetit të Podgoricës iu ndërrua emri dhe u quajt Titograd, për nder të Josip Broz Titos, ish-udhëheqës i Jugosllavisë. Ndërsa marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë konsideroheshin të shkëlqyera. Kulmi i mirëkuptimit dypalësh u shënua gjatë vizitës së ish-kryeministrit shqiptar, Enver Hoxha, në Jugosllavi, që nisi më 23 qershor dhe vazhdoi deri më 2 korrik të vitit 1946.

Në këtë vizitë, Hoxha u shoqërua edhe nga Myslim Peza, Manol Konomi, Nako Spiru, Nesti Kerenxhi, Manush Myftiu, Vasil Konomi, Ferik Hado, Sadik Bekteshi, Sadik Dega, si dhe ambasadori Hysni Kapo. Enver Hoxha, kur zbriti në aeroportin e Beogradit, deklaroi: “…Ju siguroj se sot gjithë populli shqiptar është çuar në këmbë dhe brohoret për popujt e Jugosllavisë. Sot zemrat e njerëzve të Shqipërisë rrahin për ju dhe ndjenjat më të pastra dhe më vëllazërore janë për ju….”.

Nëntë ditë më pas, dhe pikërisht më 2 korrik 1946, kur u kthye në aeroportin e Tiranës, Enver Hoxha u shpreh: “Dita e pjekjes sonë me Mareshallin Tito, udhëheqësin e madh të popujve heroikë të Jugosllavisë dhe njëkohësisht miku ynë shumë i madh dhe besnik, do të mbetet e paharruar dhe njëkohësisht një ditë e shënuar në historinë e popullit tonë”.

Të gjitha këto lajme, Xhemali i dëgjonte me një radio dore, në kabinën e makinës së tij, ku hynin e dilnin plot njerëz të profesioneve të ndryshme, nga të dy anët e kufirit, si në Podgoricë, ashtu edhe në Shkodër.

Për shkak të marrëdhënieve të mira, midis dy vendeve, dy djemtë e tij më të rritur, Shabani dhe Fuati, shkonin e vinin nga njëri qytet në tjetrin. Sepse në Shkodër kishin nënën dhe babanë, ndërsa në Podgoricë i prisnin me mall dy gjyshërit e tyre, që i donin aq shumë.

Viti 1948 ishte një vit kthese në marrëdhëniet dypalëshe, që u shoqërua me dy ngjarje të rënda politike: Vetëvrasja e Nako Spiros dhe pushkatimi i Koçi Xoxes. Pas kësaj, kufijtë e Shqipërisë dhe Jugosllavisë u mbyllën kundrejt njëra-tjetrës. Për shumë, kohë asnjeri prej dy liderëve, nuk pranoi të komunikonte me tjetrin. Por pasojat më të rënda ranë mbi banorët e të dy vendeve fqinje, që vuajtën padrejtësisht mërinë e politikanëve ngatërestarë.

Në atë kohë, vëllai i dytë i Farukut, Fuati, ndodhej për një punë në Podgoricë. Por për shkak të mbylljes së kufirit, mbeti atje. Shpesh, gjyshi i tyre, afrohej diku pranë zonës së kufirit me Shqipërinë, për të bindur oficerët që të kalonte nipin e vogël përtej kufirit malazes, për në Shkodër, por askush nuk e miratoi lejimin e tij për t’u kthyer në Shqipëri. Në të dy postblloqet ishte shpallur ndalim–qarkullimi, për një kohë të pacaktuar. Për fat, daja i Farukut që jetonte me ta, në Shkodër, kishte mundur të kalonte kufirin gjysmë ore para se sa të mbyllej trau i postbllokut. Ai ishte rikthyer në Podgoricë, për të ndihmuar prindërit që kishin mbetur vetëm. Babai i tij, pra vjehrri i Xhemalit, ishte qebapçi. Ndërsa tre kunatat qëndruan në Shkodër dhe Xhemali u kujdes për mbarëvajtjen e jetës së tyre, deri në kohën që ato u martuan e u trashëguan.

Shkodra e traditave të mëdha

 

Në atë periudhë Shkodra ishte qytet i zhvilluar dhe me shumë perspektivë. Aty zjente tregtia dhe ky qytet shërbente si qendër për gjithë trevat që ndodheshin rreth tij. Në vitin 1945 përmendet një numër i madh tregtarësh, apo pronarë të objekteve dhe artizanateve të ndryshme, të cilët kanë punuar me përkushtim edhe pas çlirimit.

Sipas një studimi të bërë nga Besi Bekteshi, thuhet se në vitin 1945, kanë qenë rreth 1500 tregëtarë, që kishin ngritur bizneset e tyre të vogla apo të mëdha, në atë qytet. Natyrisht, më vonë prona e tyre u sekuestrua, një pjesë e personave u burgosën, të tjerë u pushkatuan. Ishte një masakër e vërtetë. Sipas autorit Bekteshi, ajo që është quajtur “Rruga e Madhe” numëron rreth 85-së emra bisnesesh, madje dhe avokatë si Sheuqet Bekteshi, por ka edhe emra shitësish, këpuctar, furrtar. Përmenden dhe hotelet e Malo Troshanit e Kasem Draçinit. Më tej duhantore e Ruzhdi Boriçit, fabrikë çorapesh e Mehmet Shazit, Ahmet V. Hoti fabrikë sapuni, Mustaf Pipa, avokat, etj etj.

Por edhe në rrugën e gjatë dhe kryesore të qytetit me emrin Ëashington*  regjistrohet një numër i madh biznesesh. Abdyl Djepaxhia ka librari, Luigj Simoni farmaci, Haxhi Zaja tregton artikuj elektrikë, Ymer Kraja ka restorant, Guljelm Suma me kafe dhe hotel-restorant, Vllazën Daberdaku pronarë të njësisë tregtare të tyre, Simon Darragjati ka fabrikë letrash, kurse Lina e Tish Lekës konsiderohet “modiste”.

Më tej Ymer Bushati me manifakturë, Ndrek Pistulli e Angjelin Luka tregtar, Mark Pici fotograf, Tef Pogu parfumeri, Luigj Serreqi orishtar, Nikolla Stojani pastiçeri, Zef Dema hekurishte, Pjetër Bedeni, argjendar, Ndrek Kaçulini tregtar, Adem Nikshiqi librari, Vllazën Muzhani agjensi, Pjetër Çurçia agjensi, Gasper Çurçia garazh, Muhamet Rroji tregtar, Ndoc Pistulli manifakturë. Pastaj Osman Ujkashaj ndërrim të hollash, Kel Marubi fotograf, Nush Topalli tregtar, Teo Amadeo tregtar, Daut Kopliku duhantore.

Vijojmë më tej te rruga “Justin Godart” me Ndoc Xhanxhafili pijetore, Vllazën Pogu fabrikë të sapunit, Fasli Dervishaga kafe, Luigj Serreqi biçiklist, Alush Hasani kafe. Rruga Has Hot me Kol Dema pijeshitës, Riza Rusi fabrikë e duhanit, Fasli Ademi favrikë cigaresh. Rruga e Tuzit me Gasper Pogu argjendar, Rasim Gjyrezi me mulli, Ferhat Beqiri kafe, Osman Hoxha tragtar etj etj.[1]

Rruga Lek Dukagjini me Cuf Dedja furrtar, ose Zenel Kotrri si pemë shitës, Mark Bardeli prestar, Zyhdi Ulqinaku këpuctar, Eljaz Cungu prestar, Tef Daka riparim makinash etj etj. Pastaj Zdralej me Ibrahim Myftari manifakturë, Ibrahim Mema fabrikë xhupash, Januz Dibra me agjensi, dhe vazhdon me të Parruca, me shumë emra ndër të tjerë Haki Rehovica me pijetore, Ema Batsi farmaci, Selim Rroji depozitë, Smajl Shurdha sapuntore.[2]

Në Gjylej, është Rifat Dibra dentist dhe Reshit Gjyli mulli, pastaj Rruga Qeles me Xheladin Rroji fabrikë tullash, H. Elez Muka tregtar, Malo Rama kafe, Luigj Mjeda kino Glorja.

Në K. Helbert, janë Rrok Geci prestar Kel Daberdaku mobilje. Në Hasan Riza, janë Kaduku e djalë dentista. Në rrugën “Bashkimi” është Oso Rrjolli fabrikë duhani.[3]

Në Badra, Gjovalin Zef Çoba me pijetore, Frano Lleshi pijetore, kurse te rrugica e Gurazezëve, Nush Çoba pijetore, ose te franceskanët, Kel Arseni, fotograf, Gjon Curani mishtar etj etj. Janë rrugët e Sh Ndout, rruga dhe lagja Arra e Madhe, Jezuitët, At Gjeçov, Dervish Beg, 28 Nëntor, Rrojej, Skandebag, Kadukej, Dervishej, Kiras, Dudas, Ndocej dhe Tepe me qindra emra bisnesmenësh.[4]

Por fillon dhe rruga Krye Pazar, dhe i pari është Dan Hasani, një nga njerzit më të pasur të Shkodrës, por dhe shumë e shumë emra për lagjet dhe rrugët nga pazari, ku janë rreth 706 taksapagues të rëndësishëm, përgjatë pazarit dhe deri në Bahçallek. Janë me qindra tregtarë dhe prodhues të njohur.[5] Por ka shumë emra të tjerë biznesmenësh dhe pronarësh të objekteve të ndryshme, që s’mund t’i përmendim në këtë libër, pasi nuk është objekti ynë kjo temë.

 

 

Fëmijëria e Farukut

 

Kur ishte i vogël, Faruku i shetiste të gjitha rrugët, bashkë me fëmijët e tjerë, duke kërkuar nëpër Shkodër ekipe kundërshtarësh për të luajtur futboll. Ai shquhej për një fuqi potenciale të dallueshme nga të tjerët dhe një shkathtësi natyrale, që binte në sy menjëherë. Megjithëse thuhej që ishte “harrakat”, e donin të gjithë. I pëlqente futbolli dhe ishte mjaft i talentuar. Në atë kohë, për fëmijët kishte vetëm topa lecke. Kur u jepej mundësia, ata sajonin ndonjë top lëkure, që qepej me sajime te këpucarët. Fëmijët që luanin me topa të tillë, quheshin të privilegjuar. Pastaj dolën ca topa llastiku, të vegjël, por që fitonin shpejtësi lëvizjeje gjatë goditjeve. KJur hasnin në topa të tillë, emocioni i fëmijëve ishte shumë i madh.

Faruku, jo vetëm që nuk mbetej kurrë jashtë formacionit bazë, por ai u bë i domosdoshëm edhe për spektatorët që kalonin ose qëndronin pranë këtyre fushave sportive. Ishte i dëshirueshëm në lojëra, sepse prodhonte spektakle dhe realizonte akrobacira, sidomos pas shënimit të golave. Veprime të tilla prodhonin emocion edhe te shikuesit që ndaleshin gjithmonë nëpër fushat gjysmë sportive, ku luhej futbolli i asaj kohe, ose direkt në ndonjë rrugicë. Kishte raste kur topi i tyre, në vend që të binte në rrjetën e portës kundërshtare, përfundonte në xhamin e ndonjë dritareje, ose në bahçen e komshijve. Kjo nënkuptonte se ata duhej të gjenin një copë lecke tjetër, për ta bërë top, pasi komshiu i zemëruar nga thyerja e xhamit, apo prishja e qetësisë, nuk ua kthente më.

Megjithëse, në kushte të vështira, Faruku e donte futbollin dhe luante si sulmues. Talenti i tij ra në sy, deri në atë masë, saqë ai u përzgjodh nga trajnerët e moshave të vogla, të asaj kohe, duke përfaqësuar qytetin e Shkodrës në spartakiadën e pionerëve.

Hera-herës, duke shkuar në liqen me fëmijët, ose në fushat sportive, Faruku lexonte lajmërimet e varura në mure që kishin lidhje me ngjarje apo aktivitete të ndryshme sportive. Ndërsa një ditë, kur ishte 14 vjeç, ai lexoi këtë lajmërim: “Sot festohet 10 vjetori i krijimit të Federatës së Peshëngritjes”.

Shokët e pyetën se çfarë ishte kjo federatë, por ai nuk u ktheu përgjigje, sepse nuk e dinte as vetë.

Federata Shqiptare e Peshëngritjes (FSHP) ishte themeluar në vitin 1949, dhe atë vit mbushte 10-vjet jetë. Ajo ishte një nga më të vjetrat, midis Federatave Kombëtare Sportive dhe e vetmja që organizonte gara kombëtare dhe ndërkombëtare, për sportin e peshëngritjes në Shqipëri.

Atë vit, kjo federatë kishte shpallur si prioritetet të saj, kërkimin e talentëve të rinj, të cilët nevojiteshin për të ngritur në nivele më të larta rezultatet e atij sporti, që po zgjerohej për herë e më shumë në vendin tonë.

-Drejtuesit e Federatës po kërkojnë nëpër shkolla shtangistë të rinj. Dje erdhën edhe në shkollën tone, – tha njëri prej shokëve, sapo pa lajmërimin.

-Po ti, do të pranoje sikur të thoshin? – pyeti shoku tjetër, Farukun.

-Asnjëherë, – iu përgjigj Faruku, – unë për veten time, nuk e ndërroj futbollin me asnjë sport tjetër.

Faruku lexoi edhe njëherë lajmërimin dhe pastaj iku më tej. Deri në moshën 18 vjeçare, ai nuk e pati fiksuar mirë se çfarë ishte ai lloj sporti. Madje nuk e dinte fare se kur qe krijuar Federata e Peshëngritjes. Pasionet dhe interesat e tij ishin krejt të ndryshme nga ata që kërkonin të ngrinin pesha dhe të merreshin me historikun e shtangës.

Në fakt, në vendet e zhvilluara. Sidomos në shtetet europiane, Peshëngritja ishte ndër sportet e para që u përfshi në Lojërat Olimpike Moderne të vitit 1896. Ndërsa në vendin tone, zyrtarisht, e nisi veprimtarinë e vet në vitin 1949. Më vonë, nga viti 1972 deri në vitin 2012, totali i medaljeve të fituara në Lojra Olimpike, Kampionate Botërore, Europiane, Turne Ndërkombëtare të ndryshme, ishte 299, nga të cilat 101 Ari, 109 Argjenti dhe 89 Bronzi. Në këto 299 medalje, një numër i madh i përkasin një njeriu të vetëm. Dhe ky është Faruk Kalleshi.

 

Vit pas viti

 

Rreth vitit 1956, kur Faruku ishte 11 vjeç, babai i tij mori një copë tokë nga pushteti lokal dhe e ndau me njërën nga kunatat e tij, e cila tanimë ishte martuar me një shkodran. Ndoshta do të qe më mirë të thoshim se të dy baxhanakët blenë një copë tokë në lagjen Dërgut.

Xhemali mori kredi bankare dhe ndërtoi një shtëpi të mirë për kohën, dy dhoma e një guzhinë. Edhe baxhanaku i tij bëri të njëjtën gjë. Në atë kohë, vëllai i madh i Farukut ka ndihmuar shumë, për ndërtimin e shtëpisë. Ai konsiderohej i rritur në moshë, në raport me vëllezërit e tjerë, pavarësisht se sapo kishte mbushur 15 vjeç. Shtëpia u ndërtua me mure të suvatuar bukur dhe me një çati tradicionale, që binte në sy që nga larg.

Xhemali e ngriti dyshemënë e shtëpisë rreth 1 m nga toka dhe në hyrje ndërtoi pesë-gjashtë shkallë të larta, në mënyrë që shtëpia të ishte krejtësisht e mbrojtur nga përmbytjet. Godinën e rrethoi me mur të lartë, siç ishte tradita e asaj kohe dhe rrotull shtëpisë mbolli pemë frutore, një qershi, një fik dhe disa rrënjë hurmash. Ndërsa në hapësirat midis drurëve frutor, nëna e tij mbillte zarzavate të stinës, ose lule me aroma të mrekullueshme.

Atje, edhe sot e kësaj dite, ndodhet qershia e madhe, që ka shtrirë degët në ajër, drejt murit rrethues, duke lakmuar lartësinë e çatisë. Ndërsa degët e fikut presin gjithmonë pranverat, për të treguar që, po nuk mungoi kujdesi për të, mbijeton përtej qindvjeçarëve. Fiku i ka kaluar 70 vitet. Pamja e tij disi e plakur, apelon për më përkujdese, pasi premton të kalojë shekullin. Natyrisht, nëse ndërtimet nuk do të zgjerohen në krahun e djathtë të shtëpisë, përtej sinorëve ku zë fill shtëpia e tezes së Farukut.

Pas kontributit për ndërtimin e shtëpisë, vëllai i madh i Farukut u fut në punë si shofer, në një park automjetesh, ku merrte një pagë modeste. Në këtë mënyrë, shlyerja e kredisë bankare u zgjidh më me lehtësi, ndërsa ekonomia familjare u përmirësua dhe gjërat filluan të lëviznin për mirë. Ndërsa Faruku e kalonte kohën në fushat e futbollit dhe në liqen.

Ai nuk e kishte qejf liqenin, por shkonte atje, për të improvizuar hedhjet e tij spektakolare, nga lartësi të ndryshme. Kjo i mahniste shokët e vet, të cilët nuk kishin mundësi dhe aftësi të bënin të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë, nami u hap shpejt, në të gjithë qytetin. Kudo, në rrethet e adoleshentëve, flitej se Faruk Kalleshi bën akrobaci spektakolare. Nga ana tjetër, shokët e tij, duke ngelur disi të turpëruar para famës së Farukut, për spektaklet e hedhjeve, e ftonin atë në garat e notit, ku në shumicën e rasteve e linin mbrapa, duke kompensuar kështu, pamundësinë e tyre për akrobacira dhe duke u hakmarrë disi, ndaj famës që ai kishte marrë në të gjithë Shkodrën, si “akrobat i ujit”.

Deri në klasën e shtatë, Faruku vazhdoi aventurat e tij fëmijërore, por më tej ai u punësua në cirk, me një rrogë të vogël, por që mbulonte shpenzimet për nevojat e veta. Ata ishin katër fëmijë. Deri atëherë jetonin vetëm me rrogën e babait, i cili e bënte natën ditë për të plotësuar nevojat familjare. Ikte përherë shpejt nga shtëpia dhe vinte vonë. Ndonjëherë u thoshte te puna se do të vonohej pak në mëngjes dhe priste që fëmijët ngriheshin në mëngjes nga gjumi. I përqafonte një e nga një dhe shkonte në punë, duke u ndjerë më i lehtë e më i plotë në shpirt.

Kjo ua shtonte gëzimin fëmijëve, të cilët niseshin për në shkollë të lumturuar. Nga ana tjetër, shtonte dhe shqetësimin Farukut, i cili e ndjente se nuk po bënte përparimin e duhur në mësime, për t’a shpërblyer sakrificën e babait.

 

Mësimi dhe argëtimet

 

Kushtet ekonomike ishin për të gjithë njëlloj. Paslufta u shoqërua me varfëri e mjerim, por edhe me dëshirën për të mësuar. Çanta e Farukut ishte një copë lecke, e qepur me kujdes te rrobaqepësi, me një rrip për ta varur në qafë, ashtu si shumica e fëmijëve të tjerë. Ndërsa për librat, problemi ishte thuajse i zgjidhur, sepse Faruku përdorte librat e vëllezërve më të mëdhenj. Ndonjëherë kërkonte librat e shokëve të tij më të rritur, që i kishin kaluar këto vite. Përveç të tjerave ai merrte me vete në shkollë edhe ndonjë laps, apo fletore. Faruku ishte djalë i lëvizshëm dhe të gjithë mësuesit thoshin për të se “është djalë shumë i zgjuar, por librin nuk e prek me dorë”.

Faruku me të vërtetë lexonte pak, por kishte memorie të shkëlqyer. Ishte dëgjues i vëmendshëm dhe mbante mend gjithçka. Kishte dëshirë të dëgjonte shpjegimin e mësuesit dhe, për shkak të kujtesës së fortë, arrinte të riprodhonte disa pjesë të mësimit, pa e prekur librin me dorë në shtëpi.

Edhe pse nuk rrinte mbi libra, asnjëherë nuk ka qenë problematik, as në sjellje dhe as në nivelin e përgatitjes mësimore. Pra nuk e neglizhonte mësimin deri në atë masë, sa mësuesit të ngrinin pikëpyetjen, nëse do ta kalonte klasën, apo jo. Me aftësitë e veta qe i sigurt se do t’i përballonte vështirësitë dhe klasën do ta kalonte.

Në matematikë ishte më mirë se në gjuhë-letërsi. Mbase në mësimin e gjuhës e letërsisë, e pengonte disi dhe dialekti, pasi në shkollë praktikohej gjuha e njësuar. Por kryesore ishte fakti që ai, nuk i kishte qejf fjalët dhe fjalimet. Më tepër pëlqente shkencat ekzakte. Megjithatë, shkathtësia dhe reflekset e lindura të tij, për të përballuar ngarkesat mësimore, e nxorën Farukun gjithmonë faqebardhë edhe në rezultate.

Në klasën e parë i filloi mësimet në shkollën “Xheladin Fishta”, në lagjen ku dhe banonte në atë kohë. Shkollën e kishte aq afër, sa edhe zilen e shkollës e dëgjonte nga shtëpia.

Në fillore ka qenë i shkathët dhe nuk rrinte asnjë minutë në një vend. Plakat e vjetra dhe banorët përreth thoshin se, “Faruku nuk lë dy gurë bashkë”. Ishte bërë kaq tipik, saqë kur mungonte ndonjë ditë në rrugicat e lagjes, të gjithë pyesnin me kureshtje: “Ku është Faruku sot, se nuk e kemi parë”?

Në marrëdhënie me moshatarët tregohej korrekt, miratonte dhe mbështeste mendimin e shokëve, thuajse në të gjitha rastet, por sidomos kur ndonjeri prej tyre propozonte të iknin nga mësimi. Faruku kishte sjelljen e një lideri dhe gjithmonë qe i rrethuar nga shokët. Por kur ikte nga mësimi, mësuesi kujdestar nervozohej dhe e kuptonte që organizator i këtij veprimi ishte Faruku. Prandaj shkonte në shtëpinë e “nxënësit rebel” dhe ankohej te e ëma. Ajo ishte zemër butë, por merakosej shumë për mbarëvajtjen e të birit. Sidoqoftë, kërcënimi më i madh që i bënte Farukut, ishin fjalët: “Do t’i them babait”.

Babai i Farukut ishte i rreptë, por i drejtë. Fjalët e tij nuk mund të kundërshtoheshin, pasi ishin ligj. Nga ana tjetër, me kallëzimin që bënte në familje, misioni i mësuesit kujdestar kishte përfunduar. Nuk dëshironte ta penalizonte Farukun, pasi ai njihej si lideri kryesor në klasën e vet.

Një nga mësuesit më të frikshëm të shkollës, ishte Gjyshi, apo Vangjush Daragjati. Ai i frikësonte fëmijët, duke u shkulur favoritet, poshtë tëmthave, dhe ndonjëherë, nuk u kursente as shpullën.

Më vonë,  numri i nxënësve në shkollën “Xheladin Fishta” u rrit, një pjesë e tyre kaluan në shkollën “Perlat Rexhepi” që ndodhej në Kiras. Por ndërrimi i shkollës nuk ndryshoi asgjë në sjelljet e Farukut, i cili mbeti përgjithmonë besnik i shokëve të grupit, si dhe organizator i tyre.

Lagja e re, ku filloi të banonte Faruku, quhej Dërgut dhe shtëpia e tij ndodhej midis dy shkollave, ku përkatësisht, njëra quhej “Perlat Rexhepi” dhe tjetra, “Xheladin Fishta”. Për fat, në afërsi të dy shkollave kishte terrene sportive dhe rreth 300 metra larg shtëpisë së Farukut, ndodhej shtëpia e mjeshtrit të merituar të sportit, Medin Zhega, i cili ishte një nga shokët e afërt të fëmijërisë.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë, që, deri në moshën 14 vjeçare, Farukun nuk e njihte askush, në aspektin publicistik, ndërkohë që vëllai i tij më i madh, ishte futbollist me Vllazninë. Nëpërmjet kalimit në ekipet zinxhir, nga pionerët te të rinjtë, mundi të arrinte deri në ekipin e parë. Pastaj u regjistrua në kursin për shofer dhe kur shkoi ushtar, shërbeu si drejtues i automjetit të komandantit të regjimentit. Ai e la futbollin, duke menduar se sporti nuk mund të kishte perspektivë për garantimin e jetës. I vetmi favor si futbollist qe pakësimi i orëve të punës. Sportistët punonin 5 orë në ditë, pra, përfitonin tre orë nga puna e përditshme. Në atë kohë nuk mund të bëhej fjalë për futbollistë profesionistë, që të jetonin gjatë gjithë ditës me futbollin.

Gjatë fëmijërisë së tij, deri në adoleshencë, Faruku ka njohur dhe është shoqëruar me lloj-lloj tipash, të urtë dhe agresivë. Por asnjëherë, zënkat midis tyre, nuk kanë arritur në konfrontime fizike. Pas një incidenti të ndodhur në Shkodër, Farukun filluan ta kenë frikë moshatarët e vet.

Rasti i parë dhe i vetmi që mbahet mend, nga bëmat e tij, ndodhi gjatë një të shtune, kur dikush iu hakërrua Farukut, pa ndonjë shkak. Ishte një djalë më i madh në moshë, që grindej me gjithë moshatarët, por që në atë rast, kërkonte të dukej para të tjerëve, duke iu hakërruar Farukut me fjalë kërcënuese. I fyer nga kjo sjellje, Faruku e kapi me të dy duart dhe e plasi në lulishte. Por dy orë më vonë, i kërkoi falje tjetrit, duke e porositur që, tjetër herë, të mos kapardisej më, si gjeli në pirgun e plehrave. Ky rast kishte mjaftuar që të tjerët të merrnin një mësim të mirë. Njëkohësisht, kjo ngjarje i dyfishoi shokët e tij në shkollë dhe lagje.

Pasi la fubollin, Faruku nisi një stërvitje të disiplinuar në paralelet e shkollës, duke bërë ushtrime dhe akrobaci të ndryshme. Kishte kohë që me veprimet e tij tërhiqte vëmendjen e specialistëve, si një talent i vërtetë, pasi në rrethet shoqërore cilësohej “mbreti i saltros”. Për këtë arsye, në “Shtëpinë e Pionierit”, ku merrte pjesë në grupin e talenteve të cirkut, ishte një ndër kandidaturat më të spikatura për një karierë të sigurtë.

Për shkak të aftësive të tij të veçanta, drejtuesit e cirkut të Shkodrës, e punësuan para kohe. Kalimi u bë sipas sistemit zinxhir, ku më të talentuarit e “Shtëpisë së Pionierit”, bëheshin pjesë e cirkut të qytetit, ndërsa të tjerët vazhdonin të stërviteshin gjersa të meritonin kategorizimet më të larta. Në punën e re Faruku bëri progres të menjëhershëm. Falë forcës fizike, ai u bë vertikalisti kryesor i cirkut.

Një ditë, kur ishin duke prova akrobacie, para se të dilnin në skenë, instruktori i tha shoku të vet: “Këtë, do ta bëj artist të madh, sepse ka tri cilësi të admirueshme: trupin, forcën dhe shkathtësinë”. Faruku e dëgjoi këtë fjalë dhe u skuq. Ishte djal me talent të madh, por edhe me sensibilitet të lartë shpirtëror dhe emocionohej menjëherë.

Në këtë mënyrë, falë dhuntive natyrore, trashëgimnisë familjare, por dhe të përkujdesjes së instruktorëve, shumë shpejt filloi t’i ngjiste shkallët, jo një e nga një, por nga katër-pesë njëherësh. Më tej, u thirr nga instruktori i Estradës, Myftar Tafili, që ishte kunati i Telat Agollit. Telati, në atë kohë, ishte kampion absolut, në sportet e forcës. Myftari bisedoi dy-tri ditë me të dhe arriti ta bindë, për të marrë pjesë në estradën profesioniste. Shumë shpejt, artisti i ri u prezantua si akrobat edhe në Estradën e Shkodrës.

Punët po i shkonin mirë. Po atë vit, njëlloj si qershia mbi tortë, në cirkun e Shkodrës u afrua dhe një vajzë e ndrojtur, shumë e vogël në moshë, me trup plastik dhe, mbi të gjitha, me një bukuri të rrallë. Një vajzë që, krahas këtyre cilësive, ishte mjaft korrekte. Mosha e saj qe 9 vjeç, ndërsa talenti qe i pakrahasueshëm me të tjerat. Ajo quhej Liliana. Modelin e flokëve e kishte tamam, si një aktore e Hollivudit të asaj kohe, emrin e së cilës Faruku nuk e mbante mend. Por emrin e Lilianës e mësoi menjëherë, për ta mbajtur në mendje dhe në zemër, natë e ditë, gjatë gjithë jetës së vet.

 

Përplasje trajnerësh

 

Lidhja e rastësisë me domosdoshmërinë është ende një mister i pazgjithshëm nga shkencat sociologjike, por duke studiuar rastin e Faruk Kalleshit, ky problem komplikohet akoma edhe më shumë.

Në krahun e djathtë të Kafes së Madhe, ndodhej palestra kryesore e qytetit, ku bënin stërvitje të apasionuarit e disa lloj sporteve. Aty vinin artistët e Cirkut të Shkodrës, ekipi i Mundjes, si dhe ai i peshëngritjes së Vllaznisë. Faruku ishte krejtësisht i magjepsur nga fati, që i kishte trokitur në mënyrë të befasishme në jetën e tij. Pasionin për cirkun dhe estradën nuk e ndërronte me asgjë.

Te sportistët e peshëngritjes, thuajse nuk i hidhte sytë. Kjo dëshmonte se atë nuk e lidhte asgjë me shtangën. Të gjithë e dinin se ëndrrat e tij qenë eklipsuar nga akrobacia e cirkut. Askush nuk mund ta largonte nga kjo rrugë. Por gjërat në jetë ndodhin në mënyrë të çuditshme dhe shpeshherë, ato që njeriu zgjedh pa dëshirën e vet, i sjellin triumf të papritur dhe mbarësi.

Në atë palestër, çdo grup shtronte dyshekun e vet të stërvitjes dhe të gjithë punonin pa patur mendjen tek njëri-tjetri. Kështu, grupi i Cirkut, ekipi i Mundjes dhe ai i Peshëngritjes, kishin zgjedhur këndet e veta fundore të palestrës, duke mos shqetësuar njëri-tjetrin. Çdo grup stërvitej për hesap të vet dhe secili ishte indiferent ndaj tjetrit. Por Faruku, kalonte ndonjëherë, tek grupi i shtangistëve dhe pasi u merrte leje, provonte të ngrinte shtangën. Çuditërisht, në dy duart e tij, pesha e shtangës dukej si pupël. Kjo ra në sytë e trajnerit, i cili nisi t’i ndiqte me vëmëndje lëvizjet e Farukut, sidomos kur ai i afrohej shtangës për të ngritur.

Faruk Kalleshin kishte kohë që e shqetësonin dy palë sy, të cilët e ndiqnin me vështrime të kujdesshme. E vëzhgonin në distance nga një stol I vogël, ngjitur pas murit, te vendndodhja e ekipit të peshëngritjes. Dhe një ditë, kur Faruku vajti për të ngritur si zakonisht shtangën, trajneri i peshëngritjes, Njazi Bushati, filloi të diskutonte për Farukun. Shkëmbente mendime me mjeshtrin Qemal Lohja. Ky i fundit e pyeti: I kujt është ai djalë? Dhe tjetri iu përgjigj: “Eshtë djali i Xhemalit të vogël”. Ai u çudit me shkathtësinë e veprimeve të tij, në këndin e peshëngritësve. Pasi e vëzhgoi në dy-tre raste, lehtësinë me të cilën e ngrinte shtangën, por dhe teknikën që përdorte, u bind që Faruku mund të ishte kandidatura më e mirë për të. Djaloshi rrinte para shtangës sikur të kishte vite që stërvitej. Më në fund, Njazi Bushati e kuptoi që, vetëm një peshëngritës si Faruku do të mund t’i përmbyste rezultatet e arritura në atë sport dhe, njëkohësisht, do t’i rriste prestigjin ekipit.

-Qenka i zoti! – i tha Qemali.

-Edhe një i verbër e kupton që, një sportist si ky, do të bëjë diferencën në kampionat dhe do të shkruajë një faqe suksesi në historikun e peshëngritjes, – iu përgjigj, Njazi Bushati.

-E ngre shtangën sikur të jetë copë sfungjeri – e ndërpreu Lohja.

-Ashtu është, por më duket kokëfort, pasi nuk pranon, që të bëhet pjesë e ekipit tonë. Por nuk i ndahem se babanë e tij e kam mik – vijoi më tej Njaziu.

-Shko dhe bisedo njëherë me të jatin, – e udhëzoi tjetri. Njaziu tundi kokën me pezmatim. Në atë kohë Faruku po provonte shtangën, duke i vënë një ngarkesë peshe më të lartë dhe e ngriti atë me lehtësi.

Nga ai moment, duke parë me bishtin e syrit profilin e Farukut, trajneri Njazi Bushati vendosi të shkonte te babai i akrobatit, me shpresë se do ta ndihmonte, pasi e konsideronte një nga miqtë më të vjetër të tij.

Vendimi në kohën e duhur

 

Në atë periudhë Xhemali punonte si shofer i zjarrëfikëses. Sapo e pa në mjediset e repartit mikun e tij të vjetër, Xhemali e thirri menjëherë, duke i thënë me shaka: Çfarë të ka marrë flakë, që je munduar deri këtu?

Por krejt ndryshe nga rastet e tjera, kur ata të dy, pasi takoheshin bënin edhe ndonjë shaka, duke mbështetur njëri-tjetrin, atë ditë fytyra e trajnerit ishte pa lëvizjet e zakonshme.

-Çfarë ke? – i tha Xhemali.

-Prit, – ia ktheu trajneri me zë të ulët. Pastaj, pa në dy-tri drejtime dhe iu lut, duke i thënë: “A mund të pimë një kafe, se kam diçka serioze për të biseduar”?

Në çast Xhemali u bë serioz në fytyrë dhe e kuptoi se tjetri ishte në hall. Dukej që kishte diçka të rëndësishme për t’i thënë

-Eja! – tha Xhemali.

Duke e ulur në kafe, trajneri i tregoi se si e kishte hallin.

-Kërkoj ndihmën tënde, Xhemal, prandaj të lutem bëj diçka!

-Çfarë të shqetëson? – e pyeti Xhemali, i cili nuk po e deshifronte dot shqetësimin e trajnerit të peshëngritjes.

-Kam kaq vite që ngre pesha të rënda, por një peshë kaq të rëndë nuk e kam ngritur kurrë! – i tha mendueshëm trajneri.

-Çfarë të ka ndodhur vëlla? Ti dukesh krejt i zbehtë? – e pyeti Xhemali.

-Më bëj një nder, – iu drejtua trajneri dhe vazhdoi më tej. Djalin e tretë, tëndin, dua të ma “falësh” mua. Dua ta marr në gara.

-Ah, për këtë qënke munduar deri këtu, – e qetësoi Xhemali dhe i ra supeve. Po merre kur të duash. Askush nuk mund të pengoj. Unë ta jap lejen që tani. Shko, takoje dhe merre!

-Dakord, por ai nuk më dëgjon mua, – tha trajneri dhe uli kokën, sikur do të shihte diçka të imët në tokë. Pastaj shtoi se, për mendimin e tij, Faruku ishte shumë i talentuar.

-Nuk të dëgjon? – u habit Xhemali, duke hapur sytë më shumë. Po ti, mos ki merak, hej burrë, se ne jemi miq të vjetër dhe brenda dy orësh këtë punë e mbaroj unë.

-Do të jem mirënjohës për gjithë jetën, – i tha trajneri dhe vijoi: Mbetem në pritje të përgjigjes tënde.

Atëherë Xhemali e kuptoi se kjo ishte diçka e rëndësishme për trajnerin e peshëngritjes, madje edhe për ngjyrat e klubit të Vllaznisë dhe vendosi ta vërë në qendër të vëmendjes kërkesën e tij. Në vetvete ishte i dyshimtë për çka thoshte trajneri, por dëshirën do t’ia plotësonte me çdo kusht.

Pas punës, Xhemali shkoi në shtëpi dhe thirri Farukun për të bërë një bisedë të shkurtër. Për herë të parë Faruku i biri iu duk më i pjekur dhe më i rritur në moshë. Megjithatë, pasi u mendua një copë here, se si duhej ta fillonte bisedën, Xhemali i tha të birit:

-Nesër do të shkosh me ekipin e peshëngritjes dhe fol me trajnerin, – I tha Xhemali.

-Ç’punë kam unë me peshëngritjen?, – iu përgjigj po me pyetje Faruku.

– Nuk dua diskutim, në të kundërt do të ndaloj të shkosh në cirk dhe në estradë. Mos harro, se trajnerin e kam shok të ngushtë. I kam dhënë fjalën, dhe nuk je bërë akoma ti, të më turpërosh me tekat e tua. E more vesh, apo jo?

Faruku, nga ana e tij, iu përgjigj me një shikim mosaprovues, por nuk guxoi të kundërshtonte.

-Nesër direkt, te trajneri! – përsëriti i jati.

Faruku ende ngulmonte për të mos shkuar në stërvitjen e shtangës dhe pavarësisht nga këmbëngulja e trajnerit, ai i tha babait: “Një fjalë e urtë thotë: Pas dy lepujve mos vrapo kurrë, se nuk kap asnjë”.

Kjo, natyrisht, ishte një përgjigje në stilin e njerëzve të rritur, por babait nuk i bëri shumë përshtypje dhe përsëriti prerë:

-Mos bëj gabim nesër, të mos shkosh në stërvitje, se pastaj do flasim ndryshe!

Faruku bëri dhe një përpjekje tjetër, për të bindur të atin, se ai sport nuk ishte për të, por më në fund u dorëzua. Jo aq nga frika e babait, se sa nga respekti për të. Në fund të fundit, përderisa i ati i pati dhënë fjalën trajnerit, Faruku nuk kishte të drejtë ta turpëronte përpara shokëve. Prandaj pranoi, ndonëse qe i bindur që nuk ishte shtanga dashuria e tij.

Kjo bisedë vendimtare me babanë, ndodhi kur Faruk Kalleshi ishte 19 vjeç. Ishte koha kur ai shkëlqente në cirk. Por, ndërsa për konsolidimin si artist i cirkut, iu deshën 4-5 vjet, me peshëngritjen ndodhi e kundërta. Atij iu nevojit vetëm një ditë. Madje, një orë, aq sa zgjati performanca e paraqitur në garat zyrtare.

Por le të kthehemi te momenti, pas bisedës me babanë. Të nesërmen Faruku shkoi në palestër dhe trajneri u gëzua pa masë. Faruku u stërvit plot dy muaj, pa shmangur për asnjë sekondë pjesëmarrjen e tij në cirk dhe në estradën profesioniste, ku punonte plot pasion e dëshirë.

Seancën stërvitore të peshëngritjes, në fillim e bënte si me zor. Në muajin e tretë ndodhi diçka e veçantë, që e detyroi Farukun t’u shpallte “ndalim–qarkullimi” të gjitha pasioneve të tjera, si cirkut, futbollit, Estradës Profesioniste, etj. Vendosi t’i përkushtohej me prioritet shtangës. Ajo që ndodhi ishte diçka e paparashikuar. Faruku nuk e kishte menduar që mund t’i ndodhte as në ëndërr. Kjo ishte performanca e tij, në Kampionatin e Peshëngritjes.

 

Emocione shpirtërore

 

Në atë kohë, Faruku nuk ishte lidhur ende, në raporte dashurie me gruan e tij të ardhshme, Lilianën, por ata ishin thjesht, shokë. Madje, shoqëria midis tyre u zgjerua në raporte mirëkuptimi dhe sinqeriteti, në një grup prej 10-12 vetësh, ku emocionet ishin të mëdha. Lindja e ditës pritej prej dy të rinjve me sensibilitet të lartë. Ndërsa perëndimi i diellit, i kujtonte djalit të Kalleshëve që kishte hyrë në moshën e emocioneve të mëdha, të cilat ia vlen që t’i jetosh. Këto emocione pozitive, nuk e ka fatin çdokush për t’i përjetuar. Sepse për shumicën e qytetarëve të Shqipërisë, ose për një pjesë të konsiderueshme të tyre, jeta ishte monotone dhe pa kulminacione emocionale. Ndërsa, Faruku, falë dhuntive dhe talentit të tij, në atë pjesë të universit, kishte zbuluar formulën e sekretit për të qenë i lumtur. Ai priste me padurim lindjen e ditës së re, ku përballej me mistere të panjohura më parë.

Ishte vetëm 19 vjeç. Por dukej i plotësuar shpirtërisht, me sukseset dhe kënaqësitë që i afronte jeta e përditshme. Pikërisht, në këtë moshë, realiteti i afroi një ofertë të re, e cila e mbërtheu me darë të gjithë qenien e tij, duke e detyruar të ndërronte intinerarin e jetës, dhe në të ardhmen, t’i përkushtohej përfundimisht, vetëm asaj.

 

Kapitulli i dytë

 

Gara e parë

 

Gara e parë e peshëngritjes për Faruk Kalleshin u zhvillua në datat 10 e 11 dhjetor, të vitit 1964. Më saktë ky kampionat u zhvillua në datat 10 dhe 11 dhjetor, në Pallatin e Kulturës të qytetit të Beratit. Ky ishte Kampionati i 16-të Kombëtar i Peshëngritjes, por për Faruk Kalleshin ishte i pari. Në këtë kompeticion morën pjesë 5 ekipet më të mira, të asaj kohe, të cilët ishin: Partizani, 17 Nëntori, Vllaznia, Tomori dhe Labinoti.

Ora 11 e 30 e asaj dite, shënon momentin, kur Faruku ngriti zyrtarisht shtangën para gjyqtarisë qendrore. Akrepat e asaj ore ndanë përfundimisht në mes, dy periudha kohore. Periudhën nga lindja deri në atë ditë dhjetori dhe pjesën tjetër, që do të quhej si “epoka e Faruk Kalleshit”. Kjo për faktin, se nga dita kur Faruku preku shtangën, në emër të konkurrimit zyrtar, e deri në ditën e dorëzimit të uniformës sportive, peshëngritja shqiptare foli me zërin e tij dhe, rreth 100 rekorde të reja, flasin për ekzistencën e një fenomeni. Nga ana tjetër, fitorja 6 herë e medaljes së nderit për 10 sportistët më të mirë të vitit, si edhe kryesimi i listës së 10 sportistëve më të mirë të shekullit, tregojnë qartë se ky sportist përbën një ekzemplar të rallë. Mbase duhet studiuar nga institucioni i zbulimit të talenteve, i cili edhe nëse nuk është formatuar ende, duhet krijuar menjëherë. Është koha kur ecuria e peshëngritjes, por dhe sporteve të tjera, duhet të orientohen mbi baza shkencore dhe bashkëkohore.

Gara e parë e jetës, në sportet e rënda, është jo vetëm sfidë para një publiku të tërë, para trajnerit dhe ekipit tënd, para të afërmve të tu, por edhe para vetes tënde.

Çdo njeri, sado i pasur apo i varfër të jetë, sado mundësira financiare të ketë për të zgjedhur fushën e sportit, apo të artit ku kërkon të debutojë, gjithmonë e pret një sfidë e madhe, siç është gara, apo konkurrimi. Dhe kur vjen ora e konkurrimit, ai është ballë për ballë “murit të pushkatimit”, ku dështimin nga suksesi, i ndan vetëm një tagente fatale. Në rast suksesi, jeta jote fillon të ndryshojë qysh në minutën e parë të pas garës, ndërsa në rast dështimi, të tjerët, shokët e skuadrës apo trajneri, të lënë pas kuintave dhe nuk kujtohen më për ty. Sepse gjithkush prej tyre fikson në kokën e vet emrat e bashkëpunëtorëve të vlefshëm, me të cilët do të duhet që të punojë të nesërmen.

Biseda me babanë ishte shumë e vështirë për Farukun. Ai nuk donte ta prishte ritmin emocional të jetës së përditshme, ku sukseset akrobatike, apo numrat e forcës dhe  të shpejtësisë, i kishin falur jo vetëm publicitet në qytet, por edhe shtimin e numrit të miqve e mikeshave, qysh në moshën adoleshente. Kjo ndodhte ngaqë Faruku, përveç të tjerave, e kuptonte qartë se lartësia e fames, apo kuotat e arritjeve pozitive që kishte kapur, ishin më të larta, nga sa ai mund t’i kishte përfytyruar.

Ky sukses kishte ndodhur pa shumë sforcime, por nëpërmjet një talenti të natyrshëm, të cilin ai e reklamonte pa vështirësi. Ndërsa, në peshëngritje, brenda fjalëkryqit të konkurrencës, ai nuk e dinte nëse do ta gjente fjalëkalimin e duhur për të mbërritur në finish, me dinjitet dhe me kokën lart. Sepse publiku sportiv në atë kohë, apo më mirë të themi në çdo kohë, ta jep në dorë faturën e kostos tënde, qysh në momentin e parë. Dhe nëse ti paraqitesh mirë në një garë sportive, të nesërmen je i rrethuar me kujdesin dhe dëshirën e mbarë opinionit publik, për të qenë pranë teje.

Mirëpritja e sportdashësve ndihet qysh të nesërmen, kur sapo del në rrugë. Nëse ti ke shkëlqyer, atëherë, njerëz të njohur apo të panjohur, të ndalojnë natyrshëm në rrugë, të ftojnë për një kafe dhe intersohen të dinë më shumë për ty. Madje “investojnë” të garantojnë me ty një miqësi afatgjatë, që t’i japin të drejtë vetes të thonë: “Unë jam shoku i Filanit”.

Faruku e vazhdoi periudhën stërvitore për garën, dy muaj e gjysmë. Aq ishte limiti kohor që e ndante nga aktiviteti më i afërt i kampionatit kombëtar të peshëngritjes. Gjatë këtyre javëve ai arriti të përvetësonte mirë teknikën primitive të asaj kohe, sepse të tilla qenë kushtet. Ishte viti 1964, kur ai nuk kishte mbushur ende dy dekada jetë, ndërsa kërkesat me të cilat përballej, qenë të mëdha. Trajneri i caktonte detyra të reja çdo ditë dhe Faruku i arriti në kohë objektivat që iu ngarkuan.

Gara filloi, siç e thamë më lart, në 10 dhjetor të vitit 1964. Atë ditë qyteti muze ishte zbukuruar, jo aq shumë nga rekuizita speciale e kampionatit, por sidomos nga lëvizja dinamike e të ardhurve me rastin e kampionatit. Përveç konkurrentëve, trajnerëve dhe stafeve të dhjetra ekipeve, qenë shtuar gazetarët dhe familjarët e pjesëmarrësve në gara.

Në mjediset e brendshme dhe gjatë përgatitjes në kthinat e pallatit të sportit të Beratit, apo në tavolinën e jurisë, Faruku konstatoi se nuk njihte asnjë tjetër, me përjashtim të Hamdi Petrelës, Bujar Bodinakut dhe Telat Agollit, që ishin pjesë e personelit, apo historisë së cirkut kombëtar.

Për koincidencë, gara e parë, ashtu si në çdo kampionat, filloi nga pesha e parë, e cila ishte pikërisht pesha e Farukut. Në garën e tij ishin shumë konkurrentë, por Faruku nuk i trembej asnjerit. Përkundrazi, gjatë “nxemjes” 4-5 konkurrentë po e shihnin me panik. Ishte i panjohur për ta dhe nuk dinin se ç’mund të pritej prej tij, në aspektin e rezultateve. Nuk kaloi shumë dhe trajneri i thirri Farukut me fjalët: “Hajde, rrapatushi i babazisë”. Ai e kishte emrin Njazi, por e thërrisnin “babazi” dhe, me sa duket, ky emër i pëlqente edhe vetë. Shprehja që përdorte ndaj Farukut, nga njëra anë ishte një përkëdhelje në sedër, ndërsa nga ana tjetër shërbente si stimul, për të paraqitur ekstremet më të larta të impenjimit dhe forcës së tij.

-Hajde kampioni i babazisë, – përsëriti trajneri, këtë herë duke i interpretuar fjalët me një ton sigurie për fitoren.

Kjo i bëri konkurrentët e tjerë, që t’u shtoheshin ethet para garës.

Disa mundoheshin t’i imponoheshin shoku-shokut, me gjeste të zakonshme të lëvizjes së muskujve, por kundrejt Farukut, asnjë prej tyre nuk pati shanse që të luante “të fortin”. Sepse Faruku, qëndronte me mospërfillje, tamam si një kampion i vërtetë.

Ashpërsia ndaj tjetrit, synon nënshtrimin e kundërshtarit, rënien e moralit të tij. Kjo ndodh shpesh me boksierët që kur takohen me njëri–tjetrin, disa sekonda para garës e vështrojnë rëndë njëri–tjetrin, sikur duan t’i thonë, “do të heq kafkën”, ose “do të rrëzoj qysh në goditjen e parë”.

Pra, shikimet e tyre ndaj njëri-tjetrit shoqëroheshin me një ironi shpotitëse, me anë të së cilës donin të thoshin se do ta sfidonin kundërshtarin gjatë garës. Por nëqoftëse shikimi i ashpër ndaj njëri-tjetrit qe kthyer në zakon, Faruku nuk shihte asnjë prej tyre. Ai i kishte sytë nga trajneri i vet dhe nga publiku, ku priste të dallonte fytyrat e familjarëve të vet, babait ose nënës.

Për hir të së vërtetës, indiferenca e Farukut i bënte konkurrentët e tjerë të shprehnin interesim për të: “Kush është ky që nuk e kemi parë ndonjëherë në garat e kaluara”, – pyesnin shoku-shokun gjatë përballjeve në atë stërvitje paraprake, në prag të garës. “Eshtë një shkodran i ri, që pretendon të dalë kampion”, – përgjigjej ndokush. Faruku në atë prag konkurrimi kishte me të vërtetë pamjen dhe qëndrimin e një personaliteti të ri të sportit shqiptar. Ishte një personalitet që i sfidonte kundërshtarët, jo vetëm me rezultatet e tij, por edhe me indiferentizmin e tij ndaj tyre. Pikërisht për këtë ishte venë në qendër të vëmendjes.

Rexhep Rama, sapo pa Farukun, u çua në këmbë dhe i thirri me emër. Ai ishte veteran i sporteve të rënda dhe ngado që shkonte, gjendej i rrethuar nga një nderim i veçantë. Rexhepi ishte i gjatë dhe plot autoritet. Kur iu afrua Faruku, ai lëshoi me forcë këtë shprehje: “Ku je, arushë Shkodre, ti do bëhesh një kampion i madh!”.

Entuziazmi i Rexhepit e inkurajoi pa masë Farukun, ndërsa disa nga konkurrentët e tjerë ulën kokat, përballë asaj që pritej të ndodhte në atë sallë.

Më në fund, gara filloi. Nga artoparlanti qendror i sallës u dëgjua zëri melodioz i komentartorit sportiv, Ismet Bellova, që tha: Tani do të paraqitet peshëngritësi i Vllaznisë së Shkodrës, Faruk Kalleshi. Salla brohoriti. Brohoritjet e tyre ishin aq të gjata dhe oshëtitëse, saqë Farukut iu trefishua besimi te vetja.

Shtanga ishte vendosur në peshën e caktuar dhe Faruku shkoi pranë saj, pastaj u përqëndrua vetëm për dy – tri sekonda dhe më në fund e rrëmbeu atë nga toka dhe e ngriti lart. Në atë çast, atij iu duke se kishte në duart e veta skeletin e vjetër të tokës, të cilin po e çonte diku për ta rikuperuar. “Kjo botë duhet rindërtuar me standarde të reja bashkëkohore”, – dukej sikur thoshte Faruku, duke mbajtur mbi supe, rekordin e ri që sapo kishte vendosur.

Salla oshëtiu nga entuziazmi. Këtë radhë, brohoritjet e tyre ishin tepër të gjata dhe ato u nderprenë për 10 sekonda, kur në sallë u dëgjua një tjetër ndërhyrje e Ismet Bellovës: Peshëngritësi i talentuar i Vllaznisë së Shkodrës, Faruk Kalleshi, sapo ka thyer rekordin kombëtar”.

Në fakt, Faruku nuk dinte hollësi rreth statistikave të rekordeve. Madje, as trajneri nuk ia kishte thënë ndonjëherë, sepse pesha që ai ngrinte çdo ditë në palestrën e stërvitjes, kishte të bënte me kuotat e reja të një rekordi. Këtë sekret trajneri e mbante për të mos i krijuar Farukut ndonjë gjendje emocionale negative, që mund të ndikonte në rezultatet e tij.

Pas fjalëve të komentatorit sportive Ismet Bellova, të gjithë ishin të emocionuar dhe u ngritën në këmbë duke përplasur duart. Salla u mbush me fishkëllima entuziazmi. Vetëm Faruku nuk dukej shumë i emocionuar, megjithëse ai, në atë moment, e kishte marrë vesh që rezultati i tij ishte kuota më e lartë e arritjeve për peshën që përfaqësonte. Të tjerët përgatiteshin në palestër, për vite të tëra, duke ëndërruar rekordin, ose fitimin e garës dhe nuk ia kishin arritur. Djali i Shkodrës e bëri atë me lehtësinë më të madhe. Por në vend që t’i gëzohej suksesit të rezultatit të tij, Faruku iu drejtua publikut me një shenjë të dorës, që donte të thoshte, “prisni, se ka edhe më”. Kjo i befasoi të gjithë, sepse tregonte që Faruku do të tentonte të thyente tanimë edhe rekordin, që sapo kishte vendosur vetë.

Ai shkoi para shtangës dhe vështroi rreth e qark, sikur të ishte mbreti i asaj salle. Të gjithë prisnin në heshtje të plotë, se çfarë do të ndodhte në tapetin e kuq, ku ishte vendosur shtanga. Anëtarët e jurisë, nga lëvizjet që bënin kuptohej se qenë të emocionuar, por sidomos të entuaziazmuar. Edhe ata, si besnikë të sportit të peshëngritjes, kishin vite që prisnin rritjen e rezultateve, sepse një pjesë e tyre i kishin kushtuar këtij sporti, nga dy dekada të jetës. Por më në fund, në atë kinoteteatër të qytetit antik, kishte ndodhur para syve të tyre, mrekullia moderne e kohës. Një peshëngritës i ri, kishte çmontuar misterin dhe kishte kapur majën e olimpit të atij sporti. Ajo që dukej më befasusese qe ngulmimi i tij për të mos u ndalur në kuotën e rekordit të ri. Kalleshi sapo kishte kërkuar që pesha e shtangës të rritej.

Zëri i Ismet Bellovës u dëgjua përsëri, por këtë radhë, ky zë ishte krejt i ndryshuar nga emocioni dhe befasia. Për vetë Ismetin, kjo ishte një mrekulli e dyfishtë, sepse jo vetëm që ai gëzohej për thyerjen e rekordit, por edhe për faktin se këtë rekord e kishte thyer një bashkëqytetar i tij, një shkodran që premtonte shumë.

Në atë moment, trajneri iu drejtua Farukut me pyetjen: T’i shtojmë edhe dy kilogram?

-Patjetër, – pohoi Faruku dhe u nis menjëherë drejt tapetit.

-Jo, prit. Më parë duhet të njoftojmë gjyqtarinë, – e ndërpreu trajneri.

Pas një komunikimi të trajnerit me drejtuesit e gjyqtarisë, dy përfaqësues të Federatës u afruan drejt shtangës dhe shtuan dy rrathë, nga një në secilin krah. Arltoparlanti buçiti përsëri dhe zëri i Ismet Bellovës, që tashmë ndihej edhe më i qartë, njoftoi për tentativën e një rekordi të ri.

Faruku nuk priti, por u lëshua mbi tapet me një shpejtësi të çuditshme, sikur të kishte lënë një punë përgjysmë dhe duhej të mbaronte sa më shpejt garën, për të shkuar atje, ku ishte nisur. Sapo e mbërtheua boshtin e shtangës me të dyja duart, nga grupi i gjyqatarisë qendrore u dëgjua sërish zëri i Rexhep Ramës, që përsëriti frazën e mëparshme: Jepi arushë Shkodre!

Faruku nuk e ngriti kokën më, për të parë se ç’po ndodhte rreth e qark. Ai rrëmbeu shtangën dhe e çoi me lehtësi, deri te shpatullat, pastaj, me një shtytje brilante e ngriti lart. E mbajti një copë here, ashtu të ngritur, duke u kthyer nga gjyqtaria qendrore, sikur të donte t’u thoshte anëtarëve të jurisë: “E patë, apo keni nevojë t’i hapni sytë më mirë”?

Ndërkaq, të pranishmit në sallë nuk përmbaheshin më. Ata kishin ardhur për të parë një garë kampionati dhe padyshim ishin përgatituar shpirtërisht, për të provuar çaste kulmore të emocioneve pozitive, por deri në këtë masë, përfytyrimi i tyre nuk mund të kishte shkuar kurrë. Nuk mendohej që, pikërisht në garën e parë, në peshën e parë dhe në konkurrentin e parë, mjedisi mund të elektrizohej kaq shpejt. Nga kjo qetësi olimpike e sportistit dhe nga kjo siguri që ai përcillte në sallë, u kuptua menjëherë se Faruku do të tentonte një rekord tjetër atë ditë, përveç atyre dy rekordeve që kishte thyer deri në atë çast. Kjo u deshifrua kur trajneri i përlotur, pasi e përqafoi fort Farukun, i tha fjalët: “Eja rapatush i Babaziut, e dija që do të na nderoje Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Tani bëj si të duash”.

-Prit se nuk kam mbaruar akoma. Ka edhe më! – ia priti Faruku.

Në atë moment, trajneri afroi kokën pranë veshit të Farukut dhe ashtu i përlotur i tha disa fjalë, që të mos i dëgjonte njeri tjetër, por që në fakt, u kuptua prej të gjithëve. Sepse ato tre fjalë kishin të bënin me vazhdimin e garës. Menjëherë, pas këtij komunikimi, trajneri nxitoi drejt gjyqtarisë dhe i kumtoi atyre vendimin për ngritjen e peshës në një kuotë të re. Salla kishte kohë që nuk përmbahej më. Deri në momentin para nisjes së garës, secili nga spektatorët brohoriste për ekipin e qytetit të vet, por në rastin e këtij suksesi kombëtar, të papritur, të gjithë së bashku, nisën të brohorisnin me emrin e Farukut, i cili tanimë ishte kthyer në emblemë.

Shtanga u rrit përsëri dhe pesha e re nuk ishte menduar ndonjëherë, se mund të tentohej në Shqipëri, e jo të thyhej. Edhe ata më optimistët që merreshin çdo ditë me kalkulimet, apo parashikimet e rekordeve shqiptare, kishin llogaritur se kjo kuotë mund të tentohej të paktën pas 40 vjetësh, kur tradita e peshëngritjes në vendin tonë, të konsolidohej dhe kur kushtet stërvitore të sofistikoheshin e modernizoheshin.

Faruku u afrua përsëri te shtanga dhe me të njëjtën lehtësi, e ngriti atë lart. Entuziazmi ishte i paparë. Por Faruku atë ditë nuk ndalej. Ai kishte vendosur që t’u jepte një leksion të mirë gjithë burokratëve, apo shtangistëve, të cilët nuk dihet për ç’arsye dhe mbi ç’bazë prirjesh kishin zgjedhur peshëngritjen, si sfidë të jetës së tyre. Me këto rezultate, Faruku tregoi se për t’u marrë me peshëngritjen nuk mjaftonte dëshira, por mbi të gjitha duhej një talent i lindur e mbi të gjitha punë e disiplinë.

Atë ditë, Faruk Kalleshi i klubit Vllaznia, u shpall kampion i peshës së lehtë, deri në 52 kg duke ngritur në total, 207.5 kg.

Ai theu rekorde në të gjitha stilet dhe së bashku me entuziazmin e sallës, optimizmin e gjyqtarisë qëndrore dhe frymëzimin e brezit më të ri, për t’u afruar në këtë sport, Faruku ngjalli edhe një pesimizëm te sportistët e paaftë, të cilët i ishin futur peshëngritjes, thjesht për të marrë 5-orëshin e punës, ose për trajtimin ushqimor të mëngjesit, apo drekës.

Atë ditë, shtangistët e paaftë e kuptuan se për të qenë sportist, në radhë të parë duhet të jesh talent, me prirje të posaçme, dhe jo thjesht, të joshesh me patetizma deklaratash nëpër tryeza. Kështu, një pjesë e tyre që nuk premtonin asnjë lloj besimi për të ardhmen e këtij sporti, dhanë dorëheqjen qysh në dhomat e zhveshjes, duke menduar për ndonjë sport, apo profesion tjetër.

Gjithsesi, ky sukses i Farukut krijoi menjëherë grupin e madh të simpatizantëve të tij. Por bashkë me këtë grup, nga ana tjetër, suksesi i tij i jashtëzakonshëm, formoi dhe një kastë ziliqarësh, të cilët paguheshin nga sfera e sportit të peshëngritjes, por ishin kundër çdo suksesi të talentëve të rinj. Keqdashjen e kësaj race njerëzish ziliqarë, Faruku do ta ndjente pas shpinës së tij, gjatë gjithë jetës sportive.

 

Shpërblimi për rekordet

 

Sado të përpiqesh t’u shmangesh bisedave financiare, jo vetëm atëherë, por në çdo kohë, është diçka e pamundur. Njerëzit jetonin pak a shumë në një varfëri standarde, ku familjet shqiptare, për të blerë një palë këpucë për ndonjerin nga anëtarët e vet, duhej të kursente tre muaj rresht. Ndërsa sportistët, sidomos ata që dilnin jashtë shtetit, në këtë drejtim konsideroheshin disi të privilegjuar.

Sipas rregulloreve të kohës, shteti shqiptar që financonte sportet, ose Federata e Peshëngritjes që menaxhonte fondet, jepte 1500 lekë të vjetra për çdo rekord që thyhej. Kushti i vetëm ishte që, ky rekord i ri, të ishte 2 kilogram e gjysëm mbi rekordin ekzistues. Në fillim, “rekord” quhej çdo rritje e shtangës, qoftë edhe me 1 kilogram, por më vonë u vendosën kritere të përcaktuara dhe strikte. Pas rekordeve të Farukut, ishte radha e shpërblimeve. Kështu, përfaqësuesit e federatës bënë zarfin gati dhe firmosën procesverbalin përkatës.

Trajneri Njazi Bushati, që i njihte mirë procedurat, iu afrua Farukut dhe i tha: “Do ta marrësh zarfin, do ma japësh mua dhe unë do t’ia çoj direkt babës në Shkodër, sapo të mbrrijmë”. Faruku nuk kundërshtoi. Kur mori në dorë zarfin e parave, vuri re se ai zarf ishte tepër i lehtë, por në fakt peshonte shumë. Aty, brenda tij, ndodhej shpërblimi i rekordeve që ai theu gjatë asaj dite, por në radhë të parë, brenda zarfit “fshihej” përkushtimi i dy muajve e gjysmë të stërvitjes, si edhe ngulmimi i trajnerit për t’u inkuadruar në peshëngritje.

Shpërblimi krijoi një gjendje të re në mentalitetin e Farukut. Qysh të nesërmen e garës, ai kishte ndryshuar shumë gjëra në personalitetin e vet. Brenda një ore, emri i tij u vendos në epiqendër të vëmendjes kombëtare dhe në shpresën e ballafaqimevbe të tjera me botën sportive të peshëngritjes. Në këtë mënyrë, mbaroi kjo garë, e cila shërbeu si gur kilometrazhi, që hodhi piketat e Farukut për rrugën e mëtejshme, drejt suksesesve të reja.

Qysh të nesërmen, perceptimi i opinionit publik për Farukun, ndryshoi plotësisht. Tanimë, në sytë e tyre ai nuk ishte thjesht një akrobat cirku, por një rekordmen dhe kampion i peshëngritjes.

Megjithatë, Faruku nuk e braktisi as cirkun dhe as estradën profesioniste. Madje, kur kishte kohë të lirë, ai vazhdonte të luante edhe futboll. Duke përfituar nga fakti që provat e cirkut edhe stërvitja e shtangës bëheshin në të njëjtën palestër, dhe thuajse, në të njëjtat orare, Faruku, sapo mbaronte ushtrimet akrobatike, kalonte në këndin tjetër të shtangistëve, ku fillonte stërvitjen në shtangë.

Tani gjërat kishin ndryshuar, sepse ai qe kthyer në një lider të padiskutueshëm të këtij ekipi dhe të krejt sportit të peshëngritjes shqiptare, duke mbajtur para emrit të tij, ndajshtesën, “rekordmen” dhe “kampion” i Shqipërisë. Përveç emocioneve të mëdha, të garës së zhvilluar në Berat, zarfi i parave, qe një tjetër nxitje në vetëdijen e Farukut për të thyer rekorde të tjera. Dhe kjo tregonte qartazi, se sportisti që të ecte përpara, duhej stimuluar për çdo rrezultat pozitiv. Kjo formulë ishte edhe një nga sekretet e përparimeve botërore në peshëngritje.

Thuhej, se peshëngritësit më të mirë të Europës dhe botës ishin milionerë dhe pas stërvitjeve sportive, ata bënin një jetë përrallore. Ndërsa, në realitetin shqiptar, jeta e një peshëngritësi përballej me probleme të shumta, që lidheshin me mungesa ekonomike, duke filluar që nga vështirësitë e kushteve të palestrës ku stërviteshin.

 

 

Puna në cirk

 

Çfarë ndodhi në Cirkun e Shkodrës, pas dhjetorit të vitit 1964, kur peshëngritësi dhe akrobati Faruk Kalleshi theu 4 rekorde në peshëngritje? Situata në Cirk ishte mjaft e komplikuar. Drejtuesve të Cirkut u duhej të hiqeshin të entuzizmuar ndaj rekordeve të Farukut, por nga ana tjetër, ata ishin të tronditur. Po u ikte nga duart një supertalent, i cili u kishte garantuar sukses të plotë në dy vitet e fundit. Nga ana tjetër, të gjithë e kuptonin se mundësitë financiare për të mbajtur Farukun, me honoraret modeste të tyre ishin të pamjaftueshme. Ndërsa klubi sportiv, mund t’i afronte atij privilegjin dhe lehtësinë e pesë-orëshit në punë, trajtimin ushqimor në Turizëm dhe pagesat e rekordeve.

Regjisorit të shfaqjeve iu fashit menjëherë frika, mos Faruku e harronte fare derën e Cirkut. Sapo vuri re, që midis tij dhe Lilianës kishte lindur një ndjenjë e veçantë, në brendi ndjeu një ngrohje shpirtërore. Ai e kishte vënë re, se ata të dy nuk rrinin dot gjatë, pa njëri-tjetrin. Nga ky fakt, nisi të shpresonte se prezenca e Lilianës në Cirk, do të garantonte edhe rikthimin e Farukut, pas shërbimit ushtarak.

Liliana ishte një akrobate me prirje të lindura, por këto cilësi ajo i kultivonte çdo ditë, me anë të stërvitjes së disiplinuar e serioze. Në një farë mënyre, cirku ishte shtëpia e natyrshme e Lilianës, ndërsa Faruku, duke zotëruar prirje të gjithanshme, mund të konsiderohej një talent i mirseardhur. Ai u përshtatej shumë më mirë kërkesave profesionale të këtij zhanri.

Sipas specialistëve të kohës, Cirku kishte lindur për Lilianën dhe Liliana kishte lindur për cirkun. Për Farukun thuhej se zotëronte prirje të veçantë për të qenë rekordmen në shumë sporte njëherësh. Ai mund të hapte me lehtësi çdo “derë” ku trokoste. Mjafton të përmendim futbollin, akrobacinë, peshëngritjen, mundjen, basketbollin etj., për të vërtetuar shprehjen popullore se “ngado që ta hidhje, ai binte në këmbë”.

Pas rekordeve të para në peshëngritje, performancat e Farukut në cirk ishin të mirëprituara dhe spektakolare. Ato ditë, sapo dilte Faruku me Lilianën, spektatorët thërrisnin në kor: “kampioni Kalleshi”, “kampioni Kalleshi”, ose “kampioni i madh i Shqipërisë”, “mbreti i peshëngritjes”, etj, etj,. Kjo ishte një përshëndetje reale e mirënjohjes së bashkëqytetarëve të tij. Ata i jepnin djaloshit respektin qe ndjenin, pasi i kishte dhuruar qytetit titullin e kampionit të Shqipërisë dhe atë të rekordmenit të saj. Në këtë mënyrë ata i kërkonin ndjesë që nuk i kishin vënë re më parë mundësitë potenciale të tij. Ndjesë sepse qe trajtuar mes anonimatit, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë të Shkodrës, ndërkohë që ishte krejt i ndryshëm prej tyre. Ai kishte reflekse të një gjeniu të pakrahasueshëm në sport.

Kështu, Faruku nisi një epokë tjetër të jetës së tij dhe stërvitjen e organizoi me një përkushtim serioz. Kishte kuptuar qartësisht se që nga dita e thyerjes së rekordit, nuk i përkiste më vetëm vetvetes, por puna e tij stërvitore kishte lidhje të drejtëpërdrejtë me gjendjen emocionale dhe shpirtërore të qytetit. Dhe kjo vërtetohet nga tematika e bisedave të përditshme që bëheshin midis banorëve të Shkodrës, në ato ditë. Disa mendonin se vëmendja e qytetit fokusohej tek gara e peshëngritjes, ngaqë jeta njerëzore ishte e vakët dhe tematikat e tjera ishin të kufizuara. Por në thelb, nuk ishte kështu, sepse edhe më vonë, kur Shqipëria u hap drejt mënyrës së jetesës perëndimore, përsëri thyerja e një rekordi në peshëngritje përbënte një argument të zgjedhur për bisedat qytetare.

Në atë kohë, suksesi i Faruk Kalleshit nuk ishte vetëm për bashkëqytetarët e tij. Vërtet rekordet ishin hipotekuar në Shkodër, por për këtë ngjarje, në botën e peshëngritjes fliste e gjithë Shqipëria. Hyrja e Faruk Kalleshit në peshëngritje, ishte në radhë të parë një revolucion i shtangës shqiptare dhe kjo hyrje trumfale i ngjasonte marshimit të një “të pabinduri” drejt historisë së peshëngritjes, i cili refuzonte të njihte shifrat e rekordeve që kishin arritur të tjerët, para tij.

Faruku hyri në botën e sportit të forcës, si një meteor, duke çarë barrierat standarde të rekordeve të atëhershme, por në radhë të parë duke krijuar një filozofi të re që parashkruante në praktikë ligjin themelor të këtij sporti, i cili nënkupton se rekordet nuk njohin kufi. Ai ishte i përkushtuar kur hynte në tapet, por në pamjen e parë, dukej sikur e shpërfillte sasinë e peshave që do të ngrinte. Dukej sikur ai pyeste: “Përse vallë, për këtë copë hekuri, më keni sjellë deri këtu”? Ai e ngrinte hekurin sipër kokës, njëlloj sikur të kishte në dorë një copë dru. Slogani i Faruk Kalleshit ishte ky: “Sa herë që të ngre shtangën, duhet të thyej rekorde”. Tanimë, pas njohjes dhe verifikimit të forcës që kishte në vetvete, Faruk Kalleshit iu katërfishua dëshira për të provuar energjinë e tij, ose më mire, për ta “noterizuar” atë, në arkivat e Federatës, nëpër sfidat kundër të gjithë konkurrentëve të tjerë.

Atij iu shtua edhe pasioni për të punuar me shtangën, ndërkohë që ditë pas dite vuri re pakësimin e rivalëve. Erdhi një moment kur kundërshtarët e tij kishin mbaruar. Ose më saktë, ata ishin arratisur, sapo kishin marrë vesh saktësisht që do të ndesheshin me Faruk Kalleshin, i cili, sipas traditës, e fillonte garën pikërisht në kohën kur të tjerët kishin mbaruar provën e tretë. Dhe këtë garë, Faruku e niste gjithmonë me 10 kilogram më shumë se kundërshtari i tij më i afërt.

Në këtë mënyrë, duke u ndeshur me veteveten, ai gjeti motive që të kërkonte sfida të reja, për të thyer rekorde të njëpasnjëshme. Dhe sipas arsyetimit të brezave, por edhe sipas perceptimit, apo deduksionit të Faruk Kalleshit, rruga e vetme për t’u matur me përsosmërinë, ishte stërvitja. Nga ana tjetër, konditat sportive të asaj kohe mbartnin në vetvete një stimul serioz për rekordmenët. Një stimul që mund të konsiderohet i tillë, po të kemi parasysh kushtet ekonomiko-familjare të sportistëve. Ky stimul kishte të bënte me pagesën suplementare ose me shpërblimin e çdo rekordi. Masa e këtij shpërblimi, siç e thamë më lart, ishte 1500 lekë të vjetra, që në atë kohë barazohej gati me rrogën 15-ditore të një punëtori. Pra, ishte një vlerësim minimal, por i nevojshëm për vazhdimësinë e rrugës së një talenti.

 

Trajtimi në klubin “Vllaznia”

 

Me fillimin e vitit 1965, klubi “Vllaznia” i dha mundësinë “shtangistit kampion” të hante një drekë në Turizmin e vjetër të Shkodrës. Pra i dhanë të drejtën e trajtimit ushqimor, por që nënkuptonte një vakt në ditë dhe pikërisht drekën. Kjo mund të duket diçka e thjeshtë, në kohën e sotme, por atëherë, ishte shumë. Madje kishte nga ata individë që i futeshin sportit, vetëm për të përfituar 5-orëshin në punë dhe trajtimin ushqimor.

Gjatë kësaj periudhe, nga gara në garë, ai kuptoi se arritjet e tij kishin brenda vazhdimësinë dhe sigurinë. Dhe se këto rezultate ishin futur në axhendën e vëmendjes së zyrtarëve të sportit shqiptar, që po e ftonin gjithmonë e më tepër Farukun drejt llozhës së supertalenteve. Sepse në sport, ka ndodhur gjithmonë një fenomen ende i pazbërthyer nga teoricienët dhe analistët sportivë. Aty, individi nuk e zgjedh dot tryezën ku do të ulet. Por ai gjendet atje vetvetiu, pa e kuptuar as vetë. P.sh, një sportist mediokër, sapo hyn në një sallë, e ftojnë sportistët e tjerë me nivel nën mesatarë dhe ai gjendet vetvetiu mes mediokërve. Ndërsa një sportist i madh, ndodhet kurdoherë mes të mëdhenjve, pasi sapo hyn në sallë, atij i çohen menjëherë në këmbë, ose përshëndetet nga mjeshtrat. Pra, në një kohë të shkurtër, gjendet midis tyre. Kjo ka ndodhur gjithmonë, me Faruk Kalleshin, ku mjediset në të cilat rrinin mjeshtra, e kishin për nder të ftonin midis tyre, supermjeshtrin e madh.

 

 

Mundësi i pamundshëm

 

Duket si paradoks, por Faruk Kalleshi ka qenë gjatë dy viteve edhe përfaqësues i sportit të Mundjes, në klubin “Vllaznia”. Kjo ndodhi, sepse në atë periudhë, shokët e tij të peshëngritjes, duke e ndjerë veten të fortë e të aftë, aktivizoheshin edhe në kampionatin e mundjes. Për këtë arsye, Faruku i tha “po” propozimit që iu bë, për të marrë pjesë në kampionatin e mundjes.

Babai i tij, Xhemali, krejt ndryshe nga reagimi që kishte patur për pjesëmarrjen e Farukut në peshëngritje, aktivizimin në sportin e mundjes e priti me pakënaqësi, apo me një mosdëshirë të hapur. Këtë pakënaqësi ia shprehu dhe Farukut disa herë, sepse nuk i pëlqente që djali i tij të merrej me mundje.

Në fakt, vetë Xhemali kur ishte në moshë të re, e kishte aplikuar këtë sport, në mënyrë amoatoreske, në mjedisin sportiv të të rinjëve të lagjes “Rus”, ku kundërshtarët e moshës së vet, por edhe ata që ishin rreth 10 kilogram më shumë, i rrëzonte për tokë. Sekreti i fitores së tij qëndronte në shkathtësinë e veprimeve. Madje, në lagjen “Rus”, në atë kohë, njihej “dyluftimi” i dy Xhemalëve. Xhemali tjetër ishte 100 kilogram, ndërsa babai Farukut me peshë të lehtë, rreth 56 kilogram. Dhe kur i fusnin për të bërë mundje me njeri-tjetrin, pra “me u rrekë”, Xhemali i vogël, ose babai i Farukut, fitonte gjithmonë. Por, për të birin, ai nuk dëshironte që të rrekej me të tjerët.

Nga ana e vet, Faruku, i mësuar me bilance positive, në të gjitha zgjedhjet që kishte bërë deri atëherë, pranoi të përfaqësonte klubin “Vllaznia” edhe në tapetin e këtij dueli, për peshën deri në 52 kilogram. Por, për t’u bërë qejfin shokëve të vet për të qenë sa më komod në rrethin e mundësve, apo të trajnerëve e specialistëve të këtij sporti, Faruku vendosi ta mbante të fshehur mosdëshirën e të jatit.

Në prag të kampionatit, Klubi sportiv i Mundjes “Vllaznia”, i çoi lojtarët e vet në një regjim trajtimi, në mënyrë që të mos kishin angazhime të tjera, jashtë garës. Lojtarët e ekipit flinin në dhomat dhe mjediset e brendshme të stadiumit, që dikur njihej me emrin “Vojo Kushi”, ndërsa sot quhet “Loro Bariçi”. Megjithëse Faruku ishte njeri modest, e njihte mirë hegjemoninë e vet në peshëngritje dhe në cirk. Por rrethanat i kushtëzuan detyrimin për të qenë i pranishëm edhe në Mundje. Pas grumbullimit të ekipit të Mundjes, kur erdhi momenti i kampionatit, ai provoi një duzinë emocionesh, që nuk i kishte provuar ndonjëherë më parë. Kjo për shkak të mungesës së eksperiencës në përballjet direkte, me kundërshtarët më të fortë të Shqipërisë.

Kështu, pas përgatitjeve serioze në tapetin e palestrës stërvitore, më në fund, kampionati filloi zyrtarisht dhe megjithë rëndesën emocionale, Faruku i realizoi me fitore dy takimet e para, ndaj kundërshtarëve të vet. Por, në ditën e tretë të kampionatit, kalendari i ndeshjeve e vuri përballë një prej kolosëve të mundjes në rang vendi. Ai quhej Hysen Omi.

Hyseni konsidorohej i pakonkurrueshëm dhe kush guxonte të matej me të, duhet të mendohej dy herë. Por Faruku nuk u mendua gjatë dhe hyri në përballje, duke besuar te fitorja. Ai takim ishte deciziv për të përcaktuar se cili prej tyre do të shpallej kampion i vitit. Në këndin “Spartaku” të Shkodrës, ku zhvillohej kampionati i mundjes, gjysma e spektatorëve ishin me Hysenin, ndërsa pjesa tjetër me Farukun. Kjo sepse Omi ishte me origjinë shkodrane, nga e njëjta lagje ku kishte lindur dhe Faruku. Natyrisht, para disa vitesh qe transferurar në një zonë tjetër.

Ndeshja ishte e fortë, por Faruku e dominoi totalisht kundërshtarin dhe arriti ta mundë me rezultatin 10 me 4. Në këtë mënyrë, Faruku u shpall kampion kombëtar edhe në sportin e mundjes.

Kjo, padyshim, ishte një fitore e mundimshme, prej së cilës ai mori shumë sadisfaksion. Të njëjtën fitore, ndaj të njëjtit kundërshtar, Faruku e ripësëriti një vit më vonë, në Kampionatin e Mundjes që u zhvillua në Kukës.

Megjithatë, pikërisht në ditët kur Faruku po i gëzohej zbulimit të talentit të ri, brenda vetes, Federata e Sporteve të Rënda nxorri një rregull të ri. Një sportist mund të inkuadrohej vetëm në një lloj sporti. Ky rregull doli për të shmangur hegjemoninë e një individi në shumë prej sporteve të forcës, siç ishte rasti i Faruk Kalleshit, i cili sapo kishte marrë revanin, për të dominuar njëkohësisht peshëngritjen dhe mundjen, për peshën 52 dhe 56 kilogram.

Sipas rregullores së re, Faruk Kalleshit i paraqitën dy alternativa: mundjen, ose peshëngritjen. Natyrisht, trajnerët dhe specialistët e mundjes të klubin “Vllaznia” i qëndruan shumë afër ato ditë, për ta bindur të zgjidhte mundjen, duke i numëruar një sërë alternativash shpërblyese që buronin nga kjo pjesëmarrje.

-Ti do të jesh së shpejti kampion i Ballkanit, madje edhe më shumë, – i thoshin ata, duke ndërprerë njëri-tjetrin, në mënyrë që midis fjalive të tyre, të mos kishte vend bosh, të ndikonin në mëdyshjen e Farukut.

-Ti do të jesh ylli i mundjes shqiptare, – thoshte një tjetër dhe ndërkaq Faruku shihte me bishtin e syrit kokën e thinjur të babait, që ulte shikimin poshtë sa herë që krijonte dyshimin për mundësinë e joshjes së të birit nga alternativa e sportit të mundjes. Sepse për të, vendimi i Federatës, që çdo sportist të përfaqësohej në një sport të vetëm, përbënte një rast të mirë, që djali i tij ta braktiste njëherë e përgjithmonë mundjen, të cilën ai nuk e kishte dashur asnjëherë. Madje, tashmë qe rasti më i mirë që Faruku të largohej nga mundja si kampion i vërtetë, pa e kthyer kokën pas me pishmanllëkun e ndonjë deziluzioni.

Por Faruku ishte i qetë, sepse e kishte marrë prej kohësh vendimin e tij. Prandaj nuk shqetësohej për merakun e të jatit. Madje, ashtu si çdo fëmijë që përpara se ta lumturojë të jatin, me lajmin që do t’i japë, e lë atë të përzjejë në vetvete dyshime dhe hamendje të ndryshme, në mënyrë që surpriza e vendimit përfundimtar, ta gëzojë sa më shumë. Në fakt, sporti i mundjes i ngjante një vajze çapkëne që ia kishte bërë me sy, aty te cepi i murit, tek kthehej i lodhur nga punët e ditës, për të shkuar në shtëpi, ku e priste familja. Dhe në nxitim e sipër, ai kishte flirtuar me të, d.m.th me Mundjen, por pa e vënë asnjëherë në dyshim, lidhjen e përjetshme me Peshëngritjen. Ndërkohë, në ëndrrat e çdo minute, Faruku kishte sistemuar rezultatet periodike dhe bilancet pozitive të rekordeve të peshëngritjes, ku në mënyrë të saktë, ai e kishte mbyllur vitin 1965, me 20 rekorde kombëtare.

 

Kapitulli i tretë

 

“Arrestimi” i Farukut

 

Ata që kanë jetuar në atë kohë, e dinë mirë se si funksionin punët në fushën e sporteve. Sidomos me figurat e mëdha të sportistëve që shkëlqenin dukshëm nëpër kamponate kombëtare. Konkurrenca e ekipeve të Tiranës, për të patur superioritet, mbi të tjerët, bënte që çdo talent i rretheve të piketohej nga kryeqytetasit. Atëherë, në Tiranë konkurronin “17 Nëntori”, “Dinamo” dhe “Partizani”.

Klubi i “17 Nëntorit”, të afronte ndonjë punë të thjeshtë dhe me vështirësi ndonjë dhomë konvikti, ndërsa “Dinamo” të afronte kushte më të mira dhe një punë standarde në Ministrinë e Brendshme. Kurse “Partizani” bënte zgjidhjen më të shpejtë: Drejtuesit kishin kopetencë të urdhëronin Degën Ushtarake, dhe brenda pak ditësh, çdo talent sportiv që shfaqej, përfundonte me kokë të qethur. Pra shkonte të kryente shërbimin ushtarak në ndonjë repart të largët, ku në mëngjes pihej vetëm një gotë çaj. Atje do t’u nënshtrohej stërvitjeve nëpër male, apo më keq akoma, nisnin torturat e shërbimeve me tri e katër ndërresa, nëpër vendrojet ushtarake.

Por fill pas këtij tmerri, në repartin ushtarak shkonte një përfaqësues i ekipit “Partizani”, i shoqëruar me xhipsin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, dhe futej direkt në zyrën e komandantit. Pastaj, aty thirrej sportisti, i cili urdhërohej me fjalët: “Dorëzo pushkën dhe pajimet dhe eja pas meje”! Kjo ishte kontrata e marrëveshjes së klubit me sportistin, e cila në fillim i ngjante një arrestimi. Por sapo shkoje në mjediset e klubit, gjithçka ishte krejt ndryshe. Atje kishte një ndërtesë të madhe që shërbente si fjetore dhe më tej ndodhej restoranti apo mensa e sportistëve.

Brenda klubit gjendej palestra, ku kushtet e peshëngritjes ishin shumë herë më të mira në karahasim me palestrat e rretheve. Pikërisht, në atë moment, pra, në mëngjesin e së nesërmes, të shfaqej trajneri dhe të thoshte: “Mirë se erdhe në klubin “Partizani”!

Kështu ndodhi edhe me Farukun. Atë e thirrën ushtar. Fletëthirja ushtarake ishte krejtësisht në kundërshtim me rregullat e rekrutimit. Megjithatë, Dega Ushtarake nuk ngurroi të realizonte kontrollin paraprak shëndetësor ndaj djalit që do të shkonte ushtar. Shkelja e rregullores nga ana e zyrës së rekrutimit ishte e dukshme dhe flagrante, sepse Faruku e kishte një vëlla ushtar në Marinë, ku po kryente 4 vjet shërbimin e detyrueshëm. Bëhet fjalë pikërisht për villain e dytë të tij, Fuatin, i cili për një periudhë 10-vjeçare, kishte jetuar në Malin e Zi, për shkak të mbylljes së kufijve në vitin 1949.

Për Farukun diskutohej që të shkonte 3 vjet ushtar, në Repartin e Aviacionit të Rinasit. Në këtë mënyrë, vëllai i tij duhej të rrinte 4 vjet në det, ndërsa Faruku 3 vjet duke fluturuar në qiell, me avionë luftarakë. Në bazë të ligjit të kohës, kur një valla ishte ushtar, tjetri nuk mund të shkonte pa u kthyer ai. Një shkelje më flagarante se kaq, Dega Ushtarake e Shkodrës nuk kishte bërë ndonjëherë. Vetë drejtuesit e Degës e dinin që, nëse kjo punë do të ishte bërë me kokën e tyre, atëherë, sapo ta merrte vesh Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dumja, ata mund të përfundonin në gjyq ose në burg.

E vërteta ishte krejt ndryshe. Ata ishin ndër të paktit që e dinin sekretin e çështjes “Kalleshi”. Petrit Dumja, pasi ishte informuar nga drejtues të klubit për cilësitë sportive të Farukut, dha urdhër të prerë për rekrutimin e tij. Ata e dinin planin e operacionit të ekzekutimit të urdhrit të shefit të Shtabit. Prandaj ishin të qetë, sepse dihej që urdhri i tij, në fillim zbatohej, pastaj diskutohej.

Faruku nuk i njihte “intrigat” e Ministrisë së Mbrojtjes, por një officer i Degës Ushtarake i mbushën mendjen të jatit, Xhemalit, se i biri do të trajtohej shumë mirë për ato tre vjet.

Xhemali priste që oficeri i degës ushtarake t’i fliste më gjatë, por ai i tha vetëm dy fjalë: “Urdhri për të marrë ushtar Faruk Kalleshin është dhënë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, me porosi të ministrit të Mbrojtjes, prandaj askush nuk mund ta diskutojë”. Do të shkonte ushtar në repartin e aviacionit luftarak të Rinasit.

Para se të nisej ushtar, Farukut i lanë kohën e mjaftueshme për të marrë pjesë në kampionatin e Akrobacisë që zhvillohej atëherë në Tiranë, ku merrnin pjesë edhe pjesëtarët e cirkut shkodran. Garat e atij kampionati vazhduan tre ditë, ndërkohë që pjesëmarrësit flinin te hotel “Tirana”. Pikërisht aty, gjatë një momenti kur ai po bisedonte me Lilianën, shoqen dhe partneren e ushtrimeve akrobatike, lidhur me disa ndryshime teknike të fluturimit në ajër, papritur, dikush e njoftoi se e kërkonin për fluturimin me avion, në repartin ushtarak. Kur vajti të pyeste më konkretisht, se përse ishte fjala, konkretisht, përgjigjet që iu dhanë ishin të shkurtra dhe të prera.

-Pas garave do nisesh urgjentisht për në repartin ushtarak të Aviacionit në Rinas.

-Po si kështu?- pyeti Faruku, i cili e ndjente se i kishin mbetur të pazgjidhura, ose të zgjidhura përgjysmë disa probleme, njëra prej të cilave, ose ajo më kryesorja, ishte biseda me Lilianën. Ishte një çështje që ai donte ta çonte deri në fund, para se të nisej ushtar.

-Eshtë urdhër i prerë nga lart dhe nuk diskutohet, – ia preu fjalën personi që i transmetoi urdhrin.

-Prisni një moment, ndofta është bërë ndonjë ngatërresë, – ndërhyri prapë Faruku, i cili vazhdonte të besonte se diçka mund të bëhej në momentet e fundit.

-Petrit Dumja mund të na burgosë të gjithëve nëse ti, nuk paraqitesh në repart pas kampionatit! – ia preu tjetri edhe më shkurt.

-Si ka mundësi që Petrit Dumja të japë urdhër vetëm për mua? – u çudit Faruku, por tjetri i bëri një shenjë që të heshtëte.

-Asnjë pyetje më shumë, por mbaro garën dhe nisu për në Rinas, ku po të presin.

Kampionati Kombëtar i Akrobacisë në Tiranë, gjatë muajit dhjetor, mbaroi me sukses të plotë. Në ushtrimet e lira, Liliana u shpall Kampione e Shqiperisë. Po ashtu, kjo ndodhi edhe në ushtrimet dyshe, me partnerin Faruk Kalleshi, ku ata korrën një sukses të jashtëzakonshëm.

Lajmi i Degës Ushtarake e tronditi. Pas njoftimit për largimin e Farukut ushtar, të gjithë shokët e cirkut u prekën në thellësinë e shpirtit të tyre. Secili mendonte që, tani e tutje, ngarkesa do të rritej për të mbuluar deficitet që do të krijoheshin prej mungesës së tij. Ndërsa drejtuesit e cirkut nisën të mendonin, se si do të justifikonin repertorin e mangët të atij cirku, pa prezencën e Farukut.

Në atë moment, përgjegjësi i cirkut i tha regjisorit.

-Nesër duhet të shkosh në zyrën e punës, për të gjetur një tjetër si Faruku.

Por regjisori nuk iu përgjigj. Ai e dinte mirë nga eksperienca e tij, se artistët e vërtetë nuk zëvendësoheshin kollaj, apo me atë lehtësi që mund të zëvendësoheshin shefat e drejtorët.

-Nuk do të shkoj, – iu përgjigj përhumbshëm regjisori.

-Përse nuk do të shkosh?

-Sepse talentet si Faruku, nuk gjenden në zyrën e punës.

-Po ku gjenden? – pyeti drejtuesi.

-Asgjëkundi! Ata lindin njëherë në njëqind vjet! – tha tjetri, duke çuar ndërmend, që së shpejti atë mund ta qarkullonin ose ta hiqnin nga detyra, sepse duke larguar Farukun, Cirkut të Shkodrës i kishin hequr pjesën më spektakolare të ushtrimeve akrobatike. Kjo do ta dëmtonte rëndë repertorin e atij cirku. Natyrisht, do të shoqërohej dhe me rënien e numrit të spektatorëve.

Gjatë kthimit të pjesëtarëve të Cirkut të Shkodrës për në qytetin e tyre, oficeri i rekrutimit ndaloi autobusin e klubit në rrugën e Rinasit dhe u ngjitën në të, duke i thënë Farukut: “Takohu me shokët dhe zbrit nga autobusi”.

Në pamjen e parë, kjo dukej si skemë arrestimi. Por në fakt, këto fjalë nuk mund t’i thuheshin kujtdo në atë kohë. Nuk mund të aktivizoheshin kaq shumë njerëz, dhe me atë seriozitet, për këdo. Ata që kanë kryer shërbimin ushtarak, në ato vite, i mbajnë mend mirë kamionët ushtarakë të mbushur me rekrutë, që nxitonin drejt reparteve të tyre. Gjatë hipjes dhe zbritjes së rekrutëve nëpër këta kamionë, nuk ndihej askund ndonjë shprehje e kulturuar prej oficerëve të lartë. Dëgjoheshin vetëm disa urdhra të shkurtër si “Gati tu”, “Para marsh”, “Me hap rreshtor”, “Me vrap”, “Ndal”, etj, etj. Ndërsa, Farukut, pikërisht në ditën e rekrutimit, oficerët po i silleshin njëlloj, si ndaj një eprori të tyre.

Sidoqoftë, takimi i ndarjes me shokët ishte prekës. Ata u mallëngjyen së tepërmi, ndërsa Liliana ktheu kokën në anën tjetër, që askush të mos identifikonte lotët e saj. Por në momentin e fundit, sytë e saj të lagur u kthyen nga Faruku, duke mos patur frikë nga fshehja e së vërtetës. Ata sy donin të tregonin haptazi arsyen e lotëve. “Po qaj për ty”, dukej sikur thoshte shikimi i saj.

Pas këtij takimi, Farukun e zbritën dhe e çuan në repartin ushtarak të Aviacionit të Rinasit. Ndërsa autobusi i Cirkut vazhdoi rrugën përpara, drejt Shkodrës, ndërkohë që sytë e Lilianës mbetën prapa mjegullave të autobusit, pikërisht në drejtimin ku ajo, me përfytyrimin e vet, mendonte se ishte reparti i Aviacionit të Rinasit, të cilin në atë moment e kishte përcaktuar, si burgun e dashurisë së saj.

 

Rekordmeni – ushtar

 

Në repartin ushtarak të Rinasit, Farukun e pritën si një princ të vërtetë. Aty gjeti komandant Birçen, që në atë kohë e njihnin të gjithë për karakterin e vendosur dhe burrëror të tij. Në fillim, Birçja urdhëroi që Farukun ta çonin te menca ku hanin pilotet, duke e prezantuar si kampionin e madh të peshëngritjes, i cili do të rrinte aty vetëm dy ditë.

Të gjithë pilotët e pritën me entuziazëm ardhjen e Farukut dhe e përgëzuan për rekordet që kishte thyer në peshëngritje. Pengu i tyre i vetëm, ndaj tij, ishte fakti se ai do të qëndronte pak ditë midis tyre dhe pastaj do të largohej në klubin “Partizani”. Me kaq pak kohë, nuk mjaftonte që Faruku të mbante mend emrat e tyre, kështu që ata s’mund të pretendonin se e njohën mire. Madje kohë më pas, Faruku nuk do të mbante mend as fytyrat e tyre.

Atë ditë kishte fluturim. Faruku pati rastin të takohej me komandantin legjendar të repartit të aviacionit, që quhej Niko Hoxha. Për fat të keq, disa vite më vonë, ai humbi jetën në një aksident ajror. Sapo e njoftuan, Nikua e priti me dëshirë në zyrën e vet. Aty e pyeti: Ti je kampioni i madh i Shqipërisë?

-Po, – i tha Faruku, – unë jam!

-Shumë mire. Do të bëhemi miq, s’e unë i dua rekordmenët, – i tha Nikua.

Gjatë atyre pak ditëve që ndenji atje, Faruku u njoh thuajse me të gjithë pilotët që ishin në repart. Kjo për arsye se ata ishin njerëz të komunikueshëm dhe ushqenin respekt për njerëzit e rekordeve. Në një farë mënyre, ata ishin në një meridian bilancesh me Farukun. Nëse djali i Shkodrës ishte kampion i tokës në peshëngritje, ata ishin rekordmenë të shpejtësive reaktive në qiell. Kështu që, secili profesion, kishte nga një element superioriteti, si edhe një argument të mjaftueshëm për të lidhur miqësi të afërt midis tyre. Këtë miqësi Faruku e ruajti qysh atëherë me ata pilotë që njohu dhe shpesh herë i është dashur të përlotet, sapo ka mësuar lajmin e ndonjë aksidenti ajror në qiellin shqiptar. Kushdo që mund të binte me avion, padyshim që ishte një ndër miqtë e tij.

Në lidhje me rekrutimin ushtarak, e njëjta gjë ndodhi gjatë asaj periudhe edhe me futbollistin e njohur shkodran, Ramazan Ragamin. Nën zë, apo në rrethet e ngushta, thuhej se Ramazan Ragami ishte marrë me një makinë ushtarake, në mënyrë të fshehtë, dhe pati udhëtuar drejt Tiranës. Madje, në një kryqëzim rruge atë e mbuluan me batanije, që të mos e njihnin qytetarë shkodran, pasi nuk duhej bërë publik plani i organizuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Edhe Ragamin e çuan në klubin “Partizani”, ku në të njëjtën ditë, u takuan të dy shkodranët e mëdhenj. Nga dita e parë dhe deri në ditën e fundit të “shërbimit ushtarak”, ata nuk mundën t’i njihnin markat e armatimeve dhe as nuk firmosën gjëkundi për pajimet ushtarake, sepse direkt pas “arrestimit”, u dërguan në klubin “Partizani”, për të thjeshtuar procedurat.

 

 

Jeta në qendrën stërvitore të Partizanit

 

Jeta e re te klubi “Partizani” ishte e jashtëzakonshme, ndërsa pritja që i bënë Farukut qe miqësore dhe dashamirëse. Në fakt, ndonëse Faruku ishte tepër i ri në moshë, ai e njihte mjaft mirë “gardën e vjetër” të gjigandëve të sportit, që bënin pjesë te klubi “Partizani”. Sepse rezultatet e larta që kishte arritur brenda vitit, e kishin prezantuar emrin e tij, tek të gjithë sportistët e mëdhenj të Shqipërisë.

Disa prej sportistëve, kur dëgjonin emrin e Farukut një vit më parë, shpreheshin thjesht, “muk e njoh”, ndërsa tani, kur Faruku u shpall kampion absolut, thoshin: “Farukun e kam shok të ngushtë, jemi miq të vjetër”. Kjo ndodhte sepse miqtë e Faruk Kalleshit ishin qindfishuar brenda një viti dhe secili prej tyre e kishte për nder të përfshihej në rrethin e miqve të tij. Tani, në mjedisin e ri të klubit “Partizani”, orët e stërvitjes i ngjanin një universiteti, ku kushtet ishin të mrekullueshme, ndërsa trajneri edhe më i kualifikuar. Konditat ishin tri herë më të mira se në klubin e Vllaznisë. Nga dita në ditë ai bënte progres, sidomos në aspektin teknik të ngritjes së shtangës.

Në klubin “Partizani” ishte trajner Sejdin Gjoni, një emër i madh i peshëngritjes. Ai kishte qenë ndër rekordmenët më të njohur të këtij sporti, por tani që ishte bërë trajner, synonte kuota të reja, nëpërmjet sportistëve që stërviste.

Pavarësisht nga emrat e trajnerëve, Faruk Kalleshi ishte një fenomen. Gjatë muajve të parë në stërvitje, thyente herë pas here rekorde, por ato nuk quheshin zyrtare, ngaqë realizoheshin në mungesë të gjyqtarisë qendrore. Megjithatë, të gjithë e kuptonin se koha e solli Faruk Kalleshin, në klubin “Partizani”, për të bërë aty historinë e madhe të atij sporti. Kjo ndodhte, sepse aty kushtet ishin më të mira dhe teknika më e sofistikuar.

Ky mjedis i ri solli shumë shpejt 6 rekordet e para kombëtare në kampionatet zyrtare, ku ai kishte kohë që konkurronte pa kundërshtarë, ose më mire, pa shumë rivalë. Sepse askush nuk u afrohej dot rezultateve të tij. Por Faruku bënte shumë kujdes që të shmangte vetëkënaqësinë. Gara e parë me Partizanin u bë në muajin shkurt, ku ai theu 6 rekorde të reja. Tanimë, asgjë nuk ishte e papritur për të, apo kundrejt tij, sepse me Farukun nuk mund të matej askush, dhe me të, gjithçka ishte e mundur.

Gjatë ditëve të para, të jetës aktive në klubin e Partizanit, ai mban mend edhe një detaj tjetër. Sapo e takuan me shtangistin Selaudin Zotaj, i uroi mirëseardhjen, në një mënyrë të veçantë, duke e pritur me vargje poetike, të cilat i ndërtoi aty për aty. Vargjet ishin:

Na erdhi ushtari mikroskopik,

Por i fortë si çelik..

Eshtë i vogël dhe i lidhur ny,

Po ky, s’lën rekord pa thy.

Selaudin Zogaj ishte një peshëngritës i madh. Ai kishte trup të skalitur dhe për shumë kohë qe kampion i peshës së tij. Vinte nga Malësia e Madhe dhe gjatë shërbimit ushatrak pati qëndruar tre vjet në klubin “Partizani”. Selaudini qe i martuar dhe priste me ankth ditën e ikjes për në shtëpi. Kjo ndodhi në ato ditë, kur Faruku theu rekordin e peshës së vet. Selaudini shkoi te shefi i klubit dhe i tha: A turpnohet malësori kështu, si na ka turpëruar neve Faruku, duke thyer rekordet e peshës sime? Dhe, në atë cast, duke shfrytëzuar këtë argument, kërkoi të ikte në shtëpi, ngaqë dhe afati i shërbimit ushtarak i kishte mbaruar.

Një ditë, duke luajtur futboll, Faruku u dëmtua në këmbë. Pas disa orësh do të hynte në garat e kampionatit dhe kjo mund ta dëmtonte shumë, ndonëse nuk ishte hera e parë që Faruku shkonte nëpër gara i dëmtuar. Mjeshtri Ali Kastrati u ndie keq, por ia doli nëpërmjet masazheve të tij magjike, me të cilat bënte mrekullinë. Ai mundi ta rikuperonte shumë shpejt Farukun. Kështu veproi edhe atë ditë. Me anë të ftohëses e bëri Farukun që, jo vetëm të dilte në tapet, por edhe të thyente rekorde. Kjo tregoi se Faruku edhe kur dëmtohej, apo kur ishte i sëmurë dhe detyrohej të paraqitej në gara, do të dilte patjetër kampion.

Mjeku pohonte se organizmi dhe vertebrat e Farukut, janë të tilla që rigjenerohen shpejt, ndërsa gjendja e tij shpirtërore ishte standard. Gjatë gjithë jetës së vet u paraqit me një konstrukt të paepur dhe mentalitet rekordmeni. Edhe në garat ndërkombëtare, Faruku hynte përherë me besimin se do t’i mundte të gjithë, qofshin vendas, apo të huaj.

Në raport me rivalët e huaj, që vinin nga shtete të zhvilluara, ai ishte në kushte të pabarabarta, në të gjitha drejtimet. Që nga baza materiale e financiare, deri te kushtet teknike, apo trajtimi individual që bënin kundërshtarët e tij francezë, spanjollë, gjermanë, etj.

Në klub rrinte me shtangistin Bujar Bodinaku. Të dy shkonin në Estradën e Ushtarit, si akrobatë, ose për të kryer numra shpejtësie. Por kjo ndodhi për një peridhë të shkurtër kohe dhe në një mënyrë gjysmë ilegale, sepse shefi i klubit nuk ishte dakort që dy rekordmenët të bëheshin pjesë e estradës së ushtarit.

 

Në garat e Vlorës

 

Në muajin prill, të vitit 1965 dhe konkretisht në datat 24 dhe 25 prill, u zhvilluan garat kombëtare individuale në qytetin e Vlorës. Në këtë eveniment, morën pjesë shtangistët më të mirë të ekipeve: Partizani, Dinamo, Vllaznia, 17 Nëntori, Universiteti, Flamurtari dhe Tomori. Duhet thënë që në fillim se në atë garë, në të gjitha provat dhe stilet e aplikuara në peshëngritje, ai theu disa rekorde kombëtare.

Në Shqipëri, krejt ndryshe nga pjesa tjetër e universit, emocionet e asaj kohe ishin ekskluzive dhe të pakrahasueshme me asgjë tjetër. Mjaftion të përmendim një fakt të thjeshtë, i cili flet shumë. Garat zhvilloheshin në këndin e lojërave të qytetit të Vlorësh. Përveç sportdashësve Brenda atij mjedisi, nga ballkonet dhe dritaret e pallateve katër katëshe, që ndodhedhin rreth e qark, kishin dalë banorët. Dukeshin njëlloj si në tribunat e stadiumeve, apo pallateve sportive, ku përveç tifozëve janë edhe llozhat e vipave. Por në këtë rast, në ato “llozha” pallatesh, spektatorët nuk paguanin bileta dhe ndiqin qetësisht konkurrencën e garave sportive.

Spektatorët, brohorisnin për lojtarët e skuadrës vendase të Vlorës, por në rastin e thyerjeve të rekordeve, secili prej tyre nuk përmbahej dhe as nuk pyeste se nga cili qytet vinte rekordmeni i ri. Sepse dihej që çdo rekord, përbënte një krenari kombëtare. Ndërsa, në rastin e Faruk Kalleshit, emri i tij brenda një viti u bë i njohur për të madh e të vogël, në të gjithë vendin.

Rekordet e arritura prej tij gëzonin pa masë dhe spektatorët. Madje ata filluan të interesoheshin për diferencat dhe detajet e rekordeve homologe në Europë e botë. Në vetëdijen e tyre, pa qenë specialistë të peshëngritjes, e kishin kuptuar që Faruk Kalleshi, me lavdinë që pati fituar gjatë vitit të mëparshëm, ishte bërë një rival i denjë për rekordmenët e botës. Sapo spikeri i arltoparlantit të asaj gare thërriste emrin e Faruk Kalleshit, të gjithë ngriheshin në këmbë dhe duartrokisnin paraqitjen e tij, para tapetit të shtangës. Sepse e dinin që, me prezencën e Kalleshit, diçka e veçantë do të ndodhte. Patjetër që do të përballeshin me shifra të reja, që tregonin arritjet e rekordeve të njëpasnjëshme.

Pas garës përkatëse, spikeri njoftonte audicionin se Faruk Kalleshi sapo kishte thyer një rekord të ri. Ata e brohorisnin me force. Në fakt, vetëdija e tyre e parashikonte thyerjen e rekordit që kur emri i Farukut thirrej për konkurim. Dhe pas ngritjes së shtangës, sipas standardeve të garës, spektatorët nga katet e treta dhe të katërta të pallateve, hidhnin gonxhe karafilash e lule zambakësh, si përshëndetje për fituesin.

Faruk Kalleshi gjatë gjithë jetës së tij, sikur të kishte mundur t’i mblidhte të gjitha lulet që janë hedhur për të, padyshim që do të kishte mbushur një kopësht të tërë. Ai do të lundronte me gjelbërimin e tyre, duke formuar një kombinim shumëngjyrësh. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi gjatë atij kampionati, ai theu 4 rekorde kombëtare. Në atë garë kishin thyer rekorde edhe peshëngritësit Vehap Xhindoli, Fehmi Telegrafi dhe Shefqet Pasmaçiu.

Nga ana e tij, Faruk Kalleshi arriti këto rezultate në Vlorë: Në total 217.5 kg dhe theu 4 rekorde kombëtare. Në stilin e forcës, nga 70 kg, ai e çoi rekordin e ri në në 72.5 kg. Në stilin e shkëputjes, nga 60 kg, në 62.5 kg. Ndërsa në stilin e shtytjes, nga 77.5 kg, ai e rriti në 82.5 kg dhe në trigarësh, nga 207.5, në 217.5 kg.[6]

Pas çdo rekordi Faruku njoftonte përsëri se kërkonte të ngrihej shtanga edhe dy kilogram e gjysëm, duke respektuar vendimin e Federatës. Gjatë atyre ditëve dhe muajve, specialistët, trajnerët dhe madje edhe vetë Faruku, ndonjëherë pyeste veten: Deri kur do të vazhdojnë këto rekorde, ndërkohë që shifrat kishin kapur kapacitete maksimale? Dhe sa më pa zgjidhje i dukej ekuacioni në mënyrë teorike, aq më shumë rekorde ai arrinte të thyente në garën vijuese, në praktikë. Dukej se për t’i dhënë përgjigje enigmës, i mjaftonin vetëm 2-3 muaj përgatitje për rekorde të tjera.

Pa kaluar 5 muaj nga thyerja e rekordeve, erdhën përsëri rekorde të reja. Kjo ndodhi në 3 shtator të vitit 1965, në këndin sportiv të qytetit të Fierit, në një garë ekipore, ku morën pjesë, Vllaznia, Partizani, Flamurtari dhe 17 Nëntori. Në këtë garë u thyen 14 rekorde kombëtare, ku 4 prej tyre i takojnë përsëri Faruk Kalleshit, ndërkohë që u thyen rekorde edhe nga Fehmi Telegrafi, Sejdin Gjoni, Shefqet Pasmaçiu e Vehap Xhindoli. Në këtë eveniment, Faruku doli përsëri i pari, me këto rezultate: 228.5 kg, duke thyer rekordin kombëtar në stilin e forcës me 78 kg, në shkëputje 65 kg, në shtytje 85 kg dhe në trigarësh 228.5 kg.[7]

Gjithashtu, shumë aktivitete ka bërë në Tiranë, ku mbështetësit ishin aq të shumtë saqë në karahasimin shifror, ata mund të kenë qenë sa trefishi i mbështetësve në Shkodër. Por kjo vinte nga një sërë faktorësh. Mbi të gjitha qe numri i lartë i popullsisë së kryeqytetit. Pastaj në Tiranë jetonin e punonin shumë shkodranë. Por në radhë të parë, kjo vinte ngaqë Tirana ishte epiqendra e nderimit të rekordmenëve. Në mënyrë krejt të sinqertë, ajo i konsideronte ata, si elementë dinjitozë për përballjet ndërkombëtare. Edhe sot, ata e nderojnë dhe i ngjallin plot kujtime, sepse shumë pak njerëzve në Tiranë, mund t’u ketë ndodhur që të mos e kenë takuar ndonjëherë Farukun. Kjo për shkak të sukesit të lartë, por edhe prej natyrës së tij miqësore e modeste. Nga ana tjetër, Faruku ishte shumë krenar dhe i vetëdijshëm për vlerat që përfaqësonte dhe për miqësinë e tyre.

Tashmë emri i tij i kishte kapërcyer kufijtë e vendlindjes me kohë, duke u kthyer në një personalitet të sportit shqiptar. Por komunikimi me njerëzit ishte gjithmonë korrekt dhe pa asnjë shenjë mendjemadhësie. Kur ecte në rrugë, ndonjëherë, për shkak të shtatshkurtësisë, njerëzit nuk e besonin se ai ishte rekordmeni për të cilin gazetat flisnin çdo ditë.

Ata që e shihonin për herë të parë thoshin me zë të ulët: Nuk ka mundësi që Faruk Kalleshi të jetë kaq i imët në trup dhe kaq i shkurtër në shtat. Ne e kemi përfyturuar atë si një gjigand, mbi dy metra, me trup të bëshëm dhe plot muskuj. Ndërsa vajzat e Tiranës që kishin trup të shkurtër, ose mesatar, gëzoheshin për shtatshkurtësinë e Farukut dhe thoshin me vete, se e kishin një shans për lidhjet me të. Secila prej tyre, mund të përbënte një kombinim të shkëlqyeshëm trupor me kampionin e ri të peshëngritjes. Por edhe vajzat shtatlarta e shihnin me zili rekordmenin, duke menduar lidhjen me të, si një gjë të natyrshme, pa asnjë pengesë në raportin krahasimor të gjatësisë. Ato përfytyronin se në rastin e puthjeve me të, do t’u duhej ndofta të ulnin pak shpinën, ndërkohë që ai do t’i përfshinte në krahët e tij, duke i ngritur peshë si një kampion i vërtetë.

Në klubin “Partizani”, të gjithë iu afruan Farukut, duke mos e fshehur krenarinë që shoqëroheshin me një rekordmen.

Disa emra të spikatur, të cilët kishin lartësuar tempullin e sportit shqiptar si Loro Boriçi, Panajot Pano, Refik Resmja, etj, e konsideronin Farukun, një nga miqtë më të zgjedhur të tyre. Po kështu edhe Luigj Deda, Eliaz Ahmeti, Alush Abdihoxha e dhjetra të tjerë. Ata ishin sportistë të mëdhenj, por nuk e fshihnin kureshtjen për të kuptuar më qartë sekretin e sukseseve të Farukut. Edhe në stërvitje, këta të fundit, e ndiqnin me bisht të syrit, kur Faruku rriste peshën e shtangës. E vërteta ishte se në klubin “Partizani”, Faruku i shumëfishoi sukseset dhe rekordet e tij, duke shtuar njëkohësisht autoritetin personal, si edhe rrethin e miqve të kategorisë më të lartë intelektuale dhe profesionale. Përvoja te klubi “Partizani”, për Farukun, ishte shkollë kualifikimi për rezultate më të larta. Kjo favorizohej edhe nga fakti që aty, ishin kushte më të mira për stërvitjen se në çdo klub tjetër.

 

 

Nisja drejt Pekinit

 

Në muajin maj, të vitit 1966, u grumbullua ekipi kombëtar i peshëngritjes për një garë miqësore në Kinë, që do të shërbente si parapërgatitje për Lojërat e Ganefos. Në këtë aktivitet morën pjesë: Shqipëria, Mali, Azania, Guinea, Japonia, Siria, Kina, Kamboxhia, Ceiloni, Palestina, Pakistani etj. Shqipëria u përfaqësua me delegacionin që përbëhej nga shefi i delegacionit, Skënder Tupia, zëvendës i tij, Mihal Qipo, trajneri Ramadan Martini, si dhe peshëngritësit, Faruk Kalleshi, Ymer Pampuri, Bujar Bodinaku, Bajram Canka, Asim Belinova, Islam Malaj dhe Telat Agolli.[8]

Nga ekipi i Partizanit u zgjodhën 4 shtangistë, si Bujar Bodinaku, Vehap Xhindole, Fehmi Telegrafi dhe padyshim edhe Faruk Kalleshi.

Por pas pak ditësh, dy nga shokët e tij, Vehap Xhindole e Fehmi Telegrafi, që ishin kampionë të vendit në pesha të ndryshme, u larguan nga grumbullimi, pasi u thirrën në instancat e larta partiake të klubit, ku u fol për çështje biografie.

Në atë kohë, teprimet me analizat e mpapshta të biografive për sportistët, përbënin një një faktor regresiv në arritjen rezultateve të larta. Nën zë thuhej se një pjesë e kampionëve të vendit ishin të prekur në biografi. Letrat anonime të asaj kohe, kundër sportistëve që grumbulloheshin për jashtë shtetit, tregonin në radhë të parë se midis tyre mbizotëronte një psikologji urrejtjeje dhe një keqdashje për të tjerët, duke ndërtuar kështu, ditë pas dite, një klimë primitive dhe false. E gjithë kjo fushatë politike bëhej në emër të luftës së klasave, e cila rezultoi si një ndër defektet më të rënda të atij sistemi.

Ishte e vështirë të gjeje individ që të mos i vije një “nofkë” politike. Dikush mund të kishte patur ndonjë gjysh, kushëri apo krushk në radhët e Ballit Kombëtar. Keq shihej edhe kurqe ndonjë kushëri të dytë, apo të tretë, i angazhuar në radhët e instiucioneve fetare. Për këto arsye, sportistit i ndalohej të konkurronte në garat kombëtare.

Në mënyrë të veçantë atij i ndalohej të kalonte kufijtë e Shqipërisë, për të shkuar jashtë shtetit. Kjo bëhej nga frika e arratisjeve por sidomos për të denigrur individualitetin e sportistëve dhe për të treguar qartazi se në këtë vend, politika ishte në plan të parë dhe se ata që bënin gabime kundër partisë do të shkatërronin fatin e tre brezave të tyre.

Farukut i erdhi shumë keq, sepse ata ishin specialistë dhe teknicienë të vërtetë, por edhe shumë dashamirës e me komunikim miqësor. Te ata nuk mungonte as ndjenja e ndihmës reciorioke ndaj njëri–tjetrit, në procesin stërvitor. Ata e shihnin që, në aspektin njerëzor, te Faruku mbizotëronte sinqeriteti dhe besnikëria, ndërsa në aspektin profesional, “fshihte” rezerva të shumta energjish, për të qenë jo vetëm rekordmen i peshës së parë, por edhe rekordmen në peshën e dytë.

Grupi i shtangistëve që u nis në lojërat përgatitore të Kinës përbëhej nga 7 peshëngritës të zotë, midis të cilëve ishin edhe Vehap Xhindoli dhe Bujar Bodinaku. Ndërsa Fehmi Telegrafi nuk shkoi për arsye biografie. Faruku nuk e pyeti kurrë, as atë dhe as të tjerët, se cila ishte arsyeja biografike që e pengoi për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare. Ai e respektonte shumë Fehmiun dhe e vlerësonte për fisnikërinë që kishte.

Para nisjes për në Kinë, dy mjeshtrat e mëdhenj të peshëngritjes, Fehmi Telegrafi dhe Vehap Xhindoli, të cilët u hoqën nga lista e ekipit, e përcollën me dashamirësi Farukun. Kur u ndanë, i dhanë dorën dhe i uruan sukese: “Urime miku im dhe jam i bindur që do të na nderosh me rezultatet e tua”!- i tha Fehmiu dhe pastaj secili u nis në punën e vetë.

 

Avioni u nis

 

Kur ishte i vogël, Faruku vizatonte avionë, apo ndërtonte me fletët e fletoreve avionë prej letre, të cilët i hidhte nga qershia para shtëpisë në oborr, apo nga ballkoni i shkollës në katin e parë. Kishte raste kur aeroplanët ngelnin në degët e pishave të oborrit, gjersa niste shiu i parë. Më vonë, fëmijët që vinin nga familje me kushte ekonomike më të mira, merrnin nga prindërit dhurata ose lodra në formë avioni, të cilët i prishnin brenda ditës, për shkak të përplasjeve në tokë, por kryesisht ato nuk funksiononin për mungesë baterish.

Duket se kjo dëshirë për të luajtur me avion iu plotësua në vitet e ushtrisë, kur Dega Ushtarake e dërgoi në repartn e Aviacionit, ku “zoqtë” fluturues prej metali i shihte nga afër. Ky ishte raporti i Farukut me avionët, gjer atë ditë të ngrohtë maji, kur avioni “Malev”, fluturoi sipas intinerarit, në rrugën ajrore Tiranë-Budapest-Moskë-Pekin, qysh në orët e para të mëngjesit. Nga ky udhëtim, përveç të tjerave, Faruku kujton zhvendosjet e lehta të avionit, në boshllëqet ajrore, të cilat nuk i kishte përjetuar ndonjëherë. Në Budapest, ndaluan si transit. Në klubin e aeroportit qëndronin për rreth 1 orë e 30 minuta. Të njëjtën gjë, bënë edhe në Moskë.

Faruku dhe shokët e tij kishin marrë me vete vetëm rrobat e trupit dhe nga një veshje rezervë. Ai nuk mori asnjë lekë me vete, ndërsa për dollarë as që bëhej fjalë. Vite më vonë, doli moda e “gjelave” të floririt, apo e fshehjes së dollarëve në trup, për të bërë pazar në supermarketet e huaja. Në atë kohë, kjo modë e ndaluar, nuk njihej prej të gjithëve.

Përveç uniformës së stërvitjes, Faruku mori me vete edhe një kostum, të cilin familja ia kishte qepur në rrobaqepësi, duke zgjedhur një stof të lirë, në mënyrë që shpenzimet të mos shkonin më shumë se 1300 lekë, aq sa mund të të përballoheshin nga buxheti familjar.

Ndërsa, Faruku nisej për rrugë, vëllai i madh ishte në kërkim të krijimit të familjes. Pra interesohej për të gjetur një nuse, sepse mosha po i afrohej dalëngadalë për të marrë përgjegjësitë familjare. Babai i tyre qe vazhdimisht në borxh ndaj shtetit për kredinë bankare, që mori me rastin e ndërtimit të shtëpisë.

Familjet e sportistëve e dinin mirë se çfarë sakrificash kishin bërë prindërit, për t’u blerë fëmijëve nga një bluzë, apo kostum, sepse kushtet ekonomike ishin për të gjithë njëlloj. Me rrogat e vogla mujore, njerëzit mezi arrinin të shtynin 15 ditëshin.

Ekipi i Kombëtares shqiptare, megjithëse shkonte drejt një lufte rekordesh, ishte relativisht i vogël, pasi qe reduktuar nga e ashtuquajtura luftë klasash. Para nisjes për në Kinë, ekipi kombëtar u grumbullua te hotel “Internacional”, që ndodhet në qendër të kryeqytetit, pikërisht pas ish Ministrisë së Kulturës apo ish Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Sportistët qëndronin në katin e tretë. Faruku ishte në dhomë me Asim Belinovën, që ishte dhe mbeti, një prej shtangistëve më të mirë të Shqipërisë, në peshën e rëndë, për gjithë historinë e peshëngritjes shqiptare.

Bisedat e tyre përmblidheshin te rezultatet e pritshme të këtij kampionati miqësor në Kinë. Vëmendja e sportistëve qe përqëndruar të rezultatet që duhej të arrinin, me punë dhe përkushtim. Në atë kohë, për fat, nuk njihej dopingu. Kështu që, në një farë mënyre, konkurrentët e mbështetnin fitoren te fuqitë fizike e shpirtërore, intelektuale dhe psikologjike. Pra e gjithë qenia e tyre fiksohej te rezultati i pritshëm.

Përveç Telat Agollit dhe Bujar Bodinakut, të cilët patën qenë edhe herë të tjera në Kinë, për shkak të një specializimi afro 6-mujor, gjithë të tjerët e kishin premierën e parë të daljes para publikut të huaj. Emocionet nuk mungonin edhe pse ky do të ishte një publik miqësor e vëllazëror, siç ishte për shqiptarët në atë kohë populli kinez.

Në pëcaktimin politik, Shqipëria dhe Kina përjetonin periudhën më të shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe. Por shtangistët, pavarësisht prej solidaritetit të publikut, ishin përballë vetes dhe tapetit të kuq. Në misionin e tyre të garës, ata nuk mund të ndihmosheshin nga askush. Madje, atmosfera miqësore dhe sjellja vëllazërore e spekatatorit kinez, u shtonte sportistëve emocionet për të arritur një rezultat sa më të lartë.

Ekipi Kombëtar i Shqipërisë qëndroi 6 muaj në Kinë, duke realizuar dy gara të shkëlqyera. Ata flinin në hotelin 9-katësh të Pekinit, të quajtur “Sin Ciao”, ku Faruku flinte në një dhomë me peshëngritësin shkodran, Asim Belinova, që katëgorizohej si kampion në peshën e rëndë.

Dhomat ishin shumë të rehatshme dhe komode, me banjo brenda hyrjes dhe dushe, që kishin ujë në çdo orar. Pastaj, gjatë paradites shkonin të stërviteshin në palestër, në kuadrin e specializimit. Duhet thënë se, në aspektin teknik, vajtja në Kinë përbënte një revolucionarizim të peshëngritjes sonë. Duke filluar që nga qëndrimi në tapet, pozicioni këmbëve, kapja e shtangës, stili i ngritjes, pozicionimi i gjunjëve, ngritja e shtangës sipër kokës, bazoheshin në një teknikë të re.

Në fillim sportistët kinezë u çuditën me varfërinë e elementëve tekmikë dhe primitivitetin e atëhershëm. Ata çuditeshin edhe me faktin që Kombëtarja shqiptare, megjithë mungesat teknike, përsëri kishte rezultate shumë të mira nëpër gara.

Trajneri kinez u rraskapit, duke u përpjekur të fiksonte elementet teknikë në praktikën e shtangistëve shqiptarë, siç janë pozicionet e trupit, pozicionet e të dy duarve, etj. Por disa ditë më pas ai undie i kënaqur pasi kjo përpjekje e tij dha frytet e duhura në rezultatet e asaj gare.

Në garën e parë zyrtare, ashtu siç pritej, i pari që u përshtat më mirë dhe që triumfoi, ishte Bujar Bodinaku. Ai i kapi menjëherë stilet teknike, duke qenë i prirur për thyerje rekordesh. Pas Bujarit, Faruku ishte i dyti që u përshtat me këto stile, ndonëse në fillim i dukeshin shumë të vështira. Por gjithçka kaloi shpejt dhe ai fitoi besim e siguri të plotë, në përdorimin e metodikave të reja.

Qëndrimi 2-mujor në Kinë, për shtangistët shqiptarë u shndrrua në një shkollë të vërtetë. Ekipi kombëtar mori pjesë në dy gara zyrtare, njëra prej të cilave ishte në Shangai dhe tjetra në Pekin. Në Shangai, Faruku theu 8 rekorde dhe në Pekin, 12 rekorde. Ky sinkronizim rekordesh, të gjithëve iu duk shumë nga ana sasiore, por Faruku mendonte se në Kinë, sikur të bënte garë në çdo javë, përsëri do të thyente rekorde. Sepse atje kushtet ishin të përsosura, disiplina e fortë dhe skemat të qarta e të kuptueshme.

Shkuarja në Kinë i ndihmoi, pasi shteti prej 1.3 miliardë banorë pati avancuar jashtëzakonisht në sportin e peshëngritjes. Ata zotëronin një infrastructure shembullore, bazë materiale të përparuar dhe sporti vërtetë qe vendosur mbi baza shkencore. Në atë periudhë, në Kinë, ndodhej për një vizitë edhe kryeministri shqiptar Mehemte Shehu. Ato ditë, në Pekin, për shkak të pritjes së jashtëzakonshme, çdo shqiptar mund ta ndjente veten të privilegjuar.

Gjatë një darke madhështore në kryeqytetin kinez, ku ishte i ftuar Mehmet Shehu, ndodhej edhe ekipi i Peshëngritje sonë, si dhe shumë shqiptarë të tjerë që gjendeshin për punë të ndryshme shtetërore. Madje, në atë darkë, Faruku bëri edhe një fotografi, ku pozicioni i tij ishte në krah të ish-kryeministrit kinez, Çu En Lait. Por kjo foto u gris për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Kinën dhe frikës nga strukturat e rendit, nëse ajo kapej.

Në fillim sportistët kujtuan se ky respekt i madh që po u bëhej në Kinë, ishte për shkak të prezencës së kryeministrit. Por nuk ishte ashtu. Mrekullia e mirëpritjes vazhdoi në mënyrë standarde edhe pas largimit të Mehmet Shehut. Ndërkohë, Kina po organizonte ngritjen e ekipit të futbollit. Për këtë arsye, atje kishte shkuar trajneri ynë legjendar, Loro Boriçi, i cili ishte emëruar zyrtarisht, trajner i Kombëtares së Kinës.

 

Gara në pallatin e sportit, “Punëtori”

 

Gara filloi në pallatin e sportit, “Punëtori” të Pekinit, ku merrnin pjesë 12 shtete pjesëmarrëse, që garonin në prani të 20 mijë spektatorëve. Shtangistët që garonin aty, ishn përfaqësus të shteteve aziatike, me tradita të njohura në peshëngritje, si Koreja, Japonia, etj,. Veshja, apo uniforma e tyre ishte gati e përkryer, ndërsa uniformat e ekipit shqiptar linin për të dëshiruar. Tutat sportive, sapo visheshin njëherë, u dilnin gjunjët dhe dukeshin si të vjetëruara, për shkak të cilësisë së dobët të materialit. Ndërsa me uniformat e kundërshtarëve nuk ndodhte kjo gjë, për shkak të cilësisë së lartë.

Duke parë shtangistët e huaj me ato uniforma, të qepura bukur, Faruku dyshonte nëse do të ishte i zoti të përballej me ta. Në fakt, në konkurrimin e uniformave, ata fituan që në përballjen e parë, ndërsa në rezistencën e muskujve, Faruku i mundi të gjithë kundërsharët e vet.

Shqipëria ishte e ftuar e nderit në atë eveniment aziatik. Kjo ishte diçka e veçantë për shtangistët tanë, të cilët u ndjenë komodë. Ndërsa, për Farukun ishte gara e dytë, ku konkurronte në shkallë ndërkombëtare. Ngrohtësia që ekzistonte midis dy popujve tanë, u krijoi një mjedis të përshtatshëm peshëngritësve. Në mes të këtij mirëkuptimi, mundën të shfaqnin makismalisht aftësitë e tyre fiziko-psikologjike. Ajo sallë gjigande, që quhej “Pallat Sporti”, mund të konsiderohej edhe si një stadium.

Në mes të kësaj atmosfere brilante, ashtu siç ndodhte zakonisht nëpër garat e pshëngritjes, prezantimin e parë e bëjnë shtangistët e peshës së parë. Dhe emri i parë që u thirr në atë Pallat, ishte ai i Faruk Kalleshit. Atij i takoi të mbante në kurriz emocionet e çeljes së garës. Në atë kohë, ambasadori ynë në Pekin, ishte Xhorxhi Robo. Ai ndodhej në tribunën e VIP-ave. Robo i bëri një përshëndetje nga lart Farukut, të cilin peshëngritësi e deshifroi si shenjë motivimi e kurajoje. Ndërsa Loro Boriçi ngriti zërin dhe tha disa fjali, prej të cilave Faruku kuptoi qartë, vetëm fjalët, “Jepi Arushë”!

Kur preku cilindrin e shtangës, Faruku kishte besim të madh, se atë ditë do ta thyente patjetër rekordin. Dhe ashtu ndodhi. Në kohën kur ai ngriti lart shtangën, salla oshëtiu. Atë çast, 20 mijë vetë u ngritën në këmbë dhe megjithë vështirësinë e natyrshme gjuhësore që kishin për të theksuar emrat shqiptarë, përsëri, ata mundën të sinkronizoheshin në korr, duke thirrur emrin e Faruk Kalleshit.

Si shpërblim ndaj besimit të tyre, atë ditë sportisti shqiptar theu shumë rekorde kombëtare. Pas garës, Farukut iu afrua një gazetar kinez, i shoqëruar nga një përfaqësues i ambasadës shqiptare, që shërbente si përkthyes. Gazetari i bëri disa pyetje profesionale për peshëngritjen, por edhe në kuadrin e klimës së ngrohtë shqiptaro-kineze. Dhe Faruku, me kujdesin e një profesionisti, iu përgjigj mjaft mirë pyetjeve për rekordin e peshëngritjes, por edhe atyre të miqësisë, midis dy vendeve tona.

Gara zgjati dy orë dhe pas garës, Loro Boriçi e mori Farukun dhe e çoi në një supermarket, për t’i blerë ndonjë dhuratë. Atëherë kishin dalë në modë disa bluza me tre kopsa, që pëlqesheshin shumë nga moshat e reja. Këto dhurata përbënin për Farukun kujtimin më të çmuar nga specializimi në Kinë.

Marrëdhëniet e tij me Loron ishin të shkëlqyera dhe tepër miqësore. Sa herë që vinte Boriçi në Tiranë, ata takoheshin me mall dhe bisedonin në detaje për atë që ndodhi atë ditë, në Pallatin e sportit “Punëtori” të Pekinit. Por flisnin edhe për zhvillime të tjera sportive.

Lorua i madh, pasuria më e çmuar futbollistike e këtij vendi, e quante Faruk Kalleshin, “arushë”, gjë që përbënte një sadisfaksion edhe për rekordmenin e peshëngritjes. Boriçi e donte shumë dhe sa herë që vinte në Shqipëri, shfrytëzonte çdo rast për ta takuar. Qoftë edhe atëherë, kur kohën e kishte të kufizuar. Gjente momentin dhe takohej me kampionin e peshëngritjes. Kjo ndodhte për dy arsye. Së pari të dy vinin nga i njëjti qytet. Por më kryesorja ishte fakti që njiheshin si gjigandë të dy sporteve të ndryshme, në të cilët kishin bërë dhe po bënin historinë.

Gjatë këtyre bisedave, Faruku mban mend, se në lidhje me futbollin kinez, Lorua i kishte thënë: “Po stërvis një ekip ku besoj shumë. Tani për tani, Kina është në hapat e para të futbollit, por së shpejti mund ta shikoni si pjesëmarrës në kampionatet botërore”.

Dhe ashtu ndodhi. Ka vite që Kina merr pjesë me dinjitet në kampionatet Botërore, që zhvillohen çdo katër vjet, duke u kualifikuar ndër 24 ekipet më të mira të botës. Ndërsa tani, si trajner i një ekipi kinez, ka shkuar kampioni i botës, Marçelo Lipi. Ai vazhdon të rrisi nivelin e sportistëve, pikërisht në vendin ku Loro Boriçi themeloi futbollin.

Pa dashur të bëjmë asnjë diversion, do të ishte e pranueshme të krahasonim rrogat midis dy trajnerëve, ku Loro Boriçi merrte 7 mijë lekë të vjetra në muaj dhe Marçelo Lipi. miliona dollarë në sezon.

Në këto lojëra përgatitore të Gonefos, që u zhvilluan në Kinë, Faruku ishte më rezultativi në ekipin shqiptar. Ai theu gjithsej 3 rekorde kombëtare dhe në klasifikimin e përgjithshëm zuri vendin e katërt, shumë pranë rezultateve të vendit të dytë e të tretë, dhe 2.5 kg, larg medaljeve. Rezultatet e tij në Pekin ishin 245 kg në trigarësh (77.5+95.5+70), ku ai theu 3 rekorde kombëtare, në stilin e forcës me 77.5, në shtytje 95 kg dhe në trigarësh 245 kg, duke u renditur i katërti.[9] Por këtu duhet theksuar se gjatë atyre ditëve të qëndrimit në Kinë, ai i theu dhe i ritheu disa herë rekordet e tij personale dhe ato të Shqipërisë.

Përveç atmosferës sportive, nga kjo periudhë vlen të nënvizohen vizitat dhe shetitjet e bëra gjatë kohës së lirë, herë grupe-grupe dhe herë të organizuar si ekip, ata mundën të shihnin një pjesë të realitetit kinez. Nga vizitat e organizuara, duhet të përmendim atë te Muri i Madh kinez, ku u shpërfaq para tyre, një nga shtatë mrekullitë e botës. Gjithashtu, njëherë në dy ditë, autobusi i peshëngritësve shqiptarë, drejtohej në zona të ndryshme të Pekinit, për të vërejtur mrekullitë e muzeumeve dhe natyrës kineze, si edhe jetën e realitetit të fabrikave, apo uzinave.

 

Dollarët e sportistëve

 

Në pamjen e parë dukej sikur shqiptarët e izoluar nuk dinin, se si ishin monedhat e huaja dhe sidomos dollari. Por, në të vërtetë, shumë njerëz ruanin në shtëpitë e tyre monedha amerikane, franceze, gjermane, iltaliane, zvicerane, etj, që nga koha e luftës, ose edhe më vonë. Këtë, më mirë se kushdo, e dinin sportistët që u jepej shansi të shkonin jashtë shtetit, gjatë zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare.

Sapo caktohej data e grumbullimit, qytetarë të ndryshëm, kryesisht të njohur, afroheshin “rastësisht” dhe takonin sportistin, duke i thënë me kujdes, ose edhe troç: “Kam 50 dollarë dhe dua të blej dy palë letra bixhozi dhe një palë syze”. Ose, “po të jap 200 dollarë të më blesh një pallto për gruan, ndërsa kusurin mbaje për vete”. Pra, raste të tilla kishte në çdo rast. Por ato nuk mund të merreshin përsipër nga sportisti që në daljen e parë jashtë shtetit. Edhe vet të interesuarit e dinin që sportistit i duhej një farë kohe për të perfeksionuar metodikat e manovrimit dhe daljes nga situatat në doganën shqiptare.

Zakonisht, për atë që dilte për herë të parë jashtë shtetit, kujdesej shoku i tij i dhomës, apo një nga shokët e ekipit. Me dollarët që merrte me vete, bënte kujdes që të respektonte edhe shokun, duke i blerë suvenire për familjarët, apo thjesht letra bixhozi, sapun, çamçakiz, apo triko për të dashurën.

Herën e dytë, ky sportist bëhej dhe vet “mjeshtër” i monovrimeve të tilla, të cilat, në thelb, nuk përbënin asnjë lloj kundravajtje. Veçse shteti konservator i ndalonte pazaret me dollarë jashtë, por edhe brenda vendit. Kështu i ka ndodhur edhe Faruk Kalleshit, gjatë turneut të parë në Kinë, ku Loro Boriçi e shoqëroi nëpër supermarkete, duke i blerë disa dhurata për familjarët.

Pas disa vitesh ishte vet Faruku që u kujdes për shtangistin e talentuar, Mirjan Hakani. Ai e shoqëronte për në njësitë tregtare, ku blinte ndonjë dhuratë të thjeshtë. Faruku e mori Mirjanin dhe i mbushi një çantë me dhurata të tilla. Pastaj, i tha miqësisht: Ti do të më ndihmosh edhe mua, duke më mbajtur një çantë, kur të mbrrijmë në doganën shqiptare”. Dhe Mirjani që reflektonte gjithnjë mirësi, pranoi. Kur dolën nga dogana shqiptare, Mirjanin e priste nëna e tij. Ai mori një çantë dhe u afrua të takonte nënën, e cila i tha:

– Mirjan, harrove çantën tjetër!

-Jo, – e sqaroi Mirjani, – ajo është e Farukut.

Dhe ia zgjati çantën mikut të vet.

Ky episod ndodhte me të gjithë ata që shkonin për herë të parë jashtë kufijve të vendit më të vetizoluar të botës, siç ishte Shqipëria e asaj kohe. Por pas një farë kohe, të gjitha këto kujtoheshin duke qeshur, sepse sportistët e gjenin më me lehtësi zgjidhjen përballë situatave që u krijoheshin, duke u tallur me burokracinë e shtetit, që ndalonte edhe të drejtat më minimale të lirisë së njeriut.

 

Pas kthimit nga Pekini

 

Gjatë kthimit nga Kina, ekipi qëndroi në Moskë dhe fjeti atje një natë. Por, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara politike, që u krijuan midis dy shteteve tona, sportistët u ndaluan të shetisnin në kryeqytetin e mrekullive.

Shetitjet në Moskë, për hir të së vërtetës, duhet thënë që u ndaluan nga drejtuesit e ekipit shqiptar, me urdhër nga lart. Natyrisht, ky urdhër nuk vinte nga personeli i hotelit dhe as nga zyrtarët moskovitë, por nga Tirana.

Po përse gjithë ky tension? Pesë vjet më parë, në atë kryeqytet, udhëheqësi i shiptarëve Enver Hoxha, ishte grindur me ish udhëheqësin sovjetik, Nikita Hrushovi. Pas grindjes së dy personave të papërgjegjshëm, detyrimisht, popujt e tyre, që dikur kishin patur miqësi tardicionale, tani e tutje, do të ngujoheshin ndaj njëri-tjetrit, duke shpallur ndalim–qarkullimin.

Prandaj, peshëngritësit shqiptarë qëndruan të mbyllur në dhomat e hotelit, duke vëzhguar nga ballkonet, bukuritë e pakrahasueshme të Moskës. Ata shihnin në mënyrë të veçantë, bjondinat e hijshme moskovite, pasi syri i tyre mbërrinte deri në rrugicat aty pranë vendqëndrimit. Kjo ishte disi e dhimbshme, po të kemi parasysh faktin se, të gjithë shtangistët, gjatë shkollës tetëvjeçare e të mesme, kishin studiuar si gjuhë të dytë rusishten, gjuhën e Leninit. Pavarësisht se askush prej tyre nuk e zotëronte si duhej gjuhën e vështirë ruse, përsëri arrinin të merreshin vesh, të paktën për gjërat kryesore. Por ishin porositur që, në mënyrë absolute, të mos flisnin me asnjë individë. Për komunikimet me personelin e hotelit dhe për shërbimet e nevojshme të grupit, ishte i autorizuar vetëm njëri prej anëtarëve të ekipit.

Pasi u kthyen në Tiranë, drejtuesit e Kombëtares së Peshëngritjes, së bashku me përfaqësues të pushtetit lokal e qëndror, organizuan një mbledhje. U bë një farë analize për qëndrimin 2-mujor në Kinë. U fol lidhur me sukseset dhe defektet e paraqitura prej anëtarëve të ekipit shqiptar, në stërvitje dhe në gara. Në përgjithësi, vlerësimi ishte pozitiv dhe sjellja e shtangistëve u konsiderua korrekte. Ndërsa për rezultatet e tyre, flisnin vetë medaljet e rekordeve që kishin marrë.

Dy nga njerëzit që takoi Faruku pas kthimit, ishin shtangistët e talentuar Fehmi Telegrafi dhe Vehap Xhindole, të cilëve u kishte sjellë dhuratë nga një palë letra bixhozi. Këtë veprim e bëri dhe me shokë të tjerë, që e uronin nga zemra për dhuratat, pasi ato nuk gjendeshin në Shqipëri. Dikujt i jepte një palë letra, tjetrit stilolaps, çamçakiz, sapun “venuus”, etj. etj.

Madje, në një festë publike, gjatë vitit 2014, Vehapi i kujtoi auditorit me mirënjohje dhuratën që dikur i kishte sjellë Faruku nga Kina. Kjo vlente për xhestin fisnik të Farukut. Pavarësisht nga koniukturat politike, atë që quante mik, ai nuk e linte kurrë të vetmuar. Xhindole ishte dhe mbeti një nga miqtë më të mirë, më të ndjeshëm dhe më të kulturuar. Përveç të tjerave, Vehapi ishte njohës i mirë për disa gjuhë të huaja.

Pas kthimit nga Pekini, dhe pikërisht në datat 24 dhe 25 qershor të vitit 1966, Faruku mori pjesë në Kampionatin Kombëtar Individual, që u zhvillua në qytetin e Elbasanit. Aty morën pjesë, Partizani, 17 Nëntori, Dinamo dhe Labinoti. Në atë garë Faruku theu 2 rekorde kombëtare, duke përmirësuar kështu edhe rekordet e thyera në Pekin.

Kulminacionin e suksesit Faruku e arriti në datat 23-25 dhjetor, në pallatin e sportit “Partizani”, ku u zhvillua Kampionati i 18-të Kombëtar i Peshëngritjes, me pjesëmarrjen e 11 ekipeve më të mira, si Lokomotiva,Tomori, Luftëtari, Partizani,17 Nëntori, Universiteti, Vllaznia, Dinamo, Labinoti, Flamurtari dhe Skënderbeu.

Në këtë kampionat, Faruku doli përsëri i pari dhe theu 4 rekorde kombëtare, duke arritur në trigarësh 265 kg (90+75+110). Ai theu 4 rekorde kombëtare, në stilin e forcës nga 87.5 në 90 kg, në atë të shkëputjes nga 72.5 në 75 kg, të shtytjes nga 97.5 në 100 kg dhe në trigarësh, nga 257.5 në 265 kg, ose 5 kg më shumë se koreani Pak Dong Vuon, i klasifikuar i pari në Lojrat e Ganefos, të zhvilluaranë Pekin.[10]

 

Anketa për pesë sportistët më të mirë

 

Si në të gjitha fushat, edhe në sport, madje në të gjitha rastet, askush nuk mund ta dijë ndonjëherë, se sa i zoti është në raport me të tjerët dhe ç’vend zë ai në fushën që përfaqëson. Për shkrimtarët, artistët, futbollistët, politikanët etj., përcaktimi është gjithmonë subjektiv. Ndërsa në peshëngritje ndryshon puna. Sepse çdo shtangist vlen sa rekordi i tij i fundit, ose aq sa sasia e peshës që ka ngritur. Kështu, nëse dikush është kampion, ose rekordmen, atëherë ai vlerësohet si më i miri, sepse ka ngritur më shumë kilogram se të tjerët. Për pasojë, sipas kritereve, renditet në vend të parë, të dytë e kështu me radhë.

Faruk Kalleshi bën përjashtim. Është rast i veçantë, pasi që nga dita kur zyrtarizoi garën e tij të parë, e deri sa u largua nga pjesëmarrjet në kampionate, nuk e konceptoi dot humbjen. Dhe jo vetëm humbjen. Ai nuk e imagjinonte se si mund të dukej Pallati i Sportit, nga lartësia e pedanit të fituesit të vendit të dytë, apo të tretë. Gjithmonë, atij i rezervohej maja më e lartë e këtij pedani, ku qëndronte fituesi i vendit të parë. Dhe këtë vend e kishte merituar në sajë të talentit dhe disiplinës së hekurt në stërvitje.

Konkurrimi në atë kohë, nuk bëhej vetëm në terrenet sportive, apo në pallatet e sporteve. Në fund të vitit, gara kalonte nga palestrat nëpër gazeta, ku shpalleshin 5 sportistët më të mirë. Vetëm se atëherë, gazetat nuk ishin si disa gazeta të sotme, ku çdo çmim i parë, apo i dytë, mund të blihej lehtësisht me 100 euro. Atëherë gara mediatike ishte serioze dhe të gjithë prisnin fundvitin për të mësuar fituesit e vërtetë, që zgjidheshin nga vlerësimet e specialistëve, por edhe nga letrat e lexuesve.

Deri pak kohë më parë, Faruk Kalleshi nuk kishte pretenduar, që t’i dilte emri në ndonjë gazetë. Sepse ai kishte qenë, si gjithë të tjerët, dhe kishte një intinerar të zakonshëm të jetës. Por në vitin 1966, punët ndryshuan dhe Faruku u shpall rekordmeni më i spikatur i të gjitha kohrave, në sajë të numrit të madh të thyerjes së rekordeve, brenda një periudhe të shkurtër. Përderisa ai kishte mundur rivalët e tij në terrenin e garave, atëherë kishte të drejtë të kërkonte hegjemoninë e merituar në klasifikimin mediatik, ku zinin vend sportistët më të mirë të vitit.

Kështu, në vitin 1966, sapo u përmend për herë të parë si kandidaturë e mundshme për një nga pesë sportistët më të mire. Ai doli brenda javës në krye të klasifikimit, duke e fituar këtë anketë.

Qysh nga dita e parë e çeljes së anketës, e deri në ditën e fundit, pati me mijëra njerëz që votonin nga të gjitha trevat shqiptare për Farukun. Në atë kohë, por edhe më parë e më vonë, sporti i peshëngritjes kishte një farë popullariteti.

Në këtë aspekt, nuk mund të krahasohej kurresesi me futbollin, basketbollin, etj. Ato ishin sporte më popullore dhe me më shumë emocion tifozerie. Por arritjet e mëdha dhe rezultatet suprizuese të Farukut, bënë që në krye të kësaj ankete, të evidentohej një peshëngritës. Sepse sporti krijon gjithmonë, “material për blerësin, por edhe blerës të rinj për materialin”.

Kjo do të thotë, se rritja e cilësisë dhe dalja në publik e rekordmenëve të rinj, e shton interesimin e spektatorëve për atë soprt. Sidomos pas garave përgatitore të Ganefos, ku Faruku theu një rekord të ri ndërkombëtar, duke ngritur pesë kilogram më shumë se rezultati i mëparshëm. Emri i tij, me fuqinë e një silure, i kaloi të gjitha pengesat për të qenë në krye të listës. Atëherë, anketa e pesë sportistëve më të mirë të vitit, konsiderohej si një nga evenimentet konkurruese më të mirë të Shqipërisë. Ajo anketë organizohej në rang kombëtar dhe publikohej në gazetën “Sporti Popullor”. Me të hapej sipari i debatit në fillim të dhjetorit dhe publikoheshin emrat e fituesve, në fillimi të muajit janar.

Anketa ndiqej me vëmendje dhe emocion, jo vetëm nga konkurrentët e listës, por edhe nga publiku i gjerë. Mjafton të përmendim këtu faktin që, gjatë dhjetorit, tirazhi i gazetës ‘Sporti Popullor” trefishohej. Kjo anketë orientohej ngë dëshira dhe refleksi i çdo spektatori, apo grup spektatorësh, për të listuar 5 sportistët që kishin realizuar performancën më të mirë gjatë vitit dhe që kishin marrë rezultate të larta.

Anketa ishte racionale dhe pavarësisht nga popullariteti i madh i futbollit, organizatorët e saj tregoheshin të kujdesshëm, që aty të përfaqësoheshin të gjitha sportet. Nga java në javë rritej numri i letrave që vinin në redaksi, të cilat në dhjetorin e atij viti kërkonin evidentimin e Faruk Kalleshit, në listën e pesë emrave të fituesve. Ndryshe nga kohët e mëvonshme të pluralizmit, kur partitë politike ngritën dyshime dhe akuza të ndërsjellëta në numërimin e votave, apo në vjedhjen e tyre nga kundërshtarët politikë, në atë kohë, kishte një rreptësi strikte në numërimin e votave, për secilin konkurrent dhe seleksionimi bëhej në mënyrë perfekte.

Kështu, në një nga ditët e fundit të dhjetorit, kryeredaktori i gazetës “Sporti Popullor”, Skënder Tupja, takoi rastësisht Farukun, para se të mbyllej anketa dhe i tha këto fjalë: “Faruk, ti je pa asnjë dyshim, një nga fituesit e anketës. E meriton se gjatë gjithë vitit ke patur arrritje të mëdha, 20 rekorde kombëtare, madje, ke thyer dhe rekordin e Ganfeos”.

Gazetat “Zëri i Rinisë”, “Sport shqiptar”, “Bashkimi”, etj., u vunë në garë me njera-tjetrën, për të dhënë në kohën më të shpejtë lajmin e rekordeve të Farukut. Gara zhvillohej edhe brenda redaksisë me kryeredaktorin, për të gjetur titullin më bombastikë, për njeriun që konsiderohej “një alien i ardhur nga qielli”, për të reformuar peshëngritjen, mundjen, apo garat akrobatike që zhvilloheshin në tokë.

Ndryshe nga emocionet e garave të peshëngritjes, ku përgjithësisht Faruku njihej për qetësinë e tij olimpike, në këtë rast u trondit. Gjatë dhjetorit të anketës së pesë sportistëve më të mirë të vitit, ai u përfshi krejtësisht në reaksionin emocional, që buronte prej rivalitetit kombëtar. Për hir të së vërtetës, deri atëherë Faruku nuk kishte provuar ndjesi të tilla, kaq të forta. Madje nuk e kishte menduar ndonjëherë që të rrinte pa gjumë, duke pritur mëngjesin, për të mësuar numrin e votave që kishte marrë nga lexuesit gjatë pasdites së një dite më parë. Por në fakt, mbështetja që konstatonte nga letërshkruesit, i dyfishonin besimin e forcën, por edhe rrahjet e zemrës. Sepse ai, tashmë kishte një sfidë: Të fitonte anketën e pesë sportistëve më të mirë.

Të tjerë persona, specialistë, gazetarë, intelektualë, apo tifozë të thjeshtë, nuk e diskutonin faktin që Faruk Kalleshi do të shpallej fitues. Madje, ata thoshin se do të ishte diku, në krye të renditjes së këtij konkurrimi. Ndërsa ai vetë dyshonte akoma dhe nuk i besohej.

Më në fund, në muajin janar, doli lista me renditjen e mëposhtëme, ku Adile Dani dhe Ismail Rama ishin numri një, ndërsa Faruk Kalleshi ishte i dyti. Pas tij renditeshin mjeshtrat, Agim Fagu, Asllan Rusi, Sabah Bizi e kështu me radhë, deri sa plotësohej numri i dhjetë sportistëve. Pra, Faruku atë vit, ishte në mes të gjigandëve më të mëdhenj të sportit shqiptar. Ose, më saktë, ata ishin në krah të një fenomeni sportiv, i cili, pasi lante sytë në mëngjes, shkonte të thyente rekordin e radhës në peshëngritje.

Kështu që atë vit, midis shumë konkurrentësh dinjitozë, emri i Faruk Kalleshit u rendit i dyti, në listën e pesë sportistëve më të mirë. Kjo fitore u përsërit edhe 5 herë të tjera, për anketat e sportistëve më të mirë të vitit. Konkretisht, kjo ndodhi në vitet 1966, 1970, 1973, 1978, 1979, 1981.

Faruku, përveç fitores së 6 anketave të “10 sportistëve më të mirë”, ishte konkurrent i denjë edhe në 6 anketa të tjera. Si një nga rivalët më të fortë, është diskutuar për fitore deri në ditën e fundit. Për këtë arsye, sportdashësit për Farukun shpreheshin në mënyrë të prerë se ai përherë qe rekordmen. Të njëjtën gjë pranonin dhe opinionistët e gazetave. Mbi të gjitha flisnin votat e marra nga publiku.

Faruk Kalleshi ka qenë vit për vit nëpër anketa, – shpreheshin ata. Madje, edhe në anketën e fundit, që u zhvillua për sportistët e shekullit të 20-të, dy emra mbetën si emërues i përbashkët për çdo votues: Panajot Pano dhe Faruk Kalleshi. Mbi këta të dy, nuk bëhej asnjë diskutim. Dhe, pa këta të dy, gara nuk do të kishte asnjë kuptim. Kjo për faktin që Faruku ishte një fenomen, ndërsa Panajot Pano, një magjistar. Por jeta sportive vazhdonte.

 

 

Ngjarja rrënqethëse

 

Nëse këto rradhë do t’i lexojë ndonjë sportist, padyshim që ai do të rrënqethet nga e papritura. Nëse këtë rrëfim do ta mësonte ndonjë rekordmen i peshëngritjes, ai do të tronditet aq shumë, saqë kanë për t’i shpëtuar lotët. Në atë kohë, Faruk Kalleshi sapo kishte mbushur 21 vjeç dhe kryente shërbimin ushtarak në klubin “Partizani”. Aty stërvitej për peshëngritjen, ashtu si shumë prej sportistëve cilësorë të sporteve të ndryshme. Por një ditë, e keqja i erdhi nga fushat e futbollit. Në stadiumin “Qemal Stafa” luante 17 nëntori me Partizanin. Gjatë një ngatërrese në fushë, lojtarët e të dy ekipeve u rrahën me njëri-tjetrin, përballë tribunave të spektatorëve. Atëherë, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dumja dha një urdhër të prerë për ndëshkimin e të gjithë sportistëve të Partizanit. Në formë ndëshkimi, ai urdhëroi shpërndarjen e tyre nëpër repartet ushtarake, në skajet më të thella të Shqipërisë.

Shpërndarja e tyre ishte e përkohshme, por ajo përkoi me garat e peshëngritjes që zhvilloheshin ato ditë. Gjatë kësaj kohe Farukun e dërguan në repartin e Aviacionit të Kuçovës. Ishte i veshur me uniformën e ushtarit, si të gjithë të tjerët.

Një ditë para garave, Faruku i kërkoi leje komandës për të marrë pjesë në evenimentin sportiv dhe, më në fund, pas dhjetëra telefonatash, komanda u bind për t’i lëshuar një liridalje 24 orëshe. Faruku u nis i veshur ushtar, por shoferët nuk e merrnin në makinë, duke menduar se ushtarët nuk paguanin. Në momentin kur dielli perëndoi dhe qe gati të errej, një shofer e mori në makinë dhe e çoi Farukun në destinacion. Zbriti aty ku deshi vetë. Por nuk dinte si të vepronte, pasi nuk kishte as ku të flinte. Të nesërmen duhej të merrte pjesë në gara.

Priti derisa u largua shoferi dhe pa u vënë re prej tij, u ngjit sërish në karrocerinë e makinës. U shtri midis trungjeve të ngarkuara të pemëve dhe e zuri gjumi. Nata ishte e ftohtë dhe ai u zgjua thuajse i ngrirë, për shkak të temperaturave të ulëta. Madje, mezi i lëvizte edhe gjymtyrët. Kishte vështirësi të ngrihej nga vendi. Por kur erdhi shoferi e gjeti në karroceri, prej nga me zor po zbriste. U ndie keq që ushtari u ngdhi në makinë, kur mund ta kishte marrë në shtëpi. Por ai nuk e dinte që s’kishte vendstrehim. Biseduan, ashtu në këmbë, dhe u njohën me njëri-tjetrin. Shoferi me emrin Met Xhaferi ishte mik i vjetër i babait të Farukut. Në këtë mënyrë, Meti “i shkuli veshin” Farukut, që nuk i kishte thënë të vërtetën. Shkoi në një byrektore, ku i bleu dy byrekë. Pasi hëngri byrekët, Faruku shkoi drejt e në gara.

Dhe atë ditë arriti të thyejë katër rekorde kombëtare! Ky ishte Faruku. Tani pyetja që lind natyrshëm, është kjo: A nuk e meriton ky njeri, titullin e mjeshtrit të madh të peshëngritjes?

 

Në prag të largimit

 

Nga fundi vitit të tretë të “ushtrisë”, Farukut i lindi një dëshirë e papërmbajtshme për t’u rikthyer në vendlindje. Ishin javët dhe ditët e fundit të “shërbimit ushtarak”. Ai nuk i shpjegon dot as sot, ethet që e kapën në atë fund dhjetori, për t’u larguar drejt shtëpisë së vet, në lagjen e re të Shkodrës. Pyetjes, përse donte të ikte me aq vrull nga ajo parajsë stërvitore, ai i përgjigjet në një mënyrë filozofike, duke thënë: “As vetë nuk e di përse doja të ikja, ndofta për të bërë gabimin që bëra”.

Absurditeti që e nxiti Farukun të linte ato kushte të mrekullueshme stërvitore, në klubin më të madh dhe më të pasur të kohës, mbetet edhe sot një mister i pazbërthyeshëm. Duke kërkuar shkaqet e vërteta, që nxitën sportistin të kërkonte me ngulm librezën ushatarake të lirimit, mendja të shkon tek Liliana. Sepse, magnetizmi i bukurisë së një vajze, është shkak i mjaftueshëm për t’i braktisur të gjitha mrekullitë e tjera që të ofron fati. Por vetë Faruku e shmang mundësinë e zbulimit të nxitimit të tij, për rikthim në qytetin e lindjes. Thjesht dhe me shaka, ai thotë se, “atëherë nuk kisha këtë gjykim që kam tani. Mendoja krejt ndryshe nga koha e sotme”.

Po të thellohesh në analizën e shkakut të ikjes nga Tirana, argument që, “iku për Lilianën”, bie. Si shumë sportistë të tjerë, me kalimin e viteve, edhe ai mund ta kishte tërhequr Lilianën në kryeqytet, pa asnjë problem. Madje, ajo mund të shkëlqente akoma më tepër në karrierën e saj artistike dhe akrobatike. Por ndofta, faktorët e ikjes janë disa. Këtu mund të përmendim: familja, shoqëria, Liliana dhe dëshira për të ngritur lart emrin e klubit “Vllaznia”, edhe në sportin e peshëngritje.

Vonesa e lirimit

 

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, në dhjetorin e vitit 1967, Faruku takoi në rrugë një ish-ushtar. Më mirë të themi një moshatar të tij, që e kishte njohur para tre vitesh në repartin e Aviacionit në Rinas. Ai person, tanimë ishte i veshur me rroba civile dhe dukej shumë i gëzuar që ishte liruar nga detyra ushtarake. Të dy u përqafuan dhe Faruku e pyeti se çfarë po ndodhte në repartin e Aviacionit, në Rinas.

-Nuk di gjë fare, sepse ne jemi liruar para pesë ditësh, – sqaroi tjetri, duke vijuar se, “në listën e të liruarve, dëgjova që u thirr edhe emri yt”. Pastaj kujdestari i kompanisë mori në dorëzim uniformën dhe pajimet e tua ushtarake, së bashku me armatimin, dhe i futi në magazinë. Nga kjo u kuptua se ti rezuiltoje i lirë. Pra, je liruar nga ushtria”.

Kjo bisedë ia ngriti mendjen Farukut dhe e ngacmoi më shumë, duke bërë hamendësime të shumta. Ai e kuptoi që fleta e lirimit të tij kishte shkuar zyrtarisht në klub, por klubi nuk e kishte publikuar, sepse për 13 ditë zhvillohej Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes. Drejtuesit e klubit nuk donin të humbisnin kupat dhe rekordet vetëm për 13 ditë. Prandaj ata patën menduar të kalonte kampionati dhe pastaj të uleshin për të biseduar me Farukun, lidhur me të ardhmen.

Faruku nuk jepte shenja, që mund të pranonte negociata në këtë pikë. “Dua të iki në shtëpi”, thoshte ai gjatë çdo takimi me shefat, apo përgjegjësit e klubit. Por donte të ikte, sipas rregullave, me korrektesë dhe jo në mënyrë të dhunshme. Megjithatë, në datën 1 dhjetor, pas bisedës me ish-ushtarin e Rinasit, Faruku shkoi menjëherë të takonte shefin e klubit, që quhej Tafil Hamzai, të cilin e pyeti:

-Shef, mua më duket se më ka ardhur dita e lirimit, por ju nuk po më tregoni. A është e vërtetë?

-Jo, – i tha Tafili duke e qetësuar. Sa të vijë lirimi, ne do të organizojmë edhe një koktejl për ty. Mos harro që ne me ty krenohemi.

-Në qoftë se po e bëni këtë, për të më mbajtur deri sa të mbarojë kampionati, atëherë, ju jap fjalën se unë, edhe po të më ketë ardhur dita e lirimit, do të marrë pjesë në kampionat për ju. Por ju lutem, më sqaroni, – i tha Faruku.

-Pa ty, nuk kemi ku të mbytemi, prandaj më lërë dy javë kohë, – iu lut përsëri Tafili.

Pikërisht, 13 ditë ishte koha që nevojitej për përfundimin e Kampionatit, ku Faruku mori pjesë për herë të fundit, duke përfaqësuar ngjyrat e klubit “Partizani”. Në atë kampionat, ashtu si edhe në kampionatet e mëparshme, mjeshtri Kalleshi bëri “detyrën”, duke i lënë si peshqesh “Partizanit” edhe një kupë kampionati, me disa rekorde të tjera. Kampionati i 20-të Kombëtar i Peshëngritjes, u zhvillua më 13 dhe 14 dhjetor 1968, në pallatin e sportit “Partizani”, në Tiranë.

Aty morën pjesë ekipet më të mira të vendit si, Partizani, 17 Nëntori, Tomori, Vllaznia, Dinamo dhe Labinoti. Në këtë garë Faruk Kalleshi konkuroi në peshën e dytë deri në 56 kg dhe theu një rekord kombëtar, ndërsa në trigarësh ai arriti rezultatin 300 kg (110+80+110).[11]

Fill pas mbarimit të kampionatit, shefi i tij, Tafil Hamzai, i doli përpara Farukut duke i thënë: “Ku je mjeshtër i madh, ku je? Na nderove me rezultatet e fundit dhe të falenderojmë nga zemra. Tani, ja ku e ke edhe fletën e lirimit, bashkë me librezën ushtarake. Mund të vendosësh vetë, nëse dëshiron të rrish, apo jo!

Faruku mori fletën e lirimit dhe i bëri Tafilit pyetjen e fundit.

-Shef, përse ma mbajte të fshehur lirimin? Kush të tha, se unë mund të mos paraqitesha në kampionat, nëse më jepje fletën e lirimit?

– Askush nuk më tha, – iu përgjigj Tafili, i cili dukej se nuk donte të tregonte personin që i ngjalli në mendje aq shumë dyshime për mospjesëmarrjen e Farukut. – Kisha frikë se mungesa jote, në garën e fundit të kampionatit, na rrezikonte të mos dilnim kampionë si ekip, – shtoj tjetri. Prandaj ndodhi dhe kjo vonesë e lirimit tënd!

Në fakt, kishte të drejtë. Në atë kohë, përveç pikëve të garave të kampionatit, jepeshin shumë pikë edhe për thyerjen e rekodeve, të cilat Faruku dukej sikur i kishte në xhep dhe, sa herë që fuste dorën, nxirrte që andej me lehtësinë më të madhe një rekord të ri.

Ato ditë u bënë dhe koktejle miqësore, me iniciativa grupesh, që zyrtarizuan përcjelljen e Farukut drejt vendlindjes.

Shefat e klubit iu lutën Farukut të priste edhe dy-tri ditë, për të organizuar një ceremoni lamtumire. Dhe ashtu ndodhi. Përveç takimeve personale, me miqtë e tij më të afërt, në klub u organizua një takim përëcjellës, për rekordmenin e madh që kishte “bujtur” tre vjet në klubin e tyre. Në këtë rast, bujtësin e kishin marrë me zor, duke e futur brenda kapanonëve me urdhër special të drjtuesve të lartë ushtarakë. Por ndërkohë në atë klub, Farukut i kishin dhuruar kujtime të paharruara. Ndërsa ai i fali arkivës së “Partizanit”, 38 rekorde të thyera, në tre vjet.

Kapitulli i katërt

Rikthimi

Rikthimi i Farukut në Shkodër, u bë në fund të dhjetorit të vitit 1968. Udhëtoi me një autobus të linjës, ku e njihnin dhe e respektonin të gjithë shoferët. Sapo zbriti në vendlindje, ai u takua me shokët e ngushtë, të cilët e kishin marrë vesh saktësisht orën e kthimit dhe dolën për ta pritur. Më vonë, në vend që të shkonte në shtëpi, siç ndodh me të gjithë ushtarët e liruar, ai mori kthesën drejt Shtëpisë së Pionierit, pikërisht në mjediset ku stërvitej grupi i cirkut, me instruktore Liliana Pacin. Duke kujtuar këtë moment, Liliana shprehet kështu: “Një ditë, kur unë po bëja stërvitje me grupin e shtëpisë së Pionierit, pas shumë kohësh, shoh tek dera Farukun, i cili kishte ardhur me rrobat e ushtrisë dhe më thotë: “Sapo jam liruar nga ushtria dhe erdha menjëherë, këtu”. Unë u befasova, pasi ai nuk kishte shkuar akoma në shtëpi dhe erdhi te unë. Që atë ditë e kuptova se ai, përfundimisht, ishte i imi”.

 

Në shtëpinë e Farukut

 

Pasi takoi Lilianën, Faruku shkoi në familjen e vet, ku kishin ndodhur ndryshime. Vëllai i madh ishte fejuar me një vajzë, nga një derë e mirë. Madje, ajo kishte edhe një motër binjake dhe për këtë arsye, të dy familjet blinduan krushqinë e tyre, duke bërë lidhje të dyfishtë. Pra, dy vëllezërit e Farukut, morën dy motra binjake. Të gjitha këto operacione jetësore kërkonin edhe një gjendje të kënaqshme ekonomike. Por, në atë kohë, familja nuk kishte shumë të ardhura dhe pagesa e kredisë vazhdonte. Një pjesë e ndihmës financiare vinte nga paratë e rekordeve të Farukut, të cilat Xhemali, babai i tij, i ruante më vete me fanatizëm. Prej tyre merrte vetëm kur ndodhej me të vërtetë ngushtë. Në këtë mënyrë, edhe duke qenë ushtar, Faruku i ndihmonte ekonomikisht vëllezërit dhe familjarët e tij.

Të dy vëllezërit u martuan në një ditë dhe të gjithë e dinë, se sa e vështirë ishte atëherë, por edhe tani, të përgatisje dy martesa në një ditë. Brenda një dasme të përbashkët, të nusëronin dy nuse dhe të mblidheshin dy palë krushqi. Kështu që Xhemali, nuk kishte nga t’ia mbante. Rezervat po i mbaroheshin, ndërsa banka i kërkonte këstin e radhës për kredinë. Në rrethana të tilla, ai thirri Farukun veçmas dhe i tha:

-Tani kemi vetëm paratë e rekordeve të tua, që i kam hequr mënjanë. Ato janë nga mundi e djersa jote. Si të bëj?

Faruku e pa në sy për një copë herë dhe i tha:

-Pse po më pyet?

-Se është mundi jot!

-Nuk diskutohet fare kjo çështje. Është e kryer, – tha Faruku, si përmbyllje të bisedës.

Dhe ashtu u bë. Pas dasmës, të dy vëllezërit kishin nevojë për mobilimin e dhomave të tyre. Të blije një palë mobilje, në atë kohë, ishte e vështirë. Por gjithçka kaloi me mirëkuptimin e gjithë vëllezërve.

Pas dasmës, nëna e thirri veç babanë dhe i tha: “Këta të dy i rregullove mire. Tani mendo edhe për martesën e Farukut.

-Këtij nuk ia kam merakun fare, – tha i sigurt Xhemali. Këtij mos ia qaj hallin, se ai e ka zgjedhur vetë. Eshtë një vajzë e përsosur, – shtoj më tej Xhemali, i cili kishte dëgjuar fjalë shumë të mira për familjen e vajzës, me të cilën shoqërohej i biri. Ndërkaq, Faruku dhe Liliana vazhdonin të shoqëroheshin lirshëm dhe normalisht, si dy shokë të vërtetë, besnikë të njëri-tjetrit.

Fejesa e tyre është bërë në vitin 1970-të, pikërisht pasi Faruku tentoi thyerjen e rekordit botëror, në ndërtesën që dikur kishte qenë Kisha e Shkodrës. E tillë është edhe sot. Por në kohën që po flasim, ajo kishë qe kthyer në palestër, apo Pallat Sporti.

 

Festa e fundvitit

 

Faruku mbrriti në Shkodër, pikërisht në fund të vitit 1968. Ato ditë Vllaznia bënte një ceremoni festive me sportistët më të mirë, pikërisht te ndërtesa e klubit shkodran. Atëherë, sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës ishte Prokop Murra. Ai qe ndër të ftuarit kryesorë të kësaj ceremonie. Prokopi u informua edhe për ardhjen e Faruk Kalleshit. Nuk ishte njohur me të personalisht, por pati dëgjuar shumë rreth bëmave të tij. Lilianën e kishte njohur nëpër aktivitete kulturore. Me rastin e këtij takimi të fundvitit, Prokopi u tha përgjegjësve të aktiviteteve sportive:

-A e dini ju, që sot u është liruar një sportist i madh?

Drejtuesit e klubit e dinin këtë gjë, por kishin menduar se Faruku, i sapoliruar nga ushtria, fillimisht do të qëndronte në shtëpi, të çmallej me prindër e shokë. Për këtë arsye nuk i kishin bërë ftesë zyrtare. Por Prokopi u tërhoqi vëmendjen, duke u thënë: “Shkoni dhe njoftoheni të vij tani këtu”!

Në atë çast, mjaftoi një biçikletë për të lajmëruar Farukun, i cili pasi u vu në dijeni për ftesën dhe për interesimin personal të Prokop Murrës, numrit një të rrethit të Shkodrës, mbrriti menjëherë aty. Sapo hyri në sallë, shpërthyen duartrokitjet dhe Farukun e drejtuan në tryezën qendrore, ku Prokopi e takoi duke i thënë:

-Mirë se ke ardhur! Unë të njoh, se të kam lexuar çdo ditë nëpërmjet shtypit. Tani të pret Shkodra, me rekorde të reja!

Në atë çast, një mik i Farukut, në mënyrë të shpejtë e të vetvetishme, thirri që nga salla:

-Mos na i ke mbaruar të gjitha rekordet, atje në Tiranë, o gjigand!

-Pa merak, – ua ktheu Farruku. Kam lënë plot të tjera, për qytetin tim.

Ngaqë nuk dinte se si t’i përgjigjej folësit, Faruku bëri me gisht në mënyrë mohuese. Pastaj mori fjalën dhe foli para një auditori, që e dëgjonte me gojë hapur. Midis të tjerave, në atë takim, ai tha: “Do ta kem parasysh dëshirën tuaj dhe do të përkushtohem më shumë se te “Partizani”. Unë tani jam në kulmin e pjekurisë sportive dhe pavarësisht se atje, në klubin e madh “Partizani”, kushtet qenë më të mira, përsëri, ju premtoj, se këtu do të bëjë detyrën time, së bashku me shokët e tjerë. Unë kam objektiv kryesor, që sivjet të thyej mbi 10 rekorde”.

Salla brohoriti dhe pas Farukut foli përsëri Prokop Murra, që nuk e fshehu aspak emocionin e pranisë së “kampionit” në atë sallë. Midis të tjerave, ai e mori si shembull dhe la të kuptohej, se të gjitha premtimet duhej të vërtetoheshin në praktikë.

 

Gara e Marsit

 

Gara e parë ishte caktuar në muajin mars të vitit 1969. Pra, kishte 3 muaj kohë. Faruku, sapo mbrriti në Shkodër, bëri disa ditë pushim, me rastin e festave të fundvitit. Ditët e para të janarit nisi menjëherë nga stërvitja. Kushtet ishin njëlloj të vështira, ashtu siç i kishte lënë dikur, por tani Farukut i binin në sy më shumë mungesat në materiale e infrastrukturë, pasi bënte krahasimin me klubin “Partizani”. Trajneri nuk kishte ndryshuar fare. Ishte po ai, Njazi Bushati, i cili besonte verbërisht te Faruku, duke menduar se mund të ishte magjistar.

Duke ndjerë përgjegjësinë e besimit të të tjerëve, si edhe kushtet e pamundshme për t’u stërvitur bashkë me ekipin, Faruku i kërkoi trajnerit që, ta lejonte të vinte pak më shpejt, në mënyrë që të mos priste grupin e shtangistëve sa të bënin prova me shtangën dhe pastaj të vinte radha e tij. Njaziu pranoi, ashtu siç pranonte gjithmonë, çdo propozim të Faruku. Trajneri e kuptonte edhe vetë, se një mjeshtër si Faruku, nuk mund të priste të tjerët, disa prej të cilëve po mësonin nga e para mënyrën se si ngrihej shtanga. Disa prej tyre, ende nuk i kishin përvetësuar teknikat e ngritjes së saj, ndërkohë që Faruku, nuk mund të ulte ritmin e stërvitjes.

Natyrisht, bashkëbisedimin me trajnerin ai e zhvilloi në një frymë mirëkuptimi, sepse rekordmeni nuk donte të bënte ligjin e të fortit. Trajneri e miratoi kërkesën e Farukut. Ndërkohë, stërvitja vazhdonte në kushtet e mëparshme te palestra, pranë vendit që quhej “Kafja e Madhe”. Me të njëjtët cilindra dhe me të njëjtat metoda tekniko –taktike, pa ndryshuar asgjë.

Shpesh herë Faruku ndjente dhimbje për këtë mosdëshirë të përgjegjësve të sportit shkodran, për ndryshimin e kushteve. Por e kuptonte që ato s’mund të ndyshoheshin me sustë. Varfëria ishte ngado dhe sporti nuk mund të bënte përjashtim. Duke i analizuar një e nga një emrat e shefave që përgjigjeshin për peshëngritjen shkodrane, rezultonte se qenë njerëz të nderuar. Por fakti, që asgjë nuk po ndryshonte në mbarëvajtjen stërvitore, tregonte se punët nuk po shkonin mirë. Ndërkohë, perspektiva mund të ishte edhe më e zymtë.

Përveç stërvitjes, Faruku kishte edhe detyrimin e shfaqjeve dhe përgatitjeve në cirk. Kishte raste kur i duhej të mbaronte stërvitjen pak më shpejt, sepse shfaqja fillonte në një orar tjetër, ose për shkak se Estrada Profesioniste do të nisej për turne nëpër zona e rrethe të tjera. Gjatë gjithë ditës ishte në aktivitet të plotë, sepse vazhdonte njëkohësisht shfaqjet e cirkut, të estradës dhe garat e peshëngritjes. Ky angazhim i madh kërkonte prej tij, një gërshetim të komponentëve, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat kohore.

Pasi erdhi nga “Partizani”, Faruku ishte kampion në të dy peshat përkatëse, pra, në peshën 52 kilogram dhe 56 kilogram. Ndërkaq, rivalët e tij në klubet e tjera, duke e trajtuar si një superkampion, interesoheshin para çdo gare, se në cilën peshë do të merrte pjesë Faruku. Dhe nëse ai do të garonte në peshën deri në 52 kilogram, atëherë, ata zgjidhnin peshën 56 kilogram, ose anasjelltas. Në peshën e tij nuk guxonin të përballeshin. Diferencat e vogla, midis këtyre dy peshave, zgjidheshin lehtë me anë të manovrimeve të njohura nga shtangistët. Nëpërmjet shoqërisë dhe miqësisë së tyre, kundërshtarët interesoheshin deri në detaje, se si do të vepronte Faruku gjatë garave. Në gjuhën e sotme sportive, këta informatorë quhen “spiunë të klubeve” dhe arsyeja e mbledhjes së informacioneve ishte mospërplasja me Farukun, ku secilin prej tyre e priste dështimi i sigurtë.

Kishte raste kur Faruku, duke qenë i ngopur me kampionate, kupa, apo medalje, i toleronte shokët e tij të ekipeve të tjera, duke i hapur krahun në peshën që ata dëshironin dhe njëkohësisht, duke konkurruar vetë në peshën tjetër, që ata e quanin “pesha rezervë”

Por në muajin mars, para garave, ai u takua me mall me ish trajnerët dhe kolegët e tij të “Partizanit”, si psh., me Seit Gjonin, Luigj Dedën, etj.

Ata i shtrënguan dorën fort, megjithëse e dinin se tani e tutje, të gjitha rekordet e peshës 52 dhe 56 kilogram, do të merrnin rrugën për në Shkodër. Në të vit, në garat e shkurtit të atij viti, Faruku konkurroi për peshën deri në 56 kg dhe theu 3 rekorde të tjera.

Garat kombëtare të ngritjes së peshave u zhvilluan në datat 8 dhe 9 mars, në pallatin e sportit “Partizani”, me pjesëmarrjen e ekipeve të Dinamos, Studentit, Vllaznisë, Partizanit, 17 Nëntorit, Labinotit dhe Lokomotivës. Në këtë kompeticion u vendosën 10 rekorde nga dy shkodranë, të cilët ishin Asim Belinova dhe Faruk Kalleshi. Edhe pse Kalleshi konkuroi në peshën e dytë, deri në 56 kg, zuri vendin e parë, me këto rezultate: 285 kg (102.5+75+107.5). Ai theu rekordin kombëtar në stilin e forcës me 102.5 kg, të shtytjes me 107.5 kg dhe trigarësh me 285 kg.[12]

 

Një garë tjetër

 

Garat e tij janë të shumta e të panumërta. Fitoret gjithashtu. Atë ditë, si zakonisht, para garave Faruku u peshua dhe ishte më tepër se 52 kilogram, që do të thoshte se, në mënyrë kategorike, nuk do të konkurronte në peshën deri në 52 kilogram. Por ai nuk njihte peshë, njihte vetëm rekorde. Dhe aty, Faruku theu rekordin e një peshe tjetër, që konsiderohej si pesha e dytë, ku rekordmen ishte shtangisti i njohur Ymer Pampuri. Por Faruku i tejkaloi shifrat e tij. Diferenca e rekordit të tij, me atë të mëparshëm, ishte 22 ,5 kilogram më shumë. Kjo do të thoshte se askush pas tij, të paktën për 20 vjet, nuk mund të tentonte për të kapur këto kuota në peshën e dytë, deri në 56 kilogram.

Në tregarësh u tregua absolut. Deri atëherë, rekordi i tregarëshit ishte 300 kilogram, ndërsa Faruku ngriti 22 kilogram më shumë, duke e çuar rekordin e ri në 322 kilogram. Gjithashtu, rekordi i mëparshëm në stilin e forces ishte me 100 kilogram, ndërsa Faruku e çoi në 115 kilogram.

 

Rekord pas rekordesh

 

Siç e thamë, në garat e Kupës së Republikës, në muajin shkurt 1969, Faruku theu 12 rekorde. Mjaft emocionante ishte dhe thyerja e rekordit kombëtar, po atë ditë, me 107.5 kg. Ndërsa në garat e muajit maj, në Shkodër, Faruku ishte me peshë trupore 53.4 kg dhe kësisoj, ai theu rekordet e peshës së dytë, që mbaheshin nga Ymer Pampuri. Ndërsa, rekordin e 3 garëshit, e theu nga 300 kg, në 322 kg, pra me diferencë 22 kg.

Kur Federata pa rezultatin e Farukut në stilin e forcës, për peshën deri në 56 kilogram, në atë kohë ndodhi një çudi. Rekordi botëror në stilin e forcës ishte 112 kilogram, ndërsa rezultati i Farukut ishte 115 kilogram. Pra, 3 kilogram më shumë se rekordi botëror. Kjo bëri që drejtuesit e Federatës së Peshëngritjes, të shihnin njëri-tjetrin në sy, disi të habitur. Si mund të qëndronin kaq të heshtur, në një kohë kur rekordi botëror ishte thyer nga një shqiptar!

Menjëherë u njoftua ministri i Arsimit, Thoma Deliana, të cilit i kërkuan mendim dhe si duhej të vepronin. Natyrisht, Federata e Peshëngritjes kishte planifikuar paraprakisht një garë zyrtare dhe publike, në prezencë të një gjyqtarie kompetente, për njohjen e rekordit botëror të Faruk Kalleshit. Nga ana e ministrit Deliana, përgjigja erdhi brenda gjysmë ore. Ishte përgjigje positive. Kështu që gara përcaktuese për njohjen e rekordit botëror, u cakua në 8 korrik të vitit 1970, në Pallatin e Sportit të Shkodrës.

 

Rekordi Botëror

 

Duke u gdhirë data 8 korrik 1970, në Shkodër, shumë pak njerëz bënë gjumë të qetë, sidomos nga meshkujt që ndiqnin zhvillimet sportive. Shumica e tyre, duke pritur provën e madhe të rekordit botëror të Faruk Kalleshit, patën një gjendje emocionale të trazuar. Dhe ishte e arsyeshme. Federata Shqiptare vendosi të bëjë një garë zyrtare për të “noterizuar” thyerjen e rekordit botëror të Farukut. Dhe kjo garë zyrtare u organizua në ish Kishën e Shkodrës, të kthyer në pallat sporti.

Në qytetin e kulturës kishte një javë që, preokupimi kryesor ishte gjetja e një bilete për të parë këtë spektakël të madh. Nga ana tjetër, të gjitha hotelet e qytetit ishin plot, qysh një natë më parë. Nga të gjitha rrethet e Shqipërisë kishin ardhur njerëz të ndryshëm, kryesisht intelektualë, zyrtarë, ekspertë të peshëngritjes, shtangistë, sportistë të tjerë, për të qenë dëshmitarë të triumfit që pritej. Ndërsa, në Turizmin e Shkodrës, vendet ishin prenontuar një javë më parë.

Inspektori i Klubit Vllaznia, Rifat Uruçi, bëri një organizim të shkëlqyer, që i përshtatej plotësisht garave ndërkombëtare. Por Federata gaboi që në fillim, me organizimin e kësaj gare. Në radhë të parë, sepse ajo u zhvillua pa konkurrentë dhe vetëm me pjesëmarrjen e Farukut. Nga ana tjetër, madhështia ceremoniale e këtij organizimi rëndonte mbi emocionet e protagonistit.

Në sallë ishin rreth 3000 spektatorë. Në fillim garuan disa nga emblemat e peshëngritjes së Vllaznisë, pastaj erdhi radha e mjeshtrit të madh, që po tentonte të zhvendoste diskun e horizontit të peshëngritjes botërore. Ishte duke kërkuar një kuotë të re, për të ardhmen. Por diçka nuk shkonte. Ndofta pompoziteti i madh me të cilën ishte përgatitur gara, e cila ngjasonte më shumë me një ceremoni festive dhe jo si fushë beteje, për të fituar trofeun.

Nga artoparlanti u dëgjua zëri i Xhafer Bogdanit, i cili bëri të ditur se kishte ardhur më në fund ora e Faruk Kalleshit. Në sallë pati brohoritje të forta, ndërsa kur Faruku preku shtangën, heshtja ishte absolute. Por vetëm kaq. Siç thotë gazetari Namik Mehmeti, në artikullin e datës 16 janar të vitit 1998, në gazetën “Sporti shqiptar”, “shtanga nuk bindet në duart e Kalleshit edhe pse ajo ishte shkëputur nga podi”.

Kush e kishte fajin”? Askush! Ndofta ishte pikërisht ky organizim, që e bëri Farukun të dështojë. Sepse organizimi u zhvillua në mënyrë pompoze dhe shumë të sforcuar, duke thirrur në sallë edhe bandën muzikore të Republikës. Mbi të gjitha, kjo garë u organizua në mjediset e ish kishës së Shkodrës. Madje, nga salla, Faruku dëgjoi një zë, që i thiri në dialektin shkodran: Po ti, në Kishë kërkon të thyesh rekorde?

Kjo thirrje e vrau në shpirt Farukun. Përveç të tjerave, ai e kuptonte më mirë se të gjithë, që gabimi e kishte emrin “organizim”. Defekt qe dhe festa para garës. Një festë gjigande. Natyrisht mirë do të qe të ruhej për momentin e pas garës dhe pas thyerjes së rekordit.

Të gjitha këto, në mënyrë të natyrshme, ndikuan tek Faruk Kalleshi dhe ai nuk arriti dot ta ngrinte atë cilinëdër, që do të shpallte menjëherë një festë madhështore, në të gjithë vendin. Nuk ngriti dot peshën që e pati ngritur disa herë në stërvitje. Ndaj qe e papritur. Ndaj themi që edhe aktiviteti u pompua artificialisht dhe ndikoi negativisht te Faruku.

Në vetvete, Faruku do të kishte zgjedhur një organizim modest dhe disi të zakonshëm, për të mos e rënduar psikologjikisht atë. Por në lidhje me organizimin, nuk kishte asgjë në dorë, sepse askush nuk e pyeste sportistin, nëse duhej thirrur banda muzikore, televizioni dhqiptar, Kinostudioja, etj. Në fakt, sipas Farukut, banda mund të thirrej, por pas thyerjes së rekordit dhe jo para tij, ndërkohë që pjesa e pompozitetit duhej shmangur. Kjo bëri që Faruku, për shkak ngarkesës emociale, pjellë e mjedisit të krijuar, të mbetej pesë kilogram më poshtë se pika kritike e thyerjes së rekordit botëror.

Pas kësaj tentative, Faruku i kërkoi ndjesë publikut shkodran, për atë që ndodhi, ose më mirë për atë që nuk ndodhi. Por e mirëkuptuan të gjithë. Tre mijë vetë u ngritën në këmbë duke e durtrokitur. Ky ishte i vetmi event me rëndësi ndërkombëtare, ku Faruku njohu se çfarë shije të hidhur kishte dështimi. Ose të paktën mosrealizimi i dëshirave për objektivat e caktura. Ndërsa në çdo eveniment tjetër, para dhe pas kësaj tentative, Faruku ka shkëlqyer mrekullisht me forcën, talentin dhe psikologjinë e tij.

Këtu është rasti të përmendim edhe njëherë se këtë peshë, pra këtë rekord, Faruku e pati thyer me dhjetra herë në stërvitje. Madje, ata që e kanë parë me sytë e tyre, thonë se “Faruku tallej me këtë rekord, duke e ngritur lehtësisht atë”. Dhe shumica e njohësve të këtij sporti, por dhe sporteve të tjera, janë të mendimit se fitorja do të qe e sigurt, nëse në garë do të kishte të tjerë pjesëmarrës, pasi prania e rivalitetit rrit mobilizimin dhe burrërinë në forcë.

Përveç të tjerëve, këtë e dëshmon edhe kolegu i tij, Nikolin Qyrsaçi, i cili thotë: “Si mik dhe si bashkëkohës në këtë sport, kujtoj me nostalgji garën e Farukut në Shkodër, për thyerjen e rekordit botëror, i cili nuk e arriti falë ngarkesës emocionale, pasi në stërvitje “tallej” me atë rekord. Kalleshi është një nga perlat e Sportit Shqiptar”.[13]

 

Mallkim nga dashuria

 

Më vonë u zbulua diçka misterioze në lidhje me garën, që në kohët e ardhshme, mund të shërbejë si element studimor, për bestytnitë, mallkimet, apo paragjykimet fetare dhe shkencore. Atë ditë Faruk Kalleshi nuk ka dështuar për shkak të urrejtjes së ndokujt, por për shkak të dashurisë së një femre. Ishte pikërisht shoqja e tij më e ngushtë, Liliana Paci, e cila duke shtrënguar duart, thoshte me vete: “O Zot, bëje Farukun që të mos e thyej rekordin botëror, se pastaj, ai mund të zgjedhë ndonjë femër tjetër dhe mund të më lerë mua. Më mirë të triumfojë dashuria jonë se sa thyerja e një rekordi botëror”.

Liliana ishte e vetmja në atë pallat sporti, të mbushur plot e përplot, që nuk e ka dashur atë ditë thyerjen e rekordit. Prandaj, në studimin e bestytnive duhen argumentuar dhe shoshitur mirë të gjitha detajet që bëjnë diferencën e analizave psikologjike, shkencore dhe fetare. Por e gjithë kjo, erdhi nga dashuria e madhe që Liliana ushqente për Faruk Kalleshin.

 

Antena e Radio-Shkodrës

 

Në atë kohë babai Farukut, Xhemali, punonte si shofer me zjarrëfikësit. Kishte vështirësi, pasi shërbimi qe organizuar 24 orë punë dhe 24 orët vijuese pushim. Kështu që familja, gjatë çdo vakti ushqimor, i çonte racionin e zakonshëm. Një ditë, duke kaluar nga teatri, Xhemali pa se aty pranë ishin grumbulluar shumë njerëz. Disa prej tyre mbanin kordonin e një kablli në duar dhe shikonin lart, atje ku ishte vendosur antena e radio Shkodrës. Me sa duket, bënin përpjekje për të vendosur kabllin e ri në antenë.

-Ti do ta bësh sepse paguhesh për këtë punë, – i thoshte punëtorit një burrë i shëndoshë, që me sa duket ishte përgjegjësi. Punëtori mbante pinca dhe tela nëpër duar. Duhej të ishte elekricist. -Jo, – kundërshtonte tjetri, – unë nuk ngjitem se jam me tension të lartë dhe mund të bie me kokë poshtë. Pra kishte frikë të ngjitej në shtyllë.

-Po kë të marr unë tani? Kryetari më dha urdhër që kjo punë të kryhet deri në drekë? – pyeti burri i shëndoshë, që edhe ai ndihej disi i frikësuar, mbase nga eprorët e vet që mund ta quanin të paaftë.

-Merr inxhinierin! – i tha dikush aty afër.

-Jo, – kundërshtoi ai që duhej të ishte inxhinieri. – Unë 7 ditë kam me këtë punë. Nuk dua ta mbyll jetën time në ditën e tetë të karrierës.

-Atëherë, ngjitu vetë që të dobësohesh pak, – ia priti një tjetër.

-Po u ngjita unë, është e sigurt që do të rrëzohem me kokë poshtë. Mua vetëm koka më peshon 20 kilogram, – ia priti përgjegjësi.

Dikush përmendi se duhej të thërrisnin një ambulancë për çdo të papritur që mund të ndodhte. Dhe kjo u duk ide e mirë. U miratua edhe nga të tjerët.

-Ambulancën e thëresim se është kollaj ajo punë, por a ka burrë nëne që të ngjitet në atë tub të lartë, i cili tundet edhe kur fryn erë, tha Shego duke vëzhguar me kujdes vendin. Në fakt ngjitja ishte e vështirë. Mund të bëhej vetëm nëpërmjet tubit, duke u ngritur me forcën e muskujve.

-Si e keni hallin ? – i pyeti Xhemali, që sapo kishte mbrritur aty pranë.

-Duam me vendosë këtë kabëll, atje lart, por lëviz tubi dhe të gjithë kemi frikë mos biem poshtë, – i tha burri i shëndosh.

-Keni frikë? – u çudit Xhemali dhe hoqi menjëherë xhaketën. Pastaj duke marrë në dorë kabllin filloi ngjitjen nëpërmjet telit që tundej në ajër. Të gjithë po e ndiqnin të tronditur. Veprimi i tij, i kalonte kufijtë e guximit dhe po merrte përmasat e avennturës. Të gjithë aktorët e tetarit dhe punonjësit rreth e qark, dolën nëpër ballkonë e dritare të zyrave a shtëpive, për të parë më mirë se çfarë po ndodhte. Disa prej tyre i mbyllën dritaret, nga frika e asaj që mund t’u shihnin sytë. E quanin me të lehtë të shihnin përtej perdeve të xhamave. Dikush kish njoftuar ambulancën e cila erdhi me sinjale të ndezura.

Xhemali u ngjit me qëtësi deri në majë dhe e vendosi kabllin pa iu dridhur fare qerpiku. Në atë kohë njerëzit u qetësuan dhe dritaret e zyrave nisën të hapeshin përsëri, ngaqë paniku kishte kaluar. Të gjithë e falenderuan. Disa prej të pranishëmve ishin duke u dridhur akoma, nga ajo që kishin parë. Ishte diçka e papritur. Para syve të tyre, një njeri me vullnetin dhe dëshirën e tij, sapo kishte kaluar në tagenten fatale të vdekjes. Vetëm aftësia dhe guximi bënë që çdo gjë të shkonte mirë. U desh Xhemali që t’u zgjidhte problemin që i kishte shqetësuar disa muaj me radhë.

Aty ishte si dëshmitare okulare edhe Liliana, e cila po shkonte për në prova. Faruku nuk u ndodh aty. Në mbrëmje, kur u takuan të dy, at e bir, Xhemali i tregoi të birit ngjarjen dhe e pyeti:

-Edhe ti ke patur frikë që nuk ke hipur për të rregulluar kabllin e antenës, por kishit lënë atje ca frikacakë që dridheshin kur e shihnin atë lartësi?

-Për Zotin, – iu përgjigj Faruku, nuk kam ditur gjë. Por edhe po ta dija, nuk e quaj veten aq trim, sa të hipi atje.

Me kaq biseda u mbyll ndërsa ai episod u mbajt mend prej bashkëqytetarëve për shumë muaj me radhë.

Kapitulli i pestë

Mrekullia e kishte emrin Liliana

 

Nëna e Lilianës rridhte nga një familje me origjinë podgoricare, me mbiemrin Basha. Ajo quhej Nexhmije dhe punonte si punonjëse në Zukth, ndërsa babai i Lilianës ishte nga Tropoja. Në kronologjinë e prejardhjes së tyre, ata rridhnin nga fisi Musaj. Ky fis njihej si bajraktarë të Pacit, të Bytyçit, pjesë e një komune në Tropojë.

Gjatë viteve të paraluftës, por edhe ndërmjet luftrave, familja Musaj hyri në konflikt, apo në luftë me një familje tjetër të madhe të zonës. Gjatë atij konflikti, familjes Musaj iu vranë shumë njerëz. Ata u detyruan, apo vendosën me dëshirën e tyre, ta lëshonin bajrakun.

Babai i saj ka lindur në Tropojë dhe që në moshën 15 vjeçare mbeti jetim, ndërkohë që nuk kishte as motër, as vëlla. Në moshën 25 vjeçe, mori vendimin për të udhëtuar drejt Shkodrës, ashtu si qindra të rinj të tjerë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte partizan i Brigadës së 27-të, më vonë në në brigadën e 28-të Sulmuese. Për shkak të moshës së vogël, ai shërbeu si korrier i dy batalioneve.

Pas çlirimit u punësua në degën e brendshme si ushtarak, duke kryer detyrën e gardianit të burgut. Përmendet ndër njerëzit më pozitivë të asaj kohe. Prandaj, në varrimin e tij morën pjesë shumë njerëz. Dhe në mënyrë të veçantë, midis kurorave të luleve, shkëlqente ajo e ish të burgosurve politikë, të cilët kishin vuajtur dënimin në burgun ku punonte babai i Lilianës.

Nipi i tij, i cili në vitin 1995, në moshë të vogël, tregon se si gjatë ceremonisë tradicionale të mortit, pyeti me sinqeritet disa prej ish të burgosurve: “Po ju, ku e kini njohur gjyshin”?

Dhe ata iu përgjigjën: “Ne jemi ish-të burgosur politikë, që kemi kryer dënime të padrejta në burgun ku punonte gjyshi yt. Po ti, nuk e di se çfarë gjyshi ke patur. Ne e kemi respektuar gjithmonë atë dhe tani erdhëm t’i bëjmë nderimet e fundit. Sepse edhe në atë kohë të vështirë, ka patur njerëz të mirë, si gjyshi yt, që na i ka lehtësuar vuajtjet e burgut. Dhe djali, me kureshtjen fëminore, në mënyrë që të mësonte sa më shumë për këtë përmasë projeksion të veçantë të gjyshit të vet, i pyeti përsëri: Si mund t’ju ketë ndihmuar në burg, kur ai kishte detyrën e gardianit?

-Na ka ndihmuar të gjithëve, pasi ishte njeri i veçantë. Na jepte bukë, ushqime të ndryshme, cigare…, duke rrezikuar shpesh veten dhe vendin e punës. Edhe kur na dënonin në birucë, gjatë netëve të dimrit, ai na sillte një batanije më shumë, për të kaluar natën. Dhe këto gjëra nuk harrohen.

Burgu i Shkodrës ishte i njohur, sepse aty kishte shumë të burgosur politikë, por edhe ordinerë. Pavarësisht nga kjo dhe koha e vështirë që përjetohej, babai i Lilianës e ka kryer me devotahmëshiri detyrën e humanistit edhe brenda birucave të atij burgu të tmershëm. Ai mbante mbi 10 medalje për kontributin e dhënë në luftë, medalje të trimërisë, të punës e të çlirimit, por vlerësimi që i bënin të burgosurit ishte një tjetër medalje e çmuar, për të dhe për pasardhësit e tij.

 

Liliana

 

Liliana u lindu më 18 maj të vitit 1951. Emrin e saj të vërtetë, në certifikatën e lindjes, e ka Lejla, ndërsa në jetën e përditshme e thërrisnin Liliana. Një koincidencë të rastit përbën fakti që, ditëlindja e saj përkon me ditëlindjen e Indritit, djalit të vetëm të familjes së tyre. Madje edhe përvjetorët përputhen në mënyrë të çuditshme. Kur nëna e tij, Liliana festoi 65 vjetorin e vet, Indriti mbushi 40 vjeç. Kjo përbën një kombinacion të veçantë të rastësisë.

Në familjen e Lilianës ishin shumë fëmijë. Ajo kishte plot motra e vëllezër, por edhe shumë vështirësi ekonomike. Për këtë arsye, por edhe për mangësitë e shumta financiare të asaj kohe, familja e Lilianës u përballë me një numër të madh mungesash. Pikërisht këto vështirësi bënë që ajo të rritej para kohe. U rrit mes sakrificave të mëdha të prindërve të saj. Sapo mbushi 7 vjeç, si të gjithë fëmijët e tjerë, nisi arsimin fillor dhe tetëvjeçar në shkollën “Vasil Shanto”, ku u dallua menjëherë si një nxënëse e rregullt, e përkushtuar, e sjellshme dhe sidomos një aktiviste e forumeve kulturore dhe sportive.

Qysh në moshë të vogël, Liliana shpalosi talentin e veçantë të saj, që e kishte fituar nëpërmjet dhuntive të natyrës, apo të Zotit. Por karakteri dhe sjellja e saj tregonin qartë se ajo ishte një vajzë e zgjuar. Në aktivitetet kulturore tregoi se qe një princeshë e vogël e akrobacive dhe intuita e saj, koleksiononte çdo gjë që kishte lidhje me baletin, gjimnastikën artistike, akrobacinë, apo cirkun.

Në atë moshë ajo gjendej përpara disa ushtrimeve akrobatike elementare, të cilat gjithsesi mjaftonin për të suprizuar shikuesit dhe spektatorët. Por ajo vetë, e ndjente se kishte nevojë të perfeksiononte një teknologji më të sofistikuar, që të konkurronte me akrobatët më të mirë të vendit. Mirëpo, atëherë në Shqipëri nuk njihej televizori. Për pasojë, mundësia e njohjes së përvojës së artistëve të huaj nëpërmjet ekranit, ishin të përjashtuara. Ndërsa për të shkuar në cirk, apo në shfaqje baleti, duheshin para, të cilat asaj i mungonin.

Në qoftë se në fushën e letërsisë njihen raste shkrimtarësh që kanë mësuar të shkruajnë e të lexojnë në mënyrë autodidakte, në fillimet e veta Liliana ishte krejtësisht e tillë. Askush nuk e ndihmonte për ta orientuar dhe askush nuk i jepte kurajë për të vazhduar më tej. Për hir të së vërtetës duhet thënë se, përveç mungesës së ndihmës, ajo përballej edhe me indiferentizmin e të afërmve ndaj këtij zhanri, por sidomos me kundershtimin e opinionit dhe prindërve të saj, për t’u marrë seriozisht me ushtrimet akrobatike.

Në moshën 6-7 vjeçare, Liliana mësoi në mënyrë të vetvetishme të bëjë ushtrime të thjeshta si spërkatën, ekuilibrin, saltrot etj. Aty evidentoi disa lëvizje elegante për të ardhmen e vet. Thuhet se sot përzgjedhja e talenteve të këtij zhanrri nëpër botë, bëhet pikërisht, duke vëzhguar masën e elegancës së këtyre veprimeve mbi të cilët, seleksionohen më të mirët.

Në sajë të këtyre prirjeve dhe reflekseve origjinale, kur arriti në moshën 8-9 vjeçare, Liliana tregoi hegjemoninë e vet në ushtrimet akrobatike të asaj periudhe, në raport me moshataret dhe moshatarët e tjerë. Sepse ajo kishte një stil universal, që sfidonte çdo konkurrente, apo konkurrent. Në fillim, së bashku me shoqet e klasës, bënin ushtrime të ndryshme dhe ato të gjitha së bashku nisën të preferonin gjithmonë e më shumë mjediset, ku mund të performonin mjeshtërinë tyre. Po shqyrtonin mundësinë e stërvitjes në mjedise të hapura apo të mbylluara, duke filluar nga këndet e lodrave, e deri tek lulishtet para pallatit.

Pas ditëve të para të ushtrimeve në natyrë, shoqet vunë re që kishin midis tyre një perëndeshë fluturuse të mjeshtërisë së akrobacive. Në atë kohë, por edhe në ditët tona, akrobacia ka qenë gjithmonë një element që hynte natyrshëm në dy fusha, në sferën e sportit edhe në atë të artit. Gjithmonë, sporti dhe arti kanë bërë një dylyftim në formën e tërheqjes së litarit, se cili prej tyre do ta koleksiononte këtë zhanër. Aq e vërtetë është kjo, saqë për talente të këtij lloji interesohen vazhdimisht trajnerët e sportit të gjimnastikës, apo akrobacisë, si dhe regjisorët e cirkut, apo ata të Baletit.

Në fillim u duk se, në këtë dylyftim, kishte prioritet sporti, i cili e emërtoi formalisht me emrin “gjimnastikë”. Ushtruesit i tij u quajtën “gjimnastë”, ose “akrobatë”. Por menjëherë këtë padrejtësi e ndreqi hemisfera e artit, duke shtuar prapa fjalës “gjimnastikë”, pjesën “artistike’, pra “gjimnastikë artistike”.

Më vonë doli patinazhi artistik, i cili i dha statusin e pavarësisë së plotë këtij elementi specifik, por as atëherë dhe as tani, kjo përmasë akrobatike në akull, nuk njihet dhe nuk ushtrohet sa duhet në vendin tonë. Në fakt, seleksionistët më të mëdhenj të patinazhit artistik në akull, përzgjedhin vajzat dhe djemtë e talentuar në ushtrimet akrobatike, sepse në themelin e këtij sporti është pikërisht, prirja për akrobaci.

Në fillim, vajzave që performonin me Lilianën, u pëlqente vetja dhe akrobacia. Kishin dëshirë të garonin me të. Por më vonë, për shkak të nivelit të lart ekzekutimit, atyre nisi t’u pëlqente vetëm Liliana. Një e nga një, nisën të tërhiqen nga mjediset e konkurrimeve, duke u kthyer në vëzhguese të tapetit, ku shkëlqente mjeshtërisht përsosmëria e lëvizjeve akrobatike të Lilit. Në fillim edhe Lilianën e tërhoqi drejt palestrës pasioni për të ekzekutuar ushtrimet e vështira, si vertikalen, urën, spërkatën, apo ushtrimet elementare të akrobacisë. Por shumë shpejt vetëdija e saj e kuptoi se për të qenë një padrone e parivalizueshme e tapeteve sportive dhe skenave artistike, duhej zgjedhur fusha e betejës, midis baletit, cirkut dhe ekipit të akrobatëve të Shkodrës.

Ajo ishte vetëm 9 vjeç kur hyri në portën e Shtëpisë së Pionierit, e cila konsiderohej me të vërtetë një vatër e ngrohtë familjare, për të gjithë fëmijët e Shkodrës. Sepse ata janë si pëllumbat. Fëmijët dhe pëllumbat afrohen me ndrojtje dhe ulen pranë çdo ndërtese, rrugice, apo shkolle dhe qëndrojnë të ndrojtur. Mjafton që të mos i përzësh, mjafton që të mos u flasësh me ton të ashpër dhe ata vijnë përsëri të nesërmen. Ndërsa, nëse ti u flet me ton miqësor, ata bëhen për një kohë të gjatë aleatët e tu të vegjël. Ndërsa kur në këtë marrëdhënie hyn në mes pasioni, atëherë lidhja dypalëshe e instruktorëve të Shtëpisë së Pionierëve, me fëmijët, bëhet solide.

Liliana hyri në atë portë pionierësh si një “skllave e robëruar” krejtësisht nga pasioni akrobatik, por doli që andej si një Perëndi.

Në momentin e parë të komunikimit të fëmijëve të talentuar me instruktorët, ka  rëndësi të madhe cilësia, ose aftësia profesionale e instruktorit. Në fakt, Liliana ishte një fëmijë që vlerësohej si supertalent. Në këtë drejtim, nuk kishte rëndësi çfarë thoshte njëri apo tjetri. Gjithësecili nga instruktorët e botës, që mund t’i binte asaj për pjesë, do të kërkonte menjëherë të bëhej pjesë e ekipit të vet.

Liliana ishte në vetvete një krijesë natyrale që kishte rënë si meteor në universin e akrobacive dhe ajo përbënte një urdhër të Zotit për t’i shkuar deri në fund potencialit të talentit të vet. Askush nuk mund t’ia pengonte vrullin dhe askush nuk mund të dilte para saj, në planin profesional. Sepse në atë moshë, nuk ka shumë rëndësi të dish të bësh llojshmëri ushtrimesh. Talenti duket nga lehtësia me të cilën i kryen veprimet, për të bërë qoftë edhe një ushtrim të vetëm akrobatik. Në vijim, ushtrimet mësohen dhe perfeksionohen një e nga një.

Performanca e Lilianës matej me përsosmërinë. Por duhet thënë që, pikërisht në moshën 9-vjeçare, gjetja e një instruktori të aftë, padyshim kishte rëndësi të dorës së pare. Ai ndikonte në përshpejtimin e pjekjes artistike. Në këtë drejtim, LiIiana pati shumë fat. Ditën e parë që ajo hyri në Shtëpinë e Pionierëve, u përballë me një instruktore me shije të larta artistike. Ajo ishte Roza Xhuxha, e cila më vonë, pas martesës me regjizorrin më të madh të kinemasë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, mori mbiemrin e tij.

Takimi i vajzës së vogël me aktoren madhe, ndodhi në vitin 1960, kur Liliana u regjistrua në rrethin e Baletit, nën kujdesin e instruktores Roza Xhuxha (Anagnosti). Ajo zbuloi menjëherë mundësitë e mëdha potenciale që mbartnin lëvizjet e saj elegante dhe suprizuese. Dukej menjëherë që Liliana nuk kishte ardhur aty për të kaluar kohën, siç bënin një pjesë e madhe e vajzave dhe djemve të regjistruar, të cilët, pasi kalonin disa muaj, largoheshin pa e kuptuar as vetë, përse kishin hyrë në atë fushë. Për vajzat që nuk kishin lidhje me artin e akrobacisë, edhe instruktorët nuk bënin përpjekje për t’i mbajtur. Sepse ata e kuptonin që ato kishin hyrë në vendin e gabuar, në mënyrë krejt rastësore. Largimi i tyre përbënte një tentativë për të gjetur vetveten, diku tjetër, ku mund të ishin më të vlefshëm. Ndërsa Liliana kishte rrugë ta gjatë për t’i shkuar deri në fund pasionit të saj. Ajo dukej që kishte për të ecur përpara, në mënyrë të shpejtë. Që në javët e para ishte bërë shumë e njohur për reflekset dhe prirjet e saj. Pa asnjë dyshim, ajo ishte princesha e Pallatit të Pionierëve, sepse askush nuk mund të krahasohej me autoritetin skenik dhe elegancën interpretative.

Mrekullia e performancës së saj, ra në sytë e specialistëve që në fillim. Brenda një kohe të shkurtër, dy instruktorë baleti e akrobacie, u përplasën me njëri-tjetrin. Pa dashur kishin hyrë në garë se cili prej tyre do ta merrte Lilianën në grupin e vet. Ishte pikërisht trajneri i grupit të akrobatëve, Myftar Tafili, që u fut në “sherr” me trajnerin e grupit të cirkut. Deri atëherë, të gjitha grupet që praktikoheshin në Shtëpinë e Pionierëve, kishin shfaqur nivele mesatare, si në sport dhe zhanre të ndryshme.

Stërvitjet zhvilloheshin normalisht dhe aktivitetet organizoheshin sipas kalendarëve. Por në thelb, mungonin kulminacionet dhe konvencionet e kapaciteteve të larta. Ndërsa kjo përplasje trajnerësh tregonte qartë se, që të dy këta instruktorë, e njhnin mjaft mirë fushën e tyre. Ishte kjo arsyeja që ata kërkonin talente të lindura për spektakle të mëdha. Të dy kërkonin që Liliana të bëhej pjesë e grupit dhe të dy u ankuan në zyrat e Komitetit të Fiskulturës dhe Sporteve, për të marrë Lilianën. Por më në fund, vendimi iu la në dorën e saj.

Edhe pse shumë e vogël në moshë, në lidhje me atë që i kërkohej, ajo arsyetonte si një e rritur. Me sa dukej, Liliana e kuptoi menjëherë se nuk bëhej fjalë për formalitetet e një pjesëmarrjeje të rastësishme fëminore në grupet artistiko-sportive, por bëhej fjalë për të ardhmen e saj. Dhe deduksionet e arsyetimeve të atyre ditëve, precipituan tek Liliana vendimin përfundimtar, për të qenë pjesë e grupit të Cirkut.

Në fakt, këtë vendim ajo e kishte në mendje që në fillim, pasi ushtrimet akrobatike e tërhiqnin pa masë. I pëlqenin për shkak të surprizave dhe kulminacionit që fshihnin në ekzekutimin e tyre. Pra, vendimin e kishte marrë që në fillim, por duke qenë një fëmijë i vogël dhe pa eksperiencë në situata të tilla preferenciale, për të zgjedhur një prej dy ofertave, atë e pengonte edhe zhurma e bërë prej trajnerëve. Padyshim, njëri prej tyre mund të fyhej. Ndërsa, Lialiana, si fëmijë me reflekse të qarta ndjeshmërie e mirëkuptimi, nuk donte të lëndonte askënd. Ajo dëshironte që hobi i saj të kuptojhej prej tyre. Por më në fund, ajo mori vendimin për t’iu përkushtuar Cirkut të ardhmen e aktivitetit jetësor.

Në atë grup bënin pjesë dhe artistë të tjerë të vegjël, madje që premtonin shumë, si Fatmir Gogovi, Nikolin Gjergji, si dhe akrobati që konsiderohej veçanërisht i talentuar, Faruk Kalleshi.

Në lidhje me datën e saktë të themelimit të cirkut shqiptar, ka shumë dilema, sepse ky lloj arti, përpara se të zyrtarizohej instutucionalisht, ka nisur si një lëvizje artistike popullore dhe kombëtare, në zona të ndryshme të Shqipërisë. Natyrsht, duke qenë në korent me lëvizjet ballkanike, europiane apo botërore. Ndërsa pionierët e parë të këtij arti në vendin tonë, u shfaqën gjatë viteve 1932-1935, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel. Pastaj numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ata me kafshë, klounët dhe zhonglerët. Ndërsa në vitin 1959, u realizua një shfaqje e titulluar “Shkopi magjik”.

Ishte nëntori i vitit 1959, kur në skenë u ngjitën artistët që më pas do të bënin historinë e këtij institucioni artistik si Ali Duma, Telat Agolli, Skender Plasari, Vitore Rasha, Bajram Kurti, Arjan Miluka, Pineu Shkurti. Me regji të Mihallaq Luarasit, publikut iu ofruan numrat e parë.

Specializimet e mëtejshme në Kinë, mundësuan konsolidimin e kapaciteteve të grupit të akrobatëve, duke afruar rrugë të reja në zhvillimin e cirkut shqiptar. Kjo ndodhte në Tiranë, ndërkohë që edhe në Shkodër, zhvillimi i këtij arti po përhapej me shpejtësi.

Liliana kishte ambicie të madhe për të ecur përpara. Por arritja e teknikës së lartë kërkonte stërvitje të përditshme. Ajo e kuptonte mjaft mirë se, për të qenë sistematike në stërvitje, duhej më parë të merrte lejen e familjes së vet, ku fanatizmi i babait përbënte pengesën më të pakapërcyeshme.

 

Biseda e parë me nënën

 

Liliana ishte vetëm nëntë vjeç, kur vendosi të bënte bisedën e parë, mbase dhe më të rëndësishme, me nënën e saj. Ishte diçka që kishte lidhje me të ardhmen e jetës. Por në atë kohë prindërit, dhe sidomos baballarët, e kishin të vështirë të pranonin pjesëmarrjen e vajzave në evenimentet kulturore apo sportive, e jo më në performanca akrobatike. Kjo duket qartë edhe në një pasazh filmi të atyre viteve. Është fjala për filmin “Kapedani” që shpreh mentalitetin e burrave për këtë art, që nga intelektualë të mirëfilltë konsiderohej si arti i të ardhmes.

Në filmin “Kapedani”, kur mbesa e vogël i tregon gjyshit një foto, ku ajo bën spërkatën, ky i fundit, pra Kapedani, zë fytyrën me duar dhe fut kokën në një çezmë me ujë të ftohtë. Sepse në asnjë mënyrë mentaliteti mashkullor nuk mund të njehsohej me zhvillimet e reja shoqërore dhe emancipuese që kishin nisur në vendin tonë.

Kështu ndodhi edhe me Lilianën. Që në momentin e parë, kur nevoja për një bisedë serioze me prindërit u kthye në domosdoshmëri, Lilianës i shkoi ndër mend figura e nënës, për t’i treguar planin e saj të jetës. Nga babai trembej disi, pasi ai qe më autoritar dhe kishte një formim tradicional. Kishte ende doza të forta fanatizmi. Duket se subkoshienca e Lilianës punoi në mënyrë të përpiktë. Nëse këtë bisedë do ta bënte fillimisht me të jatin, ajo rrezikohej të ndalohej për një kohë të gjatë të ushtrohej me akrobaci. Dhe në këtë fushë çdo stopim, apo vonesë, ka kosto të lartë, për shkak të shkëputjes nga stërvitja. Megjithatë edhe biseda me nënën nuk ishte aq e lehtë. Ajo u zhvillua në këndin e kuzhinës, kur e jëma qe duke përgatitur darkën.

-Nënë, dua të them diçka! – i tha Liliana.

-Prit pak, – e ndërpreu e jëma, duke hedhur një dorë kripë në gjellë, që ende ishte në zjarr.

-Dua të bëhem akrobate dhe për këtë, më duhet të shkoj rregullisht në stërvitje, – vazhdoi Liliana.

Në fakt, nëna e kishte parë të bijën vazhdimisht të ekzekutonte ushtrime akrobatike. Nëpërmjet intuitës së saj, ajo kishte kuptuar që babait të vajzës nuk i pëlqente ky lloj arti, aq më tepër për të bijën. Kjo vihej re menjëherë në shprehjen e fytyrës së tij edhe kur fqinjët, apo banorë të zones, ia lavdëronin pa masë të bijën, për talentin që ajo kishte si akrobate. Ai u shmangej duke u thënë: “Le të zgjedhë ndonjë profesion tjetër”.

Liliana qëndronte akoma aty, në këmbë para nënës, duke pritur përgjigjen e saj.

-Gjella me kripë dhe kripa me karar, – iu përgjigj e jëma, duke trazuar lëngun brenda tenxheres, me një lugë të madhe druri.

-Unë duhet të shkoj patjetër, sepse aty është e ardhmja ime, – i tha përsëri Liliana, më me ngadalë, por me seriozitet të madh, duke u përpjekur që të mos e ngrinte zërin.

E jëma e pa në sy dhe duke dalluar dozën e vendosmërisë së Lilianës iu përgjigj: “Jam e bindur që babai nuk do të pranojë!

-E di, – i tha Liliana, – por unë po ta them ty në fillim. Të paktën të kem lejen tënde. Pasi të kalojë pak kohë,  ia themi bashkë edhe babait!

Në atë moment, nëna e pa në sy dhe gati u çudit nga serioziteti me të cilin po i fliste e bija.

-Seriozisht e ke? – e pyeti prapë ajo.

-Po, – iu përgjigj Lilana shpejt e shpejt, pa lënë asnjë sekondë që të kalonte nga pyetja e saj. Madje, iu afrua edhe më shumë, duke treguar se ishte e gatshme të priste pyetje të tjera, dhe po ashtu, t’u përgjigjej atyre me të njëjtën shpejtësi.

Nëna afroi lugën dhe provoi gjellën.

Dhe, duke tundur kokën, tha: “Shumë e mirë qënka bërë”.

Pastaj ktheu kokën nga Liliana dhe e pyeti si me habi: Akoma këtu qënke ti?

-Nuk iki pa marrë përgjigjen tënde, – i tha Liliana.

Në mbrëmje, nëna e tërhoqi në korridor, duke i thënë me zë të ulët që të mos dëgjonte i jati. “Dakort, ti vazhdo të shkosh, por si fillim babait do t’i themi që do të shkosh në një shkollë të pasdites, për të mësuar”.

-Faleminderit, – tha Lilaina duke fluturuar nga gëzimi.

Dhe dialogu i tyre u mbyll me një përqafim.

Pas kësaj bisede, Liliana vazhdoi disi më e sigurtë rrugën e pasionit të saj, drejt së panjohurës, brenda së cilës fshihej misteri i zgjedhjes së profesionit të përjetshëm. Por një ditë…

 

Ballë për ballë të jatit

 

Kishte kohë që Liliana shkonte në rrethin e Pallatit të Pionierëve, duke patur në “xhep” vetëm liridaljen e nënës, kurse babai s’dinte ndonjë gjë më të saktë, se sa fakti që e bija shkonte në një shkollë, apo kurs mësimor gjatë pasditeve. Ashtu si pjesa dërrmuese e baballarëve të asaj kohe, edhe ai nuk e linte vajzën të dilte nga shtëpia e pashoqëruar. Kjo kishte të bënte me mentalitetin e kohës, i cili rigjenerohej akoma më shumë nga ngjarje të pahijshme që ndodhnin në qytet gjatë atyre viteve.

Në kohën kur Liliana ishte bërë aspirata kryesore e Pallatit të Pionierëve për perspektivën, pikërisht atëherë kur ajo pati fituar vetësiguri për vazhdimësinë, u duk sikur gjithçka u shëmb papritur. Një ditë, babai vendosi ta ndjek pas të bijën, kur ajo po shkonte tek Shtepia e Pionerit. Dhe e gjeti duke bërë ushtrime akrobatike.

Në atë çast, iu afrua dhe i tha me një zë të ashpër: Këtu qenka shkolla e pasdites, që do të mësoje?

Artistja e re, sapo kishte ekzekutuar në mënyrë të përkryer një ushtrim akrobatik, me shkallë të lartë vështirësie. Në çastin kur ajo priste përgëzimet e shoqeve, apo të trajnerit, krejt papritur u gjend para kërcënimeve të të jatit.

Liliana u trondit shumë nga e papritura, por e kuptoi që ai e kishte ndjekur nga pas, që në momentin kur doli nga shtëpia. Ajo uli kokën dhe nuk dinte se si t’i përgjigjej të jatit. Kështu ishte ajo kohë. Në tërësi fëmijëve, por sidomos vajzave, u ndalohej të ëndërronin duke shkuar pas pasioneve e prirjeve të tyre, për të zgjedhur të lira profesionet e ardhshme të jetës.

Me mijra vajza në atë kohë, janë detyruar t’i ndrydhnin pasionet e veta për sporte të ndryshme, apo për veprimtari artistike, sepse ndaloheshin nga postblloku i familjes. Ndërsa, disa të tjera, për një periudhë të shkurtër kohe, detyroheshin t’i mbanin të fshehta marrëdhëniet me pasionin, gjersa prindërit të bindeshin që ato kishin zgjedhur rrugën e duhur.

Në ato çaste Liliana nuk guxonte të ngrinte kokën, pasi fytyra e të jatit ishte ashpërsuar shumë dhe ai priste përgjigje për pyetjen që sapo kishte bërë: “Përse më ke gënjyer”? Ishte një tjetër pyetje, së cilës ajo nuk iu përgjgj.

-Nuk ke për të shkuar më! – i bërtiti ai, duke e detyruar të bëhej gati për të ikur nga ai mjedis, njëherë e përgjithmonë. Liliana u prek shumë dhe për një çast po priste në këmbë, pa bërë asnjë veprim tjetër. Shpresonte se diçka do të ndodhte dhe se dikush do ta ndihmonte. Ajo e ndjente se nuk ishte e drejtë që ëndrrat e saj të ndërtuara në qindra ditë e netë, të mund të thërmoheshin brenda një minute.

Pikërisht atëherë kur duhej, instruktorja e baletit Roza Xhuxha, së bashku me trajnerin e cirkut, Myftar Tafili, ndërhynë me kujdes, duke i thënë babait të Lilianës, që vajza e tyre ishte shumë e talentuar dhe do të ecte me hapa të shpejtë në karrierën artistike. Ata në fillim iu lutën të jatit, që të mos e pengonte të bijën, por më pas toni i tyre u bë edhe më i sigurtë dhe gati i ashpër, duke marrë elelementet e një paralajmërimi, apo urdhëri.

-Ju nuk duhet që ta pengoni të ardhmen e saj dhe në rast se nuk e lejoni, ne do të ankohemi deri lart, në Komitetin e Partisë.

Ky paralajmërim bëhej në emër të një misioni të madh, për të shpëtuar karrierën e një ylli, ose për të nxjerrë në dritë talentin e një vajze, e cila do t’i shërbente cirkut shkodran e atij kombëtar.

Por Liliana nuk donte që zgjidhja e problemit të saj, të merrte një rrugë agresive, duke vënë babanë e vet përballë instancave shtetërore, apo partiake të asaj kohe. Ajo e dinte që në raste të tilla, vendimet partiake ishin të ashpra, nën kuadrin e luftës ndaj  mentaliteteve të prapambetura. Në radhë të parë, ajo nuk donte që i jati të bëhej shembull i patriarkalizmit. Prandaj i shpëtuan lotë.

Liliana e donte shumë të jatin dhe i vlerësonte sakrificat që ai bënte për rritjen e tyre. Por nga ana tjetër, ajo e ndjente që akrobacia po e bënte për vete dhe, çdo shkëputje prej saj, do të shënonte disfatën më të madhe të jetës, qysh në atë moshë të re fëmijënore. Për fat, nga fjalët e dy instruktorëve, babai u zbut dhe pranoi. Madje kur shkoi në shfaqjen e parë të Lilianës, në Pallatin e Pionierit, u befasua nga performanca e shkëlqyer e së bijës, e cila tregoi se kishte nisur rrugën e një talenti të pakrahasueshëm të moshës së saj.

Pas shfaqjes, disi i lënduar e krejtësisht i penduar nga episodi i mëparshëm, ai iu afrua Lilianës dhe duke e përqafuar me dashurinë e prindit, i tha këto fjalë: “Vazhdo dhe suksese të mëtejshme bija e ime. Më pëlqeve shumë dhe babi nuk do të pengojë asnjëherë  në karrierën tënde”.

Këto fjalë e bënë Lilianën të fluturonte nga gëzimi dhe të punonte më shumë në stërvitje, për të arritur maksimumin. Dhe frytet e punës stërvitore erdhën menjëherë. Pas 6 muajsh stërvitje intensive, në “Pallatin e Pionierit”, profesori zgjodhi dy më të mirët, për t’i dërguar tek ekipi i akrobatëve të Teatrit “Migjeni”. Ata ishin Liliana Paci dhe Faruk Kalleshi, të cilët padyshim bënin diferencë të madhe cilësore me të tjerët.

Kalimi në Teatrin “Migjeni”, nënkuptonte gjithashtu edhe shpërblimin në formë honoraresh, që bëhej për çdo shfaqje. Këto honorare, akrobatët e rinj, i përdornin për të ndihmuar familjet e tyre. Si shumica e familjeve shkodrane, edhe ato kishin nevoja financiare për të përballuar shpenzimet mujore.

Liliana ishte 9 vjeç e gjysmë kur nisi të ndihmonte familjen me rrogën e vet. Ndofta ky ishte rasti më unik në gjithë Republikën e Shqipërisë. Shumë shpejt Liliana u bë solistja kryesore e atij grupi, ndërsa Faruku, falë prirjeve akrobatike, ka qenë gjithmonë katalizator dhe plotësues i fantazive spektakolare të ushtrimeve të saj. Ai ishte një bashkëpunëtor i nevojshëm dhe i pazëvendësueshëm, që e shtonte larminë kombinative të ushtrimeve, në rrugëtimin e gjatë të Lilianës. Edhe Liliana bënte të njëjtën gjë në ushtrimet, ku solist i parë ishte Faruku. Ajo e ndihmonte atë me anë të këshillave konsultative, duke bërë që këto ushtrime të arrinin nivelet e përsosmërisë.

Specialistët pohonin se edhe në rolet e dyta, nëpërmjet mjeshtërisë interpretative, ajo dilte gjithmonë sipër protagonistit. Kjo ndodhte sepse Liliana ishte krijuar për cirkun dhe cirku për Lilianën. Ndërsa, në veshët e Faruk Kalleshit gjëmonte zhurma e ardhshme e cilindrave të shtangës, ndërkohë që në vetëdijen e tij, vetëtinte ëndrra e vjetër për ngritjen e flamurit shqiptar dhe ekzekutmin e himnit kombëtar, në kampionatet ballkanike, europiane dhe botërore.

 

Sukses pas suksesi

 

Kalimi në Teatrin “Migjeni” ishte një stad i ri i kapërcimit profesional të Lilianës, e cila së bashku me Faruk Kalleshin, tanimë kishin marrë diplomën, për t’u përfaqësuar si profesionistë. Në realitetin e ri, pranë grupit të akrobateve profesionistë, fillimisht Liliana u mor me ushtrimet e plastikës. Numri i saj i parë ishte një dyshe me partnerin dhe kolegun e saj të afërt, Faruk Kalleshin.

Ushtrimi i porsa ekzekutuar, u pëlqye shumë nga spektatori shkodran, i cili e duartrokiti me ngrohtësi nismën e rrugës së tyre artistike. Por numri që ka bërë jehonë të madhe, ishte ekuilibri me dy gota. Njëra prej gotave ishte e vendosur në ballin e Lilianës dhe tjetra në buzët e saj, duke bërë dhe lëvizje të vështira plastike në ekuilibër. Këtë numër Liliana e kishte parë tek filmi “Cirku në botë” dhe e fiksoi menjëherë në mendje, për ta ekzekutuar më vonë vetë. Numrin në fjalë, Liliana e realizoi brenda një dite, duke u praktikuar në ish pallatin e Sportit të Shkodrës, që aktualisht është kishë.

Perfeksionimin e këtij numri ajo e bëri në fshehtësi të plotë, që të mos dilte sekreti. Kështu, kur e ekzekutoi në shfaqje, Liliana ishte krejt e sigurt. Por gjatë ekzekutimit zyrtar, salla ra në heshtje të plotë, duke përjetuar ankthin e së papriturës që mund të ndodhte, nga sekonda në sekondë. Dhe kur numri përfundoi me sukses, salla oshëtiu nga entuziazmi dhe mrekullia. Magjia e cirkut dhe realizimi brilant i këtij ushtrimi të vështirësisë së lartë, bëri që spektatorët të brohorisnin e të bënin “Biz”, për disa minuta rresht, pa u ndalur. Me të drejtë, mjeshtri Telat Agolli ka shkruar se Liliana ka ekzekutuar ushtrime të nivelit më të lartë botëror”.

Reagimet që ndodhën aty ishin të papritura, por shumë nxitëse për punët e ardhshme. Pas asaj mbrëmjeje, si edhe në mbrëmjet e tjera në vazhdim, Faruku dhe Liliana filluan të bëheshin të njohur në qytetin e tyre, ku evenimentet kulturore ndiqeshin jashtëzakonisht shumë. Dy protagonistët tanë filluan të merrnin urime të njëpasnjëshme dhe të përditshme nga njerëz të njohur e të panjohur, të cilët flisnin të mrekulluar nga ajo që kishin parë në cirk.

Pas ushtrimit të ekuilibrit me 2 gota, u përgatit një numër i nivelit botëror me 17 gota dhe dy tabaka, secila me nga 8 gota të mbushura, të cilat qëndronin mbi një gotë, të vendosur në ballë, duke zhvilluar dhe ushtrime. Pas këtij numri, Liliana realizoi dhe ekuilibrin, duke shtuar dhe 8 gota të tjera, numër të cilin e kishte parë të ekzekutuar nga një ruse. Suksesi ishte i paparë.

Por befasia nuk mbaronte këtu. Spektakolare ishte dhe futja dy fish nga mbrapa, thyerja plastike në valixhen që mbahej nga Faruku, njëlloj, sikur ishte duke udhëtuar për në Tiranë, a jashtë shtetit, në një skeç që luhej bashkë me artistin e madh Tano Banushi. Kur valixhja u hap dhe Liliana, që me zor merrte frymë, doli prej saj, si gjarpër, dy grave spektatore në rreshtin e parë të platesë, u ra të fikët. Emocione të papara dhe duartrokitje të gjata.

Numri i valixhes, ku Liliana ishte thyer më dysh, ishte mjaft i vështirë, pasi brenda valixhes mungonte ajri dhe mund të zihej fryma nga çasti në çast. Këtyre befasive, askush nuk kishte mundësi t’u rezistonte me qetësi, dhe pa u tronditur. Sepse gjetja e fabulës, ishte e hatashme dhe interpretimi i Lilianës, i përkryer.

Bëmat artistike të saj, ashtu si ato të artistëve të mëdhenj të cirkut botëror, nuk mund të përshkruhen lehtë me fjalorin tipik të shkrimtarëve, apo gazetarëve. Për këtë arsye, përshkrimi i numrave të Lilianës, kërkon huazimin e fjalëve nga leksiku i përrallave popullore, ku çdo pamundësi, kthehet në realitet, nëpërmjet çudibërjes. Prandaj, detajimi i tyre, mund të niste kështu: “Na ishte seç na ishte. Na ishte një hyjneshë e bukur çudibërëse, në moshën 9 vjeç, që jetonte për ca kohë, brenda në valixhe. Dhe kur dilte që andej, një pjesë e karrigeve të sallës, ngelnin bosh, sepse spektatorëve u binte të fikët dhe përfundonin në spital”.

Në atë kohë, megjithëse Liliana ishte 9-10 vjeç dhe Faruku 15-16 vjeç, ata bënin shfaqje pafund, duke mos munguar në asnjë prej tyre. Dhe po t’i rikthehemi leksikut të përrallave, del se princi i saj i kaltër, gjatë gjithë ditës, qëndronte 2-3 metra, afër saj.

Grupi i akrobatëve përbëhej nga rreth 20 vetë, ku padyshim Faruku dhe Liliana ishin më të vegjëlit. Ata konsideroheshin nga drejtuesit e grupit si dy xhevahirë që kishin lëvizur turbinën e ngritjes së cilësisë, kur grupi i Cirkut shkodran, brenda Teatrit “Migjeni”, kishte nevojë për gjetje të reja, si për numrat e ardhëm akrobatikë, ashtu edhe në drejtimin e individëve të talentuar. Vështirësitë e fillimit ishin të mëdha, pasi ata po bëheshin protagonistët e grupit. Dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, ata të dy po tërhiqnin së tepërmi vëmendjen e artdashësve.

Një karakteristikë shumë pozitive vinte nga kompaktësia e grupit, ku të gjithë kishin marrëdhenie korrekte dhe shumë të mira me njëri-tjetrin. Liliana, nga shfaqja në shfaqje dhe nga realizimi i numrave me vështirësi të lartë, filloi të kishte siguri në vetvete dhe mundohej që të krijonte figura akrobatike e artistike. Kjo e beri atë, që më vonë, të merrte edhe statusin e krijueses, madje edhe të firmoste në bordero, si krijuese dhe si ekzekutuese.

Vitet kaluan njëri pas tjetrit. Për mbresat e secilit prej tyre, mund të koleksionohen kapituj të tërë romanesh, të cilët përsëri do të ishin të mangët për të deskriptuar magjinë e dy personaliteteve artistikë dhe sportivë. Sepse gjatë kësaj kohe, Faruku nisi të tregojë superfuqinë e tij edhe në sportin e peshëngritjes, duke mos u shkëputur për asnjë çast nga cirku.

Me kalimin e viteve, kur Liliana mbushi 15-vjeç, në rrethin e cirkut të Shtëpisë së Pionerit u largua ose u tërhoq nga drejtimi trajneri i njohur Myftar Tafili. Me largimin e tij Lilianën e zgjodhën si instruktore të Cirkut të Shtepisë së Pionerit, ku ajo paguhej me honorare. Natyrisht,  pagesa e saj ishte më e lartë se e të tjerëve.

Ky ishte padyshim një rast i rallë, ose rasti i vetëm, kur një pioniere apo një vajzë në fund të fëmijërisë së saj, të zgjidhej instruktore e Shtëpisë së Pionierit. Në fillim, të gjithë shprehnin habi. Në qytetin e kulturës së Shqipërisë, ku tradita intelektuale dhe kulturore kishte nisur shekuj më parë, pra, në këtë qytet tradicional, një fëmijë 15 -vjeçar drejtonte një rreth artistik, i cili ishte ndër më të rëndësishmit në vend, për sa i përkiste pritshmërisë së zhvillimeve të ardhshme.

Kjo ndihej tek të gjithë ata që prezantoheshin për herë të parë me Lilianën. Por befasia ishte akoma më e madhe, kur zyrtarë të institucioneve qëndrore, si Ministria e Kulturës apo ajo e Arsimit, vinin për inspektim. Ata kërkonin të takoheshin me instruktoren e cirkut. Sapo Liliana u zgjaste dorën për t’u prezantuar, zyrtarët i thoshin: “Ti je fëmijë, si ka mundësi të drejtosh grupin e cirkut në Pallatin e Pionierëve”?

Atëherë ndërhynte drejtori i Shtëpisë së Pionierëve. Sipas tij, nuk kishte rëndësi mosha, por talenti dhe përkushtimi me shumë pasion i instruktores, përgatitja e lartë e saj, ndonëse në moshë të vogël.

Në jetën personale, lidhjet e Lilianës me Farukun, po ecnin mjaft mirë. Por në atë kohë, vajzat ishin të pasigurta ndaj dashurisë së meshkujve. Ato qëndronin vazhdimisht në ankth, duke patur frikë mos djemtë talleshin me ndjenjat e tyre, ose nuk e kishin seriozisht lidhjen. Nëse ishte kështu, më pas mund të vinte ndarja, e cila, në psikologjinë e asaj kohe, kishte një kosto të lartë për vajzat, sepse ato përfliteshin padrejtësisht në opinionin publik.

Natyrisht, ngjarje të tilla ndodhnin me djemë aventurierë, që u përkitnin shoqërisë së mburravecëve, ku secili prej tyre “krenohej” për numrin e partnereve që kishte patur, apo që kishte lënë. Ndërsa Faruku ishte ndryshe. Ai e donte me gjithë shpirt Lilianën dhe e konsideronte veten me fat, ditën që ishte njohur me të. Përvec kësaj, Faruku kishte shoqëri të mirë, me djem fisnikë, që jo vetëm se nuk e frymëzonin njëri-tjetrin për aventura, por përpiqeshin të gjenin dashurinë e pastër, për të shkuar drejt martesës dhe lidhjeve familjare. Njëri prej tyre ishte Limani, shok fëminije me Farukun. Edhe ai njihej me Lilianën, sepse kishte qenë bashkë me ta, si gjimnast në Pallatin e Pionierëve.

Limani i respektonte jashtë mase që të dy. Prandaj, me të drejtën e një miku të vërtetë, duke dashur që t’i shihte gjatë gjithë jetës të lumtur, një ditë ai i tha Farukut. “Dëgjo Faruk, nëse ti do të guxosh të tallesh me Lilianën, atëherë me mua ndërpritet shoqëria”.

Nga ana e tij, Faruku e dëgjoi dhe e vlerësoi këshillën që i jepte shoku i tij. Ishte një këshillë dashamirëse.

 

Drejtuese në teatrin “Migjeni”

 

Befasitë pasuan njëra tjetrën. Kjo ndodh me të gjithë njerëzit e talentuar që i kapërcejnë me revan shkallët e karrierës. Sepse ndodh që shumë artistë të cirkut, luftojnë për gjithë jetën për t’u bërë nbjë ditë instruktorë, dhe nuk e arrijnë ëndrrën e tyre. Natyrisht, kjo ndodh në radhë të parë për shkak të mungesës profesionale, por me njerëzit e talentuar jeta rrjedh ndryshe. Ata ecin shpejt dhe kapërcejnë brenda një viti, atë që të tjerëve u duhen dekada për ta arrir.

Kështu rrodhën ngjarjet edhe me Lilianën. Pas tre muajsh drejtimi profesional, ajo kaloi direkt, si drejtuese e grupit të madh të Teatrit “Migjeni”, me 40 anëtarë, ku shumica e artistëve ishin më të medhenj se ajo në moshë. Kjo ishte një nga periudhat më të vështira të jetës profesionale të Lilianës, sepse pikërisht në atë kohë, shoku i saj i ngushtë, Faruk Kalleshi, u largua nga cirku për të kryer shërbimin ushtarak, në klubin “Partizani”. Kishte disa kohë që emri i Farukut ishte bërë i famshëm në peshëngritje. Evidentimi i menjëhershën i tij, në sportin e peshëngritje, kishte bërë që para emrit të vendosej gjithmonë parashtesa “Rekordmeni”. Pra ai tanimë ishte kthyer në një visar të vyer për kombin e vet, në fushën e sportit të forcës.

Por largimi e tij për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, e detyroi Lilianën, që në gjashtëmujorin e parë, shumicën e problemeve që dilnin në teatrin “Migjeni”, ta përballonte e vetme, pa konsultën e Farukut.

Vështirësia qe në fillim, sepse 6-muaj pas emërimit në detyrën e re, komunikimi i tyre nisi me anë të letrave, duke sfiduar kështu largësinë. Atëherë nuk njihej celulari dhe as facceboku, ndërsa letrat me postë vononin rreth një javë. Të dy prisnin çdo ditë me ankth ardhjen e postjerit, me shpresë se Brenda letrës do të gjenin “çelësin” apo formulën e lidhjes së tyre të përjetshme. Por askush prej tyre nuk guxonte ta bënte hapin i pari.

Nëpër këto letra, ata i shkruanin njëri-tjetrit për problemet që hasnin në jetën e përditshme artistiko-sportive. Ndërsa, për pjesën e ndjenjave shpirtërore nuk thuhej asgjë. Dukej sikur fjalitë për dashurinë ishin “arratisur” nga fjalori.

Natyrisht, ndarjen e detyruar dhe të përkohshme me Farukun, Liliana e përjetonte me vështirësi. Ajo e ndjente shumë mungesën e tij dhe askush nuk mund t’ia zëvendësonte atë mungesë. Shpesh kujtonte e vetme, kur ata të dy performonin bashkë në ushtrimet akrobatike, të cilat shpesh herë prodhonin edhe argëtime të shumëllojshme.

Interesante ishte garimi midis tyre gjatë stërvitjeve. Provonin se kush do të rezistonte më gjatë, duke qëndruar në vertikale. Natyrisht, Faruku ishte jashtëzakonisht i forte. Por gjatë këtyre garave miqësore, Liliana kalonte menjëhere nga vertikalja në ushtrime të ndryshme plastike, në të cilat ndihej e sigurt fituese. Kënaqësia e këtyre “garave” ishte e veçantë.

Ata provonin konkurrencën me njëri-tjetrin edhe kush bënte më shumë salto, fikflak rondat-fikflak etj. Këtu supremacia e fitores, kalonte herë nga njëri krah dhe herë nga tjetri. Por Lilianës i pëlqente më shumë, që të punonte me Farukun në numrat dyshe të akrobacisë, sepse Faruku ishte i shkathët dhe i fortë. Ai dinte tí jepte kurajë dhe të largonte emocionet para shfaqjes. Këtë e bënte me të gjithë partnerët, pa përjashtim, për të shmangur vështiresitë që hasnin gjatë stërvitjes. Por pas ikjes së Farukut në klubin “Partizani”, Lilianës i mungonte kjo përkrahje. Prandaj ajo ishte e para që e përkrahu vendosjen e komunikimit të tyre, nëpërmjet letrave të postës.

Lidhur me këtë periudhë Liliana shprehet: “Në atë kohë, ndonese larg njëri-tjetrit, shkëmbenim letra të ndryshme, ku më shumë diskutonim për karrierën profesionale, vështirësitë që hasnim në punë, për familjet dhe shumë pak për çështje emocionale. Gjithsesi, emocionet në letrat që shkëmbenim vinin duke u shtuar. Faruku ishte kurajoz. Më ndihmonte shumë. Madje më jepte kurajo edhe nëpërmjet letrave. Me fjalët e shkruara mundohej të plotësonte boshllëkun që më ishte krijuar nga largimi i tij. Shpesh më dërgonte dhe material nga nurmat e cirkut të Tiranës. Kjo praktikë vazhdoi derisa ai u lirua”.

 

Shkolla e natës

 

Pas lirimit nga shërbimi ushtarak dhe pas kthimit në vendlindje, Faruku u regjistrua në shkollën e natës, për të përfunduar arsimin e mesëm, që e kishte lënë përgjysmë. Para ushtrisë, ai kishte qenë vazhdimisht i zënë me aktivitete të shumëllojshme, ku kohën më të madhe ia merrte stërvitja. Por pas ushtrisë vendosi t’u kthehej përsëri bankave të shkollës.

Liliana sapo kishte mbaruar shtatëvjeçaren, prandaj, edhe ajo u regjistrua në shkollën e mesme, pa shkëputje nga puna. Në këtë mënyrë, të njëjtën gjë bëri edhe Faruku, jo vetëm pa shkëputje nga puna, por sidomos pa shkëputje nga Liliana. Aq e vërtetë ishte kjo, saqë ata të dy, ishin në një shkollë, në një klasë, e madje në një bankë. Për hir të së vërtetës, gjatë asaj periudhe rekordesh, Faruku i kishte lënë disi jashtë vëmendjes problemet e shkollës, prandaj e kishte të vështirë të ambientohej. Keq e kishte me ushtrimet e matematikës, në algjebër, apo me vjershat e Jeronim De Radës, në Letërsi. Sa herë që ndonjë prej mësuesve të shkollës së mesme, drejtohej nga Faruku për t’i bërë ndonjë pyetje, ai i tregonte me gisht shoqen e tij të bankës, duke i thënë: “Kësaj pyetje do i përgjigjet Liliana”.

Njëherë, në orën e Letërsisë, pedagogu Lec Shllaku iu drejtua Farukut: Çohu në dërrasën e zezë!

Dhe Faruku i tha Lilit, që kishte në bankë: A e dëgjon profesorin? Pse nuk çohesh në dërrasën e zezë, për të thënë mësimin?

Atëherë Liliana ngrihej dhe u përgjigjej me rrjedhshmëri pyetjeve për mësimin.  Mësuesi mbetej gati i hutuar. Pastaj Faruku i thoshte Lec Shllakut, me të qeshur: Profesor, mjafton njëri prej nesh, për t’iu përgjigjur pyetjeve! Dhe professor Shllaku nuk zemërohej asnjëherë me “kampionin”.

Në shkollën e natës Faruku me Lilin shkonin bashkë dhe ktheheshin së bashku, pa u ndarë për asnjë moment. Ndërsa, kur Faruku ndodhej jashtë shtetit, për gara të ndryshme kampionatesh, porosiste djalin e tezes, që të shoqëronte Lilianën, nga shkolla deri në shtëpi.

Njëherë, i thanë njërit prej profesorëve të gjimnazit, i cili tani nuk jeton: Faruku po e mbaron shkollën me hatër, pa e merituar atë!

Dhe ai iu përgjigj: Faruku e ka merituar shkollën, vetëm me rekordet e tij!

Natyrisht, profesorët e kuptonin mjaft mirë ngarkesën fizike, por edhe psikologjike të një nxënësi, i cili duke qenë rekordmen europian në peshëngritje, tani duhej të përballej edhe me mësimet e historisë apo të biologjisë. Profesori i Fizikës, i cili dinte përmendësh ligjin e Omit, ose mrekullitë që bënte “leva e Arkimedit”, përmendte shpesh sentencën e Arkimedit, i cili thoshte: “Më gjeni një pikë mbështetjeje dhe unë do të përmbys botën, me anë të një leve”. Ndërsa Faruk Kalleshi, pa përdorur asnjë levë dhe pa e njohur me hollësi ligjin e Arkimedit, ishte në gjendje të përmbyste praktikisht rekordet e njerëzimit në peshëngritje.

Megjithatë, vitet kaluan dhe një ditë Faruku mori dëftesën e pjekurisë. Pajisja me të nënkuptonte mbarimin e shkollës së mesme.

Kapitulli i gjashtë

Instituti i Fiskulturës

 

Në atë kohë Faruk Kalleshi kishte kapur nivelet më të larta të sportit të peshëngritjes botërore. Megjithëse pati kaluar moshën e kryerjes së shërbimit ushtarak, ishte i ndërgjegjshëm se nuk i plotësonte kriteret për t’u pranuar në Institutin e Fiskulturës, i cili në atë kohë ishte ëndrra e çdo sportisti.

Në të gjithë botën njihet fenomeni specifik i diferencës së njeriut të talentuar, në raport me konkurrentët e zakonshëm të garave, siç janë normat e Institutit të Fiskulturës. Kishte vite, madje, qysh nga krijimi i Institutit të Fiskulturës, që për shkak të vështirësisë së normave, sportistët më të mirë nuk e fitonin të drejtën e shkollimit, ose shkonin në ndonjë degë tjetër.

Talenti dallohet në një fushë të vetme, ku arrin një kulmonacion, ndërsa në fushat e tjera, shpesh ai nuk kap dot as normat mesatare. Kështu, Faruku shkoi të konkurronte për t’u pranuar në Institutin e Lartë të Fiskulturës, megjithëse e dinte fare mirë që, disa nga normat, nuk i plotësonte siç duhej, ose të paktën, nuk i plotësonte me cilësi të lartë.

Në basketboll ka qenë i shkëlqyer. Po kështu edhe në futboll, apo volejboll. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për notin, vrapimin apo shahun. Që në kontaktet e para të komunikimit me Faruk Kalleshin, kuptohej menjëherë se ai kishte lindur për sportin. Por normat shkollore, në disa specifika të veçanta, në terren, nuk përballoheshin lehtë, vetëm me emrin e madh, apo me famën. Duhej stërvitje dhe përgatitje e veçantë në çdo drejtim. Mirëpo, personalitetet e sportit tonë, nuk e kishin luksin dhe kohën e mjaftueshme për t’u stërvitur gjatë në disiplina të ndryshme, për të kapur normat. Kjo kishte të bënte edhe me individualitetin e secilit prej tyre.

Rekordmeni i peshëngritjes në sportin e notit nuk mund të bënte gara të gjata, apo rezistente, për shkak të kontraktimit të muskujve, ndërsa në shah, i mungonte përqëndrimi dhe durimi, etj. Në sportet e lojrave më dorë, ai bënte figurë të paparë spektakolare dhe ishte absolutisht ndër të parët. Një fgakt të tillë e kanë shprehur me kohë edhe mjeshtrat e mëdhenj të këtyre sporteve.

Përfundimisht, në momentin e parë, u duk se Faruku e humbi shansin për të kryer një cikël 4-vjeçar me studime të disiplinuara, për Institutin e Fiskulturës. Sepse normat nuk i kapi të gjitha. Por një ditë, erdhi në Shkodër për një mbledhje të rëndësishme, Manush Myftiu, i cili qe një zyrtar i lartë i aparatit shtetëror të asaj kohe. Ishte ngjitur gjer në instancat e byrosë politike. Gjatë asaj mbledheje, kolegët dhe miqtë e Farukut e nxitën që të fliste, për të treguar se si qëndronte problemi i tij, me mospranimin në Institutin e Fiskulturës. Në një farë mënyre, kjo i ndihmonte edhe ata vetë, për të patur një marrëdhënie ligjore me këtë institut sportiv.

Me ngulmimin e shokëve, Farukut iu mbush mendja për të folur dhe u ngrit duke parashtruar problemin e vet. Në fakt, shqetësimi i tij u shtrua si një problem i madh kombëtar, për të gjithë talentet, të cilët nga njëra anë arrinin rezultate botërore në sportet e veta dhe nga ana tjetër, nuk mund të përmbushnin normat e pranimit në shkollën e fiskulturës.

Pas dikutimit të parashtruar prej Farukut, në atë mbledhje të rëndësishme, një nga zyrtarët e lartë të pushtetit ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, e ftoi në zyrë Farukun. Aty i premtoi zgjidhjen e çështjes së shtruar prej tij. Që nga ajo kohë, ky problem gjeti rrugëzgjidhjen përfundimtare edhe për rastet e mëvonshme. Për sportistët që nuk kapnin dot normat, duhej të merreshin parasysh kritere të tjera. U vendos një standard i veçantë për mjeshtrat dhe rekordmenët. Ishte një udhëzim tolerance, për ata sportistë që kishin rezultate të larta kombëtare e sidomos ndërkombëtare.

Pra, pas rastit flagrant të Faruk Kalleshit, u dha urdhër për të pranuar në Institutin e Fiskulturës, pa kushte, sportistët që arrinin rezulatate të larta, Brenda dhe jashtë vendit. Në mënyrë të veçantë, rekordmenët dhe kampionët nuk duhej të diskutoheshin fare. Faruk Kalleshi ishte i pari që pranohej në Institut, jashtë kriterit të plotësimit të normave.

 

Provimet

 

Provimet praktike të vitit shkollor ishin të detyrueshme për t’u bërë në Tiranë, ndërsa provimet e lëndëve teorike, mund të jepeshin edhe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Përsa i përket provimeve teorike në Shkodër, Faruku nuk është lodhur për t’i marrë. Sepse ka patur pedagogë që e kuptonin qartë rolin e madh të Faruk Kalleshit në promovimin e vlerave shqiptare gjatë eurokampionateve.

Kështu, kur ai shkoi për të dhënë provim lëndën e Historisë së Partisë, profesori i tha: Po çfarë note mund të vë unë ty, në PPSH, kur ti shkon e thyen një rekord europian, duke i shtuar krenarinë Shqipërisë dhe duke gëzuar të gjithë popullin shqiptar?

Në këto raste Faruku ulte kokën disi i skuqur nga përkëdhelja e sedrës, por profesori vazhdonte: A kam unë dinjitet që të vë ty notë pakaluese, në teorinë e kësaj lënde, kur ti, praktikisht, na ke nderuar para gjithë botës?

Faruku përgjigjej pa reaguar për sjelljen e pedagogut të vet dhe i afronte librezën e notave, ku profesori vendoste notën e radhës te kuadrati bosh.

Në Institut, Faruku nuk pretendonte për të arritur ndonjë mesatare të lartë në provime sepse, pas këtyre studimeve nuk kishte synim për shkollime të mëtejshme.

Ai qëndronte në pretendimet e veta dhe nuk shtirej. Nujk nguronte të  shprehej në mënyrë të sinqertë për shkallën e ambicieve profesionale të mësuesisë. Ndonëse më vonë, detyrën pedagogjike të mësuesisë, e kreu dhe vetë, madje në mënyrë shembuullore. Por gjatë kohës që ishte student, ai e respektoi hierarkinë dhe hegjemoninë e mësuesve të përkushtur ndaj lëndës së fiskulturës. Aq e vërtetë është kjo, saqë gjatë kalimeve të natyrshme nga një shkollë në tjetrën, Faruku tregohej modest në pretendimet e veta. Ai nuk pranoi të shkonte si mësues në ato shkolla, ku perfeksioni i mësuesve të tjerë të fiskulturës, ishte në nivele të larta. Pra, Faruku e vlerësonte përkushtimin e mësuesve të tjerë, duke i njohur meritat e tyre në fushën pedagogjike dhe nuk shprehte ndonjë ambicie të mërzitshme për t’u krahasuar apo për të konkurruar me ta.

Për hir të së vërtetës çdo mësues i lëndës së fiskulturës e ka kuptuar prioritetin e praktikës mbi teorinë dhe përpiqet të jetë i përpiktë në temat mësimore, duke i dhënë rëndësinë më të madhe fushës sportive dhe terrenit. Në fiskulturë nuk vlen kujdesi për ndërtimin e fjalive të bukura. Aty nevojitet shpjegimi në praktikë, se si gjuhet një personale në basketboll, si matet shënjestra për koshin basketbollistik, si gjuhet shërbimi, apo servisi në volejboll, si mund të përsosen shprehitë individuale për futbollin, etj, etj.

Te notat e Farukut në librezën universitare të Institutit të Fiskultuerës, bie në sy diferencimi midis lëndëve teorike dhe atyre praktiko-sportive. Kështu, në lëndët sportive, Faruku kishte notat maksimale, ndërsa për lëndët teorike, dalloheshin edhe shtata, teta, ndonjëherë edhe gjashta. Por kjo nuk kishte rëndësi, sepse ai e dinte që Instituti i Fiskulturës ishte një stad i lartë, kapërcimi i së cilës i garantonte atij perspektivën e jetës, pasi të dorëhiqej nga sporti. Por në radhë të parë, Faruku e donte diplomën si një dokument që dëshmonte dhe vërtetonte përpjekjet e tij për pajisjen me kulturën e nevojshme profesionale.

Në Institut, midis shumë lëdëve, Faruku u ballafaqua edhe me anatominë, pedagog i së cilës ishte doktor Xhelil Bakiri nga Gjirokastra. Anatomia në këtë Insitut renditej në listën e lëndëve të vështira. Por edhe profesor Xhelili konsiderohej pedagog i vështirë, madje nga më të pakalueshmit. Përveç të tjerave, ai ishte edhe mjeku sportiv i atletikës. Nga arritjet e rezultateve apo nga rekordet e Farukut, Xhelili ishte i kënaqur. Ai shprehej me respekt për peshëngritësin shqiptar. Por kur vinte puna te provimi, ai nuk pranonte asnjë lloj tolerance ndaj nxënësve. Ishte strikt.

Faruku mori tezën e provimit dhe u ul në bankë, duke u menduar se nga duhet t’ia fillonte që të përgjigjej. Pasi shkruajti disa gjëra në lidhje me përgjigjen, mori fletën e shkruar dhe u ul përballë profesorit. Natyrisht, duke mos i ditur me hollësi detajet e pyetjes, Faruku po sqaronte çështje të ndryshme nga libri mësimor, sa për t’u dukur që kishte lexuar. Pra, fliste për të mos heshtur. Përpiqej të tregonte se ishte përpjekur të asimilonte lëndën. Por profesori e dëgjoi me vëmendje. E pa që nxënësi nuk ishte Brenda tezës së provimit dhe pas pak e ndërpreu.

-Kallesh!, – i foli Bakiri me një ton qortues.

-Urdhëro, profesor!

-Më duket se po hallakatesh, pak si tepër!

Atëherë Faruku vendosi të fliste sinqerisht me pedagogun e vet.

-E di si është puna, profesor! Unë jam nisur me shku në qendër të Tiranës, por për të shkuar atje, mund t’i bie nga 21 dhjetori, por mund t’i bie edhe nga Zogu i Zi. E rëndësishme është që unë atje, në qendër, dua me dalë dhe do të dal patjetër.

Profesorit i pëlqeu shakaja, por shtrëngoi dhëmbët për të mos qeshur në sy të nxënësit. Në thelb i erdhi mirë që dëgjoi ato fjalë. Prandaj i kërkoi Farukut librezën e notave dhe vuri atje një 5, duke e mbyllur me shpejtësi kapakun e librezës, në mënyrë që të mos kishte kohë të pendohej për notën. Sepse ai e dinte që nuk kishte para syve një student të zakonshëm, por kampionin e kampionëve të peshëngritjes shqiptare, i cili hynte te njerëzit e jashtëzakonshëm dhe për të cilët lipsej një trajtesë e jashtëzakonshme dhe e ndryshme prej të tjerëve.

Në atë kohë, por edhe më vonë, Instituti i Fiskulturës me korresponcencë, ishte me likujdim provimesh, të cilat jepeshin gjatë sezoneve. Kryesisht sezonet e provimeve zhvilloheshin në muajët janar, prill, qershor, por edhe në gusht, i cili konsiderohej “sezoni i vjeshtukëve”.

Te Instituti i Fiskulturës, për studentët e korrespondencës, sezoni i gushtit nuk kishte lidhje me vjeshtukët. Aty futeshin në provim të gjithë studentët njëlloj, si në sezonet e tjera. Madje, studentët e korrespondencës kishin një shans më tepër. Nëse mbaronin shlyerjen e provimeve të vitit të parë, mund të kalonin brenda atij viti për të dhënë provime të vitit të dytë apo të tretë, pa limite kohore. Kështu Faruk Kalleshi, falë nxitimit për të fituar kohën e humbur, arriti në mënyrë të rrufeshme të mbaronte katër vjetët e Institutit të Fiskulturës, brenda një periudhe prej një viti e gjysmë.

Pas Farukut, provoi edhe Liliana për t’u ballafaquar me normat e pranimit për në Insitutin e Fiskulturës, por nuk arriti të dilte në listën e fituesve. Mbase mund të arrinte edhe ajo, por pas dështimit të parë, nuk ngulmoi të riprovonte forcat e veta. Në zyrat e komitetit nuk trokiti, pasi nuk donte të bëhej e bezdishme me zyrtarët e lartë të pushtetit vendor. Në fakt, edhe asaj i takonte të pranohej në shkollë, pa asnjë farë konkursi.

Liliana ishte pa diskutim më e mira në cirkun shqiptar dhe në këtë mënyrë, vajzës më të talentuar, i takonte me kohë një e drejtë studimi, për të vazhduar studimet e disiplinuara në këto fusha. Nëse do të ndodhte pranimi i saj, atëherë në shkollat ku ajo do të jepte mësim, gjatë karrierës së vet, padyshim që do të shtohej numri i talenteve të vegjël në fushën e akrobacisë, cirkut, apo edhe të baletit. Por Liliana nuk i kushtoi rëndësinë e duhur kësaj pune. Ajo ishte një profesioniste e shquar në cirk dhe e pabesdisur në kërkesat e saj. Lilianës i dukej fyese që të ankohej në instatancat e larta burokratike, për t’u mbushur mendjen se ajo bënte ushtrime akrobatike të vështirësisë së lartë në ajër, në një kohë kur shumë prej këtyre burokratëve nuk dinin as të ecnin apo të mbanin ekuilibrin në tokë, duke u lëkundur sa në një krah, në tjetrin.

Liliana donte ta merrte diplomën e Institutit edhe si statistikë nderi, apo edhe si një tregues i ngritjes së stadit kulturor. Por, për këtë trofe, ajo nuk pranoi të sakrifikonte autoritetin e vet, për t’iu lutur zyrtarëve, që deri atëherë, nuk e kishin kuptuar fatin e madh që i pati rënë për pjesë kulturës shkodrane dhe asaj kombëtare.

Shkëlqimi i këtyre talenteve, rriste edhe autoritetin e zyrtarëve. Shpesh ata merrnin lavdërime të pamerituara nga instancat e mësipërme, gjoja për krijimin e kushteve të përshtatshme për këta individë të spikatur, që shkëlqenin në sport apo art, falë mrekullive të lindura dhe stërvitjeve dhe sakrificave të mëdha që bënin.

 

Emërimi

 

Pa mbaruar ende Institutin e Fiskulturës, Farukun e emëruan mësues në shkollën “10 korriku” të Shkodrës. Aty u bë koleg me Astrit Hafizin, për të cilin mund të shkruhen faqe të tëra, në lidhje me gjenialitetin si sportist, si trajner, apo si njeri. Faruku kishte mbaruar shkollën e lartë të mjeshtërisë sportive dhe secili prej tyre i kishte grupet e ndara. Astriti përgjigjej për vajzat, ndërsa Faruku për djemtë. Nga sasia e orëve të mësimit, ngarkesa midis tyre ishte e barabartë, pra nga 10 orë secili.

Por nuk kaloi shumë kohë dhe Faruku e larguan nga shkolla “10 korriku”. Kjo u bë për shkak të traditës së krijuar. Kur dikush pranohej kandidat për anëtar partie, duhej tí nënshtrohej “stazhit të partisë”, ndaj Faruku u detyrua të shkonte në një shkollë tjetër, në fshatin Bërdicë.

Historia e anëtarësimit të Farukut në parti është e gjatë. Në atë kohë, në shkollën “10 korriku”, sekratar partie ishte Faik Zeneli. Faiku vinte nga fusha diplomatike dhe e njihte mirë origjinën familjare të Farukut. Të gjithë pjesëtarët e fisit të tij dalloheshin për ndershmërinë dhe korrektësinë e tyre. Prandaj, një ditë Faiku i propozoi Farukut, që të futej në parti. Por Faruku, duke qenë tip neglizhent për formalitetet e parëndësishme jashtë fushës së tij, nuk i vuri veshin këtij propozimi. Për nga natyra, ai nuk i merrte seriozisht propozimet për në parti, në Bashkimet Profesionale, Frontin Demokratik, Këshillin e Lagjes, etj. Natyrisht, kërkesa u përsërit prej Faikut dhe mori formën e pyetjes që kërkonte patjetër përgjigje.

Pyetja “a pranon të anëtarësohesh në partinë e punës”, atëherë ishte gati ekuivalente e pyetjen “me ne, apo kundra nesh”. Pra, pohimi ishte gati një detyrim sepse mospranimi nënkuptonte nënvlerësimin hapur të rolit të saj. Madje shpesh pyetja drejtohej edhe ndryshe. Të thërrisnin në zyrën e sekretarit të partisë dhe të pyesnin: Përse nuk ke bërë lutje për t’u pranuar në parti?

Anëtarësimi në parti nuk ishte mundësi e hapur për të gjithë. Aty zgjidheshin njerëzit më të përkushtuar e më të devotshëm në punë, më të urtë dhe më të ndershëm, ata që nuk kishin asnjë cen në biografi dhe që karakterizoheshin nga 10 cilësitë e komunistit, etj, etj. Të paktën kështu thuhej. Bëhej shumë propagandë, por kishte edhe shumë formalitet brenda saj.

Faruku nuk i pëlqente njerëzit që donin të dukeshin. Por bashkëkëohësit tanë, e dinë fare mirë se si funksiononin gjërat, ku një pjesë e madhe njerëzish bënin lutje pas lutjesh, për pranimin në parti. Natyrisht, partia e atëhershme e punës, nuk ishte si partitë e sotme, ku njerëzit futen për të përfituar ndonjë vend pune, apo tender, ose ku individët i ndërrojnë partitë, pas çdo procesi zgjedhor. Hyrja në parti nënkuptonte detyrime të mëdha për t’iu përgjigjur thirrjeve të saj dhe plotësimin e 10 cilësive të komunistit. Detyrimi i parë ishte kryerja e stazhit të partisë në terren, ose në ndonjë front të vështirë. Neglizhenca e Farukut për antarësmin vinte ngaqë ai kishte një regjim ditor të përpiktë dhe nuk dëshironte që të ndryshonte gjë në panoramën e ditës së tij. Prandaj, ai shpesh justifikohej duke thënë se “nuk i kishte 10 karakteristikat, apo cilësitë e komunistit”. Por edhe këtij justifikimi i mbaroi afati. Një ditë atë e thirri Prokop Murra në zyrën e vet. E kishin informuar se Faruku nuk dëshironte të hynte në parti, sepse pretendonte që nuk zotëronte “10 cilësitë” e komunistit. Ndaj i tha: “Ti Faruk ke një cilësi, sa për 15 të tilla”.

 

Stazhi në Bërdicë

 

Vendi ku do të kryente stazhin e partisë, ishte shkolla 8-vjeçare e fshatit Bërdicë. Faruku shkoi atje dhe që ditën e parë takoi drejtorëshën e kësaj shkolle, Gjyliana Pemishta, e cila e priti ngrohtësisht.

-Shoku Faruk, mirëse ke ardhur në shkollën tonë. Para së gjithash, po ju komunikoj se kam një porosi nga seksioni i Arsimit të Shkodrës, e cila në fakt, është porosi nga sekretari i parë i rrethit.

-Çfarë porosie? – pyeti Faruku, disi me indiferentizëm.

-Ti ke për të bërë 10 orë mësimi, vetëm dy herë në javë. Unë e kam shtëpinë këtu afër. Nëse të lind nevoja për të mos ardhur në punë ndonjë ditë, është mirë të më njoftosh, që të marr masa për vazhdimësinë e orëve të mësimit për nxënësit. Për ne, është fat që na ka ardhur një rekordmen! – përfundoi ajo.

Faruku, disi i mbrojtur nga “gëzofi” i rekordmenit dhe pak i përkëdhëlur nga fama e tij, nuk e fshehu ngazëllimin, megjithëse u përpoq të komunikonte në mënyrë mjaft institucionale me të. Prandaj, gjatë fjalive të para, ai i tha.

-Ju falenderoj, për mikpritjen tuaj. Unë do të përpiqem që të jem sa më korrekt. Por duhet t’ju them se më kanë këshilluar që, nëse është kohë e ftohtë, apo kur jam në prag garash, të mos nisem për në punë. Kjo për shkak të specifikës së sportit që që përfaqësoj, të obligimeve me stërvitjen, apo grumbullimet për jashtë shtetit.

Me kaq, biseda kontraktuale për kushtet dypalëshe përfundoi dhe të dy palët ranë dakort të respektojnë qëndrimet e tjetrit. Pastaj Faruku shtoi miqësisht dhe dy flalë të tjera.

-Për shkak të reputacionit dhe miqësisë që kam në Shkodër, dëshiroj të jap kontributin tim për mbarëvajtjen e shkollës, në atë sector që ka më shumë nevojë.

Ajo psherëtiu thellë sikur ta kishte ngacmuar në plagë, iu përgjigj menjëherë. “Shihe vetë. Gjendja e terrenit sportiv është për faqe të zezë. Nëse mundesh, na ndihmo. Ne ju falenderojmë për dëshirën e mirë që shfaqni.

-A ma lë këtë detyrë mua? – tha Faruku në formë pyetjeje. Patjetër do të bëjmë diçka. Me dëshirën për të ndihmuar ecurinë e asaj shkolle fshati, në çast ai përfytyroi gëzimin që do të përjetonin fëmijët, kur t’u çonte atyre topa futbolli, apo ndonjë rrjetë volejbolli. Dhe menjëherë u emocionua. Në atë moment, dy-tre nxënës vraponin përgjatë korridorit, duke mbajtur mbi shpinë disa çanta bezeje, të qepur në shtëpi nga nënat e tyre.

-Po, – iu përgjigj drejtoresha. Ua kam besuar. Me kaq, mori fund dhe biseda e parë, zhvilluar midis tyre, në interes të mbarëvajtjes së mësimit.

Kolegu tjetër që jepte mësim në lëndën e fiskulturës, në atë shkollë, ishte Fatmir Leli, një shok i ngushtë i Farukut, i cili njëkohësisht kishte qenë portjer i ekipit të Partizanit. Duke kombinuar oraret e mësimit me të, Faruku që të nesërmen nisi të kërkonte lart e poshtë, për të siguruar sendet dhe elementet e nevojshme për një terren sportiv. Së pari, ai shkoi në seksionin e arsimit dhe kërkoi disa topa, rrjeta volejbolli, etj., ndërkohë që dy-tre topa të tjerë i mori në klubin “Vllaznia”. Brenda një kohe të shkurtër Faruku siguroi mjaftueshmërisht bazën materiale për nxënësit e shkollës së vet. Ndërsa, për të bërë rrethimin e shkollës, ai shkoi te drejtori i ndërrmarjes Gjeologjike, të cilin e kishte patur dhe shok fëmijërie. Sapo e takoi, Faruku i tha:

-Dua të bëj rrethimin e shkollës, prandaj më ndihmo me disa tuba.

-Patjetër do të ndihmoj, – iu përgjigj drejtori, – veçse do të më vish këtu, pas 4 ditësh.

Dhe ashtu ndodhi. Drejtori porositi dy vartësit e tij, që të merreshin të gjitha masat për plotësimin e nevojave të shkollës së Bërdicës. Në atë moment, edhe drejtorit iu duk se nuk kishte mision më të vlefshëm në botë, se sa të kënaqeshin fëmijët e varfër, të një fshati. Në ditën e caktuar, Faruku shkoi sipas porosisë dhe gjithçka ishte gati. Gjatë atyre momenteve që qëndroi atje, Faruku pa me sytë e vet kur tubat u futën në ofiçinë dhe u shkurtuan, sipas dimensioneve që kërkonte ai.

Kur po shihte projektin e terrenit sportiv, shefi i ofiçinës e pëlqeu planin e Farukut, saqë u shpreh i gatshëm të shkonte edhe në shkollën e Bërdicës për t’i montuar. Por Faruku i tha se nuk ishte nevoja.

Ndërsa, drejtori ia ktheu:

-Tani shkolla jote do të ngjajë si një kështjellë e bukur. Dhe kur të lyhet me bojë, pamja do të jetë e mahnitshme.

-Po, – tha Faruku, – dua që shkolla ime të duket si një kështjellë e vogël, por e bukur.

Ashtu u bë. Por pas kësaj, doli nevoja për ta rrethuar vendin me një lloj teli, që quhej “gardian”. Ky lloj teli, prodhohej vetëm në Kavajë dhe, prej andej, shpërndahej në të gjitha rrethet, sipas planifikimit.

Farukut iu desh të nisej me urgjencë drejt Kavajës. Në fillim nuk dinte kë të takonte dhe ku të paraqitej, por sapo mbrriti, hasi në rrugë me një ish-futbollist të Kavajës, me të cilin kishte kryer shërbimin ushtarak. Të dy kishin qenë në klubin “Partizani”. Ai quhej Agim Dizdari. Faruku, pasi e takoi dhe mësoi telegrafisht diçka për jetën e tij, e pyeti:

-Agim, a njeh njeri në fabrikën ku prodhohet teli“gardian”?

-Po, atje punon një miku im, – iu përgjigj Agimi. Përse më pyet, çfarë halli ke?

Faruku i tregoi se si qëndronte puna.

-Mos ki merak, – e qetësoi Agimi. Atje është një shoku im që do të ndihmojë patjetër. Eshtë tifoz i çmendur i Partizanit dhe sa të shikojë ty, ka për t’i rënë të fikët, nga gëzimi.

Faruku u kënaq nga kjo përgjigje dhe të dy bashkë, shkuan tek shoku i tij, të cilit Agimi i tha menjëherë:

-A e di, kë të kam sjellë?

Tjetri hapi sytë, pa kuptuar asgjë. Ndërsa, Agimi i prezantoi të dy.

-Ky është Faruk Kalleshi, ndërsa ky është një kolegu im i punës.

Sa dëgjoi emrin e Farukut, tjetri u ngrit në këmbë instiktivisht, ndërsa Agimi vazhdoi të recitonte vjershën për Farukun, e cila në mjediset stërvitore të Partizanit ishte mësuar përmendësh, prej shumicës së sportistëve:

Ky është ushtari mikroskopik,

Por i fortë si një çelik,

Eshtë i vogël, i lidhur ny,

Që s’len rekord pa thy” .

Pas këtyre vargjeve, Faruku u takua me tifozin e “çmendur” të Partizanit, dhe të tre, nisën të bisedonin shtruar për kujtimet e kaluara, për kampionatet e kupat, për trofetë e “Partizanit”, si edhe për gjendjen aktuale të grupit. Pasi u shkrinë në biseda interesante, me njëri-tjetrin, tifozi u kujtua dhe e pyeti Farukun.

-Ç’e mirë të ka sjellë këtu, në Kavajë?

Atëherë Faruku ia tregoi fije e për pe, se si e kishte hallin.

-Më duhet një lloj teli special për rrethimin e shkollës. Më kanë thënë se ky tel gjendet vetëm këtu, te ju!

-E kuptova, – tha tjetri dhe vijoi. Pas dhjetë ditësh do sjellësh një kamion të madh dhe ne do ta ngarkojmë me këtë lloj teli, që do e prodhojmë jashtë planit, enkas për shkollën tuaj!

Natyrisht, faturimi i mallit do të bëhej normalisht, por prodhimi do të ndërfutej jashtë planifikimit mujor. Dhe në datën e caktuar, Faruku mori një kamion dhe shkoi në fabrikën e telit për të marrë mallin. Gjatë ngarkimit, në respekt të Farukut, ata kishin futur në makinë më shumë nga sa kishin shkruajtur në faturë. Faruku e falenderoi me mirënjohje të thellë punonjësin e reparit të prodhimit të telit dhe u nis drejt shkollës. Pasi e rrethoi të gjithë territorin e jashtëm të shkollës, pjesën e mbetur të telit ua dha drejtuesve të seksionit të arsimit, për ta përdorur në shkolla të tjera.

Ky ishte një kontribut i vyer i Farukut për shkollën e Bërdicës. Ndërsa, po ta pyesësh Farukun, se sa orë mësimi kreu gjatë stazhit, ai e ka të vështirë të përgjigjet. Sepse, në fakt, ishte shumë pak i pranishëm në procesin mësimor. Por për shkak të tij, shkolla e Bërdicës u bë një nga shkollat model të rrethit të Shkodrës.

Kur erdhi koha që Faruku do të ikte që andej, të gjithë mësuesit dhe nxënësit e përcollën duke i thënë me mirënjohje: “Faleminderit, që ishe tek ne”.

Në atë shkollë, Faruku nuk e mbushi një vit të plotë, por bëri punë voluminoze, më tepër se të tjerët që kishin ndenjur nga 3-4 vjet dhe kishin ikur që andej, pa lënë asnjë gjurmë.

Nga ana tjetër, duhet thënë se në rastin e stazhit të partisë, për Lilianën, Faruku ndërhyri tek të njohurit e vet, që Liliana të mos kryente stazh partie. Intresimi i tij u erdhi për shtat edhe drejtuesve të cirkut, apo të Estradës, të cilët nuk donin të jepnin asnjë shfaqje pa numrat akrobatikë të Lilianës. Sepse ata e dinin mirë, që çdo guxim aventuresk pa Lilianën, do të ishte dështim i plotë para publikut.

 

Një shfaqje para Enver Hoxhës

 

Puna e Lilianës në Cirk, apo në Pallatin e Pionierëve, në fakt fshihte në vetvete një të vërtetë të hidhur dhe tinzare të zyrtarëve të asaj kohe, që kishte të bënte me harresën dhe mospërkrahjen e burokratëve të shtetit ndaj figurave të mëdha të artit. Në rastin e Lilianës, kjo kishte të bënte me mashtrimin që ata, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kishin bërë kësaj artisteje të madhe, duke e lënë në mes të vështirësive ekonomike të familjes së saj.

Në moshën 15 vjeçare, Liliana punonte në një lavanderi të qytetit, ku çdo ditë lante rroba të shumta dhe duart e saj griheshin nga sapuni, ilaçi, ose nga bojërat kimike. Pastaj, mbrëmjeve, me ato duar të grira e të gjakosura, ajo bënte mrekullira në cirk, ku duartrokitej nga qindra spektatorë. Por shumë pak prej tyre mund ta dinin se jeta e Lilianës, kalonte në kushte pune torturuese. Dhe ajo asnjëherë nuk iu ankua askujt.

Në emër të së vërtetës, duhet thënë se Liliana ishte artiste e madhe, por që nuk gjeti përkrahjen e duhur. Vendet e punës në teatër, apo në cirk, ishin organikë e Ministrisë së Kulturës, dhe vetë rrethi, nuk kishte asgjë në dorë për emërimin e saj. Kështu që Liliana detyrohej ditën të punonte në lavanderi dhe pasditeve apo në mbrëmje, të punonte me honorare në Shtëpinë e Pionierit, në cirk dhe në Estradën e Shkodrës. Paguhej me honorare modeste. Kështu vazhdoi shumë ditë e netë, por në një mbrëmje të vitit 1968, në Shkodër u dha njoftimi se do të vinte Enver Hoxha.

Ai do të merrte pjesë edhe në një shfaqje të Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës, në Teatrin “Migjeni”. Dhe ashtu ndodhi. Enver Hoxha erdhi para fillimit të shfaqjes dhe u ul me zyrtarë të tjerë. Ishin të ftuarit special të asaj nate, ku padyshim ai vetë ishte më i rëndësishmi. Merrnin pjesë dhe Ramiz Aliaj, Nexhmije Hoxha, ministrat Mantho Bala e Nedin Hoxha, si dhe shumë të tjerë. Lozha qe mbushur plot. Enveri është cilësuar nga analistët, si diktatori më i madh i kohërave tona, por nga ana tjetër, është pranuar prej tyre, si njohësi më i mirë i artit botëror. Të paktën, në krahasim me udhëheqësit e tjerë shqiptarë të mëparshëm, apo të mëvonshëm.

Sipas kronologjisë së programacionit, numri i Lilianës ishte i fundit dhe pas saj, shfaqja mbyllej. Por ky numër i ekzekutuar me një mjeshtëri të paparë të Lilianës, tërhoqi aq shumë vëmendje, saqë salla nuk pushonte së duartrokituri. Vetë Enver Hoxha ishte çuar në këmbë dhe përgëzonte artisten e mrekullueshme të Shkodrës, ndërkohë që Liliana falenderonte të gjithë publikun, për duartrokitjet. Emocionet e asaj mbrëmjeje ishin të papërshkrueshme, ndërsa Enver Hoxha gjatë duartrokitjeve, në plate, pyeti njërin prej zyrtarëve të Komitetit Ekzekutiv, se ku punonte ajo vajzë.

 

Enigma

 

Bisedën e zhvilluar midis Enver Hoxhës dhe kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, Bilal Parruca, Liliana e mori vesh të nesërmen. Pikërisht në momentin kur atë e thirrën urgjentisht në Komitetin Ekzekutiv. Kryetari Parruca, po e priste në këmbë, ndërsa rreth tij qëndronin disa zyrtarë të tjerë që mbanin shënime. Ishin të gjithë me blloqe e  lapsa në duar

Sapo Liliana hyri në zyrë, Bilali i tha:

-E di për çfarë të kemi thirrur?

Liliana në atë çast uli kokën dhe pa ngjyrën e tutave të saj, disi të dala boje, të cilat ajo vazhdonte t’i përdorte ende për shkak të mungesës ekonomike në familje.

-Jo! – iu përgjigj Liliana.

-Dua t’ju falenderoj sepse  që na nderove para udhhëeqësit të madh të partisë dhe të popullit, udhëheqësit  të Shqipërisë?

Liliana nuk foli. Por e kuptoi pak a shumë, se çfarë mund të kishte ndodhur.

-Shoku Enver, midis të tjerave na pyeti: “Ku punon kjo vajzë”?

– Liliana e dëgjonte me vëmendje, duke mos i ndarë sytë nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv. Bilali vazhdoi tregimin. , duke vrojtuar me vëmendje Bilalin.

-Ne u ndjem ngushtë. I thamë që, “punon në ngjyrosje, lan rroba”! Por ai na qortoi. “A nuk keni turp që keni lënë këtë vajzë të talentuar, të lajë rroba?”

Aty për aty, Enveri u kishte thënë se atë vajzë duhet ta merrte Tirana. Por Komiteti Ekzekutiv i Shkodrës, tani qe bindur në madhështinë e saj dhe donte ta mbante për vete, në institucionet artistike. Në atë moment, Bilal Parruca ngriti kokën dhe duke e parë në sy, i tha Lilianës: “Ti vajzë, nesër do të fillosh punë në teatrin Migjeni, me rrogë të plotë”.

Ky ishte një gëzim i madh për Lilianën, e cila deri në atë kohë, gjatë paraditeve, ishte raskapitur duke larë rrobat e ngjyrosura, në një nga lavanderitë e Shkodrës.

Prëveç të tjerave, Bilali bëri autokrikë për mosvëmendjen e strukturave drejtuese ndaj një talenti të kalibrit të Lilianës dhe pasi tha që ndiheshin përgjegjës që e kishin lënë në atë gjendje”, shtoi se “që sot e tutje, përveç të tjerave, ti do të hashë ushqim në Turizmin e Shkodrës”. Ky në fakt qe një lloj trajtimi ushqimor që u bëhej futbollistëve dhe sportistëve të spikatur të qytetit.

Të nesërmen, Liliana hyri në Teatrin “Migjeni” më e gëzuar se kurrë. Mgjithëse premtimi për t’u ushqyer në Turizmin e Shkodrës nuk u mbajt, përsëri Liliana me anë të mjeshtërisë së saj profesionale, ishte ngjitur shumë lart në aspiratat e veta. Kjo ishte fitorja e madhe e 17 vjeçares, ndaj burokracisë së kohës, që i linte artistët të pambrojtur dhe në mëshirën e fatit.

Gjithashtu, të nesërmen u publikua i plotë vlerësimi i Enver Hoxhës në librin e përshtypjeve të Teatrit Migjeni. Enveri kishte shkruar aty këto fjalë: “Më pëlqeu shumë shfaqja por më shumë më pëlqeu numri i cirkut, i akrobates së talentuar Liljana Musaj (Paci)”.  Ishte ky shkaku që të nesërmen, në borderon e Teatrit “Migjeni”, përkrah emrit të Liliana Musajt, ishte shënuar përcaktimi, “artiste cirku”.

 

Lauruar me Çmimin e Republikës

 

Në atë kohë, një ndër eventet më të rëndësishme për të gjithë artistët e vendit, ishte Festivali Kombëtar i Estradave Profesioniste të Shqipërisë, që organizohej një herë në pesë vjet. Në atë vit, ky festival u organizua në Tiranë. Aty Liliana mori pjesë me një numër individual të plastikës, me të cilin pati shumë sukses dhe korri duartrokitje të panumërta. Gjatë performimit të saj, spektatorët u ngritën në këmbë dhe bënë “biz” për disa minuta rresht. Ky interpretim i artistes, bëri bujë në qarqet artistike dhe jehona vijoi për shumë muaj me radhë. Specialistët bënë vlerësim të lartë për këtë realizim perfekt nga ana e Lilianës.

Aq e vërtetë ishte kjo, saqë në fund të këtij edicioni, Juria e Festivalit e vlerësoi Lilianën me titullin: “Lauruar me Çmimin e Republikës”, firmosur nga ministri i kulturës së asaj kohe, Thoma Deljana.

Në fund të aktivitetit u organizua një darkë nga Ministria e Kulturës së asaj kohe. Ajo u shtrua te hotel “Vollga”, e cila atëherë njihej si një ndër ambjentet më të rëndesishëm për kohën

Në këtë darkë ishin të pranishëm artistët më të zgjedhur, nga të gjitha estradat e Shqipërisë. Asnjë person nuk lejohej të hynte pa ftesë. Papritmas Lilana pa një fytyrë të qeshur, por njëkohësisht dhe të shqetësuar që po vinte drejt saj. Ishte Faruku. Edhe pse nuk kishte ftesë, e patën lejuar të hynte brenda. Mbase për shkak se ishte një ndër përfaqësuesit më të mëdhenj të sportit shqiptar. Në fakt, personit që komandonte rojet te dera, Faruku i tha se do të hynte brenda dhe do të ulej në tavolinën e përfaqësuesve të Shkodrës.

Fillimisht rojet nuk u bindën, por pasi biseduan me shefin  e tyre, i hapën të dy kanatat e dyerve, në shenjë mikpritjeje për kampionin e njohur. Pasi hyri brenda, ai u ul menjëherë pranë Lilianës, pa kthyer kokën në asnjë drejtim tjetër. Ndërkaq, Liliana u ndje shumë e lirshme dhe e gëzuar, pasi për të ishte një surprizë e madhe të kishte në krah Farukun. Gjatë gjithë kohës ajo nuk u ndje fare në siklet dhe nuk pati emocione nga prania e tij, sepse Faruku ishte miku i saj më i mirë.

Ai erdhi disa minuta para momentit të ndarjes së çmimeve. Vlerësoheshin talentet më të spikatur të estradave, në atë Festival. Pikërisht, në atë moment, gjatë vlerësimit të artistëve, nga mikrofoni i presidiumit të jurisë, u dëgjua emri i Lilianës, e cila u vlerësua me çmim të posaçëm, për merita të jashtëzakonshme në cilësinë artistike, si një talente e rrallë. Ajo u dekorua me çmimin “Laurate e Republikës”. Në atë moment Farukut i qeshi fytyra.

Festivali i Estradave organizohej një herë në 5 vjet dhe ky çmim jepej për më të mirin e Festivalit. Tanimë ai i përkiste Lilianës dhe kjo gjë, përmbushte më së miri sakrificat dhe ëndrrat e saj disavjeçare.

Duke shkuar drejt tryezës kryesore, për të marrë trofeun e çmimit të parë, Liliana ndjehej jashtëzakonisht e lumtur, për suksesin e arritur. Dhe pikërisht, ajo, kampionia e qëndrimit në ekuilibër, në ato 30 sekonda të ecjes drejt juries, po ndjente se po i merreshin këmbët. I dukej sikur po humbiste ekuilibrin nga emocioni. Sepse arritja dhe suksesi ishin tepër të mëdha, për moshën e saj aq të re.

Ajo shihte kolegët e vet nga e gjithë Shqipëria që e durtrokisnin fort dhe papushim, duke shprehur një respekt të vërtetë për madhështinë e arritjeve të saj. Ndjenjat e artistes ishin të papërshkrueshme. Ndërsa ajo dridhej nga emocioni, Farukut i qeshte fytyra, duke treguar krenarinë e vet, në zgjedhjen e bërë për të ardhmen e jetës së tij.

Atë çast Liliana mori urime të shumta e të papara nga të gjithë të pranishmit. Ishte momenti kur salla mbajti qetësi sepse po bëhej gati të lexohej emri i dytë, i fituesit të këtij edicioni. Juria lexoi emrin e artistit të madh Tano Banushi, që për vlera artistike nderohej me çmimin “Laurat Republike”. Përsëri në sallë shpërthyen duartrokitje të mëdha. Edhe Liliana u ngrit në këmbë, për të brohoritur suksesin e gjeniut të skenës shkodrane, i cili i meritonte të gjitha çmimet që mund t’i jepeshin. Ngado, majtas e djathtas, qëndronin dhjetra aktorë të tjerë, në moshë të kaluar, të cilët ishin plakur nëpër skena, pa provuar se çfarë shije kishte çmimi i parë i një Festivali. Ndërsa ajo vetë, sapo kishte mbushur 16 vjeç, fitoi këtë çmim përmes duartrokitjeve të kolegëve të saj artistë, që dukej qartazi se e miratonin plotësisht vlerësimin e jurisë.

Këtë çmim kaq të lartë deri më sot nuk e ka marrë asnjë artist tjetër i Cirkut shqiptar. Liliana, në 5 festivale të ndryshme, ka marrë pesë vlerësime të tjera, me çmim të parë. Për këto trofe festivalore, mjeshtërinë e saj të lartë, nuk e konkurron askush tjetër, nga artistët e cirkut në Shqipëri.

 

Refuzimi i ofertave të punës

 

Pas këtij momenti Liliana pati shumë oferta për të ardhur me punë në kryeqytet. I premtuan jo vetëm punë dhe rrogë të mirë, por edhe strehim të bollshëm, brenda parametrave të asaj kohe. Por Liliana nuk pranoi. Kishte kohë që ishte anëtare e Këshillit Artistik të Teatrit “Migjeni”, ku bëheshin vendimarrje të rëndësishme për ardhmërinë e artit shkodran. Ajo ishte krijuese e interpretimeve të saj dhe kjo i sillte kënaqësi të dyfishtë.

Madje, për shumë kohë, Liliana me Farukun siguronin vetë edhe bazën materiale që u nevojitej për ushtrimet në cirk. Punonin vet, por kërkonin dhe ndihmën e ndonjë mjeshtri apo specialist, për skicimet e objekteve. Njëherë vendosën të dy për të ekzekutuar një numër të vështirë, që e kishte venë në skenë cirku i Tiranës. Kërkohej një pajisje, të cilën ata e ndërtuan vetë, të ndihmuar nga mjeshtra shkodranë. Në atë numër Faruku me Lilianën avancuan më tepër, se artistët e Cikut të Tiranës.

Ofertat për të punuar në Tiranë, u përsëritën disa vite më vonë dhe pikërisht në Festivalin Kombëtar të Estadadave, që u zhvillua në Sarandë. Ftesa këtë radhë erdhi direkt nga Ministria e Kulturës, por Liliana përsëri refuzoi, pa asnjë mëdyshje. Tani ajo qe martuar me Farukun dhe çdo ofertë pune individuale ishte e kotë, pasi nuk ndahej prej tij, për asnjë ditë, e jo më për periudha të gjata kohore. Natyrisht, dëshira për të mos u larguar lidhej edhe me afeksionin e saj për Teatrin “Migjeni” të Shkodrës dhe kolektivin e njerëzve që punonin në atë teatër.

Gjatë asaj periudhe kohe ka qëlluar që Liliana të punonte e të konkurronte në cirkun e Tiranës, por kultura artistike që kishte marrë në Shkodër ishte e pakrahasueshme me të tjerë. Dukej se kultura tradicionale e evidentonte Lilianën më lart se kolgët kryeqytetas. Kjo ndodhte sepse në Shkodër, prej kohësh, ishte mbledhur ajka e artit të lartësive. Një kulturë e pasur në vetvete me elegancën e ekzekutimit dhe përgjegjësinë e realizimit të ushtrimeve të vështirësisë së shkallës më të lartë.

Atëherë, midis shumë vlerësimeve, regjisori i teatrit “Migjeni” Serafin Fanku, thoshte shpesh që, “nëse të gjithë artistët do të kishin shkallën e përkushtimit të Liliana Kalleshit, atëherë arti shkodran dhe ai kombëtar, do të ngrihej shumë herë më lart dhe të gjithë do të ishin “Artistë të Popullit”.

Nga ana tjetër, duhet sqaruar fakti që Liliana ka patur gjithmonë si partner Faruk Kalleshin. Por gjatë kohës kur ai grumbullohej për garat ndërkombëtare, drejtuesit në cirk vendosën të merrnin në vend të tij, një teknik ndriçimi, ish-akrobat modest. E thërrisnin për shfaqjet e radhës gjersa të rikthehej Faruku.

 

Fraktura e parë

 

Kush jeton me cirkun, e di fare mirë se luan me rrezikun. Sidomos në mjediset e cirkut shqiptar, loja me rrezikun ishte e përditshme sepse aty nuk kishte elemente sigurie absolute. Nga çasti në çast mund të shfaqej e papritura. Edhe ngjarjet e cirkut në botë kanë treguar se rreziku është kurdoherë i pranishëm. Madje edhe tragjedia. Ky ankth vazhdon ta shoqërojë artin e cirkut deri në ditët e sotme.

Mjafton të përmendim ngjarjen vitit 2014, ku njëzet persona mbetën të plagosur pas rrëzimit të një platforme cirku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Platforma njihej me emrin “Shandelieri Human”, ku akrobatet ishin lidhur në këtë “shandelier”, duke përdorur flokët e tyre. Incidenti ishte tepër i rëndë.

Ndërkohë që, disa muaj më parë dhe pikërisht në vitin 2013, tigri vrau trajnerin e tij, gjatë një shfaqje cirku. Kjo ngjarje ndodhi në cirkun Suarez të Meksikës. Trajneri 35 vjeçar, Crispin Suarez po bënte një nga shfaqjet e zakonshme, kur krejt papritur tigri e sulmoi. Edhe pse në ndihmë të tij erdhën anëtarët e stafit të cirkut, ai sërish nuk mundi të mbijetonte.

Por le të kthehemi te princesha e cirkut shqiptar, Liliana Kalleshi, së cilës në moshën 17-vjeçare, ndodhi një aksident i rëndë gjatë shfaqjes në teatrin “Migjeni”. Ajo po ekzekutonte një numër akrobatik mjaft spektakolar dhe jashtëzakonisht i pëlqyer nga publiku. Pikërisht në mes duartrokitjesh të zjarrta, bazamenti i cirkut, Asim Belinova, humbi ekuilibrin dhe Liliana, së bashku me Farukun, ranë poshtë nga një lartësi e konsiderueshme.

Menjëherë pas rënies, ajo pësoi plasaritje të kockës së këmbës. I gjithë publiku u ngrit i tronditur. Liliana si një artiste e përgjegjshme, me ndihmën e Farukut u çua dhe përshëndeti spektatorët, duke u buzëqeshur. Pas atij numri duhej të dilte sërish në një skeç me Tano Banushin, në të cilin do të merrte vallen ruse. Për të mos e lënë shfaqjen në mes, ajo doli në skenë me dhimbje të forta të këmbës. Me durimin dhe forcën që e karakterizonte, mundi ta luante për bukuri vallen e famshme.

Artistët shkodranë mbetën të habitur me guximin e saj, që mundi t’i bënte ballë dhimbjes therëse të frakturës së lehtë në këmbë. Secili prej kronikanëve të artit, mund të përpiqet të japë raste sakrificash të artistëve, në skenat vendase dhe të huaja. Por askush nuk mund të përmend ndonjë rast analog të artistëve të tjerë, kur dikush prej tyre të ketë rihyrë në skenë, duke duruar dhimbje aq të forta. Askush si Lliliana nuk ka përballuar një tmerr kaq të madh, sa të detyrohej të kërcente në skenë, pikërisht në momentin kur sapo kishte thyer kockën e këmbës. Kjo ngjarje hyn në koleksionin e heroizmave të artistëve tanë nëpër vite dhe Liliana meriton një medalje të veçantë trimërie dhe rezistence, vetëm për incidentin në fjalë.

Sapo mbaroi shfaqjen, ajo iu nënshtrua kontrollit të specializuar mjekësor dhe e vuri këmbën në allçi. Kjo ngjarje bëri jehonë të madhe në qytetin e Shkodrës dhe për disa ditë me radhë njerëzit flisnin veç për të. Ndërsa dalja e Lilianës në rrugët e qytetit ishte e vështirë, pasi duhej të ndalej në çdo hap. Të gjithë artdashësit që e hasnin në rrugë, të tronditur nga ngjarja e pyesnin me dashamirësi për shëndetin. Ajo i sqaronte me durim për atë çfarë i kishte ndodhur, duke anuar gjithmonë nga zbutja e së keqes dhe nga optizmi se tanimë gjithçka kishte kaluar. Dhe ashtu ndodhi. Pas disa muajsh, ajo u rikthye në skenë, por tanimë si një perëndeshë e vërtetë e artit të madh dhe spektatori e priti me duartrokitje që dukej se nuk do të kishin mbarim asnjëherë.

 

Statusi i ri i dashurisë

 

Një mbrëmje Faruku i kërkoi Lilanës ndryshimin e statusit të tij, në raportin me të. Nga statusi i një një shoku të ngushtë, Faruku i kërkoi që të ishin diçka më shumë, duke i shprehur ndenjat e tij të pastërta.

Për këtë ngjarje Liliana shprehet: “Në këtë moment, Faruku kërkonte me këmbëngulje që të kthehej në qytetin e tij të lindjes, në një kohë që në Tiranë e priste një karriere më e mirë sportive. Klubet e kryeqytetit i kishin afruar shtëpi dhe punë, mjafton që të qëndronte në Tiranë. Por Farukut si hynte fare në sy jeta kryeqytetase. Ai e kishte mendjen të kthehej sa më parë për të qenë pranë saj. Dëshironte të vazhdonim përsëri bashkë performimin e numrave akrobatik, dyshe, pasi e kishte aq shumë pasion edhe artin e cirkut. Midis nesh dominonte dashuria e pastër dhe pasioni për artin. Në ëndrrat e mia, në atë kohë, martesa me Farukun më bënte që të ndjehesha e lumtur. Atë e kisha njohur që e vogël (në moshën 9-vjeçare, kurse ai ishte 15 vjeç). Në fillim ishte partneri im, pastaj u bë shoku im më i ngushtë. Ëndrrat dhe pasionet tona për jetën përputheshin plotësisht.

Në mendjen time ekzistonte vetëm ai, edhe pse atëhere ngacmimet, si për çdo vajzë të re, ishin pafund, jo vetëm nga Shkodra, por në të gjithë Shqiperinë ku unë shkoja të jepja shfaqje. Ishte e çuditshme, pasi më vinte për të qeshur nga çdo kompliment që merrja nga djem të ndryshëm, pasi më dukeshin qesharakë. Thoja me vete, po këta ç’kanë? Unë dashuroja vetëm Farukun dhe asnjë tjetër nuk më interesonte.

Pasi i dhashë fjalën Farukut, u fejuam brenda muajit. Por ndodhi që babai i tij iku nga kjo jetë. Pritëm të kalonin disa kohë nga moment i humbjes së tij, dhe shpallëm martesën. Morëm urime të shumta nga miqë e shokë, por edhe nga gjithë pushtetarët e asaj kohe të qytetit të Shkodrës, madje edhe nga anëtarë të Byrosë Politike. Mendimi i tyre ishte se u bashkuan dy figurat e mëdha të sportit dhe të artit. Ishte një vendim shumë i bukur.

Opinioni publik mendonte se, për shkak të martesës, Faruku do kishte rënie në rezultatet sportive. Fatmirësisht ndodhi e kundërta. Kulminacionet sportive të tij vazhduan pa ndërprerje. Arritje tepër të larta kombëtare dhe ndërkombetare, suksese te pa llogaritshme. Por këto arritje, sigurisht që nuk mund të shkëputen nga ndihma shumë e madhe që unë i kam dhënë.

Kisha shumë ngarkesë. Jo vetëm në profesionin tim, ku stervitesha çdo ditë, madje dy herë në ditë, por edhe shumë punë të tjera. Përveç shfaqjes që duhej të jepja çdo natë, në mbrëmje më duhej t’i shërbeja Farukut për gjithcka, në mënyrë që ai të arrinte suksese sa më të larta, pasi përfaqësonte Shqipërinë.

Kujdesesha për çdo detaj të jetës tonë, jo vetëm si një amvise që duhej të mbante shtëpinë me gjithë të mirat, por edhe në aspektin psikologjik të Farukut, ku në asnjë moment të jetës tonë nuk kishte mërzitje. Ai ishte tepër i qetë dhe nuk e shqetesonte asnjë gjë.

Me fëmijët merresha vetë, me gjithçka që kishte nevojë familja. Shtëpinë e mbaja tepër të pastër, pasi në çdo moment mund të kishim të ftuar, apo miq e personalitete të ndryshëm të shtetit, që vinin dhe uronin Farukun për rezultatet që arrinte. Shtëpia jonë ishte shembull për qytetin, si një shtëpi e pastërt, e rregullt dhe një familje model. Fotot e shtëpisë dhe familjes, qëndronin në stendat e Shkodrës, si krenaria e qytetit”.

 

Vitet e fundit të punës së Xhemalit

 

Në vitet e fundit të punës së tij, Xhemali shërbente në repartin e zjarrëfikësve. Ishte punë relativisht e lehtë, por sipas dizpozitave ligjore në fuqi, nuk garantonte pension të mjaftueshëm për vitet e pleqërisë. Saktësisht hynte te kategorizimet minimale. Sipas rregullave në fuqi, individi mund të zgjidhte tre vite të punësimit të vet gjatë 10 vjeçarit të fundit. Dhe në bazë të mesatares së këtyre tre viteve, përllogaritej shuma e pensionit mujor. Më parë Xhemali kishte punuar si shofer në Parkun e Mallrave, por më vonë, në shenjë vlerësimi të kontributit të tij, atë e transferuan shofer në repartin e zjarrëfikësve.

Meqë aty paga e shoferit ishte e vogël, për tre vitet e fundit të pensionit Xhemali vendosi të shkonte në një punë më të vështirë dhe me një rrogë më të lartë. Gjithçka lindi pas këshillave që i dhanë disa shokë. Njëri prej tyre ngulmoi më shumë.

-Këtu ku je, punën e ke të mirë, por duhet të mendosh për pensionin, – i tha ai.

-Çfarë të bëj? – e pyeti Xhemali.

-Nëse do të shkosh në Koman, me një fadromë, atëherë, tre vitet e fundit do të mundësojnë rritjen e garantuar të pensionit. Në këtë mënyrë do të marrësh dyfishin e pensionit që të takon me rrogën e tanishme.

Xhemali u mendua për disa ditë dhe më në fund vendosi që, tre vitet e fundit, t’i kalonte në një detyrë tjetër, si shofer në një maune, që transportonte material ndërtmi për Hidrocentralin e Komanit. Atje u ndie më mirë, në kuptimin e disiplinës dhe korrektësisë në punë. Ndërsa, në aspektin e ralizimit të normave ditore, ua kalonte edhe më të rinjve.

Mirëpo, pasi tejkalonte normën ditore, merrte kallamin e peshkimit dhe ulej për të gjuajtur në breg të liqenit. Jo rrallë kapte edhe ndonjë peshk të shijshëm. Por ditë pas dite, kjo praktikë iu kthye në zakon dhe pasi bënte tre rrugë, shkonte te vendi i tij i gjuestisë, ku vinte në punë “veglat” e peshkimit. Kjo bëri që ai të linte pas dore rezultatet e larta të normës ditore, që përcaktonin pagën mujore të tij. Kështu, llogaritja e tre viteve të fundit në Koman, i doli njëlloj sikur të punonte në ndërrmarjen e zjarrëfiksëve. Ndërsa sasia e peshkut që kapi ishte e papërfillshme. Por tashmë pasioni i gjuetisë së peshkut i qe kthyer në varësi.

Në fillim, si një prind shembullor që ishte, mendoi të kursente sa më shumë nga shpenzimet që i nevojiteshin për ushqimin e përditshëm. Mendonte se në këtë mënyrë do të kontribuonte më shumë për familjen. Më vonë, peshkimi iu kthye në një manierë, pa të cilën nuk mund ta kalonte ditën. Dhe në mbarim të moshës së punës, përllogaritja e tre viteve të pensionit i doli thuajse e barabartë me atë që do të merrte, po të kishte qëndruar në repartin zjarrëfikësve.

 

Vdekja e babait

 

Në vitin 1970, kur Liliana ishte 19 vjeç, nëpërmjet të bisedës me Farukun, ajo e kuptoi se ai e kishte seriozisht lidhjen me të. Faruku qe kthyer nga ushtria dhe dy vëllezërit e tjerë, më të rritur, ishin martuar. Babai i tij diskutoi me nënën, për t’i gjetur ndonjë nuse, ashtu siç ndodhte atëherë, në të gjitha familjet shqiptare. Bisedën e hapi nëna, por Xhemali i kishte thënë së shoqes, që “Farukut nuk ia kam merakun se ka gjetur një vajzë të shkëlqyer.”

Kjo tregonte qartë se familjet respektive kishin dijeni për shoqërimin e dy të rinjve dhe se në familjen e Farukut, Liliana vlerësohej me notën dhjetë. Në fakt, baballarët e të dy prindërve njiheshin prej kohësh dhe e rspektonin njëri-tjetrin. Sepse Xhemali, babai i Farukut, punonte si shofer në zjarrëfikëse, e cila varej nga Dega e Brendshme dhe po ashtu, babai i Lilianës, duke qenë gardian burgu, varej nga e njëjta ministri.

Në Shkodër shumica e njerëzve njiheshin me njëri-tjetrin, por këto dy familje kishin lidhje të hershme. Babai i Farukut kishte shumë miqësi me gjyshin e Lilianës, sepse ai jetonte pas shtëpisë së tyre dhe kur dilte për në qendër, duhej të kalonte para shtëpisë së tij. Shpesh herë përshëndeteshin, pasi shihte Xhemalin që punonte në bahçe.

Ai ndalej dhe të dy bashkë shkëmbenin ndonjë muhabet me njeri-tjetrin. Por në prag të kurorëzimit të kësaj lidhjeje të përbashkët, babai i Farukut ishte i sëmurë, dhe duhej operuar në stomak. Dyshohej se kishte një formacion tumoral. Çifti i të rinjve priste përmirësimin e tij, për të kurorëzuar lidhjen e tyre. Por gjendja e Xhemalit po përkeqësohej dita-ditës. Dhe erdhi ora kur ai mbylli sytë përgjithmonë. Pas vdekjes së Xhemalit, familja organizoi një ceremoni mortore, ku mori pjesë i madh e i vogël nga qyteti i Shkodrës, si edhe nga qytete të tjera të vendit.

 

Në familjen e Lilianës

 

Koha ishte prishur dhe frynte një erë e çmendur. Atë mëngjes Shkodra ishte gdhirë nën temperatura të ulëta. Disa nga tjegullat e çative kishin rënë dhe punëtorët e komunales patën dalë që në mëngjes për të kontrolluar tarracat e shtëpive. Diku, në rrugën pranë shtëpisë së dajos së Lilianës, nga koha e keqe, dy pëllumba ranë nga pullazi dhe u përplasën përtokë. Ndërkohë një grua mori në duar, duke i ngrohur me frymën saj.

Në familjen e Lilianës flitej çdo ditë për lidhjen e saj me Farukun. Nëna nuk ishte dakord që Liliana të fejohej me peshëngritësin e famshëm, ndërsa babai e kishte dhënë miratimin. Por kjo qe e pamjaftueshme.

Një ditë, për të mos u acaruar me nënën, Liliana foli veçmas me babanë, duke i thënë se e donte Farukun, dhe se ajo nuk pranonte të martohej me asnjë tjetër. Në atë kohë, në shtëpinë e tyre vinin kërkesa familjare për kandidatë të ndryshëm, por Liliana nuk pranonte të takonte askënd tjetër, pasi ishte e fiksuar pas djalit që dashuronte.

Për këtë arsye, ajo mori një vendim. Derisa të qetësoheshin gjërat, në marrëveshje të plotë me babanë e saj, iku nga shtëpia e prindërve, duke bujtur tek shtëpia e gjyshes. Atje qëndroi gati një vit. Jetonte së bashku me dajon. Duke qenë te shtëpia e gjyshes, i takonte që të kalonte vazhdimisht para portës së Farukut. Njerëzit e tij “çmendeshin” pas hijeshisë së saj. Liliana ishte shumë e bukur, por edhe shumë zemërmirë.

Shpesh ajo i bënte dhurata të ndryshme Farukut, pavarësisht se vetë përballej me vështirësi ekonomike në familje. I hidhte në bahçe ndonjë bluzë të bukur. Herë tjetër, ndonjë çantë sportive, ose xhup për të rinj. Para nisjes për ushtar dhe pas kthimit nga ushtria, Liliana i dhuroi Farukut disa kujtime të veçanta, të cilat, as të pasurit e asaj kohe nuk i bënin dot. Por ajo kursente dhe i mblidhte lekët për Farukun. Për habi, fisnikëria e saj nuk pranonte asgjë nga Faruku, megjithëse ky i fundit nuk i kishte zakon dhuratat.

Një ditë, Faruku shkoi në shtëpinë e gjyshes së Lilianës dhe i tha troç, se “kjo do të jetë gruaja ime”. E shpallën fejesën që atë ditë.  Por ngjarjet u rrokullisën në mënyrë të paparashikueshme. Vdekja e Xhemalit e shtyu disi caktimin e kohës së dasmës.

Por një natë ndodhi diçka që përcaktoi bashkimin përfundimtar të tyre, pa qenë nevoja për dasmë. Pas shfaqjes në teatër, të cilat mbaronin gjithmonë në orën 8 e 30, çiftin e ri e ftoi për darkë një nga tezet e Farukut. E kishte shtëpinë afër tij. Dhe ata shkuan. Por Liliana ndjeu se po shkonte vonë dhe I bëri shenjë Farukut që të çoheshin. Por tezja iu lutë çiftit të porsafejuar, që të qëndronin pak më gjatë. Për pasojë, dy të rinjtë u vonuan shumë. Si rregull, Faruku nuk e prishte asnjëherë regjimin ditor. Madje edhe pse ishin të fejuar, ai nuk pranonte të shkelej disiplina për stërvitjen dhe punën. Por atë natë, ftesa e tezes, i ndryshoi disi gjërat.

Kur shkuan te shtëpia e dajës, kishte rënë mesnata. Trokitën në portë, por porta nuk u hap. Brenda shtëpisë dëgjohej biseda e dajës me familjarët e vet. Por portën nuk e hapi. Ai ishte fanatik i pandreqshëm. Kërkonte zbatimin e rregullave, sipas traditës zakonore. Njihej mbase ndër fanatikët ekstrem të asaj kohe në Shkodër. Sipas tij, vajzat shkodrane, nuk lejoheshin të dilnin jashtë, pa qënë të shoqëruara dhe s’mund të ktheheshiun në shtëpi pas orës 9 të mbrëmjes.

Dy të rinjtë nuk dinin ç’të bënin? Faruku hipi mbi mur dhe vuri re që pjesëtarët e familjes së dajos qenë ulur pranë divanëve të kuzhinës dhe po bisedonin. Faruku zbriti nga muri dhe i tregoi Lilianës, se ata ishin brenda, por nuk donin ta hapnin portën. “Po i bie edhe nëjherë derës, – i tha ai Lilianës, – dhe nëse nuk hapet, atëherë do të vish direkt te shtëpia ime”.

Kapitulli i shtatë

Martesa me një valixhe druri

 

Babai i Farukut kishte rreth dy muaj që ishte ndarë nga jeta. Liliana shpërtheu në lotë për shkak të situatës që u krijua. Përfundimisht porta e shtëpisë së dajos nuk u hap. Nën urdhërin e Farukut, Liliana shkoi pas tij, duke kthyer kokën nga shtëpia e gjyshes, mos ndofta në momentin e fundit, ajo mund të hapej. Ndërkohë nxori shaminë për të fshirë lotët, që nuk i mbajti dot.

Pranë portës së shtëpisë së Farukut, Liliana u shkreh duke qarë me zë të ulët. Ajo nuk pranonte të hynte në shtëpinë e tij, si nuse, në këtë mënyrë. Ditën e dasmës, në imagjinatën e vet, e kishte përfytyruar krejt ndryshe. Shpresonte se qindra vetë do të dilnin për të uruar çiftin e ri. Madje fëmijët do të ndiqnin nga pas siluetën e nuses, për të kapur në ajër sheqerkat që do të fluturonin, së bashku me lekët e shkoqura dhe orizin.

Ajo kishte përfytyruar mikeshat e saj të Teatrit “Migjeni”, që do të vinin për vizitë, duke u befasuar nga hijeshia nusërore e shoqes së tyre. Midis të tjerave, ajo përfytyronte shumë fotografi që do t’i kishte kujtim, foto me Farukun, me gjithë familjarët, kushërinjtë, të afërmit, mikeshat e saj dhe pjesëmarrësit e asaj dasme. Por vonesa e çiftit në darkën e tezes së Farukut, ia kishte përmbysur krejt parashikimet e përfytyrimit.

Tani ajo ndodhej dy metra larg portës së dhëndrrit, ku do të hynte për të qëndruar përgjithmonë. Kultura dhe edukata familjare, ambicia dhe sedra femërore, nuk ia lejonte kurrsesi që të martohej në këtë mënyrë. Por ajo natë e errët, nuk linte shumë rrugëdalje për të gjetur zgjidhje.

-Tani do të hyjmë brenda! – i tha Faruku. Sapo kishin prekur me dorë gardhin e jashtëm rrethues të shtëpisë së tij.

-Jo, Faruk, nuk mund të vij në këtë mënyrë, – kundërshtoi Liliana.

Por kundërshtimi i saj, pas një nate maratonë, ishte i dobët dhe ajo vetë nuk mund të jepte dot një përgjigje të shpejtë, se ku mund të shkonin në rrethanat e krijuara. Atëherë, Faruku e la Lilianën 2-3 metra më larg portës së shtëpisë dhe trokiti në derë. Te porta doli vëllai i tij i vogël, së bashku me nënën. Ata ishin bërë merak për vonesën e pazakontë të tij.

-Hajde, Faruk, – i thanë ata, thuajse në një gojë.

-Jo, – u tha ai, dhe i tregoi me dorë, nga vendi ku ndodhej Liliana, – ajo është atje dhe nuk vjen, – shtoi ai.

Atëherë, vëllai i vogël, doli jashtë portës dhe e ftoi Lilianën të hynte brenda shtëpisë së tyre. Por Liliana nuk pranoi. Bëri një refuzim të kulturuar, duke e falenderuar atë për kujdesin e treguar. Nga ana tjetër, të dy vëllezërit e kuptuan se ajo nuk mund të hynte në shtëpi, pa patur ftesën e nënës së Farukut.

-Përse nuk hyn? – e pyeti në atë çast vjehra e saj, duke dalë te shkallët, – hajde bijë, mirëse na ke ardh, – shtoi ajo plot gëzim.

Por Liliana vazhdonte të qëndronte e shtangur.

-Dëgjo bijë, – vazhdoi nëna, – edhe pse Xhemali nuk ka mbushur akoma dy muaj, që ka vdekur, ti do të hysh sonte në shtëpinë tonë, patjetër. Dhe nuk dua me ia ditë se çfarë do thonë të tjerët.

Më në fund Liliana pranoi dhe ata të gjithë, të lehtësuar, u futën brenda. Pastaj nëna i pyeti çfarë kishte ndodhur dhe ata i treguan historinë e asaj nate të gjatë, që nga darka e tezes e deri te shtëpia e gjyshes, mospërgjigja e dajës së Lilianës, mungesa e dëshirës për të hapur portën, e deri te vendimi për të ardhur përfundimisht në shtëpinë e tyre.

-Shumë mirë kini bërë, – u tha nëna e Farukut.

Pasi biseduan një copë here, erdhi momenti, kur ata duhet të binin për të fjetur. Në atë kohë, Faruku dhe i vëllai kishin dhomën e tyre të gjumit. Nëna u shtroi mbulesat e fjetjes, duke u thënë dy djemve: Ju kam shtruar të dyve, te vendi juaj, ndërsa unë dhe Lili do të flemë te dhoma ime.

Të nesërmen Liliana njoftoi babanë, familjarët e të afërmit. Dhe pak më vonë, të dy njoftuan miqtë dhe mikeshat, për martesën e bërë në një natë të ftohtë, e cila në fakt ishte e mbushur me ngrohtësi dhe emocione të shumta. Pas 6 muajsh, kur të gjitha keqkuptimet familjare u fashitën, ata vendosën të bëjnë një ceremoni martese, duke ftuar dhe kolektivin e punës.

Dalëngadalë, në shtëpinë e tyre erdhën njëri pas tjetrit, të gjithë njerëzit me radhë, familjarë të Lilianës, farefis i saj, e deri te miqtë dhe kolegët e Teatrit, “Migjeni”. Edhën shokët e cirkut, të Shtëpisë së Pionierit, sportistët e peshëngritjes të “Vllaznisë”, si dhe shokë nga ekipi Kombëtar i këtij sporti.

Midis të gjitha dhuratave, Liliana veçon si më të mirën, atë që i dërguan aktoret dhe shoqet e ngushta të punës të teatrit “Migjeni”. Ishte një dhuratë me sende të ndryshme artistike, që asaj iu dorëzua nga Tinka Kurti. Në grupin e vizitorëve, bënte pjesë thuajse i gjithë personeli i Teatrit, që nga Serafin Fanku, drejtori Jovan Vujoshi, që e respektonte shumë atë, etj. Pjesë e kësaj ceremonie festive u bënë dhe disa artistë të tjerë të mëdhënj të teatrit të Shkodrës, që shprehën urimet e tyre të sinqerta për lumturinë e Lilianës.

Ata mendonin se do ta gjenin Lilianën të veshur si nuse, por kur shkuan atje, vunë re që ajo kishte një veshje të bukur, por të thjeshtë. Gjatë atyre ditëve, Faruku me ndihmën e nënës së tij, bleu mobiljet e nevojshme, si dhe pajisje të reja shtëpiake. Atëherë ishte si zakon që mobiljet, ose një pjesë të tyre, i sillte në shtëpinë e burrit nusja. Por Liliana nuk kishte me se t’i blinte ato. Në shtëpinë e saj ishin 6 fëmijë. Në një kuptim figurativ, Liliana erdhi në shtëpinë e burrit, me një valixhe dërrase, por shumë shpejt arriti të ngrejë një shtëpi model, që përfaqësonte më së miri vlerat tradicionale të kulturës shkodrane.

Megjithatë, në kohën e kësaj martese, një pjesë e madhe e parave të mbledhura nga rekordet e Farukut, ishin konsumuar për martesat e dy vëllezërve më të mëdhenj, sidomos për kompletimin e mobiljeve të tyre. Nga ana tjetër, nëna e Farukut ishte nikoqire e mirë dhe kishte mundur të grumbullonte një sasi lekësh, të cilat në rastin e martesës së Farukut, nuk i kurseu.

 

 

Martesa ideale

 

Thuhet shpesh se nuk mund të ketë martesë ideale. Por martesa e tyre qe me të vërtetë e tillë. Ishte një lidhje e natyrshme, pa asnjë interes. Në atë kohë, Faruku kishte një shtëpi, ku mund të jetonin bashkë me Lilianën. Ai merrte shpërblime të njëpasnjëshme për rekordet që thyente, por si rrogë institucionale, në borderotë ku punonin, rroga e Lilianës ishte gjithmonë më e madhe sa rroga e Farukut. Kjo vlen edhe për krahasimin e kohës së honorareve të cirkut, kur Liliana merrte përsëri, jo vetëm më tepër se sa Faruku, por më shumë se gjithë të tjerët, që paguheshin me honorare.

Ata të dy, nuk i çoi drejt njëri-tjetrit, ndonjë forcë interesash, por u gjendën pranë që në moshën fëmijënore, kur njeriu shquan elementët kryesor të jetës, si diellin, hënën, apo detin. Dhe kështu, njëri si diell dhe tjetra si hënë, ata plotësonin më së miri dritën e mjaftueshme të optikës së tyre, për të dalluar fenomenet dhe dukuritë e jetës njerëzore.

Liliana e donte Farukun me gjithë shpirt. Në letërsinë artisike botërore, ka pak raste kur shkrimtarët kanë mundur të arrijnë të bëjnë përshkrimin e detajuar të ndjenjave, ashtu si Liliana. Në atë kohë, ajo mbante një fletore 16 lekëshe dhe thuajse çdo ditë ose një herë në 3-4 ditë, hidhte ndjesitë e saj për njeriun që dashuronte. Sidomos kur shihte Farukun të shoqërohej me ndonjë vajzë të vogël, ose të shkurtër në shtat, xhelozohej edhe më shumë. Nuk e fshihte frikën mos ia merrnin nga duart princin e saj.

Në mënyrë të veçantë, xhelozia e Lilianës rritej kundrejt një mjekeje, me shtat të shkurtër, e cila dukej haptazi që e simpatizonte rekordmenin. Atëherë ajo ulej dhe shkruante lutje kundrejt Zotit, që Faruku të mbetej përgjithmonë i saj. Tanimë, ajo fletore ka humbur, bashkë me shumë kujtime të tjera të asaj kohe, por midis tyre mbahen mend dy vargje të saj, të thjeshta dhe domethënëse, që thonë:

“Vetëm një, kam dashur në jetë

Faruk Kalleshin, peshën e lehtë”.

Vargjet që ajo hodhi në fletore mbartnin një koleksion emocionesh kulmore dhe nëse ajo fletore do të gjendej, atëherë, mund të botohej si dëshmi e dashurisë së pasur femërore, në atë kohë varfërie dhe shprese.

Opinioni publik i Shkodrës e priti shumë mirë martesën e tyre. Edhe pushtetarët u gëzuan për këtë martesë të goditur, midis dy njerëzve të famshëm të Shkodrës. Nga ana e tij, ish-sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, Muho Asllani, e shprehu hapur gëzimin, sepse dëshironte që Liliana dhe Faruku, dy akrobat dhe artist me vlerë për qytetin e tyre, të jetonin paqen dhe lumturinë e përhershme të jetës. Por edhe të mos e linin Shkodrën.

Me të gjithë njerëzit, rreth e qark, çifti Kalleshi komunikonte shumë mirë. Por me të panjohurit, komunikimi qe më i vështirë, sidomos në momentet e para. Kur një aktore e humorit, e quajtur Katrina, ecte në rrugë me një shoqen e saj murgeshë, vuri re që kur u përballën me çiftin Kalleshi, murgesha u vrenjt. Kjo ndodhi sepse Liliana vishej gjithmonë si një stiliste e vërtetë dhe bënte figurë të lartë estetike në rrugë. Sidomos mbi këpucët me taka, ajo ishte e pakrahësueshme. Por në atë çast, duke parë shtatshkurtësinë e Farukut, pra të partnerit të Lilianës, murgesha i tha Katrinës:

-Kushedi se çfarë fatkeqësie ka patur kjo femër, që ka marrë atë burrë të shkurtër!

Atëherë, Katrina nisi të qeshte me të madhe, duke e sqaruar:

-Ai burrë është gjigandi me emrin Faruk Kalleshi. Është kampion dhe rekordmen i Shqipërisë, por edhe një kolos për peshëngritjen botërore. Dhe ata të dy, njihen me njëri-tjetrin, që kur kanë qenë fëmijë.

Pas kësaj, ata u takuan të katërt dhe folën hapur, duke qeshur me të madhe, për keqkuptimin e murgeshës shkodrane, në lidhje me iluzionin e saj optik.

 

Pas martesës

 

Me martesën e dy vëllezërve më të rritur, babai i Farkut, bëri një shtesë në krahë të shtëpisë ekzistuese. Ndërtoi një dhomë të re dhe kështu shtëpia u zgjerua në tre dhoma e një kuzhinë. Çifti i ri kishte një dhomë. Në atë shtëpi, së bashku me Farukun mbeti nëna dhe vëllai i vogël. Para ushtrisë, vëllai i vogël, Astriti, ishte në kursin e shoferëve. Në atë kohë kursi zgjaste 9 muaj. Pasi mori patentën, Astriti shkoi ushtar. Shërbimin ushtarak e kreu si shofer. Ndërkaq, Faruku e ndihmonte atë, ashtu si të gjithë vëllezërit japin ndihmën e pakursyer ndaj njëri-tjetrit në këto lloj rastesh. Pasi mbaroi ushtrinë, ai hyri në punë, në zanatin e vet, si shofer, ndërkohë që nëna përfitonte pensionin e burrt të saj.

Gjatë kësaj kohe, Faruku bëri një bisedë me nënën.

-Tani Astriti u fut në punë, ti ke pensionin dhe gjërat janë rregulluar. Prandaj, unë dua të ndërtoj një shtëpi, si gjithë të tjerët dhe të jetoj me llogari më vete. Natyrisht që unë nuk ndahem kurrë nga ju dhe do t’ju ndihmoj me gjithë shpirt dhe sa herë që të keni nevojë.

Në këtë mënyrë u bë ndarja formale e administrimit familjar, ashtu siç ndodhte në të gjitha shtëpitë e tjera, kur fëmijët rriteshin, martoheshin dhe bëheshin vetë prindër.

Pas martesës, Faruku u akomodua në dhomën e vëllait të madh, i cili jetonte në një apartament tjetër. Natyrisht, në familjen e Farukut, marrëdhëniet ishin shumë të mira, midis të gjithë pjesëtarëve. Faruku hynte e dilte në të gjitha dhomat, pa asnjë pengesë, sepse ata nuk kishin ndarë gjakun, i cili nuk bëhet kurrë ujë, por kishin ndarë vetëm llogarinë e mbarëvajtjes familjare.

 

Apartamenti te Kafja e Madhe

 

Vetë Faruku kishte mundësi që të bënte ndonjë shtesë ndërtimi në shtëpinë e tij të prindërve, madje pa shumë shpenzime. Por përsëri duhej miratim nga pushteti vendor. Natyrisht, i duheshin edhe para për blerjen e materialeve, pasi ato nuk qenë falas.

Duke ditur që Prokop Murra kishte respekt për kampionin, Faruku vendosi të trokiste në derën e tij, me shpresë se mund t’i jepte ndonjë zgjidhje. Të paktën ta lejonin përtë bërë shtesën. Shfrytëzoi një moment, kur ai e përgëzoi për rezultatet, dhe i tha:

-Shoku Prokop! Unë u ndava me vëllanë. Aktualisht jetoj në një dhomë të shtëpisë së prindërve, por përveç ngushtësisë së hapësirës, jetojmë shumë vetë duke patur një banjë të vogël.

Sportisti-kampion nuk i kërkoi drejtpërsërdrejti strehim, por i tregoi hallin, duke e lënë të nënkuptohej edhe mesazhin e kërkesës së tij.

Prokop Murra ishte i ndjeshëm ndaj strehimit të sportistëve, ndaj thirri në moment përgjegjësin e zyrës së strehimit. E pyeti mbi gjendjen e apartamenteve në pallatin që po ndërtohej te Kafja e Madhe. Pasi dëgjoi shpjegimet e vartësit të vet, e ndërpreu duke i thënë në mënyrë të prerë. “Planifiko një hyrje, dhomë e kuzhinë për Faruk Kalleshin”!

Tjetri tundi kokën, mbajti shënim dhe pastaj, dhe duke dalë i shefit të vet.

-Si urdhëron, shoku kryetar, e kemi një apartament, dhomë e kuzhinë. Ndodhet në katin e pestë.

Shtëpinë e vjetër, babai i tij, Xhemali, para se të vdiste, ia kishte lënë me testament nënës. Për shkak të moshës së vogël, bashkë me nënën, jetonte edhe  vëllai i vogël, Astriti. Në atë kohë, djali i vogël detyrohej të bashkëjetonte me prindërit dhe  të kujdesej për ta deri në fund të jetës.

Pas vdekjes së nënës, problemi i shëtpisë u bë objekt gjyqësor. Fëmijët kërkonin të dinin ligjërisht, se çfarë mund të përfitonin nga prona e nënës së tyre.  Por Faruku nuk u përfshi në këto debate familjare.

Në lidhje me shtëpinë e re, te Kafja e Madhe, Faruku ruan si kujtim një histori të veçantë me Mjeshtrin e Merituar të Sportit, Vangjel Koja. Për një periudhë të shkurtër kohore ai u caktua në Shkodër. Kuptohej se qëndrimi i Vangjel Kojës në Shkodër do të ishte i  shkurtër, ndofta 6-mujor, prandaj Faruku i afroi shtëpinë e tij të re, si vend strehimi për kohën që do të qëndronte aty. Këtë e bëri, jo vetëm që t’I bënte nder një shoku, por edhe spepse nuk mund të hynte menjëherë në shtëpinë e re, pasi ajo kërkonte orendi dhe pajisje.

Faruku nuk qe informuar për ardhjen e Vangjelit në Shkodër, por një ditë atë e pyetën dy miq të përbashkët. Pyetja ishte:

-A ke ndërmend të hysh menjëherë në shtëpinë e re?

-Jo, – u tha ai. Për 4 a 5 muaj nuk besoj të hyj! Po përse më pyesni?

-Sepse dëshirojmë  t’i gjejmë një vendstrehim shokut tonë të përbashkët, Vangjel Kojës. Së shpejti ai transferohet në Tiranë, por menduam që gjatë këtyre muajve ta ndihmojmë duke i afruar një mundësi strehimi të përshtatshëm.

-Patjetër, – i qe përgjigjur Faruku, pa pasur asnjë fije mëdyshjeje.

Ai mendoi se duke futur atje Vangjel Kojën, në radhë të parë ndihmonte njërin prej miqve të tij. Nga ana tjetër, i jepte kohë vetes për blerjen e pajisjeve shtëpiake, si dollap, bufe, krevat, biblotekë, etj, të cilat do të merreshin direkt nga dyqani.

Por Vangjeli nuk pranoi të futej në shtëpinë e re dhe refuzimi i tij ishte fisnikëror. Ai e kuptonte që nuk kishte të drejtë të vinte në pozitë mikun e tij, Faruk Kalleshin, duke marrë në përdorim shtëpinë e re, të cilën sapo e kishte përfituar nëpërmjet një autorizimi emergjent të Komitetit Ekzekutiv. Prandaj, fisnikërisë së Faruk Kalleshit, Vangjel Koja iu përgjigj me të njëjtën fisnikëri, duke e falenderuar për zemërgjerësinë e treguar.

-Faleminderit Faruk për nderin e madh që po më bëni. Për këtë ju shpreh mirënjohjen time të thellë. Por nuk mund ta pranoj ofertën tuaj, pasi nuk dua t’ju vë në pozitë të vështirë, qoftë edhe për një periudhë 6-mujore. Unë do të vazhdoj të qëndroj në kushtet që jam. Do të sakrifikoj pak, gjersa të më vijë transferimi.

Pas disa ditësh, Faruku ia përsëriti Vangjelit ftesën për ta ndihmuar, por ai përsëri nuk pranoi. Për fat, tre muaj më vonë, atij i erdhi urdhër-transferimi për në Tiranë, ku dhe ndihmesë të çmuar për volejbollin shqiptar. Por gjithsesi, nga kujtimet e qëndrimit në Shkodër, ai nuk e harroi kurrë mirësinë e Faruk Kalleshit, për t’i dhënë atij gjënë më të shtrenjtë nga pasuria e paluajtëshme, siç është shtëpia. Madhështia e kësaj oferte shoqërore qëndron edhe në një fakt tjetër. Faruku ia kishte afruar këtë ndihmë Vangjelit, pa e biseduar më parë me Lilianën, e cila nga ana e saj mund të kishte plane të tjera për arredimin e shtëpisë. Me sa duket Faruku e njihte zemrën e madhe të Lilianës dhe ai besonte pa e pyetur atë, i bindur që do të gjente miratimin e saj, edhe për këtë gjë.

 

Statusi i merituar i sportistëve

 

Pas refuzimit të banesës nga Kaja, Faruku nuk pati arsye ta vononte hyrjen në shtëpinë e re. Me urdhër të drejtorit të ndërrmarjes së zdrukthtarisë u prodhuan një palë mobilje speciale, posaçërisht për të. Në këtë mënyrë shtëpia nisi të mbushej dalëngadalë, duke i nxitur familjarët që të hynin sa më shpejt. Pastaj, shokët dhe miqtë e ndërmarjeve të tjera, nisën një e nga një të kompletonin shtëpinë e re, me të gjitha pajisjet e nevojshme.

Kjo nuk ishte gjë e vogël, pasi vetëm një tavolinë mesi kushtonte sa një rrogë mujore, ndërsa një tapet i mirë, ishte i barabartë me një rrogë 6 mujore. Pajisjet shtëpiake të Farukut qenë të veçanta, sepse mobijet u realizuan me rimeso arre, që në çdo kohë ishin më të kushtueshmet.

Këto ndihma miqësore u bënë në sajë të konsideratës dhe respektit që kishin për Faruk Kalleshin, i cili nga ana e vet, siç e pamë edhe në rastin e Vangjel Kojës, nuk e kursente ndihmën ndaj të tjerëve.

Pasi mori mobiljet falas, Faruku vendosi të blinte bufenë, me çmimin e tregut, që ishte 6.500 lekë të vjetra. Atëherë kaq ishte dhe rroga mujore e një zyrtari, apo inxhinieri. Kompletimi i plotë i shtëpisë kërkonte 1 vit e gjysmë punë, me pagën e një zyrtari, pa shpenzuar asgjë prej saj.

Strehimit të sportistëve cilësorë, Komiteti Ekzekutiv i rethit të Shokdrës u jepte prioritet. E njëjta praktikë ndiqej kudo. Kjo bëhej me qëllim që sportistët e mirë t’i mbanin në qytetin e lindjes. Duke ju plotësuar kushtet e nevojshme familjare, shpresohej që ata të mos e mendonin asnjëherë largimin.

Pak kohë para sistemimit të Faruk Kalleshit, Komiteti Ekzekutiv bëri të njëjtën gjë me futbollistin Ramazan Rragami. Apartamenti I tij gjendej në një pallat tjetër, por që u zgjodh nga vet Ragami. Natyrisht, gjithçka mundësohej me pëlqimin zyrtarëve të strehimit.

Në atë kohë, katërshja e sportistëve kryesorë, që ishin në vemendjen e zyrtarëve të lartë të qytetit të Shkodrës, qenë Bizi, Zhega, Ragami dhe Kalleshi. Madje, gjatë një periudhe kur Sabah Bizi luante ende me ekipin e “Partizanit”, qytetarët e Shkodrës dhe disa nga zyrtarët e saj, e kërkonin me çdo kusht gjeniun e futbollit të kthehej në vendlindjen e tyre të përbashkët. Por “Partizani” donte që ta mbante për vete, sepse Bizi ishte një nga figurat kryesore të futbollit të asaj kohe. Për këtë arsye, ndeshja e tërheqjes së litarit, midis Shkodrës dhe Tiranës, vazhdoi për një kohe të gjatë. Asnjera pale nuk i hapte rrugë palës tjetër. Atëherë, çështja shkoi deri lart, te Mehmet Shehu, të cilit i thanë: Shoku Mehemt, a doni me e përfundu hidrocentralin e madh?

-Posi nuk dua, – u tha Mehmeti, pa e kuptuar se çfarë po thoshin. Atë vepër po e presim me padurim, – shtoi pas pak ai.

-Atëherë, nëse doni që kjo punë të përfundojë shpejt, ne kemi vetëm një kusht.

-Kërkoni çfarë të doni dhe do t’ua plotësojmë, – u tha Mehmeti.

-Duam vetëm një gjë. Të na sillni Sabah Bizin në Shkodër.

Kryeministri u habit me kërkesën e tyre. Ai priste diçka më të madhe, ndaj u dha fjalën menjëherë.

-As mos e diskutoni fare! Bizi do të vijë në Shkodër, – i siguroi ish Kryeministri.

Mehemti nuk ishte tifoz i fiksuar pas “Partizanit” dhe për të, nuk kishte rëndësi transferimi i futbollistëve, në raport me përfundimin e hidrocentralit. Prandaj, pasi u informua se Sabah Bizi kishte mbaruar shërbimin ushtarak, duke qenë te klubi “Partizani” dhe po mbahej padrejtësisht prej shefave të atij ekipi, Mehmeti dha urdhër të prerë, që Bizi t’i kthehej Shkodrës.

Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Bilal Parruca, dha urdhër që Sabah Bizit t’i jepeshin në Shkodër dy dhoma e një kuzhinë, njëlloj siç kishin vepruar me Medin Zhegën dhe disa të tjerë. Por Sabah Bizi ishte beqar dhe dhënia e strehimit nga ana e Bilal Parrucës ndeshi në kundërshtimin e një gruaje, e cila kishte vite që përsëriste lutjet e saj për strehim, të cilat deri atëherë, nuk ishin marrë parasysh. Prandaj, ajo shkoi për t’u ankuar pikërisht te Bilal Parruca, duke i thënë:

-Unë jam nënë me shumë fëmijë dhe kam vite që kërkoj strehim, por nuk më kanë dhënë, sepse apartamentet ndahen me mik.

Kryetari e këshilloi të mos fliste pa fakte. Ai sqaroi se zyra e strehimit bënte të pamundurën t’i plotësonte kërkesat sipas radhës dhe nevojave, por ato qenë të shumta dhe nuk mund të realizoheshin në një kohë të shkurtër.

Por gruaja nuk u ndal. Madje ajo e ngriti zërin duke përsëritur që ato ndaheshin me mik. Sipas saj, tani kishte ardhur një person i quajtur Sabah Bizi, i cili është një kokë e vetme dhe i patën dhënë dy dhoma e një kuzhinë.

Atëherë, Bilali iu përgjigj me një pyetje disi humoristike

-Çfarë ke bërë ti, ndonjë gjë të veçantë, që e meriton shtëpinë para tij?, – e pyeti Parruca.

-Asgjë, – i u përgjigj gruaja, disi e hutuar.

-Atëherë, më dëgjo mirë, se jo ti, por edhe unë po të dal si konkurrent me Bizin, për të marrë shtëpi, ai merr dhe unë nuk marr dot. Sepse ai është një sportist i madh dhe unë nuk jam asgjë para tij.

Kështu ishte edhe emri i Faruk Kalleshit në Shkodër, ku strehimi i rekordmenit të madh, përbënte një preokupim parësor në prioritetet e drejtorisë së strehimit. Drejtuesit lokalë e dinin se kushtet e strehimit të këtyre gjigandëve, duheshin plotësuar me të mirë, sepse ndryshe, ato mund të plotësoheshin me urdhra të ardhura nga Kryeministri, apo zyrtarët e lartë të Tiranës.

 

Fëmija e parë, Anila

 

Një viti e gjysmë pas martesës, lindi fëmija i pare. Ajo ishte vajzë dhe ata e quajtën Anila. Fëmija u lind në maternitetin e Shkodrës dhe lajmi u përhap menjëherë në të gjitha mjediset artistike, apo te miqtë e të afërmit. Për këtë sihariq u gëzuan edhe drejtuesit shtetërorë e partiakë të këtij qyteti. Për shëndetin e Lilianës u interesuan dhe zyrtarë të lartë të pushtetit vendor. Ata porositën drejtuesit e maternitetit, për kujdesin mjekësor ndaj Lilianës.

Historia e jetës së Farukut ka qenë e lidhur ngushtë me sportin. Ai kalonte ditë të tëra në Tiranë, i grumbulluar me ekipin kombëtar të peshëngritjes. Kështu që Lilianës i është dashur t’i përballojë e vetme vështirësitë që i dilnin. Por, padyshim, kudo që shkonte për të zgjidhur ndonjë problem, dyert për të qenë të hapura. Kjo ndodhte se ajo ishte artistja më e mirë e cirkut shqiptar, por njëkohësisht edhe bashkëshortja e rekordmenit të Shqipërisë në peshëngritje.

Një muaj e gjysmë pas lindjes së fëmijës së parë, Lilianës iu kërkua të rifillonte stërvitjen. Duhet të përgatitej sepse po afronte koha për konkurrim në Festivalin e Estradave, i cili zhvillohej një herë në 5 vjet. Pra, atëherë kur Anila u bë dy muajshe, Liliana kishte gati dy javë që stërvitej në cirk. Kjo është gati e pabesueshme, por në fakt është e vërtetë.

Festivali i Estradave do të zhvillohej në Tiranë dhe Estrada e Shkodres nuk mund të merrte pjesë pa praninë e Lilianës. Me një stërvitje intensive, në kohë shumë të shkurtër, ajo e ktheu trupin në gjendjen e mëparshme. Ndonëse ende lehonë, ajo mundi të ruante një peshë ideale prej 50 kg. Shefat e cirkut thoshin se ajo ndjehej në formë të mirë, për këtë rifillim të aktivitetit akrobatik.

Në atë festival Liliana krijoi një numër shumë të vështirë, që emërtohej “trapez fluturues”. Aty konkurroi e vetme, pa praninë e partnerit të saj, Farukut. Ishte pikërisht momenti kur ajo, së bashku me gjigandin Tano Banushi, u vleresuan me çmime të para, natyrisht secili në zhanrin e vet.

Ky ishte një rekord i ri, ndofta botëror. Nuk qe dëgjuar ndonjëherë që, një grua lehonë, pa mbushur ende dy muaj nga lindja, të shfaqte një performancë brilante, në një konkurimin kombëtar. Por edhe vlerësimi me çmim përbënte një gëzim të paparë për të, pasi kudo që ballafaqoheshin nëpër gara artistiko-sportive, të dy, burrë e grua, shpalleshin të parët. Njëri në sport dhe tjetri në art.

 

Lindja e djalit, Endritit

 

Liliana ishte një femër e brishtë dhe delikate, por në thelbin e vet, ajo kishte karakter të fortë dhe nuk dorëzohej lehtë para vështirësive. Gjatë shtatzanisë së dytë, artistja nuk e ndërpreu punën në cirk, deri ditët e fundit, duke ngulmuar se ndihej në formë të përkryer. Madje, një natë para lindjes së djalit, vendosi të ndërronte perdet e kuzhinës. Dhe nuk i tha askujt për ta ndihmuar. Kur shkoi Faruku në shtëpi, e gjeti Lilianën të hipur mbi divan, duke bërë ndërrimin e perdeve. Ky veprim i saj tregonte merakun e zonjës së shtëpisë, e cila dëshironte që, edhe gjatë qëndrimit në maternitet, shtëpia të ishte e rregullt dhe e hijshme. Por, duke hipur mbi divan, ajo rrezikonte jetën e vet dhe të fëmijës. Kjo e rriste tensionin te Faruku, I cili shqetësohej për gjendjen shëndetësore të bashkëshortes.

Natyrisht, ai u trondit nga kjo pamje, duke mos e fshehur merakun për shëndetin e Lilianës, por ajo ndihej fare e qetë.

-Çfarë po bën? – e pyeti Faruku me qortim, por natyrisht, me një lloj përkujdesje për të mos e lënduar në sedër.

Ajo e kaloi momentin e parë, me një shpjegim të thjeshtë, duke mos u vënë rëndësi veprimëve që po bënte, të cilat përbënin shkelje të hapura të këshillave mjeksore. Megjithatë, kur Faruku po zbriste për në kafe, Liliana e paralajmëroi, se pikërisht atë ditë, mund të nevojitej që ajo të parqitej në maternitet. Por nuk ishte nevoja sepse Faruku kishte disa ditë që rrinte në gatishmëri, në çdo çast.

Ishte data 18 maj, pikërisht ditëlindja e Lilianës. Në kushte të tjera të zakonshme, në atë orë të mbrëmjes, ata të dy mund të ishin duke përgatitur tavolinëën për të festuar 29 vjetorin e ditëlindjes së Lilianës. Por në atë çast, familja e tyre priste të përjetonte lindjen e djalit, të cilin mezi po e priste i gjithë fisi i Kalleshëve. Dhe kjo lindje po përgatitej më 18 maj, duke shënuar kështu një rastësi të mrekullueshme të fatit. Pas një viti, do të nisnin festimet e mëdha të ditëlindjeve, me dy torta, ku përveç Lilianës, sipër njerës prej tyre do të vendoseshin edhe qirinjtë e festës së Endridit, që do t’i falte asaj familjeje një dimension të madh emocional.

Atë pasdite, Faruku e dinte që do ta çonte Lilianën në maternitet. Ishte ulur në kafen poshtë ballkonit dhe qëndronte në pritje. Nuk vonoi shumë dhe Liliana e thirri. Ishte bërë gati dhe i tregoi Farukut se qe momenti të shkonin në spital.

Materniteti ishte rreth dyqind metra larg Kafes së Madhe. Faruku e shoqëroi bashkëshorten në maternitet dhe kur po dilte, foli me dezhurnin e sportelit. I kërkoi të interesohej se, përafërsisht, kur mund të realizohej lindja. Gruaja e këshilloi që ai të interesohej njëherë nga darka, për të marrë vesh ndonjë lajm.

Gjatë kësaj kohe, Farukut iu kujtua porosia e gruas së Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit, për ta njoftuar kur Liliana të shtrohej në maternitet. Kjo bëhej në mënyrë që personeli mjekësor të shtonte interesimin dhe përkushtimin. Prandaj ai e zbatoi porosinë e tyre. Për hir të së vërtetës duhet thënë që, bashkëshortja e Prokop Murrës u interesua dy-tri herë në maternitet për ecurinë e lindjes së Lilianës.

Pasi njoftoi familjen Murra, Faruku shkoi në shtëpinë e nënës. Aty u shtri pak për t’u qetësuar, sepse stërvitja dhe tensionet e ditës kishiën bërë të vetën. Ai ndiente nevojën për t’u çlodhur pak minuta. Por papritur e zuri gjumi. Ndërkohë, erdhi vëllai i madh dhe e zgjoi.

-Çohu Faruk, se jemi të gjithë në pritje të sihariqit. Duhet të nisemi për të marrë vesh ndonjë gjë, – i tha ai.

Faruku u çua dhe të dy i hipën biçikletës për të shkuar drejt maternitetit. Përballë sportelit ndodhi diçka e veçantë, në formë kujtimi, siç ndodh gjithmonë në raste të tilla. Faruku pyeti infermieren që kryente dezhurnin: A ka lindur Liliana Kalleshi?

Liliana kishte lindur djalë, por punonjësja e sporteelit ishte porositur, disi me humor, që kur të pyeste Faruku, të mos i tregonin të vërtetën.

-Mos i thoni që Liliana ka lindur djalë, se kushedi se çfarë mund të bëjë nga gëzimi, – i thanë punonjëses së sportelit. Dhe ajo, sapo e pyeti Faruku, e gënjeu, duke mos i thënë realitetin.

-Çfarë ka lindur? – përsëriti pyetjen Faruku, tanimë me një tension akoma më të lartë.

-Vajzë, – u përgjigj sportelistja, duke zbatuar porosinë që i kishte ardhur prej Lilianës.

Momentalisht, Faruku u mërzit shumë, por megjithatë e kishte përgatitur veten që të mbahej në rast se përgjigja do të ishte për “vajzë”.

Faruku pati përgatitur edhe bakshishin për sihariqin që do t’i jepej. Lajmi për djalë apo vajzë do të “shpërblehej” në vlera të ndryshme. Në të dy xhepat e pantallonve futi një sasi parash. Por në krahun e djathtë, vendosi më shumë lekë, ndërsa në të majtin, më pak. Ishte nisur me idenë që, nëse merrte sihariqin për djalë, do të jepte si peshqesh paratë që kishte nga krahu e djathtë, ndërsa për lajmin e vajzës, do të zbrazte xhepin e majtë. Kështu sapo dëgjoi “vajzë”, Faruku futi dorën në xhepin e majtë dhe ia dha sportelistes, pa fshehur dhe pakënaqësinë. Pastaj nxori paratë nga xhepi i djathtë dhe numëroi. Ishin 15 mijë lekë, që në atë kohë përbënin mbi dy rroga mujore.

Në kohën që ai po largohej, sportelistja e thirri dhe, duke i kërkuar ndjesë për shakanë, i tha se gruaja e tij kishte lindur djalë.

Faruku u emocionua pa masë, por e mbajti veten. Më shumë nga meraku, mos lajmi i dytë i sportelistes ishte pjesë e ndonjë shakaje, krejtësisht të pa vend për momentin.

-Si guxojnë këto idiote të bëjnë shaka të tillë, me gjëra kaq të rëndësishme! – mendoi me vete Faruku. Dhe në moment, futi dorën tek hapësira e sportelit dhe e kapi sportelisten butësisht prej flolësh, duke i thënë:

-Mos luaj me mua, se këtu nuk ka asgjë për lojë!

Sportelistja u ndje në siklet, por u justifikua duke i thënë se kishte zbatuar porosinë e Lilianës, e cila i qe lutur t’i thoshin në fillim se kishte lindur vajzë. Por sipas saj, kjo ishte thjesht një shaka, pa të keq.

-Mos luaj me mua, por më thuaj përfundimisht të vërtetën, djalë, apo vajzë? – e ngriti zërin Faruku.

-Për shpirt të babës, djalë! – iu përgjigj ajo.

Atëherë, Faruku u gëzua pa masë. Por gjithsesi, spotelistes vazhdoi t’i mbante mëri për shakanë e saj, në momentin e gabuar. Prandaj i tha: Kisha ndërmend që t’i jepja të gjitha këto para për lajmin e mirë. Por tani nuk po të jap gjë tjetër shtesë. Shko merrja Lilianës paratë e sihariqit, – shtoi ai, disi i mërzitur nga shakaja që ishte zgjedhur për të.

Në çast iu kujtua porosia e familjes Murra, që kur të ndodhte akti i lindjes, të njoftonte edhe familjen e tyre. Prandaj, pas largimit nga materniteti, Faruku shkoi në shtëpinë e kryetarit të komitetit ekzekutiv, Prokop Murrës, për t’i komunikuar lajmin. Kjo ishte një porosi e veçantë e familjes Murra, për të qenë në korent të gjendjes shëndetësore të Lilianës dhe fëmijës së porsalindur. Kur shkoi në shtëpinë e Prokop Murrës ishte mesnatë. Polici që bënte roje te dera e hyrjes së titullarit, ishte në mëdyshje, për ta lejuar Farukun të trokiste, apo jo. Ai në fakt e dinte afërsinë e Farukut me Propkopin, por druhej mos titullari po flinte në atë orë. “Kampioni” e kuptoi që roja kishte frikë të thyente rregullin dhe e sqaroi se, ai e kishte porositur vetë që, sapo të merrte lajmin, të shkonte në shtëpinë e tij për t’ia komunikuar.

Pas këtij sqarimi, polici u bind dhe u afrua për ta ndihmuar. Ndërkaq, Faruku i ra ziles dhe nga brenda u dëgjua zëri i Prokop Murrës:

-Kush është?

-Jam Faruku, – iu përgjigj rekordmeni.

Porta u hap menjëherë dhe Faruku u gjend brenda, përballë kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, i cili e pyeti:

-Lindi Liliana?

-Po,- iu përgjigj kampioni, lindi djalë.

Në atë moment, Prokopi i thirri gruas së vet në emër dhe ajo iu përgjigj nga dhoma tjetër.

Ervo, hajde këtu, se Faruku u bë me djalë, – e informoi ai të shoqen.

Nga zhurma e krijuar, u ngrit edhe djali i madh i Prokopit, Gjergji, duke e uruar Farukun. Prokopi, ndonëse e dinte që Faruku nuk vinte asnjë pije alkolike në gojë, i tha:

-Tani nuk ke ku të më ikësh. E di që je sportist dhe nuk pranon të pish alkool, por sot do ta pish një pikë, sa për të festuar lindjen e djalit. Sepse të gjithë sportistët e pinë ndonjë gotë, në raste të veçanta.

-Unë nuk pi, – tha rekordmeni, megjithëse e kuptoi se në një rast të tillë, do t’i duhej ta shkelte betimin. Prokopi porositibashkëshorten e vet që, t’u mbushte dy gota të vogla rakie. Ishin gota të veçanta që ia kishin prurë nga Londra. Gruaja e Prokopit mbushi gotat, ndërsa ai i tha Farukut të mos e neglizhonte pijen.

-Rakia është e mirë, ndaj ktheje gotën pa merak.

Faruku duke parë rruazat që lëshonte pija në gotë, nuk kundërshtoi.

-Eshtë natë dhe nuk po të nxjerrim meze. Por, po të duash ti, e shtrojmë menjëherë, – shtoi Prokopi.

-Jo, faleminderit, se po më pret nëna në shtëpi t’i çoj sihariqin, – tha Faruku.

Gotat u përplasën me zhurmën e qelqtë dhe Prokopi e uroi për djalin.

-Jetë ta gjatë dhe të lumtur djalit tuaj! – u shpreh kreu i Ekzekutivit të Shkodrës.

Faruku ktheu goten. Rakia ishte e mirë dhe ai ndjeu një ngrohje përbrenda.

Edhe një tjetër, – propozoi Kryetari, por rekordmeni refuzoi. Pas kësaj, ata u ndanë. Faruku mori biçikletën që kishte lënë jashtë dhe u nis. Por aty jashtë, priste dhe i vëllai, të cilin për një moment e harroi. Duke ecur me biçikletë, vëllai i thërriste nga pas. Ndalu, more Faruk!

Faruku e dëgjoi dhe mbajti biçikletën, duke i kërkuar ndjesë për hutimin.

-Hajde të kalojmë nga shtëpia e tezes se më la porosi që ta njoftoj, – i tha Faruku.

– Më ngadalë, se gati po fluturon, – ia ktheu i vëllai duke qeshur, dhe shtoi. Ke të drejtë, sepse lindja e djalit është lajmi më i mirë në botë. Pas 5 minutash mbërritën te shtëpia e tezes. Vëllai i Farukut, i thirri nga poshtë:

-O Nadire, o Nadire!

Disa banorë mga pallati përballë dëgjuan të bërtitura dhe dolën në dritare për të parë, se çfarë kishte ndodhur. Por sapo njohën Farukun, u qetësuan dhe u futën përsëri brenda.

Tezja hapi dritaren dhe e kuptoi se çfarë kishte ndodhur.

-Urdhëro, Shaban? – tha në formë pyetje ajo.

-Jena shtu, – i tha Shabani.

-Me çfarë? – e pyeti tezja.

-Me Mëlysh, – ia ktheu tjetri, duke i dhënë emrin e një lloji peshku, që ishte shumë i çmuar, grabitqar dhe i shtrenjtë.

-Me këlysh? – e ripyeti tezja, që me sa dukej, nuk e dëgjoi mirë.

-Djalë, djalë, – sqaroi Shabani.

-Oh, faleminderit për sihariqin, – tha Nadirja, e cila deri në mëngjes nuk fjeti nga gëzimi i lajmit. Në të gdhirë, u nis drejt maternitetit. Faruku u nis drejt shtëpisë dhe gjatë rrugës u kujtua edhe njëherë që, atë ditë, kalendari shënonte 18 maj. Po në atë datë kishte lindur edhe Liliana. Nga ai moment, kjo datë do të festohej edhe si ditëlindja e Endridit, pra, do të ishte një datë festive më e shënuar për familjen e tyre.

Ky përkim i rastit ishte ngjarje e rrallë dhe e mrekullueshme, që u ndodh pak njerëzve në jetë. Pas daljes së Lilianës nga materniteti, ata organizuan pritje dhe koktejle të shumta, për njerëzit e afërt dhe të njohur. Ndërsa, historinë e sihariqit, tezja e kujtonte gjithmonë me humor, duke treguar shkallën e lartë të emocionit dhe hutimit, në ato momente të papërsëritshme të jetës së tyre.

 

Shtëpia ideale

 

Çdo sekretar i parë, apo çdo kryetar komiteti që vinte me këto detyra të larta në Shkodër, nuk mund të mos shprehnin dëshirën për të njohur Farukun. Kjo ishte disi e natyrshme për atë kohë, sepse funksionari lartë vlerësohej edhe për numrin e personaliteteve artistiko-sportivë që kishte në qytetin e vet. Pastaj emri i Farukut ishte aq i njohur, sa nuk mund të rrije pa kërkuar ta takoje dhe fizikisht. Është aq e vërtetë kjo, saqë Hekuran Isai, një nga krerët e shtetit komunist, kur ishte me punë në Librazhd thoshte shpesh: “Në qytetin tim unë kam dy gjëra me vlerë: Hekur-Nikelin dhe Sherif Merdanin. Vetëm për këto më pyesin të gjithë”.

Nesip Ibrahimi, me origjinë nga Gjirokastra, pas emërimit në krye të Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, ndër njerëzit e parë që donte të njihte ishin sportistët. Ai pyeti vartësit e vet për madhështinë e arritjeve të Faruk Kalleshit, që në javën e parë të mbërritjes, pasi ajo përkoi me një tjetër thyerje rekordi prej tij. Madje u interesua ta njihte nga afër djaloshin e famshëm. Ishte koha kur Faruku mori tri Medalje Ari, në garat e zhvilluara në Turqi. Kryetari i komitetit shprehu dëshirën e madhe për ta takuar atë. Një ditë pyeti edhe shoferin e tij, për njeriun me emrin e madh të kampionit.

-Po ju, shoku kryetar, e përshëndetni përditë Faruk Kalleshin. Ndofta nuk e lidhni emrin me paraqitjen.

-Si është e mundur që e takoj përditë dhe nuk e njihkam fizikisht, – tha ai dhe kërkoi që Faruku t’i shkonte në zyrë.

Po atë ditë, i thanë rekordmenit se e kërkonte kryetari i komitetit. Dhe të nesërmen Faruku shkoi në zyrën e tij. Natyrisht, ashtu siç e kishte zakon, mori një stillograf për t’ia dhuruar, nga ato që kishte blerë gjatë turnout të tij jashtë shtetit. Në atë kohë, dhurimi i një stilolapsi apo stillografi, qe kthyer në traditë. Ndërsa dhurimi i një stilolapsi të huaj, ishte luks.

Para se të futej te zyra e Nesipit, Faruku foli me sekretarin e tij, i cili nuk e vonoi asnjë minutë. E futi në zyrën e kryetarit, pa e informuar më pare atë.

– Hyr, pa e lajmëruar, që t’ia bëjmë surprizë ardhjen tënde, – i tha ai Farukut.

Faruku trokiti në derë dhe pa pritur përgjigje u fut brenda menjëherë. Në atë kohë kryetari diçka pos shkruante dhe papritur ngriti kokën. Por ngaqë nuk e njihte Farukun e pyeti: Po ju, çfarë kërkoni?

-Vet më keni kërkuar, – ia preu Faruku.

Ngaqë nuk po kuptonte çfarë kishte ndodhur, me prishjen e rregullit në takimet me popullin, kryetari kapi dorezën e telefonit, për t’i kërkuar llogari sekretarit të tij, për futjen në zyrë të një personi të panjohur, pa e lajmëruar më parë. Ose, thjesht për ta pyetur, përse lejoi tjetrin të hynte në zyrë jashtë orarit të pritjeve. Por një sekondë, para se ta bënte këtë hap, duke qëndruar me telefon në dorë, e pyeti Farukun:

-Kush je ti?

-Jam Faruk Kalleshi!

Kryetari uli receptorin, ndryshoi menjëherë pamjen e fytyrës dhe u çel në tiparet e tij.

-Sa mirë që po të takoj, se më kanë thënë që jemi përshëndetur në rrugë, por tani po të njoh nga afër, – i tha kryetari dhe e ftoi të ulej, duke dhënë porosi që të ndërpriteshin të gjitha takimet e tjera për atë ditë. Takimi i tyre vazhdoi relativisht gjatë. Midis të tejrave, Nesipi i tha Farukut!

-Kam marrë vesh që në shtëpinë tuaj, keni shumë trofe çmimesh të fituara?

-Po, – iu përgjigj Faruku, – ashtu është. Kam shumë vite që konkurroj dhe thyej rekorde.

-Shumë mirë, – vazhdoi kryetari dhe shtoi – E vlerësoj shumë lavdinë që i keni dhënë sportit shkodran dhe atij shqiptar, me rekordet tuaja. Ju lumtë! Ndonjë pasdite, kur të jemi të lirë, kam dëshirë të vij për vizitë, bashkë me time shoqe, në shtëpinë tuaj, për një kafe!

-Me gjithë qejf, – ia priti Faruku – por më njoftoni një ditë përpara, që të planifikoj orarin e stërvitjes.

-Jo, – i tha kryetari, që nuk donte ta vinte në pozitë Farukun. E dinte që në regjimi stërvitor ishte më i rëndësishëm se një vizitë, dhe shtoi: Më thuaj ti një orë të pasdites, kur je i lire, për të pirë një kafe.

Faruku u zu ngushtë me thjeshtësinë e treguar në shefi i komitetit. Për një moment, tha instiktivisht “kur të dëshironi ju”, por biseda rrodhi natyrshëm dhe ata lanë ditën dhe orën për t’u takuar në shtëpinë e Farukut. Dhe pas disa ditësh, kryetari shkoi së bashku me gruan e tij për vizitë, tek apartamenti i Faruk Kalleshit, pranë Kafesë së Madhe. Në kohën që Liliana po shërbente për të bërë qerasjet e rastit, krytari shkëmbeu një bisedë të shkurtër me gruan vet dhe sapo hyri Faruku, Nesipi e pyeti:

-Sa dhoma keni këtu?

-Një dhomë e një kuzhinë, – iu përgjigj Faruku, pa shtuar gjë tjetër, nëse hapësira e shtëpisë së tij, ishte e vogël apo e madhe. Dhe sidomos, pa kërkuar ndonjë gjë prej kryetarit.

-Një dhomë e një kuzhinë, së bashku me ballkonin, – përsëriti Faruku, që pati përshtypjen se tjetri, i tërhequr pas modelit të medaljeve ndërkombëtare, nuk e dëgjoi.

-Si është e mundur? – u çudit kryetari, – që një sportist gjigand si ju, të ketë kaq pak hapësirë në shëtpinë e tij.

Ata bënë urimet e rastit dhe Nesipi vuri kafen në buzë. Kur e uli filxhanin, shtoi si me vete, “shumë pak”.

Ai e udhëzoi Farukun që, të nesërmen të shihte nëpër Shkodër, të gjitha pallatet që po ndërtoheshin. Dhe, atje ku do t’i pëlqente, ai do të merrte strehim të ri. Natyrisht, kjo bëhej në radhë të parë, për të mirën e qytetit, në mënyrë që Farukut të mos i shkonte mendjatë largohej nga Shkodra. Por nga ana tjetër, përveç një jetese komode, kjo bëhej edhe për t’i krijuar rekordmenit, lehtësira psikologjike dhe përqëndrim te stërvitja e përditshme.

Duke parë koleksionin e medaljeve dhe kupave të marra, kryetari la filxhanin e kafesë në pjatën që ndodhej sipër tryezës dhe tha:

-Mos u mendo fare, sepse ti e meriton një apartament të ri nga vendlindja jote. Ke bërë shumë për Shkodrën dhe çdo drejtues e ka për detyrë të ta shpërblejë sakrificën tënde.

Pastaj, duke parë fotografitë e dy fëmijëve në kornizën e murit, vazhdoi: Megjithëse fëmijët i ke të vegjël, përsëri ty të vijnë shumë njerëz për vizitë. Pra ke shumë mysafirë. Nesër mund të vijnë edhe kolegë, apo sportistë të huaj, për të parë se në çfarë kushtesh jeton rekordmeni i Europës. Prandaj, sisitemimi juaj është emergjent. Pas pak, kryetari së bashku me gruan, u ngritën për të dalë.

Porosia e tij e fundit ishte që, pasi të caktohej apartamenti prej Farukut, të shkonte në zyrën e tij për t’i treguar vendodhjen. -Edhe nëse do të thonë që s’ka apartament të lirë, aty ku do të pëlqejë, – shtoi zyrtari i lartë, – apartamenti do të bëhet i yti. Personin tjetër do ta strehojmë gjetiu.

Duket se Faruku e priti me gëzim propozimin e kryetarit, sepse të nesërmen, pyeti disa nga shokët e tij, se cilët ishin pallatet e reja që po ndërtoheshin në Shkodër. Dhe ata i treguan disa adresa rrugësh, ku kishin nisur ose qenë në përfundim këto ndërtime. Por në përgjithësi, shumica e tyre, nuk i pëlqyen.

Papritur, ai pa një ndërtesë thuajse të përfunduar, që i bëri përshtypje të veçantë.

-Këtu do të banojnë shefat dhe drejtorët e lartë, – i tha njëri nga përgjegjësat e objektit që shoqëronin Farukun. Më tej ai vazhdoi t’i tregonte Farukut se një apartemt qe planifikuar për shefin e sektorit komunal në Komitetin Ekzekutiv, tjetri për sekretarin e Komitetit të Partisë së rrethiut, etj, etj. Dhe kështu, ata i numëruan me radhë emrat e disa zyrtarëve të lartë të Shkodrës, që pritej të banonin aty. Befas inxhinjeri tha se një prej apartamenteve ishte ende bosh.

-Ky këtu nuk është zënë akoma, por ia kanë vënë syrin dy vetë: drejtuesi i një fabrike të madhe të Shkodrës dhe një inspektor i lartë, – sqaroi përgjegjësi i strehimeve, pa dashur të përmend emrat e tyre. Pastaj deshi të shtonte edhe diçka, ndofta për ekzistencën e ndonjë konkurrenti tjetër, që gjithashtu punonte në zyrat e larta të rrethit, por Faruku e ndërpreu duke i thënë:

– Kjo hyrja këtu, është e imja!

Fjalia e tij u shqiptua me një ton të tillë, që nuk pranonte asnjë diskutim. Tjetri e pa në sy, duke menduar me vete se Faruku po fliste kodra pas bregu.

Menjëherë pas inspektimit të ndërtimeve të reja, Faruku shkoi te kryetari dhe i tregoi fije e për pe, se cili apartament i kishte pëlqyer dhe që sipas zyrtarëve komunalë, ishte ende bosh. Numri një i ekzekutivit të Shkodrës, Nesip Ibrahimi, thirri drejtorin përkatës që mbulonte strehimin në Komitetitin Ekzekutiv dhe, sapo ai hyri brenda, iu drejtua me pyetjen: E njeh Faruk Kalleshin?

Në atë çast, drejtori i strehimit, duke parë Faruk Kalleshin mori instiktivisht një drejtqëndrim, duke treguar në këtë mënyrë, indirekt edhe respektin e vetvetishëm që kishte për rekordmenin e madh.

-Patjetër shoku kryetar, Faruk Kalleshin e njeh e gjithë bota dhe jo më, ne shkodranët. Ai na ka nderuar me rekordet e tij.

-Mirë atëherë, – e ndërpreu Nesipi. Bëni veprimet. Farukut i kam thënë unë të zgjedhë një apartament të mirë në pallatet që po ndërtoheshin në qytet. Dhe Faruku e kishte bërë zgjedhjen e tij.

Drejtori i strehimit të rrethit ishte informuar nga shokët e vet për apartamentin që pati piketuar Faruku dhe ishte i bindur që do të merrte po atë apartament që pati pëlqyer, ndaj tha menjëherë:

-Nëse Faruku do një apartament të mirë, edhe unë do t’i sugjeroja pallatin e ri, në katin e katërt.

-Shumë mirë, – tha kryetari i Komitetit, pastaj i shtrëngoi dorën Farukut, duke e uruar: “Ta gëzoni shtëpinë e re”!

Pastaj ata u ndanë dhe Faruku nisi të mendonte për kompletimin e kësaj shtëpie, e cila shumë shpejt u kthye në model për qytetin e Shkodrës. Kjo shtëpi ishte e gjerë, pasi kishte dy dhoma e një kuzhinë, me dy ballkone, që përbënin sipërfaqen më të madhe të banueshme në pallatet e reja të Shkodrës.

Kompleetimi i shtëpisë me orenditë e nevojshme ishte rasti më i mirë, për të treguar se sa shumë shokë e miq kishte Faruku në atë kohë. Secili prej tyre, afronte një bazë materiale të nevojshme, ose ndihmën profesionale, sipas zanatit të tij, gjersa ajo u kthye në një tempull mrekullie. Aq e vërtetë ishte kjo, saqë pak vite më vonë, fotografia e shtëpsë së Kalleshëve ndodhej në qendër të qytetit, si shembull i estetikës dhe gjenialitetit.

Faruku e pajisi shtëpinë e vet me të gjithë elementet e nevojshëm të jetesës, por edhe luksit të asaj kohe. Por më pas nuk u mor me mirëmbajtjen e tyre. Për finesën që nevojitej brenda mureve, shërbenin duart e arta të Lilianës, e cila e kishte patur ëndërr të jetës së saj, një shtëpi kaq komode, të qetë dhe të hijshme. Dhe kjo ëndërr u realizuar pas martesës me Faruk Kalleshin, ku dukej qartë se në krahun e tij, çdo ëndërr mund të shndërrohej lehtësisht në realitet. Në atë kohë, Faruku i ndihmonte edhe njerëzit e tjerë. Për këtë arsye shoqëria e tij thoshte: “Faruk Kalleshi vetëm nënë e babë nuk mundet t’i ngjallë, për të gjitha të tjerat i ka dyert të hapura. Në çast mund të sjellë edhe qumësht dallëndysheje, po të dojë”.

Shtëpia që kampioni kishte te “Kafja e Madhe”, ndodhi ashtu si me të gjithë shtëpitë e tjera. Aty u vendos dikush tjetër, pasi komiteti e kaloi në dispozicion të lagjes. Në të u strehua djali i sekretarit të partisë së shkollës pedagogjike. Kjo gjë u përfol për një farë kohe, në formë pakënaqësie, pasi njerëzit thoshin se sekretari kishte një shtëpi të madhe në lagjen Dërgut, dhe se ai nuk kishte nevojë për zgjerim, apo strehim të ri. Por kjo u bë fakt i kryer dhe fjalët e mëpastajme, mbetën në formë thashethemesh.

Kapitulli i tetë

Sportist dhe trajner

 

Në vitin 1973, një ekip kontrolli nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, me në krye Azis Tahirin, ish-kryetar i Federatës Shqiptare, bënë disa kontrolle në ekipet sportive të rretheve. Duket se inspektime të tilla kishin për qëllim të largonin nga detyra trajnerët dhe drejtuesit e pashkolluar të klubeve. Ai u konsiderua një kontroll i papritur, që paralajmëronte “prerje kokash”. Dhe ashtu ndodhi. Trajneri i peshëngritjes së “Vllaznisë”, në atë kohë u gjet pa program stërvitor dhe automatikisht, për shkak të mungesës edhe të arsimit përkatës, e shkarkuan nga detyra. Provizorisht, me orientim nga lart, trajner i ekipit të “Vllaznisë” për peshëngritjen u caktua Faruk Kalleshi.

Në atë kohë, Faruku ishte në kulmin e rezultateve individuale sportive. Ai e pranoi detyrën vetëm për të mos penguar ecurinë e punëve në klub, por edhe me mendimin se kjo ishte diçka shumë e përkohshme. Sipas tij, gjërat shumë shpejt do të rregulloheshin, por nuk ndodhi ashtu.

Pas disa bisedave dhe analizave me përfaqësues të mdryshëm të sporteve të rënda, Azisi caktoi 27 vjeçarin Faruk Kalleshi, si trajner të ekipit. Në këtë mënyrë, Faruku ishte edhe sportist i peshëngritjes së Vllaznisë, por u bë edhe trajner i këtij ekipi. Në atë kohë shembulli i Faruk Kalleshit në pozicionin e dyfishtë, si sportist dhe trajner, nuk ishte unik. Sepse kjo dukuri ishte shfaqur në shumë sporte të tjera, si basketboll, volejboll etj.

Rasti i basketbollistit të 17-nëntorit, Bujar Shehut, si trajner dhe lojtar, ishte bërë shumë publik. Tani Farukut i duhej të mendonte edhe për thyerjen e rekordeve, por edhe për planifikimet apo projektet stërvitore të ekipit.

Ky lloj dualizmi vazhdoi për Farukun, deri në momentin kur doli një ligj, i cili kushtëzonte individët për të zgjedhur vetëm një alternativë: Ose sportist, ose trajner. Në këto rrethana, Faruku preferoi pjesëmarrjen në gara, ngaqë kjo i krijonte më shumë emocione dhe më pak kokëçarje programimesh stërvitore. Por përësëri Farukun e lanë në dy pozicione, gjoja për pak kohë, gjersa të gjenin dikë tjetër për trajner.

Vështirësia kryesore e trajnerit ishte tek puna që duhej bërë për të kontrolluar dhe drejtuar ecurinë stërvitore për shtangistët e tjerë, duke qenë edhe vetë një anëtar i ekipit. Përveç kësaj, çdo ditë duhej përgatitur një program stërvitor për të gjithë pjesëtarët e ekipit.

Kjo ishte punë e vështirë për Farukun, por në fakt, pas kthimit nga Kina, ai e kishte bërë edukatë të përditshme, që të ndërtonte një program strëvitor individual, për të gjithë kohën e stërvitjes. Ndërsa tani, programi apo plani stërvitor i kërkohej për gjithë grupin, në mënyrë të detajuar për secilin prej pjesëtarëve.

Natyrisht, një punë e tillë, krahas mendjes kërkonte dhe kohën e vet fizike, për t’u marrë me gjithë detajet e nevojshme. Përveç sakrificave dhe ngarkesës së lartë, puna si trajner nuk kishte asnjë lloj stimuli financiar. Pra ishte një ngarkesë përtej të zakonshmes, apo si i thonë ndryshe “thelë mbi bisht”, pasi ai kishte në radhë të parë detyrat e veta si sportist.

Ishte një urdhër prej burokratësh, të cilët, duke mos qenë të zotë për të gjetur zgjidhje racionale, sportistit më të mirë i ngarkonin edhe detyrën e trajnerit. Por kjo rutinë e përditshme u kthye në një stërmundim për Farukun. Ai shkoi disa herë në Komitetin e Fiskulturës dhe Sporteve, si dhe te drejtuesit e klubit kombëtar të peshëngritjes, të cilëve u kërkonte që të gjenin një trajner tjetër, ngaqë nuk dëshironte të vazhdonte pafundësisht duke kryer edhe rolin e trajnerit. Kjo histori me vajtje-ardhje dhe ankesa të Farukut, në adresë të drejtuesve, zgjati rreth tre vjet. Kur e pa se mbingarkesa po shtohej, atëherë Faruku shkoi te kryetari i Komitetit të Fiskulturës dhe Sporteve dhe i tregoi se si e kishte hallin.

-Kam toleruar shumë, por nga sot e tutje, mbingarkesa që kam nuk mund të përballohet më – u tha Faruku.

Kryetari ra dakort në parim, por iu lut Faruku që të gjente, apo propozonte dikë tjetër, që mund ta bënte rolin e trajnerit. Atëherë, kampioni u mendua dhe duket se goditi në shenjë. Në fillimet e aktivitetit sportiv, ai kishte ndikuar pozitivisht te Faruku, për të patur atë ecuri sportive. Madje ishte një ndër organizatorët dhe nxitësit kryesorë të futjes së Farukut në botën e peshëngritjes. Ky ishte Hamza Çela. Ai njihej si një sportist rezultativ dhe si një njeri korrekt e i ndershëm.

Propozimi u përcoll te Çela, por fillimisht ai refuzoi. U trembej vështirësive teorike, sidomos në hartimin e programeve. Por Faruku i premtoi se do vazhdonte ta ndihmonte dhe, më në fund, të dy ranë dakord. Që nga ajo ditë, Hamzai punoi si trajner, por në të vërtetë barra kryesore binte mbi Farukun.

Një mjeshtër si Faruku, programet apo ciklet stërvitore, i hartonte vetë, më pas ia jepte trajnerit të ri, që t’i paraqiste si të tijat. Hamzai u tregua aq mirënjohës dhe i sinqertë, saqë në ditën e pare, kur mori honoraret si trajneri, pra rrogën perej 1800 lëkësh, shkoi në shtëpinë e Farukut dhe i tha se këto lekë janë të tuat, pasi gjithçka e ke bërë ti!

Por Faruku ia ktheu mbrapsht paratë dhe e paralajmëroi seriozisht, me ton qortues, për veprimin që ai bëri.

-Kjo është e para dhe e fundit herë që më vjen për këtë problem. Paratë mbaji për vete, se janë të tuat. Unë të ndihmoj se të kam shok dhe mik të vërtetë.

Nga përvoja e përditshme stërvitore, si sportist dhe si trajner, Faruku e dinte në mënyrë të detajuar se çfarë duhej të bënte, prandaj çdo ditë ai ndërtonte skemën stërvitore për vete dhe ekipin, ndërsa një herë në vit përpilonte programin stërvitor vjetor. Dhe kjo nuk e bezdiste fare, sidomos kur mendonte se po ndihmonte një shok të mirë, në fillimet e rrugës për t’u bërë trajner. Nga ana e vet, trajneri i ekipit, e vlerësonte vitalitetin dhe eksperiencën e Farukut, prandaj e pyeste vazhdimisht gjatë garave, se si duhej përcaktuar pesha që do të ngrinte çdo pjesëtar i ekipit.

 

Inspektor në klubin Vllaznia

 

Përfundimi i terrenit sportive të shkollës tetëvjeçare të Bërdicës përkoi me mbarimin e stazhit të partisë, kështu që pas kësaj experience, Faruku u transferua në klubin sportiv “Vllaznia”, me detyrën e inspektorit, që përgjigjej thuajse për të gjitha sportet, me përjashtim të lojrave me dorë.

Kjo ndodhi pas vdekjes së Fahri Fanit, një personalitet i shquar i sporteve të rënda, i cili ishte kuadër i vjetër dhe i respektuar i Komitetit të Fiskulturës në Shkodër.

Në këtë detyrë të re, rëndësia dhe autoriteti i së cilës ishin të mëdha, Faruku punoi me korrektesën më të madhe. Vendimet firmoseshin nga shefi i klubit, por vula përfundimtare vihej në zyrën e Farukut. Kjo vlente për të gjitha lejet sportive, apo trajtimet ushqimore, transferimet, pranimet dhe aktivizimet e ndryshme.

Pas disa kohësh, Faruk Kalleshi propozoi që ta linte detyrën e inspektorit të sporteve të rënda. Atij nuk i pëlqenin punët e mbyllura në zyrë, sepse brenda tyre e konsideronte veten e tij si skllav. Faruku ishte mbret i terrenit të hapur sportiv. E kishte të lehtë të thyente një rekord, por mjaft të vështirë e të lodhshme, që të sqaronte teorikisht se si mund të arrihej thyerja e rekordeve. Kjo ndodhte edhe me futbollistin e talentuar Panajot Pano, i cili në fushë shënonte me lehtësi gola, por në studion radiofonike, e kishte të vështirë të shpjegonte talentin e vet me anë të intervistave.

Për detyrën e re të inspektorit të klubit, duhet thënë që në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë, nuk mund të gjendej një specialist tjetër më profesionist se Faruku. Pengesa e vetme për emërimin e tij, ishte vetë ai, pasi nuk pranonte të mbytej brenda zyrave me shkresurinat rutinore. Ai i konsideronte ato, detyra burokratësh. Përveç kësaj, Faruku mendonte se nuk mund t’i përshtatej një pune të tillë, strukur pranë makinës së shkrimit, për të dërguar relacione apo udhëzime mbi sportet e rënda. Mirëpo kryetari i lëvizjes sportive të asaj kohe, Bari Axhemi, e qetësoi duke i thënë se për anën tekniko-burokratike, do t’i dërgonte një person tjetër që të shkruante shkresat në makinën e shkrimit, ndërsa ai do të merrej me përpilimin e tyre dhe inspektimin në terren.

Për punën në terren Faruku kishte opinionin e vet. Nuk pëlqente të ishte një kontrollor i rreptë, për të kapur në gabime kolegët, por të shërbente si ndihmës i tyre, për të dhënë kontribut të përbashkët në mbarëvajtjen e punëve.

Pas shumë kundërshtimeve, Faruku dha dorëheqjen. Shumë të tjerë në vend të tij, do të kishin futur dhjetra miq dhe do kishin bërë dhe letra anonime për të fituar një vend pune të tillë, por Faruku nuk bënte pjesë në familjen e tyre. Ai ishte i drejtë, i ndershëm, i komunikueshëm dhe pa vese. I urrente lajkatarët dhe servilët, mashtruesit dhe të pangopurit. Ndërsa, në aspektin social, ai mbeti përgjithmonë përfaqësues i shtresës së njerëzve të thjeshtë.

 

Lamtumira e pasionit

 

Ishte viti 1984. Zhvillohej Spartakiada e Pestë Kombëtare. Faruku e pati mbyllur karrirrën sportive të jetës së tij, duke thyer dy rekorde dhe duke arritur një rezultat pozitiv me rreth 15 kilogram më shumë, krahasuar me shtangistin që zuri vendin e dytë. Pasi u bë cermonia e thyerjes së rekordeve të reja dhe u dhanë çmimet e fundit, Faruk Kalleshi hoqi kostumin sportiv, rripin e shtangistit, këpucët dhe u afrua te tribuna e Pallatit të Sportit, duke i dhuruar ato te sportdashësit.

-Tani e mbarova detyrën time sportive dhe nuk i vesh më ato, – tha Faruku me zë fare të ulët në tapet. Fjalët e fundit u dëgjuan me vështirësi, ndofta vetëm prej atyre që ishin pranë tij. Kjo edhe për faktin që mjedisi rreth e qark, ishte mbushur me duartrokitje dhe mirënjohje për rekordmenin dhe kampionin e padiskutueshëm të një epoke 20 vjeçare, së cilës ai i dha identitetin e vet. Dhe nëse periudhat sportive do të paralelizoheshin me ato letrare, atëherë njëlloj siç thuhet në letërsi “periudha e Petrarkës”, Dantes, Tolstoit, Balzakut, etj, kjo periudhë 20 vjeçare sportive në peshëngritje, duhej të quhej pa mëdyshje, “periudha e Faruk Kalleshit”.

Ndofta është hera e parë në historinë sportive që një shtangist thyen dy rekorde edhe në ditën e lamtumirës së tij profesionale. Ndërkohë që, pak minuta para se të hiqte uniformën sportive, ai u shpall përsëri kampion i vendit.

Atë ditë, Faik Dibra, një personalitet i madh i aviacionit shqiptar, kur mori vesh planin e dorëheqjes së Faruk Kalleshit, largimin e tij nga tapeti i peshëngritjes, u afrua dhe i tha me zë qortues: Çfarë po bën Faruk Kalleshi, a ke luajtur mendsh?

Faruku e dëgjoi pa reaguar dhe tjetri vazhdoi.

-Si mund ta braktisësh peshëngritjen në kohën kur ti je kampioni më i madh i këtij sporti, madje me diferenca të ndjeshme ndaj rivalëve të tu?

-E di, – i tha Faruku, – por më mirë ta lë sportin sivjet, si kampion, se sa vitin tjetër, kur nuk dihet si mund të shkojnë punët.

-Pse mendon kështu? – e pyeti Faik Dibra me dhimbje. Ai e dinte që pas largimit të Faruk Kalleshit nga sporti, nuk do të shkonte më për të ndjekur garat e peshëngritjes. Sipas tij, ikja e Farukut do të vuloste mbarimin e rekordeve spektakolare për shumë kohë. Por Faruku e sqaroi duke i thënë:

-Gjatë gjithë historisë së jetës time në sport, unë u mësova duke dalë nga gara me medaljet e kampionit. Dhe një ditë, do ndihesha keq sikur ta mbyllja karrierën duke mos qenë kampion i peshëngritjes në Shqipëri.

Kështu lamtumira e tij nga pasioni i jetës, ndodhi pas zhvillimit të Spartakiadës së Katërt, në fund të muajit tetor të vitit 1984, afërsisht dy muaj para datës 6 dhjetor, kur ai mbushte 39 vjeç.

 

Trajneri i rekordmeneve dhe kampioneve

 

Pas lëniës së sportit dhe sidomos pas vitit 1990, në vetëdijen e Farukut po mbruhej dëshira për të patur një ekip shtangistësh. Ëndrra e tij nisi të kristalizohej në fillimet e demokracisë. Ajo mori formë pas vendimit të Farukut për të jetuar familjarisht në Tiranë. Duke qenë njeri i ndjeshëm, që nuk pranonte, në asnjë mënyrë, t’i zinte vendin e punës ndokujt tjetër, ai vendosi të ndërtonte një ekip shtangistesh femra, në mënyrë private. Dhe arriti ta bëjë këtë gjë. Ky ishte modeli i ekipit të parë dhe të vetëm privat në Shqipëri. Ekipi i porsakrijuar u emërtua “Juvenilia” dhe pati mbështetjen e dashamirësit të sporteve të rënda, Vajdin Lame.

Biseda e parë, midis Farukut dhe Vajdinit, u bë thuajse rastësisht. Faruku ndjente nevojën e ndihmës financiare, por nuk dinte ku të drejtohej. Nuk guxonte t’i thoshte kujt, pasi në rast të një përgjigjeje negative do të ndihej keq. Një ditë u takua me Vajdin Lamen, i cili e ftoi në kafe. Në bisedë e sipër, Faruku i shtroi shqetësimin që kishte.

-Vajdin, kam në ekip me disa sportiste shumë cilësore, që mund të pretendojnë për tituj në Europë dhe në botë, prandaj dua ndihmën tënde, për aq sa ke mundësi, – i tha Faruku, pa ditur nëse ai qe personi me të cilin duhej të qante një hall të tillë.

Dhe Vajdini iu përgjigj:

-Unë jam president i sportit të boksit, por ty dua të të ndihmoj!

Në këtë mënyrë punët morën rrugën e dëshiruar. Vajdini i caktoi Farukut një kuotë lekësh për ecurinë e mëtejshme të dy sportisteve të talentuara. Kushti ishte, pak a shumë, që nëse ato vazhdonin të ecnin mirë, atëherë ndihma financiare e Vajdinit, jo vetëm që do të vijonte, por edhe do të shtohej. Dhe ashtu ndodhi.

Me të gjitha ekipet e vajzave që ka drejtuar Faruku si trajner, ka shkëlqyer. Ekipi i tij ka qenë kampion me të rritura, me të reja dhe me moshat para të reja. Të gjitha vajzat që ka patur në ekip, u bënë rekordmene. Madje edhe nënkampione e kampione Europe.

Pak kohë më vonë ndodhën zhvillime të paparashikuara, ku u mpleksën skenat dhe prapaskenat e një realiteti të ri të peshëngritjes, përmasat e së cilës Faruku asqë kishte dashur t’i njihte ndonjëherë. Fjala është për dopingun dhe për solucionet që përmbajnë kimikate, të cilat u bënë shkaku kryesor në rrënimin e sportit të peshëngritjes shqiptare.

Gjatë jetës ë tij 25 vjeçare me peshëngritjen, Faruku kishte njohur emocione të forta pozitive, por edhe fragmenete të shkëputura intrigash dhe prapaskenash. Ai i përballoi të gjitha me sukses, sepse ato zhvillime pozitive, apo negative, ishin pjesë e katalogut të brezit të tij në peshëngritjen shqiptare. Por surprizat e fundit që po shfaqeshin në radhët e peshëngritësve të rinj, ishin të papërballueshme për këtë brez, që nuk kishte dashur kurrsesi të mësonte detaje rreth dopingut, e jo më të përdorte medikamente stimuluese. Këto medikamente hynë në rjedhën e prurjeve të brezit të ri, ku bashkë me përsosmërinë e teknikës dhe rritjen e forcës, strukturat antisportive kishin thirrur në ndihmë dopingun.

Faruk Kalleshi ka qenë gjithmonë denoncues i ligësive dhe në veçanti të atyre që promovonin dopingun, duke shkuar deri lart, në Federatën Kombëtare, për të dhënë alarmin e gjëmës së re, që po i kanosej peshëngritjes.

Në këtë kontekst, ngjarja që ndodhi me Fetije Kasën ishte një prapaskenë tinzare që synonte denigrimin e figurave të papërlyera të sportit shqiptar. Fetije Kasa u shfaq si një fenomene e peshëngritjes dhe ajo përbënte një zbulim të trajnerit Faruk Kalleshi. Për shumë kohë, përballë Fetije Kasës, nuk mund të qëndronte asnjë peshëngritëse tjetër, sepse ajo i mundte të gjithë. Ishte e kompletuar dhe e pakrahasueshme.

Por një ditë, në Shqipëri, erdhi një trajnere bullgare, e cila kujdesej për ekipin kombëtar të meshkujve, gjoja për të çuar më tej rezultatet e arritura. Sipas disa burimeve të pakonfirmuara plotësisht, ajo futi në lojë edhe një sërë medikamentesh, të cilat nuk dihet se çfarë mund të kenë qenë. Por fakti është ky. Faruk Kalleshi u informua nga një prej anëtareve të ekipit të femrave, se Fetije Kasa kishte bërë një gjilpërë tek trajnerja e huaj.

Trajneri Kalleshi, duke qenë gjithë jetën armik i betuar i stimulantëve, u acarua shumë nga ky fakt. Pas dy-tri bisedave me shtangisten, ai e denoncoi këtë rast te Sekretari i Federatës së Peshëmgritjes. Denoncimi ndofta është fjalë e madhe, por Faruku bisedoi me sekretarin e federatës që kjo shtangiste të ndalohej për të shkuar në kampionatin botëror, pasi mund të rezultonte me analiza të dyshimta.

Për një periudhë të konsiderueshme kohe, mbi këtë problem u diskutua në mënyra të ndryshme dhe krijua një pështjellim i pakuptueshëm. Paralajmërimi i Farukut nuk u mor parasysh nga krerët e Federatës së Peshëngritjes. Për pasojë Fetija shkoi në garat ndërkombëtare dhe triumfoi. Por pas analizave, ajo rezultoi pozitiv, pra në organizmin e saj u provua prania e elementeve stimulantë. Rrezultati u çfuqizua. Ndërsa masat e marra prej Federatës së Peshëngritjes cenuan edhe trajnerin Kalleshi, në një kohë që ai kishte dhënë alarmin për atë çfarë përgatitej në prapaskenë.

Para se të niseshin për gara, Faruku u mendua disa herë që të largohej nga drejtimi i ekipit. Nuk kishte si të qëndronte, kur federata mbante qëndrim indiferent ndaj alarmit të dhënë prej tij, në lidhje me injeksionin e bërë nga trajnerja e huaj, në trupin e peshëngritses Fetije Kasës.

Ngjarja e mësipërme e rrëzoi famën e madhe të shtangistes shqiptare, e cila për atë periudhë kishte eklipsuar me meritë, thuajse të gjitha vajzat e tjera. Por papritur, gjithçka u shua si në një ëndërr vere, sepse sporti i peshëngritjes nuk të lë mundsinë të gabosh dy herë. Qysh në rastin e parë të konstatimit, ky sport të konsideron “të dejegur”. Por nga ngjarja e mësipërme u penalizua edhe trajneri i madh shqiptar, i cili gjatë gjithë jetës së tij, kishte qenë armiku i betuar i medikamenteve dhe stimulantëve.

 

Trajner në Prishtinë

 

Një ditë vere, duke pushuar te shtëpia e tij në bregdet, pikërisht te Mali i Robit, Farukut i bie telefoni dhe nga skaji tjetër, dikush i tha:

-Zoti Faruk! Unë jam Presidenti i Komitetit Olimpik të Peshëngritjes në Kosovë. Kam dëshirë të pi një kafe me ju!

-Patjetër, – iu përgjigj Faruku, duke parandjerë diçka optimiste, në lidhje me ecurinë e sportit kombëtar.

Takimi për kafe u realizua shpejt. Midis të tjerave, presidenti i atij sporti në Prishtinë, e bëri me dije se Federata Botërore kishte miratuar pjesëmarrjen e Kosovës në kampionatin botëror të peshëngritjes. Unë dua të ndërtojmë një ekip të mirë në Prishtinë dhe të punojmë në drejtim të masivizimit të këtij sporti, në të gjithë Kosovën. Në fillim më mjafton edhe një sportist, sa për pjesëmarrje në botëror, pastaj e zgjerojmë rrjetin gradualisht.

-Unë jam larguar disi nga këto punë, por meqë rasti i Federatës tuaj është i veçantë, unë do të vij për një periudhë kohe, sa t’ju përgatis një sportist të talentuar që, kur të dalë në gara sportive, të ketë përgatitjet e nevojshme për të marrë në dorë drejtimin e peshëngritjes kosovare.

Nga dëshira për të ndihmuar Kosovën, Faruku nuk bëri me presidentin asnjë bisedë për çështje page. Gjithçka e la në dorën e tij. Ai e bëri këtë veprim, sepse dëshironte me të vërtetë të ndihmonte në zhvillimin e këtij sporti në Kosovë. Pra tregoi vlerat e veta si patriot dhe profesionist i peshëngritjes. Nga ana tjetër, biseda u bë në një mënyrë të tillë, që nënkuptohej dhe shpërblimi i Farukut, sipas mundësive të asaj federate. Sakrifica e mjeshtrit nga Tirana, për këtë ndërmarrje disamujore, ishte e madhe. Ai flinte në shtëpinë e presidentit të atij sporti. Madje, aty edhe ushqehej, sipas kushteve të tij familjare.

Gjatë kësaj periudhe, Farukut iu duk vetja si në burg. Presidenti në fjalë kryente detyrën e drejtorit të një institucioni dhe Faruku mund të merrej me stërvitjen e peshëngritësit të ri, vetëm pasi ai mbaronte orarin zyrtar të punës në shtet. Pra duhej të rrinte orë të tëra pa bërë asnjë punë, gjë që ishte në kundërshtim me karakterin e tij.

Megjithatë, Faruku përgatiti një sportist të talentuar e të denjë, për të konkuruar në Kampionatin Botëror që do të zhvillohej në Kore. Por, më në fund, mbeti i zhgënjyer. Kreu i federates së peshëngritjes kosovare, bëri një mashtrim të pakuptimtë kundrejt Farukut. Kur erdhi dita e konkurrimit për në Kore, të gjithë anëtarët e federatës përgatitën pasaportat dhe vizat, për të qenë të pranishëm në atë edicion, ku padyshim do të merrnin edhe dietat apo pagesat përkatëse. Ndërsa për trajnerin nuk mendoi asnjeri, duke e përjashtuar nga e drejta e udhëtimit, për të qenë i pranishëm në gara.

Kjo ishte një sjellje fyese, por krejtësisht e njohur për mjedisn shqiptar, ku federatat krijohen vetëm për interesa të ngushta vetjake. Shembulli i Shqipërisë kishte qenë i mjaftueshëm për t’u mësuar me prapaskena të tilla. Kështu, ndërsa sportisti kosovar do të paraqitej në kampionatin botëror pa trajner, Faruku i fyer nga kjo sjellje rrugaçësh, mori rrugën e kthimit drejt Tiranës.

I erdhi keq që kjo federatë kosovare po krijohej brenda një mjerimi të tillë shpirtëror, ku interesi i familjarëve dominonte mbi interesat e sportit kombëtar të peshëngritjes. Me këtë rast, që në aktivitetin e parë, ky institucion i ri sportiv thyente një rekord Gines, në faqen e turpit të vet. Ndërsa Faruku u rikthye në Tiranë, ku e priste malli i familjarëve dhe nderimi i të gjithë të njohurve të vet.

Por edhe këtu nuk e lanë rehat. Jo vetëm që nuk e paguan për 6 muaj, por një sponsorizues i ekipit kombëtar të Kosovës, erdhi në Tiranë, duke bërë një tjetër skandal. Ai i kërkoi Farukut tutat sportive që ia kishte blerë gjatë kohës që stërviste peshëngritësin e Prishtinës. Madje nuk donte të merrte tutat e konsumuara, por kërkonte shumën e eurove me të cilat e pati blerë.

Këtë marrëzi të sponsorit Faruku e priti me mospërfillje, duke shprehur keqardhjen e tij për zyrtarët e lartë që po uzurponin Federatën e Peshngritjes së Kosovës. Në kohën kur Faruku zbuloi lakuriqësinë e paturpësisë së abuzimeve të Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, disa nga gazetat kryesore të Prishtinës vazhdonin të jepnin ende lajmin e mbërritjes në Prishtinë, të trajnerit të madh shqiptar, i cili do të qëndronte në krye të sportistëve kosovarë. Një nga këto gazeta shkruante: “Gjigandi i peshëngritjes europiane, Faruk Kalleshi, nënshkruan kontratë në Prishtinë”.

Faruku u largua nga Prishtina, duke lënë pas dëshpërimin e tij për situatën sportive në Kosovën e re. I vinte keq për zyrtarët e rinj që po u turreshin resurseve dhe financimeve të shtetit më të ri të Europës, me tërbimin e ujkut. Ai nuk donte të bënte parashikime për zhvillimet në fusha të tjera, por në peshëngritje, e kuptoi që në atë moment se, Kosova, në vend që të lindte një sistem sportiv bashkëkohor, me burokratët e rinj, pati abortuar dhe më e pakta, pengoi krijimin e këtij sporti masiv në Republikën e re.

Ai iku sepse nuk kishte kohë për të humbur me fantazmat e karrieristëve të rinj, që e kishin mendjen te kuletat e tyre personale. Në Shqipëri, Farukun e prisnin dekoratat dhe titujt e nderit, të cilat i kishte fituar për mbi 20 vjet, por që do t’i jepeshin pas viteve 90-të, nga duart e Presidentëve të Shqipërisë.

 

 

 

Kampionate, Kupa, Spartakiada dhe gara individuale

 

Deri në vitin 1958, në Shqipëri zhvilloheshin tradicionalisht, disa aktivitete të peshëmgritjes, nga të cilat, dy ishin evenimente kryesore: Kampionati Kombëtar dhe Kupa e Republikës. Por rreth vitit 1959, gjatë një mbledhjeje të zgjeruar ku morën pjesë specialist të Ministrisë së Arsimit dhe Federatës së Sporteve të Shqipërisë, midis të tjerave u vendos të bëheshin reforma të reja. Tashmë në Shqipëri do të zhvilloheshin edhe spartakiadat kombëtare, një herë në 10 vjet, ashtu si në shumicën e vendeve të kampit socialist. Më vonë, diferenca kohore u ngushtua. Ato do të zhvilloheshin një herë në pesë vjet. Kjo ndodhi për shkak të parimit, mbi masivizimin e sportit, por edhe për gjallërimin e levizjes sportive në mbarë vendin.

Spartakiada e parë u bë në vitin 1959, në Tiranë. Natyrisht në atë takim sportistësh Faruku nuk ka marrë pjesë, pasi në atë kohë ishte 14 vjeç. Spartakiada e dytë, u bë pas dhjetë vjetësh dhe pikërisht në vitin 1969. Në këtë kohë Faruku ishte 24 vjeç dhe pati mbrritur në një performancë kulmore, madje deri në atë masë, saqë nuk njihte kundërshtar. Gjatë kësaj spartakiade, ai i fitoi të 4 medajet e arta, në të tre stilet, si edhe në konkurrimin dygarësh. Në lidhje me rekordet, Faruku u ballafaqua me një dukuri të re. Ai thyente një pas një rekordet që kishte vendosur vetë.

Spartakiada e tretë u bë pas pesë vjetësh dhe pikërisht në vitin 1974, kur Faruku ishte 29 vjeç. Për të përmbledhur me pesë fjalë bilancin e trofeve të këtij aktiviteti, po huazojmë një perifrazim nga fusha ekonomike, duke e quajtur atë etapë, si “periudhën e privatizimit të medaljeve, nga Faruk Kalleshi”.

Një herë, kur dikush nga organizatorët po vendoste medaljet sipër tryezës së gjyqtarisë qendrore, njëri nga anëtarët e Federatës tha me humor: “Katër medaljet e arta, jepja që tani Farukut, sepse ai e nis garën me dhjetë kg më shumë se kundërshtarët”.

Në Spartakiadën e Katërt Kombëtare, zhvilluar në vitin 1979, ndodhi e njëjta gjë dhe Faruku u shpall kampion absolut. Ndërsa, Spartakiada e Pestë kombëtare, e vitit 1984, ishte epilogu triumfator që mbylli historinë e madhe të epokës së peshëngritjes, e cila mund të quhet pa frikë, “Epoka 20 vjeçare e Faruk Kalleshit”. Kjo sepse froni i tij mbretëroi për 20 vjet rresht, duke u ngjitur në pedanin e vendit të parë, me medalje ari në qafë, pa njohur humbje, apo medalje argjendi e bronxi.

Gjatë kësaj periudhe, në peshëngritjen shqiptare shkëlqyen shumë emra të spikatur që u renditën në altarin e nderit të këtij sporti. Për të gjithë këta emra, publiku shqiptar ruajti për jetë të jetëve, mirënjohjen dhe nderimin. Por askush nuk qëndroi në pedanën e vendit të parë për 20 vjet rresht, ashtu si Faruk Kalleshi. Dhe kjo është arsyeja, pse ekspertët dhe specialistët e sportit, e zgjodhën atë midis 10 sportistëve më të mirë të shekullit.

Ndryshimi i spartakiadës nga kampionati kombëtar, qëndronte në faktin që, në Spartakiadë, klubet sportive të qyteteve mateshin me njeri-tjetrin. Në kampionate garat ishin të fragmentizuara, vetëm për sporte të veçanta. Spartakiadat quheshin kombëtare dhe aty merrnin pjesë të gjitha qytetet e Shqipërisë, ose shumica e tyre, për të gjitha llojet e sportit, apo për sportet në të ciklët ata kishin përfaqësues të vetë.

Në Sparatakiadën e Dytë, që u zhvillua në Tiranë, ekipet e qytetit të Shkodrës, së bashku me sportistët përfaqësues të shumë qyteteve të tjera, ishin caktuar për të fjetur në konviktet e Shkollës Teknogjike, tek “Qyteti i Nxënësve”. Faruku kishte një vit që qe liruar nga ushtria dhe gëzonte një emër të madh dhe formë sportive të jashtëzakonshme.

Spartakiadat shërbenin tanimë, jo vetëm për masivizimin e sportit, por edhe për evidentimin e talenteve. Në garat e spartakiadave të tilla, kishte shumë sportistë pjesëmarrës, por edhe shumë spektatorë. Pikërisht, pas sparatakiadës së dytë, distanca kohore u ngushtua ndjeshëm, dhe u bë në çdo pesë vjet. Ky ndryshim pati si qëllim largimin e sportit shqiptar nga modelet sportive të vendeve Lindore, sepse tanimë Shqipëria kishte dalë jashtë kampit socialist.

Faruku rezulton të ketë marrë pjesë në katër spartakiada, brenda një harku kohor prej 20 vjetësh. Por nëse llogarisim edhe sukseset e punës si trainer, kohështrirja e pjesëmarrjes dhe hegjemonisë së Farukut në sportin e peshëngritjes, është dhe 10 vjet më shumë.

Spartakiada e tretë u bë përsëri në Tiranë dhe ishte një fotokopje e së dytës, si në aspektin e organizimit nga ana e drejtuesve, ashtu edhe nga medaljet e arta të marra nga Kalleshi. Spartakiadat bëheshin në Tiranë për arsye se, asnjë nga qytetet e Shqipërisë nuk kishte mundësi të organizonte në mënyrë cilësore një aktivitet me përmasa aq të mëdha, sa ç’ishte ky eveniment. Në rrethe mungonin mjediste sportive të cilësisë së lartë dhe mbi të gjitha, mjediset për t’u strehuar ekipet. Edhe këtë vit, pjesëmarrësit u akomoduan në disa konvikte shkollore, përfshirë këtu godinat e fjetjes, konviktet e studentëve, apo të shkollave të mesme profesionale.

Faruku nuk fjeti me shokët e skuadrës, por u vendos në shtëpinë e vajzës së hallës në Tiranë. Ajo qe martuar me një fotograf të nderuar të kryeqytetit, që quhej Enver Shabani. Faruku shkonte shumë mirë me vajzën e hallës dhe Enveri tregonte respekt të veçantë për rekordmenin. Ai krenohej me mjeshtrin e madh, që kishte ngritur aq lart emrin e fisit të bashëkshortes së tij. Në fakt, Faruku nuk donte të ndahej nga shokët e ekipit. Nga ana tjetër, nuk i pëlqente që të shqetësonte famijarët e kushërirës së vet. Ishte ngulmimi i Enver Shabanit, i cili e merrte gati me zor Farukun, për të qëndruar në shtëpinë e tyre, duke i treguar atij se e kishin për nder të prisnin në familje, sportistin e një kalibri të madh.

Organizimi i spartakiadës ishte mjaft i vështirë, por meqë pretendimet e sportistëve ishin të pakta dhe gatishmëria për të sakrifikuar qe e lartë, çdo gjë realizohej me sukses.

Afro 10 muaj para se të fillonte aktiviteti i spartakiadës së vitit 1984, Faruku kishte marrë vendimin për ta lënë përfundimisht sportin. Por miqtë, të afërmit dhe sidomos specialistët, e kundërshtonin dorëheqjen e tij.

-Mos je gjë i luajtur mendsh, që kërkon ta braktisësh peshëngritjen, pikërisht, kur ti je rekordmeni i rekordmenëve dhe kampion absolut i Shqipërisë? Si mund ta lësh sportin, kur ti e kalon me diferencë të madhe rivalin tënd më të afërt? – i thoshin ata.

Kjo ndodhte sepse Faruk Kalleshi kishte dhënë prova mbi epërsinë e dukshme ndaj sportistëve të tjerë. Mjafton të themi që, rivali i tij më i afërt, i kishte mbyllur të tre provat e garës me një diferencë shumë më të vogël, se kutatat në nisjen e veprimtarisë sportive të Farukut.

Por “kampioni” ndjehej i mërzitur.

-Dua ta lë, se më duket çanta më e rëndë se pesha ime trupore, – shprehej ai.

Këtu ndikonin shumë faktorë. Duhet të nënvizojmë që, sistem politik në të cilin jetuam, ishte i përshtatshëm për masivizimin e sportit, por ishte i papërshtatshëm për inidvidët që shkëlqenin me aftësitë e tyre individuale. Këta individë, përveç famës dhe disa privilegjeve të vogla, nuk kishin ndonjë diferencë në mënyrën e jetesës, krahësuar me të tjerët. Nëse futbollisti i shquar, Panajot Pano, do të kishte jetuar në një kohë të mëvonshme, mund të paguhej me rrogë më të lartë në klubet europiane, ndërsa në Shqipëri shpërblehej sa për të kaluar 15 ditëshin. Të njëjtën gjë mund të themi për talentet e sporteve të tjera, ku përfshihet edhe “fenomeni Kalleshi”. Bilanci ekonomik në çdo muaj, për secilin sportist, ishte shumë herë më i vogël se sa pritshmëritë. Por asnjë prej tyre nuk u ankua ndonjëherë.

Ballafaqimet ndërkombëtare të sportistëve tanë qenë të pakta, gjë që lidhet me izolacionin politik të Shqipërisë me rajonin. Mjafton të përmendim rastin e portjerit të famshëm, Qemal Vogli, për të kuptuar dallimet midis vendeve europiane. Në Shqipëri rroga e tij ishte minimale, ndërsa pas arratisjes në Gjermani, vlerësimi që iu bë ishte krejt i ndryshëm. Një ofertë financiare e ndryshme nga panorama shqiptare. Por arrestimi dhe hakmarrja e sistemit, që e ndoqën nga pas talentin e madh, tregonte qartazi, që hapësirat shqiptare qenë shumë të kufizuaara për të bërë karrierë edhe yjet e sportit.

 

Kampionati Kombëtar dhe Kupa e Republikës

 

Në edicionet e Kupës së Republikës, në radhë të parë vlerësoheshin futbolli dhe lojërat me dorë. Natyrisht edhe peshëngritja kishte vendin e vet. Kupa e Republikës organizohej gjithmonë në muajin shkurt. Ndofta kjo bëhej me rastin e festës së Shpalljes së Republikës, që kishte ndodhur në 11 janarin e vitit 1945. Në fakt, matja e vërtetë e forcave të peshëngritësve shqiptarë bëhej në edicionin që quhej “Takimi Kombëtar i më të mirëve”. Ndonjëherë ai u emërtua “gara individuale e më të mirëve”. Në kalendar, ky aktivitet shkruhej: “Takimi kombëtar individual i më të mirëve”.

Kupa organizohej në muajin shkurt, ndërsa kampionati kombëtar zhvillohej kryesisht në muajët tetor-nëntor, ndërsa kamopionati i më të mirëve, zhvillohej në një kohë të ndërmjetme, midis shkurtit dhe tetorit, e cila mund të ishte periudha e korrik-gushtit. Në këtë garë, kishte shumë më pak pjesëmarrës, por shumë më tepër rivalitet e cilësi. Aty përfshiheshin ata peshëngritës, që quheshin “ajka e Shqipërisë”. Cilësia ishte e padiskutueshe dhe suksesi nuk kishte lidhje me klubet. Shkurt, kush merrte kupën cilësohej si peshëngritësi më i mirë. Në këtë takim, shtangisti më rezultativ, vlerësohej me kupën inividuale, që e diferenconte atë nga të tjerët. Dhe këtë Kupë, Faruk Kalleshi, falë aftësive të tij, e ka fituar më shumë se sa çdo individ tjetër.

 

Itinerari shtesë

 

Përveç Kupës, Kampionatit Kombëtar dhe garës së më të mirëve, kishte edhe aktivitete shtesë, për nder të festave jubilare. Këto gara që zhvilloheshin “jashtë radhe”, shërbenin për rithyerjen e rekordeve të reja, por edhe për shtimin e buxhetit personal të shtangistëve, sidomos gjatë periudhës së shërbimit ushtarak. Dhe kur garat shtesë vonoheshin, ose liheshin në harresë nga federata, atëherë ishin vetë peshëngritësit që bëheshin nxitës për to.

Në kohën kur ishin ushtarë, shoku i Farukut, Bujar Bodinaku, i tha:

-O Kallesh, kemi mbetur pa lekë. Si t’ia bëjmë për ndonjë garë të re?

Faruku u mendua për pak sekonda, por Bodinaku që dukej se e kishte vrarë mendjen më pare, lidhur me mënyrën e zgjidhjes së këtij ngërçi, shtoi:

-Shko në Federatë dhe kërko një garë për Bashkimet Profesionale!

Faruku nuk e zgjati dhe të nesërmen shkoi në Federatë, ku u takua me Mihal Cikon, në atë kohë Sekretar i Federatës.

-Na organize, mor burrë, një garë për nder të Bashkimeve Profesionale, se s’kemi çfarë t’i bëjmë këto rekorde! Dhe Ciko pranoi.

-Dakord, do ta bëjmë javën tjetër! – iu përgjigj menjëherë ai.

Dhe ashtu ndodhi. Gara u bë te ish Poligoni i vjetër, aty ku ka qenë dikur ndërtesa e PD-së.

Në këtë garë, Faruku theu 4 rekorde dhe Bujar Bodinaku, po aq rekorde. Kështu, secili prej tyre mori shpërblimin e merituar, sipas rregullit të Federatës. Pas këtij suksesi ata mendonin për ndonjë tjetër garë që mujnd të zhvillohej 2-3 muaj më pas, në mënyrë që të ndihmonin buxhetin e tyre familjar.

 

Rivali i jetës së tij

 

Më sipër folëm për një periudhë të gjatë kohore, ku Faruk Kalleshi konkurronte me vetveten. Kjo ndodhi nga periudha e fillimit të aktivitetit, deri në vitin 1967. Pas këtij viti, në tapet u shfaq rivali i jetës së tij, që quhej Niko Teli. Në peshëngritje, sportistët që të mbështesin për të bërë karrierë, janë të shumtë. Ata të motivojnë dhe të vlerësojnë me fjalë të mira. Por një rol të rëndësishëm në ecurinë individuale kanë konkurrentët, sidomos rivalët që bëjnë pjesë në ekipet kundërshtare.

Në të gjithë këtë periudhë, një nga peshëngritësit që e ka ndihmuar Farukun për të ngritur stekën e rezultateve të tij pozitive, ka qenë pikërisht, rivali kryesor i gjithë jetës së tij, Niko Teli. Ai njihej si një, nga peshëngritësit më të mirë të vendit, i cili kishte një trup muskuloz dhe me parametra shumë të spikatur. Gjatë asaj periudhe, ai konsiderohej me të drejtë, si një nga talentët më me perpektivë të këtij sporti. Nikua garonte në peshën e parë, deri në 52 kilogram dhe bënte pjesë në ekipin e Partizanit. Konkurrenca e Niko Telit me Faruk Kalleshin, fitoi një performancë tradicionale dhe standarde, sidomos pas vitit 1966. Në kohën kur Faruku ishte ushtar në klubin “Partizani”, Niko Teli ishte oficer. Ky i fundit do të bëhej padyshim një lider i peshëngritjes, nëse gjërat do të rridhnin ndryshe. Fatkeqësia e tij ishte prezenca e Farukut, i cili qe i pamposhtur. Në fakt, Faruku e kuptonte se Niko Teli meritonte më shumë dhe shpesh përpiqej t’i krijonte hapësira të lira, shokut të tij të “Partizanit”.

Meqë Faruku arriti të kalojë rezultatet e Fehmi Telegrafit dhe Ymer Pampurit, për peshën e dytë, deri në 56 kilogram, vendosi që t’i hapte rrugë Niko Telit. Kishtë dëshirë që ai të garonte dhe të shfaqte vlerat e tij në peshën e parë. Deri në atë kohë, Nikua mbetej absolut. Por më vonë, kur Faruku përfundoi shërbimin ushtarak, iku nga “Partizani”. Për pasojë, ata të dy u përballën me njëri-tjetrin, duke u konsideruar si dy rivalë të përjetshëm. Kishte raste kur secili prej tyre arrinte të thyente rekordin dhe gëzimi zgjaste vetëm 5 minuta. Sepse në provën tjetër, kundërshtari përmbyste rekordin, duke dalë në krye. Por gjithsesi, në fund të çdo gare, Faruku dilte fitues.

Faruku e konsideronte fat rivalitetin me Nikon, sepse në sajë të këtij rivaliteti, ai nxitej për të kapur majat e peshëngritjes shqiptare dhe që të bënte më të mirën, në përballjet ndërkombëtare. Në stilin e shkëputjes, Nikua mund të thyente disa rekorde kombëtare, por Faruku, brenda këtij rivaliteti, nuk i la kohë që t’u gëzohej gjatë rekordeve të arritura. Në një kohë të shkurtër, ai e prishi këtë drejtëpeshim, duke i rikthyer rekordet e vendosura të Nikos. Por në fundin e çdo rivaliteti, Faruku ushqente respekt të madh për Niko Telin, të cilin gjatë gjithë kohës, e ka konsideruar si një nga miqtë e tij më të mirë.

Më vonë, në peshën e Farukut, pra deri në 52 kg, dolën edhe emra të rinj shtangistësh të talentuar, si Agron Haxhihyseni, Hysen Cena, etj. Në fakt, disa kishin një peshë trupore mbi 52 kg, por në garat ndërkombëtare zbrisnin në peshë për të garuar në grupin e rivalitetit të peshës së parë. Dhe në këto gara, mundësia e kapjes së medaljeve shtohej. Kjo dukuri ishte e njohur në qarqet e sportit të peshëngritjes, si brenda vendit, ashtu edhe në aktivitetet ndërkombëtare.

Natyrisht, fenomeni i rënies në peshë, jo rrallë herë shoqërohej edhe me pasoja për shëndetin individual të peshëngritësit. Madje, gjatë një gare, në Valencia të Spanjës, shtangistit Hysen Cena i ndodhi një incident i vogël, që e kishte burimin te rënia artificiale në peshë. Ai zakonisht konkurronte në peshën e tretë, por Federata e zbriti në peshë, që të konkurronte për 52 kg, pra për peshën e parë. Kështu, para se të peshohej, Hyseni ra në peshë duke shmangur ushqimin dhe ujin. Por pas peshimit, ai ndjeu etje dhe piu një koka-kola të ftohtë, e cila i ra rëndë në stomak. Menjëherë u zverdh në fytyrë dhe humbi ekuilibrin. Në atë çast Faruku u gjend afër mikut të tij, duke i dhënë ndihmën e parë. Pastaj, një mjek bullgar që ishte pranë tyre, i bëri një gjilpërë dhe Hyseni e kaloi gjendjen akute, duke e rimarë veten. Gara filloi dy orë pas peshimit dhe gjendja ishte stabilizuar, kështu që gjithçka shkoi sipas ecurisë tradicionale.

Në atë garë të Valencies, për peshën e parë, Shqipëria u paraqit me dy konkurrentë, të cilët ishin Hysen Cena dhe Faruk Kalleshi. Në klasifikimin përfundimtar ata u renditën njëri pas tjetrit. Në kampionatin europian, Hyseni zuri vendin e katërt, ndërsa Faruku të pestin. Por këtu duhet të sqarojmë që Hyseni ishte kontigjent i fuqishëm për peshën e tretë, ndërsa Faruku garonte brenda parametrave të peshës së parë. Nga ana tjetër, në atë kohë, Faruku ishte në moshën 39 vjeçare dhe ndodhej në prag të largimit nga sporti. Dy muaj pas Spanjës, pikërisht kur në Shqipëri nisën garat e spartakiadës së pestë kombëtare, Faruku arriti përsëri të njëjtin rezultat që kishte kapur në Valencia. Por këtë radhë, Hysen Cena garonte në peshën e tij të tretë, ku kapi kuotat maksimale, sepse në peshën e tij reale, ishte i paarritshëm.

 

 

Pas largimit

 

Pas largimit nga sporti, qëndrimi i tij në detyrën e inspektorit vazhdoi disa vite, ndonëse nuk e pëlqente atë punë. Në fakt, ishte një punë rutinë, brenda mureve të zyrës, ku duheshin plotësuar dhe kontrolluar formularët e treguesve të sportistëve, marrja e lejes prej ndërrmarjes për ditët e garave, zbatimi i kritereve të pesëorëshit etj. Me një fjalë, ishte punë burokratike që nuk të frymëzonte, prandaj Faruku kërkoi të largohej. Madje, dëshirën e largimit e përsëriti edhe në tetorin e vitit 1984, kur i tha përfundimisht “lamtumirë” tapetit të garave të peshëngritjes. Por kërkesën e tij për t’u larguar nuk e pranuan.

-Ti ke punuar shumë mirë dhe ne nuk kemi asnjë vërejtje, – i thanë eprorët.

Veçse në atë kohë ndodhi diçka tjetër, që la shije të hidhur në kronologjinë e ecurisë sportive të Shkodrës. Ngjarja u publikua si skandal, por në të vërtetë nuk ishte kështu. Në atë kohë funksiononte i ashtuquajturi “Kontrolli punëtor”, i cili gjatë një momenti arriti të zbulonte një falsifikim të sportistëve për lejet, dietat ushqimore, etj.

Sportistët nuk ishin profesionistë dhe gjatë ditës punonin nëpër ndërrmarje, ndërsa, pasdite dilnin për t’u ushtruar në stërvitje. Gjatë garave, kampionateve apo spartakiadave, ata merrnin leje nga qendra e punës për shkëputje disa ditore. Kur mbaronte kmpionati, pajiseshin me vërtetime nga Klubi “Vllaznia”, me të cilën provohej pjesëmarrja e tyre gjatë kohës që zhvillohej kampionati. Të nesërmen, këtë vërtetim e paraqisnin te zyra e financaës së ndërrmarjes, në të cilën punonin. Gjatë atij viti, disa nga sportistët i kishin falsifikuar këto vërtetime, duke shtuar ditët e garave. Pra duke bërë pushime edhe ndonjë ditë, që në fakt duhej të qenë në ndërrmarje. Nëse Faruku u kishte mbushur vërtetimet për 5 ditët e garave, ata i kishin shtuar shifrës numrin 1 përpara, duke e kthyer në 15 ditë. Kontrolli punëtor i zbuloi këto falsifikime.

Kjo ishte përgjegjësia e vetë sportistëve. Për këtë u bë një mbledhje urgjente në Komitetin Ekzekutiv, ku kryetari i ekzekutivit të asaj kohe, Faik Çina, që ishte me origjinë nga Vlora, u përplas ashpër me Faruk Kalleshin. Kryetari foli shumë rëndë dhe u përqendrua te falsifikimi i bërë nga ana e sportistëve, si një vepër jo vetëm e pahijshme, por edhe e dënueshme. U ndal edhe te përgjegjësia morale që mbanin drejtuesit dhe inspektorët e klubit, ku nuk përjashtohej as Faruku.

Faruku e përjetoi keq falsifikimin e bërë nga sportistët, ndonëse ishte një përgjegjësi personale e secilit prej tyre. Ai nuk kishte asnjë faj. Por nuk mund të shmangej nga përgjegjësia morale. Ndjeshmëria e lartë dhe karakteri i drejtë i Farukut, nuk mund ta duronte tonin e ashpër të kryetarit të komitetit, pa iu përgjigjur për akuzat që po hidhte në ajër. Prandaj, u ngrit dhe bëri komentet e veta rreth asaj çështjeje.

-Këtë veprim mund ta bëjë kushdo, pavarësisht vullnetit tim, – u shpreh Faruku. Padyshim që, një veprim i tillë, kryehet nga njerëz të pandërgjegjshëm. Kontrolli Punëtor ka kapur raste kur sportistët paskan shtuar një shifër para dokumentit të dhënë zyrtarisht, dhe shumë mirë ka bërë. Por unë, nuk mund të bëhem polici personal, i çdo sportisti, për të kontrolluar ndërgjegjen e secilit, ngado që lëviz. Megjithatë, e pranoj përgjegjësinë time morale dhe do ta rishoh pozicionin tim në atë detyrë.

Përplasja me kryetarin e komitetit ekzekutiv vazhdoi gjatë, prandaj Faruku kërkoi dorëheqjen nga detyra, duke pranuar që të punonte në arsim.

Në moment u duk qartë se dorëheqja e tij ishte publike dhe e parevokueshme, prandaj, pas debatit, kryetari thirri shefin e arsimit dhe bisedoi me të, për punësimin e ri të Farukut. Dhe shefi i arsimit bisedoi me të shtruar në zyrë.

-Më ka thënë shoku Faik Çina që ke kërkuar të kalosh në arsim. Është e vërtetë?

-Po, është plotësisht e vërtetë, – pohoi Faruku.

-Dakord, ku dëshiron të shkosh? Pranon në gjimnazin “29 nëntori”?

Faruku u mendua një copë herë dhe u kujtua që atje ishte një mësues fiskulture. Madje punonte mirë dhe gëzonte respektin e nxënësve dhe kolektivit pedagogjik. Ai nuk kishte qenë kurrë sportist, por si mësues i kryete me devotshmëri dhe në mënyrë shembullore të gjitha detyrimet pedagogjike.

-Jo! – iu përgjigj në moment Faruku

-Pse? – u çudit shefi i arsimit, duke qenë se gjimnazi ishte një vend pune i zgjedhur për arsimtarët dhe në qendër të qytetit.

Faruku ishte në mëdyshje për të dhënë arsyen e vërtetë të mospranimit. Në fakt, në mënyrë të sinqertë, ai e ndjente se nuk mund ta bënte dot punën në atë gjimnaz, njëlloj siç e kishte bërë mësuesi model. Por edhe nuk dëshironte që të zinte vendin e tij dhe ai të shkonte diku tjetër.

-Më mirë pyet se kush do të më zëvendësojë mua, në mënrë që unë të shkoj në vendin e tij. Pra të bëjmë një ndërrim vendesh në formë rrokade, – tha Faruku.

Në atë çast shefi i arsimit lexoi karakteristikën Farukut, e cila ishte shkruar me superlativa, ashtu siç e meritonte karriera e tij në punë dhe në sport.

-Më paske vënë notën 10 me yll, – qeshi Faruku, duke treguar se nuk i përballonte dot momentet kur e lavdëronin, pa i kaluar ato me pak humor.

-Më vjen keq! –sqaroi shefi i arsimit. Ti nuk po shkon si i dënuar në arsim.

-Bëj shaka, – e ndërpreu me sinqeritet Faruku, – por këto momente nuk i kalojmë dot pa bërë pak humor.

Më në fund kampioni i shtangës u caktua si mësues fiskulture në shkollën e Mesme Pyjore, ku ishte si drejtor Fejzi Hoxha. Me Fejziun ai njihej prej kohësh, sepse gjatë garave të ndryshme, ai kishte qenë edhe përgjegjës i ekipit të peshëngritjes.

Prandaj, qysh në ditën e parë të paraqitjes në shkollë, Faruku u takoi me mikun e tij të vjetër dhe i tha:

-Mirë se të gjeta drejtor! Mos mendo se kam ardhur këtu të thyej rekorde e të shpallem kampion, në degën e mësuesisë. Apo për të fituar anketa e gëra të tilla.

-Çfarë thua mor burrë? Po cili është ai person që mund të ma bëj mësimin e fiskulturës, më mirë se ti?- ia preu Fejziu

-Dakort, – i tha Faruku, – por dua të paralajmëroj, që të mos kujtosh se atë notë që kam marrë dikur në sport, mund ta marr përsëri edhe si mësues.

-Pa problem, – ia ktheu Fejziu, – këtu notën tënde e vë unë.

Dhe që nga ajo ditë, Faruku rifilloi misionin e nderuar të mësuesit. Në lëndën e fiskulturës, ai dha ndihmesë të çmuar për atë shkollë, sidomos në evidentimin e talenteve. Por Faruku ndihmoi edhe në krijimin e një tereni sportiv bashkëkohor, duke filluar nga më e thjeshta e deri tek më e komplikuara. Nga vendosja e objekteve sportive, rrethimi i terrenit e deri te lyerjet me bojë.

Drejtori kishte vetëm një merak, i mbetur na mësuesi i mëparshëm i fiskulturës, i cili e merrte regjistrin e klasës jashtë, gjatë orës që kishte fiskulturë, dhe e harronte në terren. Nxënësit përfitonin nga pakujdesia e tij dhe bënin korigjme ose shtonin nota positive, sipas interesit të tyre.

-Të lutem ki kujdes vetëm regjistrin, – i thoshte Fejziu.

-Pa merak, – përgjigjej Faruku, i cli nuk e nxirrte fare regjistrin në terren, por mbante shënime në një fletore të posaçme, ku regjistronte emrat dhe notat e nxënësve. Që nga dita e parë deri në ditën e fundit, drejtor Fejziu nuk i shkoi asnjëherë për kontroll në orën e fiskulturës. Kishte besim të padiskutueshëm tek rekordmeni. E shikonte përditë nga dritarja e drejtorisë, se si Faruku organizonte akrobaci, saltro, paralele, basketboll, volejboll etj. Madje edhe kontrollorët e seksionit të arsimit të rrethit ankoheshin kur dërgoheshin për të kontrolluar Farukun, sepse e quanin humbje kohe.

-Ai është i pakontrollueshëm në praktikë. Në orën e mësimit që zhvillohet prej tij, mund të bëhet kontroll vetëm në teori, – thoshin ata.

Dhe meqë teoria e lëndës së fiskulturës ishte diçka e ndryshme nga lëndët e tjera, Faruk Kalleshi u shpall mësues i pakapshëm dhe i pakontrollueshëm në Shkodër.

 

Irma Libohova, për darkë te familja Kalleshi

 

Estrada e Tiranës, në kalendarin e shfaqjeve kishte planifikuar një turne në Shkodër dhe në disa qytete të tjera veriore. Gjatë një momenti, në mbrëmje, Faruku duke u kthyer nga stërvitja, vuri re para Kafes së Madhe këngëtaren Irma Libohova. Ishte bashkë me një aktor tjetër të Estradës, i cili sot është bashëkshorti i Irmës. Me ta qenë edhe disa artistë të tjerë, disa nga Faruku nuk i njihte.

-Çfarë po bëni këtu? – i pyeti Faruku.

-Ja, na kanë tradhëtuar shokët. Dikush i mori për darkë dhe ne mbetëm këtu, – iu përgjigj Irma.

Faruku pa njëherë nga shtëpia e vet dhe i tha Irmës:

-Më prisni se për një minutë vij. Dëshiroj të pimë një kafe së bashku.

Pastaj shkoi në shtëpi dhe i tregoi Lilianës për atë që i kishte ndodhur gjatë rrugës. Liliana që njihej si një mikëpritëse e pashembullt, e nxiti Farukun që t’i ftonte për darkë. Pa humbur kohë, Faruku bleu tek dyqani i mishit sendet e domosdoshme për një darkë të frytshme, e pastaj shkoi te Kafja e Madhe për t’i ftuar në shtëpinë e vet, të gjithë artistët e Estradës së Tiranës, që kishin mbetur ende pa u strehuar. Ishin 10 vetë.

Ata e pranuan ftesën menjëherë. Darka e asaj nate ishte e mrekullueshme, jo vetëm me ushqim e pije të mjaftueshme, por edhe me muzikë të veçantë. Çiftet u ngritën njëri pas tjetërit në një pistë të improvizuar vallëzimi. Të gjithë qeshnin e gajaseshin nga kënaqësia, ndërsa Irma Libohova dukej disi serioze. Ky seriozitet binte në sy për atë mbrëmje entuziazmi. Prania e saj ishte një shkak i mjaftueshëm për të shtuar kënaqësinë e të pranishëmve, pasi ajo ishte tip i shkathët. Por dukej që asaj diçka i kishte ndodhur, pikërisht aty gjatë vallëzimit. Diçka që i pati ndryshuar gjendjen shpirtërore.

Gjatë vallëzimit, por edhe pasi ulej në tryezë, diçka bisedonte me aktorin-humorist, i cili për çudi atë mbrëmje gjithashtu dukej më  serioz se herët e tjera. Për shkak të reflekseve dhe kulturës që pasqyronte Irma, përpiqej të komunikonte me të gjithë, por dukej se përqëndrimi i saj ishte tek fjalët që i thoshte aktori. Në atë kohë Irma ishte beqare dhe disa muaj më vonë ajo shpalli fejesën. Pikërisht, me atë aktor, kolegun e punës së saj.

Tridhjetë vjet më vonë, ajo deklaroi publikisht në një emision televiziv, se propozimin për martesë bashkëshorti ia kishte bërë në Shkodër, gjatë vallëzimit, pikërisht në darkën e shtruar në shtëpinë së Faruk Kalleshit, ku ata të dy qenë të ftuar.

Kur e dëgjoi deklaratën e saj në televizor, Faruku sqaroi plotësisht enigmën e para 30 viteve, përse ata të dy gjatë mbrëmjes ishin aq seriozë dhe të përkushtuar ndaj fjalëve të njëri-tjetrit. Më vonë, martesa e Irmës me kolegun e saj aktor, sqaroi plot gjëra, por në TV, këngëtaarja evidentoi faktin që, propozimin për martesë e kishte marrë në atë mbrëmje shkodrane, tek shëpia e Faruk Kalleshit, një mbrëmje e paharruar për të.

 

Një peshk për të gjithë

 

Njëherë, në shtëpinë e tyre pranë Kafes së Madhe, erdhi një peshkatar, mik i Farukut dhe e thirri nga poshtë:

-O Kallesh, hajde se të kam sjellë një viç.

Në atë kohë Liliana, e cila ndryshe nga Faruku, nuk e kishte qejf peshkun, i tha të shoqit:

-Dil se ka ardhur ai shoku yt, peshkatari.

Kur zbriti Faruku pa peshkatarin që mbante në duar një krap jshtëzakonisht të madh.

Ai shkoi me shpejtësi lart dhe shkëmbu një shikim të shpejtë me Lilianën, e cila i tha pak a shumë këto fjalë:

-Çoje peshkun ku të duash, në shtëpi mos e fut!

Atëherë Faruku e hipi në biçikletë dhe duke treguar edhe njëherë zemrën të madhe të tij, e ndau peshkun te njerëzit e afërm. Në fillim e çoi tek nëna e Lilianës, Nexhi, e cila nuk përtonte kurrë për të qëruar peshq. Një pjesë ia la asaj, një pjesë e çoi tek nëna e tij, e cila në atë kohë jetonte në dhomën e vet, pranë vëllait të vogël, dhe pjesën tjetër e shpërndau nëpër njerëz të tjerë të fisit, duke i kënaqur të gjithë.

 

Një peng, pa faj

 

Faruku kishte një biçikletë të cilën e mbante gjithmonë me vete. Në aspektin e përgjithshëm, përdorimi i biçikletës hyn në traditën e jetës shkodrane, por në aspektin individual, biçikleta e ndihmonte shumë në lëvizjet e tij gjatë ditës, jo vetëm brenda qytetit të Shkodrës, por edhe për të shkuar me shokët në Shëngjin, Lezhë, etj. Madje, për raste ndeshjesh, kur luante “Vlllaznia” në kryeqytet, Faruku ishte në krye të bashkëqytetarëve të tij, që udhëtonin me biçikleta drejt stadiumeve të Tiranës. Kjo ndodhte për arsye të vështirësisë që kishte transporti i asaj kohe, por udhëtimi në grup me bicikleta ishte edhe një lloj stërvitje, apo argëtimi spektakolar.

Por një ditë i vodhën biçikletën. Pikërisht në oborrin e teatrit të Shkodrës, madje diku, në korridoret e tij. Ishte viti 1990, kur shoqëria shqiptare po shpaloste çakordimin dhe çthurjen. Grabitjet e mallit dhe deri te rrëmbimet e vajzave qenë shtuar. Ditën që Farukut i vodhën biçikletën, qe i pranishëm dhe mjeshtri i madh i skenës, Paulin Preka, i cili u trondit dhe u preokupua shumë. Madje, ai çuditej me qetësinë e Farukut dhe pyeste çdo njeri që shihte, mos e kishte parë biçikletën e shokut të vet. Në këtë rast, ai tregoi edhe njëherë madhështinë, ndjeshmërinë dhe ndjenjën e solidaritetit e bashkëpunimit me kolegët. Por biçikleta nuk u gjet dhe për këtë arsye, Faruku u detyrua të njoftonte organet e rendit, që nëse gjendej biçikleta, të lajmërohej.

Ditët që kaloi pa biçikletë ishin të mërzitshme dhe të lodhshme, sepse ai ishte mësuar me “kalin” e vet. Këtë mund ta kuptojë vetëm ai që është gjendur në rrethana të ngjashme. Denoncimin e bëri formalisht, pa ndonjë bindje apo shpresë se policia mund ta zgjidhte këtë problem. Por përgjigja e policisë erdhi shumë shpejt: “Hajde në rajon, se biçikletën e kemi gjetur”. Faruku shkoi menjëherë atje dhe hyri në magazinën e mallrave të vjedhura. Pati përshtypjen që, sapo të hynte, do ta njihte biçikletën e tij, ngjyrë blu. Por nuk ishte ashtu. Pasi kërkoi rreth 4-5 minuta, u bind se “kali” i tij nuk ishte aty. Me sa dukej, nuk ishte gjetur akoma. Kjo e mërziti disi, por polici që e shoqëronte i tha: “Zotëri, ja kjo këtu është biçikleta jote”.

Në atë moment, polici tregoi me gisht një biçikletë të zezë, që ishte shumë e re dhe e bukur.

-Jo, – tha Faruku, – biçikleta ime ishte blu.

-Hajdutët i lyejnë biçikletat, pasi i vjedhin. I ndërrojnë edhe ngjyrat që të mos njihen më prej pronarëve, – shtoi polici.

– Jo, – përsëriti Faruku, – edhe pjesën e timonit e kisha ndryshe.

-Ata e ndërrojnë edhe modelin e timonit, se janë profesionistë, – vazhdoi polici.

-Jo ngulmoi Faruku, sepse edhe kolltukun e kishte ndryshe.

-Zotëri, ata i ndryshojnë të gjitha, prandaj janë hajdutë. Dinë të vjedhin dhe dinë të manovrojnë, – tha polici dhe shtoi në formë urdhëri: Merre biçikletën dhe ik në shtëpi.

-Nuk mund ta marr, sepse kjo mund të jetë biçikleta e ndonjë tjetri dhe…

-E çfarë pastaj? – pyeti polici.

-Dhe unë mund të turpërohem, – shtoi Faruku, – sepse asnjëherë nuk kam marrë as një gozhdë pa leje, për ta çuar në shtëpi.

-Nëse të del i zoti i biçikletës, ti jepja dhe eja të të japim një tjetër. Ndaj i mbajmë këto biçikleta këtu, që të gjejnë pronarët e tyre. Unë të siguroj që kjo është biçikleta jote.

Fjalia e fundit e siguroi Farukun se në këtë mes, nuk do të kishte asnjë keqkuptim, nëse dilte pronari i vërtetë i biçikletës. Përkundrazi, nëse dilte ndonjë që pretendonte se ishte mall i tij, do t’i jepte biçikletën. Në këtë rast do t’i bënte nder edhe një qytetari tjetër. Kështu vendosi ta përdorte atë bicikletë, gjersa të gjendej apo të kapej nga policia grupi i hajdutëve që kishte vjedhur biçikletën e tij. Në fakt, identiteti i pronarit të asaj biçiklete nuk u mësua asnjëherë, por Farukut i mbeti peng, që nuk e mësoi kurrë se cili qe pronari i vërtetë i saj. Ai pyeti shumë njerëz, por askush nuk dinte gjë. Faruku synonte ta gjente të zotin e saj dhe ta lumturonte, duke i rikthyer biçikletën. Madje duke i treguar rrethant e gjetjes nga policia. Por kjo nuk ndodhi kurrë. Edhe biçikleta e Farukut nuk u gjet ndonjëherë. Këto ishin grabitjet e para, sepse pas vitit 1990, në Shqipërinë e re kapitaliste nisën të shfaqeshin hajdutët e rinj të makinave.

  Kapitulli i nëntë

“Biznesi” në Malin e Zi

 

Pas vitit 1990 u hap kufiri me Malin e Zi. Në atë kohë shumë shkodranë nisën të ushtronin tregtinë me anë të shkëmbimeve të thjeshta të mallrave me shtetin fqinj. Një nga asortimentet që kërkohej më shumë përtej kufirit, ishte duhani që prodhohej në Shkodër. Një shok i ngushtë i Farukut, me të cilin njihej nga sporti i peshëngritjes, i tha një ditë duke qeshur:

-Kallesh, nuk po të shoh në kufi, përse ke munguar?

-Çfarë ka ndodhur atje? – e pyeti Faruku.

-Akoma nuk e ke marrë vesh se çfarë po ndodh? – vazhdoi tjetri, serinë e pyetjeve.

-Jo, – tha thjesht, Faruku.

-Sa paguhesh ti, si mësues në shkollë? – e ripyeti ish peshëngritësi.

-Rreth 7 mijë lekë të vjetra, por tani rroga më është bërë 13 mijë lekë, – iu përgjigj Faruku.

-Po a e din se këtë shumë e fiton për një ditë në Malin e Zi? – i tha tjetri.

-Si?- pyeti Faruku, i cili në fakt, diçka kishte dëgjuar më parë, nga të tjerët, por kurrë nuk mund ta besonte në atë masë.

-Me një çantë bezeje, me tre kilgram duhan Shkodre dhe ca pako me letra duhani, e kalon shumën e pagës tënde mujore në disa orë.

-Me gjithë mend? – e pyeti Faruku, ndonëse tjetri ishte një nga miqtë e afërt, te i cili kishte besim të padiskutueshëm.

-Eja me mua dhe do ta shohësh, – e nxiti sportisti.

-Dakort! – i tha Faruku dhe të nesërmen u interesua për të marrë vizën e kalimit për në Malin e Zi. Për shkak të origjinës së prindërve dhe për shkak të njohjes së gjuhës malazeze, marrja e vizës për të ishte e lehtë. Sapo morën vesh identitetin e rekordmenit, dhënia e vizës u bë menjëherë. Pastaj Faruku, së bashku me shokun e vet, blenë nga tre kilogram duhan, aq sa lejohej nga dogana malazeze. Dhe me anë të një furgoni, shkuan drejt kufirit malazes, për të provuar shansin e profesionit të shitësit.

Shoku i Farukut ishte me origjinë nga Vraka dhe u tregoi autoriteteve të kufirit për vlerat e Farukut, si ish sportist, kampion dhe rekordmen. Të tjerët, nga pjesa tjetër e postbllokut të dogbanes, e shihnin me habi, por dhe dyshim njëkohësisht.

-A doni ta shikoni se çfarë bën ky? – i pyeti shoku i tij.

Ata miratuan me kokë. Në çast, nëpërmjet një akrobacie, Faruku u hodh mbi traun e postbllokut, duke bërë ushtrime spektakolare dhe të çuditshme me vertikale dhe saltro të ndryshme. Të pranishmit u habitën nga kjo mrekulli. Aty u mblodhën plot njerëz për të parë spektaklin e improvizuar të Farukut. Ndërsa, punonjësit e doganës u çuditën krejt. Njëri prej tyre, duke mos u besuar syve, i kërkoi Farukut ta përsëriste edhe njëherë, duke menduar se ky mund të ishte ndonjë truk iluziv. Por Faruku e përsëriti disa herë, derisa ata, duke fërkuar sytë, i dhanë dorën dhe e shoqëruan deri në pjesën tjetër të kufirit, ku Faruku vazhdoi rrugën, së bashku me shokun e tij, për të nisur profesionin më të ri të shitësit të duhanit, pikërisht në tregun e vendlindjes së babait të vet, në Podgoricë.

Pas mbarimit të ditës së parë të tregtimit të mallit, shoku numëroi paratë dhe i tha Farukut:

-Këto janë paratë e tua!

Faruku i nëmëroi dhe u çudit, sepse fitimi ishte tepër i madh. Për këtë arsye provoi disa ditë me radhë këtë profeci, pa i thënë gjë Lilianës në shtëpi. Të dy shokët shkuan edhe të nesërmen, të pasnesërmen dhe krejt ditët e asaj jave, duke arritur fitime shumë të mëdha, me shitjen e një sasie ditore prej 3 kilogramësh  duhan.

Por ndërkaq, duke numërur fitimet e punës së re, çdo ditë Faruku e kishte lënë “de fakto” detyrën e tij në shkollën pyjore. Në fund të javës i tha Lilianës:

-Unë e kam lënë punën në shkollë, sepse do të merrem me tregti.

-Mos e bëj këtë se do të na marrësh në qafë, – ia preu ajo.

Por Faruku nxori paratë nga xhepi dhe ia numëroi Lilianës, duke i thënë:

-Shiko sa shumë kam fituar për një ditë!

Ishte koha kur shqiptarët qenë vënë në kërkim të alternativave të reja, për punësim ose biznes. Ditën e shtunë dhe të dielë Liliana kishte pushim, ndaj Faruku e mori me vete që ta ndihmonte në biznesin e tij të ri. Mësoi dhe Lilianën si shitej duhani në pazarin e Podgoricës. Por shumë shpejt, madje qysh në ditën e parë, nxënësja ia kaloi profesorit dhe arriti të shesë më shpejtë e më shumë duhan, se sa të tjerët. Kjo ndodhte sepse blerësit ishin të prirur të drejtoheshin tek një shitëse me tipare të bukura dhe të veshur me shije estetike, duke patur më shumë garanci në origjinalitetin e mallit që do të blinin.

Por një ditë asaj i vodhën 700 dollarë dhe dy pasaportat e tyre. Humbi gjithë vlerën e mallit të shitur dhe u mërzit shumë. Por Faruku e qetësoi dhe shkoi të bisedonte me policin malazes që shërbente aty. Ai e njihte Farukun, të cilin në vend të emrit, e thërriste “kampion”

-Çfarë ju ka ndodhur? – i pyeti polici.

Faruku i tregoi ngjarjen dhe bashkë me Lilianën shkuan të bënin denoncimin. Atje i pajisën me një document të vlefshëm për të mos penguar lëvizjen e tyre. Ndërkohë u mbajt dhe procesverbali përkatës. Por Lilianës i ndodhi një ngatërresë tjetër. Në dokumentet e saj të identitetit, ishte quajtur gjithmonë Lejla, ndërkohë që e thërrisnin Liliana. Te sektori i pasaportave punonte një shoqe e fëmijërisë së saj, e cila e thërriste përherë Liliana, njëlloj si edhe njerëzit e tjerë.

Pra, në këtë mënyrë nga Lejla, emri i saj u konvertua në pasaportën e re, me emrin Liliana. Kjo ngatërresë u thellua kur çifti shkoi për të marrë vizën e re. Punonjësi përkatës i tha Farukut:

-Ne më parë e kemi regjistruar me emrin Lejla, kurse tani pasaporta e re ka dalë me emrin Liliana.

Faruku i tregoi se ku kishte ndodhur ngatërresa, por punonjësi malazes kërkoi konfirmim zyrtar. Për këtë arsye, Faruku shkoi në Shkodër, ku tanimë kryetarët e komiteteve të dikurshme ishin zëvendësuar me kryetarët e bashkive. Kryetar bashkie, në qytetin e Shkodrës ishte Filip Guraziu, një shok sporti i Farukut.

Sa e pa, ai e thirri me gëzim:

-Kallesh, ku je, o mik i vjetër!

Faruku e takoi dhe i tregoi se si e kishte hallin, për ngatërresën me pasaportën e Lilianës.

-Do të bëjmë menjëherë një shkresë zyrtare, për ta justifikuiar veprimin, – tha Filipi.

Shkruajti një vendim, të cilin e firmosi dhe i vuri vulën. Kështu puna e Farukut vazhdoi normalisht dhe pa pengesa. Ky aktivitet sistematik bëri që, brenda 10 ditësh, të blinte makinën e re, një “Fiat 132”. E mori në Podgoricë, por ai nuk dinte t’i jepte makinës. Megjithëse ishte djalë shoferi, nuk pati treguar kurrë interes për të mësuar makinën. Prandaj, i kërkoi mikut që e ndihmoi në blerjen e mjetit, për t’ia sjellë makinën deri në kalimin e Tuzit. Më tej,  makinën do ta ngiste vetë!

-Si mund ta bësh këtë, – u habit tjetri, – kur ti nuk ke prekur makinë me dorë?

Por Faruku e vendosi. I futi marshin e parë, pastaj atë të dytë, dhe mori rrugën drejt doganës.

Kur ishin akoma në territorin malazez, shoku që e dallonte lehtësisht pasigurinë e Farukut si shofer, i tha me shaka:

-Të paktën, të kalojmë gjallë kufirin. Dhe nëse do të na hedhësh gjëkundi, më mirë të biem në Bunë, kur të hyjmë për në Shkodër, që të paktën të na gjejnë trupat dhe paratë. Ndryshe as trupat nuk kanë për të na i gjetur!

Faruku vuri re se makina ishte nxehur shumë, por nuk kishte ç’të bënte. Nuk dinte as se si ndërroheshin marshet.

Tjetri, ngaqë e pa se shoferi i ri nuk e dëgjoi shakanë, i tha pësëri:

-Ti je rehat, se paratë i prishe për makinën, por unë i kam në xhepin e xhaketës.

Faruku vuri buzën në gaz me shakanë e shokut të vet dhe iu përgjigj:

-Mos ki merak, se po ramë këtu, peshkaqenët mund të na i çojnë rrobat në Shkodër, deri në mëngjes.

Pasi kaluan doganën, Faruku i hodhi ujë motorrit dhe u nis drejt shtëpisë, duke e mbajtur timonin drejt, me marshin e dytë të makinës.

Në ditët vijuese, me anë të makinës, nisi një fazë të re tregëte me Malin e Zi, duke shkëmbyer jo vetëm duhan por edhe veshje të ndryshme, gozhdë, sapun dhe gjithçka tjetër. Ndërkohë u perfeksionua dhe në drejtimin e mjetit, madje mori edhe patentën. E mori pa bërë asnjë ditë kurs. Nga ana tjetër, zuri shoqëri të afërt me shumë tregëtarë të Tuzit, duke bërë porosi të ndërsjellëta për mallrat që qarkullonin në të dy anët e kufirit.

Faruku çonte dhe sillte mall nga Podgorica në Shkodër, thuajse përditë. Shpesh e kujtonte punën si mësues në shkollën Pyjore, dhe kishte mall për kolegët. Njëherë, kur po kthehej nga Tuzi, e kishte mbushur makinënë plot me kuti sallami dhe ndaloi para shkollëa Pyjore, ku takoi drejtor Fejziun. Shkoi në zyrën e drejtorit dhe i la mbi tryezë disa kuti sallami.

-T’i solla që të mos e pish rakinë thatë, – i tha Faruku

-Ç’janë këto?- u çudit Fejziu

-Merri me gjithë zemër. Makinën e kam të mbushur plot, – vijoi Faruku.

 

Jeta drejt Tiranës

 

Puna filloi të binte dalëngadalë dhe Faruku vriste mendjen për ndonjë alternativë tjetër. Kjo histori vazhdoi deri në gusht të vitit 1998, ditën kur ata vendosën të ktheheshin në Tiranë. Shkaku kryesor për vendimin e ardhjes në Tiranë, u bë vajza e tyre, Anila. Ajo kishte ecur shumë përpara në profesionin e vet. Në atë kohë punonte në Televizionin Shtetëror. Madje ishte bërë një figure, jo vetëm e njohur, por edhe e nderuar e kryeqytetit shqiptar.

Një ditë Faruku i tregoi së bijës se puna me tregëtinë e Malit të Zi kishte rënë.

-Përse nuk vini këtej? – e pyeti Anila, pa dashur të ndikonte në zgjedhjen e prindërve të saj.

Pas këtij propozimi, në kokën e Farukut zuri të konsolidohej mendimi për ta bërë Tiranën vendbanimin e tij të ardhshëm. Dhe një ditë erdhi në kryeqytet, ku kishte me qindra miq e dashamirës, dhe u vu në kërkim të blerjes së një shtëpie.

Aty te Kafe-Flora takoi dikë që donte të shiste shtëpinë dhe Faruku, pasi i pa mjediset e dhomave, i pëlqeu. Pastaj e pyeti për pazarin e shitjes.

-Sa do me ma dhanë shkurt, se nuk dua të humbasim kohë, ngaqë jemi edhe miq, – i tha Faruku.

-Për Zotin, nën 55 milionë nuk mund ta jap, – i tha tjetri.

-Dakort, – e mbylli bisedën Faruku, a mund t’i jap marka gjermane.

-Jo, – tha tjetri, që dukej se nuk kishte eksperiencë shitblerjesh, – unë i dua lek shqiptare.

Atëherë, Faruku mori makinën dhe shoferin e një miku të vet, që quhet Seit Fishta dhe shkoi të thyente markat. Pastaj u kthye dhe i numëroi paratë shitësit, duke marrë çelësin e shtëpisë, në vend të tyre. Me kaq nënkuptohej se gjithçka ishte kryer, duke respektuar edhe aktin noterial të shitjes.

Këtë shtëpi Faruku e bleu me qëllim që të strehohej përkohësisht Anila, e cila deri në atë kohë banonte në një banesë me qira. Planet e mëvonshme ishin që të bashkoheshin të gjithë në Tiranë.

Djali i Farukut po mbaronte universitetin dhe i jati parashikonte që, së shpejti, atë ta kishte ndihmë edhe në anën financiare. Por gjatë asaj kohe Anila i propagandonte të vëllait, se dega ekonomike ishte më me perspektivë se mësuesia. I vëllai u bind dhe vendosi që, pas mësuesisë të vazhdonte Ekonomikun. Kjo i prishi disi llogaritë e parashikuara të Farukut.

-Baba, unë dua të vazhdoj universitetin, në Fakultetin Ekonomik, – i tha i biri.

-Mos, – gati sa nuk thirri Faruku, i cili kishte katër vjet që e priste marrjen e diplomës së të birit. – Ti ke katër vjet në universitetin e mësuesisë dhe tani do të më duhet të mbaj edhe katër vjet të tjera te Ekonomiku. Unë mendova se do të futeshe në punë që të ndihmoje edhe shtëpinë, – tha ai, i gjendur në befasi nga kjo lëvizje e papritur e të birit.

-Do të vazhdoj edhe Ekonomikun, por njëkohësisht edhe do të punojë, – i premtoi i biri. Kjo e qëetësoi disi Farukun, i cili asnjëherë nuk i kishte refuzuar dëshirat që shfaqnin fëmijët. Por në fakt, çdo prind e di mirë se çfarë do të thotë që fëmija të fillojë një shkollë të re, pas mbarimit të universitetit, kur pritet që ai të futet në punë.

Megjithatë, i biri duke treguar se i përkiste një race fisnikësh, i premtoi të jatit se shkollën do ta vazhdonte duke punuar. Dhe e mbajti fjalën, duke mos e shpenzuar familjen për studimet e tij. Kështu iu përkushtua punës, përfundoi njëkohësisht studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, kreu masterin e titujt e tjerë vijues me rezultate shumë të mira.

Në këtë moment, të dy fëmijët u rregulluan dhe u përshtatën mjaft mirë në realitetin e kryeqytetit. Një ditë ata i thanë Farukut:

-Baba, ne nuk mund të vijmë më në Shkodër, sepse këtu punët na kanë ecur mirë.

-Përnjimend, – i pyeti Faruku. Por ai e dinte edhe vetë, se kështu do të ndodhte. Prandaj bisedoi me Lilianën për të ardhur pranë fëmijëve. Në fillim, kjo ide, iu duk e çuditshme të dyve, por shumë shpejt e kuptuan se kjo ishte zgjidhja më e mirë. Lilianës i vinte keq të linte shtëpinë në Shkodër, që konsiderohej si shtëpia më e mirë në qytet. Sidomos për dhomat e shtruara me parketin model, nga dora e një mjeshtri që ishte shok i Farukut. Kjo dilemë zgjati rreth dy vjet dhe më pas ata vendosën ta shisnin shtëpinë, në vlerën 2.5 milionë lekë. Blerësi ishte një ushtarak, që dukej se nuk kishte dëshirë të merrej me tregëti. Por pak kohë më vonë, apartamentin e Kalleshëve ai e shiti me leverdi të madhe, duke përfitur një sasi të konsiderueshme të ardhurash. Sepse çmimet e shtëpive u rritën me shpejtësi.

 

Anketa e 10 sportistëve të Shekullit

 

Në prag të mbylljes së shekullit të 20-të, atëherë kur performanca 100 – vjeçare e realitetit sportiv, i kishte kompletuar figurat e sportistëve më të mirë, gazeta e mirënjohur ‘Sporti shqiptar”, shpalli anketën e 10 sportistëve më të mirë të shekullit të 20-të. Kjo ndodhi në muajin prill të vitit 1998, pikërisht dy vjet para se shekulli i 20-të, të mbyllte epilogun e vet. Në fakt, duke respektuar kronologjinë historike, kjo anketë njëshekullore duhej bërë në epilogun e vitit 2000, por përshpejtimi u bë për dy arsye: E para, se asnjë individ nuk mund të imponohej, apo të ndryshonte brenda dy viteve të mbetura, klasifikimin e historisë së një brezi të tërë sportistësh, dhe e dyta, ky përshpejtim u bë për të frymëzuar brezat e rinj, bazuar në sukseset tradicionale të sportit shqiptar. Kjo për arsye se, në ato vite, shumë sportistë të rinj që vinin nga sporte të ndryshme, e kishin humbur besimin te e ardhmja. Ndofta ky klasifikim është frymëzuar edhe nga suksesi i padiskutueshëm i koncertit “Këngët e Shekullit”, i cili ndikoi pozitivisht në shtimin e besimit të njerëzve, jo vetëm te arti, por edhe te jeta.

Arsyeja pse këtë nismë e mori Gazeta “Sporti Shqiptar” dhe jo ndonjë gazetë tjetër, ka të bëjë me traditën e saj, e cila është themeluar më 28 nëntor të vitit 1938. Në numrin e saj të pare, ajo shpaloste hapësirën e realitetit sportiv. Në anketën e kësaj gazete, morën pjesë me të drejtë vote specialistët dhe gazetarët sportivë më të spikatur të Shqipërisë, si edhe përfaqësues të fedarateve dhe KOKSH-it, të cilët votuan sipas konceptimit të tyre për 10 më të mirët.

Nisja e konkurrimit njëshekullor filloi me shumë debate, në lidhje me periudhën kohore, që duhej të përfshihej në të. Nëse konkurrimi do të përfshinte 100 vjet, atëherë, në krye të listës duheshin vënë patjetër lojtarët me famë botërore si, Lustra, Kryeziu, Loro Boriçi, apo ndonjë tjetër. Për këtë arsye u la pëfundimisht, që kjo anketë të përfshinte periudhën 40 vjeçare, nga viti 1957 deri në vitin 1997.

I bëmë këto saktësime për të qenë korrekt deri në fund, me gjithçka që ka ndodhur në lidhje me figurën e rekordmenit tonë, për të shmangur çdo grimcë artificializmi dhe për t’ia paraqitur brezave Faruk Kalleshin e vërtetë, me madhështinë dhe modestinë që e karakterizonte. Edhe sot po të bëhej një anketë për 100 vitet e shekullit të kaluar, përsëri “froni” i anketës për Faruk Kalleshin, do të jetë i palëvizshëm.

Superanketa e shekullit u hap me votimin e gazetarëve sportivë, që ishin mbi 40 vjeç, klubeve sportive, komitetit olimpik si dhe federatave sportive. Vlerësimet ishin: Për më të mirin 10 pikë, vendin e dytë 9 pikë, vendin e tretë 8 pikë, vendi i katërt 7 pikë dhe përfundonte me të dhjetin që merrte një pikë.

 

Emrat e fituesve

 

Që në fillim të kësaj gare, e cila zgjati për disa muaj, rivaliteti ishte tepër i madh. Sepse në arenën e konkurrimit spikatën rreth 78 sportistë të talentuar, të cilët qëndronin në panteonin e sportit shqiptar. Sipas votimeve individuale të jurisë, në atë garë herë ngrihej një figurë sportive dhe herë ulej nga votuesi pasardhës. Por disa prej emrave kryesorë të kësaj ankete, nuk u diskutuan asnjëherë, nëse do të fitonin apo jo. Dhe këta ishin të padiskutueshmit, Agim Fagu, Ela Tase, Panajot Pano, Faruk Kalleshi dhe Fatos Muço. Ndërsa, në 10-tëshen e parë, së bashku me yjet e mësipërm, rreshtoheshin edhe pesë të tjerët, si Asllan Rusi, Elisabeta Karabolli, Teodor Janku, Pirro Dhima dhe Marjeta Pronjari.

Poshtë kësaj 10-tëshe, vijonin 68 sportistë të tjerë, të cilët kishin grumbulluar një numër më të vogël pikësh, por që gjithashtu ishin figura të nderuara të sportit shqiptar. Duke i hedhur një sy dhjetshshes së parë, duket qartë se 8 sportistë të kësaj liste e kishin ushtruar aktivitetin sportiv në kryeqytet, ndërsa, vetëm dy prej tyre kishin performuar në klubet jashtë Tiranës. Këta ishin Faruk Kalleshi dhe Fatos Muço. E theksojmë këtë detaj, sepse dallimi mes kushteve stërvitore që afronte kryeqyteti dhe atyre që gjendeshin në rrethet e ndryshme të Shqipërisë, ishin si nata me ditën. Mjafton të përmendim që në Tiranë ishte një palestër e tërë që vihej në dispozicion të shtangistëve, ndërsa në Shkodër qe vetëm një kënd i palestrës, ku kryhej stërvitja e radhës.

Pra, jo për të fyer ndokënd, por për të bërë diferencën reale të kushteve kryeqytetase me rrethet, duhet thënë që vështirësitë e klubeve të rretheve ishin të mëdha. Po të kemi parasysh kushtet që ato afronin, nuk të bëhej të shkoje në stërvitje. Por ekzistenca dhe vazhdimësia e këtyre sporteve, ose më mirë, moszhdukja e tyre ka ndodhur për shkak të pasionit dhe vitalitetit të sportistëve dhe trajnerëve, të cilët të gjithë së bashku, meritojnë një medalje nderi, për stoicizmin dhe qëndrestarinë e tyre përballë skamjes dhe mizerabilitetit.

Të gjithë këtyre sportistëve të shekullit duhet t’u themi “faleminderit” plot mirënjohje, për faktin se në atë kohë të vështirë, ata na afruan një tjetër alternativë argëtimi dhe edukimi, për t’u matur me botën.

Këtu nuk duhet të harrojmë që në ditët me shi, te palestrat e sajuara të peshëngritjes, pikonte tarraca dhe uji futej brenda. Por ata vazhduan përgatitjen, përveç të tjerave, edhe për të na bërë ne, tifozëve, ta ndjenim veten si gjithë qytetarët e tjerë të botës. Të përjetonin dhe ne kënaqësitë estetike, të shijonim bukuritë sportive të shpikuara nga qytetërimi. Nëse nuk do të ishin këta qëndrestarë të sportit, sot shumë njerëz nuk do të dinin se çfarë ishte peshëngritja, shahu, volejbolli, etj, etj. Për ta kuptuar më mirë atë që sapo thamë, po japim më poshtë një ngjarje reale dhe të hidhur, në lidhje me kushtet e sportistëve shqiptarë para një gare prestigjioze, siç ishte kampionati kombëtar i peshëngritjes.

 

Mos hesht përballë atij që ka nevojë për ty

 

Kënaqësia e familjarëve për rezultatet e Faruk Kalleshit kishte kaluar në shkallën sipërore të krenarisë së merituar, në radhë të parë për babanë e tyre, i cili ishte kthyer në simbolin e njeriut të pathyeshëm. Ndërsa jashtë palestrave të garave, për njerëzit që nuk e ndiqnin sportin, respekti të dyfishohej për shkak të virtyteve dhe vlerave individuale që ata reflektonin me në mjedisin shoqëror. Mbi të gjitha brenda rrethit familjar, ai ishte një baba shembullor, që i kishte të gjitha, durimin dhe nervozizmin, tolerancën dhe merakun për mbarëvajtjen e punës së fëmijëve.

Faruku ushqente dashuri të pakufishme për familjen dhe fëmijët e vet. Tregonte kujdes për të mos e shpërdoruar atë, mes deklaratash të përsëritshme e të mërzitshme. Por Liliana e dinte mjaft mirë sekretin e dashurisë së tij, ndërsa fëmijët e kishin kuptuar me kohë që Faruku, pas aparencës së një krenarie disi të ftohtë, fshihte dashurinë e pakufijshme për fëmijët e tij, gjer në përulësi. Madje, kryefjala e ditës për të, kishte të bënte me jetën dhe gjendjen e tyre psikologjike. Megjithëse dukej sikur nuk interesohej për mbarëvajtjen e tyre në shkollë, Faruku pyeste Lilianën çdo mbrëmje dhe çdo mëngjes për ecurinë në mësime, si dhe për axhendën ditore, por natyrisht, pa i penguar aspak në planifikimet personale. Nëse ndonjë nga fëmijët kishte provim, Faruku gjatë gjithë ditës shihte orën i shqetësuar, duke menduar se si mund ta përjetonin ata vështirësinë e tezave dhe cila do të ishte nota e kërkuar. Nëse ndonjë prej tyre ishte temperaturë, atëherë në stërvitje cilindri i shtangës nuk u bindej duarve të tij, sepse ai jetonte me shqetësimet e fëmijëve.

Jashtë mureve të shtëpisë Faruku respektohej nga të gjithë, si njeri bujar, humanist, besnik dhe alturist. Për një farë kohe, emri i Farukut u bë shumë herë më i rëndësishëm se emrat e zyrtarëve të qytetit, të cilët emëroheshin dhe hiqeshin me telekomandë, sipas oreksit të qarqeve politike. Ndërsa, emri i Faruk Kalleshit qëndronte stoik, pavarësisht nga koniukturat, apo rrethanat e jetës politiko-sociale të qytetit verior. Për të qenë më konkret, duhet të sqarojmë se Farukun e respektonin të gjithë, që nga krerët e kupolës së Komitetit të Partisë, të Komitetit Ekzekutiv e më vonë të bashkisë, deri te njerëzit e thjeshtë e të varfër, që mezi arrinin të siguronin bukën e gojës për fëmijët e tyre. Në atë kohë, kushdo që kishte një hall, të cilin nuk e zgjidhte dot me zyrtarët e lartë, drejtohej te Faruku për t’i qarë hallin. Dhe pasi e dëgjonte tjetrin, ai prekej nga fatkeqësia dhe ndizte “motorët e zjarrëfikëses” së shpirtit të tij, për ta ndihmuar të njohurin, apo të panjohurin, me shpejtësinë që kërkonte emergjenca.

Pavarësisht, nga oraret e përcaktuara të regjimit ditor, pavarësisht nga axhenda fikse e lëvizjeve të tij të përditshmë, Faruku sapo dëgjonte që dikush kishte nevojë për ndihmën e tij, bëhej tjetër njeri dhe nuk linte derë pa trokitur, për ta ndihmuar në zgjidhjen e problemit. Ka me qindra raste, kur qytetarë apo fshatarë të Shkodrës, por edhe banorë nga rrethe të tjera, kur kishin ndonjë problem që lidhej me Shkodrën, merrnin këtë porosi: “Takoni, Faruk Kalleshin dhe ai do t’ua gjejë një zgjidhje”.

Në universin sportiv të peshëngritjes, Faruku pati ndërtuar perandorinë e vet, me anë të forcës dhe teknikës, duke pasur si parim të tij thyerjen e rekordit për çdo garë. Ndërsa, në jetën e përditshme njerëzore, parimi i tij ishte: “Mos hesht përballë njeriut që ka nevojë për ndihmën tënde”. Për këtë arsye, Faruku ishte i rrethuar nga ngrohtësia dhe konsiderata e lartë e të tjerëve. Sepse gatishmëria dhe respekti që ai reflektonte, në kontaktet me njerëzit, ishte shndëruar në një pasqyrë, që kthente rrezatimin e vet. Këtu nuk po ndalemi me listën e gjatë të njerëzve, të cilët Faruku i ka ndihmuar pa asnjë interes dhe ndonjëherë, pa i njohur fare, por po tregojmë diçka të thjeshtë dhe prekëse. Një ditë, një qytetar shkodran, që dukej i këputur dhe i varfër nga gjendja ekonomike, e ndali Farukun dhe i tha:

-Djali im është 15 vjeç dhe e ka pasion peshëngritjen, prandaj duam të vijmë një ditë, që ta shohim në garat kombëtare. Por ne nuk kemi lekë për të blerë biletën, – nënvizoi plaku, duke përtypur një ndjenjë turpi dhe faji.

-Mos kini merak, se do t’ju fus unë brenda, – i premtoi Faruku dhe ashtu bëri. Atë mbrëmje, ata panë garat e Kampionatit, ku Faruku theu tre rekorde të reja kombëtare. Kur dolën, ata e pritën sportistin deri sa zbriti shkallët e Pallatit të Sportit. Plaku e falenderoi dhe i tregoi për pasionin e të birit ndaj shtangës. Atëherë Faruku i mori në shtëpinë e tij dhe u dha disa pajisje sportive, si tuta, këpucë dhe rrip mesi. Atë mbrëmje, Faruku la me vetëdije të plotë disa njerëz të rëndësishëm që e prisnin, për të plotësuar dëshirën e dy njerëzve të varfër. Pra, Shkodra dhe Shqipëria e donin Farukun, jo vetëm për shkak të rezultateve të larta, që i ngrinin prestigjin e qytetit dhe kombëtares së peshëngritjes, por edhe për shkak të vitalitetit, mirësisë dhe dashurisë së sinqertë që ai ushqente për të gjithë.

Aty nga fundi i karrierës së tij, Faruku bëri një gjest tjetër mirësie, që kujtohet prej të gjithë dëshmitarëve të asj kohe. Ka qenë viti 1983-1984, kur ai propozoi që t’i hiqej trajtimi ushqimor, për t’ia dhënë këtë trajtim një sportisti tjetër, i cili ishte më i ri në moshë, por shumë i talentuar në sport. Ai quhej Genc Bakiçi. Faruku, jo vetëm që e propozoi këtë gjë, por e realizoi në praktikë qysh të nesërmen, duke hequr dorë nga trajtimi ushqimor, për t’i hapur rrugë Federatës, që të gjente një zgjidhje të shpejtë, për talentin e ri, Genc Bakiçi.

Duke zgjedhur fjalët e merituara për të, këtu nuk duam të mohojmë ekzistencën e xhelozive profesionale dhe sportive, për famën e madhe të Faruk Kalleshit, i cili ishte kthyer për ta, si një lis i madh, që i kishte lënë në hije liliputët e vegjël. Ndofta arsyet e kurtheve që i bëheshin herë pas here, e kishin burimin te madhështia e figurës së tij profesionale, si dhe te thjeshtësia e kominikimt të përditshëm njerëzor. Një fjalë e urtë thotë, se, “jo çdo gjë e thjeshtë është e bukur, por çdo gjë e bukur është patjetër e thjeshtë”. Nga ana tjetër, Faruku kishte si pjesë të karakterit të tij, urtësinë dhe mosdëshirën për t’u ngatërruar me punët e të tjerëve. Duke qenë rekordmën i sporteve të forcës, ai e dinte gjithashtu, shprehjen popullore, aq shumë të njohur në Shkodër, që thotë: “Trimëria qëndron në urtësinë, ashtu si mençuria në thjeshtësinë”.

 

Garat ndërkombëtare

 

Kalendari i garave ndërkombëtare ishte shumë i ngjeshur, por në shumicën e tyre, Shqipëria nuk merrte pjesë, sepse drejtuesit politikë të asaj kohe, e shihnin sportin me syzet e marksizëm-leninizmit. Për këtë arsye, një pjesë e aktiviteteve ndërkombëtare janë bojkotuar, sidomos kur shorti na vinte përballë Bashkimit Sovjetik, Izraelit, etj. por në aktivitetet ballkanike, sportistët tanë merrnin pjesë sistematikisht. Ishte fat që vendet e Ballkanit, kanë patur një peshëngritje relativisht të zhvilluar, gjë që ka shtuar entuziazmin e organizatorëve, për gara ballkanike apo ballafaqime miqësore, brenda për brenda gadishullit tonë. Por çdo e mirë e ka edhe një të keqe. Ishte shans jo i mirë i shtangistëve tanë, fakti që Bullgaria kishte një industri të tërë në shërbim të sportit të peshëngritjes, me një suport shtetëror dhe me një prapavijë mbështetëse shembullore. Ajo kishte në përbërjen e vet shtangistë të kalibrit botëror, të cilët thuajse ishin abonuar në poltronin e fituesve për vendet e para, apo të dyta, në Europë dhe në botë. Kjo tregonte se edhe në Kampionatin Ballkanik, vendet e para ishin të “sekuestruara” nga superfuqia e këtyre shtangistëve.

Por le vazhdojmë me ballafaqimet ndërkombëtare të Faruk Kalleshit, të cilat nisën në Kinë dhe mbaruan në Spanjë. Pas konkurrimit të parë, në Pekin dhe Shangai, gjatë vitit 1966, Kombëtarja Shqiptare u rikthye në Kinë, përsëri rreth 7 vjet më vonë, pra, në vitin 1973. Por tani ndryshimi ishte si nata me ditën. Sepse nga njëra anë Pekini ishte bërë një kryeqytet astronomik, me një zhvillim bashkëkohor të mahnitshëm dhe nga na tjetër, niveli profesional i shtangistëve tanë ishte rritur. Gjatë këtij evenimenti, Faruku theu 7 rekorde të reja.

Në muajin maj të vitit 1972, u zhvillua takimi ndërkombëtar i Peshëngritësve të Shqipërisë me ata të Rumanisë. Në këtë garë Faruku konkurroi në peshën e dytë, deri në 56 kg, duke u renditur i pari, pasi ngriti 291 kg (100+83.5+107.5). Ndërsa në Kampionatin Europian, që u zhvillua në Verona të Italisë, nga data 29 maj deri më 3 qershor 1974, ekipi ynë kombëtar u përfaqësua me 4 shtangistë dhe theu 3 rekorde kombëtare, ku Faruk Kalleshi në peshën 52 kg. vendosi një rekord të ri kombëtar, me 115 kg në shtytje.

Më vonë, më 3 deri në 11 prill të vitit 1976, në Berlin, u zhvillua Kampionati i 35-të Europian i Peshëngritjes (Senior). Në këtë kampionat Faruku konkurroi në peshën 52 kg dhe u rendit i teti, duke ngritur 200 kg (85+115).[14]

Në Kampionatin e 9-të Ballkanik, të organizuar në Selanik të Greqisë, në datat 17-19 nëntor, konkuroi në kategorinë e peshës deri 52 kg. Mjeshtri i Merituar i Sportit, Faruk Kalleshi, meritoi medaljen e bronzit me 85 kg, në stilin e shtytjes me 112,5 kg, ndërsa në dygarësh, përsëri mori medalje argjendi dhe u rendit në vend të dytë, me 197.5 kg.[15]

Në Kampionatin e 38-të Europian të Peshëngritjes, i cili u zhvillua në maj të vitit 1978, në Varna të Bullgarisë, Faruku konkurroi në peshën 52 kg dhe zuri vendin e 7-të në dygarësh, me 202,5 kg (87,5 kg në shkëputje dhe 115 kg në shtytje).[16]

Në vitin 1972, Faruku mori pjesë në konkurrimin që u bë në Varna të Bullgarisë. Në këtë Kampionat Europian, përfshiheshin emrat më të mëdhënj të peshëngritjes së rreth 40 shteteve garuese. Ekipi shqiptar udhëtoi me avion deri në Sofje, pastaj autoritetet vendase, që përgjigjeshin për mbarëvajtjen e kampionatit u vunë në dispozicion një autobus, me të cilin udhëtonin deri në Varna.

Autobusët ishin në dispozicion të ekipeve, gjatë të gjitha ditëve të Kampionatit Europian, qoftë për oraret e ndeshjeve dhe ato të stërvitjeve. Këta autobusë shërbenin për intinerarin Sofje-Varna, ose thjesht, nga hoteli për në palestrën e garave. Në këtë kampionat shtangistët shqiptarë morën më shumë porosi politike, se sa sportive. Porosia e parë kishte të bënte me sovjetikët, ku u dha urdhër i prerë, që të mos kishin asnjë komunikim. “Edhe nëse ju përshëndesin lojtarët sovjetikë, ju nuk duhet t’ua ktheni përshëndetjen”. Ky ishte një fraksion i shkurtër i vargut të gjatë të urdhërave të dhënë. Gjithashtu, një porosi tjetër ishte e formuluar në këtë mënyrë: “Mos i zini besë askujt, as shokut të dhomës dhe kini kujdes kur bisedoni, sepse edhe në mure, apo tavolina, ju kanë vënë përgjues”. Natyrisht, këto budallallëqe nuk merreshin në konsideratë, sidomos nga sportistët me përvojë, por në thelb, ekipi shqiptar paraqitej me një performancë solide dhe të disiplinuar.

Një tjetër porosi që u jepej nga përgjegjësit e ekipit, kishte të bënte me bisedat pas kthimit në Shqipëri. “Askush prej jush nuk duhet të lavdërojë qytetet revizioniste, kur të ktheheni në vendlindje”, thuhej në këtë paralajmërim. Por Faruku fliste në përgjithësi, hapur, për mrekullitë e qyteteve të huaja. Aq e vërtetë është kjo, saqë njëherë, pas kthimit nga Turqia, ai lavdëroi Xhaminë Blu të Stambollit. Dikush nga zyrtarët e thirri dhe i tërhoqi vëmendjen.

-Mos lavdëro më Xhaminë Blu të Stambollit, se do të kesh pasoja! – i tha zyrtari.

-Unë kam thënë, se kjo xhami ishte e bukur dhe s’mund të gënjej – iu përgjigj Faruku dhe vijoi – sepse unë, të bardhës nuk mund t’i them e zezë dhe të zezës, e bardhë.

-Mos harro se xhamia nuk ishte e bardhë, por blu, – ia preu tjetri dhe e paralajmëroi,- nëse do ta përsëriste këtë gjë, përgjegjësinë do ta mbante vetë mbi supe.

Formacioni i shtangistëve tanë ishte cunguar. Do të udhëtonte drejt garave vetëm 70 për qind e ekipit, pasi nga 10 vetë, u nisën 7 peshëngritës. Kombëtarja shqiptare nuk ka qenë e plotë thuajse asnjëherë, për shkak të shartimeve biografike që bëheshin nga Federata, në lidhje me treguesit politikë të sportistëve.

Zakonisht, në ekipin kombëtar të Shqipërisë, tre peshat e para përfaqësoheshin nga dy peshëngritës. Në peshën e parë, peshën e dytë dhe peshën e tretë ballafaqohej me nga dy shtangistë, ku konkurrenca jonë ishte dinjitoze. Ndërsa, në disa pesha të tjera, nuk përfaqësoheshim fare, ndërkohë që, vazhdimisht thirrej në Kombëtare edhe shtangisti Asim Belinova, i peshës së rëndë. Qëllimi ishte që të zgjateshin ditët e qëndrimit në gara. Por edhe për faktin që Belinova ishte një konkurrent dinjitoz, në të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Qëndrimi në Bullgari zgjati rreth dy javë, ndërkohë që kalendari i garave përmblidhej në 10 ditë.

Edhe në Kampionatin e 11-të Ballkanik që u zhvillua në Gorna Orjahovitza të Bullgarisë, nga datat 21-23 nëntor 1980, Mjeshtri i Merituar i Sportit Faruk Kalleshi, meritoi vendin e tretë dhe medaljen e bronzit në shkëputje me 90 kg. Edhe në dygarësh ai zuri vendin e tretë dhe meritoi medaljen e bronzit, me 202,5 kg.

Gjatë atij viti, një përshtypje të shkëlqyer bëri peshëngritësi i ri e me mjaft perspektivë Agron Haxhihyseni i klubit sportiv Dinamo, i cili u paraqit denjësisht në peshën e parë 52 kg. Në stilin e shkëputjes ai ngriti 92,5 kg, duke zënë vendin e dytë. Ai meritoi medaljen e argjendit. Edhe në stilin e shtytjes, ky sportist i talentuar arriti të njëjtin sukses, si vend dhe si medalje, duke ngritur në stilin e shtytjes 115 kg. Ndërsa në dygarësh, ai zuri vendin e dytë, duke u shpallur kështu nënkampion i Ballkanit dhe duke merituar medaljen e argjendit me rezultatin 207,5 kg.

Më vonë, turneu “Ataturk” i zhvilluar në Turqi, u zhvillua me pjesëmarrjen e ekipeve nga Turqia, Iraku, Libia, Jugosllavia, Franca, Uellsi, Italia, Spanja, Bullgaria, Hungaria dhe Brazili. Në këtë edicion, Faruk Kalleshi bëri një performancë të shkëlqyer  dhe u shpall më i miri. Në kategorinë e peshës 52 kg, ai ngriti në stilin e shkëputjes 90 kg dhe në atë të shtytjes 112,5 kg. Kësisoj, me një dygarësh prej 202,5 kg, u shpall kampion i turneut.[17]

Ndërsa në anketën tradicionale “Më të dalluarit sipas llojeve të sporteve”, peshëngritësi i klubit sportiv “Vllaznia”, Faruk Kalleshi, u shpall peshëngritësi më i mirë i vitit 1981. Në fund të muajit nëntor dhe konkretisht, në datat 19 deri më 24 të atij muaji, në Bistrica të Rumanisë, u zhvillua Kampionati Ballkanik i Peshëngritjes, ku Faruk Kalleshi meritoi medalje ari, ndërkohë që ekipi ynë mori edhe 5 medalje bronzi. Nga ana e tij, Kalleshi konkurroi në peshën 52 kg dhe arriti të ngrejë 115 kg. Në datat 18-26 shtator të vitit 1980, në kampionatin botëror dhe europian, që u zhvilluan në Ljubjanë të ish Jugosllavisë, shtangistët konkurruan në dy kompeticione, pra, për Botërorin dhe Europianin. Për Kampionatin Botëror merrnin pjesë 47 shtete, ndërsa në Kampionatin Europian, 27 shtete.

Në kompeticionin botëror, Faruk Kalleshi ishte 35 vjeç, por në sajë të vullnetit, forcës dhe pasionit, ai u rendit i 13-ti, midis 47 konkurrentëve.

Kampionati Europian i peshëngritjes që u zhvillua në Viktoria të Spanjës nga data 27 prill deri më 1 maj. Ai qe evenimenti i fundit ndërkombëtar për mjeshtrin e sportit Faruk Kalleshi, i cili zuri vendin e tetë në Europë, duke konkurruar në peshën prej 52 kg dhe duke ngritur 92,5 kg. Në stilin e shtytjes Kalleshi u rendit i 7-ti me 117,5 kg, kurse në dygarësh me 210 kg, zuri vendin e 8-të.

Trajneri i ekipit shqiptar të vajzave, Faruk Kalleshi, ka marrë pjesë për herë të parë në garat e Kievit, pikërisht në qytetin e ndaluar, ku pas prishjes së madhe politike, për 30 vitet e diktaturës komuniste, nuk u lejua të shkelte asnjë sportist shqiptar. Kur Fetije Kasa u paraqit me rezultate përherë në rritje, Faruku i tërhoqi vëmendjen Federatës që ta kishte në konsideratë nivelin e saj. Gjatë një gare në Shqipëri, ajo arriti shumë rekorde, duke kapur kështu, pikën e vet kulminante. Për këtë arsye, trajneri Kalleshi nguli këmbë që ajo të përfaqësonte Shqipërinë në garat e ardhshme. Por meqë, drejtuesit e Federatës, nuk e shihnin me sy të mirë ngjitjen e merituar të trajnerit Kalleshi drejt majave, e pengonin atë, me lloj-lloj kundërshtimesh absurde. Por kur Faruku i tregoi rezultatet konkrete të Fetije Kasës, ata u detyruan të pranonin përfaqësimin e Shqipërisë në Kiev, me emrin e kësaj talenteje. Megjithatë, për ta penguar mjeshtrin, ata i thanë: Jemi dakort që Fetija të shkojë në Kiev me paratë e Federatës, ndërsa ti, si trajner i saj, do të shkosh me paratë e tua!

Ky ishte një absurditet i madh, por për hir të rritjes së dinjitetit të Kombëtares shqiptare, Faruku e pranoi edhe këtë kushtëzim.

Në garat e Kievit, Fetija reflektoi një gjendje emocionale të lartë, e cila mund ta kishte penguar atë, në arritjen e rekordeve. Por Faruku ia kishte mësuar temperamentin dhe e dinte mirë, se si mund ta çbllokonte nga emocionet sportisten e famshme të Shqipërisë. Madje, në ato gara, Faruku organizoi edhe një “lojë” me sasinë e peshës së shtangës. Ai i thoshte Fetijes, në fillim se do të ngrinte 70 kilogram, ndërsa në fakt, shtanga kishte 10 kg më tepër. Gjatë konkurrimit, Fetija po ecte shumë mirë dhe në provën e fundit, Faruku e motivoi atë, duke i thënë: Jepi luanesha ime!

Fetija e ngriti shtangën dhe kështu u shpall ndër 10 peshëngritëset më të mira të kontinentit. Kur e mori vesh Fetija, se si ishte kombinuar strategjia e Farukut, me sasinë e peshave, u çudit shumë, sepse në fakt, gjatë garës ajo nuk e dinte saktësisht, se sa kishte ngritur. Nëse do ta dinte këtë, mund të stepej disi nga ngarkesa e lartë emocionale. Disi e kënaqur nga kjo strategji sportive e trajnerit, ajo e pyeti Farukun:

-Nuk e mora vesh, atë fjalën që më the, para garës së fundit, profesor?

-Të thashë “luaneshë”, sepse luani jam vetë, – iu përgjigj Faruku me shaka, por shumë i kënaqur nga rezultatet e Fetije Kasës, në këtë kompeticion.

Kur u kthyen në Shqipëri, drejtuesit e Federatës ishin shumë të kënaqur me rezultatin. Për këtë arsye, Faruku shkoi në Federatë të kërkonte pagesën që i takonte, sepse kishte shpenzuar paratë e veta, por ata nuk i dhanë. Gjatë debateve Faruku mori vesh se në delegacionin e Kievit, Federata kishte përfshirë, miqësisht, një person tjetër, që nuk kishte lidhje me konkurrimin e Fetijes. Atij i kishin dhënë dietën dhe paratë që i takonin trajnerit Kalleshi. Këto prapaskena të turpshme, që kanë filluar nga viti 1990, vazhdojnë edhe sot nëpër federatat tona, por drejtuesit përkatës duhet të skuqen para këtyre veprimeve tinzare dhe të pabesa. Sepse kjo paturpësi i kapërcen të gjitha caqet e durimit, ndërsa Faruku e përballoi edhe këtë sfidë me qetësi dhe pa bërë sherr. Megjithatë, personit që mori paratë, Faruku i tha: A nuk të vjen zor, që ti të vish në Kiev, me paratë e Federatës, të cilat më takojnë mua?

Tjetri nuk reagoi, por e pranoi veprimin e bërë në kurriz të Farukut.

Pas Kievit, pjesëmarrja e tij me talentet e ekipeve të vajzave vazhdoi në Çekosllavaki, Santa Domingo, Katar, etj, ku gjithmonë është kthyer me medalje dhe vlerësim të lartë. Kjo vazhdoi derisa prapaskena e Federatës së Peshëngritjes prodhoi një manipulim të ri, me anë të gjilpërës që iu bë pabesisht Fetije Kasës, nga një trajnere e huaj, që punonte për ekipin Kombëtar të Shqipërisë.

 

“Hamalli” që mbante mbi shpinë, famën e Shqipërisë

 

Aktiviteti i parë i konkurrimit ndërkombëtar të Faruk Kalleshit daton në muajin Maj, të vitit 1966 në Kinë, dhe ai e mbylli karrierën në vitin 1984, në kampionatin Europian të Peshëngritjes në Spanjë. Por, për të mbrritur nga Kina deri në Spanjë, rruga e sportistit Faruk Kalleshi kalon nga njëra autostradë e botës, në tjetrën. Gjatë nisjes, ikte duke ruajtur fort në shpirt qenien shqiptar dhe gjatë kthimit vinte plotë me medalje.

Katër vjet pas aktivitetit të parë në Kinë dhe pikërisht në vitin 1970, ekipi kombëtar i peshëngritjes fluturoi përsëri, në itinerarin e zakonshëm Tiranë-Beograd-Moskë -Pekin, për ballafaqimin e dytë ndërkombëtar.

Ndërsa në vitin 1973, në Shqipëri erdhi një ekip rumun. Ballafaqimi me të ka ndodhur në Kampionatin Europian të Gjermanisë.

Spartakiada e parë kombëtare është bërë në vitin 1959, kur Faruku ende nuk dinte se çfarë ishte shtanga, pasi qe vetëm 15 vjeç. Ndërsa, Spartakiada e Dytë është bërë në vitin 1969, kur Faruku ishte burrëruar. Nëse spartakiadat kombëtare do të identifikoheshin me emrat e kampionëve dhe rekordmenëve të peshëngritjes, kjo mund të quhej pa frikë, Spartakiada “Faruk Kalleshi”. Jo vetëm për rekodet që arriti, por për surprizën e madhe që shkaktoi në opinionin sportiv. Sepse, që në atë moment, kur Faruku preku zyrtarisht tapetin ku zhvillohej konkurrimi kombëtar, tregoi se kishte rrugë të gjatë për të bërë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, i ngarkuar me mbi 100 kilogram në kurriz. Në këtë mënyrë ai ngjasonte si një “hamall” stacionësh ndëkombëtarë, që mbante mbi kurriz peshën e famës së gjithë Shqipërisë, pikërisht në sportin që përfaqësonte. Ndërsa në spartakiadën e vitit 1974, ai ka fituar tre medalje ari dhe në vitin 1984 fitoi përsëri tri medalje ari, duke i dhënë lamtumirën, ushtrimit të këtij sporti, që ka tërhequr miliona dashamirës në të gjithë botën. Pra, janë katër spartakiada të arta, ku si askush tjetër, Faruk Kalleshi mbante vendin e parë, vendin e kampionit të vendit.

Kapitulli i dhjetë

Mbyllja e karrierës

 

Mbyllja e karrierës sportive të Faruk Kalleshit ka ndjekur këtë diagramë: kampion i kampionatit shqiptar në Maj të vitit 1984 dhe njeriu që zuri vendin e pestë në kampionatin europian të Spanjës. Ai e mbylli sintezën sportive me fitoren e tre medaljeve të arit brenda vendit, duke patur një diferencë të ndjeshme me rivalin e tij më të afërt. Por në vitin 1984, ndodhi diçka e ndryshme nga ato që kishte përjetuar më parë Faruku, në garat sportive. Ngjarja është e hidhur, sidomos po të kemi parasysh se kjo ndodhi në fund të karrierës së tij, kur ai ishte mësuar vetëm me suksese të pakonkurrueshme dhe vlerësime të padiskutueshme. Atë vit, kur u grumbullua ekipi kombëtar për Kampionatin Europian të Spanjës, Faruku nuk e ndjeu si herët e tjera ngrohtësinë e Federatës Shqiptare.

Zakonisht Federata kujdesej që t’i bënte njoftimin e datës së grumbullimit, rreth 3 muaj para garës, ndërsa tani drejtuesit e saj, jo vetëm që nuk e njoftuan zyrtarisht, por ata u shmangeshin edhe takimeve me miq të Farukut, kur përballeshin në rrugë. Kjo ndodhte sepse Federata po përgatiste spostimin dhe lënien nën hije të Farukut për garat e Spanjës. Në pamjen e parë kjo duket disi e pamundur, ose të paktën e çuditshme, por në jetën e përditshme kjo ndodh me secilin prej nesh, pavarësisht se nuk e vëmë re. Këtë e ndjejnë sidomos figurat e mëdha, njerëzit e shquar, kampionët, rekordmenët, artistët e mëdhenj të filmave, regjisorët e famshëm, e tjerë njerëz në fusha të ndryshme të artit apo shkencës.

Federata nuk donte ta grumbullonte Farukun, me pretekstin e arsyetimit të moshës. Në atë vit, Faruku ishte rreth 39 vjeç, por ajo që ndodhi ishte e shëmtuar. Për shkak të mosdëshirës, për përfshirjen e Farukut në grupin e peshëngritësve të Spanjës, ata i përgatitën edhe një mashtrim, që mund të jetë unik në historikun e peshëngritjes. Gjoja, si provë, për ta futur në formacionin e Kampionatit Botëror të Spanjës. E vunë në provë, së bashku me konkurrentin tjetër të kësaj peshe, i cili në fakt garonte për peshën e tretë dhe jo për peshën e parë.

Gjatë provimit, në shtangën e Farukut vendosën një dispropocion peshash. Nga e djathta kishte më shumë kilogram, ndërsa nga e majta, më pak. Çdo shtangist e kupton mirë, se për çfarë bëhet fjalë. Kjo mund të shkatërronte ekuilibrin dhe gjërat mund të shkonin si mos më keq.

Ngjarja ndodhi pas garës së parë të kontrollit në stilin e shkëputjes, të cilën Faruku e kaloi në avantazh me 5 kg. Kur do të vazhdonte prova në stilin e shtytjes, më parë studioi taktikën e kundërshtarëve. Vendosi të vërë në provën e parë të shtytjes 117.5 kg. Faruku ishte i sigurt që e ngrinte atë peshë dhe automatikisht dilte fitues. Afrohet para shtangës dhe filloi ngritjen. Për habi, në krahun e djathtë ndjen një sforco të madhe. Por mundi ta ngrejë shtangën dhe të ruajë ekuilibrin. Pasi e ul shtangën kontrolloi peshat dhe vuri re se në krahun e djathtë qenë vendosur 2.5 kg më shumë.

Ky fakt e çuditi sportistin kampion. Përballë tij ishte kryetari i Komitetit Shtetëror të Sporteve, Mehdi Bushati. U habit edhe ai. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje të turpshme, shpresohej që Farku të kishte pësuar ndonjë tërheqje muskulare dhe të mos ishte në gjendje për të vazhduar garën. Por Zoti ishte me të. Në garat e Spanjës ai doli ndër më të mirët. Dy muaj më vonë dhe pikërisht në spartakiadën e pestë, pasi mori tri medalje, vendosi ta linte sportin, duke mbetur në kujtesën historike të sportit shqiptar, një ndër korifejt e tij.

Pavarësisht se Faruku e përballoi me fisnikëri atë sfidë, duke e ngritur shtangën, kur u bind në dispropocionin e peshave në të dy krahët, nuk duroi më dhe iu hakërrua drejtuesve, me fjalët: “Kujt ia kam ba nanën, që ma bëtë këtë pabesi”?

Për ta larguar nga formacioni i Spanjës, ata e vunë përballë një konkurrenti shqiptar, me peshë trupore më të madhe, në mënyrë që garën ta fitonte tjetri. Faruku përsëri nuk reagoi, por pranoi konkurrencën. Dhe pas këtyre intrigave, ai e fitoi me meritë të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Spanjë. Madje, në klasifikimin përfundimtar, u rendit i pesti.

Vlerësime nderi për Faruk Kalleshin

Titujt sportivë dhe vlerësues të Farukut janë të shumtë e të panumërt. Sipas ligjit në fuqi, distanca kohore midis dy titujve, duhet të jetë të paktën 5 vjet. Që kur ishte ushtar, në klubin “Partizani”, ai ka marrë titullin “Mjeshtër sporti”, pikërisht në vitin 1965. Me këtë rast, i dhanë një medalje në formë të rrumbullakët, të shoqëruar me një fletë nderi të dizenjuar bukur. Më vonë, në vitin 1973, Faruku mori me meritë titullin tjetër të lartë, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, që identifikohej me një medalje apo dekoratë katrore, e futur brenda një kutie të hijshme, natyrisht, e shoqëruar edhe me një fletë nderi, të ilustruar me fantazi.

Në këtë mënyrë, titulli “Mjeshtër i Meritur i Sportit”, ishte më i larti për sistemin e kaluar, të cilat firmoseshin nga Haxhi Lleshi, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të asaj kohe. Por nga ish presidenti Lleshi, Faruku ka marrë edhe medaljen e nderit, “Naim Frashëri”.

Ndërsa, pas viteve 90-të, u praktikuan disa tituj të tjerë vlerësues, të cilat Faruku i kishte merituar me punën e tij, prej kohësh. Gjithsesi ai e pasuroi gamën e dekoracionit, duke marrë në fillim, “Medaljen e Artë”, që ishte e dallueshme nga të tjerat. Më vonë, Faruku mori titullin “Mjeshtër i madh i punës”, e cila disa vite më pas u bë, “Mjeshtër i madh”. Më në fund, kryerekordmeni shqiptar meritoi titullin e lartë, “Nderi i Kombit”.

Ky ishte trofeu i pasurisë dhe punës 20 vjeçare të Faruk Kalleshit, i konvertuar në stimuj moralë, i cili nuk u shpërblye asnjëherë, financiarisht. Megjithatë, Faruku nuk u ankua kurrë për këtë padrejtësi të sistemit politik, apo të fatit, sepse sot shumica e sportistëve në Shqipëri jetojnë në mjerim të plotë dhe pa asnjë ndihmë nga shteti. Ndërsa, homologët apo moshatarët e tij, jashtë vendit, që kanë arritur nivele të tilla, janë bërë miliarderë.

Dy titujt e mëdhenj presidencialë

 

Në jetën e përditshme të njerëzve të njohur publikë, ndodhin shpesh gjëra të çuditshme dhe ndonjëherë, të papritura, apo të pakëndëshme, që kanë të bëjnë me vendlindjen. Ka raste kur komunikimet, apo kontaktet me individë të veçantë në qytetin e lindjes, të bëjnë që ta ndjesh veten të fyer. Kjo ka ndodhur edhe me aktorin e madh, Çarli Çaplin, i cili, pasi shkëlqeu në Amerikë, u kthye në vendlindjen e tij, që ishte Anglia. Në atë kohë, fama e Çaplinit kishte pushtuar gjithë botën, por kur shkoi në Angli, fillimisht ai hyri në një kafene gjysmë i fshehur, apo gjysmë i maskuar. Aty e njohu dikush nga banorët e vjetër të lagjes së tij. Nga goja e tij Çaplini dëgjoi aq shumë fyerje, sa nuk kishte dëgjuar askush, gjatë gjithë jetës. Prandaj, krejtësisht, i dëshpëruar dhe i fyer, ia mbathi drejt Amerikës me avionin e parë, duke u bindur se njeriu e kishte shumë të vështirë të bëhej shenjt në vendlindjen e vet.

Këtë e kanë provuar shumë njerëz të shquar, kudo në botë, apo në Shqipëri. Pak a shumë, një ndjesi të pakëndëshme pati edhe Faruku, gjatë votimit që u bë nga të gjitha klubet e vendit, për 10 sportistët më të mirë të shekullit. Në atë konkurs, çdo përfaqësues i klubeve sportive, kishte për detyrë të vlerësonte konkurrentët, nga 1 deri në 10 pikë. Kështu, nga shumica dërrmuese e rretheve të Shqipërisë, Faruku mori vlerësimin maksimal, pra 10 pikë, ose vlerësim mbi mesatar, që do të thotë shtatë ose tetë pikë. Po për çudi, përfaqësuesi i klubit shkodran, nga i cili pritej maksimumi, i dha rekordmenit vetëm pesë pike. I kursyen pikët atij që e kishte lartësuar klubin “Vllaznia” në vite.

Megjithatë, kjo harresë e rastësishme apo keqdashje e qëllimshme e përfaqësuesit të klubit shkodran, nuk ndikoi aspak në vlerësimin total, sepse Faruku ishte kampion absolut i 20 kampionateve dhe nëse krerët klubit shkodran ishin prekur nga skleroza, përkundrazi, pjesa tjetër e Shqipërisë e kishte memorien në rregull. Kështu, Faruku u shpall në vendet e para të 10 sportistëve më të mirë.

E gjithë kjo histori mund të ishte një rast i keq, që vlente të harrohej, por nuk ishte kështu. Sepse më vonë, në vitin 2000, kur Faruku u shpall “Mjeshtër i Madh”, kërkoi paraprakisht, me të drejtë, që propozimi t’i bëhej Presidencës nga ana e klubit “Vllaznia”. Për këtë arsye, Faruku shkoi të takonte shefin e klubit “Vllaznia”, zotin Rrok Hila.

Ishte viti 2000 dhe një vit më parë, pikërisht më 1999, Ministria e Kulturës i kishte dhënë atij medaljen “Nderi i sportit Shqiptar”.

Shefi i klubit të Vllaznisë, Rroku, dukej se ishte i ftohtë në këtë drejtim. Ai, me veprimet dhe mosveprimet e tij, shkaktoi disa vonesa, që mund të ishin shmangur, pa asnjë problem. Por dukej hapur që kryesuesi i klubit “Vllaznia”, këtë e bënte, ndofta, për shkak të mosdëshirës së tij, për t’i mundësuar Farukut dhënien e atij titulli. Disa njerëz, këtë mosdëshirë të Rrokut e shpjegonin me ambicien, apo zilinë, brenda kategorive sportive. Të tjerë thanë se ishte thjesht një përtesë për të përgatitur propozimin në fjalë, ndonëse nuk munguan dhe ata që e lidhën refuzimin e Hilës, me përkatësinë e ndryshme fetare të tyre. Por sidoqoftë, duhet thënë se zvarritjet e klubit “Vllaznia” dukeshin të pajustifikueshme, përballë kolosit që e kishte ngritur atë klub, në altarin e nderit të sportit shqiptar. Prandaj, pasi doli nga zyra e shefit të klubit “Vllaznia”, Faruku shkoi në kryeqytet dhe takoi shefin klubit “Partizani”, Isa Taren. Atij i shpjegoi se si qëndronte puna. Isa Tare nuk u besoi veshëve.

-Nuk e besoj që klubi “Vllaznia” të refuzoj propozimin për ty! – i tha Isai.

-Eshtë e vërtetë! – vijoi Faruku. Rrok Hila nuk ma jep propozimin, për arsyet që i di, vetëm ai.

-Çfarë thua, more Faruk, – u nxeh Isai. Si është e mundur që ai, të mos e firmosë propozimin për ty? Po ti e ke merituar me kohë titullin, nëpërmjet rezultateve të tua. Askush prej nesh nuk ka të drejtë ta vonojë propozimin për ty. Madje, e kemi për detyrë ta bëjmë sa më shpejt.

Faruku nuk foli më, ndërsa Isai vazhdoi:

-Nëse është kështu, atëherë, po ta jap unë propozimin për titullin, nga klubi “Partizani”. Dhe që në atë moment, ai e formuloi dhe e firmosi propozimin, natyrisht, duke u konsultuar edhe me eprorët e tjerë, për ta firmosur e vulosur. Në këtë mënyrë, pas disa ditësh, me propozimin në dorë, Faruku shkoi edhe njëherë te Rroku duke i thënë:

-Si e vendose? Nëse ti, nuk do të ma japësh propozimin, atëherë unë do të paraqesë propozimin tjetër, që e kam marrë nga klubi “Partizani”, të cilin e kam në xhep.

Rroku e lexoi me sytë e tij propozimin e klubit “Partizani” dhe u besfasua. Pastaj, Isai foli në telefon me Rokun, ku midis të tjerave i tha, se çdo vonesë e propozimit për titullin e Farukut, ishte një turp.

Atëherë, Roku u bind dhe e lëshoi propozimin me anë të një shkrese zyrtare, e cila nuk kishte më vlerë për Farukun. Sepse ai kishte në dorë propozimin e Klubit Partizani, të firmosur nga Isa Tare.

Megjithë indiferencën, apo keqdashjen e disa zyrtarëve të klubit “Vllaznia”, Faruku nuk pati asnjëherë dyshim te bashkëqytetarët dhe banorët e Shkodrës. Kjo nuk ia zbehu aspak dashurinë për qytetin e tij, të cilin nuk e ndërronte me asnjë qytet në botë. Menjëherë pas ngurrimit të klubit shkodran, propozimi i Isa Tares mbrriti në zyrën e ish ministrit të Kulturës së asaj kohe, zotit Edi Rama. Ai e mori në dorë propozimin, si edhe dosjen përkatëse dhe ngaqë ishte i ri në detyrë, pyeti se çfarë duhet të bënte me të. Disa zyrtarë i shpjeguan se duhet ta vlerësonte propozimin, nëse ishte i drejtë, apo jo.

Por Rama, sapo e pa emrin e Faruk Kalleshit, tha:

-A ka burrë nëne, në këtë vend, që të kundërshtojë emrin e Faruk Kalleshit, të madh?

Të tjerët, rrotull tij e kuptuan se nuk kishte nevojë për përgjigje tjetër. Pas kësaj, propozimi i kaloi Presidencës.

Kur mori vesh miratimin e titullit nga Presidenti, Faruku shkoi diku në qendër të Shkodrës dhe sapo mbrriti aty, nuk harroi të bënte adetin e tij tradicional, duke puthur tokën shkodrane me mirënjohje. Boksieri i famshëm shkodran, Besnik Gjetaj tregon se ky ishte momenti i njohjes së tij me Farukun. Ai thotë: Unë isha në një kafe të Shkodrës, kur papritur, pashë një person që u ul nga makina e tij dhe puthi tokën. Kjo ndodhi në qendër të Shkodrës, atje ku është sheshi “2 prilli”. Pasi puthi tokën, tjetri ngriti duart lart, në shenjë respekti për këtë tokë. Pasi e vëzhgova me kujdes, pashë se ky person ishte mjeshtri i madh, Faruk Kalleshi. Kjo ka ndodhur në kohën kur presidenti i Republikës i dha Faruk Kalleshit titullin e lartë, “Mjeshtër i madh”. Atë ditë e takuam dhe e uruam për dekoratën e lartë dhe ai normalisht, na qerasi për kënaqësinë e këtij takimi.

Të gjithë titujt ishin pa pagesë. Disa zëra thonë se këta tituj duhet të shoqërohen me pagesat përkatëse, por për shkak të gjendjes ekonomike, apo varfërisë së shtetit, paratë nuk janë përmendur fare.

Por telashet nuk kishin të sosur. Kur mbrriti propozimi në institucionin më të lartë të shtetit shqiptar, ish-Presidenti Rexhep Mejdani nguroi. Ai kërkoi që Farukut t’i jepej medalja e artë, e cila në fakt, ishte më e vogël si hierarki, se sa medalja,”Naim Frashëri”, që ai kishte marrë nga Haxhi Lleshi.

Por Faruku e kuptoi se ç’po ndodhte dhe i tha këshilltarit të Presidentit:

-Unë nuk dua të zbres poshtë, por të ngjitem sipas shkallës hierarkike, që më takon. Prandaj sugjeroi Presidentit që, më parë të shohi dosjen dhe pastaj të vendosë. Sipas disa burimeve, mësohet se ish presidenti Mejdani pyeti një ish shokun e klasës së Farukut, që ishte shkodran.

Ai i pati thënë: Faruk Kalleshin nuk e arrin dot askush, prandaj jepi atë që i takon. Më pas u mor vesh se Presidenti Mejdani kërkoi ndjesë për mos informim të saktë, dhe e firmosi dhënien e titullit.

Por atë ditë, kur Faruku u dekorua me titullin “Mjeshtër i madh”, Presidenti Rexhep Mejdani kishte një aktivitet jashtë Shqipërisë. Dhe për këtë arsye, ai ngarkoi një nga këshilltarët e tij, Vladimir Prelën, që t’i dorëzonte titullin, “Mjeshtër i madh” Faruk Kalleshit. Aty morën pjesë dhe nëpunës, pjesë e stafit presidencial, midis të cilëve dhe Mentor Nazarko, këshilltar i Presidentit. Familja e Farukut, me atë rast, organizoi një drekë madhështore, te restoranti i vëllezërve “Shameti”, ku u bë një ceremoni e bukur, sepse të gjithë ishin dashamirës sportivë, kolegë dhe mjeshtra sporti të Faruk Kalleshit, nga e gjithë Shqipëria. Gjithçka kaloi në një atmosphere të këndshme me këngë, muzikë, vallëzim, ngritje dollish, gjithçka sipas dëshirës, etj. Nga ana e vet, princi i kësaj ceremonie, Faruku, kishte marrë një pamje të hijshme dhe të veçantë, duke veshur një kostum gri, me këmishë të bardhë. Ata që e njohin mirë Farukun, e dinë që ai nuk i ka qejf veshjet zyrtare. Madje ndihet në siklet, sidomos në rastet kur duhet të vërë domosdoshmërisht kravatën. Ai nuk mban asnjëherë kravatë, por atë ditë, për të respektuar ceremoninë zyrtare, si edhe festën me miqtë e tij, kishte vënë një kravatë të bukur ngjyrë rozë, me vija të bardha.

Në ceremoni ishte e pranishme e gjithë familja e Farukut, e cila padyshim kishte pjesën e vet të meritës, në sukseset e tij. Në fakt, titulli “Mjeshtër i madh”, sapo ishte formësuar. Deri në atë kohë Presidenca kishte dhënë vetëm dy të tillë. Faruku ndofta ishte i treti. Por i vërteti. Dhe secili nga pjesëmarrësit e kuptonte mirë, se atë titull që ai e mori në duar, në atë ceremoni presidenciale, zhvilluar në pak minuta, e kishte fituar me meritë të plotë, me djersën e derdhur në 20 vjet.

Meqë jemi te kostumet dhe ceremonitë, është rasti të themi se në ceremoninë zyrtare të vitit 2012, kur Faruku mori medaljen “Nderi i Kombit”, u vesh me një kostum të zi, që ia kishte bërë dhuratë vajza e tij, Anila. Faruku e shoqëroi kostumin me një këmisha të bardhë dhe kravatë me nuanca të kuqe e bojë qielli. Në atë ceremoni ishte i pranishëm edhe nipi i vogël, i cili në të vërtetë ishte më i madhi nga të gjithë. Sepse para tij, e gjithë familja Kalleshi rrinte “gatitu”.

Propozimi për titullin, “Nderi i Kombit”, këtë radhë erdhi nga vendlindja. Kjo ndodhi një ditë kur Faruku takoi në Shkodër një mikun e tij të vjetër, i cili kishte nostalgji për rezultatet e mjeshtrit të madh. Ai punonte në strukturat shtetërore, që merreshin edhe me dhënien e propozimeve. Nga ana tjetër, periudha 5 vjeçare për distancën e domosdoshme, midis titujve kishte kaluar.

Të dy bashkë shkuan te prefekti i Shkodrës, që në atë kohë ishte Maxhit Cungu, i cili, sapo dëgjoi fjalët e para, e ndërpreu dhe i tha:

-Unë jam dakort. Ti e meriton, por duhet të shkosh te Këshilli i Qarkut.

Natyrisht, ai donte ta ndihmonte Farukun të gjente rrugën në labirinthet e udhëkryqeve të zyrave shtetërore, ku shpesh humbasin orientimin shumë njerëz. Por Faruku nuk kishte nevojë për ndihmë të mëtejshme, pasi nënkryetarin e Këshillit të Qarkut Shkodër, e kishte shok. Atë detyrë e kryente Hajro Gjeta, sportist i njohur.

-Eja me mua që ta sqarojmë menjëherë këtë punë, – i tha Hajrua.

Dhe e çoi në zyrën e kryetarit të Këshillit të Qarkut, Xhovalin Kolombi, dikur rektor në universitet. Kolombi qe marrë edhe me punë organizative në Këshillin Artistik të Teatrit Migjeni. Kështu që, i njihte mirë arritjet e Farukut, si sportist edhe si akrobat.

Kryetari i Qarkut tha vetën këto fjalë:

-Faruk Kalleshi e mbush krejt faqen e kësaj fasade me medalje. Prandaj, në mbledhjen e parë të Këshillit të Qarkut, që e kemi pas 5 ditësh, do të vish të marrësh pjesë edhe ti vetë.

Në ditën e caktuar mbledhja u zhvillua normalisht. Pika e votimit për dekorimin e Farukut, ishte shënuar e fundit. Në Këshillin e Qarkut bënin pjesë, të djathtë e të majtë, por gjatë votimit të gjithë e miratuan unanimisht, propozimin e bërë, për t’i dhënë “kampionit” titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Ky ishte një rast i rallë, ose ndofta i pari dhe i vetmi, kur votat e dy grupeve kundërshtare, u bashkuan tërësisht, duke patur të njëjtin mendim. Kjo ndodhi sepse bëhej fjalë për Faruk Kalleshin. Ata e ndjenin që Faruku ishte i të gjithëve.

Dekorata ”Nderi i Kombit”

Kjo është dekorata më e lartë që mund të marrë një individ në Shqipëri. Eshtë si të thuash, kati i fundit i gradaçielës së lavdisë, përtej së cilës nuk ke se çfarë të kërkosh më. Por për Faruk Kalleshin, kjo lavdi është plotësisht e merituar. Dhe dita e caktuar për marrjen e titullit erdhi shpejt.

Për arsye, se atë ditë Presidenca kishte ngarkesë të madhe pune, apo ndofta për shkak të dendësisë së zhvillimeve politike, kjo ceremoni ishte disi modeste. Bashkë me Farukun, u dekorua me medaljen “Nderi i Kombit” edhe Ndriçim Spahiu, mundësi i famshëm i kampionateve shqiptare.

Meqënëse Presidenti Bamir Topi ishte shumë i zënë me detyra të tjera, ceremonia e dorëzimit të titullit, u krye me procedura disi më të përshpejtuara se zakonisht. Por qëllimi u realizua plotësisht dhe Faruku e mori dekoratën. Në fakt, ai kishte planifikuar organizimin e një darke në Shkodër, por koha efektive e Presidentit, nuk i premtonte të bëhej pjesë. Përveç kësaj, Presidenti Topi ishte në fundin e mandatit të vet dhe për pak ditë do të largohej. Kështu që Faruku e shtyu organizimin e festës pas 3 muajësh. Para se të caktonte lokalin dhe datën, apo orën e saktë, Faruku kontaktoi me Bamir Topin, i cili sapo kishte mbaruar afatin e detyrës presidenciale dhe po merrej me organizimin e Partisë Fryma e Re Demokratike (FRD). Me këtë rast Faruku shkoi në zyrën e re të Bamirit dhe e ftoi në drekën ceremoniale që kishte planifikuar në Shkodër. Në atë periudhë, Bamiri sapo ishte zgjedhur kryetar i FRD-së dhe kishte shumë punë për organizimin e saj. Por ftesën e pranoi me kënaqësi.

-Merr kë të duash sepse do të keni në dispozicion një tryezë të veçantë, -i tha Faruku.

Dhe ashtu ndodhi. Ish-presidenti erdhi në festën ku ishin të pranishëm 120 të ftuar, së bashku me Gazmend Oketën dhe disa të tjerë. Në atë drekë, Faruku kishte ftuar ajkën e këngëtarëve shqiptarë, si Tonin Tërshana, Bujar Qamili, Valbona Mema, etj. Të gjithë erdhën miqësisht dhe me dëshirë. Nuk u diskutua asnjëherë për ndonjë lloj pagese nga ana e këngëtarëve, të cilët i dhuruan atij takimi festiv këngë të mrekullueshme. Në këtë takim, përveç të tjerëve, foli edhe ish-Presidenti Bamir Topi, i cili tha: “Dëshiroj të përshëndes nga zemra familjen Kalleshi dhe të parin e familjes, Farukun. Së dyti, dëshiroj t’ju them që ndihem vërtet i gëzuar që ndodhem këtu, midis jush, në këtë qytet historik. Në këtë qytet të traditës qytetare, në qytetin prj nga historikisht kanë dalë talente të kulturës, artit dhe sportit. Kjo është një ndër arsyet që jemi së bashku sot. Na ka mbledhur Faruku, i cili Medaljen e mori në Tiranë, por erdhi ta festojë në Shkodër. Dhe këtë e bëri me miqtë e tij të shumtë.

Ai me të vërtetë është një Gjergj Elez Ali, por ka dalë nga betejat pa plagë. Me këtë rast, Unë të uroj nga zemra, ty dhe të gjithë ata që dolën nga qyteti i Shkodrës, me talente të jashtëzakonshme.

Pas përshëndetjes së tij, salla oshëtiu nga këngët, vallëzimet dhe ritmet e qelqeve që përplaseshin fort me njëra-tjetrën, për t’i uruar Faruk Kalleshit, më shumë lumturi, mbarësi dhe shëndet, për vazhdimësinë e mëtejshme të rrugëtimit të tij.

Miqtë e futbollit

Faruku kishte plot miq e të njohur nga radhët e futbollistëve të talentuar të Shqipërisë. Në krye të tyre do të përmendim Loro Boriçin dhe më tej, të gjithë listën e futbollistëve të Vllaznisë e Partizanit, 17 Nëntorit, Luftëtarit, Apolonisë, etj, që nga Sabah Bizi, Astrit Hafizi, e deri te Sefedin Braho, apo Kujtim Majaci. Faruku ka ndenjur me orë të tëra, me këta mjeshtra të mëdhenj, por këtu do të përmendim dy detaje të shkurtëra me Medin Zhegën dhe Panajot Panon.

Me mjeshtrin e madh të futbollit shqiptar, Medin Zhega, Faruku ishte gati në një moshë. Diferenca midis tyre ishte punë muajësh. Përveç të tjerave, ata ishin edhe bashkëqytetarë të Shkodrës si edhe figura të rëndësishme të sportit tonë kombëtar. Madje, edhe shtëpitë i kishin në dy lagje, që ishin pranë njëra-tjetrës. Faruku banonte në lagjen Dërgut, ndërsa Medin Zhega, në lagjen Dudas. Kuptohet, në moshat e vogla fëmijënore gjatë spartakiadave, ndeshja më e rëndësishme në Shkodër ishte ajo midis lagjeve Dërgut dhe Dudas, ku Zhega dhe Kalleshi ishin kundërshtarë të njëri-tjetrit. Natyrisht, Medin Zhega eci shumë përpara në futboll. Ai ishte dhe mbeti një princ i futbollit shqiptar, por në atë moshë, rivaliteti midis dy ekipeve të tyre, ishte shumë i madh.

Më vonë, kur Zhega shfaqi cilësitë më të larta të talentit të tij, u bë lojtar i Kombëtares. Mbahet mend prej të gjithëve, kur gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare me Irlandën e Veriut, Medin Zhega shënoi një gol të shkëlqyer me kokë, gjatë një pasimi tokazi. Ai u shtri barkaz dhe goditi me kokë, duke shënuar gol. Ndërhyrja e Zhegës ishte spektakolare dhe goli i paimagjinueshëm. Por gjatë shënimit të atij goli, mbrojtësi kundërshtar e goditi me taka në kokë. Natyrisht, pa dashje, por futbollistit shkodran i shkaktoi dhimbje të madhe. Pas kësaj ndeshje, Zhega u mjekua dhe qëndroi disa ditë jashtë stërvitjes. Në një prej këtyre ditëve, u takua me mikun e tij të vjetër, Faruk Kalleshi, i cili pasi e uroi për golin si edhe për shërimin e tij të shpejtë, e pyeti miqësisht: Përse e godite atë top me kokë, kur mund ta godisje edhe me këmbë, ngaqë ishte tokazi?

Dhe Zhega i madh, iu përgjigj, gjysmë me shaka:

-Kështu ma tha truri, të cilin e kisha më afër kokës, se këmbëve!

Pastaj, të dy qeshën dhe vazhduan bisedën për tematika të ndryshme.

Ndërsa Panajot Panon, Faruku e kishte mik të afërt. Njëherë, pas ndeshjes Shqipëri-Gjermani, kur Panua e tribloi disa herë mbrojtësin më të mirë të Gjermanisë, Shulcin, tifozët thoshin: “Shulci, atë ditë u shkarravit në baltë dhe hëngri barin e stadiumit”. D.m.th, sipas lojës së zhvilluar, Panua e turpëroi aq keq Shulcin, saqë e shtriu disa herë në përpjekje të dështuara. Por, duke qenë i gjatë dhe me një peshë shumë të rëndë, rënia e tij dukej vetvetiu edhe më spektakolare. Dhe për këtë arsye, kur e takoi Panon, Faruku e pyeti: Tani që e turpërove Shulcin, mund ta lerë futbollin, apo do të ndërrojë profesion?

-Ndofta, do të bëhet shtangist dhe do të hap punë ty? – i tha Panua.

-Nëse ti e shtrive përtokë, unë mund ta nxjerr në pension! – ia ktheu Faruku, po me shaka.

Ndërsa më vonë, kur u larguan nga sporti, takoheshin vazhdimisht te zona e Zogut të Zi, për të pirë ndonjë kafe, ose ndonjë birrë. Dhe aty bisedonin shtruar për gjithçka, duke filluar nga golat e Panajotit e deri te rekordet e Farukut.

Madje, në ato takime vinte shpesh dhe një ish futbollist i talentuar i Vllaznisë, me mbiemrin Ndoja. Ai sillte me vete nga Shkodra edhe një tavë tradicionale me peshk, apo krap, për ta bërë më të larmishme bisedën.

 

 

Kapitulli i njëmbëdhjetë

Raportet e Faruk Kalleshit me gazetarët

 

Janë të shumtë gazetarët që pretendojnë se janë miq të Faruk Kalleshit, qoftë edhe për faktin se e kanë takuar atë një herë në jetë. Kjo vjen për arsye të komunikimit të lirshëm dhe komoditetit që krijon rekordmeni i shquar i vendit tonë, gjatë bashkëbisedimit me ta. Secilit prej tyre, sapo e ka takuar Farukun për herë të parë, i është dukur se atë e ka patur mik prej kohësh. Koordinata e parë që të çon në përfundimin se Faruk Kalleshin e ke njohur prej kohësh, është thjeshtësia e komunikimit të tij dhe sidomos, moshtirja. Ai nuk shtiret dhe nuk ka nevojë të gënjejë për asgjë, sepse i ka arritur të gjitha. Dhe për një njeri që ka ngritur lart piedestalin e famës së vet, në kohështrirjen 40-vjeçare, as nuk mund të shtosh dhe as nuk mund të heqësh dot, asnjë grimcë të madhështisë.

Duke shfletuar disa nga gazetat e shtypit të përditshëm, bie në sy fakti që, gazetarët janë përpjekur të rrokin sekretin e kësaj madhështie, të cilën ndofta as vetë Faruku, nuk di se si ta shpjegojë. E para, sepse atij nuk i pëlqen të mburret dhe e dyta sepse talenti i tij, ishte një prirje e lindur, që i është trashëguar nga babai. Natyrisht ai e ka perfeksionuar me punë dhe përkushtim. Por për të evidentuar qartë sekretin e rezultateve të tij sportive, do ta kenë të vështirë edhe vetë specialistët e sotëm, apo të nesërm, që do të merren me radioskopinë e peshëngritjes. Sepse për një analizë efikase dhe profesionale kërkohen analiza studimore, në lidhje me veçoritë fizike dhe psikologjike të Kalleshit, raportet e trashëgimnisë gjenetike me prindërit, apo gjyshërit, duke shkuar deri te puna e tij e përdtshme stërvitore, apo studimore, që lidhen me peshëngritjen. Tani për tani, këto lloj studimesh nuk ka se kush t’i bëjë, sepse sporti i peshëngritjes ndodhet para shumë problemeve emergjente që duken pa zgjidhje.

Për Farukun kanë shkruar dhjetra gazeta të huaja dhe të vendit, të cilat kanë pasqyruar zhvillmin e aktiviteteve të ndryshme sportive. Namik Mehemti, në gazetën “Sporti shqiptar”, të datës 16 janar 1998, autori paraqet një panoramë të plotë të rekordmenit, në dy faqet e kësj gazete. Ndërsa, më 16 qershor të vitit 2000, në gazetën “Sporti shqiptar”, Bashkim Tufa ka shkruar një artikull brilant për 55-vjetorin e ditëlindjes së Farukut, si edhe për dekorimin e tij nga presidenti Rexhep Mejdani, me titllin “Mjeshtër i madh i punës”.

Në intervistën e datës 15 shkurt 2005, dhënë gazetës “Dita”, gazetarja Brikena Kuka e pyeti për pozicionin e tij si trajner dhe Faruku iu përgjigj: “Po punoj me një rekordmene të madhe, Fetije Kasën. Ajo stërvitet dy herë në ditë. Madje edhe të dielën bënë një seancë stërvitore, Saune, për t’u çlodhur. Por edhe pse vazhdoj të stërvis Fetijen, unë momentalisht jam i papunë. E them këtë, sepse vetëm pasioni më shtyn që të merrem me Fetijen, pasi punoj pa pagesë”.

Gazeta “Intervista” e datës 5.11 2005, në shkrimin e gazetarit Gentian Minga, Faruku i përgjigjet pyetjes së tij, se “çfarë ndjente kur nuk merrej me stërvitje”. Dhe rekordmeni iu përgjigj: “Sa herë që pas ndonjë aktiviteti marrim ndonjë pushim të shkurtër, nuk rri dot gjatë pa punuar, sepse stërvitja më është bërë si regjim i përditshëm. Punojmë shumë dhe duam ta tejkalojmë atë që kemi arritur. Nuk kënaqemi me pak”.

Këtu do të përmendim padyshim dhe gazetarin, Irfan Rama, i cili në suplementin e “Gazetës shqiptare”, të datës 17 dhjetor 2002, i bën një radiografi analitike rrugës së gjatë sportive të rekordmenit Kalleshi.

Në intervistën e datës 20 dhjetor, të vitit 2007, në gazetën “Telegraf”, pyetjes së gazetarit Olgert Serani, “cili është sekreti i këtij suksesi”, Faruku iu përgjigj: “Sekreti i  suksesit ka qenë puna këmbëngulëse. Përveç përkushtimit, zbatimi i një regjimi ditor korrekt, luan rol me rëndësi. Gjithashtu, studioja të rejat e kampionateve të ndryshme, duke marrë edhe kontakte me mjeshtra të këtij lloji sporti. Këtu një meritë të madhe ka edhe bashkëshortja ime Liliana Kalleshi, që më ka qëndruar pranë dhe më ka nxitur të arrij rezultate sa më të larta, duke mos më preukupuar me problemet familjare”.

Albert Xholi në gazetën “Telegraf” të datës 5 gusht 2012, ka bërë një intervistë me Faruk Kalleshin, ku pas dorëheqjes nga ky sport, rekordmeni shprehet për kushtet e peshëngritjes: “Kam shumë kontakte me peshëngritësit cilësorë dhe kam dëgjuar për shumë probleme të mëdha të tyre, që hasin në ushtrimin e atij sporti”.[18]

Ndërsa, në datën 15 tetor, mjeshtri i madh i futbollit dhe aktualisht gazetari brilant i gazetarisë sportive Sotir Seferaj ka bërë një portretizim të shkëlqyer të kampionit shqiptar, Faruk Kalleshit, në gazetën “Sporti” të datës 26 shtator 1999. Një vend të veçantë lamë në fund për shkrimtarin, poetin dhe gazetarin shqiptar Riza Lahi, i cili në intervistat e bëra me Farukun ka zbuluar shumë pjesë të panjohura nga sekretet e sukseseve sportive. Në këtë intervistë, Riza Lahi e pyeti Farukun, se, “kur e kishte ndjerë veten më të gëzuar” dhe kampioni iu përgjigj: “Jam ndjerë më i gëzuar atë ditë, kur u ekzekutua himni shqiptar në Turqi. Të tanë Shkodrën me ma pas falë, nuk kisha me u gëzue aq”. Kjo bisedë është botuar në gazetën “Intervista” të muajit dhjetor 2003. Ndërsa, në datën 6 korrik të vitit 2005, po nga autori Riza Lahi, në intervistën e dhënë në gazetën “Sot”, Faruku e mbyll bashkëbisedimin e tij me fjalët: “Unë mendoj se me punë dhe stërvitje rigoroze, asgjë nuk mbetet e parealizueshme, por mbi të gjitha duhet predispozicioni për të ndihmuar elementët që kanë me të vërtetë talent”.

Më 3 mars të vitit 1998, në gazetën “Shkodra post”, pyetjes së gazetarit Gjergj Kola, për mundësinë e ndërtimit të një ekipi sportiv privat, Faruku iu përgjigj: Më është ofruar një kërkesë nga disa biznesmenë që kanë qenë sportistë, por e kam kundërshtuar këtë gjë, sepse nuk kam dëshirë të konkuroj Vllazninë”.

Në vitin 2009, një titull i madh i gazetës “Sport” të Prishtinës, njoftonte lexuesit për një lajm të ri, i cili kuptohej që në titull: “Përfaqësuesja e Kosovës në peshëngritje me trajner nga Shqipëria”, ndërsa në nëntitull shkruhej, “Mjeshtri i madh Faruk Kalleshi ka ardhur të ndihmojë Kosovën”. Midis të tjerave, në këtë bashkëbisedim, Faruku u shpreh se “do të punonte me të rinjtë për të arritur rezultate të shpejta”.

Vlen të përmendim edhe shumë gazetarë të tjerë të mrekullueshëm, si Ramazan Bizga, i cili në gazetën “Albania Pres”, të datës 27 korrik 2012, ka shkruar një artikull të shkëlqyer, së bashku me Riza Lahin, mikun e afërt të Faruk Kalleshit. Riza Lahi është gjithashtu autori i intervistës në numrin 6, të gazetës “Mbrojtja” të vitit 2003, ku rekordmeni zbulon dritëhijet e talentit të tij, në periudha të ndryshme.

Faruku e mësoi nga trajneri i peshëngritjes Njazi Bushati, që babai i tij në vitin 1951, kishte qenë kampion i Shqipërisë në peshëngritje. Agron Sejamini, në artikullin me titull “Faruk Kalleshi, kampion i shekullit në shtangë”, pasqyron pjesë nga historia e jetës dhe veprimtarisë së tij sportive.[19]

Gjatë vitit 1965 theu gati 20 rekorde kombëtare për Vllazninë, në forcë, shtytje, shkëputje dhe tri garësh. Gjatë kohës që ishte ushtar u aktivizua me Partizanin dhe në 36 muaj theu 38 rekorde kombëtare. Për secilin prej tyre u shpërblye me 1500 lekë.[20]

Duke cituar gazetarin e mirënjohur Namik Mehmeti, në shkrimin e tij të gazetës, “Sporti shqiptar”, të datës 16 janar 1998, do të përmendim me gjuhën e shifrave dhe pa komenete këto arritje: 21 vjet pjesëmarrje në aktivitetet kombëtare duke vendosur 116 rekorde kombëtare në peshën 52 dhe 56 kilogram. Prej këtij bilanci, 38 rekorde i përkasin periudhës së tij, te “Partizani”, ku ka qëndruar për tre vjet, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak.

Ja, cili është progresi i rekordeve në peshën 52 kilogram.

Forcë, nga 70 kg, në 110 kg. Rritje – me 40 kg.

Shkëputje, nga 60 kg, në 94 kg. Rritje – me 34 kg.

Shtytje, nga 77.5 kg, në 118.5 kg. Rritje – me 41 kg.

3-garësh, nga 207,5 kg, në 310 kg. Rritje – me 102.5 kg.

Në peshën 56 kg:

Forcë, nga 90 kg (Y. Pampuri) në 115 kg. Rritje – me 25 kg.

Shkëputje, nga 82.5 kg (F.Telegrafi) në 100 kg. Rritje – me 11.5 kg.

Shtytje, nga 107.5 kg (F.Telegrafi) në 123.5 kg. Rritje me 16 kg.

Medalje të arta në spartakiadat kombëtare, të zhvilluar në vitet 1969, 1974, 1979, dhe 1984. Ai është gjashtë herë fitues i anketës së 10 sportistëve më të mirë në vite.

 

Shtypi shqiptar për Lilianën

 

Edhe për Lilianën janë shkruar shumë artikuj, ku shprehet respekti i madh për arritjet dhe sakrificat e saj profesionale. Këtu po përmendim vetëm disa prej këtyre, shkruar prej gazetarëve Riza Lahi, Albert Xholi etj.

Kështu në gazetën “Telegraf”, të datës 18 dhjetor 2013, midis të tjerave shkruhet: “Në katër festivale kombëtare Liliana është vlerësuar me çmim të parë. Në takimet kombëtare të grupeve artistike të cirkut profesionist ajo është cilësuar si më e mira, me një diferencë të ndjeshme ndaj konkurrenteve të tjera dhe për këtë arsye ka marrë vlerësimin, si “Mjeshtre e Madhe Cirku”. Në këto festivale kombëtare, të estradave profesioniste, përfshiheshin elementë më të spikatur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Është vlerësuar me çmim të parë në katër festivale kombëtare të estradave profesioniste. Ajo është nderuar nga Kuvendi Popullor me dekoratën “Naim Frashëri”, dhe në vitin 2102, Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me medaljen “Naim Frashëri i Artë”.[21]

Një herë në teatrin “Migjeni” gjatë luajtjes së një numri të vështirë, bazamenti i saj, Asim Belinova humbi ekuilibrin dhe Liliana ra nga një lartësi e madhe, duke u dëmtuar në këmbë. Por mundi të çohej dhe vazhdoi të luante numrin tjetër me Tano Banushin.

Në librin e përshtypjeve të teatrit “Migjeni”, Enver Hoxha pasi pa shfaqjen shkruajti: “Më pëlqeu shumë shfaqja dhe në veçanti artistja Liliana Paci (Kalleshi).[22] Liliana Kalleshi në takimin e përvitshëm të trupave të estradave profesioniste të vitit 1976, që u zhvillua në Sarandë, u cilësua më e mira. Në takimin që u bë me gjithë trupat e cirkut në Shqipëri në vitin 1988, ku bënte pjesë dhe Telat Agolli, juria e cilësoi më të mirën.[23] Ndërsa Riza Lahi në të njëjtën gazetë, në datën 26 mars 2009, shkruan se “Liliana çmimin “Laurant i Republikës” e ka marrë në moshën 17 vjeçare, më 17 nëntor të vitit 1968”.

Duhet patur parasysh që ajo ka filluar aktivitetin e saj artistik në vitet 1960, kohë në të cilën fanatizmi shkodran ka qenë i madh dhe shumica e grave lëviznin mbuluar me vel të zi ose perçe. Në fillim ajo druante t’u tregonte dhe prindërve. Kur shkonte në prova cirku, u thoshte se shkonte në shkollë. Një ditë babai i ndoqi nga pas dhe në kohën që ajo sapo ishte zhveshur, i doli para. Liliana ngriu dhe e mbuloi të qarët. Ai e mori për dore duke i thënë “kjo qënka shkolle jote, që shkon çdo pasdite? S’ke për ta parë më derën e cirkut”, e kërcënoi ai. Shkoi në shtëpi të tyre disa herë profesori i Liliannës, Myftari, por ishte e vështirë ta bindje. Më në fund pranoi dhe më interesantja është që ai e ndiqte vazhdimisht në shfaqje bashkë me Azbiun, vëllain e Lilianës[24].

Vetë, Liliana si instruktore ka përgatitur disa të rinj si Alida dhe Amarildo Gjeka, Laureta Rroku, Suzana Beci, Xhelal Kallaçi, Ferit Saraçi, etj.

Pasi lindi Anilën, rreth 9 muaj nuk ishte marrë fare me stërvitje. Kur vajza e saj ishte vetëm 40 ditëshe, në Peshkopi bëhej festivali i Estradave. Regjizori i estradës Paulin Sekuj nuk pranonte të shkonte pa marrë Lilin. Kështu ajo punoi ditë e natë, me ndihmën e Farukut dhe u bë pjesë e festivalit, ku luajti mjaft numra të vështirë, ndonëse ishte ende lehonë.[25]

 

Kapitulli i dymbëdhjetë

Dy Intervista

Anila Kalleshi: Prindërit më mësuan të matem me përsosmërinë

 

Ka vite që Anila Kalleshi perceptohet si një figurë femërore perfekte, e cila ka punuar prej kohësh me synimin që, krahasimin e arritjeve të saj, ta bëjë me përsosmërinë. Por pavarësisht nga perfeksioni që ajo i jep gjithçkaje që prek, pavarësisht nga arritjet e padiskutueshme individuale dhe rritjes së personalitetit të saj, përsëri gjurmët e dikurshme zbulojnë faktin që, prej kohësh, ajo ka ndjekur shembullin e dy prindërve të vetë, të cilët kanë qenë gjithmonë të parët. Dhe në këtë mënyrë, mbiemri “Kalleshi”, ishte dhe mbeti një shembull emblematik i maksimalizimit të aftësive njerëzore, ku secili prej nesh mund të mësojë shumë. “Unë jam krenare për prindërit e mi që më mësuan të matem me përsosmërinë”, – thotë ajo.

 

Si e keni përjetuar faktin, se jeni vajza e një rekordmeni të madh të Shqipërisë?

Kënaqësia, më shumë se sa e imja, ka qenë e kushërinjve të mi, që thoshin se: “jemi nipërit, ose mbesat e Farukut”. Gjithashtu, po të flasim për periudhën e mëparshme, për mua ka qenë një kohë shumë e bukur, të cilën e mbaj mend dhe e kujtoj me shumë nostalgji.

Gjëja e parë që do të thosha, është fakti se jam krenare me prindërit e mi, që për mua janë më të mirët në botë. Ndofta për shkak të fames së babait tim, kishte momente kur ndjehesha e bezdisur, sidomos në periudhën e gjimnazit. Kishte shumë raste kur ndonjë djalë, që ndofta edhe me simpatizonte, më vinte nga prapa dhe më thoshte, “vajza e Faruk Kalleshit?”.

Kjo më shqetësonte, sepse unë kisha një pjesë të karakterit tim, të cilën, besoj se e kam trashëguar nga im atë. Isha krenare për atë që isha unë personalisht dhe jo për dekoratat e merituara të tim eti. Por edhe emir i prindërve ka bërë të vetën. Nuk mund të mohoj faktin që fama e babait më ka ndihmuar në jetë.

Ndofta, ashtu si shumë fëmijë të tjerë, kam ndjekur gjurmët e tij, por në periudhën kur ai ka qenë në kulmin e karrierës sportive, pjesën më të madhe të barrës e ka patur nëna. Pra, babai nuk ka qenë shumë i përkushtuar pas meje dhe vëllait tim, për shkak të angazhimeve dhe ngarkesës së madhe në stërvitje e gara.

Gjithashtu, në shkollë nuk mund të them se kam patur ndonjë suport, nga fakti se isha vajza e një sportisti të famshëm. Nuk kujtoj ndonjë rast që të kem marrë notë më të mirë, për shkak se kam qenë e bija e një njeriu të njohur. Madje, gjatë një viti shkollor në gjimnaz, një mësuese ma kishte nxjerrë nëntë lëndën e fiskulturës dhe im atë i tha: “Si mund t’i prishës mesataren me notën e fizkulturës, kur Anila i ka të gjitha dhjeta”? Dhe, natyrisht,  ajo reflektoi.

Ky ishte një rast i vetëm që ai ka ndërhyrë në jetën shkollore, ndërsa në raste të tjera, im atë ishte ekstremisht kundër ndërhyrjeve. Gjithmonë jetonte me atë idenë që, nëse do të bëhesh dikushi në jetë, mëso vetë, zgjidhi të gjitha detyrimet shkollore vetë. Dhe kishte të drejtë. Ai thoshte që, unë kam ecur vetë, kështuqë edhe ti, duhe të bëshë të njëjtën gjë.

Puna e prindërve të mi, ka qenë shumë impenjative. Nëna, paraditeve ishte disi më e lirë, por pasditeve dhe në mbrëmje ajo ishte shumë e zënë me profesionin e saj artistik, si akrobate cirku, por gjithmnonë e shoqëruar nga babai. Mamaja gjithë paraditen, të paktën deri në ora 14 ishte në punë. Pasdite qe e zënë me shfaqje të shumta. Jo pak kohë i kërkonte dhe përgatitja e fëmijëve, ushqimi dhe pastrimi i tyre. Në një farë mase, duke patur ngarkesë të tillë dhe përballonte të gjitha detyrimet me sukses, e bënë atë një heroinë.

Në moshën 25 vjeçare ishte nënë e dy fëmijëve. Kraahs tyre do të kujdesej dhe për Farukun që vinte nga stërvitja i lodhur. Ajo rrinte orë të tëra pa gjumë, duke qepur në makinë apo duke bërë punime të holla me grep. Qepte jo vetëm për ne, por edhe për të tjerë, sipas kërkesave. Natyrisht, kundrejt pagesës, duke dhënë ndihmesën e vet në familje edhe në aspektin ekonomik. Në këtë mënyrë, duhet të pranoj që nuk na ka munguar asnjëherë ana financiare.

Ne fëmijët e saj, të pastër e të rregullt, dukeshim si një model i qytetarisë shkodrane. Por asaj i duhej të kujdesej edhe për mësimin, me kërkesë maksimale, gjë që bëri të ishim me rezultate të shkëlqyera. Është e vështirë të shkruhet se si i përballonte ajo tërë ato punë, pritje e përcjellje të shumë qytetarëve, gazetarë sportivë, njerëz të partisë, miq dhe shokë, fansa të Farrukut që vinin në shtëpi përditë. Ndërsa babai ka patur një regjim shumë të egër. Dhe shumë strikt. Ndofta kjo qe arsyeja, që për vite të tëra ai ishte kampion dhe sot gëzon shëndet të plotë.

Babai zgjohej në mëngjes rreth orës 7.30, shkonte në stërvitje, apo në shkollë ku jepte edukim fizik, kthehej në shtëpi, pastaj në orën dy ose tre, shkonte përsëri në palestër, etj. Regjimi i tij ushqimor ishte absolutisht i saktë dhe shumë i rregullt. Unë tani që jam në pozicionin e dietologes, arrij ta kuptoj mirë, se ai me të vërtetë është ushqyer në mënyrën më perfekte të mundshme. Pas palestrës, vinte në shtëpi dhe kërkonte qetësi.

Ne, fatmirësisht, kemi qenë fëmijë të urtë. Ndofta edhe mami, ngaqë ishte e re, na i kishte mbledhur “frenat” në kuptimin figurativ dhe na pati udhëhequr drejt urtësisë. Ndërsa, në mbrëmje, në orën 20.00, im atë ishte në gjumë. Nuk është se merrej shumë me ne. Nuk është se kishte kohë të bollshme për të na treguar historira. Ndofta ky libër do të vlejë për të mësuar më shumë edhe unë për babanë tim. Jo rrallë herë ai grumbullohej në Tiranë dhe udhëtonte shpesh jashtë, pra, ishte si një mysafir i këndshëm në shtëpi.

 

A shkonit ju në stërvitje, për të parë babanë tuaj?

Jo, nuk shkoja në stërvitjet e babit, duke i konsideruar si stërvitje të një sporti burrëror. Por nuk mund të them, që nuk kam qenë asnjëherë. Madje, kam marrë pjesë edhe në garat që zhvilloheshin, kryesisht në Shkodër. Tirana në atë kohë dukej tepër larg. Nevojitej të shkoje deri në Laç me autobus dhe më pas me tren. Ishte një udhëtim i gjatë e disi i lodhshëm, por edhe i sikletshëm, po të kemi parasysh gjendjen e rrugëve të atëhershme, apo konfuzionin që krijohej nëpër trena. Për këtë arsye edhe prindërit tanë, duke qenë shumë të impenjuar e të mbingarkuar në punët e përditshme, përpiqeshin të na largonin nga jeta e tyre profesionale, artistike dhe sportive. Synonin të na krijonin më shumë kohë të lirë, që ta shfrytëzonim për studime.

Ata na frymëzonin apo na nxitnin që të ishim më pranë librave që kur ishim të vegjël. Në një këndvështrim, unë si Anilë, nuk mund të them se kam patur ndonjë fëmijëri të këndshme, që të mbaj mend dreka, apo darka familjare jashtë shtëpisë. Ndofta kjo nuk ishte në modë në atë kohë. Menjë fjalë nuk kam përjetuar gjendje emocionale, nga ato që sot quhen “uikende familjare” të fundjavës, apo darka të thjeshta të rrethit familjar në restorante.

 

Si jeni ndjerë, kur merrnit pjesë në dekorimin e prindërve tuaj?

E ndjeja që isha vajza e dy personave të famshëm në Shkodër. Të famshëm për rezultatet që kishin arritur dhe për mirësitë që afronin. Shtëpia jonë gjendej vazhdimisht me njerëz. Ishte një vend ku mblidheshin artistë dhe sportistë së bashku, për festa ose gëzime, por edhe për dreka e darka të zakonshme miqsh. Kjo shtëpi ishte një derë e hapur për të gjithë dashamirësit.

Më shpesh vinin personazhe të njohur televizivë, sportivë, artistikë, etj. Dhe mikpritja e babait tim ka qenë e mrekullueshme.

Nga im atë kujtoj çdo moment, kur ai vinte nga jashtë shtetit me një valixhe modeste të mbushur plot. Por në atë kohë valixhja boshatisej shpejt, sepse im atë kishte një shpirt të gjerë. Ndodhte që ndonjë orë dore, apa diçka tjetër që babai e linte mënjanë për mua, i ndërrohej destinacioni brenda dy ditëve. Kur nuk “tepronte” dhuratë për mua, isha e sigurtë se do të ma siilte në udhëtimin e radhës. Por ai e ndjente boshllëkun e krijuar dhe më thoshte: “Ty do të sjell herën tjetër një orë më të mirë, por këtë radhë do t’ia dhuroj këtij mikut”. Atëherë nuk e kuptoja tamam, por sot që jam e rritur e lexoj qartë. Ishte shpirti i tij që donte t’i kënaqte të gjithë shokë e miq.

 

Pse ndodhte kjo?

Sepse ditën kur kthehej im atë nga jashtë, shtëpia mbushej plot me njerëz të ndryshëm, kushërinj, miq, e të afërm. Dhe brenda ditës valixhja zbrazej. Rrallë ndodhte që zbrazja e plotë të shkonte dy ditë.

 

Çfarë kujtoni nga momentet e vlerësimeve të prindërve tuaj, me çmime të ndryshme?

Unë i mbaj mend pothuajse të gjitha rastet e vlerësimeve të babait tim, por edhe të marrjes së çmimeve. Dua të veçoj rastin e Turqisë, ku ai u nderua me 3 medalje ari, në 100 vjetorin e Ataturkut. Ishte një emocion i paparë. Në shtëpi na vinin shumë gazetarë dhe zyrtarë të komitetit sportiv të asaj kohe. Ata qenë informuar për kthimin e tij dhe vinin në shtëpi ta takonin. Shpesh unë dilja në Rinas për të pritur babanë. Atëherë ishte një emocion i veçantë për mua, kur shihja shumë njerëz, sportistë, trajnerë, gazetarë, miq e shok të babait, të cilët vinin për të respektuar arritjet e tij. Mund ta them me plot bindje, se im atë ishte një nga figurat sportive më të njohura, më të dashura dhe më popullore në Shqipëri.

 

Si mund të karakterizohet Faruku, në detyrat prindërore?

Si natyrë, ai ka qenë disi nevrik. Jo shumë i qeshur, apo gazmor. Shumë korrekt, por aspak i frikshëm në seriozitetin e tij. Në aspektin e rreptësisë, mbaj mend që nëna ishte më strikte, ndërsa babi shumë tolerant. Të paktën, në momentet e adoleshencës sonë, unë mund të them se kisha një mama me kërkesa të larta. Bëhet fjalë për një moshë delikate, kur dhe kujdesi për fëmijët duhet të ishte më i madh.

Në këtë aspekt, babai ishte krejt i kundërt me nënën time. Siç e thashë më lart, ai toleronte shumë. Më kuptonte mirë, por nuk është se kishte kohë të mjaftueshme të merrej me ne. Ishte një person që përpiqej të ishte gjithmonë në qendër të vëmendjes, në aspektin njerëzor. Kësaj ia ka arritur më së miri. Për ne, ai e dinte shumë mirë, që barrën kryesore të kujdesit e kishte mamaja dhe për këtë ishte i qetë. Në fakt, nga ana jonë nuk ka patur shqetësime. Ne ishim fëmijë që nuk u kemi shkaktuar probleme. Babai ushqente një dashuri të madhe për fëmijët, por këtë e mbante të fshehur brenda vetes. Unë kam qenë e përkëdhelura e tij. E kam dashur shumë.

 

Cilat kanë qenë dëshirat dhe mendimet e Farukut, për shkollimin e fëmijëve?

Ajo që më ka bërë përshtypje gjatë kohës së fëmijërisë, ishte që të dy prindërit e mi, si mamaja, ashtu edhe babai, nuk është se kishin shumë besim në forcat e mia dhe të Indridit. Për ta thënë më saktë, nuk besonin në prirjet tona individuale për sportin apo artin. Gjithmonë mendonin se ne, duhet të shkolloheshim dhe jo të bëheshim sportistë, sepse, sipas tyre, nuk do të arrinim kurrë rezultatet që kishin arritur ata. Im at nuk mendonte se unë një ditë do të quhesha Anila Kalleshi dhe do të kisha këtë emër, që kam sot. Ai thoshte gjithmonë, që ju nuk jeni të zotë për të bërë këtë, apo atë gjë, etj, etj. Madje, ne kemi tentuar që të merreshim edhe me sport, por gjithmonë përplaseshim me shprehjen se “ju nuk keni talent për këtë gjë”.

Unë mendoja se mund të ecja edhe në fushën e sportit. Jam e sigurtë, ndofta për egon dhe për atë që më karakterizon, që do bëhesha dikushi, por ata nuk pranuan që ne të bëheshim sportistë. Këmbëngulnin vetëm në shkollimin tonë. Ka shumë pak lohë, mund të them një vit ose dy vjet, që e kam dëgjuar tim at, të më thotë “bravo”, për ecurinë e punëve të mia. Edhe pse unë u shkollova, mbarova fakultetin dhe kreva studime e specializime pasuniversitare, brenda dhe jashtë vendit, ai nuk kënaqej me atë që kishim arritur.

 

Pse, çfarë kërkonte ai prej jush?

Në fillim, thjesht kërkonte që unë të mbaroja një shkollë të lartë dhe të kisha një diplomë. Nuk është se kishte ndonjë ide të veçantë për zgjedhjet tona. Edhe në Fakultetin Ekonomik, ai mendonte se unë isha një natyrë e shtruar (dhe ashtu kam qenë). Mendonte se kjo degë do të më përshtatej në tipin dhe karakterin tim. Babi nuk ka qenë selektiv për zgjedhjet tona, pra, nuk më ka diktuar nëse unë duhej të bëhesha doktoreshë, inxhiniere, apo diçka tjetër. Në këtë drejtim, ishte një person që të linte hapësira për të zgjedhur vetë, për t’u bërë dikush me forcat e tua.

 

Pse keni këmbëngulur ju, që vëllai juaj, të kryente Fakultetin Ekonomik?

Sepse vëllai mbaroi dy fakultete, si edhe degën e ciklit të ulët, që për mua, nuk e di pse, por nuk më ngjallte ndonjë interes. Nuk e shihja ndonjë profesion me të ardhme për meshkujt. Por mbërriti një moment, që ne erdhëm në Tiranë. Atëherë unë fillova të mendoja edhe për vëllanë. Besoja se qënia ekonomist i lartë, do të ishte një profesion shumë i mirë në atë kohë. Dhe për hir të së vërtetës, vëllai arriti rezultate shumë të mira në fakultet. Gjithashtu, në punën ku shkoi, e justifikoi shkëlqyeshëm këmbënguljen time, që ia vlejti për atë gjë.

 

Fillimisht ju jeni punësuar në TVSH dhe keni jetuar me qira në Tiranë. A ishte e vështirë kjo mënyrë jetese gjersa mbrritët në lartësinë që jeni sot?

Rruga ka qenë një kalvar lodhjesh e mundimesh. Eshtë e vërtetë që im atë, më ndihmoi shumë, duke më dhuruar një ambient banimi te rruga Mine Peza. Aty e filluam bisnesin tonë të parë. Por, për të vazhduar më tej ka qenë një rrugë shumë e mundimshme. Çdo gjë u fillua nga zeroja. Unë sapo isha njohur me tim shoq, i cili ishte strikt në hapat që unë bëja. Duke patur një mentalitet maskilist, mendonte që një femër duhet të punojë mjaftueshëm, sa për të plotësuar nevojat e saj. Ose e shihte aktivitetin tim, si një punë sa për të shtyrë kohën. Dhe nuk arriti asnëjherë të më kuptonte, që unë kërkoja të shkoja gjithmonë e më lart.

Për të arritur këtu ku jam, kuptohet, që kam kaluar shumë vështirësi. Madje edhe në aspektin e investimit, pasi kërkohej financim i konsiderueshëm. Nuk është se kisha një tufë me lekë në momentin e duhur dhe i investova. Kjo do të kishte qenë më e kollajtë për mua. Por unë e kam filluar me një krevat dhe me një aparaturë të vetme dhe gradualisht kam ecur, duke u rritur e duke u fuqizuar. Pra, duke vazhduar punën dhe duke blerë aparatura të tjera. Për pasojë sot nuk kam lekë të hequra mënjanë. Në këto 16 vitet e fundit, gjithçka ka qenë investim i pandërprerë, për të kapur këto kuota, ku kam arritur.

 

Si ju lindi kjo ide?

Ideja e marrjes me këtë profesion është mbrujtur shumë vite përpara. Prindërit e mi kanë qenë gjithmonë persona që kanë synuar për të patur një formë trupore të mirë. Mami ka qenë akrobate dhe gjithmonë vajzat që i stërviste, kishin forma perfekte. Babi, gjithashtu, gjatë shumë viteve me radhë, duhej t’u nënshtrohej dietave të tmerrshme, për të konkurruar në peshën që ai donte, për të dalë kampion. Dhe e gjithë kjo, ishte një ngulitje në mendjen time, për të patur një formë trupore perfekte. Kuptohet, unë në atë kohë nuk kisha asnjë lloj problemi me formën time trupore. Madje ishte pika kyçe me të cilën isha krenare, për atë që më kishin dhuruar prindërit, pra trupin që e kisha në formën më të mirë të mundshme. Kështu, në një moment të mëvonshëm, duke patur një ambjent dhe disa rrethana detyruese, vendosa të ndërtoja një biznes dhe të punoja për vete.

 

Cilat ishin ato që ju i quani “rrethana detyruese”?

Unë e kisha pasion dhe ëndërr ndërtimin e një biznesi privat. Ndërsa, si rrethana detyruese, ishin rrethanat e kohës së tranzicionit. Në ato momente isha e papunë. Të mos harrojmë që kisha kryer dy fakultete dhe zotëroja katër gjuhë të huaja. Por, punova pa pagesë për më shumë se 6 muaj. Më vonë, kam punuar te “Tele Arbëria”, me një rrogë të vogël, 15 mijë lekë në muaj, në një kohë kur arkëtarja, që ishte pa shkollë, merrte 44 mijë lekë. Në kërkim të gjetjes së vetvetes, më lindi ideja për të patur një biznes timin, që ta menaxhoja vetë, ku nuk do të kisha më probleme sorrollatjesh për gjetje të një vendi pune, etj. Shqipëria ishte në një moment tranzicioni, ku problemet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve ishin shumë të mëdha. Prandaj mendova t’i dilja përballë vetë këtij problem, me forcat e mia, ndaj vendosa të krijoja këtë biznes.

 

A ka lidhje biznesi juaj, me punën e prindërve?

Absolutisht, po! Sapo e thashë që prindërit e mi janë marrë pothuajse gjithmonë me këtë gjë. Madje, në vitin 1992, im atë kërkonte të hapte një palestër. Por ideja e dobësimit me aparatura, ka qenë e imja. Një ide, të cilën e kultivova duke i zhvilluar më tej njohuritë e mia, duke kryer dhe studimet përkatëse. Unë kam mbaruar për Dietologji, por njohuritë e mia i plotësova me shkollime të tjera, të cilat ruanin drejtimin e nisur. Kam kryer master për “ruajtjen e peshës së humbur” dhe specializime të tjera, që i përkasin kësaj fushe. Pra, punova për t’i kompletuar dijet në të gjitha anët, në mënyrë që gjithçka bëja të ishte efikase. Për këtë gjë, përveç studimeve brenda vendit, kam kryer edhe studime në Amerikë dhe Londër.

 

 

Endrit Kalleshi: Spektator i mrekullive të prindërve të mi

Si e keni përjetuar faktin që jeni djali i një rëkordmeni dhe artisteje të madhe?

Për çdo fëmijë, babai dhe nëna janë heronjtë e tyre, gjatë gjithë jetës. Për mua, kjo ndjenjë ka qenë e dyfishtë, si babë e nënë, por dhe si personalitete të qytetit dhe vendit tim, sportist i madh dhe artiste e madhe. Kujtoj me shumë dhembshuri sakrificat e tyre. Kjo më ka shtuar dëshirën për t’ua shpërblyer, sado pak, përpjekjet që kanë bërë për të na rritur sa më mirë dhe të mos na mungonte asgjë. Prandaj mund të them që ata janë heronjtë e mi, janë mbrojtësit e mi nga çdo fortunë që më përplas jeta. Duke qenë bir i dy rekordmenëve, mua më mbetet te jem spektator i mrekullive të prindërve të mi.

Të qenurit prind, nuk është aspak e lehtë. Këtë e kujtoj më mirë tani që po e përjetoj vet. Ndaj po mundohem t’ja arrij sa më mirë, falë shembullit të prindërve të mi.

 

A ndjejeni krenar, për arritjet e tyre në sport dhe në art? Pra, për rekordet e babait dhe talentin e nënës suaj?

Krenaria ime është e dyfishtë, sepse heronjtë e mi janë njerëz të thjeshtë, të dashur edhe pse mbi shpinë mbajnë një mal me suksese në profesionin e tyre.

Në mëndjen time, babai është një sportist i jashtëzakonshëm, i paarritshëm, i pakrahasueshëm, korrekt, i ndershëm dhe i pastërt. Kurse mami është artistja e talentuar dhe drejtuesja e suksesshme, me ekzekutime numrash akrobatik të një vështirësie të lartë dhe të nivelit botëror, por gjithmonë tepër modeste për arritjet e saj.

 

Cfarë mund të kujtoni tani, nga emocionet e fëmijërisë, në lidhje me profesionet e dy prindërve tuaj?

Atë që ndjej nuk besoj se mund ta shpreh kurrë me fjalë, por do të mundohem të përshkruaj saktë kujtimet e mia, që nga fëmijëria e deri më sot.

Kam përjetuar emocionet e të dy kohëve. Babain si sportist dhe si trajner. Të dyja kanë qenë karriera brilante, me shumë mund dhe sakrifica. Mami si artiste dhe drejtuese e cirkut të Shkodrës, ishte e jashtëzakonshme, krijuese, ekzekutuese, drejtuese, kostumografe e mirë.

Kam përjetuar emocionet në kohë të ndryshme gjatë të dy sistemeve dhe më rezulton që ata kanë qenë të nderuar, të respektuar, e të vlerësuar, si gjatë kohës të sistemit komunist, ashtu edhe në demokraci, pasi arti dhe sporti nuk i përkasin politikës.

Prindërit e mi nuk e ngatërronin kurrë politikën me jetën e tyre sportive dhe artistike, edhe pse kishin bindjet vetiake. Për mua kjo është një krenari e veçantë. Ata i meritojnë vlerësimet të larta që u janë bërë, si gjatë komunizmit ashtu edhe në demokraci. Them me bindje që, medaljet dhe tituj e fituara prej tyre, janë product i talentit, mundit dhe sakrificave që kanë bërë në vite.

A shkonit në aktivitetet sportive dhe artistike të prindërve tuaj dhe si i kujtoni ato çaste?

Babin dhe mamin i kujtoj në pak momente gjatë karrierës së tyre, si sportist dhe artist. Në një kampionat kombëtar të peshëngritjes, që zhvillohej në Tiranë, kam qenë 5 vjeç dhe e kujtoj babin që ishte përqëndruar tek shtanga. Pallati i Sportit ishte në qetësi absolute dhe priste ngritjen e saj.

Atë çast ndjeva një emocion të madh. Shtanga dukej shumë e rëndë pasi kishte shumë rrota mbi të. Po frikësohesha, mos shtanga do ta mundte “Kampionin” tim. Doja të bëja diçka dhe thërrita me aq forcë sa kisha: “Forca Babiii”. Kampioni më bëri shumë të lumtur, pasi e ngriti shtangën dhe u kthye nga unë duke më buzëqeshur.

A ju ka lindur ndonjëherë dëshira që të bëheshit peshëngritës, ose sportist në fusha të tjera?

Në moshën 6-vjeçare shkova në stërvitje me babin, mora boshtin dhe me forcë e ngrita lart. Të gjithë shokët e tij u çuditën dhe i thanë që, djali është talent dhe ka për të qenë kampion, si babai i vet. Por babi nuk donte që unë të bëhesha peshëngritës. Ëndërronte që të studioja dhe të zgjidhja një profesion tjetër, larg mundit dhe sakrificës që ai kishte bërë, gjatë jetës së tij sportive.

Dëshira ime ishte e madhe të merresha me sport, sidomos me futboll. Babai nuk ndërhynte asnjëherë. Një ditë u grumbulluam shumë fëmijë në fushat sportive. Do të luanim dhe më pas do të bëhej seleksionimi i më të mirëve, për të vazhduar me grup-moshat e “Vllaznisë”.

Trajner ishte mbrojtësi i madh i “Vllaznisë” Hysen Dedja, mik i babit. Ai nuk më zgjodhi dhe u mërzita shumë. I tregova babit se çfarë ndodhi, dhe një ditë, tek klubi “Vllaznia” takuam Hysenin. Babi i thotë me shaka: Si nuk ma more djalin në futboll? Ai iu përgjigj: “Nuk e dija që ishte djali yt. Tani që e mësova po të them që, nesër të vij menjëherë në ekip”. Atë moment u gëzova shumë, por babi kthehet nga Hyseni dhe i thotë. Jo Seri, djali im nuk do të vijë. Kam besim në zgjedhjet e tua dhe nëse do të ishte talent, do ta fitonte vetë vendin, pa ndihmën time.

Po nga profesioni i nënës suaj, çfarë kujtoni më shumë?

Mamin e mbaj mend më shumë si drejtuese të Cirkut të Shkodrës. Kishte një grup të madh me djem dhe vajza. Ata ishin pjesë e familjes tonë. Më kujtohen Zana, Shpresa, Laureta, Arbeni, Amarildo, Alida etj. U rritëm më shumë me frymën e “Teatrit Migjeni”, pasi në çdo shfaqje, unë dhe motra, qëndronim të ulur tek plateja, duke parë prindërit tanë që performonin numra artistikë.

Të dy kishim dëshirë të madhe të merreshim, si me sport ashtu edhe me art, por nuk është se patëm mbështetjen e tyre në këtë aspekt. Mbase ngaqë nuk qemë të pajisur me talentin e duhur. Prindërit tanë kishin arritur majat dhe për ne ishte e pamundur që të krahasoheshim me ta.

Por nuk na penguan asnjëherë të provonim hapësira të reja, apo të ndiqnim kurse trajnimi profesional. Gjatë viteve të adoleshencës, kishte momente që bezdisesha me famën e prindërve të mi, në raport me veten. Në rrugë, kur takoja njerëz të rritur në moshë, më thërrisnin “djali i Farukut”, ndërsa femrat, “djali i Lilit”. Nuk isha aspak i lirë, që të përjetoja kalamanllëqet e moshës, pasi s’kishte njeri që s’më njihte.

Madje, një ditë në shkollë të mesme, një profesor i imi, po shihte regjistrin dhe thotë: në mësim të çohet djali i Farukut.

 

Si e kujtoni babanë tuaj, pas vitit 1990?

Periudha e vështirë e 97-ës nuk harrohet. Emri i babait më ndihmonte shumë, sepse të fortit e asaj kohe nuk më shqetësonin. Madje nuk lejonin të më ngacmonin as të tjerë që nuk më njihnin, pasi kishin respekt të veçantë për babin.

Babi nuk interesohej shumë për mua, as për rezultatet në mësime. Këtë e bënte shumë mirë mami. Ajo krenohej kur merrte lëvdata nga profesorët e mij dhe të motrës. Shpesh organizonim ndeshje me lagjet e tjera, kryesisht në futboll dhe basketboll. Shokët e mi të lagjes, kur kishin ndeshje, vinin e kërkonin babin që të luanim. Por të luaje me të ishte shumë e vështirë.

Në qoftë se do të isha në të njëjtin ekip me babin, duhej të jepja në fushë gjithë kapacitetin e mundshëm dhe nuk diskutohej fitorja. Nëse do ta kisha kundërshtar, ai ishte i rreptë me mua, më jepte të shtyrë dhe më rrëzonte, kurse unë e ruaja se s’doja ta vrisja. Në basketboll e kisha më të lehtë, mjafton t’i pasoja dhe turpëronim çdo dymetrosh që na dilte para.

A ishte Faruk Kalleshi një prind fanatik, apo tolerant?

Babai me ne ishte shumë tolerant, kur kërkonim që të dilnim me shoqërinë, apo të iknim në ekskursion. Por tepër strikt nganjëherë. Ishte kërkues. Kur donim diçka, na besonte dhe na lejonte pa hezitim, por kur babi kërkonte diçka nga ne, fjala e tij ishte ligj. Madje edhe sot që unë dhe motra jemi vetë familjar, fjala e tij peshon shumë.

Babi ka qenë më pak i pranishëm në jetën tonë, pasi impenjimet e tij me sportin bënin që ai, më shumë të ishte në Tiranë, i grumbulluar në prag garish, ose jashtë shtetit. Mungesën e tij e zëvendësonte shumë mirë mami dhe unë i detyrohem asaj për arritjet e mia në studime, pasi ato përkojnë me një periudhë tepër të vështirë, që po kalonte vendi ynë, siç ishte viti ’97.

Si i kuijtoni momentet kur u vendosët familjarisht, në Tiranë?

Kur erdhëm në Tiranë ishte një mjedis i ri. Kryeqyteti ka popullsi të madhe, apo siç i thonë ndryshe, është qytet-metropol. Në fillim gëzohesha që nuk njihesha si në Shkodër, por më pas vura re që isha më i panjohuri në këtë ambjent. Përkundrazi, prindërit e mij njiheshin njëlloj dhe fama e tyre ndihej gati si në Shkodër. Ambjentimi me jetën në Tiranë nuk ishte i vështirë, sepse babi ndjehej si në shtëpinë e vet. Kishte shumë miq dhe dashamirës. Motra mbaroi shkollën në Tiranë, kurse unë fillova studimet në Fakultetin Ekonomik.

Me çfarë aktiviteti u mor babai juaj në kryeqytet?

Një ndër gëzimet e familjes, pas ardhjes në Tiranë, ishte fitimi i Anketës së “10 Sportistëve më të mirë të Shekullit”, ku babi renditej mes Yjeve të Sportit Shqiptar.

Ai filloi që të aktivizohej përsëri me sport. Përkushtimin ndaj punës, vullnetin e jashtëzakonshëm, si dhe talentin e babit, arrita ta shoh dhe ta perceptoj më mirë, kur rifilloi karrierën e tij si trajner i ekipit të femrave, “Juvenilja”, i pari ekip shqiptar privat.

Në fillim njohu Fetijen, e cila e kishte të pamundur të trajnohej nga trajnerët e peshëngritjes, ngaqë nuk besonin te ajo. Ndoshta edhe për shkak të të qenurit femër. Babi sapo e pa, e mbështeti, dhe u bë trajneri i saj, duke arritur majat në rezultatet kombëtare dhe ndërkombëtare. Dihet që rezultati më i lartë i Fetijes, u shënua kur mori titullin Kampione Europe.

E njëjta gjë ndodhi edhe me Romela Begaj. E pa në cirk duke bërë ushtrime akrobatike dhe vetëm duke parë staturën e saj, Faruku tha: “Këtë do ta bëj kampione absolute, brenda vitit”. Ai ishte burrë i fjalës dhe atë çfarë thoshte, e realizonte. Dhe ashtu ndodhi. Brenda një viti, Romela u kurorëzua Nënkampione e Europës.

Me rezultatet e mira që arrinin sportistet e babit, ndjeja keqardhje për veten. Mendoja se edhe unë mund të isha bërë një “kampion”. Madje ndonjëherë e qortoja babin me veten time, duke pëshpëritur: “Ah mor babi, po të më kishe bërë peshëngritës, e sigurt që edhe unë do të isha kampioni i tretë në shtëpi, pas gjyshit dhe teje”.

E njëjta gjë ndodhi edhe me mamin. Pasioni për cirkun nuk kishte humbur aspak. Këtë e vija re kur na ftonin në shfaqjet e Cirkut të Tiranës. Ajo komentonte me passion çdo numër që ekzekutohej.

Pas lënies së sportit, babi rilindi përsëri me një pasion të zjarrtë për trajningun. E si mos t’i thuash trajner i jashtëzakonshëm dhe pasionant, kur edhe në shi apo breshër, ai do të ishte i përpiktë në orarin e stërvitjes. Ndjenim gëzim për faktin se, në tavolinën tonë familjare, u shtuan edhe dy pjata, për Fetijen dhe Romelën. Prindrit përpiqeshin që atyre të mos iu mungonte asnjëherë regjimi ushqimor. Ato kishin nevoja financiare. Shumë herë shpërblimet e sportisteve vononin ose nuk jepeshin fare, herë për indiferencën e institucioneve shtetërore dhe herë për shkak të korrupsionit. Faruku u përplas disa herë, në konflikt të hapur me institucionet shtetërore përgjegjëse, si Ministrinë e Kulturës dhe Sportve, Federatën Shqiptare të Peshëngritjes etj.

Kurse mami, pasionin për cirkun po e zëvendësonte me një tjetër pasion të madh, në ndihmë të njerëzve që vuanin sëmundjen e shekullit, obezitetin. Së bashku me motrën time, mami ngriti një Qendër Dobësimi Profesionale “Kalleshi Center”, duke thyer rekorde pa fund, por këtë radhë në rëniën në peshë. Babi thyente rekorde duke shtuar kilogramët në peshën e shtangës, kurse rekordet e mamit kishin të bënin me pakësimin e kilogramëve në peshën trupore. Një kliente me peshë 145 kg, pas një trajtimi disa ditor, zbriti në 100 kg.

 

A jeni i kënaqur apo krenar për vlerësimet zyrtare që shteti shqiptar u ka bërë ptindërve tuaj?

Them se mundi dhe sakrificat gjithmonë shpërblehen. Një karrierë kaq e gjatë, gjithmonë e suksesshme, në pikën më të lartë të rezultateve, u shpërblye me vlerësimin më të madh që iu bë babit dhe mamit nga Presidenti i Republikës, brenda vitit. Babi u vlerësua me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

 

Ju vetë, cilin profesion keni zgjedhur për karrierën e jetës?

Në një shtëpi me rekordmenë, ty të ngelet të jesh spektator dhe të shijosh sukseset e njëpasnjëshme të tyre. Gjithësesi, arsimimi që më mundësuan prindërit e mij, më bënë të jem një punonjës i suksesshëm dhe i ndershëm. Punoja në një bankë të nivelit të dytë dhe fillova të thyeja edhe unë “rekorde”, por në vlera monetare, duke dhënë kredi biznesi.

Çfarë mendoni se duhet të bëjnë Kalleshët që ta meritojnë dhe çojnë më lart emrin dhe respektin e madh, që ekziston ndaj familjes suaj?

Krenaria që kam për prindërit e mi është e jashtëzakonshme, por edhe e vështirë për t’u ruajtur në këto nivele, ndonëse nuk mungon dëshira për të ecur gjithmonë përpara. Emri i madh i familjes time, duhet të jetë gjithmonë i pastërt dhe në vazhdimësi. Është detyra e jonë, timja dhe e motrës sime, Anilës, që të edukojmë fëmijët tanë të ecin nën shembullin e gjyshit dhe nënës, të jenë gjithmonë qytetarë të denjë të një Kombi të Madh.

Në vend të mbylljes

Familja Kalleshi në rrugëtim

 

Njëqind e dhjetë vjet më parë, gjyshi i Faruk Kalleshit, i quajtur Shaban Kallogjeri, u nis nga Podgorica, përmes rebeshit të natyrës dhe plumbave të luftrave absurde, duke udhëtuar drejt qytetit të Shkodrës, ku në vigjiljen e shekullit të 20-të, mbijetesa mund të sigurohej më lehtë. Më pas, ai u martua në këtë qytet dhe nga kjo martesë, lindi djalin e tij, Xhemalin, i cili mbeti jetim, brenda një peruidhe trevjeçare. Megjithës, Ballkani, atëherë i ngjasonte një muri pushkatimi, ku koha qëllonte vazhdimisht, si mitroloz, përësri Xhemal Kalleshi, babai i rekordmenit të madh, Faruk Kalleshit, u rrit e u edukua me ndjenjën e mirësisë dhe urtësisë universale, duke patur si busull orientuese dashurinë dhe respektin për njeriun.

Në vend që të dekurajohej e të dorëzohej nga humbja e prindërve, përkundrazi, me Xhemal Kalleshin ndodhi një konvertim tjetër. Sepse mungesa e nënës e bëri atë më të mençur, ndërsa mungesa e babait e burrëroi para kohe dhe e bëri më të fortë fizikisht, për t’i përballuar sfidat e jetës.

Gjyshi i Farukut, Shaban Kallogjeri u shua shpejt dhe për shkak të rrethanave të kohës, ai nuk la asgjë të shkruar, për mënyrën e jetesës së tij, për vuajtjet, apo trimëritë që tregoi. Në raste të tjera, duke bërë biografinë e pasardhësve të një fisi, analistët nisen nga trashëgimënia e gjyshit, apo stërgjyshit, për të treguar kualitetin dhe fortësinë e genit, nga i cili rrjedh individi. Por në rastin e Shabanit, nuk dimë asgjë, përveç faktit të emigrimit nga Podgorica. Kështu që, duke thyer të gjitha ligjet e biologjisë, portretizimi i Shabanit mund të bëhet, duke analizuar treguesit specifikë të nipit të tij, Farukut, të cilat janë humanizmi, dashuria për njeriun dhe jetën, respekti për njerëzit e thjeshtë e të vuajtur dhe mbi të gjitha, talenti i jashtëzakonshëm në fushën e peshëngritjes. Kështu që, rebusi i misterit të gjyshit të panjohur, mund të zgjidhet lehtësisht, rreth karakteristikave e vityteve të mësipërme, me të cilat është i pajisur i gjithë fisi i Kalleshëve.

Por koha ecën përpara në bazë të ligjve të veta dhe brezat bëjnë punën e tyre, duke sjellë energji dhe vitalitet të ri, në jetën njerëzore.

Siç e thamë më lart dhe siç e dinë të gjithë ata që e njohin, Faruk Kalleshi ka dy fëmijë të shkëlqyer, një vajzë dhe një djalë. Vajza quhet Anila dhe djali Endrit. Anila ka disa diploma studimi dhe disa profesione, por aktualisht ushtron profesionin e nderuar të dietologes. Ndërsa Endriti është një profesionist i mrekullueshëm, në fushën ekonomike.

Anila ka një djalë, që quhet Frankli dhe ai është 8 vjeç. Ndërsa, Endriti ka dy vajza. Njëra prej tyre quhet Juena, e cila është 5 vjeç, ndërsa tjetra, quhet Sharnel. Ajo është 1 vjeç. Kur të rriten, këta fëmijë, padyshim, do të krenohen me sukseset dhe arritjet e gjyshit të tyre, Faruk Kalleshit, i cili ishte dhe mbetet një rekordmen i madh dhe një kampion i pazëvendësueshëm. Por në radhë të parë ata do të tentojnë të ecin përpara dhe të thyejnë rekorde të tjera në fushat e tyre, ku do të konkurrojnë. Sepse dinastia e Kalleshëve, si kërkesë numër një, ka matjen e forcave me përsosmërinë.

 

 

Kapitull shtesë

Flasin trajner, sportist dhe bashkëkohës

 

Dritëro Agolli: Kalleshi, ambasador i shkëlqyer për Shqipërinë

Tërë veprën e këtij sportisti të madh, unë do ta përmblidhja me dy fjalë: Kalleshi ka qenë një ambasador i shkëlqyer për Shqipërinë. Dikush mund të pyesë, se ç’lidhje ka sporti me ambasadorët? Ka lidhje. Madje ka shumë. Sportistët me emër, janë ambasadorë të Shqipërisë në të gjithë botën. Ata, me rezultatet e tyre të larta dhe me performancën e shkëlqyer që kanë treguar dhe tregojnë jashtë shtetit, e kanë prezantuar Shqipërinë në përmasa dinjitoze. Madje do të thosha që ndihmesa e këtyre sportistëve në njohjen dhe nderimin e Shqipërisë, ka qenë më e lartë se puna e bërë nga ambasadorët-diplomatë, që paguheshin dhe paguhen posaçërisht për prezantimin e vendit të tyre në botë. Kjo ndodh sepse sportistë si Faruk Kalleshi, në sajë të rezultateve të larta në garat ndërkombëtare, kanë bërë që të ngrihet lart flamuri ynë kombëtar. Kjo është mënyra më e mirë për ta bërë ta njohur Shqipërinë, sepse e prezanton si një vend që ka njerëz të nderuar, peshëngritësa, basketbollist, akrobat, balerinë, këngëtarë të shquar etj.

Faruk Kalleshi, në vetvete, është një sportist shembullor dhe i paarritshëm. Ai ka shkëlqyer për 20 vjet rresht, duke u renditur në elitën e sportistëve shqiptar. Këtë e ka arritur duke qenë vazhdimisht kampion dhe rekordmen. Unë mendoj se kombi ynë mburret me njerëz si Faruk Kalleshi, i cili gjatë gjithë jetës së tij, ka patur shumë punë dhe pak fjalë. Ai është padyshim princi i peshëngritjes shqiptare, pasi sa herë që garonte brenda vendit, thyente rekorde dhe sa herë që konkuronte jashtë shtetit, ngrinte lart flamurin dhe nderin e kombit tonë.[26]

 

Ilir Meta: Sportistët janë pishtarë dritenë historinë e kombit

 

Personalitetet e sportit shqiptar, së bashku me ata të artit, janë si pishtarë drite në historinë e një kombi, sepse me aftësitë e tyre kanë treguar që Shqipëria është vendi i talentëve. Me rezultatet e arritura janë kthyer në shembuj të krenarisë sonë kombëtare. Ata janë pjesa e florinjtë në gjerdanin e kësaj historie dhe disa prej këtyre individëve, janë kthyer në monumente të lavdisë, në fushat e sporteve të ndryshme. Mjafton të përmendim sportistë të njohur si Loro Boriçi, Panajot Pano, Agim Fagu, Ela Tase, Faruk Kalleshi, etj, për të kuptuar se fama dhe lavdia e tyre është vështirë të konkurohet.

Përsa i përket Peshëngritjes, dua të them që Faruk Kalleshi, ashtu si të gjithë personalitetetet e tjerë të mëparshëm apo të mvonshëm të këtij sporti, e ka ngritur me kohë monumentin e vet, në historikun e peshëngritjes, sepse për dy dekada ai ka qenë kampion absolut në peshën e tij, rekordmen tradicional i Shqipërisë, si edhe fitues i medaljeve në garat ndërkombëtare.

Nga kjo që thashë më lart, rezulton se politikanët dhe ministrat e një shteti, nuk bëjnë dot gara rezistence në kohë, me emblemat e sportit. Jo gjithw emrat e zyrtarëve dhe politikanëve të lartë, mund t’u rezistojnë viteve, aq sa emrat e rekordmenëve dhe kampionëve të sportit. Kështu, pak njerëz mund ta mbajnë mend emrin e ministrit të Kulturës, në kohën kur Faruk Kalleshi thynte rekorde të njëpasnjëshme, ndërsa Farukun e njohin të gjithë. E njohin si një personalitet të peshëngritjes shqiptare, që ka përfaqësuar popullin tonë në evenimente të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Për Faruk Kalleshin mund të flasim shumë, por mjafton edhe një fjali e vetme: Faleminderit Faruk Kalleshi për kontributin e vyer që ke dhënë në sportin e mrekullueshëm dhe popullor të peshëngritjes, duke nderuar dhe ngritur lart emrin e Shqipërisë në botë.

 

Ela Tase: Lider i peshëngritjes shqiptare

 

Për Faruk Kalleshin kam konsideratat dhe vlerësimet më pozitive dhe për rezultatet e tij, mund të flas pa frikë me superlativa. Ai është një nga peshëngritësit më të shkëlqyer dhe më të sukseshëm të Vllaznisë dhe Shqipërisë. Kjo duket shumë qartë në rezultatet dhe medaljet e panumërta kombëtare e ndërkombëtare që ai na ka dhuruar. Në aspektin e përfaqësimit në këto gara, Faruku meriton notën dhjetë. Por gjithashtu vlen të theksohet se ky sportist i madh, pasionin e tij ua transmetoi edhe brezave të rinj, duke punuar si trajner. Si lider i peshëngritjes shqiptare, ai u transmetoi të rinjve ambicien për rezultate të larta. Për ne, brezin e sportistëve që e njohëm nëpër garat e zhvilluara, Faruku do të mbetet një model i nderuar dhe i paharruar i sportit shqiptar.[27]

 

Gudar Beqiraj: Sportist me performancë të lartë

 

Mjeshtri i Merituar i Sportit, Faruk Kalleshi, është një ndër mjeshtrat më të mëdhenj të sportit shqiptar. Në vitet ‘60-‘70, të shekullit të kaluar, peshëngritja shqiptare njohu herë pas here kulme, që e bënë atë sportin më elitar në Shqipëri. Padyshim që një ndër kontribuesit më të shquar për arritjen e këtyre majave, ka qenë mjeshtri Kalleshi.

I kompletuar fizikisht dhe teknikisht, me një performancë të lartë, ai u shqua me rezultatet e tij, në të tre stilet: forcë, shkëputje dhe shtytje. Për shumë vite ai ishte kampioni dhe rekordmeni i kategorisë së peshës deri në 52 kg. Ajo ç’ka unë mbaj mend mirë, është fakti që Faruku, për një periudhë relativisht të gjatë kohe, garoi pa konkurrentë. Jo se nuk kishte, por ata qenë larg rezultateve të tij.

Në jetëshkrimin e sportistit tonë janë gdhendur mbi 199 rekorde kombëtare, shumë tituj kampioni, si edhe një tentativë spektakolare në Pallatin e Sportit të Shkodrës, për të vendosur një rekord botëror. Pavarësisht mos realizimit, që për mendimin tim qe pasojë e ngarkesës së rëndë emocionale të garës, i vetëm, pa konkurrentë, ishte mjaft emocionuese për sportdashësit shqiptarë, dhe për mua. Ishte diçka e paharruar.[28]

 

Sulejman Limani: I lindur për t’u bërë sportist kalibri

 

Me Faruk Kalleshin jam njohur që në moshën 7 vjeç. Miqësia jonë e ka zanafillën në lagjen Dërgut të qytetit të Shkodrës. Ndërkohë mund të them pa frikë se ai është shoku im më i ngushtë, shoqëri që ka vazhduar nga mosha 7-vjeçare e deri më sot. Kemi vetëm dy vjet diferencë moshe me njëri-tjetrin. Faruku ka lindur në vitin 1946, ndërsa unë në vitin 1948. Në lagjen Dërgut, i kishim shtëpitë pranë njëri-tjetrit, gati 50 metra larg, kështu që takoheshim çdo ditë dhe luanim bashkë me lojëra të ndryshme.

Faruku në atë moshë kishte prirje për futboll, basketboll, volejboll, etj. Mendoj se cilindo nga këto sporte që mund të kishte ndjekur ai, do të bëhej padyshim një personalitet sportiv. Përveç kësaj, Faruku zotëronte një talent të paparë për akrobacinë dhe cirkun.

Në not duhet thënë që shkëlqente në kërcimet nga pista. Ai bënte hedhje spektakolare që na habiste të gjithëve. Ne përpiqeshim ta imitonim, por nuk e arrinim dot perfeksionin e mrekulllisë që shpërfaqte refleksi i tij.

Fenomen mund ta quaj edhe në futboll. Ndofta për futbollin e lagjeve të qytetit, ku Faruku mund të cilësohet si golashënuesi më i mirë i Shkodrës. Ishte universal në talentet e shumta që I pati dhuruar natyra. Unë jam çuditur se si nuk u bë futbollist, por zgjodhi peshëngritjen. Kjo tregon se brenda tij, gjendeshin mundësi potenciale dhe prirje të posaçme për shumë lloje sportesh dhe për zhanre artistike.

Kur bëheshin ndeshjet në lagje, me Kirasin, apo në aktivitetet e shumta të asaj kohe, problemi kryesor ndër kundërshtarët tanë ishte Faruku, sepse ishte lojtar i papërmbajtshëm. Ndërsa në rastet kur luanim futboll, te aneksi i stadiumit, apo në fushat e tjera të lagjeve, ata që nuk e njihnin Farukun, në momentin e parë thoshin: Pse e keni marrë atë të voglin? Por kur fillonte loja, e kuptonin që Faruku ishte motori kryesor i skuadrës. Luante si mesfushor me tipare sulmuese. Mjeshtër në triblimin e kundërshtarëve, deri sa dilte para portës, i vetëm fare. Por nuk i pëlqente individualiteti ndaj e pasonte topin te shoku i skuadrës. Mbase ngaqë ishte i “ngopur” me golat e shënuar.

Po ju tregoj dhe një rast tjetër. Gjatë viteve 1984-1990, unë isha shef i qarkullimit rrugor në Lezhë. Por kam qenë gjithashtu, një dashamirës i futbollit, sepse kudo që kam qenë, luaja dhe vetë me miqtë e mi. Kur isha në Lezhë, mbaj mend se organizova një ndeshje në Shëngjin, me futbollistët e mëdhenj të ekipit të atij qyteti, si Rama, Gëzim Hasku, etj. Ndeshja u zhvillua në rërën e Shëngjinit dhe në mënyrë simbolike, ne e quajtëm atë, ndeshje midis Lezhës dhe Shkodrës. Madje edhe portat i kemi bërë me rrjeta, që ndeshja të dukej sa më serioze, sepse u zhvillua para tifozëve.

Unë mora “ekipin e Shkodrës”, ku ishte edhe sportisti i madh i Vllaznisë, Hysen Zmijani dhe Enver Kraja. Por në skuadrën tonë ishte edhe Faruk Kalleshi. Loja ishte me porta të vogla, me nga katër futbollistë në çdo ekip. Papritur, kur po futeshim në fushë, ata panë Farukun dhe e morën me shaka, duke thënë: Po çfarë bëni kështu, o shkodranë, paskeni vendosur me na rrihni me Farukun e vogël? Ne nuk folëm. Dolëm në fushë. Në ndeshje kishte profesionistë të njohur të futbollit shqiptar. Faruku shkëlqeu. Shënoi katër gola dhe ne fituam me rezultatin 5-3. Ishte një spektakël mahnitës, ku Faruku tregoi edhe talentin e tij akrobatik, që e zbukuroi shumë ndeshjen. Sa herë që shënonte gol, ai “festonte” duke bërë akrobaci të ndryshme në rërë.

Ajo ishte një ndeshje e paharrueshme. Kundërshtarët u rrahën, por nga sedra, pas disa javësh kërkuan ndeshje tjetër. Ne ishim gati, por problemet e ndryshme që dilnin midis palëve, nuk e mundësuan zhvillimin e ndonjë ndeshje tjetër me ta.

Në basketboll, përveç shkathtësisë, arma e tij më e veçantë ishte goditja nga pika e personaleve. Aty na mundte të gjithëve. Kur gjuante pesë, apo 10 personale, i realizonte kosh të gjitha. Ndërsa, përsa i përket kombinimit të sportit me artin, Faruku shkëlqente në akrobaci, në kombinacione të veçanta të ajrit, ku padyshim do të përmendnim me shumë konsideratë edhe madhështinë e bashëkshortes së tij, Lilianës. Ndërsa për sportin e mundjes, do të them shkurt, se “në mundje ai ishte i pamundshëm”. Me anë të teknikave dhe forcës vitale që zotëronte, na rrëzonte të gjithëve për tokë. Pavarësisht se ne ishim disi me trup më të gjatë, ai na kapte nga mesi dhe na detyronte të “puthnim” tokën. Të gjithë e pranonim se ishte kampion, por më vonë, kjo u vërtetua në gara të vërteta, kur ai u bë pjesë e kampionatit të mundjes dhe menjëherë u shpall zyrtarisht kampion i vendit.

Në peshëngritje, siç e dinë të gjithë, Faruku ngriti perandorinë e madhe të hegjemonisë së vet. Sepse për aq vite sa qëndroi në tapet, ishte i pamposhtur. Nga dita e parë që preku shtangën në garat zyrtare dhe deri në ditën e fundit kur la sportin, ishte mbreti i peshëngritjes.

Kur Faruk Kalleshi tentoi të thyente rekordin botëror, unë isha në rreshtin e parë, me të gjithë familjarët e kampionit. Isha ulur pranë babait, nënës dhe 3 vëllezërve të Farukut. Në atë sprovë të tij, kam patur emocionet më të mëdhaja të jetës sime. Gjatë stërviitjes e kishte thyer disa herë rekordin. Por atë ditë, gjendja e rënduar emocionale, ndikoi negativisht në realizimin e këtij akti të madh. Në fakt, u krijua me të vërtetë një moment i pakrahasueshëm emocional, sepse në pallatin e sportit ishin rreth dy mijë vetë. Dhe përveç kësaj, organizatorët kishin nisur festën që në mëngjes me banda muzikore. Komentatori i madh, Ismet Bellova, i bëri një hyrje madhështore dhe aty kam qarë nga emocioni, si fëmijë. Ky ishte rasti i parë në jetë i Faruk Kalleshit, që nuk arriti në garë atë sasi kilogramësh që e kishte ngritur normalisht në stërvitje.

Miqësia jonë ka vazhduar gjatë. Madje ajo vazhdon edhe sot, më e fortë se kurrë. Farukun e kam ndjekur gjithmonë në fushat sportive, në cirk, në tapetin e mundjes, në palestrat e basketbollit, në hedhjet spektakolare të notit, gjatë akrobacive të ndryshme, etj.

Tani dua të flas pak për gjimnastikën, sepse në fillimet e mia kam qenë gjimnast. Unë pata nisur gjimnastikën, ndërsa Faruku akrobacinë. Stërvitjen e bënim te plestra e shkollës, afër kishës. Aty e kam njohur edhe Lilianën, bashkëshorten e tij. Ajo ishte e lindur për atë lloj arti. Kishte një trup të përsosur dhe shkathtësi të veçantë për ekzekutimin e veprimeve të gjimnatikës, apo cirkut. Në atë kohë, ata u njohën edhe me njeri-tjetrin. Si gjithë të rinjtë e asaj kohe, rrinin bashkë, por nuk kishin bërë veprime për njohje familjare, apo për fejesën zyrtare. Faruku ishte djalë i shkathët dhe nuk e kishte në mendje lidhjen zyrtare me anë të fejesës. Ndjehej mirë me shoqërinë e përditshme që kishte me Lilianën dhe kaq i mjaftonte. Nëna e tij, e cila më ka dashur shumë, një ditë më pyeti, nëse Faruku shoqrohej me ndonjë vajzë. Dhe unë i thashë:

-Faruku do një vajzë!

-Kë? – më pyeti ajo.

-Lilianën, – i thashë unë dhe i tregova disa nga cilësitë e saj të mrekullueshme, si sjelljen, korrektësinë, pamjen etj.

Përfundimisht ajo e pëlqeu Lilianën dhe ishte dakort për këtë lidhje. Kështu që unë, në një farë mënyre u bëra “shkesi” i Farukut. Ia mbusha mendjen nënës së tij, që në momentin e parë. Por nëna e Farukut, sapo e pa Lilianën, e pëlqeu shumë.

Gjatë periudhës të dashurisë së tyre, si shok, i thashë Farukut këto fjalë: “Dëgjo Faruk, nëse ti do të guxosh të tallesh me Lilianën, atëherë me mua ndërpritet shoqëria”. Dhe ai më mirëkuptoi. Ishim shumë të rinj dhe Liliana ishte një vajzë e shkëlqyer nga një familje e thjeshtë dhe e nderuar. Me Farukun nuk jam ndarë kurrë, pavarësisht nga angazhimet që kemi patur në jetë.[29]

 

Lluka Heqimi: Është pemë që të gjitha lulet i bënë kokërra

Unë mendoj se Faruk Kalleshi është një pemë që ka lulëzuar lule dhe të gjitha lulet i ka bërë kokrra. Nuk mund të ketë një sportist shqiptar, që të ketë kaq shumë rekorde. Unë nuk ia kam numëruar, por të jeni të bindur se janë mbi 110 rekorde. Faruku përveç kësaj, ka edhe një anë tepër pozitive. Nuk ka abuzuar kurrë me aubstanca nxitëse. Unë kam qenë kryetar dhe anëtar i Kommisionit Kombëtar Antidoping. Them me krenari se, Faruku është një nga figurat më të pastra për problemin e dopingut. Këtë e pohoi me kompetencë të plotë, sepse dokumentacionin e kam patur unë. Lidhja e një rezultati të lartë, me pastërtinë e mënyrës së arritjeve të tyre, tregon se ai është simbol i të pastrës, i të drejtës, i të lartës. Ky është Faruk Kalleshi për mua. Në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, analizat e tij janë testuar dhe ka dalë negativ, pra, krejt në rregull.

Tani do t’ju them një kujtim të shkurtër, por që më ka lënë mbresa. Një herë, kam qenë në Shkodër me shërbim. Atëherë, në kryeqytetin verior, bëhej një mbledhje e madhe. Unë fjeta në shtëpinë e Faruk Kalleshit, bashkë me një grup shokësh. Aty kemi kaluar një natë të mrekullueshme dhe të paharrueshme, duke biseduar për sportin. Biseda ishte aq interesante, saqë e gjithë nata kaloi pa fjetur fare.

Edhe unë kam qenë sportist, por Faruku ishte me aktivitet të plotë në atë kohë. E krahasonim me Naim Sulejmanovin, që ishte një talent i madh bullgar. Familja Kalleshi na mori atë mbrëmje, na hapi derën, na strehoi e na ushqeu. Në Shkodër kam patur dy miq të veçantë: Faruk Kalleshin dhe Asim Belinovën.

Kam edhe një kujtim tjetër, me një prej sportisteve të trajnerit Kalleshi. Kur ndodhi ngjarja e dopingut me Fetije Kasën, unë mbajta një qëndrim të prerë mbi ngjarjen. Në fakt, Faruku nuk dinte gjë, se si mund të kishte ndodhur, por atij, padyshim i vinte keq për qëndrimin tonë. Sidoqoftë, mendimi i grupit të specialistëve ishte i saktë dhe pavarësisht nga kjo, miqësia me Farukun nuk u prish asnjëherë.[30]

 

 

Qemal Shalësi: Miku i të gjithëve

Për protagonizmin e madh të Faruk Kalleshit, ndonëse është folur, shkruar, diskutuar dhe vlerësuar, prapë është pak. Për kampionin absolut ka gjithnjë për të thënë më shumë. Kurioziteti i lexuesit është se, si mund të japë impresione një përfaqësues i një sporti tjetër? Përgjigjja është e thjeshtë. Miqësia dhe solidariteti sportiv, ka qenë dhe mbetet i madh. Miqësia midis njerëzve është pjesë e rëndësishme e jetës njerëzore, ndërsa miqësia sportive është pjesë organike e saj. Faruku, që në adoleshencë zgjodhi peshëngritjen si sportin e tij të preferuar. Eshtë pikërisht mosha kur mësohet çdo nocion, kur merret drejtimi, përgatitja dhe përballimi me sukses i tërë veprimtarisë së ardhshme, ashtu siç veproi Faruku.

Si përfaqësues i një sporti tjetër, do të ndalem te figura e tij njerëzore, me shumë vlera, duke përfshirë edhe humorin, që është pjesë e humorit karakteristik shkodran. Ne përfaqësuesit e basketbollit, takohemi shpesh te klubi “Basket” në Tiranë, klubi i Muhamet Përmetit, i njohur si “Pata”. Aty vjen dhe Faruku, gjithnjë me humor, por edhe me merakun e peshëngritjes. Një herë, për ta ngacmuar u thashë shokëve që edhe Faruku ka luajtur basketboll. Ai e pranoi, por tha jo basketboll 5×5 por 1×1. Të gjithë u çuditën me shprehjen e tij. I them Farukut ta tregoje vetë domethënien. Trajnerin e Vllaznisë, Renato Radoja, thotë Faruku, e kam mik. Miq dhe shokë kam edhe basketbollistët e atëhershëm A. Kalaja, S. Kalaj, R. Vorfa, Z. Gjoni etj. Ata ishin tifozët e mij. Kur luanim basketboll, unë që isha 150 cm i gjatë, ndeshesha me Avenir Kalanë 202 cm. Rivaliteti dhe humori ishte zbavitës. Jehona e tij përhapej kudo.

Farukun e çmoj për dëshirën pasionante që punët në peshëngritje të shkojnë sa më mirë dhe të bëhen pastër. E çmoj për temperamentin e zjarrtë, dëshirën për ti dëgjuar dhe respektuar të gjithë, sensin e humorit dhe thejshtësinë e tij, duke thënë se “Ai” që pëlqen vehten, nuk pëlqehet nga të tjerët”. E përgëzoj për atë çka ka arritur në jetë.[31]

Medin Zhega: Shkodran që i bën krenar të gjithë

Në pranverën e vitit 1998, isha në shtëpinë e mjeshtrit të madh, Medin Zhega. Gjatë bisedës për zhvillimin e futbollit në Shkodër, ra fjala tek emrat e mëdhenj të këtij qyteti, ku Zhega përmendi figurat e njohura. Më ngeli në mend shprehja e tij se “në Shkodër, çdo fëmijë i moshës mbi 10 vjeçare është futbollist”. Dhe duke përmendur emrat e shokëve të fëmijërisë, Zhega u ndal më gjatë te Faruk Kalleshi. Ai e cilësoi atë, një “fenomen të futbollit” për atë moshë. “Faruku nëse nuk do të merrej me peshëngritje, do të kishte qenë një talent spektakolar i futbollit”, – u shpreh ai dhe vijoi: “Ne ishim shokë lagjeje dhe Faruk Kalleshi ishte i veçantë, jo vetëm me golat që shënonte gjatë ndeshjes, por edhe me akrobacitë që bënte pas golave”.  Ndërsa në fund të bisedës për këtë temë, ai përmendi Faruk Kalleshin, si “një fenomen shkodran që i bën krenar të gjithë shqiptarët”.

Jemi rritur bashkë me Kalleshin te anekset e stadiumit, duke luajtur futboll, -kujtonte Mjeshtri i Madh, Medin Zhega. Mund t’ju duket çudi, por ka qenë futbollist i shkëlqyer. Pastaj kaloi në cirk dhe filloi të bënte numra të çuditshëm akrobatik. Natyrisht, arritjet e tij janë spektakolare në shtangë. Se kisha menduar kurrë se një herë do fitoja anketën e “10 sportistëve më të mirë të vitit” dhe aty të isha bashkë me Farukun, shokun e fëmijërisë sime. Eshtë “Napolon” i vogël por “historikisht ka ba punë të madhe”. Arritjet e Farukut janë spektakolare me një karrierë të habitshme por reale, me shumë kampionate, rrekorde e rezultate ndërkombëtare. Mbetet ikona e sportit shqiptar, një “kollos” ndonëse 150 cm i gjatë.[32]

 

Ilir Kraja: Sportist dhe trajner i madh

Të japësh opinion për sportistin, trajnerin dhe njeriun e mirë Faruk Kalleshi, nuk është e vështirë. Jo vetëm për mua si ish-Sekretar i Përgjithshëm i FSHP-së, por për gjithë opinionin publik shqiptar, madje dhe atë ndërkombetar. Sportist me tituj e rekorde, medalje e kupa të paarritshme për Shqipërinë, përçues i këtyre arritjeve tek brezi i ri, i gatshëm për ta mbështetur këtë brez, siç është pasardhësi i tij Genc Barkiqi. Trajneri Faruk Kalleshi, bëri që me një vullnet të madh, të fitojë dhe në këtë angazhim të merituar njerëzor dhe sportiv, duke formuar dhe përgatitur sportiste femra e meshkuj të niveleve europiane dhe botërore. Kam kënaqësinë të përmend kampionet e Europës, për të reja dhe të rritura, si Fetie Kasaj dhe Romela Begaj. Ishte trajneri Faruk Kalleshi që i zgjodhi nga cirku dhe jeta e tjeshtë, dhe i bëri të famshme në sportin burrëror, por dhe femëror, të peshëngritjes shqiptare.

Te Faruku shohim trajnerin dashamirës ndaj çdo sportisti, i papërtueshëm për të dhënë ndihmën dhe mbështetjen, kërkues dhe pjesëmarrës në shumë seminare dhe takime, për rritjen dhe fuqizimin e njohurive të sportit në përgjithësi dhe peshëngritjes në veçanti.

Arritjet e peshëngritjes në periudhën 2001-2012, fitimi i 180 medaljeve Ari, Argjendi, Bronxi, kanë vulën dhe mundin e madh të këtij sportisti “Nderi i Kombit” dhe ndër trajnerët më të mirë që ka patur ky sport deri më sot.

Jam i nderuar që kam punuar për një periudhë relativisht të gjatë me Kalleshin, një njeri me atribute dhe virtyte, të cilat kanë lënë një trashëgimi shumë të mirë në konsolidimin dhe respektimin e vlerave sportive dhe njerëzore. Faruku është i kudogjendur për të dhënë ndihmën, përkujdesjen dhe mbështetjen e tij, në çdo vështirësi dhe nevojë të miqve të vet, sportistëve, nxënësve apo dhe çdo njeriu në jetën e përditshme. Jam i lumtur dhe krenar që kam patur mundësi të punoj me Farukun në sportin e peshëngritjes, por dhe shumë mirënjohës si bashkëqytetar dhe shqiptar.

I uroj shëndet dhe jetë, duke shpresuar se këto vlera të larta njerzore dhe morale, do të vijoi t’ua transmetoj brezave.[33]

 

Il Komi: Është njeri i sacrifices

 

E kam për nder të them që Faruk Kalleshin e kam shok fëminie, sepse jemi rritur në një lagje. Qysh i vogël ai ka ndritur në të gjitha llojet e sporteve që ushtronte. Në futboll ishte i shkëlqyer. Në basketboll, megjithëse ka qenë i shkurtër, i ka mundur të gjithë shokët që kanë luajtur kundër tij. Përveç kësaj ishte një gjimnast dhe akrobat klasi.

Unë e kam vazhduar sportin duke marë indicie nga mësimet e Farukut. Ai më ka mësuar të bëj vertikalen në paralele, me krah të shtrira. Shikoja Farukun si e bënte vertikalen dhe imitoja lëvizjet e skemën që zbatonte ai. Më vonë kemi qenë të dy mësues fiskulture në shkollën “10 korriku”. Dhe sa herë luanim basketboll, Faruku bëhej me Hysen Zmijanin, ndërsa unë me Ilir Kepën. Faruku shquhej, sidomos në gjuajtjet personale. Bënte 10 gjuajtje dhe i realizonte të dhjeta. Minimumi mund të realizonte nëntë, por këto ishin raste të rralla. Faruku ishte një njeri i thjeshtë, i dashur me nxënës dhe kolegë. Nuk ka qenë asnjëherë mendjemadh, ose fodull në komunikime me të tjerët. Pastaj, kemi punuar bashkë për disa vjet në klubin sportiv Vllaznia. Faruku ishte inspektor për sportet e rënda, ndërsa unë inspektor për atletikën, gjimnastikën, shahun, etj.

Sa herë që ka patur mundësi, i ka bërë ndere çdo njeriu që kishte nevojë për të. Ai e thoshte fjalën dhe e kryente porosinë. Nuk ishte njeri që të premtonte dhe pastaj të harronte, por i shkonte deri në fund fjalës së dhënë.

Në këtë komunikim të shkurtër dua të kujtoj një ngjarje nga jeta e Farukut, që tregon shpirtin e tij të madh të sakrificës. Propozoi që t’i hiqej trajtimi ushqimor, për t’ia dhënë një sportisti tjetër, që ishte më i ri në moshë, por shumë i talentuar në sport. Ai ishte Genc Bakiçi. Kjo ka ndodhur rreth vitit 1983-1984.[34]

 

Menduh Muhamet Dibra: Lojë të fortë, por të pastër

 

Faruku ka qenë një sportist shumëplanësh. Në sportet individuale ka qenë i pakrahasueshëm duke u bërë rekordmen dhe kampion për më shumë se 20 vjet. Pra, duke folur për futbollin dhe basketbollin, përveç shkathtësisë dhe precizionit, do të veçoja faktin se ai ka qenë një lojtar që bënte lojë të fortë dhe të pastër. Në ndeshje dukej si agresiv, sepse bënte ndërhyrje të forta, por në fakt ishte i saktë dhe nuk zhvillonte lojë të rëndë. Çdo njeri që merret me futbollin, e di fare mirë dallimin e lojës së fortë nga ajo e rëndë. Faruku ka qenë një supertalent, por këtu dua të përmend edhe vëllanë e tij, që njihet në Shkodër si një futbollist i talentuar dhe i apasionuar.[35]

 

Burhan Vojushi: Rezultatet shihen në raport me kohën

 

E quaj nder të jap gjykinin tim për figurën e Faruk Kalleshit. Farukun e njoh gjenetikisht, që nga prindërit e tij. Me vëllanë e vogël të Farukut, pra, me Astrit Kalleshin, unë jam bashkëmoshatar dhe kam qenë në një klasë. Faruku është i pari akrobat i kompletuar që kemi parë ne, në shkollën “Gjergj Fishta”. Jemi mahnitur me mënyrën perfekte që ai realizonte vertikalen, kryqin, etj. Në atë kohë, këto mrekullira ne i kemi parë vetëm prej Faruk Kalleshit. Por ai ka qenë dhe një mjeshtër i madh i futbollit, që ka çuditur çdo spektator të thjeshtë, apo çdo specialist të kësaj fushe. Gjithashtu, Faruk Kalleshi ka qenë figurë e njohur në teatër, dhe ndofta ai, së bashku me bashkëshorten e tij, Lilin, janë dy krijuesit e cirkut profesional. Nga ana tjetër, Estrada e Shkodrës, e cila ka qenë e famshme për nivelin e lartë, duke fituar edhe medalje ari, mban brenda arkivës së vet, kontributin e numrave akrobatikë të papërsëritshëm të Farukut dhe Lilianës. Pra Faruku është kudo në jetën sportive dhe kulturore të Shkodrës dhe Shqipërisë, në 25 vitet e shkëlqimit të tij unikal.

Kur shoh manualet e rezultateve të tij, them se është shumë e vështirë që dikush tjetër të përsërisë bilancet e arritura prej Farukut. Kjo duke përllogaritur numrin e rekordeve, shpalljen si kampion i Shqipërisë për 20 e ca vjet rresht, si edhe ballafaqimet ndërkombëtare. Dikush mund të thotë se rekordet e dikurshme, në ditët tona mund të jenë arritur edhe prej ndonjë shtangisti tjetër. Këtu nuk duhet të harrojmë që sot sporti ka njësi tjetër matëse, në raport me atë periudhë, pasi kanë evoluar shumë gjera, në zhvillimin e shoqërisë njerëzore dhe të teknikës sportive bashkëkohore.[36]

 

Agim Haliti: Rekorde të fituara me muskuj, jo me hormone

 

Takoheshim pothuajse çdo ditë me Faruk Kalleshin. Në Pallatin e Sportit bënim stërvitje të dy palët. Në prag të evenimenteve të mëdha kombëtare e ndërkombëtare merrnim pjesë në shqetësimet e njëri-tjetrit, duke folur me kurajë për rezultatet dhe fitoret. Këtu dua të veçoj tentativën e madhe të Faruk Kalleshit për thyerjen e rekordit botëror, të cilën e ka përjetuar me ankth dhe emocion të lartë çdo shkodran.

Dua të kujtoj edhe një fakt tjetër. Faruku, pasi bënte stërvitjen në shtangë, vijonte garën e heshtur, por të përditshme, me ne basketbollistët, duke bërë gjuajtje të lira. Dhe në këtë garë, nuk kishte asnjë lojtar që ta mundte Farukun, sepse gjuante pesë personale dhe shënonte pesë herë. Në rastin më të mirë na mbetej si mundësi barazimi. Dhe të mos harrojmë që gjuajtjet e lira i humbasin ndonjëherë edhe basketbollistët amerikanë.

Duke folur për rekordet e Farukut, në atë kohë, dhe duke i krahasuar ato me rezultatet e sotme, pa dashur të atakoj askënd, dua të them se rekordet e sotme nuk janë thyer 100 për qind nga muskujt e sportistëve, por nga medikamentet.[37]

 

Besnik Çinari: Ziheshin me policët për të hyrë në stadium

 

Isha ende fëmijë, kur e kam parë Faruk Kalleshin për herë të parë. Zhvilloheshin garat sportive në peshëngritje. Në peshën dhe stilin e vet, ai ka qenë absolut. Për mua, Faruku mbetet një visar i vyer për historinë sportive të kombit shqiptar. Madje, në kampionatet e atëhershme të peshëngritjes, nuk kishim mundësi të gjenim bileta, sepse numri i vendeve për spektatorët në Pallatin e Sportit ishte i kufizuar. Duke kërkuar të hynim me çdo kusht, shpesh ziheshim me policët. Ne jemi krenarë që e kemi shkodran rekordmenin e madh të historisë së peshëngritjes sonë. Prandaj i urojmë mbarësi dhe shëndet, për vazhdimësinë e mëtejshme të jetës së përditshme.[38]

 

Gëzim Bishja: Faleminderit Faruk Kalleshi!

 

Kam një episod të bukur kur ishim fëmijë. Po luanim me Farukun dhe disa shokë, si Sulejman Limani, etj. Faruku na çuditi të gjithëve sepse mori topin, tribloi kundërshtarët, kapërceu murin me vertikale dhe ia pasoi Sulejmanit i cili nga ana e vet ishte i talentuar si gjimnast dhe akrobat. Nga veprimet dhe akrobacitë e Farukut, ne befasoheshim çdo ditë, sepse ai ishte i jashtëzakonshëm. Padyshim që për Farukun mund të flasim shumë, por unë do të mjaftohem me dy fjalë: Faleminderit Faruk Kalleshi.[39]

 

Isa Tare: Klubi “Partizani” krenohej me të

 

Faruku, dhe jo vetëm ai, por edhe sportistë të tjerë nga gjithë vendi, që janë bërë pjesë e klubit “Partizani”, kanë konstatuar se ai qe shkollë sportive me vlera të mëdha për të gjithë. Sportistët që kanë ardhur në këtë klub, kanë rritur në mënyrë të ndjshme rezultatet e tyre dhe kur kanë shkuar nëpër qytetet e vendlindjes, janë shfaqur sportistë elitarë. Natyrisht, krahas talentit dhe punës së përkushtuar, ndikim të vlerësueshëm në arritjet e tyre pozitive ka patur dhe klubi “Partizani”. Gjithashtu, duke patur në gjirin e vet një sportist kaq të madh, si Faruku, me aq shumë arritje e rekorde, edhe “Partizani” krenohej me të. Nga ana tjetër, Faruk Kalleshi shërben dhe do të shërbejë si shembull frymëzimi për brezat e sportistëve që do të vijnë, sepse ai është një figurë e madhe që tashmë është kthyer në simbol për peshëngritjen shqiptare. [40]

 

Gëzim Mema: Faruku është rekordmen botëror

 

Tentativa e Faruk Kalleshit për të thyer rekordin botëror, është një ngjarje e madhe. Unë kam qenë vetë prezent në stërvitje, kur Faruk Kalleshi e theu këtë rekord. Por në bazë të rregullave, kërkohej një gjyqtari qendrore, zyrtare, që të verifikohej dhe njihej thyerja e rekordit botëror. Dhe aty, për shkak të emocioneve, nuk e ngriti dot peshën për një diferencë shumë të vogël. Pavarësisht nga kjo, ai për mua është rekordmen botëror, sepse e kam parë me sytë e mi, që këtë rekord e ka thyer disa herë në stërvitje.[41]

 

Ilir Çela: 20 vjet kampion i Shqipërisë

 

Ka ardhur enkas një gjyqtari ndërkombëtare për të konstatuar thyerjen e rekordit botëror. Gara u zhvillua në ish Pallatin e Sportit të Shkodrës, ku sot është Kisha Katolike. Në praninë e shumë sportdashësve dhe gjyqtarisë ndërkombëtare, sigurisht edhe të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ai bëri provën e madhe.

Faruk Kalleshi në ndërgjegjen time është skalitur si individi me më shumë tituj kampionë dhe rekorde në karrierën sportive. Që nga viti 1964, deri në vitin 1984, ai ka shënuar në ditarin e sporit shqiptar një rast të rrallë, duke qenë 20 vjet rresht kampion i Shqipërisë.[42]

 

Fejzi Ceka: Talent i sportit dhe njeri me shpirt të madh

 

Kisha dëgjuar për të, por për së afërmi e njoha në një aktivitet kombëtar, rreth vitit 1971-‘72 që u zhvillua në Tiranë, ku unë pata privilegjin të shoqëroja ekipin e Vllaznisë. Ky kampionat qe ndër më të vështirët, më interesantët e me më shumë rivalitet, midis ekipeve të Dinamos, Tiranës e Vllaznisë. Fati i fituesit të këtij aktiviteti u vendos nga tregarëshi i fuqishëm i Farukut, që theu rekord kombëtar në peshën e tij. Ndjeva shumë kënaqësi kur ekipi i Vllaznisë, së bashku me pjesëtarët e tjerë të fuqishëm si Qyrsaçi, Theçi, Belikova, etj, u shpall kampion kombëtar dhe u kthyen në Shkodër me një fitore të bukur e plotësisht të merituar.

Faruku nuk qe vetëm një sportist i dalluar dhe menaxher i aftë, por pas disa viteve tregoi se mund të ishte edhe një mësues i mirë i fiskulturës, cilësi që i tregoi në shkollën e Mesme Pyjore, ku punoi për disa vite. Në detyrën e mësuesit, shumë shpejt fitoi dashurinë dhe respektin e nxënësve. Punëtor i palodhur, që ofronte ndihmën dhe ndikimin e vet në shumë drejtime, pasi nevojat e shkollës së dalluar të Pyjores ishin të mëdha. Faruku ishte njerëzor dhe shumë mirënjohës.[43]

 

Telat Agolli: Unikal në peshëngritjen shqiptare

 

Farukun e kam njohur në moshë të vogël, krejt rastësisht, në Shtëpinë e Pionierit në Shkodër. Isha duke u stërvitur me kunatin tim, në grupin e Cirkut, – tregon Artisti i Popullit, Telat Agolli. Më pëlqeu konstrukti i tij fizik, edhe pse i njomë, dhe pyeta kunatin: Ku e gjete këtë talent? Ai më përgjigjet: Më ndihmoi rastësia. Në vitin 1964 e shoh në kampionatin kombëtar të peshëngritjes, në Berat. Aty Faruku spikati si një sportist me të ardhme të madhe, si një kampion dhe rekordmen. Më pas kaloi në Klubin Sportiv “Partizani”, ku vazhdoi thyerjen e rekordeve kombëtare.

Ishim bashkë në Kinë, në lojrat përgatitore të GANEFO-s. Faruku theu shumë rekorde. Më pas, në një takim kombëtar në Tiranë, ai konkuroi në peshën e dytë, deri në 56 kg, ku theu të gjitha rekordet e kësaj kategorie, që mbaheshin nga kampionët e asaj kohe, si Ymer Pampuri dhe Fehmi Telegrafi.

Nisur nga dëshira për ta patur këtë sportist të madh pranë ekipit tim, dhe si akrobat të talentuar, propozuam ta transferonim në Tiranë. Edhe cirku i Tiranës i kërkoi Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, që bashkëshortja e tij, Liljana Kalleshi, të trasferohej në Tiranë. Ishte akrobate e talentuar dhe kishte fituar vlerësimin më të lartë të asaj kohe “Laurat i Republikës”. Kjo kërkesë nuk u realizua, pasi Faruku dhe Liljana, donin që t’i qëndronin besnik vendlindjes së tyre, Shkodrës.

Mendoj se tentativa që bëri Faruku për thyerje të rekordit botëror, flet qartë për nivelin cilësor që ai arriti në këtë sport. Ky personalitet i sportit shqiptar, mendoj se është i paarritshëm. Elementë të tillë, historia i përsërit rrallë. Faruku është i vogël me trup, por sa një mal me rezultate. Ai mbetet unikal në peshëngritjen shqiptare.[44]

 

Sejdin Gjoni: I madh mbi të mëdhenjtë

 

Ndjehem krenar që kam patur nderin të stërvis “Kampionin Legjendar” Faruk Kalleshi. Kam stërvitur shumë kampionë dhe rekordmenë, por më i vogli në peshë më ka lënë mbresa të veçanta, gjatë karrierës sime. Në tre vjet, në klubin “Partizani”, Faruku theu 38 rekorde kombëtare dhe ka ngelur në historinë e këtij klubi. Shumë i përkushtuar në stërvitje, i dashur me shokët, njeri pozitiv, me një humor karakteristik të vendlindjes së tij. Ishte njeri që e donin të gjithë, ndaj fitoi popullaritet të madh. Në moshë të re fitoi anketën e “5 Sportistëve më të mirë të vitit”, duke u renditur i dyti. Mbasi kaloi tek ekipi i Vllaznisë, e kam ndjekur me vëmendje ecurinë e tij, duke patur vazhdimisht një rendiment më të lartë dhe një ecuri pozitive rekordesh. U bë shumë i suksesshëm në veprimtaritë ndërkombëtare duke fituar medalje. Arritjet e tij janë të habitshme, me një karrierë jashtë normales, duke na çuditur dhe befasuar gjithë specialistët e kohës. Në moshën 39-vjeçare, në evenimente shumë të rëndësishme të kohës, si “Kampionati Europian” dhe pas dy muajsh në aktivitetin e emërtuar “Spartakiada e 5-të Kombëtare”, ai fitoi tre Medalje të Arta. Pas kësaj u tërhoq nga sporti aktiv, diçka e rrallë për një person, 21 vjet Kampion. Me një karrierë brilante, mendoj që Faruk Kalleshi është “i madhi mbi të mëdhenjtë”, – përfundon tregimin e vet Sejdin Gjoni, trajner i ekipit të Partizanit.[45]

 

Bujar Bodinaku: Peshëngritës i shekullit

 

E njoha Farukun shumë herët si akrobat në Cirkun e Shkodrës dhe mbeta i habitur kur e pashë në Kampionatin Kombëtar të Peshëngritjes në Berat. Madje u habita edhe më shumë, kur ai theu 4 rekorde kombëtare, duke u shpallur kampion që në garën e parë të tij. Bëhet shumë interesant duke vazhduar ecurinë e rekordeve. U bashkuam në një ekip, të dy ushtar në klubin “Partizani”, të dy rekordmenë.

Pas një kohe të shkurtër, në një aktivitet ndërkombëtar në Kinë, Faruku theu më shumë rekorde nga të gjithë ne. Filloi të bëhej një emër i njohur. Në vitin 1966 fitoi anketën e “5 Sportistëve më të mirë të vitit”. Më vonë rezultatet e tij erdhën në rritje. Trajneri ynë, Sejdin Gjoni, mendoi që Faruku të garonte edhe në peshat që shkonin deri në 56 kg, ku theu rekordet e kësaj peshe. Në stilin e forcës theu rekordin e kampionit Ymer Pampuri, nga 90 kg që e mbante ai, në 97.5 kg, me një diferencë 7.5 kg. Ky rezultat bëri jehonë të madhe te i gjithë opinioni sportiv i kohës. Shpesh i thoja të na shtohej ndonjë garë që të thyenim rekorde të reja.

Faruku spikati shumë në ekipin kombëtar, ku në çdo aktivitet ishte më i miri. Këtë e vërtetojnë fare mirë anketat e “10 Sportistëve më të mire të vitit”, që ka më shumë se gjithë peshëngritësit e tjerë. Ka thyer shumë rekorde, duke qenë i paarritshëm. Votimi që u bë nga gazetarët dhe klubet sportive, duke fituar me anketën e “Shekullit”, vërteton më së miri dhe arritjet e tij. Mendoj se ishte fat për Shkodrën dhe Shqipërinë që kishin një sportist si Faruku. Vështirë të përsëritet më, sportist i vogël sa një grusht, i jashtëzakonshëm, të cilët lindin rrallë. I uroj jetë të gjatë gjigandit të peshëngritjes shqiptare.[46]

 

Zyhdi Mazreku: Ikona e ekipit kombëtar.

 

Nuk e kam të lehtë të bëj vlerësim për kundërshtarin e ekipit tim Faruk Kalleshi, për faktin e shumë mundimeve që më krijoi, për t’i gjetur një kundërshtar të denjë. E kuptova që me sportistët e mi, në peshën e Farukut, nuk mund të pretendoja vendin e parë. Të paktën për sa kohë do të garonte ai, sepse rezultatet e tij qenë të paarritshme. Mjafton të përmend garën e fundit të Farukut, në vitin 1984, zhvilluar në Spartakiadën e Pestë Kombëtare, ku mori tri medalje të arta dhe kaloi sportistin tim me 10 kg më shumë. Për mua ishte fat i madh që ta drejtoja atë, në Ekipin Kombëtar. Ishte tepër i sigurtë dhe shumë rezultativ. Duke qenë që dilte i pari nga ekipi në pedanë, ishte një shtysë e madhe për të gjithë ekipin, si dhe një ndihmës i shkëlqyer për mua gjatë garave. Faruku ishte ikona e ekipit kombëtar. Të përfaqësosh një komb për 21 vite rradhazi, është arritje e jashtëzakonshme. Vështirë të gjesh një sportist të dytë në Shqipëri, por edhe më gjerë, me rezultate të tilla. Sapo emocionoheshim nga rekordet që thyente në gara, vinte gara tjetër dhe ata thyeheshin me rekorde të reja, po nga Faruku, duke arritur shifra të paimagjinueshme edhe nga vetë ne specialistët e këtij sporti. Janë plot 116 rekorde.

Konkurroi gjithmonë në peshën 52 kg, duke qenë absolut në këtë kategori. Por ai na befasoi me talentin dhe vullnetin e tij, kur konkurroi në kategorinë 56 kg, duke thyer rekordet me diferencë të madhe kilogramësh në stilin e forcës (+7.5 kg) të rekordmenit tjetër shqiptar Ymer Pampuri. Kjo garë ishte një tjetër arritje e madhe e Kalleshit dhe e sportit të Peshëngritjes, duke u bërë njëkohësisht rekordmen në dy kategori (52 dhe 56 kg). Karriera e Kalleshit është brilante, e vështirë për tu realizuar. Mendoj se sportist të kalibrit “Kalleshi” lindin rrallë në sport. Mbetet figura më e madhe e kombëtares së këtij sporti.[47]

 

Vehap Xhindoli: Kollos i peshëngritjes

 

Farukut i detyrohemi shumë respect dhe mirënjohje, sepse mbetet kollosi i peshëngritjes shqiptare. Sikur peshat që ka mbajtur mbi supe, në gara e stërvitje, t’i kishte shkarkuar mallra nga karroceritë e kamionëve apo vagonat e trenave, do të ishte bërë “milioner”. Me emrin e Farukut, kujtoj njeriun që në momentet më të vështira të jetës, ka ditur të më respektojë më shumë se sa shokët e mi, prandaj do të ngelet i pafshirë në kujtesën time. Këtë flori të peshëngritjes shqiptare, të gjithë ne shokët e vjetër, unë, Telati, Asimi etj. e vlerësonim pamasë për arritjet e tij. I uroj që të shijojë titujt e fituar ndër vite, si dhe Urdhërin e Lartë “Nderi i Kombit”.[48]

 

Ilir Çela: Sportist dhe trajner unikal

 

Kënaqësi e madhe për mua që të jap opinion tim, për legjendën e peshëngritjes shqiptare, z. Faruk Kalleshi. Kam shumë vite që merrem me peshëngritjen, si sportist dhe trajner. Por ajo që ka bërë Faruk Kalleshi, në karrierën e tij brilante, duke thyer 116 rekorde, është e veçantë. E filloi dhe e mbylli karierën si kampion, gjë që nuk e ka bërë asnjë sportist. Pra, me plot gojën them se ai është unikal, i paarritshm. Gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë protagonist dhe fitues në anketat e “10 sportistëve më të mirë të vitit”, dhe kulmon me fitimin e “Anketës së 10 Sportistëve të Shekullit”. Për Faruk Kalleshin s’ka mbet gja pa arrit në karrierën e tij. Unë shpreh me sinqeritet vlerësimet e mija maksimale, prandaj mendoj se është unikal.[49]

 

Hysen Cenaj: I pamposhtur

 

Kam shumë kënaqësi të them dy fjalë për legjendën “Kalleshi”. E kisha kundërshtar në sport, por shokë të mirë dhe frymëzues për brezin e ri. Kur dëgjoja se çfarë kishte arritur, më dukej e pabesueshme. Unë jam njohur me të në fundin e karrierës dhe them me bindje se ishte i pamposhtur. Ndaj përulem me shumë respekt para arritjeve të tij, dhe pse ta fsheh, e kam zili. Kalleshi është “Gjiganti i Peshëngritjes Shqiptare”. Sportist si Kalleshi lindin një herë në 100 vjet.[50]

 

Vasil Hoço: Emblemë e peshëngritjes shqiptare

 

Për mua, Faruk Kalleshi është “Emblema e Peshëngritjes”. Si bashkëkohës i tij, mendoj se ishte një sportist shembullor, kundërshtar i mirë, i respektueshëm me shokët. Karriera e gjatë dhe plot rezultate të larta, bën që Faruku të jetë figura më e madhe e këtij sporti. Fitues i disa anketave “10 sportistëve më të mirë të vitit” si thyesi absolut i rekordeve kombëtare dhe sportisti i parë shqiptar që tentoi thyerjen e rekordit botëror.[51]

 

Tef Thaçi : I gjithëanshëm

 

Kalleshi më fut në mendime, sepse ka vlera të veçanta. Mbi të gjitha është shok i mirë. Si sportist, edhe një person që nuk e do, vetëm nisur nga arritjet e realizuara, është i detyruar të shkruaj sa më bukur. Unë them se është i veçantë për çfarë ka arritur. Kemi qenë bashkë te klubi “Vllaznia” dhe “Partizani”. Ai mbetet sportist i pa përsëritshëm dhe i gjithëanshëm, futbollist, basketbollist, volejbollist, gjimnast, akrobat, mundës, pinpongist. Dhe për habi, kudo ishte i shkëlqyer. Në shtangë rezultatet e tij janë të paarritshme. Deri në moshën 39-vjeç ishte absolut. Të gjitha çfarë ka marrë i meriton. Thonë është gjigand, legjendë, kollos, napoleon etj. Jam dakord me të gjitha, pasi është ngulur tellë në histori, si kërkush tjetër.[52]

 

Nikolin Qyrsaçi: Perlë e sportit shqiptar

 

Eshtë privilegj të flasësh për sportistin Faruk Kalleshi. Arritjet e tij janë të rralla dhe të pabesueshme, por reale. Unë jam bashkëkohës i tij në këtë sport. Emri i Faruk Kalleshit do të mbetet me shkronja të arta në historinë e sportit shqiptar. Rekordet e shumta dhe medaljet e fituara janë të panumërta, si rrallë herë në histori. Është sportiest që ka përfaqësuar kombin tonë me dinjitet. Si mik dhe si bashkëkohës në këtë sport, kujtoj me nostalgji garën për thyerjen e rekordit botëror, i cili nuk e arriti, por në stërvitje “tallej” me atë rekord. Kalleshi është një nga perlat e Sportit Shqiptar.[53]

 

Kozma Qeraxhiu: Staturë e vogël me rezultate të mëdha

 

Me Farukun u njohëm në klubin “Partizani”. Unë sapo kisha filluar sportin dhe ai më ndihmonte në përvetësimin e teknikës. Mbas ca kohësh isha pjesëmarrës në aktivitete kombëtare dhe fillova të thyerj rekorde. Por Faruku ishte emër i madh, pasi nga çdo garë dilte me thyerje rekordesh. Fitoi çdo trofe në këtë sport dhe, padiskutim, mbetet peshëngritësi më i mirë i të gjitha kohërave. Nuk mbaj mend të ketë dështuar në ndonjë garë, përveç asaj për thyerjen e rekordit botëror, ku u emocionua jashtë mase dhe e humbi atë për shumë pak. Faruku është një shok i rrallë, me humor, qefli i këngës popullore, akrobat shumë i mirë. Sportist si Faruk Kalleshi është fat që ta kishe në ekip. Nuk ta mbush syrin me paraqitjen e tij, si trupvogël, por kur dilte në gara, dukej gjigand.[54]

 

Selaudin Zoga: Sportistë të tillë lindin rrallë

 

U njoha me Kalleshin në Sportklubin “Partizani”. Djalë i shkathët, i dashur dhe me humor. Me ekipin “Partizani” spikati që në garën e parë, duke thyer rekorde në tre vite të qëndrimit të tij, si breshëri automatiku, duke e çuar shifrën e rekordeve në 38. Një ditë kërkoi të njihej me Farukun edhe gjeneral Petrit Dume. E shoqërova unë, dhe në atë çast, para gjeneralit, frymëzohem dhe e prezantoj nëpërmjet një vjershe të shkruar për Farukun:

“Ushtari i vogël mikroskopik,

por i fortë si çelik.

Asht i vogël e i lidhun ny,

por spo len rekord pa thy”

Gjenerali e përgëzoi Farukun dhe i uroi shumë suksese. E them me plot gojën se, çfarë ka ba Faruk Kalleshi në sport, se ka ba as “Shejtani”. I paarritshëm me rezultatet e tija. Sportist të këtij kalibri lindin rrallë dhe mbesin gjatë në histori.[55]

 

Xhafer Bogdani: Shtangist me karrierë absolute

 

E kam të vështirë ta përshkruaj gjithë karrierën e tij brilante. E gjykova në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare. Nuk donte të dinte për kundërshtarë. Garonte njësoj, si brenda dhe jashtë, duke thyer rekorde. Sportist me një temperament të veçantë, që unë, gjatë gjithë karrierës time si gjygjtar, nuk njoh një të dytë. Sportist i pathyeshëm me një karrierë të gjatë e të suksesshme, duke e filluar dhe përfunduar si kampion. Çdo vit garonte për t’u shpallur sportisti më i mirë i vitit, të cilën e fitoi disa herë. Vlerësimin më të madh e mori duke u renditur në vendin e katërt, në “10 sportistët më të mirë të shekullit”, vlerësim i bërë nga të gjithë gazetarët sportiv dhe drejtuesit e klubeve sportive. Faruku është sportist me një karrierë absolute në Shqipëri.[56]

 

 

Liri Beqja: Shembull i virtyteve morale e njerëzore

 

E ndjej për nder dhe detyrim njëkohësisht, që të them dy fjalë për ikonën, legjendën, të parritshmin, mjeshtrin e madh, Nderin e Kombit, Faruk Kalleshin. Me Farukun njihemi prej 40 vitesh. Ka qenë dhe mbetet fanar ndriçues në sportin shqiptar, shembull i virtyteve morale e njerëzore. Ai është krenaria shqiptare për sportin dhe mbarë opinionin, dashamirësit e sportit, miqtë. Për Farukun meritohet të shkruhet. Ju falenderoj që kini marrë inisiativën të shkruani për këtë njeri të madh që do të mbetet brez pas brezi.[57]

 

Skënder Sallaku: Një “yll” që pat fatin me ra në Shkodër

 

Farukun dhe Liljanën i njoha në cirk. Ishin në estradën e Shkodrës. Faruku u bë shpejt kampion dhe rekordmen, dhe emri i tij u bë popullor për rezultatet e larta, pasi fitoi dhe anketat e “10 sportistëve më të mirë në vite”. Në vitin 1967, në Festivalin Kombëtar të Estradave, Liljana Kalleshi spikati me një numër shumë të bukur akrobatik dhe u nderua me çmimin më të lartë të kohës, që iu jepej artistëve, “Laurat i Republikës”. Faruku “u ba xheloz” dhe filloi të lëshonte breshëri rekordesh. Ma vonë fitoi dhe Anketën e Shekullit mes yjeve të tjerë të sportit shqiptar. Nga pamja asht i vogël por nga rezultatet i paarritshëm dhe me një karrierë të gjatë e gjithmonë në ngritje. Rrallë lindin të tillë yje, dhe ky yll, pat fatin me ra në Shkodër.[58]

 

Isuf Saliçe: Federata Shqiptare e Peshëngritjes gaboi

 

Kam qënë peshëngritës në vitet 1968-1980, periudhë kur Faruk Kalleshi ishte në formën e tij më të mirë. Një pjesë të kohës e kalonim bashkë me peshëngritës të tjerë dhe diskutonim për këtë njeri të veçantë qe na linte të habitur me teknikën e tij, sidomos në stilin e forcës, ku ai arriti rezultate të larta botërore.

Nuk do ta harroj tentativën e Farukut për të thyer Rekordin Boteror në stilin e forcës. Shkuam të gjithë për ta parë. Unë mendoj se gabimi qe i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e cila vendosi që gara zyrtare të zhvillohej vetëm nga Faruku, e jo me gjithë sportistët më të mirë të peshëngritjes shqiptare. Pikërisht mungesa e konkurencës shkaktoi emocione të forta dhe beri që Faruku të mos ia arrinte qëllimit, peshë të cilën e pati ngritur në stërvitje disa herë.[59]

 

Agron Duka: Sportist i papërsëritshëm

 

Peshëngritësin shkodran nuk mundi ta mposhtëte askush në peshën e tij, për dy dekada me rradhë. Anëtar i ekipit kombëtar në vitet më të arta të peshëngritjes shqiptare. Brenda atij trupi të imët, mbuluar me muskuj, qëndron një shpirt i madh i një kampioni të papërsëritshëm. Nga mesi i viteve ’60, deri në mesin e viteve ’80, të shekullit të kaluar, ishte i pankonkurrueshëm në peshën e vet. Emocionohesh kur mendon se gjatë kësaj periudhe ka thyer mbi 100 rekorde kombëtare. Edhe pasi e la fizikisht sportin, ai vazhdoi të kontribuojë si trajner për një periudhë të gjatë kohe. Fakti që Faruk Kalleshi është respektuar me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, tregon për një karrierë të shkëlqyer, e cila do të parapëlqehej nga cilido sportist, në Shqipëri dhe në botë.[60]

 

Kreshnik Tartari: Kampion nuk lind, por bëhesh

 

Talenti nuk është i mjaftueshëm. Talenti lind, por nëse nuk përkushtohesh në funksion të talentit tënd, ai vdes. Pra, kampion nuk lind, por bëhesh. Natyrisht me shumë mund, me shumë djersë, me shumë sakrifica, me shumë pasion. Faruku i pati të dyja, talentin dhe përkushtimin, ndaj dhe u bë kampion i madh. Me këtë rast “Nderit të Kombit”, i jap  urimet më të mira, pasi ne do ta kemi gjatë “superkampion”.[61]

 

Filip Guraziu: Rikujtoj me mall moshën e rinisë

 

Arritjet e Faruk Kalleshit në fushën e sportit janë shumë të larta dhe ato njihen nga të gjithë. Shpesh rikujtoj me mall moshën tonë të rinisë, në të cilën Faruku zë një vend nderi. Ishte aktiv, plot humor, akrobat cirku edhe në rrugë, i sjellshëm dhe shoqëror deri te ai. Për mua mbetet e paharruar gara sportive, për thyerjen e rekordit botëror në “ngritje peshe”. Unë, shoqëria jonë, Shkodra dhe e gjithë Shqipëria krenohet me ju dhe rezultatet tuaja.[62]

 

Besnik Gjetaj: Do të doja ta kisha njohur më parë

 

Unë jam boksier dhe i përkas datlindjes 1973. Për Faruk Kalleshin kam dëgjuar që në Shkodër flitej me respekt. Për qytetarët shkodranë ai është figurë jashëtëzakonisht e madhe. Kemi të bëjmë me një sportiest të vlerësuar për të gjithë Shqipërinë, por krenaria e Shkodrës për birin e vetë, është e veçantë. Faruk Kalleshi njihet si sportist i kompletuar, sepse nga njëra anë ka patur rezultate të shkëlqyera në peshëngritje, nga ana tjetër ka qenë shumë i talentuar edhe në fusha të tjera, si mundje, gjimnastikë, futboll e basketboll. E kam njohur nga afër rreth vitit 2000. Kam patur fatin të bisedoj me të për problematikën e sportit shqiptar, siedhe për rezultatet e jashtëzakonshme që ai, i ka falur peshëngritjes shqiptare në vite.

Do të kisha patur dëshirë që të njihesha më herët me të, për të marrë këshillat e tij të vlefshme, lidhur me aktivitetin tim sportiv. Por jemi njohur vonë, në një periudhë kohe kur nuk isha më sportist aktiv, por trajner i ekipit të të rinjve të Vllaznisë. Gjatë një momenti kam qenë edhe trajner i ekipit të Kombëtares së të rinjve. Ndonëse me vonesë kam përfituar nga dijet e tij, të paktën si trajner. Përvoja që jep Farku, është më shumë se shkollë.

Mbresat e mia për Farukun janë të shumta, por këtu do të kujtoj një çast të veçantë, kur unë banoja në Shkodër. Isha në një kafe të qytetit, kur papritur pashë një person që u ul nga makina e tij dhe puthi tokën. Kjo ndodhi në qendër të qytetit, atje ku është sheshi “2 prilli”. Pasi puthi tokën, tjetri ngriti duart lart, në shenjë respekti për këtë tokë. E vëzhgova mirë, dhe pashë se ky person ishte mjeshtri i madh, Faruk Kalleshi. Kjo ka ndodhur gjatë viteve të fundit, në kohën kur presidenti i Republikës e nderoi atë me titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”. E takuam dhe e uruam për dekoratën e lartë dhe ai, normalisht, na qerasi për kënaqësinë e këtij takimi.[63]

 

Panajot Pano: “Gjigandi” i Peshëngritjes Shqiptare

 

Futbollisti i njohur, Panajot Pano, pohonte se ata ishin quajtur nga mediat sportive dhe sportdashës të shumtë, si dy binjakë, për kohën kur aktivizoheshin, pavarësisht se të dy ishin në sporte të ndryshme. “Peshëngritës me trup të vogël, i fortë fizikisht, mjeshtër në ngritjen e peshave, në shtangë, taktikisht i zgjuar në atë që dëshironte të realizonte në çdo garë, një kampion dhe rekordmen që nga fillimi e deri në përfundim të karrierës. Faruku është “gjigandi” i peshëngritjes shqiptare.[64]

 

Lin Shllaku: Një shok dhe kryefamiljar i shkëlqyer

 

Faruku është i vogël në pamje, por i madh në vlera, – shkruan futbollisti i ekipit të Partizanit Lin Shllaku. E filloi karrierën e tij si kampion me thyerje rekordesh kombëtare dhe e mbylli po si kampion. Prandaj mund ta cilësojmë “Kampioni i Rekordeve”. Për mendimin tim ky është një rast i rrallë, jo vetëm në sportin shqiptar, por edhe në atë botëror. Për mbi të gjitha është një shok dhe kryefamiljar i shkëlqyer. Kam patur nderin të përjetoja arritjet e tij sportive nga afër, në periudhën kur ne ishim bashkë, pranë Klubit Sportiv “Partizani”. Të dy vinim nga qyteti i Shkodrës. Faruku ishte një mik i madh, i dashur dhe plot humor, ashik i këngës popullore shkodrane. Arritjet e tij patën hov cilësor dhe fama  u rrit shumë, por gjithmonë në mendjen time dhe miqve të mi, ngeli ai djali i thjesht shkodran që vinte nga Dërguti me një pasion të madh për sportin dhe artin.

Karakteri i tij i fort, përkushtimi dhe disiplina, cilësi këto që e frymëzuan për gjatë gjithë jetës sportive, mundi t’ua transmetonte më së miri edhe sportistëve të rinj. [65]

 

Ramazan Rragami: “Simboli” i Sportit Shqiptar

 

Për Mjeshtrin e Merituar të Sportit, Ramazan Rragami, Faruk Kalleshi kishte lindur për sportin e peshëngritjes. Gjatë periudhës 20-vjeçare, talentit të vet i shtoi dhe stërvitjen sistematike, deri në kufijtë e lodhjes maksimale, për të realizuar detyrën që i kishte vënë vetes, arritjen e rezultateve sa më të larta. Me plot gojën ai mund të quhet historia e peshëngritjes shqiptare. Mendoj se janë shumë të rrallë sportistët me rezultatet e Farukut. Këtë fat e pati Shkodra. I takoj asaj të nxirrte nga gjiri i vet, një sportist të vogël në trup, që shpejt do të bëhej simbol i sportit shqiptar.[66]

 

Ilir Trebicka: Legjendë sportive

 

Basketbollisti i shquar Ilir Trebicka pohon se, Faruk Kalleshi është sportist i jashtëzakonshëm, pasi në çdo garë ka thyer rekorde kombëtare. Një rekordmen i paarritshëm dhe çdo vit ka qenë konkurrent i denjë në anketat sportive. Për mua, ai është një legjendë e sportit shqiptar dhe kulmoi me fitimin e anketës së “10 sportistëve më të mirë të shekullit”. Mbetet pa dyshim një ndër gjigandët e sportit shqiptar.[67]

 

Sokol Kushta: Sekreti i rezultateve është disiplina

 

Kur jam grumbulluar ne vitin 1980 me kombëtaren e të rinjve, në hotelin e kombëtares që ndodhej mbrapa stadiumit “Qemal Stafa”, jam njohur me Faruk Kalleshin. Në dhomat përbri gumbullohej kombetarja e Peshëngritjes. Midis shumë emrave te shquar, veçohej Faruku, për të cilin flitej shumë. Atëherë nuk e mendoja ku gjendej forca e tij. Tashmë e kuptoj pse u bë sportist i madh. Arsyeja kryesore është disiplina, puna, korrektesa, pastërtija e tij në sport. Kjo bëri që ai të na dhuronte kaq shumë rezultate. Urime kampion![68]

 

Ndriçim Spahiu: Fitues i anketës së shekullit

 

Për herë të parë Farukun e kam njohur në cirkun e Tiranës, ku të gjithë shokët e respektonin. Ndiqja me kuriozitet arritjet e tij, ku çdo vit, garë pas gare, thyente rekorde, duke arritur rezultate të larta kombëtare dhe ndërkombëtare. Kur shoh trofetë e fituara, disa herë fitues i titullit “Kampion i Shqipërisë”, më duket e pabesueshme. Nuk është e lëhtë të fitohen kaq shumë tituj nga një sportist, por Faruku më bëri të besoj te e pamundura. Çdo vit emri i tij lakohej për fitimin e anketës së sportistëve të vitit. Sukses për Farukun ishte fitimi i ankëtës së shekullit. Vështirë ta arrihen majat që ka prekur ai në sportin shqiptar, – shprehet Sekretari i Federatës së Mundjes, Ndriçim Spahiu.[69]

 

Arjan Çuliçi: Njeriu trupvogël i çmimeve të mëdha

 

Kam kënaqësinë më të madhe të flas me “Njeriun më të vogël të çmimeve të nëdha”. Një problem kam pasë me Farukun dhe sot nuk i jap zgjidhje. Njihte krejt fisin tim dhe vetëm unë që isha ba, gjoja emër, s’më njihte hiç. Kur u prezantova për herë të parë në Tiranë, i thashë se jam Arjan Çuliçi, regjizor, dhe kam ba mbi njëzet filma. Faruku më thotë: Leni filmat e më thuaj djali i kujt prej Çuliçeve je? Unë lodhu me ba filma, e ky prap s’mi ndjek hiç. Filmin e fundit që kam bërë, sipas djalit të tij, se ka pa fare. Kaq i madh asht, sa më tha: Bravo të qoftë Arjan Çuliçi, kam respekt për kushërinjtë dhe familjen tënde. Kur Faruku u vlerësua me titullin “Nderi i Kombit” i thashë: “Edhe këtë titull e more? A ke ma?”. Faruku ma ktheu: O Arjan, shko paguaj dritat![70]…..

 

Faik Spahia: Më janë bërë duart me kallo

 

Nëntëdhjetë vjeçari Faik Spahia, me mendje të kthjelltë, që ecën si një djalë i ri, kur bie fjala për arritjet e Farukut thotë: “Më janë ba duart me kallo, duke duartrokitur për Kalleshin. Ishim të detyruar të rrihnim shuplakat përherë, sepse vazhdimisht kishte suksese në gara dhe theu shumë rekorde”. Pastaj shton se, vit pas viti, fitonte anketa dhe nderohej me medalje të panumërta. Ai është një sportist i rrallë që dëshiroj t’i them bravo, bravo 1000 herë![71]

 

Leonard Toska: I rrallë në histori si sportist dhe si trajner.

 

Kush ka patur fatin ta shohë Faruk Kalleshin në gara, nuk çuditet për arritjet e tij, sepse në çdo garë thyente rekorde kombëtare dhe çdo vit ishte pretendent ose fitues në anketat sportive. Unë si trajner, përveç talentit të tij, e di se çfarë pune i është dashur për të respektuar një regjim absolut, gjë që e konkretizoi me këto arritje fenomenale. Vitet e fundit punova me të si trajner dhe kuptova që ishte i shkëlqyer. Në një kohë record, bëri që Fetije Kasaj të shpallej nënkampione në Europë. Faruku është i rrallë në histori si sportist dhe si trajner.[72]

 

Xhevdet Arifi: Mik i të gjithëve

 

Kam patur fatin të stërvitem me Farukun, në të njëjtin ekip, atë të Vllaznisë. Ne të rinjtë, në fillim e shihnim si një ikonë dhe vëmendja jonë ishte e përqëndruar në çdo veprim të kampionit, në çdo çast, në stërvitje dhe në gara. Por Faruku ishte i veçantë. Edhe pse ishte një emër i madh për gjithë Shqipërinë, qe një shok shumë i mirë dhe gjithmonë i gatshëm të na ndihmonte dhe të na jepte kurajë. Ne shokët e tij e adhuronim dyfish, si kampion dhe si shokun tonë. Përjetonim me gëzim çdo fitore të tij, çdo medalje të marrë, çdo rekord të thyer. Faruku ishte miku i të gjithëve, kolegu dhe trajneri ynë, kampioni legjendar.[73]

 

Sidrit Bejleri: Bashkoi gjatë zemrat e tifozëve

 

Historia e peshëngritjes shqiptare do të dukej shterpë pa praninë e emrit të Faruk Kalleshit. Si dhe emri tij që në arabisht ka kuptimin njeri I zgjuar, që ndan të vërtetën nga gënjeshtra, gjykatës. Me një fjalë ai është “plotësues i të vërtetës”. Ndaj ai mundi të bashkoi shumë herë zemrat e tifozëve që patën fatin të përjetonin me sytë e tyre ndodhitë, që sot na vijnë në kufirin e legjendave.[74]

 

Agim Zeka: I paarritshëm në sportin e vet

 

Përveç respektit të madh si një njeri që ka bërë histori në sportin shqiptar, Faruk Kalleshin e admiroj edhe për miqtë dhe dashamirësit e panumërt të tij. Faruku është një nga ikonat e sportit shqiptar. Megjithë rekordet dhe medaljet e fituara në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare, i renditur midis më të mëdhenjve në anketën e 10 sportistëve më të mirë të shekullit, flet qartë se Faruku është një gjigand i sportit shqiptar, i pa arritshëm dhe unik.[75]

 

Mirjan Hakani: I përjetshëm në historinë e sportit shqiptar

 

Kam folur shumë herë për Farukun. Është personalitet i shquar i sportit shqiptar, me një karrierë të rrallë, ku spikasin titujt e shumtë, por edhe rekordet kombëtare. Ka qenë i suksesshëm edhe në gara ndërkombëtare. Të dy kemi përfaqësuar Shqipërinë në veprimtari ndërkombëtare. Miqësia jonë u forcua gjatë garave, ku Faruku shfaqte një sjellje miqësore me të gjithë shokët e Ekipit Kombëtar. Jam befasuar nga Faruku në vitin 1984, në kampionatin Europian në Valencia të Spanjës, ku rezultatet e tija ishin shumë të mira, duke u renditur në vendin e 5-të dhe pas dy muajsh në Spartakiadën e V-të Kombëtare, në të cilën mori tre medalje të arta. Pas këtyre rezultateve të shkëlqyera, në një kohë që mendonim se ky njeri kishte forcë edhe për disa vite karrierë, ai njoftoi tërheqjen e tij nga sporti. Rast i rrallë në sportin shqiptar. Në kujtimet e mia Faruku do të ngelet i përjetshëm në historinë e peshëngritjes shqiptare.[76]

 

Kastriot Ruka: Me dhunti në evidentimin e talenteve

 

Kam shumë vite që e njoh Farukun, si sportist, si shok dhe si mik i të gjithëve. Rezultatet e tij si sportist ishin të jashtëzakonshme. Ka 21 vite rresht kampion, një numër rekordesh të thyera nga ai, si askush tjetër. Dhe në fund e mbylli karrierën me nder, me tre medalje të arta, fituar në spartakiadë. Kur mendoja që ai vit ishte plot suksese për të, lumturohesha edhe unë. Ai e mbylli karrierën e tij sportive si kapmion, u përshëndet me shokët, miqtë dhe dashamirësit e vet dhe ju uroj suksese kundërshtarëve të tij sportiv.

Kalleshi gëzonte respekt të madh në mjediset sportive. Këtë e bënte sjellja e tij me shokët, trajnerët e gjyqtarët. Gëzonte respekt dhe simpati edhe te sportdashësit. Ai ishte aportist dhe trajner i shkëlqyer. Pasioni për këtë sport bëri që të kalonte çdo pengesë dhe arriti majat.

Erdhi nga Shkodra në Tiranë dhe krijoi nga hiçi ekipin e tij. Për një kohë të shkurtër, ekipi që ai drejtonte u shpall Kampion Kombëtar. Sportistet e tija arritën majat në evente ndërkombëtare. Brenda një viti, Romela Bega, nga akrobate u shpall nënkampione Europe. Ky është një rast i rrallë, që i dedikohet Farukut, për dhuntinë e tij të jashtëzakonshme në evidentimin e talenteve. Shpreh respekt për mundin e tij, gjatë gjithë këtyre viteve karriere, si sportist dhe trajner i madh.[77]

 

Viron Bezhani: Burim vlerash për brezin e ri

 

Kampionët e sotëm të peshëngritjes ecin të sigurt mbi shinat e ngritura nga legjendat e këtij sporti. Një ndër ta është Faruk Kalleshi, një kampion absolut në sportin e shtangës, që ka shkruar me gërma të arta emrin e tij. Për një njeri që ka triumfuar, duke u ngjitur në pedanë si kampionë dhe që ka nxjerrë përherë kampion, pa frikë mund të thuhet se ka bërë epokë në sportin shqiptar. Ky vlerësim është i natyrshëm. Sporti gjithnjë ka nevojë për ikona të tilla, që janë burim vlerash për brezin e ri. Karriera e tij, e mbushur me plot tituj kampionë dhe rekorde kombëtare të vendosura në çdo garë, flet qartë për vlerat e Faruk Kalleshit. Është nder të kesh miq të tillë, që flasin me veprat e tyre. Është kënaqësi të shkruash për kampionë të këtij kalibri, që emrin e vet e kanë gdhendur në “librin e artë” të sportit shqiptar. Respekte për legjendën Faruk Kalleshi.[78]

 

Nikoll Grimaj: Faruk Kallesh, nuk ban ma nana

 

Bashkëkohës i tij, Nikoll Grimaj, pohon se stërviteshin bashkë, por Faruku shfaqte vullnet të jashtëzakonshëm. Arritjet qenë si rezultat i punës dhe shpirtit të garës. Është një yll i sportit shqiptar. Do kalojnë dekada e Faruk Kallesh nuk ban ma nana.[79]

 

Islam Balija: Mbetet më i madhi për gjithë kohërat

 

Në kampionatin e peshëngritjes në Berat, në vitin 1964, na habiti të gjithëve. Doli që në ditën e parë kampion dhe theu katër rekorde. Në vitin 1966 ishim bashkë në Kinë, ku shfaqi aftësi të të rrallë në të gjitha provat. Madje theu disa rekorde. Ecuria e tij vinte në ngjitje dhe u bë emër i madh. Pati arritje të mëdha dhe një karrierë të gjatë. Nuk besoj se do ketë sportist që të arrij rezultatet e Faruk Kalleshit në peshëngritje. Mbetet më i madhi në të gjitha kohërat.[80]

 

Endri Haxhihyseni: Respekt që nuk do të më shteri kurrë

 

Sapo fillova të merresha me sportin e peshëngritjes, profesori im Ilir Çela, më fliste shpesh për Faruk Kalleshin, për atë çfarë ai kishte bërë për sportin tonë burrëror, – nis bisedën Endri Haxhihyseni. Rezultatet e tij më dukeshin të çuditshme, pasi në sportin tonë ka dëmtime gjatë garave, apo rënie nga forma fizike. Të mbash vendin e parë, për 21 vite radhazi, është e pabesueshme. Trajneri e cilësonte “një legjendë”, unikal në peshëngritjen shqiptare. Sipas tij, unë duhej ta shihja si idhull, nëse doja të arrija majat në këtë sport. Edhe babi, në kujtimet e tij, ruante të njëjtin mendim.

Me profesor Farukun pata fatin të njiheshim në palestrën e peshëngritjes. Profesori drejtonte ekipin e parë shqiptar privat për femra, që njihej me emrin “Juvenilja”. Përkushtimi i tij në stërvitje ishte i pazakontë. Punonte njëlloj me të gjithë anëtaret e ekipit, ndërsa me sportistet më të dobëta, bënte më shumë përpjekje. Isha i bindur se me atë vullnet që kishte, do të arrinte shumë rezultate. Profesori ishte edhe një parashikues i mirë. Atë që na thoshte në palestër, e realizonte në gara. Çuditesha me sigurinë e tij. Më pas çdo gjë ishte e qartë. Ai është një trajner i madh, pasi nxori sportiste elitare si Fetije Kasaj, Romela Begaj, Bersjana Kokomani, Sherjana Ruci, Manjola Karaj. Arriti të merrte me ekipin e vet tituj të mëdhenj, si kampione në garat e Ballkanit, kampione Europe, nënkampione Bote. Ndaj respekti për profesorin e nderuar, Faruk Kalleshi, nuk do të shteri kurrë.[81]

 

Hysen Sharra: Është i humorit dhe i këngës

 

Faruk Kalleshin e kam ndjekur vazhdimisht, në të gjitha arritjet e tij, por nga afër e njoha në Tiranë, te klubi i Muhamet Përmetit. Për herë të parë me të më prezantoi shoku im Prokop Beqari. Filluam të bisedonim si kolegë. Është njeri me humor. Batutat shkodrane di t’i përdor mirë. Për më tepër, ia merr këngës për bukuri. Ndaj, në kohën e lirë, shpesh herë këndonim bashkë.[82]

 

Asllan Zeneli: Mbetet përherë në vitet e rinisë

 

Para se të filloja sportin e qitjes, mbaja parasysh përherë spotistët e Vllaznisë. Ishin yje të sportit shqiptar. Por vlera e Faruk Kalleshit qe e veçantë. Është i vetmi sportist në Shqipëri që i peshojnë më shumë dekoratat se trupi. Këmbëngulës në stërvitje, ambcioz por aspak xheloz për arritjet e të tjerëve.

Kur unë konkuroja për ekipin kombëtar, Faruku më ndiqte gjatë gjithë garës, me të njëjtin emocion, sikur të garonte vet ai. Në kohën kur u rendita në vendin e parë, gëzimi i tij ishte i papërshkrueshëm. Ndihesha krenar që mbështetesha nga një Mjeshtër i Merituar, e mbi të gjitha, nga legjenda e gjallë e sportit të peshëngritjes.

Përveç sportit i klasit të lartë, Faruku ishte dhe një bashkëshort shembullor. E kishim zili për numrin e madh të shokëve që kishte. Ishte manjetik në shoqëri. Të gjithë donin të rrinin me të. Është person i veçantë. Faruku nuk di ç’është mosha. Mbetet përherë në vitet e rinisë, pasi nuk ka hequr kurrë dorë nga sporti.[83]

 

Marieta Zace: Dallohej për humanizmin dhe korrektesën e tij

 

Me Farukun ishim bashkëkohës jo vetëm në periudhën që zhvilluam sportin, por mbi të gjitha qemë pjesë e një gare rekordesh, sejcili në sportin e vet. Ajo që na bashkonte ishin anketat sportive që zhvilloheshin në fund të çdo viti. Si Faruku, ashtu dhe unë, zgjidheshim në 5 ose 10 sportistët më të mirë të vitit. Faruk Kalleshi ka qenë një ndër sportistët peshëngritës që ka arshivuar numrin me të madh të rekordeve në këtë sport, për periudhën në të cilën ai zhvilloi garat.

Talenti dhe mjeshtëria e këtij sportisti të madh bëri që, sa herë zhvilloheshin kampionatet kombëtare të peshëngritjes, ai të shënonte rekorde kombëtare. Dhe nuk kishte anketë të sportistëve më të mirë të vitit, që Faruk Kalleshi të mos ishte i pranishëm. Të gjitha këto arritje kombëtare dhe ndërkombëtare ishin rezultat i një stervitje shkencore dhe plot përkushtim që ky sportist model zhvillonte. Arritjet e këtij peshëngritësi të shkëlqyer për kohën, kanë bërë që Shqipëria të rreshtohej në shumë aktivitetete në vende nderi, si në Ballkan ashtu edhe në Europë. Mbi të gjitha ai dallohej për humanizmin, korrektesën dhe komunikimin e mirë.[84]

 

Kalleshi është qershia mbi tortën e peshngritjes shqiptare

 

Në këtë nëntitull po përmbledhim disa opinione të dhëna nga shokë e miq të Farukut. Kompioni kombëtar në sportin e boksit, Mjeshtri i Merituar Todi Janku, mendon se rezultatet e tij është e vështirë të arrihen. Ai i drejtohet Farukut me këto fjalë: Je një kampion i paarritshëm. Unë e di çdo të thotë të jesh 21 vite kampion. Atë mund ta kuptojnë vetëm sportistët e mirë. Me të drejtë e ke merituar edhe urdhrin e lartë Nderi i Kombit.[85]

Ndërsa për Osman Nokën, pesha e medaljeve të Faruk Kalleshit është më e madhe se pasha trupore e tij. Respekte për këtë legjendë.[86] Elvis dhe Aida Pjalmi i cilësojnë arritjet e sportistit Kalleshi, si krenari për gjithë shqiptarët.[87]

Fatmir Bushi thotë se ‎Faruk Kalleshi mbetet i vetmi sportist që e ka nisur dhe përfunduar karrierën si kampion. 115 rekordet e tij kombëtare, e kanë bërë Farukun të jetë si qershia mbi tortën e peshngritjes shqiptare. Ndërsa Perparim Bardhi është i mendimit se do të duhen shumë vite, ndoshta edhe breza, për t’i arritur rekordet këtij sportisti të madh të peshëngritjes shqiptare.

Nazmi Jubani mendon që Faruk Kalleshi mbetet më i madhi i Peshëngritjes Shqiptare, më i forti, dy dekada kompion, tituj të fituar atëherë, kur nuk kishim as Coca Cola e jo më substanca stimuluese. Edmond Fishta e cilëson Farukun nderin dhe lavdinë e sportit shqiptar, mjeshtër që respektohet nga të gjithë. Luigj Babaj veçon faktin që, prej mendjes së Farukut, sot përgatiten të tjerë sportist që po bëjnë emër dhe nderojnë Shqipërinë. Ndërsa Gëzim Beqo nuk do ta harroj kurrë Faruk Kalleshin dhe Belinovën, që thyenin nga 5-6 rekorde çdo vit.

 

 Opinone nga gazetarë

Bedri Islami: I afërt, i kuptueshëm dhe me shpirt fisnik

 

Kur sjell ndër mend moshën e rinisë, më duket sikur kam gjithë jetën që e njoh Faruk Kalleshin. Jetonim në dy lagje pranë njera-tjetrës. Në mes kishim aneksin e stadiumit të futbollit “Vojo Kushi”. E mbaj mend ende shtëpinë e tij, buzë rrugës, një shtëpi e ngritur nga vetë ata. Në mos qofsha i gabuar, në pjesën e pasme kishte një bahçe, karakteristikë për atë lagje të vjetër shkodrane. Faruku ishte pak më i madh në moshë se ne “më të rinjtë”. Por kishte dhuntinë që të bëhej menjëherë mik i afërt, cilësi që e kanë pak njerëz. I kuptueshëm dhe me shpirt fisnik, virtyt që e ruajti edhe kur arriti majat më të larta të sportit.

Jetën e tij sportive e kam ndjekur në shumë plane. Por si shokë fëmijërie, kam qenë pranë dhe në jetën e tij vetjake. Sa më i njohur bëhej emri i tij, aq më i afërt tregohej me njerëzit. Ishte njëri nga simbolet e qytetit, njëri nga djemtë që Shkodra i shihte me adhurim, por edhe ata ia ngrinin lart nderin me veprën e tyre.

Në atë periudhë lulëzoi një plejadë e mrekullueshme sportive, ku shquhej Sabah Bizi, Ramazan Rragami, Halil Puka, Esat Rakiqi, Selami Dani, Mendu Dibra. Të gjithë të lindur e rritur në ato lagje të vjetra. Faruku ishte njëri prej tyre. Luante bukur edhe futboll. Kishte ndjenjën e garës, por sporti i tij i madh, që do ta bënte njërin nga më të dashurit e sportit tonë, do të ishte peshëngritja. Thyerja e rekordeve për të u bë e zakonshme, ashtu si u bë e udhës që, në çdo fillim viti, ai të ishte në dhjetëshen e sportistëve më të mirë të vitit. Dëshiroj të tregoj një rast nga garat e tij, e cila, edhe pse nuk kishte atë përfundim që donim të gjithë, ka në vetvete diçka të pazakontë. Në qytetin e Shkodrës u përhap fjala se Faruk Kalleshi do të tentonte të thyente rekodrin botëror në peshëngritje. Edhe në gazetën ku punoja, erdhi një lajm i tillë dhe shefi im më tha se, do të ishte mirë të shkruanim diçka të veçantë për këtë ngjarje. Në qytet, thuajse të gjithë e kishim atë bisedë mes vetes. Për atë lajm flitej kudo, që nga furrat e bukës, ku njerëzit rrinin në rradhë e deri në strukturat e larta të shtetit.

Biseda në popull u kthye në një “buletin të përditshëm”. Shtroheshin disa pyetje: Kur do të ndodhte kjo ngjarje, në cilin vend do të organizohej, në Shkodër apo në Tiranë? Do të kishte gjykatë ndërkombëtare apo ishte e mjaftueshme gjykimi i njerëzve tanë? Do të kishte filmim apo thjeshtë ndonjë reportazh? Kush po merrej me organizimin dhe deri në biseda të tilla, që sot mund të duken të pabesueshme, si bie fjala “me çfarë ushqehej sportisti” etj. Puna shkoi deri aty, sa që një ditë, halla e nënës sime, që banonte në të njëjtën shtëpi me ne, e cila quhej , “Shtëpia e madhe e Gjylbegajve”, më pyeti, ndërsa ngjitesha shkallëve. – Thonë se ai djali i Kalleshëve do me ba diçka të veçantë, që nuk e ban bota, a asht kështu”?

Tema e thyerjes së rekordit botëror kaloi nga pragjet e shtëpive deri tek strukturat e larta të shtetit. Por ajo që mbeti në memorjen e njerëzve, ishte pritja që mpiu gjithë qytetin, me idenë se çfarë do të bëhej. Pastaj erdhi mbrëmja. Pallati i Sportit kishte aq shumë njerëz, sa të kujtonte ndonjë finale të djemve në lojën e basketbollit apo vajzave në volejboll. Kishte qenë shumë e vështirë për të gjetur një ftesë të vetme. Gjithsei, kush me ftesë, të tjerë që hynin nga dyert e pasme, bënë që të dyfishohej numri i tifozëve të sportit në atë pallat, që dikur kishte qenë Kisha e Madhe e qytetit. Ende e kam të regjistruar në kujtesë mënyrën se si rrinin njerëzit në pritje, ankthin, atë “ah-in” e tyre, kur shtanga nuk arriti të ngrihej, pastaj përsëri heshtje, sikur i gjithë qyteti kishte mungesë frymëmarrje. Krejt befas erdhi inkurajimi përmes një vorbulle duartrokitjesh që nuk ndodhnin në asnjë sallë kongresi të asaj kohe.

Mund të them pa droje se e gjithë zemra e qytetit ishte hapur për Faruk Kalleshin. Kështu do të rrinte edhe në vitet e mëpasme. Ndërsa ktheheshim në shtëpi, ndonëse nuk u arrit qëllimi asaj nate, midis dashamirësve të Farukut, përcillej e njëjta sjellje njerëzore. Askush nuk kishte deziluzion në vete. E rëndësishme ishte që një djalë i qytetit synoi të bënte diçka që ëndërrohej nga shumë vetë, në të gjithë botën. Kjo ishte e rëndësishme.

Rol me rëndësi në arritjet e Farukut ka patur edhe Lili, bashkëshortja e tij, një gjimnaste dhe akrobate e mrekullueshme, me të cilën ndanë skenën e përbashkët, por edhe iu gjetën njëri-tjetrin në një rrugë të gjatë sportive, përmes spektaklesh të shumta. Njeriu mund të shkruajë gjatë për Faruk Kalleshin, sidomos kur me të njihet që nga fëmijëria, kur ke ecur me të në vitet e para të rinisë, e ke ndjekur si bashkëqytetar në rrugën e tij të mrekullueshme sportive. Ndërkohë, ke njohur dhe njeriun e shkelqyer, i cili, megjithëse u bë njëri nga triumfet e sportit shqiptar, mbeti përsëri me zemrën e bardhë, si djemtë e lagjes së tij të vjetër. Njeriu që kurrë nuk shkeli mbi fjalën, që iu gjet të gjithëve që deshën ndihmën e përvojën e tij dhe në fund, duam apo nuk duam, është edhe sot njëri ndër legjendat e sportit tonë.[88]

 

Sotir Seferaj: Rezultatet i regjistroi në “librin e artë”.

 

Mjeshtri i Merituar i Sportit, Sotir Seferaj, pohon se Faruk Kalleshi është një nga personalitetet e shquara të sportit, e në veçanti i sportit të peshëngritjes shqiptare, që për dy dekada rresht, për 21 vjet me rradhë, ishte kampion absolut i Shqipërisë. Ai mbetet i veçantë mbi të veçantët, kampion mbi kampionët, cilësor mbi cilësorët, rrekordmen mbi rrekordmenët. I tillë është Nderi i Kombit, Faruk Kalleshi. Karriera e tij u pasurua më tej, kur filloi të punojë si trajner me ekipin e peshëngritjes për femra. Sukseset e tij u rregjistruan në librin e “Artë”, të rekordeve, tituj kampionë kombëtar dhe deri në kampionë Europe, apo nënkampion Bote, siç është rasti me sportisten e tij Fetije Kasaj, por edhe me sportistet, Romela Begaj, Bersjana Kokomani, Sherjana Ruci etj.[89]

 

Dëfrim Metasani: Më shumë se vite jetë, ka tituj dhe rekorde

 

Për mua, me pak fjalë, diçitura e jetës së një kampioni dhe rekordmeni si Faruk Kalleshi, është rezultati në veprimtarinë e tij, – shprehet gazetari sportiv Dëfrim Metasani[90]. Ja si e përshkruan ai mjeshtrin e peshëngritjes shqiptare: “Faruk Kalleshi është njeriu-sportist, i cili më shumë se vite jetë ka tituj e rekorde. Një ish-kampion që foli me gjuhën e peshës që ngrihej gjithnjë mbi shpatullat e tij. Edhe sot, ai vazhdon të mbetet njeri aktiv dhe po kaq i dëshiruar me sportin e zemrës, që është peshëngritja”.

 

Bujar Qesja: Kampion i përjetshëm

 

Faruk Kalleshi është një kampion i madh, por gjithashtu edhe një njëri i ndjeshëm, human dhe fisnik. Sigurisht, një botim enkas për këtë figurë madhore të sportit shqiptar, është e vonuar, por e merituar, – shkruan gazetari Bujar Qesja.[91] Uroj shkrimtarin Nuri Dragoj që t’ia dalë mbarë me këtë botim, i cili besoj se do të jetë tejet interesant dhe i mirëpritur. Përballë peshës së shtangës, më së pari Kalleshi ka mbajtur peshën e ndërgjegjës dhe të vetëdijes, për të përfaqësuar me shumë dinjitet dhe personalitet veten dhe shtangën shqiptare. Dhe ia ka dalë. Ai mbetet një përsonalitet i shtangës dhe asaj që i thonë “të jesh njerëzor”. Është njeri që e don sportin me gjithë shpirt, prandaj i takon racës së kampionëve dhe rekordmenëve. Faruku mbetet një shembull i mirë për brezin e ri të shtangës, të asaj shtange që shkëlqeu për vite të tëra mbi krahët e tij, në saj të djersës dhe mundit të jashtëzkonshëm. Unë e uroj komapionin tonë të mbetet përherë, kështu i ri, një dëshmi i asaj që ka bërë, por edhe i nxitjes me shembullin e vet, për atë që është tani dhe që vijon më pas. Pastë gjithnjë pranverë për kampionin tonë të përjetshëm, Faruk Kalleshi!

 

Lirim Zalla: Vepra e tij, poezi e bukur

 

Që në hapat e para të karrierës time, si gazetar sportiv i televizionit, kam përcjellë për këtë mjeshtër të rrallë, vetëm emocione, superlativa dhe krahasime dinjitoze për një kampion të vërtetë. Faruk Kalleshi ta sillte gjithçka natyrshëm, me elegancë, stil dhe profesionizëm të pa parë. Lehtësia me të cilën ai ngrinte peshat, ishte si një poezi e bukur që, ndonëse e mbyllur brenda pak sekondave, zgjatej, godiste e triumfonte fuqishëm për një kohë të gjatë. Rekordet sportive të tij janë të panumërta për peshëngritjen shqiptare. Ato, sëbashku me medaljet e laurimit të tij, formojnë hijshëm “ishullin” e triumfatorit të vërtetë, këndin e kampionit të madh dhe përshkruajnë me fakte dimensionet e mëdha të Faruk Kalleshit, të cilin sporti ynë do ta mbajë në pjesën e nderit dhe krenarisë së vet. Të shkruash për këtë gjeni të sportit shqiptar është bukur, sepse shprehesh për një mjeshtër që bëri sport të ndershëm e profesionist. Faruku e plotësoi kuadrin e vet më së miri edhe kur duart e tij u shkëputen nga boshti i shtangës, ai përsëri mbeti një njeri i shkëlqyer, specialist i devotshëm, prind dhe familjar shembullor.[92]

 

Besnik Dizdari: Themeluesi i Peshëngritjes Moderne Shqiptare

 

Për gazetarin e njohur të sportit shqiptar, Besnik Dizdari, Faruk Kalleshi është themeluesi i Peshëngritjes Moderne Shqiptare. Karriera e tij e gjatë e mbushur plot me rekorde kombëtare si dhe medaljet e shumta të fituara ndër vite në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare e plotësojnë më së miri portretin sportive të Faruk Kalleshit. Padyshim mbetet një ndër figurat me të ndritura të sportit shqiptar.[93]

 

Fatmir Mneri: Më i vogli midis të mëdhenjve

 

Faruk Kalleshin me të drejtë e cilësojmë si, më i vogli midis më të mëdhenjve të sportit shqiptar, – shprehet gazetari Fatmir Mneri.[94] Kur kujtojmë se sporti ka nxjerr yje të tillë, të bën që të krenohesh. I them 100 herë faleminderit, këtij kollosi të sportit shqiptar, për emocionet që na dhuroi me arritjet e tij befasuese.

 

Bashkim Tufa: Të shkruash për këtë figurë, është nder

 

Unë kam patur fatin të rritem me Farukun, të shkruaj për të, për arritjet e mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare. Është privilegj dhe nder të shkruash për këtë figurë të madhe të sportit shqiptar, – shprehet gazetari Bashkim Tufa.[95]

 

Tritan Kokona: Arritje të jashtëzakonshme

 

Gazetari Tritan Kokona mendon se arritjet e shkëlqyera të Farukut në fushën e sportit, e kanë burimin te respekti ndaj djersës dhe sakrificës së tij. Ajo që Faruku ka bërë për sportin është e përmasave të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare. Arritjet e tij janë të jashtëzakonshme. Rrallë kush ka bërë atë që ai ka realizuar në karrierën e tij, duke mbetur një legjendë e sportit shqiptar.[96]

 

Dashamir Dini: Simbol vlerash

 

Faruk Kalleshi për mua, qytetarët shkodranë dhe gjithë shqiptarët, ka përfaqësuar një simbol vlerash identifikuese, – thotë gazetari Dashamir Dini.[97] Një kampion i karakterit dhe fuqisë njerëzore, jeta e të cilit është e mbushur me rekorde. Ndonëse vitet kalojnë, Faruk Kalleshi mbetet i paharrueshëm te çdo qytetar i Shkodrës. Sepse “Legjenda” e tij, në kujtesën e çdo shkodrani mbetet në piedestal.

 

Alfons Zeneli: Rast unik në historinë e sportit botëror

 

Faruk Kalleshin e kam mik. E njoh prej shumë vitesh. Natyrisht si sportist e mbaj mend ashtu si të gjithë shqiptarët, që kur kam qenë fëmijë. Imazhi i parë që më vjen ndër mend, është Faruku i hipur gjithmonë në fronin e kurorëzimeve si rekordmen. Trupvogli me forcë të madhe, me shpirt e kurajo të lavdërueshme, famëmadh e i thjeshtë. Ky është Faruku. Mbajtësi i 116 rekordeve. Pa e egzagjeruar aspak, do të thosha se është një rast unik në gjithë historinë e sportit botëror. Ndaj është dhe Nderi i Kombit, pasuri kombëtare. Unë e kam për nder ta kem mik, – përfundon opinionin e vet, gazetari i televizionit shqiptar Alfons Zeneli.[98]

 

Xhevdet Zekaj: Maja e Himalajes së Sportit Shqiptar

 

Faruk Kalleshi është maja e Himalajës së Sportit Shqiptar. Ai ka 50 vjet që na ushqen me lavdinë e tij. Vështirë se gjen tjetër kënd, ku pesha e medaljeve t’ia kalojë peshës se trupit, ku numri i rekordeve t’ë kalojë treshifrorin. Përderisa ai ka fituar katër olimpiada kombëtare me medalje të arta, si pakkush, do të thotë se është mbret në sportin e peshëngritjes shqiptare. Nëse do mblidhnin kilogramët e ngritur lart nga Faruk Kalleshi, do të ishte mbushur dhe diga e Fierzës, por ky kampion i madh nuk ka marrë asgjë nga sporti, ndonëse vazhdon të jetë një perandor i heshtur, ku familja, miqtë, atdheu, dashuria për sportin, krenaria dhe lavdia, janë thesaret tij! Kampionë si ai, do të jenë në lavdinë e altarit të këtij vendi![99]

 

Skënder Temali: Një ndër yjet e sportit shqiptar

 

Për mua Faruk Kalleshi mbetet një nga yjet më të ndritur të sportit shqiptar. Nëse do të më kërkohej të vendosja emra në pesë cepat e yllit të sportit shqiptar, unë do të shkruaja: Loro Boriçi në futboll, Renato Radoja në basketboll, Pavlina Evro në atletikë, Faruk Kalleshi në peshëngritje dhe Elisabeta Karabolli në qitje.[100]

 

Shpëtim Rroqi: Të kam zili dhe jam xheloz

 

Të kam zili Faruk Kalleshi, jo vetëm pse për mua je perla e sportit shqiptar, për numrin e madh të rekordeve dhe medaljeve të shumta që ke, por edhe për më gjerë. Të kam zili dhe jam xheloz, edhe sepse ke shumë miq e shokë. Njëkohësisht e kam për nder të të kem mik.[101]

 

Gerti Çarçani: Kulmoi në peshëngritjen shqiptare

 

Mjeshtri i Merituar i Sportit, Faruk Kalleshi, është një ndër më të mëdhenjtë e sportit shqiptar, pasi në sajë të punës dhe aftësive të tij, në vitet 1960-1970, peshëngritja shqiptare njohu herë pas here kulme që e bënë atë, sportin më elitar në Shqipëri.[102]

 

 

Pasqyrë përmbledhëse

Bilanci 20 vjeçar në shifra*

 

Pavarësisht se rezultatet e arritura nga personazhi ynë i kemi pasqyruar në mënyrë periodike, e gjykuam me vend të japim në mënyrë kronologjike, por të shkurtuara, rezultatet e arritura në këtë sport të nderuar. Në këtë pjesë janë përfshirë garat e zhvilluara nga vitit 1964 deri në vitin 1984, kohë në të cilën Faruk Kalleshi ka zhvilluar aktivitetin sportiv. Shënimet e mëposhtme u shërbejnë më tepër njerëzve që e njohin këtë lloj veprimtarie sportive, por dhe dashamirësve të sportit në tërësi. Të gjitha të dhënat janë marrë nga Federata Kombëtare e Peshëngritjes Shqiptare. Për këtë, dëshiroj të falenderoj sekretarin e kësaj Federate, z. Agron Haxhihyseni, i cili pati dëshirën për të na afruar ndihmesën e tij, me rezultatet e arritura në këtë sport të nderuar, në mënyrë kronologjike.

Kampionati i 16-të Kombëtar i Peshëngritjes

 

Kampionati i 16-të Kombëtar i Peshëngritjes u zhvillua në datat 10 dhe 11 dhjetor 1964, në Pallatin e Kulturës Berat. Morën pjesë ekipet: Partizani, 17 Nëntori, Vllaznia, Tomori dhe Labinoti. U thyen 8 rekorde: Bujar Bodinaku theu një rekord, Vehap Xhindoli katër, Fehmi Telegrafi një dhe Sejdin Gjoni dy rekorde. Pesha shumë e lehtë u përfaqësua nga Faruk Kalleshi i klubit “Vllaznia”, me 207.5 kg. Pesha gjysmë e lehtë me Fehmi Telegrafin e Partizanit, me 272.5 kg, ku theu rekord kombëtar në shkëputje, nga 80 në 82.5 kg, si dhe Ramadan Martini i klubit “17 Nëntori”, me 272.5 kg.

Garat individuale

 

Garat Kombëtare individuale për vitin 1965 u zhvilluan në datat 24 dhe 25 prill, në qytetin e Vlorës. Morën pjesë ekipet: Partizani, Dinamo, Vllaznia, 17 Nëntori, Universiteti, Flamurtari dhe Tomori. U thyen 13 rekorde kombëtare. Faruk Kalleshi theu 4 rekorde, Vehap Xhindoli 5, Fehmi Telegrafi 3 dhe Shefqet Pasmaçiu 1 rekord.

Rezultatet e garave:

Pesha shumë e lehtë e përfaqësuar nga Faruk Kalleshi i klubit “Vllaznia”, me 217.5 kg. Prej tij u thyen 4 rekorde kombëtare. Në stilin e forcës nga 70 në 72.5 kg, në stilin e shkëputjes nga 60 në 62.5 kg, në të shtytjes nga 77.5 në 82.5 kg dhe në trigarësh nga 207.5 në 217.5 kg.[103]

 

Gara e Fierit

Më 3 Shtator 1965, në këndin sportiv të qytetit të Fierit, morën pjesë ekipet e Vllaznisë, Partizanit, Flamurtarit dhe 17 Nëntorit. U thyen 14 rekorde kombetare, nga të cilat 4 prej Faruk Kalleshit, Fehmi Telegrafi theu 1 rekord, Sejdin Gjoni 3, Shefqet Pasmaçiu 2 dhe Vehap Xhindoli 4. Faruk Kalleshi i klubit “Vllaznia”, me 228.5 kg, theu 4 rekorde kombëtare, në stilin e forcës me 78 kg, në shkëputje me 65 kg, në stilin e shtytjes 85 kg dhe në trigarësh me 228.5 kg.

 

Gara e Pekinit

Shqipëria u përfaqësua me peshëngritësit Faruk Kalleshi, Ymer Pampuri, Bujar Bodinaku, Bajram Canka, Asim Belinova, Islam Malaj dhe Telat Agolli. U thyen 8 rekorde kombëtare, 3 nga Faruk Kalleshi, 1 nga Ymer Pampuri dhe 4 nga Bujar Bodinaku.

Ja dhe rezultatet e këtyre garave:

Pesha më e lehtë u përfaqësua nga Faruk Kalleshi i klubit “Partizani” me 245 kg (77.5+95.5+70). U thyen tre rekorde kombëtare në stilin e forcës me 77.5 kg, në shtytje me 95 kg dhe trigarësh me 245 kg. Në këtë kampionat botëror Farku zuri vendin e katërt.

Pesha e lehtë u përfaqësua me Ymer Pampurin e klubit “17 Nëntori” me 262.5 kg (90+72.5+100), duke thyer rekordin kombëtar në stilin e forcës me 90 kg dhe u rendit në vendin e tretë.[104]

Kampionati Kombëtar Individual

 

Kampionati Kombëtar Individual për vitin 1966, u zhvillua në qytetin e Elbasanit, nga data 24 deri më 25 qershor. Morën pjesë ekipet e Partizanit, 17 Nëntorit, Dinamos dhe Labinotit. U thyen 5 rekorde kombëtare nga Faruk Kalleshi, Ymer Pampuri, Islam Balla dhe Vehap Xhindoli.

Pesha e lehtë u përfaqësua me Faruk Kalleshin e klubit “Partizani”, i cili theu rekordin kombëtar në stilin e forcës, nga 80 në 82.5 kg, i cili qe vendosur një muaj më parë në Lojrat e Ganefos.

Kampionati i 18-të Kombëtar i Peshëngritjes

 

Në datat 23-25 dhjetor të vitit 1966, në pallatin e sportit “Partizani” u zhvillua Kampionati i 18-të Kombëtar i Peshëngritjes. Morën pjesë 11 ekipe: Lokomotiva,Tomori, Luftëtari, Partizani,17 Nëntori, Universiteti, Vllaznia, Dinamo, Labinoti, Flamurtari dhe Skënderbeu. Në këtë kampionat u thyen 12 rekorde, 4 nga Faruk Kalleshi, 2 nga Ymer Pampuri, Shefqet Pasmaçiu 1, Islam Balla 1 dhe Vehap Xhindoli 4.

Pesha shumë e lehtë u përfaqësua nga Faruk Kalleshi i klubit “Partizani” me 26 kg (90+75+110), duke thyer 4 rekorde kombëtare. Në stilin e forcës nga 87.5 kg në 90 kg. Në stilin e shkëputjes nga 72.5 në 75kg, në atë të shtytjes nga 97.5 kg në 100 kg dhe në trigarësh nga 257.5 kg në 265 kg, ose 5 kg më shumë se koreani Pak Dong Vuon.

Gara e prillit

Për nder të Kongresit të 6-të të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, në pallatin e sportit “Partizani”, me 8 prill të vitit 1967, u zhvillua Kampionati i Ngritjes së Peshave , midis peshëngritësve më të mirë të kryeqytetit. Morën pjesë: Partizani, Dinamo, 17 Nëntori dhe Studenti. U thyen 5 rekorde kombëtare. Faruk Kalleshi theu një rekord, Ymer Pampuri 3 dhe Sejdin Gjoni 1. Rekordi kombëtar që theu Fauk Kalleshi për klubin “Partizani” ishte në stilin e forcës, nga 90 në 92.5 kg.

Gara e Majit

Më 20 maj 1967, në këndin sportiv “Spartaku”, të qytetit të Shkodrës, u zhvilluan garat kombëtare të ngritjes së peshave. Morën pjesë Partizani, Vllaznia, Studenti, Tomori, 17 Nëntori, Labinoti. Në atë garë u thyen 13 rekorde kombëtare. Faruk Kalleshi theu 1 rekord, Fehmi Telegrafi 1, Bujar Bodinaku 3, Shefqet Pasmaçiu 2, Bajram Canka 2, Asim Belinova 4. Faruk Kalleshi i klubit “Partizani”, theu rekordin kombëtar në stilin e forcës nga 92.5 në 95 kg.

Gara e korrikut

Në kuadrin e aktiviteteve për nder të Kupës së “Zërit të Popullit”, më 26 dhe 27 korrik të vitit 1967, në pallatin e sportit “Partizani” u zhvilluan garat e ngritjes së peshave, ku morën pjesë peshëngritësit më të mirë të kryeqytetit dhe të klubit “Vllaznia”. Aty u thyen 3 rekorde kombëtare, një Faruk Kalleshi, një nga Ymer Pampuri dhe një nga Bujar Bodinaku. Ky aktivitet u konsiderua si Kupa e Republikës. Në stilin e shkëputjes, Faruku theu rekordin kombëtar nga 100 në 102.5 kg.

Gara e gushtit

Për nder të Kongresit të 5-të të Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë, më 26 gusht 1967, u zhvilluan në kryeqytet garat midis peshëngritësve më të mirë. Morën pjesë ekipet e Partizanit, 17 Nëntorit, Studentit dhe Dinamos. Në atë garë u thyen 6 rekorde kombëtare, 2 prej Faruk Kalleshit, 1 nga Ymer Pampuri, 2 nga Shefqet Pasmaçiu dhe 1 nga Bujar Bodinaku.

Gara e tetorit

Garat Kombëtare Individuale për vitin 1967 u zhvilluan nga datat 6 deri më 8 tetor, në qytetin e Vlorës. Ishin pjesëmarrëse ekipet e Partizanit, Vllaznisë, Flamurtarit, 17 Nëntorit, Labinotit, Dinamos dhe Apollonisë. Për peshën 52 kg që përfaqësohej nga Faruk Kalleshi i Partizanit, me 270 kg (95+72.5+102.5), u thye rekordi kombëtar në stilin e forcës, nga 97.5 në 100 kg.[105]

Kampionati i 19-të Kombëtar i Peshëngritjes

 

Kampionati i 19-të Kombëtar i Peshëngritjes u zhvillua nga data 21 deri më 24 dhjetor të vitit 1967, në qytetin e Beratit. Morën pjesë Partizani, Dinamo, Flamurtari, Lokomotiva, Tomori, 17 Nëntori, Vllaznia, Elbasani, Studenti dhe Labinoti. Në atë kampionat u thyen 5 rekorde kombëtare. Bujar Bodinaku me 335 kg, Shefqet Pasmaçiu në shtytje nga 132,5 në 135 kg, Vehap Xhindole në shkëputje nga 112,5 në 115 kg, dhe Telat Agolli në trigarësh nga 135 kg në 137.5 kg. Faruk Kalleshi i klubit “Partizani”, me 260 kg (90+70+100), që përfaqësojnë tri stilet. Sotir Tasho i klubit “Dinamo”, me 207,5 kg. (65+57.5+85) dhe Xhevahir Zeneli i klubit “Flamurtari” me 205 kg (65+60+80).[106]

 

Garat individuale

Garat individuale për vitin 1968, u zhvilluan nga datat 28 shkurt, deri më 1 mars. Këto gara u konsideruan si Kupa e Republikës. Peshëngritësit më të mirë të vendit, mjeshtra sporti dhe të kategorisë së parë, u takuan në pallatin e sportit “Partizani” të kryeqytetit. Morën pjesë ekipet e Partizanit, 17 Nëntorit, Tomorit, Apollonisë, Dinamos dhe Labinotit. U thyen 6-të rekorde kombëtare. Faruk Kalleshi në peshën 52kg, që edhe në këtë garë ai përfaqësonte klubin “Partizani” me 285 kg. (97.5+77.5+110), theu 2 rekorde kombëtare. Në shtytje nga 105 në 107.5 kg dhe 110 kg, ndërsa në trigarësh nga 275 në 280 kg.

Takimi midis klubeve të kryeqytetit

Takimi midis klubeve të kryeqytetit u zhvillua më 28 prill në Tiranë, ku morën pjesë 4 klubet sportive të kryeqytetit: 17 Nëntori, Dinamo, Studenti dhe Partizani. Aty u vendosën 6 rekorde të reja kombëtare. Ja rezultatet e këtij takimi:

Për peshën 52 kg, Sotir Tasho i klubit “Dinamo”, me 220 kg (70+62.5+87.5), Niko Teli i klubit “Partizani” me 212,5 kg (70+62.5+80) dhe Ramazan Turku i 17 Nëntorit, 192,5 kg. (60+57.5+75). Ndërsa në peshat nga 52-56 kg, Faruk Kalleshi i klubit “Partizani”, me 295 kg (105+82.5+107.5), theu dy rekorde kombëtare në stilin e forcës nga 102.5 në 105 kg. Enver Çobani i 17 Nëntorit në trigarësh kapi shifrat 220 kg (60+70+90) dhe Xhemal Qarri i klubit “Dinamo” me 217,5 kg. (70+62.5+85).[107]

Gara individuale

Në datat 25-26 maj 1968, në qytetin e Elbasanit, u zhvillua edhe një garë individuale me pjesëmarrjen e ekipeve të Partizanit, 17 Nëntorit, Skënderbeut, Vllaznisë, Labinotit, Lokomotivës, Studentit, Dinamos dhe Tomorit. Rezultatet e kësaj gare qenë si më poshtë:

Në peshën deri në 52 kg morën pjesë Niko Teli i klubit “Partizani” me 222.5 kg (75+62.5+85), Sotir Tasho i klubit “Dinamo” me 215 kg. (70+60+85) dhe Bajram Buna i ekipit të Korçës me 212.5 kg. (67.5+60+85).

Në peshën 52-56 kg, garuan Faruk Kalleshi për Partizanin me 262.5 kg. (97.5+75+90), Enver Çobani i klubit “17 Nëntori” me 225 kg. (65+70+90) dhe Nikolin Goci i Vllaznisë me 220 kg. (70+62.5+87.5).

Takim midis klubeve të kryeqytetit

Takimi midis klubeve të kryeqytetit u bë më 7 korrik 1968, në Tiranë.

Për peshën 52 kg garuan Niko Teli për Partizanin me 225 kg. (75+65+85), Sotir Tasho i Dinamos me 217.5 kg. (70+62.5+85), ndërsa për peshën 52-56 kg u përballën midis tyre Faruk Kalleshi i klubit “Partizani” me 290 kg. (107.5+75+107.5), Enver Çobani i 17 Nëntorit me 225 kg (65+70+90) dhe Xhemal Qarri i Dinamos me 215 kg (70+60+85).

Gara Kombëtare e më të mirëve

Në garën kombëtare midis më të mirëve, zhvilluar më 22 Shtator 1968, në pallatin e sportit “Partizani” në Tiranë, morën pjesë klubet Vllaznia, Dinamo, Skënderbeu, Partizani, 17 Nëntori, Tomori, Lokomotiva. Në atë garë u thyen 4 rekorde kombëtare nga sportistët Bujar Bodinaku dhe Asim Belinova. Për peshën 52 kg konkuruan Niko Teli për Partizanin me 240 kg (80+65+95), Sotir Tasho për Dinamon me 225 kg (75+60+90) dhe Bajram Buna i Korçës me 135kg (75+60+90). Në peshën 56 kg mori pjesë Faruk Kalleshi i Partizanit me rezultatin 265 kg (97.5+70+97.5) dhe Emin Buna, po i Partizanit, me 250 kg (85+70+95).

Garat e klubeve të kryeqytetit

Garat e klubeve të kryeqytetit, u zhvilluan më 7 Nëntor, 1968. Morën pjesë klubet sportive të kryeqytetit: Dinamo, Partizani, 17 Nëntori dhe Studenti. Për peshën 52 kg garuan Niko Teli i Partizanit me 240 kg (80+67.5+92.5) dhe Sotir Tasho i Dinamos, 227,5 kg (70+65+92.5). Në peshën 56 kg, Faruk Kalleshi i Partizanit me rezultatin 292,5 kg (105+80+107.5), Xhemal Qarri për Dinamon me 220 kg (70+60+90) dhe Gudar Beqiraj i klubit “Studenti” me 217,5 kg (75+57.5+85).

Kampionati i 20-të Kombëtar i Peshëngritjes

Kampionati i 20-të Kombëtar i Peshëngritjes u zhvillua me 13 dhe 14 dhjetor 1968 në Tiranë, në pallatin e sportit “Partizani”. Morën pjesë ekipet më të mira të vendit tone si Partizani, 17 Nëntori, Tomori, Vllaznia, Dinamo dhe Labinoti. Në të u thyen 7 rekorde kombëtare, 2 nga Bujar Bodinaku, 3 nga Bajram Canka, 1 nga Faruk Kalleshi dhe 1 nga Ferid Brberi. Për peshën 52 kg garuan Niko Teli i Partizanit me 247 kg (82.5+70+95), Sotir Tasho i Dinamos, 240 kg (77+67+95) dhe Xhevair Zeneli i Flamurtarit me 217,5 kg (75+57.5+85). Në peshën 52-56 kg Faruk Kalleshi i Partizanit me rezultatin 300 kg (110+80+110), duke thyer dhe rekordin kombëtar në 110 kg. Nikolon Gaci i Vllaznisë me 235 kg (70+70+95) dhe Enver Çobani i ekipit të 17 Nëntorit me 235 kg (70+70+95).[108]

 

 

Garat e marsit

Në datat 8 dhe 9 mars 1969, në pallatin e sportit “Partizani”, u zhvilluan garat kombëtare të ngritjes së peshave. Morën pjesë Dinamo, Studenti, Vllaznia, Partizani, 17 Nëntori, Labinoti dhe Lokomotiva. U vendosën 10 rekorde kombëtare nga Faruk Kalleshi dhe Asim Belinova. Faruk Kalleshi i Vllaznisë garoi në peshën e lehtë me 285 kg (102.5+75+107.5) dhe theu 3 rekorde kombëtare, në stilin e forcës me 102, në shtytje 107.5 kg dhe në trigarësh me 285 kg. Sotir Tasho i Dinamos me rezultatin 240 kg (77.5+65+97.5) dhe Niko Teli i Partizanit me 237,5 kg (80+65+92.5).

Garat e prillit

Për nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, në datat 5 dhe 6 prill 1969, u zhvilluan garat kombëtare të më të mirëve për peshëngritjen. Garat u zhvilluan në parkun sportiv “Nako Spiro” të qytetit të Durrësit. Ishin pjesëmarrës ekipet e Partizanit, Vllaznisë, Tomorit, Dinamos dhe Studentit. U thyen 12 rekorde kombëtare, 2 nga Faruk Kalleshi, 1 nga Bujar Bodinaku, 3 nga Ferit Berberi dhe 6 prej Asim Belinovës.

Për peshat e lehta garuan Niko Teli i Partizanit me 247.5 kg (77.5+70+100) dhe Sotir Tasho i Dinamos me 142.5 kg. (75+67.5+0). Ndërsa në kategorinë “pasha shumë e lehtë” morën pjesë Emin Buna i Skënderbeut me 272.5 kg (85+77.5+110), Xhemal Qarri i Dinamos me 260 kg (85+70+105) dhe Bajram Buna i Skënderbeut me 240 kg (85+65+90). Në këtë garë Faruk Kalleshi theu 2 rekorde kombëtare, në shkëputje nga 82.5 në 85 kg dhe në shtytje nga 112.5 në 115kg.

Spartakiada e 2-të Kombëtare

Spartakiada e 2-të Kombëtare u zhvillua nga datat 1 deri në 3 shtator 1969, në pallatin e sportit «Partizani». Morën pjesë: Partizani, Dinamo, 17 Nëntori, Shkodra, Durrësi, Fieri, Vlora, Berati, Elbasani dhe Korça. U vendosën 8 rekorde të reja kombëtare, 4 nga Faruk Kalleshi dhe 4 nga Asim Belinova. Në peshën 52 kg Faruk Kalleshi përfaqësonte Shkodrën me 297.5 kg (105+82.5+110). Rekordet e thyera prej tij ishin në stilin e forcës me 105 kg, në shkëputje me 82,5 kg, shtytje 110 kg dhe trigarësh me 297.5 kg. Niko Teli i Partizanit në trigarësh arriti rezultatin 252.5 kg (80+72.5+100) dhe Sotir Tasho i Dinamos 237.5 kg (75+65+97.5). Në klasifikimin e përgjithshëm ekipor, në vend të parë për spartakiadën e 2-të Kombëtare u shpall ekipi i Dinamos. Ndërsa sportistë kampionë, sipas peshave ku garonin, u shpallën: Faruk Kalleshi me 297.5 kg, Ymer Pampuri me 275 kg, Fatmir Shyti me 270 kg, Bujar Bodinaku me 335 kg, Isuf Saliçaj me 320 kg, Ferid Berberi me 375 kg, Vehap Xhindoli me 365kg dhe Asim Belinova me 440 kg.[109]

Garat e Mjeshtrave të Sportit

Garat e Mjeshtrave të Sportit u zhvilluan më 21 Shtator 1969, në pallatin e Sportit të qytetit të Shkodrës. U thyen 5 rekorde kombëtare, 2 nga Faruk Kalleshi dhe 3 nga Ferit Berberi. Faruk Kalleshi i Vllaznisë me 297.5 kg (107.5+75+115+), theu 2 rekorde kombëtare, në stilin e forcës me 112.5 kg dhe trigarësh me 297.5 kg. Niko Teli i Partizanit realizoi ngritjen e peshës 255 kg (80+75+100) dhe Sotir Tasho i Dinamos 235 kg (75+65+95).

Kampionati i 21-të Kombëtar i Peshëngritjes

 

Kampionati i 21-të Kombëtar i Peshëngritjes u zhvillua në datat 16-18 tetor 1969, në qytetin e Vlorës. Në këtë kampionat u thyen 2 rekorde kombëtare nga Asim Belinova dhe Ferit Berberi. Morën pjesë ekipet më të mira të vendit, Partizani, 17 Nëntori, Tomori, Vllaznia, Dinamo dhe Labinoti.

Rezultatet e këtij kampionati për peshën e lehtë ishin: Nikollaq Teli i Partizanit me 252.5 kg (82.5+72.5+97.5), Sotir Tasho i Dinamos me 245 kg (80+70+95) dhe Tasim Aliaj i Studentit me 227.5 kg (70+65+92.5). Për peshën gjysmë të lehtë, garuan Faruk Kalleshi i Vllaznisë, i cili mori pikët maksimale me 300 kg (110+80+110), i pasuar nga Xhovan Tanku i Tomorit me 270 kg (90+80+100) dhe Zeqir Fishta për Dinamon me 260 kg (75+80+105).

Takimi kombëtar

Në datat 14 dhe 15 mars 1970 u organizua një takim kombëtar, për peshëngritësit e kategorisë së parë. Ky aktivitet u zhvillua në Tiranë, në pallatin e sportit “Partizani”, me pjesëmarrjen e ekipeve: Vllaznia, Dinamo, Partizani, 17 Nëntori dhe Studenti. U thyen 2 rekorde kombëtare nga Ferid Berberi. Në peshën 52 kg konkuruan Niko Teli për Partizanin me rezultatin 245 kg (85+70+90), Hiqmet Pampuri për Dinamon me 220 kg (75+60+85) dhe Kujtim Emini i ekipit të 17 Nëntorit me 125 kg (70+55+0). Për peshën deri në 56 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë 297,5 kg (105+80+112.5), Zeqir Fishta për Dinamon me 265 kg (80+80+105) dhe Nikolin Qyrsaçi i Partizanit me 247,5 kg (82.5+70+95).[110]

Garat Kombëtare Individuale

Garat Kombëtare Individuale të vitit 1970 u zhvilluan më 30-31 maj, në pallatin e sportit “Vllaznia” të qytetit të Shkodrës. Aty morën pjesë Vllaznia, Dinamo, 17 Nëntori, Studenti dhe Partizani. Në to u thyen 12 rekorde kombëtare. Faruk Kalleshi theu 4 rekorde, Asim Belinova 4, Ferit Berberi 3 dhe Ymer Pampuri 1.

Për peshën 52 kg garuan Tasim Aliaj i klubit “Studenti” me rezultatin 227,5 kg (67.5+67.5+92.5), Xhevahir Zeneli i Flamurtarit me 227,5 kg (70+65+92.5). Për peshat deri në 56 kg, Faruk Kalleshi i klubit “Vllaznia” me 322.5 kg (115+87.5+120), i cili theu 4 rekorde kombëtare, në shkëputje me 115 kg, në shtytje me120 kg dhe trigarësh nga 315 kg në 322.5 kg. Ndërsa Kastriot Abili i Flamurtarit realizoi 242,5 kg (80+70+92.5).

Takim Kombëtar

Takimi Kombëtar në ngritje peshe u zhvillua në datat 7- 8 Tetor 1970, në qytetin e Elbasanit. Aty u arritën këto rezultate: Për peshën 52 kg, Hiqmet Pampuri i Dinamos ngriti 230 kg (75+65+90), Xhevair Zeneli i Flamurtarit 217.5 kg (70+60+87.5) dhe Behar Çela i 17 Nëntorit 212.5 kg (65+65+82.5). Në peshat deri në 56 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë kryesoi grupin me 302.5 kg (105+82.5+115), Niko Teli i Partizanit me 277.5 kg (95+77.5+105) dhe Zeqir Fishta i Dinamos me 270 kg (82.5+80+107.5).

Gara e Tiranës

Gara e Tiranës u zhvillua në datat 30 dhe 31 tetor të vitit 1970. Morën pjesë 6 ekipet më të mira të vendit: 17 Nëntori, Studenti, Labinoti, Dinamo, Partizani, Vllaznia. U thyen 9 rekorde kombëtare, 1 nga Faruk Kalleshi, 1 Fatmir Shyti, 1 Ymer Pampuri, 3 Bujar Bodinaku dhe 3 Asim Belinova. Në peshën 52 kg, Faruk Kalleshi i Partizanit arriti 290 kg, ose 40 kg më shumë se Niko Teli, i cili renditej pas tij dhe 50 kg më tepër se Hiqmet Pampuri.

Kalleshi më i miri

Si ekip kampion për vitin 1970, u shpall ekipi i Partizanit, në të dytin ai i Vllaznisë dhe në të tretin ekipi i 17 Nëntorit. Për vitin 1971, Faruk Kalleshi i Partizanit u shpall ndër 10 sportistët me të mirë të Shqipërisë.

Takim Kombëtar Individual

Takimi Kombëtar Individual, me ekipet e kryeqytetit dhe të ftuar nga rrethet, u zhvillua në datat 3-4 mars të vitit 1971. Morën pjesë ekipet: Vllaznia, Partizani, Dinamo dhe Studenti. Garat u zhvilluan në pallatin e sportit “Partizani” të kryeqytetit. Ja dhe rezultatet e këtij takimi: Për peshën deri në 56 kg, Faruk Kalleshi për Vllazninë me 287.5 kg (107.5+75+105), Zeqir Fishta për Dinamon me 277.5 kg (80+85+112.5) dhe Niko Teli i Partizanit me 197.5 kg (92.5+0+105).

Kampionati i 23-të Kombëtar i Peshëngritjes

Kampionati i 23-të Kombëtar i Peshëngritjes u zhvillua në qytetin e Shkodrës, në këndin sportiv “Spartak’’, në datat 15 dhe 16 qershor 1971. Morën pjesë 6 ekipe, Vllaznia, Partizani, Dinamo, 17 Nëntori, Studenti dhe Tomori. Stina e nxehtë e verës dhe përgatitja e pamjaftueshme e peshëngritësve, bëri që rezultatet e tyre të ishin modeste. Lufta për titullin kampion u diskutua midis ekipeve të Dinamos dhe Partizanit. Në ekipin Dinamovit spikati Koçi, ndërsa në atë ushtarak, Mustafaraj dhe Gjyli, të cilët në peshën e shtatë dhe të tetë, triumfuan ndaj ekipit Dinamovit, duke e shpallur Partizanin kampion.

Rezultatet e këtij kampionati ishin të pëlqyshme. Në peshën 52 kg garoi Faruk Kalleshi i Vllaznisë që udhëhoqi grupin me 280 kg (95+75+110), pasuar nga Niko Teli i Partizanit me 257.5 kg (85+72.5+100) dhe Hyqmet Pampuri i Dinamos me 237.5 kg (80+65+92.5).

Gara e kryeqytetit

Më 13 nëntor të vitit 1971, në pallatin e sportit “Partizani” u zhvillua një garë me pjesëmarrjen e ekipeve të Vllaznisë, Partizanit, 17 Nëntorit, Skënderbeut, Dinamos dhe Studentit. U thyen 9 rekorde kombëtare, 4 nga Ismail Kurti, 3 nga Telat Agolli, 2 nga Vangjel Braho. U arritën këto rezultate: Në peshën 56 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë në vend të parë me 285 kg (100+80+105), Zeqir Fishta i Dinamos me 280 kg (90+85+105) dhe Niko Teli i Partizanit me 275 kg (95+75+105).

Garat Kombëtare Individuale

Garat Kombëtare Individuale u zhvilluan më 29-30 mars 1972, në pallatin e sportit “Partizani” të kryeqytetit. Në këto gara morën pjesë ekipet e Dinamos, Partizanit,Vllaznisë, 17 Nëntorit, Studentit dhe Labinotit. U thyen 5 rekorde kombëtare për të rritur, nga sportistët Faruk Kalleshi, Bujar Bodinaku, Asim Belinova, Ymer Pampuri, secili nga një rekord dhe Gac Nushi 2. U thyen dhe 6 rekorde për të rinj, 1 nga Agim Mushi i Labinotit, 4 Ymer Feriati i Partizanit, 1 Hyqmet Pampuri i Dinamos. Më konkretisht për peshën 52 kg, Faruk Kalleshi për Vllazninë udhëhoqi me 285 kg (100+77.5+107.5), ku theu rekordin kombëtar në shkëputje me 83 kg, Sotir Tasho i Dinamos me 240 kg (75+70+95) dhe Beqir Baçinori i Apollonisë me 227.5 kg (80+60+87.5).[111]

Takim përgatitor

Në kuadrin e përgatitjeve të ekipit tonë për Kampionatin Europian të Peshëngritjes, i cili zhvillohej në Kostanca të Rumanisë, në datën 3 maj 1972 u zhvillua një garë kontrolli në pallatin e sportit “Partizani”. Aty morën pjesë përfaqësues të ekipit kombëtar dhe u thyen 13 rekorde, 1 nga Faruk Kalleshi, 1 Ymer Pampuri, 1 Shtjefën Thaçi, 1 nga Kozma Qeraxhiu, 2 nga Maksim Rrapaj, 3 nga Asim Belinova dhe 4 nga Gac Nushi. Faruk Kalleshi theu rekordin kombëtar në shkëputje, nga 83 në 83.5 kg.

Takim Ndërkombëtar

Takimi Ndërkombëtar i Peshëngritësve të Republikës Popullore të Shqipërisë me

atë të Republikës së Rumanisë, u zhvillua në maj të vitit 1972. Në atë takim Faruk Kalleshi arriti rezultatin 291 kg (100+83.5+107.5), Niko Teli 275 kg (90+80+105) dhe rumuni Janko Vasili 272.5 kg (82.5+80+110).

Takimi individual

Takimi individual i më të mirëve u realizua në Fier, në datat 29-30 shtator 1972. U paraqitën ekipet e Vllaznisë, Apollonisë, Studentit, Dinamos, Partizanit, 17 Nëntorit, Skënderbeut, Labinotit, Flamurtarit dhe Lokomotivës. Në ato gara u thyen 11 rekorde kombëtare, 1 nga Fatmir Shyti, 1 nga Kozma Qeraxhiu, Mihal Hoço 2, Kujtim Cenaj 2, Maksim Rrapaj 1, Ymer Feriati 4. Rezultatet e këtij takimi ishin: Në peshën 52 kg, Sotir Tasho i Dinamos me 252.5 kg. (80+72.5+100), Kristo Bulluri i klubit Studenti me 232.5 kg. (75+65+92.5), Beqir Baxhanozi i Apollonisë 227.5 kg (75+65+87.5). Për peshën 56 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë, 297.5 kg (105+82.5+110), Niko Teli i Partizanit, 287.5 kg (97.5+80+110) dhe Sulejman Kurti i Partizanit, 275 kg (87.5+82.5+105).[112]

Kampionati i 24-t Kombëtar i Peshëngritjes

Kampionati i 24-t Kombëtar i Peshëngritjes u zhvillua në Tiranë, më 15-16 nëntor 1972. Morën pjesë ekipet: Vllaznia, Dinamo, Partizani, 17 Nëntori, Labinoti. U vendosën 13 rekorde të reja kombëtare, 4 nga Faruk Kalleshi, po kaq nga Hyqmet Pampuri, 5 nga Vangjel Braho, Niko Teli, Kozma Qeraxhi e Fatmir Shyti.

Faruk Kalleshi realizoi 293 kg (100+80+113) dhe në stilin e shtytjes theu rekordin duke ngritur 113 kg. Sotir Tasho i Dinamos u rendit në vend të dytë me 247.5 kg (80+72.5+95) dhe Ibrahim Hajdari i Labinotit, 240 kg (70+70+100).

 

Gara e Tiranës

Në takimin Kombëtar të 7-8 shkurtit të vitit 1973, i zhvilluar në kryeqytet, morën pjesë: Lokomotiva, Vllaznia, Partizani, Studenti, 17 Nëntori dhe Dinamo. U thyen 3 rekorde për të rritur nga Ymer Pampuri, Fatmir Shyti, Bujar Bodinaku. Duhet theksuar se atë vit filloi klasifikimi i peshëngritësve në shumën e dygarshit, pasi klasifikimi i mëparshëm me trigarësh nuk llogaritej më, për shkak të heqjes së stilit të forcës.

Rezultatet e këtij takimi për peshat 52-56 kg ishin: Faruk Kalleshi i Vllaznisë, 192.5 kg (80+112.5), Niko Teli i Partizanit,192.5 kg (85+107.5) dhe Sotir Tasho i Dinamos, 175 kg (72.5+102).

Takim miqësor

Ekipi ynë kombëtar zhvilloi një takim ndërkombëtar me përfaqësuesen e Bukureshtit më 7 shtator 1973, ku u vendosën 5 rekorde të reja kombëtare. Niko Teli i Partizanit, në peshën deri 52 kg. theu dy rekorde, në shkëputje me 85 kg dhe në dygarësh me 195 kg. Sulejman Kurti i Partizanit i peshës deri 56 kg, theu rekordin në shkëputje, duke e çuar atë në 93 kg. Mirëpo edhe ky rekord nuk e pati jetën të gjatë, sepse, në vazhdim të garës, Faruk Kalleshi i Vllaznisë e çoi në 93.5 kg. Rekordin e pestë, e vendosi Fatmir Shyti i Lokomotivës për peshën deri në 67,5 kg, i cili në stilin e shkëputjes ngriti 110,5 kg. Me këto rekorde të vendosura në Bukuresht të Rumanisë, peshëngritësit tanë e çuan në 56 numrin e rekordeve të atij viti.

Kampionati i 25-të Kombëtar i Peshëngritjes

Kampionati i 25-të Kombëtar i Peshëngritjes u zhvillua në datat 14 dhe 15 nëntor 1973, në pallatin e sportit “Partizani” në Tiranë. Në këtë kampionat u vendos për herë të parë dy garëshi olimpik. Në gusht të atij viti, dy peshëngritësit shkodranë, Asim Belinova dhe Faruk Kalleshi, u shpallën Mjeshtra të Merituar të Sportit. Në kampionat morën pjesë, Partizani, Vllaznia, Dinamo, 17 Nëntori, Lokomotiva dhe Studenti. U thyen 7 rekorde për të rritur, dhe tre për të rinj. Dy rekorde u thyen nga Niko Teli, ndërsa sportistët Faruk Kalleshi, Xhemal Qarri, Nikolin Qyrsaçi, Fatmir Shyti, Ymer Pampuri, Kozma Qeraxhiu thyen nga një rekord. Në peshën 52 kg u arritën këto rezultate: Niko Teli për Partizanin, 197.5 kg (87.5+110), që theu rekordin kombëtar në shkëputje nga 84.5 kg në 87.5 kg dhe në dygarësh nga 195 në 197.5 kg. Në peshën 56 kg, Faruk Kalleshi për Vllazninë mundi të ngrejë 203.5 kg (80+123.5) dhe theu rekordin në shtytje, nga 122.5 në 123.5 kg dhe Xhemal Qarri i Dinamos, 203 kg (79.5+125.5), me thyerje rekordi në stilin e shtytjes, nga 123.5 në 125 kg.[113]

Kampionati Europian

Kampionati Europian u zhvillua në Verona të Italisë, nga data 29 maj deri më 3 qershor të vitit 1974. Në këtë Kampionat Europian, ekipi ynë kombëtar u përfaqësua me peshëngritësit e mëposhtëm dhe vendosi 3 rekorde kombëtare: Faruk Kalleshi, vendosi një rekord të ri kombëtar në shtytje me 115 kg. Niko Teli në peshën 52 kg, me 197.5 kg (87.5+110), u rendit në vend të 9-të. Xhemal Qarri në peshën 56 kg, me 215 kg (90+125), po në vendin e 9-të dhe Ymer Pampuri në peshën 60 kg, me 230 kg (92.5+137.5), u rendit i 12-ti, por theu rekordin kombëtar në shtytje.

Kampionati i 26-të Kombëtar

Kampionati i 26-të Kombëtar i Peshëngritjes, për vitin 1974, u zhvillua në këndin sportiv “Spartak” të qytetit të Shkodrës, në datat 30-31 gusht. Rezultatet e këtij kampionati në peshën 52 kg ishin: Faruk Kalleshi i Vllaznisë 198 kg (90.5+107.5), theu rekordin kombëtar në stilin e shkëputjes, nga 87.5 në 90.5 kg. Sotir Tasho për Dinamon, me 177.5 kg (75+102.5) dhe Behar Çela i Tomorit me 170 kg (80+90)

Takimi i dytë ndërkombëtar

Më datën 6 shtator 1974, në Pallatin e sportit të qytetit të Shkodrës, u zhvillua takimi i dytë miqësor ndërkombëtar, ndërmjet ekipit B të peshëngritësve të Republikën Popullore të Kinës dhe atij të Vllaznisë. Serinë e rezultateve të larta dhe rekordeve e çeli Faruk Kalleshi në stilin e shkëputjes, i cili ngriti 91 kg nga 90,5 kg. Por ky nuk u kënaq me thyerjen e këtij rekordi. Edhe në shtytje ai e përmirësoi rekordin, nga 115 kg në 115.5 kg. Kësisoj edhe dygarëshi nga 205 me 206.5 kg. Në këtë peshë, u vendos rekord i ri edhe nga peshëngritësit kinezë.

Spartakiada e 3-të Kombëtare

Spartakiada e 3-të Kombëtare u zhvilluan në Tiranë, në tetor të vitit 1974 dhe morën pjesë ekipet e Partizanit, 17 Nëntorit, Dinamos, Studentit, Shkodra, Durrësi, Berati. Ja dhe fituesit e kësaj spartakiade: Për peshën 52 kg, Faruk Kalleshi për Shkodrën, 200 kg ( 85+116). Ai theu rekordin kombëtar në shtytje nga 115.5 në 116 kg, Niko Teli i Partizanit me rezultatin 192.5 kg (85+107.5) dhe Behar Çela i Tomorrit, 180 kg (85+95).[114]

Garat individuale

Garat e para Kombëtare individuale për vitin 1975, nisën më 19-20 mars në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit. Morën pjesë ekipet: Vllaznia, Tomori, Dinamo, Partizani, 17 Nëntori dhe Lokomotiva. U thyen tre rekorde kombëtare. Faruk Kalleshi 1, Xhemal Qarri 1, Kozma Qeraxhiu 1. Për peshën 52 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë ngriti 199 kg, duke thyer rekordin në shtytje nga 116 në 116.5 kg. Sotir Tasho i Dinamos me 177.5 kg (75+102.5).

Kampionati i 27-të Kombëtar i Peshëngritjes

Kampionati i 27-të Kombëtar i Peshëngritjes u zhvillua në Tiranë, në Pallatin e Sportit “Partizani”, nga datat 28-29 tetor 1975. Morën pjesë: Partizani, Vllaznia, Dinamo, Lokomotiva, 17 Nëntori. U thyen 7 rekorde kombëtare, 1 nga Nikolin Qyrsaçi, 1 Fatmir Shyti, Bujar Bodinaku 2, Asim Belinova 3. Për peshën 52 kg, Faruk Kalleshi, si gjithmonë në krye të grupit me rezultatin 197.5 kg (87.5+110), Niko Teli, 195 kg (87.5+107.5) dhe Xhavit Rrapaj i 17 Nentorit, 180 kg (75+105).[115]

Takimi Kombëtar i më të mirëve

Takimi Kombëtar i më të mirëve për vitin 1975 u zhvillua në qytetin e Shkodrës, më 4-5 dhjetor. Ishin pjesëmarrës ekipet: Vllaznia, Partizani, Lokomotiva. Ja dhe rezultatet e këtij takimi. Për peshën 52 kg, Niko Teli i Partizanit me 187.5 kg (85+102.5), Xhavit Rrapaj i 17  Nëntori,180 kg (75+105). Në peshën 56 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë, 197.5 kg (87.5+110).

Kupa e Republikës

Kupa e Republikës për vitin 1976, u zhvillua në datat 3-4 mars në Tiranë. Ishin pjesëmarrëse ekipet: 17 Nëntori, Vllaznia, Lokomotiva, Dinamo, Partizani dhe Skënderbeu. Në këtë Kupë u thyen 3 rekorde nga Faruk Kalleshi. Rezultatet e kësaj Kupe janë si më poshtë: Pesha 52 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë, 207,5 kg (91.5+117.5), i cili theu rekordin kombëtar në shkëputje, shtytje dhe dygarësh. Xhavit Rrapaj i 17 Nëntorit, 185 kg (80+105).

Kampionati i 35-të Europian i Peshëngritjes

Kampionati i 35-të Europian i Peshëngritjes (Senior) u zhvillua 3-11 prill 1976, në Berlin DDR. Rezultatet e këtij kampionati për peshën deri në 52 kg, ishin: Faruk Kalleshi 200 kg (85+115), zuri vendin e 8-të, ndërsa Niko Teli u skualifikua.

Kampionati i 28-të Kombëtar i Peshëngritjes

Kampionati i 28-të Kombëtar i Peshëngritjes u zhvillua në pallatin e sportit “Partizani” më 20-21 tetor 1976. Morën pjesë këto ekipe: Vllaznia, Partizani, 17 Nëntori, Dinamo, Lokomotiva. U thyen 4 rekorde kombëtare nga sportistët Faruk Kalleshi, Shtjefën Thaçi, Maksim Rrapaj e Asim Belinova. Në peshën 52 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë arriti të ngrejë 195 kg (85+110) dhe Xhavit Rrapaj i 17 Nëntorit, 180 kg (75+105).

Kampionati i 29-të kombëtar i peshëngritjes

Ky kampionat u zhvillua në datat 16-18 nëntor 1977, në Pallatin e Sportit “Partizani” në Tiranë. Morën pjesë këto ekipe: Vllaznia, 17 Nëntori, Tomorri, Dinamo, Labinoti, Lokomotiva, Flamurtari dhe Partizani. U thyen 3 rekorde kombëtare për të rritur dhe 2 për të rinj.

Kupa e Republikës

Kupa e Republikës u zhvillua më 29-31 mars 1978, në Pallatin e Sportit “Partizani”. Morën pjesë, Vllaznia, 17 Nëntori, Partizani, Tomori, Dinamo, Skënderbeu, Studenti, Lokomotiva, Apollonia dhe Labinoti. Nuk u thye asnjë rekord kombëtar. Në peshën 52 kg, Faruk Kalleshi arriti rezultatin 197.5 kg (87.5+110), Xhavit Rrapaj, 190 kg (82.5+107.5) dhe Vasil Hoço i Partizanit,187.5 kg (87.5+100).

Garat individuale

Garat individuale të këtij viti u zhvilluan në qytetin e Korçës, më 30 maj 1978. Morën pjesë: Vllaznia, 17 Nëntori,Tomori, Partizani, Studenti, Labinoti, Skënderbeu, Apollonia dhe Dinamo. Në këtë garë, në peshën 52 kg, Faruk Kalleshi realizoi 197 kg (87.5+110).

 

Kampionati i 9-të Ballkanik

Në këtë kjampionat, sportistët shqiptarë mundën të merrnin gjashtë medalje argjendi dhe bronzi. Aty u shquan Faruk Kalleshi, Ymer Pampuri, Xhavit Rrapia e Mihal Hoço. Ekipi shqiptar i peshëngritjes mori pjesë në Kampionatin e 9-të Ballkanik, të organizuar në Selanik të Greqisë, në datat 17-19 nëntor. Shqipëria përfaqësohej nga peshëngritësit Xhavid Rrapia, Faruk Kalleshi, Xhemal Qarri, Përparim Feruni, Ymer Pampuri, Mihal Hoço, Sotiraq Dhamonica, Maksim Rrapaj, Gac Nushi. Në kategorinë e peshës deri 52 kg, dy herë nënkampioni i Ballkanit, Mjeshtri i Merituar i Sportit, sfiduesi i moshës dhe i rekordeve Faruk Kalleshi, meritoi medaljen e argjendtë në stilin e shtytjes me 112,5 kg, ndërsa në dygarësh, përsëri medalje argjendi dhe zuri vendin e dytë me 197.5 kg. Më pas, edhe peshëngritësi Xhavid Rrapia klasifikohet i treti, duke marrë medaljen e bronzit me 110 kg në shtytje. Medalja tjetër i përket Mjeshtrit të Merituar të Sportit, Ymer Pampuri. Medalje bronxi mori dhe Mihal Hoço, i cili në stilin e shkëputjes barazoi rekordin kombëtar me 115 kg.

Kampionati 30-të kombëtar i peshëngritjes

Kampionati 30-të u zhvillua në datat 13-15 dhjetor 1978, në pallatin e Sportit të qytetit të Shkodrës. U thyen rekorde kombëtare për të rritur nga Faruk Kalleshi, ndërsa për të rinj nga Agron Haxhihyseni i Dinamos dhe Sotiraq Dhamonica i Skënderbeut. Morën pjesë ekipet me të mira të vendit: Vllaznia, 17 Nëntori, Tomorri, Dinamo, Labinoti, Lokomotiva, Flamurtari dhe Partizani. Rezultatet e këtij kampionati ishin të pëlqyeshme. Në peshën 52 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë kapi shifrën 202.5 kg (85+117.5), ku theu rekordin kombëtar në stilin e shtytjes. Xhavit Rrapia i 17 Nëntorit, 185 kg (77.5+107.5) dhe Niko Teli i Partizanit,185 kg (85+100).

Kupa e Republikës, viti 1979

Për tri ditë me radhë, 20, 21 dhe 22 mars 1979, garat tërhoqën mjaft spektatorë të qytetit të Shkodrës. Vëmendja e tyre në ditën e parë u përqendrua sidomos në peshën e parë dhe të dytë, ku konkuruan përkatësisht Mjeshtri i Merituar Faruk Kalleshi i Vllaznisë dhe Xhemal Qarri i Dinamos. Në stilin e shtytjes, Faruk Kalleshi ngriti 115 kg, pa shumë sforcime, dhe kjo e nxiti që të tentonte 118,5 kg. (pra 3½ kg më shumë se rekordi i tij). Fatkeqësisht, këtë radhë qëllimit nuk u arrit. Megjithatë, Faruku zuri vendin e pare, duke ngritur 200 kg (85 dhe 115 kg) në dygarësh.

Kampionati i 38-të Europian të Peshëngritjes

Kampionati i 38-të Europian i Peshëngritjes u zhvillua në maj të vitit 1979, në Varna të Bullgarisë. Delegacioni shqiptar ishte i përbërë nga peshëngritësit Faruk Kalleshi për peshën 52 kg, i cili zuri vendin e 7-të në dygarësh, me 202,5 kg (87,5 kg në shkëputje dhe 115 kg në shtytje, ndërsa 19 vjeçari Agron Haxhihyseni në peshën 52 kg, u rendit në vendin e 9-të me dygarëshin, me rezultatin 190 kg (85 kg në stilin e shkëputjes dhe 105 kg në stilin e shtytjes). Në peshën 56 kg, Mjeshtri Sportit Xhemal Qarri zuri vendin e 9-të, po në dygarësh, me 215,5 kg. Ymer Pampuri konkuroi për peshën 60 kg, bashkë me Gac Nushin. Këta tre peshëngritës, u renditën midis 10-të më të mirëve të Europës. Ndërsa si grup, ekipi ynë arriti të klasifikohet në vendin e 13 -të, duke lënë pas 12 shtete, që ishin edhe më të kompletuar në përbërje.

 

Kampionati i 31 -të Kombëtar i Peshëngritjes

Kampionati i 31-të Kombëtar i Peshëngritjes për vitin 1979, u zhvillua në datat 6-8 korrik, në Tiranë. Morën pjesë 8 ekipet më të mira të vendit: Vllaznia, 17 Nëntori, Tomorri, Dinamo, Labinoti, Lokomotiva, Flamurtari dhe Partizani. U thyen rekorde kombëtare nga sportistët Sotiraq Dhamonica, Vasil Hoço, Përparim Feruni, Mishel Teli dhe për të rinj, i pasuar nga Shkelqim Cenollari. Në peshën 52 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë kapi peshën 200 kg (87.5+112.5) dhe Agron Haxhihyseni i Dinamos, me192.5 kg (85+107.5).

Kampionati i 32 -të kombëtar i peshëngritjes

Kampionati i 32-të kombëtar i peshëngritjes, për vitin 1980, u zhvillua në qytetin e Korçës, në datat 4-6 qershor. U thyen 6 rekorde kombëtare për të rinj. Morën pjesë ekipet e Dinamos, Vllaznisë, Partizanit,Tomorit, 17 Nëntorit e Labinotit. Në peshën 52 kg, Agron Haxhihyseni i Dinamos, 205 kg (90+115) dhe Faruk Kalleshi i Vllaznisë, 200 kg (90+110).

Kampionati i 11-të Ballkanik

Kampionati i 11-të Ballkanik u zhvillua në Gorna Orjahovitza të Bullgarisë, në datat 21-23 nëntor 1980. Peshëngritësi i ri, Agron Haxhihyseni, i klubit sportiv Dinamo, u paraqit denjësisht në peshën e parë 52 kg. Në stilin e shkëputjes ai ngrit 92,5 kg, duke zënë vendin e dytë dhe meritoi medaljen e argjendit. Edhe në stilin e shtytjes, ky sportist i talentuar arriti të njëjtin sukses. Në stilin e shtytjes ai ngriti 115 kg. Edhe në dygarësh, zuri vendin e dytë, duke u shpallur kështu nënkampion i Ballkanit dhe duke merituar medaljen e argjendit, me rezultatin 207,5 kg. Agroni barazoi rekordin kombëtar që mbahej nga Mjeshtri i Merituar i Sportit Faruk Kalleshi, i cili në këto gara meritoi vendin e tretë dhe medaljen e bronzit në shkëputje me 90 kg. Edhe në dygarësh, ai zuri vendin e tretë dhe meritoi medaljen e bronzit me 202,5 kg. Në klasifikimin e përgjithshëm u arrit kjo renditje: Bullgaria, Rumania, Jugosllavia, Shqipëria, Greqia dhe Turqia.

Kupa e Republikës

Kupa e Republikës u zhvillua në datat 17-20 mars 1981, në pallatin e sportit “Partizani”, në Tiranë. Morën pjesë: Vllaznia, Dinamo, Lokomotiva, Flamurtari, 17 Nëntori, Tomori, Labinoti. Rezultatet ishin: Në peshën 52 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë, 202.5 kg (90+112.5), Hysen Cenaj i Flamurtarit, 192.5 kg (87.5+105), i cili theu rekordin kombëtar në shkëputje dhe dygarësh. Xhavit Rrapia i 17 Nëntorit, 192.5 kg (82.5+110).

Kupa “Ataturk”

Kupa “Ataturk” zhvillohej me pjesëmarrjen e ekipeve nga Turqia, Iraku, Libia, Jugosllavia, Franca, Uellsi, Italia, Spanja, Bullgaria, Hungaria dhe Brazili. Në kategorinë e peshës 52 kg, Faruk Kalleshi ngre në stilin e shkëputjes 90 kg dhe në atë të shtytjes 112,5 kg. Kësisoj, me një dygarësh prej 202,5 kg, ai shpallet kampion i Turneut. Mbas tij i vjen radha peshëngritësve të kategorisë së peshës 56 kg. Nënkampioni i Ballkanit, Agron Haxhihyseni, ngriti me sukses 95 dhe 122,5 kg, duke zënë kështu vendin e tretë përballë kundërshtarëve të tillë, si rekordmeni i botës, hungarezi Horniak e peshëngritësi i mirënjohur turk, Mehmet Altin. Ndërsa Vasil Hoço, në stilin e shkëputjes arriti të ngrejë 100 kg, duke u renditur i dyti për këtë stil.

 

Më të dalluarit sipas llojeve të sporteve

Në anketën tradicionale “Më të dalluarit sipas llojeve të sporteve”, peshëngritësi i klubit sportiv Vllaznia, Faruk Kalleshi, u shpall peshëngritësi më i mirë i vitit 1981, duke lënë pas emra të njohur të këtij sporti popullor.

 

Kampionati Ballkanik

Në datat 19-24 nëntor 1981, në Bistrica të Rumanisë u zhvillua Kampionati Ballkanik i Peshëngritjes për të rritur, ku u fituan 1 medalje ari dhe 5 bronzi. Rezultatet më të mira u arritën nga Faruk Kalleshi, kategoria 52 kg, në shtytje115 kg. Vasil Hoço, kategoria 56 kg, me 105 kg, duke thyer rekord kombëtar në shkëputje dhe në dygarësh me 2.5 kg më shumë. Përparim Feruni, në peshën 60 kg, në stilin e shkëputjes ngriti 110 kg, duke zënë vendin e 3-të. Aleksandër Kondo, për peshën 75 kg, theu dy rekorde kombëtare, në stilin e shkëputjes me 125 kg dhe dygarësh 275 kg.

Kampionati i 34-t Kombëtar i Peshëngritjes

Kampionati i 34-t Kombëtar i Peshëngritjes, për vitin 1982, u zhvillua në datat 8-11 qershor, në Pallatin e Sportit të qytetit të Shkodrës. Morën pjesë ekipet më të mira të vendit: Vllaznia,Tomori, Studenti, Dinamo, Lokomotiva, 17 Nëntori dhe Partizani. U thyen 10 rekorde kombëtare për të rritur dhe 12 për të rinj. Hysen Cenaj theu 2 rekorde, Vasil Hoço 1, Agron Haxhihyseni 1), Përparim Feruni 1, Aleksandër Kondo 1, Erlin Nikolla 2, Miriam Hakani 1, Asim Belinova 1 dhe Muharrem Berisha 2. Ja rezultatet e këtyre garave: Në peshën 52 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë, 200 kg (85+115), Hysen Cenaj i Flamurtarit, 200 kg (87.5+112.5).

Kampionati Botëror dhe Europian i Lubjanës

Në kampionatin botëror merrnin pjesë 47 shtete dhe në atë europian 27. Peshëngritësit Shqiptarë u renditën midis 6-7 më të mirëve të botës. Agron Haxhihyseni ngriti në stilin e shtytjes nga 118 në 120 kg dhe në dygarësh nga 207,5 në 212,5 kg. Ai zuri vendin e 6-të në Europë, ndërsa Faruk Kalleshi u rendit në vendin e 7-të për garat e zhvilluara në Kampionatin Europian. Në klasifikimin e kampionatit botëror, Agron Haxhihyseni është i 12-ti.

Kupa e Republikës

Kupa e Republikës për këtë vit u zhvillua më 8-11 mars 1983 në Korçë. Morën pjesë: Vllaznia Labinoti, 17 Nëntori, Flamurtari, Tomorri, Dinamo, Studenti, Lokomotiva, Apollonia. U thyen 31 rekorde kombëtare, 6 nga Muharrem Berisha, Agron Haxhihyseni 3, Vasil Hoço 1, Hysen Cenaj 2, Përparim Feruni 2, Elez Gjoza 3, Aleksandër Loli 2, Aleksandër Kondo 8, Miriam Hakani 4. Në peshën 52 kg, Hysen Cenaj i Flamurtarit, 212.5 kg (97.5+115), Faruk Kalleshi i Vllaznisë, 200 kg (90+110) dhe Kujtim Hyka i 17 Nentorit, 187.5 kg (87.5+105)

Kampionati i 35-të Kombëtar i Peshëngritjes

Kampionati i 35-të Kombëtar i Peshëngritjes u zhvillua në datat 9-12 qershor 1983, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit. Morën pjesë: Vllaznia, Studenti, Dinamo, Flamurtari, Tomori, Partizani, 17 Nëntori, Skënderbeu. U arritën 7 norma Mjeshtra të Merituar të Sportit. U thyen 9 rekorde të reja kombëtare, të cilat renditen nga vendi i pestë te i nënti në shkallë bote. Nëndë rekorde kombëtare u thyen nga sportistët Hysen Cenaj 1, Agron Haxhihyseni 3, Vasil Hoço 2, Përparim Feruni 1, Aleksandër Loli 1, Mihal Hoço 1, Asim Belinova 1.

Për peshën 52 kg, Hysen Cenaj i Flamurturit, 207,5 kg (95+112.5), ku theu rekordin kombëtar në stilin e shkëputjes, nga 100.5 në 103 kg. Faruk Kalleshi i Vllaznisë, 200 kg (90+110) dhe Xhavid Rrapia i 17 Nëntorit, 192,5 kg (82.5+110).

Kampionati kombëtar individual

Kampionati kombëtar individual, u zhvillua në datat 11-14 tetor, në Durrës. Pesha në 52 kg u përfaqësua nga Hysen Cenaj i Flamurtarit me 217,5 kg (102.5+115), Faruk Kalleshi i Vllaznisë, 210 kg (92.5+117.5) dhe Arben Tafaj i klubit “Studenti”, 207,5 kg (92.5+115).

Kupa e Republikës

Kupa e Republikës u zhvillua nga data 14-17 shkurt 1984. Garat e kësaj Kupe u zhvilluan në Tiranë, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Në peshën 52 kg, Faruk Kalleshi i Vllaznisë realizoi 195 kg (85+110). Për peshën 56 kg, Agron Haxhihyseni i Dinamos, 242,5 kg (105+137.5), me dy rekorde kombëtare, në shtytje 142 kg dhe në dygarësh 242,5 kg, Hysen Cenaj i Flamurtarit, 217,5 kg (95+122.5) dhe Albert Çerma i Flamurtarit, 210 kg (90+120).

Kampionati Europian

Në kampionatin europian të peshëngritjes, që u zhvillua në Viktoria të Spanjës (27 prill-1 maj) sportistët shqiptarë u paraqitën me dinjitet. Peshëngritësit e ekipit tonë kombëtar që konkurruan në këtë veprimtari, arritën të renditen midis 10 sportistëve më të mirë të Europës. Në peshën e parë 52 kg konkurruan dy peshëngritës. Figurë të mirë bëri peshëngritësi 20-vjeçar, Hysen Cenaj i Partizanit, i cili në stilin e shkëputjes ngriti 100 kg, duke u renditur pas tre më të mirëve të botës, ku vendin e parë e meritoi bullgari Terzijski, kampion dhe rekordmen i botës me 110 kg. Ndërsa po në këtë stil Faruk Kalleshi i Vllaznisë me 92,5 kg, zuri vendin e 8-të në Europë. Në stilin e shtytjes, Kalleshi u rendit i 7-ti, duke ngritur 117,5 kg, kurse në dygarësh, me 210 kg, zuri vendin e 8-të.

Kampionati i 36-të kombëtar i peshëngritjes

Kampionati i 36-të kombëtar i peshëngritjes u zhvillua në Korçë, në datat 23-26 gusht 1984. Morën pjesë Partzani, Vllaznia, Lokomotiva, Skënderbeu, Tomori, Studenti, 17 Nëntori, Dinamo, Apolonia dhe në këto gara u thyen 9 rekorde kombëtare nga sportistët Vasil Hoço 1, Muharrem Berisha 2, Erlin Nikolla 3, Asim Belinova 2, Miriam Hakani 1. Në peshën 52 kg konkuruan Albert Çerma i Lokomotivës, 200 kg (90+110), Faruk Kalleshi i Vllaznisë, 195 kg (85+110) dhe Kujtim Hyka i 17 Nëntorit, 195 kg (85+110).

Spartakiada e 5-t dhe e fundit, viti 1984

Pallati i Sportit “Partizani” i kryeqytetit ishte vendi ku u mblodhën ekipet: Shkodra, Dinamo, 17 Nëntori, Partizani, Berati, Studenti, Korça, Vlora, Fieri dhe Durrësi. Në Spartakiadën e 5-të ka një përmirësim prej 454 kg. U thyen 11 rekorde kombëtare nga sportistët Vasil Hoço, Luan Kurti, Myslym Myslimi, Erlin Nikolla, Aleksandër Kondo, Miriam Hakani, Asim Belinova. Në peshën 52 kg, Faruk Kalleshi kryesoi me rezultatin 207,5 kg (92.5+115), pasuar nga Albert Çerma i Durrësit, 200 kg (87.5+112.5).

Ky ishte evenimeti i fundit i magjistarit të shtangës, Faruk Kalleshit, i cili pas kësaj Spartakiade, u largua nga sporti, për të mbetur përgjithmonë, mbreti i Peshëngritjes Shqiptare.

 

* Sot Bashkia e Shkodrës nuk ka vendosur një tabelë treguese për nder të këtij emir, i cili është vendosur me unanimitet prej Këshillit Bashkiak të Bashkisë së qytetit të Shkodrës.

[1] Besi Bekteshi, “Zbulohet” lista e 1495 bizneseve shkodrane në vitin 1945, në: Gazeta Sot, datë 11 gusht 2013. Ne e kemi marrë nga internet.

[2] Po aty.

[3] Po aty.

[4] Po aty.

[5] Po aty.

[6] Të dhënat janë marrë nga Sekretari i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes, z. Agron Haxhihyseni.

[7] Po aty.

[8] Të dhënat janë marrë nga Federata Kombëtare e Peshëgritjes Shqiptare.

[9] Të dhënat janë marrë nga Federata Kombëtare e Peshëgritjes Shqiptare.

[10] Të dhënat janë marrë nga Sekretari i Federatës Kombëtare e Peshëgritjes Shqiptare, z. Agron Haxhihyseni.

[11] Të dhënat janë marrë nga Sekretari i Federatës Kombëtare e Peshëgritjes Shqiptare, z. Agron Haxhihyseni.

[12] Të dhënat janë marrë nga Sekretari i Federatës Kombëtare e Peshëgritjes Shqiptare, z. Agron Haxhihyseni.

[13] Nikolin Qyrsaçi, peshëngritës i Vllaznisë, rekordmen i këtij sporti, bashkëkohës i Farukut. Pohimi i tij është marrë nga libri i përshtypjeve në ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh i Punës, maj 2000.

[14] Të dhënat janë marrë nga Sekretari i Federatës Kombëtare e Peshëgritjes Shqiptare, z. Agron Haxhihyseni.

[15] Po aty.

[16] Po aty.

[17] Po aty.

[18] Albert Zholi, “Felt Mjeshtri i Madh Faruk Kalleshi”, në: gazeta Telegraf, datë 5 gusht 2012, f. 17.

[19] Agron Sejamini, “Faruk Kalleshi, kampion i shekullit në shtangë”, në: gazeta Rilindja Demokratike, e enjte 17 janar 2013, f.14-16.

[20] Po aty.

[21] Albert Zholi, “Flet “Mjeshtrja e Madhe e Cirkut”, Liliana Paci Kalleshi: Faruk Kalleshi është serioz, por jo xheloz”, në: gazeta Telegraf, e mërkurë 18 dhjetor 2013.

[22] Po aty.

[23] Albert Zholi, Flet “Mjeshtrja e Madhe e Punës”, artistja e shquar e estradës së Shkodrës, Liliana Kalleshi. Jam e lumtur që bëjë pjesë në elitën kulturore të Shkodrës”, në: gazeta Telegraf, e mërkurë 19 gusht 2012, f. 18.

 

[24] Riza Lahi, “PORTRET/ Liliana Kalleshi, ylli i akrobacisë kombëtare në rrezen e lavdisë së bashkëshortit. Laurantja e fshehur dhe modeste”, në : gazeta Telegraf, datë 26 mars 2009, f. 22.

[25] Po aty.

 

[26] Dritëro Agolli, shkrimtar i shquar i Shqipërisë, Nder i Kombit. Opinion i dhënë posaçërisht për këtë libër.

[27] Ela Tase, Mjeshtre e Madhe e Sportit, volejbollistja më e mirë e shekullit të 20-të.

[28] Gudar Beqiraj, akademik, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sot nënkryetar. Opinion i dhënë posaçërisht për këtë libër.

[29] Sulejman Limani, ish-shef i Inspektoriatit Rrugor të Shkodrës. Opinion i dhënë posaçërisht për këtë libër.

[30] Lluka Eqimi, Pjesëmarrës në sportin e atletikës, mjek i ekipit kombëtar. Marrë nga autori në formë interviste, mars 2015.

[31] Prof. Dr. Qemal Shalsi, Nderi i Sportit Shqiptar, Sekretar i Federatës së Basketbollit. Opinini është dhënë me shkrim prej tij.

[32] Medin Zhega, futbollist i ekipit të Vllaznisë dhe më vonë i Dinamos, trajner i Ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Pohimi i tij është marrë nga libri i përshtypjeve në ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh i Punës, maj 2000.

[33] Ilir Kraja, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Peshëngritjes Shqiptare. Opinion i dhënë me shkrim.

[34] Il Komi, mësues i edukimit fizik dhe inspector i klubit “Vllaznia” për sportet.

[35] Menduh Dibra, ish futbollist, shok fëmijërie me Farukun.

[36] Burhan Vojushi, mësues dhe drejtor në drejtorinë e patentave të qarkut Shkodër.

[37] Agim Haliti, basketbollist i klubit “Vllaznia”.

[38] Besnik Çinari, humorist i njohur i estradës së Shkodrës.

[39] Gëzim Bishja, banorë i lagjes Dërgut në Shkodër.

[40] Isa Tare, Mjeshtër i Madh dhe shef i klubit sportiv “Partizani”.

[41] Gëzim Mema, ish-shef i klubit “Vllaznia”.

[42] Ilir Çela, trajner kombëtar, inspector i sporteve në klubin “Labinoti” të Elbasanit.

[43] Fejzi Ceka, ish-drejtor i Shkollës Pyjore Shkodër

[44] Telat Agolli, peshëngritës, kampion dhe rekordmen, trajner i ekipit të 17 Nëntorit, artist cirku, me titull Artist i Popullit. Pohimi i tij është marrë nga libri i përshtypjeve në ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh i Punës, maj 2000.

[45] Sejdin Gjoni, peshëngritës dhe rekordmen në këtë sport, trajner i ekipit të Partizanit. Opinioni i tij është dhënë me shkrim.

[46] Bujar Bodinaku, peshëngritës, bashkëkohës me Farukun.

[47] Zyhdi Mazreku, trajner i ekipit të Tiranës dhe ekipit kombëtar të peshëngritjes. Pohimi i tij është marrë nga libri i përshtypjeve në ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh i Punës, maj 2000.

[48] Vehap Xhindoli, peshëngritës i ekipit të Labinotit të Elbasanit, rekordmen në sportin e peshëngritjes. Pohimi i tij është marrë nga libri i përshtypjeve në ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh i Punës, maj 2000.

[49] Ilir Çela, trajner i ekipit të Elbasanit dhe ekipit Olimpik të Peshëngritjes. Pohimi i tij është marrë nga dokumentari kushtuar figurës së sportit Farku Kalleshi, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, viti 2012.

[50] Hysen Cenaj, peshëngritës i ekipit të Flamurtarit, kampion në Ballkan.

[51] Vasil Hoço, peshëngritës i ekipit të Tomorit të Beratit, rekordmen në peshëngritje, nënkampion Europe.

[52] Tef Thaçi, peshëngritës i Vllaznisë, rekordmen në peshëngritje, bashkëkohës i Faruk Kalleshit. Pohimi i tij është marrë nga libri i përshtypjeve në ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh i Punës, maj 2000.

[53] Nikolin Qyrsaçi, peshëngritës i Vllaznisë, rekordmen i këtij sporti, bashkëkohës i Farukut. Pohimi i tij është marrë nga libri i përshtypjeve në ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh i Punës, maj 2000.

[54] Kozma Qeraxhiu, peshëngritës i Partizanit, rekordmen në peshëngritje, bashkëkohës i Farukut. Pohim i dhënë me shkrim.

[55] Selaudin Zoga, peshëngritës i Partizanit, rekordmen në peshëngritje.

[56] Kujtime të Xhafer Bogdanit, dhënë me shkrim.

[57] Liri Beqja Mjeshtre e Merituar e Sportit

[58] Skënder Sallaku, Artist i Popullit, aktor i estradës profesioniste të Tiranës. Fjalë të thëna në ditën që Faruku u nderua me titullin Mjeshtër i Madh.

[59] Isuf Saliçe, peshëngritës i Korçës, mjek sportive, Mjeshtër i Merituar.

[60] Agron Duka, biznesmen, politikan, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

[61] Kreshnik Tartari, trajner i klubit “Dinamo” dhe i kombëtares në volejboll, Nder i Sportit Shqiptar. Opinion i dhënë për këtë libër.

[62] Filip Guraziu, basketbollit I klubit “Vllaznia” dhe i Kombëtares Shqiptare, Mjeshtër i Merituar në sportin e basketbollit, ish-kryetar I Bashkisë Shkodër.

[63] Besnik Gjetaj, boksier. Marrë nga autori në bisedë gojore me të.

[64] Panajot Pano, futbollist i ekipit “Partizanit”, “Nder i Kombit” dhe “Futbollisti i Shekullit”. Marrë nga autori ditën e ndërimit të z. Faruk Kalleshi me rastin e 65 vjetorit të tij.

[65] Lin Shllaku, futbollist i ekipit të Partizanit, kapiten i ekipit Kombëtar, Mjeshtër i Merituar. Dhënë me shkrim për z. Farruk Kalleshi.

[66]Ramazan Rragami, futbollist i Vllaznisë dhe i Partizanit, pjesë e ekipit të Kombëtares Shqiptare. Dhënë me shkrim me rastin e shkrimit të këtij libri.

[67] Ilir Trebicka, basketbollist i Dinamos dhe i kombëtares shqiptare, Mjeshtër i Merituar. Pohimi i tij është marrë nga libri i përshtypjeve në ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh i Punës, maj 2000.

[68] Sokol Kushta, futbollist i Flamurtarit dhe i Ekipit Kombëtar të Shqipërisë. Opinini është dhënë me shkrim prej tij.

[69] Ndriçim Spahiu, sportist i Partizanit dhe i Ekipit Kombëtar të Shqipërisë, Mjeshtër i Madh, Sekretar i Federatës së Mundjes.

[70] Arjan Çuliçi, regjizor. Opinion i dhënë me shkrim .

[71] Faik Spahija, tifoz i sportit të peshëngritjes dhe Farukut personalisht, jurist në pension

[72] Leonard Toska, trajner i Ekipit të Shtërmenit, trajner i Ekipit Kombëtar të Peshëngritjes. Pohimi i tij është marrë nga libri i përshtypjeve në ceremoninë e dekorimit të Farukut me titullin Mjeshtër i Madh i Punës, maj 2000.

[73] Xhevdet Arifi, peshëngritës i ekipit të Vllaznisë. Opinion I dhënë me shkrim me rastin e këtij libri.

[74] Sidrit Bejleri, këngëtar.

[75] Agim Zeka, Drejtues i Parë i Sportit, pas sistemit njëpartiak

[76] Mirjan Hakani, peshëngritës i ekipit të 17-Nëntorit Tiranë, shef i Klubit “Partizani”. Pohimi i tij është marrë nga dokumentari kushtuar figurës së sportit Farku Kalleshi, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, viti 2012.

[77] Kastriot Ruka, peshëngritës i ekipit të Flamurtarit të Vlorës dhe më pas trajner i atij ekipi. Opinin i dhënë me shkrim.

[78] Viron Bezhani, Mjeshtër i Merituar në Mundje, president KOKSH. Opinin i dhënë me shkrim.

[79] Nikoll Grimaj, mundës i Vllaznisë dhe i Tiranës, Mjeshtër i Merituar. Opinin i dhënë posaçërisht për këtë libër.

[80] Islam Balija, peshëngritës i Partizanit dhe Dinamos, kampion në Mundje, Mjeshtër i Merituar.

[81] Endri Haxhihyseni, peshëngritës i Elbasanit, kampion i Europës dhe rekordmen në garat europiane.

[82] Hysen Sharra, Mjeshtër i Merituar i Sportit në boks.

[83] Asllan Zeneli, Mjeshtër i Merituar në Sportin e Qitjes, kampion kombëtar

[84] Marjeta Zaçe, Mjeshtre ……Opinion i dhënë posaçërisht për këtë libër.

[85] Todi Janku, boksier, kampion kombëtar, Mjeshtër i Merituar. Opinin i dhënë posaçërisht për këtë libër.

[86] Mendim i shprehur nga Osman Noka.

[87] Opinion i dhënë nga Elvis dhe Aida Pjalmi

[88] Bedri Islami, gazetar. Opinion i dhënë me shkrim.

[89] Sotir Seferaj, gazetar Sportiv, Mjeshtër i Merituar i Sportit. Opinion i dhënë me shkrim.

[90] Dëfrim Methasani, gazetar sportiv në Radio-Televizionin Shqiptar. Opinion i dhënë me shkrim.

[91] Bujar Qesja, gazetar sportiv në Durrës. Mendime të shprehura me shkrim.

[92] Lirim Zalla, gazetar sportive. Opinion i dhënë për këtë libër.

[93] Dr. Besnik Dizdari, kryeredaktor i gazetës “Sporti Shqiptar”. Pohimi i tij është marrë nga libri i përshtypjeve në ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh i Punës, maj 2000.

[94] Fatmir Mneri, kryeredaktor i gazetës “Sport Ekspres”. Opinion i dhënë me shkrim.

[95] Bashkim Tufa, kryeredaktor i gazetës “Sporti Shqiptar”. Pohimi i tij është marrë nga libri i përshtypjeve në ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh i Punës, maj 2000.

[96] Tritan Kokona, kryeredaktor i gazetës “Sporti Shqiptar”. Mendime të dhënë ma shkrim prej tij.

[97] Dashamir Dini, gazetar në Televizionin shqiptar. Opinion i dhënë me shkrim.

[98]Opinion i gazetarit Alfons Zeneli, dhënë me shkrim.

[99] Xhevdet Zeka, gazetar, opinionist sportiv

[100] Skënder Temali, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të qarkut Shkodër.

[101] Shpëtim Rroqi, gazetar dhe ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

[102] Gerti Çarçani, gazetar sportive.

* Të gjitha të dhënat e kësaj pjesë janë marrë në Federatën Kombëtare të Peshëngritjes Shqiptare dhe pikërisht nga sekretari i kësaj Federate, z. Agron Haxhihyseni.

[103] Marrë nga arkiva e Federatës Kombëtare të Peshëngritjes Shqiptare.

[104] Marrë nga arkiva e Federatës Kombëtare të Peshëngritjes Shqiptare.

[105] Marrë nga arkiva e Federatës Kombëtare të Peshëngritjes Shqiptare.

[106] Po aty.

[107] Po aty.

[108] Marrë nga arkiva e Federatës Kombëtare të Peshëngritjes Shqiptare.

[109] Po aty.

[110] Po aty.

[111] Marrë nga arkiva e Federatës Kombëtare të Peshëngritjes Shqiptare.

[112] Po aty.

[113] Po aty.

[114] Po aty.

[115] Po aty.

error: Nuk lejohet kopjimi!