100 gratë që ndryshuan Tiranën…vazhdim

100 gratë që ndryshuan Tiranën…vazhdim

Alketa Vejsiu, prej kohësh kërkonte realizimin e një kopertine me gratë sipërmarrëse të Tiranës. Jo 10 a 15, më shumë, 50…dhe ndërsa koha kalonte, më në fund vendimi u mor, por…pse jo 100 sipërmarrëse! Gra që i kanë ndryshuar fytyrën Tiranës me bizneset e tyre.

Në fillim, 100 na u dukën shumë. Sigurisht, Class është larg stafeve të mëdha të revistave ndërkombëtare që e kanë për traditë të publikojnë lista me 100 njerëz, por dukej dhe sikur do i hynim një labirinti urban dhe do humbnim duke kërkuar më shumë emra sipërmarrësesh të vërteta seç mund të gjenim aty.

Vendosëm të kërkonim ndihmën e publikut tonë. Klientëve të tyre. Erdhën shumë emra. Gjithashtu, shfletuam listat e sipërmarrësve të suksesshme të botuara nga mediat shqiptare. Menduam të përfshinim fusha nga më të ndryshmet. Në fund, ndoqëm ajrin e veçantë që kanë sjellë disa biznese të themeluara nga gratë në Tiranë, që si një fill Ariane na nxori në dritë. Ajo ishte grua, si sipërmarrëset tona. Gratë dinë të japin zgjidhje.

Ndonjëherë, kemi vendosur pranë një numri disa gra, anëtare të një familjeje, bashkëpunëtore të ngushta në biznes, bashkëthemeluese, për të pasur sa më shumë, sepse e meritojnë. Kjo kopertinë nuk është një renditje, por një duartrokitje e fortë për gratë e biznesit, por dhe për të gjitha ato që mungojnë. 100 nuk ishte aspak një numër i madh për sipërmarrëset që kanë ndryshuar Tiranën.

Anta Haxhiraj – Cocoshop

Një studente Mjekësie me ëndrrën për të qenë një dermatologe e zonja, ndjeu që i ndryshoi jeta kur nisi të përdorte produktet biologjike. Për ta ndarë stilin e shëndetshëm të kujdesit për lëkurën dhe jetesës së pastër, krijoi blogun e saj, cocomed.al dhe dy vjet më parë, hapi në rrugën ‘Abdyl Frashëri’, dyqanin e kozmetikës, Cocoshop ku solli ekskluzivitetin e dy markave të njohura organike, PuroBIO Cosmetics dhe Biofficina Toscana. Tashmë produktet e certifikuara 100 për qind natyrale, tregtohen në disa dyqane e farmaci të Tiranës dhe qyteteve të tjera.

Elda Tomçini – Farmaci Elda farmakrem

Nëse iu rastis të hyni në një farmaci të madhe në rrugën e Durrësit, me siguri fytyra pas banakut të bardhë e ndoshta më shumë buzëqeshja, do ju duket e njohur. Farmacistja Elda Tomçini ka qenë ndër të parat që jepte këshilla për kujdesin e lëkurës në TVSH, një pasion që vazhdon ta zhvillojë në farmacinë e saj me produktet e markave cilësore që ofron bashkë me barnat e tjera. Ndaj ata që hyjnë rastësisht aty e iu kujtohet Elda janë të paktë, në krahasim me ata që shkojnë enkas në rrugën e Durrësit për të marrë kremin e lëkurës nga farmacistja e tyre dhe shumica janë në moshën që ishin shumë të vegjël kur Elda jepte këshilla në televizion, për ta mbajtur mend nga ajo kohë. Thjesht kanë fituar besim te ajo.

Rona Nushi – Biocosmetics Bees & Trees Bio-Cosmetics

Me profesion farmaciste dhe me një pasion të madh për të bukurën dhe jetën e shëndetshme, ajo sot është një blogere dhe themeluese e markës së produkteve natyrale të kujdesit për lëkurën, Bees&Trees Biocosmetics. Produktet natyrale dërgohen ngado përmes blerjeve online në faqen beesandtrees.al, por edhe në dyqanin Bees&Trees Bio Cosmetics në “Toptani Center”. Rona Nushi, me pamjen dhe biznesin e saj natyral, ka arritur të krijojë zonën e produkteve bimore të këshilluara nga mjekësia popullore, në një treg konfuz dhe ende të paragjykuar për shijet e tij, siç është metropoli shqiptar. Në dyqanin e saj gjeni dhe linjën e plotë të make up-it natyral, Alima Pure.

Marsela Voda – Bottega Verde

Marsela Voda drejton një biznes shumë të suksesshëm në Shqipëri, dedikuar plotësisht kujdesit për lëkurën, flokëve. Për më shumë se dy vjet, Bottega Verde është prezent në tregun shqiptar nëpërmjet një rrjeti dyqanesh në Tiranë, Vlorë dhe Sarandë. Linja përfshin një gamë të gjerë produktesh bimore kozmetike, siç janë produktet e kujdesit për lëkurën, për flokët, për trupin, linjat anticelulit, kremrat antirrudhë, integratorë bimorë e shumë të tjera.

Ariola Isufaj – Fresh Line

“Të duash veten” është motoja e saj e jetës, e cila tashmë është shndërruar edhe në një filozofi të biznesit që drejton prej vitesh. Ariola Isufaj është një ndër emrat më të njohur në fushën e kozmetikës, me një eksperiencë 20-vjeçare. Përpara se të bëjë biznes, ajo synon që të ndryshojë konceptin e vajzave për përkujdesjen ndaj vetes, jo më kot pyetja e parë që u bën klienteve është: sa % të trupit tuaj zë lëkura, sepse shpesh e harrojmë që përbën pjesën më të madhe, por mendojmë vetëm për lëkurën e fytyrës apo të duarve. Së fundmi, prej 9-vitesh ajo është administratore e linjës së kozmetikës organike “Fresh Line”, që mund ta gjeni në Tiranë, pranë Librit Universitar, por edhe në Durrës, Fier dhe Vlorë. Produktet që tregton janë shumë të shëndetshme, synojnë të mbrojnë ekosistemin, nuk testohen tek kafshët dhe paketohen me materiale të riciklueshme.

Eni Pinari – Crabtree & Evelyn

Në Tiranë, prej Eni Pinarit kemi linjën britanike Crabtree & Evelyn. Prej disa vitesh tashmë, klientët e saj mund të kenë sapunët e njohur të markës, të krijuar me produkte natyrale, por dhe produkte të tjera kozmetike me bazë lulesh, frutash etj. Eni ka zgjedhur të sjellë në Tiranë cilësinë dhe traditën e linjës së themeluar në vitin 1793, nga Cyrus Harvey në Britani, frymëzuar nga vepra e John Evelyn, shkrimtarit dhe kopshtarit britanik të shekullit XVII, kopshtet e të cilit u bënë të famshme në të katër anët e Evropës. Një kabinë e kuqe telefoni në të njëjtën rrugë, i jep kësaj zone të Tiranës theks British.

Agnesa Hadërgjonaj – Ele Beauty Brands

Një vajzë e bukur, por edhe një sipërmarrëse e suksesshme. Agnesa Hadërgjonaj zotëron kompaninë “Ele beauty Brands” që merret me distribucionin e produkteve profesionale si Revlon, Label.m, American Crew dhe CND. Megjithatë, edhe pse është angazhuar në biznesin e bukurisë së jashtme, ajo është po aq e bukur së brendshmi. Hadërgjonaj, së bashku me ortaken e saj, Ketrinën, kanë bërë edhe disa projekte bamirësie, përmes të cilave u kanë ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë.

Esmeralda Prodani – Maison de Parfum

Një nga zonjat më me sharm në kryeqytet, zotëron parfumerinë “Maison de Parfum”. Esmeralda Prodani sjell për të gjitha zonjushat, zonjat dhe zotërinjtë e kryeqytetit dhe jo vetëm, markat ekskluzive të parfumeve më luksoze në treg. Pothuajse shumica e personazheve të njohur publikë e gjejnë parfumin e tyre të preferuar te “Maison de Parfume”, siç dhe shumë vajza me shije, që mund t’i identifikosh nga aroma. Nëse do pyesje Aldën ku duhet t’i hedhësh tri pikat e para të parfumit në një qytet, do thoshte te rruga e Librit Universitar, “Coin” dhe tek qendra “Toptani”.

Vjollca dhe Donika – Etos Parfumeri

Një mendësi tjetër për artin e parfumerisë në kryeqytet, përfaqësuar nga dy motrat, Vjollca dhe Donika. Për më shumë se 13 vite në sektorin e kozmetikës, “Etos & Al” njeh tashmë tri dyqane në Tiranë, me një rrjet të gjerë artikujsh. Parfumeri, kozmetikë, produkte kozmetike për trupin dhe fytyrën, parfume të markave më të njohura në botë vijnë në këtë brand si një dhuratë për të gjitha moshat. Të dy motrat së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, garantojnë cilësi të jashtëzakonshme në parfume nga markat e famshme botërore.

Era Xhabafti – Liu Jo dhe St.Margherita

Pas studimeve në Angli, Era Xhabafti, e cila është dhe pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik të UT, nisi të angazhohej në bizneset e familjes së saj, ku do të veçonim Liu Jo, një nga dyqanet që ndryshoi Tiranën shtatë vjet më parë ku hap në Vesa Center. Një markë ekskluzive veshjesh do i shtohej kryeqytetit evropian si një dhuratë për të gjitha femrat fashioniste që vlerësojnë cilësinë. Dihet që dikush që vlerëson cilësinë, vlerëson dhe verën e mirë dhe Era Xhabafti është një nga emrat pas biznesit të verërave cilësore, St.Margherita. Gëzuar për gratë e biznesit!

Greta Jani – Queen Boutique Luxury Shop

I pozicionuar në rrugën Vaso Pasha, ky butik pa asgjë të jashtëzakonshme së jashtmi, ofron brenda tij disa nga markat më të njohura të modës botërore. Është i pari që ka sjellë në Shqipëri markën Karl Lagerfeld, por edhe të tjera shumë të njohura në avenue-të e modës, Edward Achour Paris, Weill, Gedebe, Sara Roka, Nr. 21, Sebastian Milano. Nuk është e nevojshme të bëni shopping në Paris apo Milano, Greta Jani, e cila ka studiuar në Firence dhe është mama e dy fëmijëve, ka pasur guximin për t’i sjellë këto marka të shtrenjta, por me cilësi të padiskutueshme në Tiranë.

Eneida Gjini Eftimi – Magnolia Studio

Eneida Anastasia Gjini, tashmë Eftimi, ka jetuar në Kanada për shumë vite, ku edhe ka punuar në fushën e modës. Më pas vendosi të kthehej në Tiranë, ku ka hapur në vitin 2014, Magnolia Studio-n, një dyqan elegant veshjesh të brendshme të markave më të njohura, disa nga të cilat i zgjodhi vetë në shtëpitë e modës së Parisit që para se ta hapte studion. E gjeni në hyrje të Bllokut dhe nuk është vetëm cilësia e veshjeve, por i gjithë mjedisi dhe shërbimi që ofrojnë butësisht class-in dhe trajtimin elegant që çdo femër meriton.

Entela Xhaferaj – Posh Tirana

Një businesswoman me një orientim të theksuar ndaj modës dhe njohëse e përkryer e gjithë tendencave të reja të saj. Dyqani Posh, në rrugën Vaso Pasha, ka arritur të bëhet i njohur, edhe pse i pozicionuar në një nga zonat me përqendrimin më të lartë të dyqaneve të modës në Tiranë. Entela Xhaferaj udhëton vetë për të sjellë veshjet e modës së fundit nga shtetet e tjera dhe freskon gardërobën e vajzave fashion të qytetit me modelet më të reja të çdo sezoni.

Ori, Eri, Elona – Jardin

Dy motrat Kuçi dhe vajza e tyre e tezes Elona, kanë studiuar jashtë, Eri për Stomatologji, Ori për Komunikim dhe Elona për Biznes dhe Marketing. Të apasionuara pas modës, udhëtimeve dhe blerjeve, vendosën të sillnin në Tiranë ekskluzivitetin e disa markave. E nisën me Salvatore Ferragamo, i cili mbërriti në tetor të vitit 2012. Sot kanë 7, Valentino, Repetto, Jimmy Choo, Jabito Rossi, Uggs dhe Dolce & Gabbana. E lehtë t’i numërosh, aspak t’ua fitosh ekskluzivitetin për një treg si Shqipëria, por treshja ka mundur. E nisën me një dyqan fragrancash, më pas me një butik më të vogël, shoqëruar me një sallon çaji dhe vere dhe tashmë, drejtojnë një butik të madh në rrugën Brigada VIII, ku koleksionet e shtatë markave të njohura vijnë në kohën e tyre, si në çdo butik të botës.

Berina Kokona – Stefanel

Një kostumografe profesioniste, që veç personazheve në skenë, ka dashur të veshë dhe ata në qytet për t’u dhënë më shumë siguri dhe sharm në rolet e çdo dite. Berina Kokona ka sjellë në Shqipëri ekskluzivitetin e markës së njohur italiane të veshjeve të themeluar në vitin 1959, Stefanel, që e gjeni në Bllok. Shija e një kostumografeje nuk mund të gabojë.

Jonida Maliqi – Unique Shoes

Këngëtarja e njohur Jonida Maliqi në vitin 2009 hapi dyqanin e saj të këpucëve “Unique Shoes” dhe që atëherë, ju mund të jeni në këpucët e Jonidës. Jonida Maliqi sjell markat më të njohura të këpucëve, por jo vetëm. Ajo e ka zgjeruar veprimtarinë edhe në sektorin e veshjeve dhe aksesorëve, të gjitha të trendeve të fundit. Dyqani i Jonidës ndodhet në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, ndërkohë që koleksionet e reja të tij, mund t’i shihni në Instagramin e fashionistes. Modelja është vetë ajo duke përcjellë kështu imazhin e femrës “Unique”.

Ledina Tarifa – Tosca Blu

Prej 2 vitesh Ledina Tarifa ka hapur në kryeqytet “Tosca Blu”, dyqanin zyrtar të markës së njohur italiane. Dyqani ndodhet në rrugën “Sami Frashëri” dhe ka ndryshuar idenë e monobrandeve të aksesorëve në kryeqytet. Kompania ka një eksperiencë 10-vjeçare në treg dhe shquhet për prodhimine artikujve cilësorë si çanta, këpucë, portofola apo aksesorë të tjerë. Zonja Ledina Tarifa ka studiuar në Milano, ku është njohur me përfaqësuesit e “Tosca Blu”. Më pas, me shumë guxim dhe punë, Tarifa së bashku me bashkëshortin e saj, e sollën në Tiranë markën italiane.

Armina Mevlani – Delirium Shop

Ka shumë ndjekës në rrjetet sociale, që e komplimentojnë për stilin e veçantë të veshjeve në përditshmëri si edhe në eventet ku merr pjesë si e ftuar, por ajo tashmë modën e ka shndërruar në angazhim fitimprurës me një butik markash të njohura që i ka sjellë ekskluzivisht në Tiranë si Cavalli apo Michael Kors etj. Armina Mevlani, nuk është vetëm ajo vajza e bukur që shohim në televizion apo në rrjetet sociale, por edhe një businesswoman shumë e zonja. Prej 2-vitesh Armina drejton me sukses dhe fiton njëra pas tjetrës marka ekskluzive për “DeliriumShop”.

Manjola Anxhaku – Chic Studio

Ajo ka sjellë për herë të parë në Shqipëri markat më të njohura si MAX&Co, Penny Black, Weekend by Max Mara, duke sjellë një erë të re të modës në vend. Prej disa vitesh, Manjola Anxhaku është në krye të një prej dyqaneve më të preferuara “Chic Studio”, i cili, i lokalizuar në një nga zonat më të qeta e të këndshme të qytetit, pranë Gardës dhe hyrjes së Liqenit Artificial, është shndërruar në ndalesën e preferuar të zonjave me stil të qytetit.

Rozana Radi – Rose By Rozana

Pas suksesit që ka arritur si aktore, këngëtare, moderatore, Rozana Radi ka provuar veten edhe në biznes. Së fundmi, ajo është pronare e një prej dyqaneve me veshje mbrëmjeje në kryeqytet, i njohur si “Rose By Rozana”. Ndonëse biznesi zë një pjesë të madhe të ditës së saj, Rozi nuk ka hequr dorë nga angazhimet e tjera në botën e televizionit.

 

Eni dhe Greta Koçi – Glam by Eni dhe Greta

Ndër emrat e shumtë të personazheve VIP, tashmë pjesë e bizneseve, renditen edhe dy këngëtaret, motrat Greta dhe Eni Koçi. Pas suksesit të arritur në muzikë, Greta dhe Eni “shfrytëzuan” famën e tyredhe prej disa muajsh ato janë pronare të një dyqani me veshje mbrëmjeje që mban emrin “Glam by Eni dhe Greta”. Të bukura, të famshme, shumë të dashura për publikun, Enin dhe Gretën tashmë do i shohim më shpesh edhe si modele, pas janë ato vetë që reklamojnë veshjet e “Glam by Eni dhe Greta”.

Zaimina Vasjari – Zaimina Vasjari Store

Rrugëtimin në art e nisi si Miss, e vijoi si këngëtare dhe pak vite më vonë, paralelisht shfaqi edhe ambiciet si arkitekte – profesion për të cilin mbaroi edhe studimet e larta. Por shpejt, Zaimina kuptoi se është e prirur për të bërë biznes, ndaj edhe vendosi të tërhiqet nga kënga, t’i lërë pak mënjanë fushat e tjera për t’u përkushtuar më shumë në aktivitetin e saj – një dyqan me veshje mbrëmjesh në Tiranë, i cili është zgjedhje e menjëhershme e shumë vajzave të njohura të ekranit për shumë aktivitete artistike. Zaimina i ka pasur gjithmonë të qarta objektivat dhe me ‘Zaimina Vasjari Store’ ka përmbushur një pjesë të mirë të tyre.

Enkela Gjokollari- Glamour

E njohin të gjithë si Eni dhe i ka shtuar vërtet Glamour Tiranës, me butikun në ETC Galeria. Klientela e saj gati-gati krijon një komunitet të shijes së mirë në qytet. Në vitin 2013, sakaq Tiranës i është shtuar marka italiane Luisa Spagnoli me një butik në ETC ku administratore është sërish Eni.

Dalina Buzi dhe Elona Varfi – Via Anabel

Një dyqan online dhe fizik që solli në Tiranë produktet luksoze ‘second hand’. Pjesë e familjes Anabel, revistës së themeluar nga Dalina Buzi, e cila fillimisht u publikua në print e më pas kaloi, ndër të parat, online, Via Anabel, është gjithashtu një risi në tregun shqiptar, ku ka sjellë për herë të parë produktet e luksit ‘second hand’, që tashmë çdo fashioniste mund t’i ketë në gardërobë me gjysmën e çmimit që e gjejnë në pikat e shitjes së këtyre markave. Dalinës i është bashkuar në këtë projekt dhe Elona Varfi, e diplomuar në London School of Economics and Political Science.

Rolanda Balla – Tier By Tier

Tier by Tier, megjithëse një emër jo dhe aq i lehtë, është bërë i njohur për shkak se e kemi parë shpesh në postimet e blogereve. Pas tij qëndrojnë 15 vite punë dhe talenti i stilistes Rolanda Balla, e cila stilon dhe realizon veshje shumë origjinale që i kanë bërë dhe më të bukura grumbullimet e blogereve në Tiranë apo kudo ku vajzat fashioniste shkojnë me veshjet e Rolandës.

Stella Sallaku – Maison Stella Sallaku

E ka krijuar atelienë e saj të modës në vitin 2014. Prej 3-vitesh, Stela ideon veshje për personazhe të njohur, por edhe për vajza të zakonshme. Ëndrra e saj më e madhe, që kur ishte fëmijë, ishte të bëhej stiliste dhe ia ka arritur më së miri. Tashmë, stilistja ka atelienë e saj në Tiranë dhe është një nga zërat më të dëgjuar në fushën e modës shqiptare.

Rezarta Skifteri – Fashion Gallery Rezarta Skifteri

Stilistja elitare shqiptare Rezarta Skifteri, prej vitesh vazhdon të mbetet një nga më të mirat në vend. Atelieja e saj, “Fashion Gallery” është nga më të preferuarat për shumë artiste dhe kliente që pëlqejnë të bukurën e të veçantën. Në koleksionet e saj, Rezarta sjell femrën delikate e sensuale, të veshur me materiale luksoze, me tyl e gurë të çmuar. Ajo është një emër në fushën e modës, me krijime të shumta për vajzat e ekranit, por edhe për vajzat e qytetit që duan të shkëputen nga uniformiteti i veshjeve të gatshme.

Enada At Nikolla – Enada At Nikolla Atelie

Stilistja e njohur Enada At’Nikolla i ka shumë të hershme vitet në fushën e modës. Sot, ajo numëron plot 20 vjet si stiliste, edhe pse koha ka fluturuar shumë shpejt. Enada ka një atelie ku stilon veshje për personazhe të njohur, apo më pak, një parfum me emrin e saj, revistën e modës “Bordo” me Ilda Lumanin dhe ka organizuar disa sfilata. Është gjithmonë në proces krijimi dhe duket se risitë janë gjithmonë pas pragut të saj.

Anila Konomi – Atelie Anila Konomi

“Shqiptarët arrijnë të sakrifikojnë gjithçka për të qenë estetikisht të kuruar apo të ndjekin modën e brendeve elitare” – do të thoshte stilistja Anila Konomi, ndaj edhe raporti i saj me modën në një situatë të tillë është gjithmonë në eksperiment. Njihet si veterane e modës, por ka një këndvështrim si shumë pak në fushën e saj: me veshjen ajo rrëfen histori, flet me identitetit dhe krijon stil. Më shumë se gjithçka, veshja është çështje kulturore, sociale dhe historike – është identitet: të krijosh unin si individ në stil dhe karakter. Veshjet e saj elegante i gjeni në atelienë pranë gjimnazit Petro Nini Luarasi.

Bora Kokëdhima – Savage

Rebelja e familjes Kokëdhima, Bora, shquhet për personalitetin e saj shpërthyes, por dhe talentin në fushën e modës. Ajo ka prezantuar me shumë sukses në treg markën e saj të veshjeve, Savage në vitin 2015 duke prezantuar sipas standardeve ndërkombëtare çdo sezon koleksionet e reja dhe duke realizuar edhe një katalog me personazhe të njohur të fushave të ndryshme në vend që veshën krijimet e saj. Bora është vajza e deputetit Koço Kokëdhima, i cili zotëron disa biznese dhe ajo duket se e ka përthithur më shumë se dy motrat e tjera këtë ajër, gjatë formimit të saj.

Mirela Nurçe – Atelie Mirela Nurçe

Mirela Nurçe, stilistja e njohur shqiptare, është një emër i suksesshëm në botën e modës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Në javën e modës në Milano, Nurçe dhe sfilata e saj zunë faqet kryesore të mediave duke u konsideruar si një sfilatë unike dhe moderne. Në fushën e modës, edhe sikur të gjithë stilistët të mbledhin veshjet e tyre në një sfilatë të vetme, nuk është e vështirë të spikatësh veshjet e stilistes Mirela Nurçe. Jakët e mëdha, xhepat e mëdhenj, kombinimet e luleve me shumë ngjyra janë tipike për Nurçen. Që mbi dhjetë vjet më parë këto punime unike nisën të ndryshonin gardërobat e vajzave me shije.

Anisa Skëndaj- Info-Telecom

Info-Telekom është prej tre vitesh kompania më e madhe në Shqipëri e drejtuar nga një femër. 60 për qind të aksioneve të saj i ka Anisa Skëndaj, e cila është dhe administratore e kompanisë. Ajo është themeluar në vitin 2009, me një zhvillim të dukshëm në vitin 2013 dhe operon në fushën e komunikimit elektronik, ku është një operator i licencuar. Gjithashtu, Anisa zotëron edhe 30 për qind të aksioneve në biznesin Proffesional Marketing Albania, në fushën e marketingut dhe Call Center, i themeluar në vitin 2011. Sigurisht që një qytet ndryshon kur banorët e tij punësohen dhe kompanitë e drejtuara nga Anisa Skëndaj e përmbushin prej kohësh këtë kriter.

Vilma Nushi – Marketing & Distribution

Vilma Nushi është një ndër sipërmarrëset më të suksesshme në fushën e shpërndarjes së produkteve të ndryshme dhe një nga gratë më të pasura në Shqipëri.Ajo zotëron kompaninë Marketing & Distribution, por gjithashtu është edhe aksionere në “Trimed”, një depo farmaceutike e krijuar në vitin 2004. Nushi ka vendosur të ruajë një profil të ulët publik.

Donika Mici – Donianna

Të gjithë e njohim si “mbretëresha e këpucëve”, ndonëse në raftin e saj nuk mund të gjesh më shumë se 10 palë këpucë. Donika Mici, një zonjë këmbëngulëse, energjike dhe inovatore, drejton kompaninë më të madhe të prodhimit të këpucëve në Shqipëri, “Donianna” dhe është punëdhënësja më e madhe femër në vend, me rreth 1800 të punësuar në Donniana, Mici, Dophil, Rozimpex. Në vitin 2016, Mici ka hapur aktivitet edhe për prodhimin e çantave të lëkurës, nëpërmjet Dona Elegant.

Merita Sheqi – Rejsi Farma

Rejsi Farma është një nga kompanitë më të mëdha në vend në fushën e tregtimit të produkteve farmaceutike. Ajo zotërohet nga një çift bashkëshortësh, Merita ka 50 për qind të aksioneve. Ajo pranon që bashkëshorti është një mbështetje e madhe, por në 15 vite ka një rol të rëndësishëm në forcimin e biznesit.

Shefikat Ngjela – Businesswoman, ‘Austria’

Një nga gratë e para sipërmarrëse në Shqipëri që u bë shumë shpejt e njohur në qarqet e biznesit, por duke u vlerësuar madje dhe si sipërmarrja e vitit në 2008-ën nga Instituti Amerikan i Biografive. Restorant Austria në qendër të Tiranës, pjesë e bizneseve në pronësi të zonjës Ngjela, që në krijimin e tij solli një mjedis elegant aristokratik që i mungonte qytetit.

Oli Sulaj – Diamond Dental

Oli është bashkëshortja e themeluesit të markës Diamond, që operon në fushën e përpunimit dhe tregtimit të kafes, bareve dhe stomatologjisë me një klinikë madhështore në kryqëzimin e 21-dhjetorit, mbi lokalin me të njëjtin emër. Nga të gjitha këto biznese, për Olin, klinika dentare Diamond është e veçantë. Ajo është marrë me të që në procesin e krijimit në vitin 2011 dhe vazhdon t’i përkushtohet çdo ditë. Nën kujdesin e Oli Sulajt, e cila, edhe pse ka studiuar ekonomik e juridik, i është kushtuar plotësisht fushës së mjekësisë dentare, klinika ofron shërbimet më të avancuara në këtë fushë, për të rritur dhe fëmijë, me standarde plotësisht ndërkombëtare dhe një staf profesionistësh në të gjitha specialitetet.

Arisa Bidaj – Estelite Dental Centre

Arisa Bidaj është stomatologe ortodonte, por shumë e dhënë pas teknikave moderne të mjekësisë estetike, duke sjellë në klinikën e saj Estelite Dental Center në rrugën Myslym Shyri, shërbime të certifikuara profesionale të përdorimit të fillers-ave me acid hialuronik. Ajo organizon trajnime të vazhdueshme me specialistë të huaj dhe mbledh specialistët më të mirë shqiptarë për konsulta. Një investim serioz në fushën e stomatologjisë dhe mjekësisë estetike, që Bidaj është ndër të parat që i ka shkrirë në një klinikë të vetme, sipas praktikave ndërkombëtare.

Brunilda Bardhi – Klinika Venus

Klinika Venus, prej 15-vjetësh ofron trajtime dermato-esteike gjithmonë me teknikat më të reja dhe aparaturat më të fundit Laser RF, Frax, CO2, Alexand, NdYAG, IPL. Është themeluar dhe drejtohet nga dermatologia Brunilda Bardhi, e cila ka investuar kohën dhe njohuritë e saj në tregun e dermoestetikës, duke ngritur një nga klinikat më të njohura në Tiranë në këtë fushë të mjekësisë estetike.

Albana Lufi – Klinika Dermovita

Klinika Dermovita, në rrugën Hoxha Tahsin, është investimi i dermatologes Albana Lufi, me një përvojë mbi 10-vjeçare në këtë fushë. Në këtë klinikë ofrohen shërbime të ndryshme estetike dhe trajtime për lëkurën dhe dobësimin. Dr.Albana Lufi, përmes njohurive dhe aparaturave moderne që ka synuar të sjellë në klinikën e saj, ofron trajtime të specializuara estetike dhe mjekësore duke krijuar tashmë një grup klientesh të kënaqura.

Lida Hoxha – DermoLife

Është një ndër mjeket estetiste më të bukura dhe shumë e dashur për publikun shqiptar, pjesë e disa emisioneve televizive, me intervista të ndryshme, por edhe me këshilla dhe informacione shumë të vlefshme në fushën e mjekësisë estetike. Lida Hoxha ka mbaruar studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe prej disa vitesh është drejtore ekzekutive e Poliklinikës Dermo Life, një nga më të hershmet në Tiranë në këtë fushë. Për një periudhë 3-vjeçare, 2012-2015 ajo ka qenë këshilluese dhe bashkëpunëtore në institutin “Alta Care”. Në dhjetor të vitit 2016, ka themeluar “Dermo Life Akademi”.

Anila Kalleshi – Anila Kalleshi’s Center

Një ndër drejtueset më të njohura për qendrat e dobësimit në Shqipëri, e vlerësuar edhe me shumë çmime ndërkombëtare për shkak të punës së saj të shkëlqyer, ka sjellë risi në kryeqytet për mënyrën e vlerësimit të vetes. Për afro 20 vjet, qendra e Anila Kalleshit u ka rikthyer njerëzve besimin në vete, në vlerat e tyre, por edhe në forcën e vullnetit. Kalleshi, përveç trajtimeve dhe seancave të dobësimit, jep edhe këshilla si specialiste për t’u dobësuar përmes një regjimi tërësisht të shëndetshëm. Ambiciet e qendrës së dobësimit ‘Anila Kalleshi Center’ kanë arritur majat vit pas viti duke e klasifikuar biznesin si një ndër më të suksesshmit dhe më të kërkuarit në vend.

Rudina Magjistari – Velur Spa & Hammam

Është një nga zonjat e para të televizionit, të angazhuara në një biznes të këtij lloji. Kur u hap Velur, 10 vjet më parë, Spa-të dhe hamamet thuajse mungonin në Tiranë. E pozicionuar në qendrën tregtare Metropol, në rrugën Sami Frashëri, në atë segment të njohur si Drejtoria e Policisë, qendra e kujdesit për trupin dhe shpirtin, është një nga vendet më të njohura për këto lloj trajtimesh. Ky biznes bukurie dhe mirëqenieje i Rudina Magjistarit me cilësinë, produktet dhe stafin e profesionistëve i ka rezistuar kohës, duke u konsoliduar në tregun e spa-ve i cili ka nisur të zgjerohet tashmë. Ndërkohë, Rudina ka hapur dhe një palestër në bulevardin Gjergj Fishta.

Emona dhe Manjola Begolli – Bamboo Spa & Hamam

Përveçse motra, Emona dhe Manjola Begolli janë prej mëse një viti edhe bashkëpunëtore në biznes. Nga shtatori i 2016-ës, Manjola Gjoni Begolli ka hapur biznesin e saj, “Bamboo Spa&Hammam”, ku Emona është administratore. Bamboo ka sjellë ekskluzivitetin e Clarins Skin Spa, madje është pika e parë në rajon që ofron trajtime të këtij lloji me këto produkte cilësore të markës franceze. Bamboo ndodhet në mjediset e Rogner si spa dhe hammam i hotelit, por edhe për klientët jashtë tij.

Vasilika Selaj – Swissline

Pas një përvoje pune disavjeçare në Elmwood Spa me produktet Swissline në Toronto, Vasilika Selaj hapi qendrën e saj estetike, në vjeshtën e vitit 2003 në Tiranë. Gjithçka synonte me produktet estetike ishte një standard i ri, që nuk ishte hasur më herët në Tiranë: jo vetëm në cilësi dhe në kulturën e shërbimit, por edhe në edukimin e mirëmbajtjes së lëkurës. Vasilika është një ndër përfaqësueset e denja të një linje prestigjioze, që e ka ruajtur në vite ekskluzivitetin e produkteve kozmetike unike edhe në Tiranë. Fillimisht me një sallon në katin e 12-të të pallatit pas Postës nr. 8, të emërtuar “Toronto Beauty Spa”, tashmë biznesi është zhvendosur në një sallon më të madh në rrugën Komuna e Parisit, kompleksi Kika, me emërtimin e thjeshtë që është thirrur gjithmonë “Swiss line spa”.

Elvana Shehaj – Dahlia Wellness Center

E bukura, ka qenë gjithmonë pasion për juristen me një përvojë të gjatë në Televizionin Shqiptar. Një ditë vendosi t’i japë asaj një shtëpi, të bardhë, me oborr, veshur pak me mister e me një emër luleje, në vilën 11 që do të ndryshonte pamjen e rrugës Pjetër Bogdani në Bllok. Që nga viti 2009 kjo qendër kujdesi dhe trajtimesh për lëkurën e trupin me produkte cilësore do të kthehej në shtëpinë  e dytë për Elvanën. E quajit Dahlia për cilësitë e lules, bukurinë, hijeshinë e përjetshme, kreativitetin dhe forcën e brendshme që janë tipare frymëzuese të punës në këtë sallon dhe të gruas që trajtohet aty.

Klodiana Shala – Kinetic Fitness

Kanë kaluar më shumë se tre vjet nga hapja e palestrës “Kinetic Fitness” – një emër që tashmë nuk është i panjohur për publikun, meqenëse themeluesja e saj, Klodiana Shala, i ka vënë në rresht të gjithë VIP-at që të ushtrohen sa më shumë në aktivitet fizik. Puna e Klodit, madje, ka marrë forma të tjera, edhe më të ashpra, për të gjithë ata që kanë zgjedhur të jenë pjesë e saj. Ushtrimet e Klodit janë gjithmonë efikase, me gjithë vrazhdësinë e tonit të saj për t’i respektuar deri në fund. E bën këtë, sepse e di që ka të drejtë dhe e di që jeta nuk mund të jetë po njëlloj e bukur dhe e shëndetshme pa u ushtruar me sport.

Xhemi Shehu – Sun Wellnes Center

Me siguri për publikun shqiptar Xhemi është moderatorja simpatike, por në Tiranë, ajo ka në zotërim dhe një qendër kujdesi për trupin, palestër, spa dhe pishinë noti në zonën e Kodrës së Diellit, Sun Wellness Center. Nëse ju duket emër i njohur, ndodh sepse Xhemi e ka vendosur si emër profili në Instagram. Xhemi është e rezervuar në promovimin e këtij biznesi, ndoshta për të ruajtur një ekuilibër në imazhin e saj, megjithatë me siguri që ky biznes mirëqenieje kërkon dhe merr përkushtimin e saj, bashkë me rritjen e fëmijëve dhe spektaklin.

Suada Sherifi – Klinika Sibel

Një nga më të rejat në biznes. Suada Sherifi, mama e një vajze, ka zgjedhur të angazhohet në fushën e bukurisë që i përshtatet profilit të saj si ish-Miss duke hapur klinikën dermoestetike Sibel. Dhe pse me profesionistë të fushës, që sjellin teknika dhe trajtime bashkëkohore, në klinikë gjen dhe kujdesin e Suadës, që u është përkushtuar viteve të fundit njohurive të kësaj fushe. Klinika ndodhet në zonën e ish-Bllokut, ndërkohë që në faqen e saj sibel.al dhe në llogarinë e Instagramit, klientët mund të marrin më shumë informacion për shërbimet dhe ofertat e veçanta.

Vera Grabocka – Producente televizive

Vera Grabocka është gruaja regjisore më e suksesshme e televizioneve shqiptare, e njohur për spektaklet që solli edhe në cilësinë e autores, në kohën kur ky term as nuk njihej në Shqipëri, siç nuk njiheshin patentat që ajo i “shpiku”. Miss dhe Mister Albania, spektaklet me 12 net që mbanin emrin e kompanisë së saj të produksionit dhe patentat ndërkombëtare të viteve të fundit, ku është producente së bashku me Alketa Vejsiun, kanë ndryshuar cilësinë e televizionit në Shqipëri që në fillim të viteve ’90, duke sjellë bashkë me argëtimin, emancipim e duke krijuar shumë nga emrat e së ardhmes. Sot, një nga arsyet që ende televizioni ofron frymëzim dhe diskutim në jetën e përditshme dhe në hapësirën virtuale, është sërish ajo.

Alba (Gina) Frangaj – Tv Klan

Shoqëria TV Klan, që kur nisi aktivitetin në vitin 1997, do të rriste kapitalin e saj vit pas viti. Në fillim me shumë pak punonjës, por në një hark kohor disavjeçar, me një ekip të madh që sheh në të njëjtën pikë të horizontit. Një prej figurave më tërëndësishme të këtij televizioni është edhe Alba Gina – e cila sot zotëron më shumë se 40 për qind të aksioneve të Tv Klan. Të gjithë e njohin Albën dhe rolin e saj të rëndësishëm: është ajo që lëviz qafën dhe bën që gjithçka të flasë gjuhën e një profesionalizmi të lartë.

Vjollca, Lori, Sara dhe Redia Hoxha- Digitalb, Top Channel, Valtelina, VGA

Vjollca, Lori, Sara dhe Redia Hoxha zotërojnë aksione në bizneset e familjes, në fushën e televizionit, radios dhe përpunimit të kafesë, ku kanë një rol të rëndësishëm menaxherial. Vjollca Hoxha dhe të bijat zotërojnë 41 për qind të aksioneve të platformës më të madhe televizive në Shqipëri, DIGITALB. Ndërkohë, kanë 100 për qind në pronësi të familjes së tyre Top Channel, Valtelina- përpunim kafesë- dhe VGA-botim e prodhim reklamash.

Holta, Melina dhe Ridvana Dulaku -Tring

Platforma Tring është 100 për qind në pronësi të bashkëshortëve të vëllezërve Dulaku, Holta Dulaku me 33 për qind, Melina Dulaku me 33 për qind dhe Ridvana Dulaku me 34 për qind. Drejtoresha e Living, Ridvana Dulaku, me kanalin televiziv dhe revistën ka sjellë prej vitesh një ajër të këndshëm në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë, me aroma gatimi, ngjyra dhe shijen e të jetuarit bukur.

Erjona Kadria – Gjithçka mbi flokët Hair Style Eri

E ka nisur me një faqe online në vitin 2011. U bë shumë shpejt një nga faqet më të ndjekura. Në vitin 2013, Erjona, që ka studiuar për estetikë në Itali, mori ekskluzivitetin e linjës Helix Extra dhe aktivizoi agjente shitjesh në qytete të ndryshme. Në vitin 2016 hapi dyqanin e parë fizik në Tiranë, Bio Shop Eridhe mori 13 ekskluzivitete të linjave eco bio italiane, spanjolle dhe franceze. Brenda muajit hapi një dyqan të dytë në Tiranë dhe filialin në Durrës, më tej në Elbasan, Shkodër dhe Vlorë. Gjithashtu ka distibutor edhe në Kosovë. Së fundmi ka hapur një qendër SPA me produkte eco bio ku ka punësuar një mjeke me 25 vite eksperiencë. Ka 251 mijë fanse në faqen e saj, 113 mijë në grupin e mbyllur, 19mijë në adresën e kompanisë dhe 27mijë në Instagram. Një sukses i vërtetë!

Anila Satka – Dora e Artë

Prej 20 vitesh në këtë fushë, Anila Satka ka nisur të punojë si nail artist në Athinë. Në nëntor 2003, vendosi ta sjellë përvojën e saj në Tiranë, ku hapi në Rrugën e Elbasanit studion Dora e Artë, që u bë shumë shpejt një nga më të njohurat. Sot, teksa tryezat e punës janë shtuar, vazhdon të jetë e besuara e shumë klientëve dhe kjo ka ardhur pikërisht prej përkushtimit dhe dashurisë për këtë art të veçantë të Anilës dhe stafit të saj.

Maltina Braho – New Look Tina, Make Up Forever Boutique, Tess Albania

Maltina Braho, e njohur si Tina, është një nga hair stylist-et më të suksesshme në Tiranë, me sallonin New Look Tina, i hapur 14 vite më parë në zonën pranë ish-ekspozitës Shqipëria sot. Ajo është kthyer në një sipërmarrëse në fushën e bukurisë, me standardin që vendosi në sallonin e saj. Ndërkohë, dy vjet më parë, Tina hapi butikun Make Up Forever në ish-Bllok, me produkte ekskluzive të markës italiane të make up-it. Është distributore dhe e markave Davines dhe Comfort Zone dhe gjatë këtij viti ka hapur shkollën për estetikë dhe make up profesional, TESS, në Rrugën e Elbasanit në bashkëpunim me Comfort Zone duke u siguruar shumë të rinjve një mundësi të artë kualifikimi në fushën e estetikës dhe make up-it me standarde ndërkombëtare.

Lili Ismaili – Lili Beauty Center

Nëse do të futeni në profilin e disa prej personazheve më të njohura të botës së politikës, artit, kulturës, pa dyshim do të gjeni një foto me shënimin Make Up: Lili Ismaili. Një nga emrat që institucionalizoi make up-in profesional në Tiranë.E shtyrë nga vizioni dhe ëndrra e fëmijërisë, Lili hapi sallonin e saj në vitin 1991, ndërsa në ditët e sotme vijon të mbetet një ndër make up artistet më të preferuara nga vajzat. Ajo e ka zgjeruar aktivitetin edhe me një biznes në sektorin e fustaneve të nusërisë që mban emrin e saj “Lili Sposa”.Tashmë Lili ka krijuar një mjedis madhështor, të denjë për talentin dhe aktivitetin e saj, pranë stadiumit Qemal Stafa me emrin “Lili Beauty Center”.

Frida Beja- Frida Xhoi and Xhei

Ajo është diplomuar në një nga shkollat më të mira për hairstylist në Udine të Italisë dhe në vitin 2000 u kthye në Shqipëri ku dhe hapi sallonin e saj të bukurisë, “FRIDA”, i cili në shumë pak kohë u kthye në vendin më të frekuentuar nga personazhet e njohura të showbiz-it shqiptar, por jo vetëm. Pas suksesit që arriti në këtë fushë, Frida iu rikthye një pasioni tjetër të hershëm: desing-it. Ajo ndoqi disa kurse të dizanjit të modës në Itali dhe shumë pak kohë më pas, në vitin 2009, hapi në Tiranë sallonin e fustaneve të nusërisë që mban emrin “Frida Xhoi & Xhei”, ku sjell koleksione të markave të njohura botërore.

Jetmira Dushi – White Gallery

Ajo është cilësuar si stilistja e flokëve të VIP-ave. Pasi ka studiuar dhe marrë eksperiencë pune në Itali, Jetmira është rikthyer në Shqipëri. Vendimi i rikthimit duket se ka qenë i drejtë pasi Dushi është një ndër stilistet e flokëve më të suksesshme në kryeqytet. Jetmira ka hapur vitet e fundit edhe sallonin me fustane nusërie “White Gallery”, në zonën e ish-Bllokut.

Frederika Muço- Frederika Arti martesor

Një nga atelietë më të veçanta të fustaneve të nuseve në Tiranë, të krijuara nga mjeshtëria e Frederikës, një zonjë me atë talentin e rrallë që duhet për kryeveprat. Ajo stilon fustane madhështore me elegancën e shekullit të 18-të dhe detaje unike që u japin një pamje të mrekullueshme stilimeve të saj. Mund t’i keni parë në setet profesionale të realizuara vazhdimisht, ndërkohë që salloni gjendet në rrugën Myslym Shyri, pranë Albtelecom.

Marçela Lati – Geraldina Sposa, Bebi & Beba

Marçela Lati ka qenë përherë në krah të bashkëshortit të saj, Mand Peza, në biznesin e tyre “Geraldina Sposa” që ka sjellë një koncept të ri elegance për nuset në qytet, si dhe kontesha Geraldinë, nga është frymëzuar emri që erdhi dhe u bë mbretëreshë e shqiptarëve për pak kohë, por mbeti në memorie për hir të sharmit dhe elegancës së saj. Përveç kompanisë së organizimit të eventeve dhe fustaneve të nusërisë, Marçela ka hapur së fundmi dyqanin “Bebi&Beba”, me veshje për fëmijë.

Amarda Toska – Ami Event

Moderatore e suksesshme, por edhe një sipërmarrëse e zonja. Prej 10-vitesh, Amarda Toska së bashku me bashkëshortin e saj, Ermal Mamaqi, zotërojnë kompaninë “Ami Event”, që organizon dasma dhe evente. Sallonet e fustaneve të nusërisë janë tashmë në Tiranë, në Durrës dhe në Fier. Së fundmi, Ami ka hapur edhe “Venere by Ami”, një sallon trajtimesh bukurie.

Alketa Vejsiu – Class AV Group

Class është spektakli më i vërtetë i Alketa Vejsiut. Me një përvojë të gjatë në televizion, Vejsiu vendosi të vinte në jetë para 4-vitesh njohuritë e studimeve të saj në Fakultetin Ekonomik, por dhe një ëndërr të hershme duke krijuar Class, një kompani 360 gradë realizimi eventesh. Showroom-i në Rrugën e Kosovarëve do të sillte menjëherë ndryshim në Tiranë, me atmosferën e tij dhe koleksionet unike të fustaneve të bardha dhe të mbrëmjes, ndërkohë që Vejsiu do të zgjeronte portofolin e bizneseve.

Class Photography, është themeluar në bashkëpunim me fotografen e talentuar Orsola Mema.

Studio Make Up Class, me make up artiste-n, Erjona Majtara dhe hairstylist-en, Monaliza Kasaj.

Drejtueset e sektorëve të kompanisë janë formuar si lidere tashmë në këtë grup me Lorena Asllani, menaxhere e përgjithshme, Valbona Buçpapaj, Event Planner dhe Livia Myftari, stilisten e re e të talentuar të Class Atelier. Vejsiu është dhe botuese e revistës Class online që nga tetori i vitit 2014.

Sakaq Class Events ka përthithur së fundmi dhe Amar Event, themeluar nga Amela Puka. Amela Puka është një nga arkitektet dhe designer-et me më shume influencë në fushën e dizenjimit të eventeve të nivelit të lartë. I ka shërbyer këto vite një fashe klientele shumë kërkuese duke dizenjuar eventet e tyre me një shije dhe aftësi krijuese të veçantë. E diplomuar në Stamboll, Amela ngriti në Tiranë një kompani me elegancë të pashoqe. Amar Event tashmë është përthithur nga Class Events për një projekt të orientuar nga e ardhmja në fushën e eventeve dhe Interior Design-it në Shqipëri!

Drilona Boçi – Altar

Drilona Boçi është një vajzë e re në botën e biznesit, por mjaft e zonja. Prej disa kohësh, ajo ka blerë kompaninë “ALTAR”. Siç mund të kuptohet edhe nga emri, në këtë sallon gjenden fustane nusërie dhe fustane mbrëmjesh, të dizenjuara nga stilisti kosovar Valdrin Sahiti. Fillimisht, ky biznes ishte në pronësinë e Elvana Gjatës, por këngëtarja vendosi të largohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ia shiti biznesin e saj Drilonës, e cila duket se po e drejton me shumë pasion e përkushtim.

Sava Bardhi – Sava Tours

“Nëse një hallkë shkëputet, atëherë prishet i gjithë zinxhiri” – është një prej motove që ka Sava Bardhi dhe e gjithë agjencia për të cilën ajo është përkushtuar prej shumë vitesh. Por e dinte qysh në fillim që nuhatja dhe disiplina janë aftësi që nuk të lënë kurrë në baltë. Kështu do të ndodhte edhe me Sava-n, brandi me të cilin kanë udhëtuar me mijëra shqiptarë në botë dhe që, pa frikë, e zgjedhin edhe për herë të dytë, të tretë… të njëzetë.

Eleonora Gjonpalaj – Globus Travel

Globus Travel është themeluar para 15 vitesh dhe tashmë është shtrirë dhe në New York e në New Jersey, si për t’i dhënë më shumë kuptim emrit të zgjedhur të kësaj kompanie udhëtimesh. Eleonora Gjonpalaj tashmë jeton në Amerikë nga drejton dhe veprimtarinë e Globus Travel, me një staf profesionist që përmbush me shërbim ekselent kërkesat e klinetëve. Me sa duket, e diplomuara për Matematikë, u ka gjetur zgjidhjen problemeve të drejtimit të një biznesi.

Ornela Zholaj – Global Travel

Themeluar në vitin 2003, Global Travel është një nga agjencitë më të njohura të udhëtimeve në vend, prej disa muajsh me një blog aktiv me të njëjtin emër ku ndahen këshilla të ndryshme dhe shumë të vlefshme. Pas saj qëndron Ornela Zholaj, tour operator, e cila dëshirën për të udhëtuar e ka kthyer në një biznes të suksesshëm. Të gjithë e kanë të njohur sloganin “Ju kushton më shtrenjtë të qëndroni në shtëpi”. I përket Global Travel Albania, një tjetër biznesi të drejtuar nga një grua në Tiranë.

Florentia Erjola Xheka – Aluflor

Florentia Erjola Xheka ishte vetëm 23 vjeç kur themeloi kompaninë e ndërtimit Aluflor. Një mjedis mashkullor biznesi, por dhe një fushë mashkullore, nuk e stepën vajzën e formuar në Gjermani të ndiqte ëndrrën e saj. Fillimisht ishte i gjyshi që financoi plotësisht këtë kompani në fushën e ndërtimit që sot numëron shumë të punësuar dhe shumë partneritete dhe më pas, vajza që kishte jetuar për 16 vjet në Gjermani, tregoi që me aftësi, këmbëngulje e disiplinë mund të ngresh biznese të suksesshme në çdo vend.

Manjola Sulaj – Aquadrom

Çdo nënë kujdeset për fëmijët e saj, por kjo mama e re, ka menduar për fëmijët e të gjithë qytetit me biznesin që menaxhon, Aquadrom-in pranë Liqenit Artificial, ku gjatë gjithë sezonit ofrohen aktivitet për fëmijë në fundjavë. Është një hapësirë argëtuese jo vetëm për fëmijët, por dhe për të gjithë ata që duan të pushojnë pa u larguar nga qendra e qytetit fundjavave të verës. Gjithashtu Manjola është bashkaksionere e Tajvan-it, një nga investimet më të mëdha të Tiranës.

Ornela Muçaj – X Plan Studio

Ornela Muçaj është një arkitekte e njohur, por dhe një sipërmarrëse plot stil. Prej 20-vitesh, së bashku me bashkëshortin, ajo drejton një ndër studiot më të mëdha të arkitekturës në vend. “X Plan Studio” u krijua fillimisht nga Ornela, bashkëshorti dhe një grup i vogël të rinjsh, por tani është një biznes mjaft fitimprurës për familjen e Ornelës. Ornela, përveçse një arkitekte e zonja, është edhe një vajzë me shumë stil dhe në Instagram ka mbi 10 mijë ndjekës.

Pezana Rexha – Design by Pana

Një arkitekte e talentuar që fokusin e saj ndaj shoqërisë e ka vendosur edhe në aktivitetin e saj profesional. Ajo ka themeluar Design By Pana në nëntor të vitit 2013, një kompani inovative, kreative dhe ekologjike, që mbështetet në riciklimin e drurit. Tashmë Design by Pana ka një mjedis me qira ku realizon punimet dhe një dyqan të vogël ku ekspozon produktet, ndërkohë që gjendet dhe online.

Rezarta Shkurta – Hera Company

E njohur fillimisht në fushën e spektaklit dhe muzikës, Rezarta Shkurta ka krijuar me seriozitet dhe përkushtim edhe profilin e një sipërmarrëseje me Hera Company, një shoqëri që realizon sete fotografish për fëmijë, sete shtatzënie, por edhe foto për klientë të fushës së modës dhe fustaneve të nuseve në qytet. Hera Company është hapur tre vjet më parë dhe Rezarta ka vendosur shumë dashuri në të, që në përzgjedhjen e emrit, të njëjtë me të së bijës, e cila ka lindur vetëm pak para kompanisë. Që nga dita e krijimit, Hera Company është bërë një emër i njohur në tregun e studiove profesionale të ideimit dhe realizimit të fotove për fëmijë.

Soela Zani – Shkruaj me dritë

Një nga profesionistet e para që i është kushtuar fotografisë për fëmijë në studion e saj “Shkruaj me dritë”, dhe pse edhe të rriturit kanë qenë dhe janë objekt i këtyre fotove. Soela Zani është një nga fotografet më të rëndësishme në konsolidimin dhe përhapjen e shërbimit të seteve profesionale për bebe dhe fëmijë në Shqipëri. Në vitin 2014, ajo ideoi dhe realizoi “Edhe unë jam një vepër arti”, një ekspozitë ku të fotografuarit ishin fëmijë me sindromë Down duke treguar dhe një herë që më shumë sesa biznes, puna e saj është pasion dhe dashuri. Duket se puna me fëmijët e ka rritur profesionalisht, por njëkohësisht dhe i ka dhënë prej natyrës së tyre.

 

Rafaela Rica – Iceberg Communication

E diplomuar për anglisht, hyri në botën e marketingut krejt rastësisht kur nisi të punonte për gazetën Shekulli. Më pas, Rafaela vendosi të ngrejë një biznes në këtë fushë, së bashku me një mikeshë, me gjithë mosbesimin e të atit, ekonomist në Rrëshen që dyshonte që e bija do ia dilte e vetme me një biznes në Tiranë. Megjithatë, Iceberg Publicity, sot Iceberg Communication u hap në vitin 1999 dhe sot është një nga kompanitë më të njohura në fushën e reklamës, komunikimit, marrëdhënies me publikun dhe menaxhimit të eventeve. Një master në Administrim Biznesi do ta ndihmonte Rafaelën në sipërmarrjen e saj, ndërkohë që aktiviteti do rritej me shpejtësi, në numër punonjësish, por dhe projektesh që iu besoheshin. Firmën e Iceberg Communication mbajnë dekoret e Vlorës në 100 vjetorin e Pavarësisë dhe bulveardit “Dëshmorët e Kombit” në Ditën e Verës, veç shumë eventeve apo produkte marketingu të realizuara prej saj.

Afërdita Rrumbullaku – Kouzon Albania

Afërdita Rrumbullaku është drejtuese e Kouzon Albania. Znj. Afërdita është një sipërmarrëse e suksesshme në fushën e punësimit, sidomos për të rinjtë, të cilëve u jep mundësinë për të shpalosur aftësitë e tyre jashtë kufijve shqiptarë duke sjellë për herë të parë përmes degës së Kouzon, mundësinë e punësimit në kroçere.

Romina Ferra – Ital Optika

Ital Optika është optika e parë private në Shqipëri, e hapur 23 vite më parë nga një prej okulistëve më të njohur në vend. Ajo është e pranishme në treg që nga viti 1994 dhe prej disa vitesh drejtimin dhe marketingun e ka marrë në dorë, e bija e themeluesit, Romina Ferra. Ital Optika, veçse një optikë profesionale, është dhe një ndër stacionet e preferuar fashion të shumë prej VIP-ave shqiptarë, por dhe klientëve që vlerësojnë cilësinë dhe markat e veçanta.

Eva Çali Popescu – Grand Luxury Group

Administratorja e Grand Optica-s të hapur në zonën e ish-Bllokut në qershor të vitit 2015 ka vendosur të sjellë marka luksi në Shqipëri si Cartier. Ndoshta klientët nuk janë të shumtë në numër, për shkak të çmimit premium, por me siguri ata që i zgjedhin produktet e markave të njohura të kësaj optike, e ndiejnë ndryshimin. Eva është e angazhuar gjithashtu në bizneset e tjera të familjes, të gjithë butikë luksi që kanë sjellë në Shqipëri marka të njohura veshjesh, aksesorësh dhe parfumesh, siç janë Monopol Tirana, Red Diamond dhe StJoseph Albania, ku gjeni dhe Philipp Plein.

Greis Balla – Optika 1

Kur bëhet fjalë për biznes, femrat e kanë treguar se janë po aq të suksesshme sa edhe meshkujt. Disa prej tyre zgjedhin të qëndrojnë në hije, duke lënë punën e tyre të flasë me tepër. Një prej tyre është Greis Balla. Prej vitesh, ajo drejton një nga studiot më të njohura për syze në Tiranë, Optika 1. Gjithçka ka nisur me një optikë të vetme, ndërsa sot numëron plot 6 të tilla, me vendndodhje në Tiranë dhe Elbasan.

Orgeta Dervishi – Lux Optika

E rritur në një familje mjekësh, me një mama okuliste, ajo u bë natyrshëm pjesë e biznesit të familjes, së hapur fillimisht në Vlorë në vitin 2008. Më pas Lux Optika erdhi dhe në Tiranë me një optikë në bulevardin Zogu i Parë. Tashmë roli i Orgeta Dervishit si administratore e biznesit nisi të rritej. Që nga viti 2016 Lux Optika ka dhe një pikë në bllok, ku vazhdojnë realizohen vizita optimetrike dhe okulustike dhe ofrohen syze optike dhe dielli të markave më të njohura, me ndër më të fundit ekskluzive, Retrosuperfuture dhe Thierry Lasry.

Mirjam Huta – Interni Design

Interni Design në Galeria ETC është një nga sallonet e parë në Tiranë që kanë sjellë mobilie të markave të njohura. Administratorja Miriam Huta ka përdorur talentin e saj në design për të përzgjedhur linjat më elegante dhe cilësinë superiore. Aty gjeni emrat e njohur të mobilerisë SMA, Poltrona Frau, Kartell, apo SMANIA, ekskluzivitet i marrë në 2016-ën etj. si një përgjigje për të gjitha kërkesat tuaja të arredimit modern.

Greiss Petrović – Grace Models

“Grace Models” është një nga agjencitë kryesore që operon në Shqipëri në fushën e modelingut. E themeluar në vitin 2012 nga Greiss Petrović, fokusi kryesor i kësaj agjencie është menaxhimi dhe promovimi i modelëve. Në vitin 2012, “Grace Models” është licensuar nga Ministria e Punës dhe e ÇështjeveSociale si e para dhe e vetmja Qendër Kursesh Profesionale në fushëne modelingut në Shqipëri.

Alba Ruco – Argjendari “Pirro”

Studimet specifike në Londër për gurët e çmuar e orientuan Albën për të ardhmen e saj në Tiranë. Përfaqësuese e një prej argjendarive më të njohura në kryeqytet, Alba di më mirë se kushdo të flasë për domethënien, vetitë e gurëve tëçmuar, si dhe përshtatjen me natyrën e çdo personi. Vajza e argjendarit, që ka hapur argjendarinë më të njohur të kryeqytetit “Pirro”, nuk është vetëm një përfaqësuese e biznesit familjar, por më shumë se kaq, një emër që ka krijuar elegancë në biznes, ashtu si vetë gurët e çmuar, gjuhën e të cilëve ajo tashmë e flet shkëlqyeshëm.

Elizabeta Hysi – tekstile Gjergji H

Sipërmarrëse e Gjergji H Tekstil – një prej distributorëve më të mëdhenj të shitjes me shumicë të tekstileve, që nga viti 1994, me një gamë të gjerë klientësh; restorante, hotele, fasonieri, kompani eventesh etj. Që kur ka marrë përsipër të menaxhojë një kompani kaq të madhe, Elisabeta e paramendonte se të përfaqësosh një biznes si tekstilet, do të thotë të furnizosh një shoqëri me stil.
E diplomuar në UT, në vitin 1989 për Mercologji dhe në vitin 1996 për Financë, Elisabeta e kuptoi shpejt se biznesi do të ishte ambicia e saj primare. Sot numëron plot 27 vjet në biznes dhe jo pak zëra biznesi nën administrimin e saj: një dyqan me veshje për fëmijë “VIP Junior”, (ETC), “Martizza Studio” në zonën e ish-Bllokut, “Sassofono Multibrand” (ETC), “Luiseta” me veshje luksoze për meshkuj me marka si Philip Plein, Corneliani, Angelo Nardeli etj. Prej 2-vjetësh, Elisabeta dhe bashkëpunëtorët e saj në biznes kanë hapur portalin online www.Luiseta.com, një faqe që synon edhe shitjen në tregun ndërkombëtar. Prej vitit 2015, Elisabeta është edhe aksionere e bankës Credins.

Frida Banushi – Floral Fantasy

Prej 12-vitesh floriste, Frida Banushi ka ndryshuar pamjen e eventeve të ndryshme, të vogla apo të mëdha, me punimet e saj floreale. Ajo ka sjellë përvojën italiane në Tiranë ku ka hapur në zemër të qytetit, në hyrje të ish-Bllokut, dyqanin e luleve “Floral Fantasy”. Në bashkëpunim me Class Events, Frida ka realizuar arkitekturën floreale të disa eventeve të rëndësishme në kryeqytet ku mund të përmendim, dasmën e Princ Lekës dhe Princeshës Elia Zaharia në Pallatin e Brigadave.

Lida Ferrollari – Qendra dietike “Silhoutte”

Dietologia Lida Ferrollari njihet mirë nga shumë prej qytetarëve të Tiranës që kanë zgjedhur të jetojnë shëndetshëm duke porositur vaktet e tyre në qendrën dietike “Silhouette”. Pasi ka kryer një master në Ancona, dietologia Lida Ferrollari është kthyer në Tiranë ku ka hapur qendrën dietike “Silhouette”. Aty, çdo klienti i përcaktohet në bazë të matjeve të treguesve truporë, dieta e shëndetshme dhe pastaj mund t’i dërgohet çdo ditë në adresën e përcaktuar, e sapogatuar. Një shërbim që sigurisht ka ndryshuar mënyrën e jetës së njerëzve që e kanë zgjedhur, bashkë me shifrën e shfaqur në peshore.

Blerina Bombaj – Blerina Bombaj Diet, Blerina Bombaj Farm

Prej 10-vitesh, Blerina Bombaj ka zyrën e saj dietologjike Blerina Diet që ofron këshillim ushqimor të bazuar në rekomandimet shkencore. Bombaj është gjithashtu prezente në emisionin “E diela shqiptare”, ku çdo të diel jep rekomandimet e saj për sa i përket ushqyerjes së shëndetshme. Gjithashtu, Bombaj zotëron edhe restorantin “Blerina Farm”, në periferi të Tiranës, mbështetur në një menu me produkte të freskëta dhe organike.

Servete Agia – Qëndistari Agia

Servete Agia është një qëndistare shkodrane e cila e ka kthyer në një markë të njohur emrin e saj. Qëndistari Agia me qendër në Tiranë, pas 21-vitesh, që kur zonja Servete ka nisur të punojë si qëndistare, numëron mbi 10 të punësuar, dërgon porosi në të gjithë Shqipërinë përmes faqes së saj që ka hapur në vitin 2012 dhe ka një pikë shitjeje në Tiranë në rrugën “Don Bosko”, Kulla 6, Hawaii. Shumë shtëpi apo lindje fëmijësh janë zbukuruar me punimet artizanale të dedikuara të kësaj qëndistarie, e cila prej vitesh punon e përkushtuar në një fushë aspak të lehtë.

Benisa Kaçe – Çelësi

Benisa Kaçe e ka në dorë Çelësin e suksesit. Kjo kompani ka sjellë shërbime të domosdoshme për çdo hapësirë urbane, ku veçojmë Gazetën Çelësi, portalin dhe gazetën më të madhe në vend për njoftime, Letrat e Verdha me informacion për të gjitha bizneset dhe disa veprimtari të tjera në fushën e komunikimit, medias dhe udhëtimeve. Benisa, CEO e Çelësit, ka ditur të drejtojë me sukses një biznes në një fushë shumë dinamike, duke arritur ta kthejë në një emër të qëndrueshëm dhe në rritje.

Mirlinda Boshnjaku – Montessori School of Albania dhe WAT

Mirlinda Boshjaku themeloi 10 vite më parë institucionin arsimor Montessori-Albania që kishte për qëllim të zhvillonte arsimin ndërkombëtar në Shqipëri duke sjellë për herë të parë metodën më holistike në zhvillimin e fëmijëve nëpërmjet “International Montessori School of Albania”, për moshat 0 – 6 vjeç (program autentik i akredituar) dhe më vonë World Academy of Tirana (WAT) me 3 programe të autorizuara nga International Baçalaureate (PYP, MYP & DP) për moshat 5 – 18 vjeç.

Montessori dhe WAT, që prej 10 vitesh, ofrojnë arsim ndërkombëtar elitar në 2 institucionet arsimore ku mësojnë fëmijë dhe mësues nga 40 vende të ndryshme të botës, të cilët i japin kuptimin e vërtetë mendësisë ndërkombëtare që shkolla dhe programet predikojnë.

Semiha Molla dhe Ludmilla Stefani-Qendra e Gjuhëve të Huaja Universi

Asgjë nuk e ndryshon një qytet si dija dhe për këtë arsye, Semiha Molla dhe Ludmilla Stefani kanë një meritë të veçantë për hapjen e qendrës së parë të gjuhëve të huaja në Shqipëri, Universi. Ajo është themeluar në vitin 1995 dhe prej kohësh numëron 30 mijë studentëve që kanë studiuar në këtë qendër. Universi nisi si qendër e mësimit të gjuhës angleze, por tashmë ofron një gamë të gjerë njohurish në fusha të ndryshme duke i kushtuar gjithmonë rëndësi mësimdhënies.

Brunilda Paskali – Wisdom Education Center

Brunilda Paskali është themeluesja dhe administratorja e një prej qendrave të gjuhëve të huaja më të mëdha në Tiranë, Wisdom. Për një periudhë disavjeçare,Wisdom operoi dhe në tregun e arsimit të lartë. Wisdom, e themeluar që në vitin 1996, me disa pika në Tiranë, është dhe qendër e autorizuar e provimeve Toefl, duke thjeshtëzuar rrugën e dijes dhe arsimit të grupmoshave të ndryshme.

Roberta Mone Ndokaj – Let’s Dance

Prof.Asc. Roberta Mone Ndokaj është pedagoge dhe koreografe në Universitetin e Arteve, por megjithatë ajo gjithmonë kishte ëndërruar të mësonte fëmijët dhe sot e ka përmbushur me shkollën e baletit për fëmijë, Let’s Dance pranë stadiumit Qemal Stafa. Kjo shkollë mëson dhe të rritur që, për kënaqësi apo një ngjarje të rëndësishme të jetës së tyre, duan të vallëzojnë si profesionistë. Roberta është dhe autore e librit me të njëjtin titull “Let’s dance”, kushtuar baletit, që iu drejtohet prindërve, mësuesve dhe fëmijëve për të nxitur talentin në këtë art.

Arlinda Dudaj- Shtëpia botuese Dudaj

Një jetë mes librave dhe më shumë se 17 vjet si themeluese e njërës prej shtëpive më të njohura botuese në vend, “Dudaj”, Arlinda është i pari personazh në ҫdo panel ku flitet për librat apo ndikimin e tyre në shoqërinë dhe të rinjtë shqiptarë. Nëse do të ndryshosh mendësi, ta shohësh librin si prioritet, si nevojë për të njohur më shumë veten, dëgjo të paktën 10 minuta Arlindën për të kuptuar pasionin që ka për librin dhe besimin e plotë se jeta është më e bukur nëse pranë vetes mban gjithmonë diçka për të lexuar.
Në “Dudaj” titujt janë të pafund, pavarësisht sezonit: fillojnë me emra nobelistësh e përfundojnë tek ata që nuk bëjnë as zhurmën më të vogël (as si autorë e as si tituj), por të mbajnë deri në orët e para të mëngjesit pa gjumë. Nëse kjo e fundit ndodh, atëherë Arlinda dhe “Dudaj” ia kanë arritur asaj që duan.

Irena Toçi – Shtëpia botuese Toena

Drejtuese ekzekutive e shtëpisë botuese Toena, së bashku me bashkëshortin e saj, Irena nisi punën pranë kësaj ‘shtëpize’ në vitin 1993 me vetëm tre punonjës. Ndërsa sot, një prej emrave më të rëndësishëm në fushën e botimeve, Toena dhe bashkë me të edhe Irena, janë kthyer në një fuqi që sjell vit pas viti tituj të jashtëzakonshëm që duhet t’i kesh me çdo kusht në bibliotekë. Irena është një emër i rëndësishëm që qëndron krah një biznesi, i cili vitet e fundit po zgjon edhe më shumë interes ndër të rinjtë. Ky është edhe një qëllim i rëndësishëm i Toenës dhe vetë Irenës.

Loreta Berhami – Botime Pegi

Drejtuese e sektorit të librit artistik të Pegi-t, përfshirja e plotë e Loretës në biznesin e familjes së saj në fushën e botimeve është mëse e ndjeshme, që nga viti 2011, kur ajo vendosi të përqendrohej në fushën e botimeve. Me një formim ekonomik, bachelor dhe master shkencash në një nga universitetet më të njohur evropianë, Università Bocconi në Itali dhe me një MBA në IMB Business School në Zvicër, Loreta la karrierën në bankë për t’iu përkushtuar librave, një pasion që e ka shoqëruar gjithë jetën. Edhe pse jeton jashtë, ajo drejton gjithë veprimtarinë e Botimeve Pegi, promovimin e librave të rinj dhe gjithë aktivitetet në këtë fushë.

Flutura Açka – Skanderbeg Books

Shkrimtarja e njohur është themeluese, bashkë me bashkëshortin, e shtëpisë botuese “Skanderbeg books”, e cila ka botuar për lexuesin shqiptar një numër të konsiderueshëm nobelistësh të njohur. Në dhjetor 2016, Flutura Açka është vlerësuar me titullin “Mjeshtre e Madhe” nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani – çmim që ia kushtoi lexuesit të saj. Me modestinë e pashoqe dhe altruizmin që e karakterizon, Flutura nuk mban asgjë për vete – një burim krijimi i pashtershëm për lexuesin e saj. Flutura është autore e disa librave, “Vetmi gruaje”, “Zbathur”, “Kukullat nuk kanë atdhe”, “Ftesë për flirt” etj.

Alketa Zyfi – Yogurteria

Që në pikën e parë, Yogurteria solli një ajër të freskët në Tiranë, prej produkteve të shëndetshme, të lehta e të shijshme, bardhësisë së dekorit dhe mjedisit të këndshëm. Tashmë janë disa pika, një në ish-Bllok, një në Rrugën e Elbasanit, një në TEG dhe tjetra te qendra tregtare Toptani Center. Pas tyre qëndron Alketa Zyfi, një mama e re, e diplomuar në Itali, e cila i rri në kokë këtij biznesi që sa vjen e zgjerohet dhe pasurohet me shije.

Dhurata Thanasi Daneri – Luga e Argjendtë

Kjo është zonja që qëndron pas Lugës së Argjendtë, një nga blogjet më të veçanta të ushqimit dhe gatimit në Shqipëri, i hapur në vitin 2012. Dhurata kombinon traditën me fantazinë duke sjellë gatime speciale, por mbi të gjitha të shëndetshme, meqenëse produktet e freskëta, lokale janë një nga bazat e kuzhinës dhe filozofisë së saj, që po punon ta përhapë në shkollat e Tiranës përmes një projekti të veçantë. Tashmë Luga e Argjendtë, është një restorant në rrugën Nikolla Tupe në ish-Bllok, por dhe një pikë shitjeje e vogël në rrugën Nikolla Tupe, me receta dhe produkte të freskëta dhe të veçanta, organike, ku mund të gjeni dhe ëmbëlsirat e një tjetër vajze të talentuar të qytetit, Kristi Janku.

Fiona Ruli – Veranda

Fiona Ruli është një nga administratoret më të reja në moshë, të bizneseve në Tiranë. Ashtu si dhe biznesi që ajo drejton, restorant “Veranda”. Hapur në maj të 2015-ës, në TEG, ky restorant me kuzhinë italiane synonte të sillte një shërbim dhe mjedis unik në një zonë të Tiranës ku të gjitha këto mungonin. Sigurisht nuk mund të vepronte pa ide të qarta, Fiona, e cila ka studiuar fillimisht në Oksford, e më pas në Londër ku është diplomuar për Biznes Ndërkombëtar dhe Ligje në Kingston University. Sakaq, mamaja e Fionës, Alueta Ruli, është administratore e një tjetër bar-restoranti në Tiranë, që ka sjellë elegancën e mjedisit dhe shërbimit dhe shijen e pastave italiane në qendër të qytetit, në restorant Living në ETC Galeria.

Erjola Braha – Alehandro Distribution dhe Vila Alehandro

Një aktivitet që nisi dhe vazhdon me distribucionin e verërave, të ardhura nga viset më të njohura për shijen superiore të pijes që ka bërë botën të dashurohet pas saj dhe më pas i zgjeruar me një bar dhe restorant ku këto verëra mund të shijohen me elegancë. Vila Alehandro-n në Bllok, e njohin të gjithë. Një vilë e vitit 1941 e dekoruar me stil, shërben si një pikë takimi e mbi të gjitha si një vend për të shijuar verë të mirë. Administratore e këtij biznesi familjar është Erjola Braha e cila e ka kohën të mbushur me vizita në vreshtat, kantinat e panairat e verërave të njohura që i shijon para se ato të vijnë në Shqipëri dhe ka ditur të drejtojë me sukses biznesin e familjes së saj që tashmë është kthyer në një emër të njohur duke sjellë një ndryshim cilësor në stilin e jetës në qytet.

Brizida Jano-Padam Boutique Hotel & Restorant

Padam është një emër i njohur në Tiranë, por pas rihapjes në vitin 2016, nën një menaxhim të ri të Brizida Janos dhe Alba Frangajt, është veshur me një tjetër auerolë, duke ofruar në mjediset e kopshtit dhe vilës në rrugën Papa Gjon Pali II, shërbimet më të mira të hotelerisë, restorantit dhe barit. Ka afruar madje dy nga emrat më të njohur të këtyre fushave, Fundim Gjepalin si chef restoranti dhe Briken Fejzulliu, aka. Kryetari i Natës i Bashkisë së Tiranës si menaxher bari. Idetë janë plotësisht të gjinisë femërore.

Eva Mane – Yamato

Ajo është shumë pak e pranishme në media, por lë punën e saj të flasë më shumë për të. Eva Mane është një ndër gratë që i kanë ndryshuar “fytyrën” kryeqytetit, me vizionin për të hapur një prej restoranteve më të veçantë në qytet. “Yamato” është restoranti i parë në Shqipëri, i specializuar në ushqimin japonez, i cili operon prej vitesh në treg. Eva është bashkëshortja e njeriut më të pasur në Shqipëri, Samir Mane.

Melisa Huqi (Boletini) Mulliri i Vjetër

Mbesa e heroit të popullit, Isa Boletinit, tashmë një ndër femrat më të suksseshme në fushën e biznesit. “Mulliri Vjetër” është kompania që ajo dhe bashkëshorti i saj drejtojnë. Melisa e zgjeroi sipërmarrjen e saj me lokale e kafeteri në Tiranë duke krijuar tashmë një zinxhir coffee shop-esh në gjithë Tiranën, Durrës e së shpejti në shumë qytete të tjera të Shqipërisë.
Me një shërbim që më parë nuk ishte i frekuentuar: me vetëshërbime, me një stil të ri për kryeqytetin dhe më një dekor unik. Një design totalisht i ri që e ka hijeshuar Tiranën në çdo kënd të saj, një koncept i ri i të bërit biznes që e ka bërë argëtuese konsumin e kafes, ambient komod dhe shumë bashkëkohor. Mbi të gjitha thyerje tabush dhe paragjykimesh pasi “Mulliri i Vjetër” me përkushtimin e Melisës (e cila vazhdon t’i përzgjedhë vetë me shumë kujdes) ishte kompania e parë që punësoi VETËM vajza në lokalet e saj. Ishte një fillim i vështirë, mes paragjykimeve të kohës, por që ka triumfuar suksesshëm në ditët e sotme. Shumë shpejt u kthye në trend për të gjitha grupmoshat. Cilësia e produktit është një pikë që Melisa dhe Lulzimi nuk kanë bërë kurrë kompromis.

Kompania është vlerësuar me çmime kombëtare e renditur si kafeja më e preferuar nga klientët. Një kafe te “Mulliri i Vjetër” në Tiranë, që vetëm emrin ka të tillë, sepse në çdo orë të ditës gumëzhijnë të rinjtë, është një kafe që shijon njëlloj me traditën.

Elisabeta Gjoni – Amadeus Palace

Së bashku me bashkëshortin Besim Elshani, Elisabeta Gjoni është bashkëpronare dhe ideatore e një hoteli që përshëndet këdo që vjen në Tiranë. Amadeus Palace, si emri i kompozitorit Mozart, një godinë e shtrirë mbi kodër, që vihet re lehtësisht kur hyn apo del nga Tirana, nuk është vetëm një ndërtesë madhështore, por më shumë se aq, përfaqësues i dy njerëzve kreativë që sytë i kanë drejt kupolës – për ta parë shërbimin e hotelerisë si një nevojë që më shumë se gjithçka, vlerëson qetësinë dhe luksin e një kohe cilësore. Amadeus Palace i ka dhënë një imazh krejt të ri kryeqytetit.

Fjodora Fjora – Nama Sushi

Moderatorja dhe gazetarja e “Chic” në News 24, nuk ka pikë të fortë vetëm gazetarinë. Njohëse e mirë e kulturës jo vetëm shqiptare, por edhe asaj ndërkombëtare, Fjodora është bashkëpronare e një restoranti me kuzhinë japoneze. “Nama Sushi”, pjesë e rrjetit të njohur “Nama Sushi” në botë, ka sjellë në Shqipëri një nivel të ri shijeje. Në qendër të gatimeve janë, natyrisht, sushit, sashimit dhe lloje të ndryshme të kuzhinës orientale, të cilat po kërkohen gjithmonë e më shumë edhe në vendin tonë. Elegancën, Fjodora e shtriu edhe jashtë ekranit duke krijuar një ambient për të gjithë ata që kanë shije të hollë e pikante, në restorantin e vogël që ofron dhe delivery, të ndodhur në rrugën Nikolla Tupe.

Rovena Dilo – Tree House Lounge Tirana

Kush nuk e ka pirë një kafe te “Rovena” nëzonën e ish-Bllok-ut në Tiranë? Një ndër baret më të frekuentuara për vite me radhë e identifikoi Rovenën edhe si një businesswoman të suksesshme. Jashtë muzikës, këngëtarja iu përkushtua për shumë vite biznesit, por prej disa kohësh, pas një konflikti për pronën, është zhvendosur në një ambient të ri dhe jo më pak të bukur, investim i vëllait të saj. Miqtë dinë ta gjejnë Rovenën në çdo vend në Tiranë: ‘Tree House Lounge Tirana’, në Rrugën e Elbasanit, është gjithmonë i ngrohtë – për miqtë e Rovenës dhe për të gjithë ata që duan të kalojnë disa orë të qeta pas zhurmës kaotike të përditshmërisë kryeqytetase.

Efi dhe Kristina Neranxi-Divina

Efi dhe Kristina janë shumë larg stereotipit “vajzat e babit”. Dy bukuroshet, përtej marrëdhënies së mirë si motra, janë edhe bashkëpunëtore në biznes. Ato, veç roleve në kompaninë Neranxi, janë investitoret kryesore të Divina Boutique Hotel, në zonën e ish-Bllokut, i cili u parapri nga Divina pranë Liqenit Artificial që solli një koncept ndryshe të pastiçerisë. Dy motrat, sa të ndryshme aq edhe të ngjashme, duket se kanë trashëguar nga babai i tyre, Kristaq Neranxi, aftësinë e të drejtuarit me sukses të çdo iniciative që marrin.

Mirjana Kuka – Diplomat

Mirjana Kuka, tashmë drejtuese prej shumë vitesh e Diplomat Fashion Hotel & Spa, nuk është tutur asnjëherë përballë sfidave apo vështirësive që fusha e hotelerisë, për hir të së vërtetës, nuk i ka pakta. Përkundrazi, ajo sukseset dhe arritjet i ka bërë pjesë tëjetës, sepse motoja e saj “klienti është punëdhënësi im” ka qenë dhe mbetet objektivi kryesor – themeli mbi të cilin ngrihet një biznes i suksesshëm. Ajo nisi punën në Hotel Diplomat atëherë kur kultura mbi hotelerinë e turizmin në vendin tonë ishte e vakët, por iniciativa, guximi për të ndërmarrë sipërmarrje, cilësi që pakkush i gëzonte në ato kohë, nuk e lanë asnjëherë në baltë. Diplomat është tashmë markë në hoteleri e shërbim restoranti, sepse Mirjana, por edhe i gjithë grupi i punës që fshihet pas saj, kanë sjellë atë që u duhet më shumë klientëve – standard i lartë dhe përgjegjësi profesionale për të sjellë te konsumatori “atë për të cilën ai paguan”.

Marie-Thérèse Marchal-Bukë dhe Ëmbëlsira Franceze

Nuk mund të sjellësh një copë France në Tiranë e të mos e ndryshosh atë. E hapur në vitin 1999, pastiçeria që do të thirrej “Buka franceze”, në hyrje të ish-Bllokut u bë një pikë referimi për atmosferën e ngrohtë dhe sidomos ëmbëlsirat që gjeje aty. Ishte ideja e Marie-Therese Marchal, e cila jetonte në Shqipëri. Asaj i mungonin siç duket produktet, kruasanët dhe buka e Francës dhe e krijoi pastiçerinë e saj franceze në Tiranë. Ajo ishte e specializuar për ëmbëlsira në vendin e saj, ndaj e pati të lehtë ta niste këtë punë. Dyqani ofron bukë, ëmbëlsira dhe ushqim francez të cilësisë së lartë. Një vend i pëlqyer nga të gjithë francezët që vizitojnë Tiranën dhe shqiptarët që duan të vizitojnë Francën brenda Tiranës.

Ana Lucia Ramazzini-Pastelito Cake Boutique

Ana Lucia Ramazzini është një Chef ëmbëlsirash dhe diezenjuese tortash me prejardhje italiane dhe spanjolle, por jeton në Tiranë duke qenë që është martuar me një kirurg shqiptar zemre. Ajo ka studiuar në Itali, Londër dhe Amerikë me specialistë të njohur të fushës së ëmbëlsirave. Dëshira e saj për t’u ofruar diçka të re njerëzve në kërkim të kreatives dhe së resë, të personalizuarës dhe mbi të gjitha të shijshmes, e frymëzoi për të krijuar Pastelitos Cake Boutique në 2011-ën. Produktet e përdorura janë të gjitha brenda standardeve të BE-së, ndërsa dekorimet të bëra me dorë u japin tortave një pamje krejtësisht unike.

+

Ju! Ju nuk e keni emrin në këtë shkrim kopertine, por kjo nuk e bën më të vogël suksesin apo meritën tuaj. Ju e bëtë 100-ën të dukej një numër i vogël, siç keni bërë në sipërmarrjet tuaja, me paragjykimet, mosbesimin, pengesat, vështirësitë për ta kaluar shumë herë atë që dikush mund të priste nga ju.

Kopertina – Dizajni: Petro Kosho

Artikull i botur ne Revisten Class 2 dhjetor 2017

error: Nuk lejohet kopjimi!