Cfarë duhet të dini për hipotiroidizmin?

Cfarë duhet të dini për hipotiroidizmin?

Hipotiroidizmi
Hormoni i tiroides bën që trupi juaj të funksionojë me shpejtësinë e duhur. Nëse niveli i hormoneve të tiroides bie, qelizat në pjesën tjetër të trupit ngadalësojnë aktivitetin e tyre. Si rezultat, shumë sisteme në trupin tuaj ngadalësohen, duke krijuar një sërë simptomash që përfshijnë lodhje, depresion, shtim në peshë, kapsllëk, probleme me lëkurën, të cilat mund të keqinterpretohen si shenja të problemeve të tjera. Si rezultat, njerëzit nuk e dinë që kanë hipotiroidizëm. Në studimin e  “Colorado Thyroid Disease Prevalence”, 26,000 vizitorë në panairin e Kolorados testuan hormonet e tiroides. Studimet zbuluan që rreth 10% e njerëzve kishin hipotiroidizëm dhe nuk kishin dijeni për këtë.  Pas moshës 65 vjeç, një tiroide nën-aktive është e zakonshme si te femrat dhe te meshkujt, veçanërisht më së shumti te femrat. Një studim për femrat mbi 60 vjeç zbuloi që rreth 24% e tyre kishte hipotiroidizëm. Te të moshuarit ka më shumë vështirësi për të diagnostikuar sëmundjen, sepse ndryshe nga të rinjtë, ata nuk përjetojnë një sërë simptomash. Ata mund të kenë vetëm një simptomë, si humbja e memories ose depresion, e cila mund t’i atribuohet lehtësisht moshës. Madje edhe nëse përjetojnë simptomat klasike si shtim në peshë ose lodhje, mund t’i ngatërrojnë me shenjat tipike të plakjes.
Vetëm analizat e gjakut mund të konfirmojnë nëse keni hipotiroidizëm, por këto analiza rutinë bëhen zakonisht vetëm kur jeni në rrezik ose shfaqni simptoma. Prandaj është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun që në rastin e parë kur vëreni simptoma, edhe nëse jeni mbi 60 vjeç.  Nëse hipotiroidizmi nuk trajtohet, mund të sjellë një sërë problemesh në shëndet si kolesteroli i lartë, presioni i lartë i gjakut, ateroskleroza dhe sëmundjet e zemrës. Në momentin që diagnoza kryhet, hipotiroidizmi trajtohet lehtësisht me “levothyroxine sodium”, një version sintetik i T4. Me trajtimin e duhur dhe check-upet rutinë, ju mund t’i riktheheni jetës normale.

Shenjat dhe simptomat e hipotiroidizmit
-Lodhje konstante
-Intolerancë ndaj të ftohtit
-Humbje oreksi
-Shtim peshe
-Puls i ngadaltë
-Tiroide e zmadhuar
-Depresion
-Lëkurë të thatë
-Thonj të brishtë
-Rënie flokësh
-Kapsllëk
-Dhimbje nyjesh
-Dhimbje menstruale
-Kolesterol i lartë
-Ndryshime në zë

Më të zakonshme te njerëzit e moshuar:
-Kolesterol i lartë
-Probleme me zemrën
-Kapsllëk
-Depresion
-Dhimbje nyjesh ose dhimbje e përgjithshme muskulare
-Dementia

Shenjat dhe simptomat
Simptomat e hipotirodizimit variojnë dhe dy persona me të njëjtën gjendje mund të kenë simptoma të ndryshme. Rruga që kjo sëmundje ndjek mund të variojë. Një person mund të zhvillojë hipotiroidizëm shpejt brenda disa muajsh, por ka raste që nuk ka simptoma, duke e bërë akoma dhe më të vështirë diagnostikimin e sëmundjes. Ndërkohë që ka raste që gjendja përkeqësohet, ka raste që jo. Sa më ulët të bien hormonet e tiroides, aq më të theksuara do të jenë simptomat. Kjo është veçanërisht e vërtetë te njerëzit e moshuar.
Më poshtë do të gjeni një listë me simptomat klasike dhe simptomat që zakonisht përjetojnë njerëzit e moshuar.
Nëse vini re ndonjë nga këto simptoma, flisni me doktorin.
Lodhja: Nëse nivelet e hormoneve të tiroides janë të ulëta, e ulët do të jetë dhe energjia juaj. Lodhja e tepërt është një nga simptomat më karakteristike të hipotiroidizmit. Disa njerëz duan të flenë gjithë ditën, edhe pse kanë pasur një gjumë normal.
Intolerancë ndaj të ftohtit: Në momentin që qelizat në trupin tuaj ngadalësohen, ato kanë nevojë për më pak energji, prandaj dhe trupi juaj prodhon më pak energji.
Humbje e oreksit: Kur energjia juaj ulet, trupi juaj kërkon më pak energji, kështu që nuk do të keni shumë oreks.
Shtim në peshë: Eshtë normale për një person i cili është hipotiroidik të shtojë në peshë. Edhe pse humbja e oreksit ju bën të hani më pak, ju sërish mund të merrni më shumë kalori  sesa digjni sepse metabolizmi ngadalësohet shumë. Mbajtja e lëngjeve mund të çojë në shtim në peshë. Megjithatë kjo gjendje nuk çon në obezitet.
Puls i ngadaltë: Nivelet e ulëta të hormonit të tiroides mund të ngadalësojnë zemrën dhe të shkaktojnë bradikardi, një ritëm më pak se 60 rrahje në minutë. Megjithatë, me siguri nuk do të vini re ndryshime në rrahjet e zemrës, vetëm nqs matni pulsin.
Zmadhim i gjendrës së tiroides: Nëse hipotiroidizmi shkaktohet nga tiroiditi i Hashimotos ose mungesa e jodit, tiroidja juaj mund të zmadhohet.
Depresioni: Hipotiroidizmi dhe depresioni kanë të njëjtat karakteristika si lodhja, humbja e oreksit, vështirësi në të përqëndruar dhe shtim në peshë. Si rezultat, doktorët ndonjëherë supozojnë që një person ka depresion dhe përshkruajnë anti-depresantë, kur problemi realisht qëndron te tiroidja. Në të njëjtën kohë, depresioni është më i zakonshëm te personat të cilët kanë pasur një histori familjare me hipotiroidizmin. Kur depresioni është një gjendje e ndarë veçmas që nuk shkaktohet nga hipotiroidizmi, nuk do të përmirësohet me terapinë e hormoneve të tiroides dhe kërkon një trajtim shtesë.
Lëkurë e thatë dhe thonj të brishtë: Kur trupi juaj prodhon më pak nxehtësi, ju djersini më pak dhe keni një lëkurë të thatë. Nëse keni hipotiroidizëm, lëkura juaj mund të bëhet e thatë. Thonjtë tuaj gjithashtu mund të bëhen më të brishtë.
Rënie flokësh: Rritja e shëndetshme e flokëve varet nga hormoni i tiroides. Kur është në sasi të pakët, mund të vini re rënie flokësh.
Kapsllëku: Një ritëm i ngadaltë metabolik shkakton që procesi juaj tretës të ndikohet dhe me shumë gjasa mund të përjetoni shenja kapsllëku.
Dhimbje muskulare: Shumë njerëz me hipotiroidizëm përjetojnë dhimbje muskulare dhe dhimbje përreth nyjeve.  Këto dhimbje mund të çojnë edhe në artrit reumatoid.
Ndryshime menstruale: Në femrat e reja, periodat me shumë gjasa  behen të rënda dhe të shpeshta. Disa femra përjetojnë ndryshime në ovulacion, duke e bërë më të vështirë që të ngelen shtatzanë.
Nivele të larta kolesteroli: Një tiroide nën-aktive mund të shkaktojë që nivelet e kolesterolit të rriten. Kjo ndodh kur nivelet e ulëta të hormonit të tiroides shkaktojnë që mëlçia të prodhojë pak receptorë LDL-molekula që nxjerrin LDL-në (kolesterolin e keq)  jashtë gjakut.

Trajtimi i hipotiroidizmit
Nëse jeni diagnostikuar me hipotiroidizëm, mendojeni kështu-simptomat tuaja sapo morën një shpjegim dhe trajtimi zakonisht fokusohet në marrjen e sasisë së duhur të mjekimeve për tiroiden.
Qëllimi është të normalizoni funksionin e tiroides. T4 sintetike e pastër, e quajtur “levothyroxine sodium”, punon në të njëjtën mënyrë si hormonet e tiroides do të punonin. Nëse gjendja juaj është e përhershme, ju duhet të merrni mjekime për jetë, e cila në një farë mënyre është sakrificë e vogël, duke marrë parasysh përmirësimin që marrin në momentin që nivelet e hormoneve kthehen në normale.  Me vetëm një dozë në ditë, ju mund ta mbani sëmundjen nën kontroll.  Nëse keni një gjendër nga tiroiditi Hashimotos, hormoni i tiroides mund të parandalojë zmadhimin akoma dhe më tej të saj.
Ju nuk keni nevojë të ndiqni ndonjë dietë speciale apo të modifikoni stilin e jetesës. Meqënëse hormoni sintetik i tiroides po zvëndëson një hormon që ndodh natyralisht në trup, efektet anësore janë të rralla. Efekti i vetëm anësor që mund të ndodhë është nëse keni shumë hormone në sistem. Reaksionet alergjike janë gjithashtu të rralla .

 

Me siguri, do t’ju rekomandohet një specialist në rast se:
-Jeni shtatzanë ose planifikoni të mbeteni shtatzanë
-Keni sëmundje zemre
-Keni një gjendër ose anomali të tjera struktorore të tiroides
-Nuk keni pasur sukses me trajtimet
-Jeni më të rinj se 18 vjeç

error: Nuk lejohet kopjimi!